Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 14 maj 2014
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, TË CILËT PREKEN NGA RESTAURIMI I OBJEKTIT, MERKATO-QENDËR, TË BASHKISË SË BERATIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga restaurimi i objektit, Merkato-Qendër, të bashkisë së Beratit.
2. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Beratit.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen sipas masës së dhënë në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen  32 (tridhjetë e dy) m² truall, në vlerën 1 888 800 (një milion e tetëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e tetëqind) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 1 888 800 (një milion e tetëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e tetëqind) lekë të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Beratit, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia e Beratit.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas miratimit të projektit.
7. Regjistrimi i ri i pasurisë për sipërfaqen 32 (tridhjetë e dy) m² truall të bëhet në favor të bashkisë së Beratit.
8. Afati i përfundimit të punimeve të objektit të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga bashkia e Beratit.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkia e Beratit për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, TË CILËT PREKEN NGA HAPJA DHE SISTEMIMI I RRUGËS “11 NËNTORI”, SEGMENTI NGA SHKOLLA “JORGJI DILO” DERI TE “ROTONDA TEK POSTA”, TË BASHKISË SË ELBASANIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të     ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga hapja dhe sistemimi i rrugës “11 Nëntori”, segmenti nga shkolla “Jorgji Dilo” deri te “Rotonda tek Posta”, të bashkisë së Elbasanit, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Elbasanit.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen sipas vlerave të mëposhtme:
a) Për sipërfaqen 4 850.18 (katër mijë e tetëqind e pesëdhjetë pikë tetëmbëdhjetë) m², truall, në vlerën 19 793 584.6 (nëntëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e pesëqind e tetëdhjetë e katër pikë gjashtë) lekë;
b) Për sipërfaqen 1 823.24 (një mijë e tetëqind e njëzet e tre pikë njëzet e katër) m²,  banesë, në vlerën 82 262 765.6 (tetëdhjetë e dy milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e pesë pikë gjashtë) lekë;
c) Për drufrutorët, në masën 581 601 (pesëqind e tetëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e një) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 125 803 483.3 (njëqind e njëzet e pesë milionë e tetëqind e tre mijë e katërqind e tetëdhjetë e tre pikë tre) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Elbasanit, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia e Elbasanit.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas miratimit të projektit.
7. Regjistrimi i ri i pasurive për sipërfaqet 4 850.18 (katër mijë e tetëqind e pesëdhjetë pikë tetëmbëdhjetë) m², truall, dhe 1 823.24 (një mijë e tetëqind e njëzet e tre pikë njëzet e katër) m², banesë, të bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
8. Afati i përfundimit të punimeve të objektit, hapja dhe sistemimi i rrugës  “11 Nëntori”, segmenti nga shkolla “Jorgji Dilo” deri te “Rotonda tek Posta”, në bashkinë e Elbasanit, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkia e Elbasanit për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN  KOMBËTAR PËR VITIN 2013, NË KUADRIN E INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARAANËTARËSIMIT (IPA), KOMPONENTI “ASISTENCA E TRANZICIONIT DHE FORCIMIT INSTITUCIONAL”, MENAXHIM I DECENTRALIZUAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, për Programin Kombëtar për vitin 2013, në kuadrin e Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA), komponenti “Asistenca e tranzicionit dhe forcimit institucional”, menaxhim i decentralizuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
   
