Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të Këshillit të Ministrave, miratuar në mbledhjen e datës 22 janar 2014

V E N D I M

PËR

 

KRIJIMIN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË KOMBËTARE TË BREGDETIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 6, të ligjit nr.90/2012, datë 27.9.2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

1. Krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, në vijim AKB, si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, me seli në Tiranë.

2. AKB-ja ka për qëllim mbrojtjen e zonës bregdetare, promovimin dhe monitorimin e projekteve, ndjekjen e zhvillimit të zonës bregdetare e të planeve të miratuara nga autoritetet e planifikimit.

3. AKB-ja ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare, të cilat miratohen nga titullari. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Agjencia Kombëtare e Bregdetit”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”.

4. Vula zyrtare e AKB-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2, të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar.
Vula e AKB-së prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

KREU II

ORGANIZIMI I AKB-SË

 

1. AKB-ja ka statusin e drejtorisë së përgjithshme, në nivel qendror, dhe në nivel vendor organizohet në 4 (katër) degë rajonale.

2. AKB-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj agjencie dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për turizmin.

3. Drejtori i Përgjithshëm i AKB-së emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministri, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin, në përputhje me aktet ligjore në fuqi.

4. Degët rajonale drejtohen nga drejtuesit përkatës të këtyre degëve, të cilët emërohen, lirohen dhe shkarkohen nga drejtori i Përgjithshëm i AKB-së.

5. AKB-ja është institucion buxhetor, që financohet nga buxheti i shtetit, donacione të huaja dhe burime të tjera të ligjshme. Buxheti i AKB-së përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për turizmin.

6. Funksionimi i brendshëm i AKB-së bëhet sipas rregullores përkatëse, të miratuar nga ministria përgjegjëse, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të kësaj agjencie.

7. Struktura dhe organika e AKB-së miratohen me urdhër të Kryeministrit.

 

KREU III

PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT E AKB-SË

 

1. AKB-ja e shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e zonës bregdetare të Republikës së Shqipërisë, të përcaktuar sipas lidhjes 1 bashkëlidhur këtij vendimi.

2. AKB-ja ka objekt të veprimtarisë së saj dhe kryen këto funksione:

a)    Mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës bregdetare;
b)    Zbatimin e politikave e të strategjive për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;
c)    Bashkërendimin e programeve të lidhura me zonën bregdetare;
ç)  Nxitjen e investimeve në zonën bregdetare;
d)    Dhënien e kontributit në informimin, konsultimin dhe aksesin e publikut gjatë hartimit dhe zbatimit të politikave e të strategjive të lidhura me menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;
dh)    Marrjen pjesë në hartimin e politikave e të strategjive kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit dhe bashkërendimin e punës për zbatimin e tyre;
e)    Propozimin e ndryshimeve dhe përmirësimin e kuadrit ligjor e nënligjor për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;
ë) Bashkëpunimin me organet përkatëse për projektet dhe aktivitetet për mbrojtjen dhe zhvillimin e bregdetit dhe monitorimin e zbatimi të tyre;
f)    Nxitjen dhe bashkëpunimin me organizma, institucione, investitorë dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë apo vendas dhe ftimin e tyre për pjesëmarrje dhe përfshirje në projektet dhe zhvillimet me rëndësi për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;
g)    Monitorimin e zbatimit me përpikëri të instrumenteve të planifikimit të territorit, të miratuara nga autoritetet qendrore dhe vendore në zonën bregdetare;
gj) Monitorimin e respektimit të rregullave për përdorimin e pasurisë së patjetërsueshme publike në zonën bregdetare;
h)    Hartimin e rregullores së posaçme, ku përcaktohen standardet kombëtare, sipas të cilave administrohen hapësirat publike të zonës bregdetare, që përdoren si plazhe publike apo të administruara nga subjekte private. Kjo rregullore miratohet nga ministri përgjegjës për turizmin;
i)    Monitorimin e respektimit të kritereve ligjore për dhënien në përdorim dhe administrimin e plazheve, duke verifikuar administrimin e tyre nga subjektet shtetërore dhe private, si edhe lënien në dispozicion të publikut të plazheve publike pa pagesë për përdoruesit;
j)    Hartimin e rregullores për disiplinimin e zhvillimit të veprimtarive turistike, të cilat zhvillohen në zonën bregdetare. Kjo rregullore miratohet nga ministri përgjegjës për turizmin;
k)    Monitorimin e respektimit të kritereve ligjore për kryerjen e veprimtarive turistike detare, të cilat zhvillohen në zonën bregdetare;
l)    Lajmërimin e organeve shtetërore kompetente në rastet kur vërehen shkelje administrative, veprime apo mosveprime në kundërshtim me ligjin, duke u propozuar  organeve përkatëse marrjen e masave disiplinore ndaj personave përgjegjës, si dhe përgatitjen e kallëzimit penal për veprat penale të vëna re gjatë ushtrimit të kontrollit dhe paraqitjen e tyre pranë organeve përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi;
ll)    Administrimin e pasurive të paluajtshme shtetërore dhe publike, të cilat i kalohen në përgjegjësi administrimi, në përputhje me rregullat e përcaktuara nga legjislacioni shqiptar në fuqi.

