Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuar në mbledhjen e datës 19 mars 2014
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA REHABILITIMI DHE ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE, SHARRË, FAZA IV,  DHE TUFINË, FAZAT III DHE IV, NË BASHKINË E TIRANËS 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave publike, Sharrë, faza IV, dhe Tufinë, fazat III dhe e IV, në bashkinë e Tiranës.
2. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Tiranës.
3. Për rehabilitimin dhe zgjerimin e varrezave publike pronarët kompensohen sipas vlerave të përcaktuara, në tabelat që i bashkëlidhen këtij vendimi, si më poshtë vijon:
a) Sharrë, faza IV, për sipërfaqen 10 604 (dhjetë mijë e gjashtëqind e katër) m² truall, 4 851 798 (katër milionë e tetëqind e pesëdhjetë e një mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tetë) lekë.
b) Tufinë, faza III, për sipërfaqen 5 729 (pesë mijë e shtatëqind e njëzet e nëntë) m², truall, 2 236 416 (dy milionë e dyqind e tridhjetë e gjashtë mijë e katërqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë.
c) Tufinë, faza IV, për sipërfaqen 15 688 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e tetë) m², truall, 5 187 840 (pesë milionë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e tetëqind e dyzet) lekë.
    Vlerat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të kësaj pike, të përballohen nga të ardhurat e bashkisë së Tiranës, miratuar në buxhetin e vitit 2014.
4. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia e Tiranës.
5. Afati i përfundimit të projektit të jetë tre muaj pas miratimit të projektit.
6. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 10 604 m², truall, Sharrë, faza IV, 5 729 m², truall, Tufinë, faza III, si dhe 15 688 m², truall, Tufinë, faza IV, të bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit “Rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave publike, Sharrë, faza IV, dhe Tufinë, fazat III dhe IV”, në bashkinë e Tiranës, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkia e Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE NDIHME FINANCIARE KOMUNËS SË PRESHEVËS PËR MATERNITETIN E PRESHEVËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e një ndihme financiare, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) euro, komunës së Preshevës për t’u përdorur për maternitetin e kësaj komune.
2. Kundërvlera në lekë e shumës së sipërpërmendur të transferohet në formën e transfertës dhe të përballohet nga buxheti i vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë, në programin “Shërbimi i kujdesit dytësor”.
3. Ky fond t’i rimbursohet, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, në çastin e bërjes efektiv të tij, buxhetit të miratuar për vitin 2014, për Ministrinë e Shëndetësisë.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR SHMANGIEN E TATIMIT TË DYFISHTË PËR TATIMET MBI TË ARDHURAT DHE MBI KAPITALIN DHE PËR PARANDALIMIN E EVAZIONIT FISKAL 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për shmangien e tatimit të dyfishtë për tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QËVERISË SË REPUBLIKËS SË KROACISË, PËR PARTNERITETIN EVROPIAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të  ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V ENDOSI: 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kroacisë, për partneritetin evropian, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR  
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.144, DATË 20.2.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E NJË EKIPI KËSHILLUES USHTARAK (MAT-A) TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË,  NË OPERACIONIN USHTARAK “ISAF”, NË AFGANISTAN”  
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, të ndryshuar, dhe të pikave 6 e 11, të nenit 14, të ligjit nr.8671, datë 26.10.2000, “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 3, e vendimit nr.144, datë 20.2.2013, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Misioni i ekipit këshillues ushtarak (MAT-A) është të asistojë dhe të këshillojë për trajnimin, drejtimin, mbështetjen dhe zhvillimin operacional të Forcave të Lëvizshme Dislokuese të Brigadës së Parë Afgane (Br1Mobil Strike Force), duke vepruar e kryer detyra operacionale e luftarake në zonën e përgjegjësisë së Komandës Rajonale-Qendrore (RC-C), operacioni “ISAF”, në Kabul, Afganistan, me qëllim zhvillimin e një force të aftë, kompetente dhe profesionale.”.
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga fondet e miratuara për çdo vit në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
3.  Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
      
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.804, DATË 21.11.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË PERSONELIT TË POLICISË SË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 41, 49, 52, 86 dhe 129, të ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në nenin 26, të rregullores së personelit të Policisë së Shtetit, miratuar me vendimin nr.804, datë 21.11.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas pikës 5 shtohen pikat 6 dhe 7, me këtë përmbajtje:
“6. Ministri i Punëve të Brendshme, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pranon në polici aplikantë nga radhët e fëmijëve të punonjësve të policisë, të cilët kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës.
7. Aplikanti pranohet në polici pasi të ketë plotësuar kriteret e parashikuara në nenin 6, të ketë paraqitur dokumentacionin e përcaktuar në nenin 7 dhe t’i jetë nënshtruar procedurës së testimit sipas shkronjave “c”, “ç”, “d”, “dh” dhe “e”, të nenit 13, të kësaj rregulloreje.”.
2. Ngarkohet ministri i Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, QË PREKET NGA NDËRTIMI I SHËTITORES NË ORIKUM, FAZA II, TË BASHKISË ORIKUM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të   ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, që preket nga ndërtimi i shëtitores në Orikum, faza II, në bashkinë Orikum, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë Orikum.
3. Vlera e shpërblimit, për sipërfaqen 65.2 (gjashtëdhjetë e pesë pikë dy) m², truall, në masën 7 781 000 (shtatë milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e një mijë) lekë, të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Orikumit, miratuar në buxhetin e vitit 2014.
4. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas miratimit të projektit.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia e Orikumit.
6. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 65.2 (gjashtëdhjetë e pesë pikë dy) m², truall, të bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit “Ndërtimi i shëtitores në Orikum, faza II”, në bashkinë Orikum, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkia e Orikumit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.