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR  PROGRAMIN E BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR “IPA ADRIATIK”, NË KUADËR TË KOMPONENTIT TË DYTË TË INSTRUMENTIT TË PARAANËTARËSIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar “IPA Adriatik”, në kuadër të komponentit të dytë të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËR PROJEKTIN “FUNKSIONIMI I TREGUT TË PUNËS PËR TË RINJTË RISI (INOVACION) SHQIPËRI FAZA E PARË, NËNTOR 2013 – TETOR 2017”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit tё Mirёqenies Sociale dhe Rinisё, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për projektin “Funksionimi i tregut të punës për të rinjtë risi (inovacion) Shqipëri, faza e parë, nëntor 2013 – tetor 2017”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
 PËR 
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E BRENDSHËM TË BAZËS SË TË DHËNAVE ELEKTRONIKE TË AKTEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, të nenit 12, pika 1, të     ligjit nr. 96/2012, “Për Qendrën e Botimeve Zyrtare”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë,  Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. ORGANIZIMI I BAZËS SË TË DHËNAVE ELEKTRONIKE TË AKTEVE
1. Baza e të dhënave elektronike të akteve administrohet nga Qendra e Botimeve Zyrtare (QBZ), me qëllim krijimin e bazës së të dhënave elektronike të akteve, duke përfshirë në të pasqyrimin në format elektronik të fletoreve zyrtare, akteve të botueshme dhe të akteve të përditësuara, së bashku me ndryshimet.
2. Objekt i këtij vendimi është krijimi i bazës së të dhënave elektronike të akteve, i cili përcakton të dhënat parësore dhe dytësore, dhënësin/dhënësit e informacionit, ndërveprimin me baza të tjera të të dhënave, si dhe nivelin e aksesimit për subjektet e interesuara.
3. Të dhënat që përmban sistemi ndahen përkatësisht në:
a) të dhëna parësore, të cilat kanë të bëjnë me botimin e ligjeve, akteve normative të Këshillit të Ministrave, ministrave dhe drejtuesve të institucioneve qendrore, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, vendimet për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës së Lartë, si dhe të gjitha aktet e tjera botimi i të cilave është i detyrueshëm me ligj;
b) të dhëna dytësore, të cilat kanë të bëjnë me të dhënat që do të merren nga ndërveprimi me baza të dhënash të tjera.
4. Institucioni administrues i sistemit dhe bazës së të dhënave është Qendra e Botimeve Zyrtare.
5. Dhënëse të informacionit janë të gjitha institucionet shtetërore të përmendura në shkronjën “a”, të pikës 3, të këtij vendimi.
6. Kërkimi për lexim në bazën e të dhënave elektronike është i lirë për çdo subjekt të interesuar.
7. Baza e të dhënave elektronike të akteve përbëhet nga dy rubrika të veçanta:
a) Fletoret zyrtare;
b) Aktet e botuara.
8. Rubrikat përbëhen nga link-e të veçanta të vendosura në to, të cilat bëjnë të mundur aksesimin/kërkimin në mënyrë të drejtpërdrejtë në bazën e të dhënave elektronike të akteve.
9. Në rubrikën “Fletore zyrtare” gjenden të gjitha fletoret zyrtare të botuara në formatin elektronik.
10. Në rubrikën “Aktet e botuara” gjenden të botuara, në formatin elektronik, të gjitha aktet që janë të botuara në fletoret zyrtare:
a) në versionin e tyre aktual në fuqi;
b) në versionin e tyre fillestar të hyrjes në fuqi;
c) të gjitha aktet ndryshuese.
Versioni sipas shkronjës “a” mund të përmbledhë edhe shkronjat “b” dhe “c”, duke bërë të mundur pasqyrimin e secilës prej tyre në një format të vetëm elektronik.
11. Rubrika “Akte të botuara” përfshin një nënrubrikë të veçantë, e cila përmban të gjitha aktet e botuara, të nxjerra në bazë dhe për zbatim të një akti tjetër të botuar. Kjo nënrubrikë do të përfshijë, dhe jo vetëm, të gjitha aktet nënligjore të nxjerra në bazë dhe për zbatim të një akti tjetër të botuar.
12. Identifikimi i akteve të botuara, në arkivën elektronike, kryhet nëpërmjet kërkimit të një ose disa të dhënave, si më poshtë vijon:
a) Numri i aktit;
b) Data e miratimit të aktit;
c) Titulli i aktit;
ç) Organi që e ka nxjerrë;
d) Lloji i aktit;
dh) Fusha e veprimtarisë së llojit të aktit;
e) Numri dhe data e botimit të “Fletores zyrtare”.
13. Në çdo rast, për botimin në bazën e të dhënave elektronike të akteve do të shërbejnë afatet ligjore të parashikuara në ligjin nr.96/2012, “Për Qendrën e Botimeve Zyrtare”.
II. FUNKSIONIMI I BAZËS SË TË DHËNAVE ELEKTRONIKE TË AKTEVE
1. Në Qendrën e Botimeve Zyrtare caktohet sektori administrativ përgjegjës për funksionimin e bazës së të dhënave elektronike të akteve.
2. Pas përgatitjes për botim së çdo “Fletoreje zyrtare”, sipas kërkesave të ligjit nr.96/2012, “Për Qendrën e Botimeve Zyrtare”, sektori përgjegjës, i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij kreu, kryen:
a) në të njëjtën kohë botimin e saj tek rubrika “Fletoret zyrtare”;
b) botimin brenda një kohe sa më të shkurtër të akteve të botuara tek rubrika “Akte të botuara” dhe, nëse ka, duke bërë edhe përditësimet përkatëse.
3. Botimi i akteve sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të këtij kreu, bëhet në format PDF dhe në Word.
4. Botimi i të gjitha akteve, sipas këtij kreu, shfaqet në faqen zyrtare elektronike të Qendrës së Botimeve Zyrtare dhe nëpërmjet motorëve të kërkimit synohet të shfaqet e gjithë përmbajtja e tyre.
5. Kërkimi i avancuar i një akti të botuar bëhet mbi bazën e të dhënave që përmban faqja zyrtare elektronike e Qendrës së Botimeve Zyrtare, e cila konsiston në klikimin sipas llojit të aktit, vitit, numrit, si dhe fjalëve kyçe që përmban akti.
6. Aktet e botuara në bazën e të dhënave elektronike të akteve do të jenë të botuara edhe sipas fushave të caktuara, të cilat do të jenë të ndara në nënkategori të specifikuara. Kërkimi nëpërmjet fushave të caktuara, synon të gjejë aktin më vete, përditësimet, si dhe, nëse ka, aktet nënligjore të nxjerra në bazë e për zbatim të tij.
III. TË NDRYSHME
1. Qendra e Botimeve Zyrtare duhet të vendosë në dispozicion të publikut mjete për të lehtësuar kërkimin e këtyre të dhënave.
2. Baza e të dhënave elektronike të akteve, në përputhje me kërkesat e ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, bën të mundur të aksesohet edhe në baza të tjera të dhënash elektronike, të cilat administrohen nga institucione të tjera shtetërore e që përmbajnë akte të botueshme lidhur me to.
3. Ndërveprimi me bazat e tjera të të dhënave shtetërore dhe të dhënat dytësore, që botohen në bazën e të dhënave elektronike të akteve, përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë, në përputhje me rregullat e miratuara në zbatim të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”.
4. Qendra e Botimeve Zyrtare, në bashkëpunim me institucionet shtetërore, në cilësinë e dhënësit të informacionit, kujdeset që aktet e botueshme të pabotuara deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr.96/2012, “Për Qendrën e Botimeve Zyrtare”, të botohen në formë elektronike në bazën e të dhënave elektronike të akteve, në një rubrikë të veçantë “Akte të pabotuara”. Për përmbajtjen e kësaj rubrike do të vlejnë përcaktimet e bëra në pikat 10 dhe 12, të kreut I, të këtij vendimi.
5. Ngarkohet Qendra  Botimeve Zyrtare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***