 

KREU IV

PROCEDURAT E REKRUTIMIT

 

1. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të AKB-së rregullohen sipas procedurave të parashikuara në ligjin nr.152/2013, datë 30.5.2013, “Për nëpunësin civil”. Drejtori i Përgjithshëm i AKB-së është eprori direkt, në përputhje me këto dispozita.

2. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë të AKB-së rregullohen sipas Kodit të Punës.

3. Personeli i AKB-së duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme, të përcaktuara në nenin 21, të ligjit nr.152/2013, datë 30.5.2013, “Për nëpunësin civil”, dhe kërkesat e veçanta, të përcaktuara nga drejtori i Përgjithshëm i AKB-së.

 

KREU V

DISPOZITA KALIMTARE E TË FUNDIT

 

1. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i shtetit, nëpërmjet Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

2. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

***

V E N D I M

PËR

 

SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.591, DATË 1.8.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTUES PËR ZHVILLIMIN E NJË PROJEKTI KONCESIONAR NË ZONAT, PLAZH DHËRMI DHE PLAZH PERIVOLL, ME KARAKTER TURISTIK, PANORAMIK DHE INFORMUES, NDËRTIMIN E INFRASTRUKTURËS PËRKATËSE DHE MIRATIMIN E BONUSIT NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE QË I JEPET SHOQËRISË “EUROKONTAKT”, SH.P.K.”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 121 e 124, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Shfuqizimin e vendimit nr.591, datë 1.8.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për zhvillimin e një projekti koncesionar në zonat, plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll, me karakter turistik, panoramik dhe informues, ndërtimin e infrastrukturës përkatëse dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë “Eurokontakt”, sh.p.k.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS POPULLORE TË KINËS, PËR BASHKËPUNIMIN EKONOMIKO – TEKNIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për bashkëpunimin ekonomiko – teknik, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR LËSHIMIN E AUTORIZIMIT TË MINISTRIT TË SHËNDETËSISË PËR IMPORTIMIN E BARNAVE TË PAREGJISTRUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 11, të ligjit nr.9323, datë 25.11.2004, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1.    Për përballimin e gjendjeve emergjente (katastrofa natyrore, epidemi) ose në rast nevojash të shërbimit shëndetësor (alternativa të vetme barnash për mjekim ambulator, spitalor), ministri i Shëndetësisë lëshon autorizim për importimin e barnave të paregjistruar.

2.    Kërkesa për autorizim importi për çdo bar të paregjistruar paraqitet pranë Drejtorisë Farmaceutike, në Ministrinë e Shëndetësisë, nga subjektet e licencuara për importimin e barnave. Në kërkesën për t’u pajisur me autorizimin përkatës për importimin e barnave të paregjistruar, për çdo bar të paregjistruar duhet të përcaktohen emri, principi aktiv, doza dhe forma farmaceutike, sasia, çmimi për njësi i barit, emri dhe adresa e mbajtësit të autorizimit për hedhjen në treg të barit dhe/ose firma prodhuese, si dhe një përshkrim i shkurtër për përdorimin e barit.

3.    Autorizimi për importimin e barnave të paregjistruar jepet vetëm për ato barna, që nuk janë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Kontrollit të Barnave.

4.    Drejtoria Farmaceutike, në Ministrinë e Shëndetësisë, publikon në faqen zyrtare të kësaj ministrie, adresën elektronike të kontaktit për çdo komunikim të nevojshëm lidhur me procedurën e dhënies së autorizimit për importimin e barnave të paregjistruar.

5.    Autorizimi për importimin e barnave të paregjistruar është i vlefshëm për një periudhë dymujore nga koha e lëshimit dhe jepet kundrejt një tarife prej 5 000 ( pesë mijë) lekësh për çdo bar.

