Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

DEKLARATË PËR SHTYP

Është për të ardhur keq që Partia Demokratike vazhdon të hedhë baltë mbi pritjen madhështore që populli shqiptar i rezervoi Papa Françeskut. Asnjë fakt, asnjë seriozitet, madje, asnjë përpjekje për ta kamufluar shpifjen e vrazhdë të radhës, po vetëm përsëritja e një recitimi banal para kamerave.

Nëse pushtetarët e deridjeshëm nuk dinë të lexojnë as ligjet që kanë bërë vetë dhe jo më, praktikat zyrtare për të cilat flasin pa lidhje, ky nuk është as faji i Qeverisë së re dhe as telashi që meriton populli shqiptar, të cilin Partia Demokratike e ka lënë pa opozitë. Por të akuzosh pa fakte, edhe në këtë rast kaq të veçantë dhe të përfshish organizimin më të bukur që shteti shqiptar ka bërë ndonjëherë në njëzet vjet, me rastin e pritjes së Atit të Shenjtë, është më shumë sesa e padenjë, qoftë edhe për Partinë Demokratike që nocionin e dinjitetit e ka gjithsesi tepër të mjegullt.

Duke qenë se Qeveria e re, transparencën përpara publikut e ka detyrim të patjetërsueshëm, është e udhës të sqarohet njëherë e mirë sa më poshtë:

Procedura krejt e ligjshme, e ndjekur nga Autoriteti Kontraktor, në këtë rast Ministria e Kulturës, bazohet në germën “c” të pikës 2 të nenit 33, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar.

Ky ligj parashikon pikërisht rastet kur institucioni publik gjendet në kushte të nevojës ekstreme dhe e ka të pamundur të ndjekë procedurën normale të prokurimit.

Në rastin në fjalë, duke qenë se programi i vizitës së Atit të Shenjtë dhe të gjithë elementet e dekorit e të protokollit iu komunikuan zyrtarisht Qeverisë shqiptare, në datën 11 Gusht 2014,  Autoriteti Kontraktor ishte në kushtet e nevojës ekstreme, për shkak të mospasjes së kohës së mjaftueshme për të zhvilluar procedurën normale të prokurimit.

Theksojmë se e njëjta procedurë është ndjekur nga të gjitha institucionet e përfshira në vizitën e Papa Françeskut në Tiranë, përfshirë këtu, Bashkinë e Tiranës.

Propozimi për të ndjekur këtë procedurë është bërë nga Komisioni Shtetëror për vizitën e Atit të Shenjtë, Komision ku u përfaqësuan të gjitha institucionet më të larta shtetërore, përfshirë dhe institucionin e Presidentit të Republikës, partitë parlamentare dhe Bashkinë e Tiranës, të cilët kanë shprehur dakordësinë e plotë me këto procedura në çdo mbledhje dhe për çka është dokumentuar çdo element.

Zyra e Shtypit e Kryeministrisë

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.