V E N D I M

PËR

 MIRATIMIN E FONDEVE BUXHETORE DHE TË RAPORTIT TË PËRBASHKËT TË MINISTRISË SË ZHVILLIMIT URBAN DHE TURIZMIT, MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES DHE MINISTRISË SË FINANCAVE PËR REALIZIMIN E PLATFORMËS MULTIMEDIATIKE “BRANDING ALBANIA”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit  nr.9000, datë  30.1.2003,  “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, të ministrit të Financave dhe të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Miratimin e raportit të përbashkët të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministrisë së Financave për realizimin e platformës multimediatike “Branding Albania”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
  2. Miratimin e fondit prej 540 000 (pesëqind e dyzet mijë) eurosh për realizimin e platformës multimediatike “Branding Albania”.
  3. Periudha e realizimit të këtij prodhimi dhe transmetimi është 1(një) vit. Realizimi i platformës multimediatike “Branding Albania” të bëhet në 2 faza, si më poshtë vijon:

 

  1. Në fazën e parë do të mbulohen shpenzimet e nevojshme dhe çmimet për konkurrentët, me vlerë 40 000 (dyzet mijë) euro, nga buxheti i vitit 2014, përkatësisht, në vlerën 20 000 (njëzet mijë) euro, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, dhe 20 000 (njëzet mijë) euro, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.Ky fond t’i rimbursohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, në çastin e bërjes efektiv të tij, buxhetit të miratuar për vitin 2014, për këto ministri; dhe do të përballohet nga buxheti i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit për vitin 2015.

 

4. Për përzgjedhjen e kompanisë, e cila do të paraqesë platformën multimediatike më të mirë për “Branding Albania”, ngrihet komisioni /juria, me këtë përbërje:

  • Z. Bruno Vespa                                                                                kryetar;
  • Z. Ahmed Obaid Al Mansoori                                                             anëtar;
  • Z. Christophe Ginisty                                                                        anëtar;
  • Z. John Kester                                                                                  anëtar;
  • Z. Paavo  Pettai                                                                                anëtar;
  • Z. Rana F. Nejem                                                                              anëtar;
  • Znj. Mimoza Kusari Lila                                                                     anëtar;
  • Z. Endri Fuga                                                                                    anëtar;
  • Znj. Eglantina Gjermeni                                                                      anëtar.

 

5. Komisioni/juria të bëjë vlerësimin e platformave të paraqitura nga kompanitë në përputhje me kriteret e përcaktuara, të shpallë kompaninë fituese dhe të njoftojë zyrtarisht Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit për shpalljen e fituesit.

 

6. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit për lidhjen e kontratës me kompaninë fituese për platformën multimediatike “Branding Albania”.

7. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Financave dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR BASHKËPUNIMIN USHTARAK FINANCIAR, DHE PROTOKOLLIT TË ZBATIMIT TË NDIHMËS FINANCIARE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për bashkëpunimin ushtarak financiar, dhe protokollit të zbatimit të ndihmës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.