6.    Drejtoria Farmaceutike, përpara lëshimit të autorizimit të importimit për barin, ka të drejtë të verifikojë dokumentacionin e paraqitur nga subjekti importues, pranë autoriteteve apo subjekteve private ose publike, nga ku ato janë lëshuar.

7.    Inspektorati i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, përpara fillimit të procedurës së zhdoganimit për barin përkatës, kërkon nga subjekti importues, përveç autorizimit të ministrit të Shëndetësisë për importimin e barnave të paregjistruar, sipas pikës 2, të këtij vendimi, edhe këto dokumente:

a)    Faturat (invoice) e barit, për të cilin është bërë kërkesa së bashku me të dhënat për sasitë.
b)    Certifikatën e cilësisë për çdo seri të barit.
c)    Certifikatën e origjinës së barit.

8.    Dokumentacioni i përmendur në pikën 7, të këtij vendimi, ruhet nga Inspektorati i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, i cili njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave me anë të një autorizimi të veçantë.

9.    Barnat e paregjistruar, pasi zhdoganohen sipas rregullave në fuqi, pajisen me pullën e kontrollit nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave.

10.    Të gjitha autorizimet e importimit të baranave të paregjistruar, që jepen nga Drejtoria Farmaceutike, në Ministrinë e Shëndetësisë, publikohen në faqen zyrtare të kësaj ministrie, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga data e lëshimit të tyre.

11.    Çmimi i barit, për të cilin është dhënë autorizim importi, nuk duhet të ndryshojë për një periudhë 1-vjeçare nga data e hyrjes së barit në Republikën e Shqipërisë. Përjashtimisht, brenda vitit do të pranohet kërkesa dhe do të lëshohet autorizim vetëm për importimin e barnave me çmim të njëjtë ose më të ulët se ai i deklaruar për herë të parë në atë vit.

12.    Miratimin e formatit të autorizimit të importimit për barnat e paregjistruar, sipas modelit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi 30 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

***
V E N D I M
PËR

 

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË TEATRIT KOMBËTAR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1.    Z. Kristaq Skrami, drejtor i Teatrit Kombëtar, lirohet nga kjo detyrë.

2.    Z. Hervin Çuli emërohet drejtor i Teatrit Kombëtar.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUASË DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT, SH.A., SI AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “LINJA E TRANSMETIMIT 400 KV  SHQIPËRI – KOSOVË (TIRANË – PRISHTINË)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huasë dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., si agjencia e zbatimit të projektit, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri – Kosovë (Tiranë – Prishtinë)”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN E GARANCIVE QEVERITARE, TË LËSHUARA NË FAVOR TË INTESA SANPAOLO BANK ALBANIA DHE BANKËS SOCIETE GENERALE ALBANIA, NË KUADËR TË KUSHTEVE TË KONTRATAVE PËRKATËSE TË KREDISË, NDËRMJET KËTYRE BANKAVE DHE KESH, SH.A.-SË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 3, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1.    Miratimin e garancive qeveritare, të lëshuara në favor të Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe bankës Societe Generale Albania, në kuadër të kushteve të kontratave të kredisë për importin e energjisë elektrike, ndërmjet këtyre bankave dhe KESH, sh.a.-së, për shumat, si më poshtë vijon:

a)    Për kontratën e kredisë që do të lidhet, ndërmjet Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe KESH, sh.a.-së, për shumën 1 000 000 000 (një miliard) lekë.
b)    Për kontratën e kredisë që do të lidhet, ndërmjet bankës Societe Generale Albania dhe KESH, sh.a.-së, për shumën ekuivalente në lekë të shumës 6 000 000 (gjashtë milionë) euro.

2.    Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

  K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 LARGIMIN DHE EMËRIMIN E ANËTARËVE, PËRFAQËSUES   TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, NË KËSHILLIN MBIKËQYRËS TË AGJENCISË SË TRAJTIMIT TË KREDIVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.8894, datë 14.5.2002, “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Largimin nga detyra të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Agjencisë së Trajtimit të Kredive, përfaqësues të Këshillit të Ministrave, si më poshtë vijon:

-Znj. Odeta Kromici, teknicien;
-Z. Elton Stafa, ekonomist;
-Z. Hasan Metuku, jurist.

2. Emërimin në detyrë të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Agjencisë së Trajtimit të Kredive, përfaqësues të Këshillit të Ministrave, si më poshtë vijon:

-Znj. Klea Maliqi, jurist;
-Z. Gentian Opre, ekonomist;
-Znj. Eda Luci, ekonomist.

3. Anëtarët e emëruar e ushtrojnë këtë detyrë deri në përfundim të afatit të veprimtarisë së Agjencisë së Trajtimit të Kredive, sipas nenit 23, të  ligjit nr.8894, datë 14.5.2002, “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive”, të ndryshuar. Në çdo rast, ata nuk mund ta ushtrojnë këtë detyrë për një mandat mbi 3 (tre) vjet.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***
V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.725, DATË 21.5.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, KOMPETENCAT DHE MËNYRËN E SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË ARKEOLOGJISË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 42, të  ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1.    Në vendimin nr.725, datë 21.5.2008, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a)    Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA) ka në përbërje përfaqësues të institucioneve të specializuara dhe personalitete të fushës së kulturës së trashëguar. Numri i anëtarëve të KKA-së  është ­­11 (njëmbëdhjetë) veta. Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë kryesohet nga ministri i Kulturës dhe ka në përbërje:

-Drejtorin e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik                                   sekretar;
-Drejtorin e Përgjithshëm të Planifikimit Strategjik
për Trashëgiminë dhe Diversitetin Kulturor                                     anëtar;
-Drejtorin e Trashëgimisë Materiale, në Ministrinë
e Kulturës,                                                                                anëtar;
-Drejtorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës                                anëtar;
-Drejtorin e Institutit të Arkeologjisë                                                   anëtar;
-2 (dy) personalitete nga fusha e arkeologjisë,

të përcaktuara nga ministri i Kulturës,                                               anëtarë;

-1 (një) përfaqësues (arkeolog), i përcaktuar

nga Instituti i Arkeologjisë,                                                                anëtar;
-1 (një) përfaqësues nga Departamenti i Arkeologjisë,
në Universitetin e Tiranës,                                                                 anëtar;
-1 (një) përfaqësues nga grupet e interesit të fushës së arkeolog            anëtar.

Drejtori juridik i Ministrisë së Kulturës asiston në të gjitha mbledhjet e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, pa të drejtë vote.”.

b)    Kudo në vendim emërtimet “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve” dhe “Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve” zëvendësohen, përkatësisht, me “Ministria e Kulturës” dhe “Ministri i Kulturës”.

2.    Ngarkohet Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***
V E N D I M

PËR


PËRFAQËSIMIN E FEDERATËS SË SINDIKATAVE TË PUNONJËSVE TË SHËNDETËSISË SË SHQIPËRISË DHE TË URDHRIT TË MJEKUT NË PËRBËRJE TË KËSHILLIT ADMINISTRATIV TË FONDIT TË SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, shkronjat “dh” e “e”, dhe 3, të nenit 16, të ligjit nr.10383, datë 24.02.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1.    Përcaktimin e Federatës së Sindikatave të Punonjëve të Shëndetësisë së Shqipërisë, si përfaqësuese të sindikatës së të punësuarve, në përbërje të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

2.    Përcaktimin e Urdhrit të Mjekut, si përfaqësues të organizatës së profesionistëve të shëndetësisë, në përbërje të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

***

V E N D I M

PËR

 

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1269, DATË 17.9.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, MËNYRËN E FUNKSIONIMIT DHE DETYRAT E PËRGJEGJËSITË E STRUKTURAVE SHTETËRORE, TË NGARKUARA PËR SHQYRTIMIN E VLEFSHMËRISË LIGJORE TË KRIJIMIT TË TITUJVE TË PRONËSISË MBI TOKËN BUJQËSORE”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Paragrafi i parë, i pikës 1, të shkronjës “A”, të kreut I, “Përbërja, mënyra e funksionimit, detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit Qeveritar të Tokës (KQT)”, të vendimit nr.1269, datë 17.9.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Komisioni Qeveritar i Tokës kryesohet nga zëvendëskryeministri dhe përbëhet nga:
– Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe
Administrimit të Ujërave                                                  zëvendëskryetar;
– Ministri i Punëve të Brendshme                                       anëtar;
– Ministri i Drejtësisë                                                        anëtar;
– Ministri i Zhvillimit Urban dhe Turizmit                              anëtar.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN E PROGRAMIT TË PËRGJITHSHËM ANALITIK  TË PROJEKTAKTEVE, QË DO TË PARAQITEN PËR SHQYRTIM NË KËSHILLIN  E MINISTRAVE GJATË VITIT 2014

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e programit të përgjithshëm analitik të projektakteve, që do të paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2014, sipas tabelave që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.