Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me anëtarë të Akademisë së Shkencave:

Afro një vit e disa muaj më parë, ne kemi zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave. Në atë takim, unë kam kërkuar reformimin e Akademisë së Shkencave, si një proces që në këndvështrimin tim duhet të vinte në udhën e një reflektimi brenda gjithë trupës së përfshirë në këtë institucion, me propozime konkrete mbi të cilat, ne do të mund të zhvillonim një diskutim të përbashkët për një sintezë të arsyeshme, në funksion të transformimit të domosdoshëm të këtij institucioni në diçka tjetër.

E vërteta është që, pavarësisht ftesës dhe përpjekjes sonë, ne nuk patëm asnjë reagim që të na nxiste e të na përfshinte në këtë proces, ku humbëm, humbët më shumë se një vit, në një inerci që është inercia e kalbëzimit të vazhdueshëm të një institucioni që dikur u krijua si xhevahiri më rrezatues i kurorës së dijes shqiptare dhe sot është burim pezmatimi permanent, për të mos thënë brengë për gjithë ata që e themeluan Akademinë e Shkencave dhe i dhanë asaj shkëlqimin e autoritetit të tyre.

Kjo situatë na ka shtyrë të çojmë përpara idenë e refuzimit për ta financuar më tutje këtë institucion me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Siç e kam thënë dhe në diskutimin që kemi pasur më parë, e vërteta është që Akademia e Shkencave, sot është kufoma e vetvetes. Ajo nuk reflekton as vizionin e etërve themelues dhe më vjen mirë që kam përballë një ndër studiuesit më të nderuar dhe një nga zanafillorët e Akademisë, prof. Luan Omarin, i cili është dhe një dëshmitar i gjithë rrugëtimit të këtij institucioni dhe edhe i rrënimit të këtij institucioni.

E mbi të gjitha, Akademia nuk ka arritur dot të reflektojë në asgjë, ndryshimet mëdha që kanë ndodhur dhe transformimin epokal të gjithë botës së dijes shqiptare, nga një botë e mbyllur dhe e centralizuar në një botë që është shumë më e madhe, sesa kufijtë e Shqipërisë, sot.

Duke qenë se unë kam pasur një kërkesë nga ju për t’ju dëgjuar, me gatishmërinë që të dëgjojmë gjithçka që ju keni për të thënë, ja ku jemi këtu, në këtë përpjekje in exstremis që ju keni bërë, të vonuar, por pa e paragjykuar.

Disa pika, në këndvështrimin tonë nuk mund të anashkalohen, në funksion të domosdoshmërisë për ta ndalur këtë inerci të kalbëzimit të Akademisë.

Profesoresha tha që ligji i njeh Akademisë pavarësinë. Kjo është e vërtetë, por i ka garantuar në të njëjtën kohë, edhe vegjetimin. Ajo që nënvizoi profesor Skënderi [Gjinushi] është mëse e vërtetë, lidhur me ikjen e një pjese të rëndësishme të trurit si pasojë e hapjes së vendit. Por ajo që është po ashtu e vërtetë, është se në kushtet e botës së sotme, një institucion i themeluar ndryshe dhe i qasur ndryshe falë mjeteve të reja të komunikimit mund ta përfshijë të gjithë trurin shqiptar në një rrjet kontributorësh, që me ndonjë përjashtim që përforcon rregullin, do të kishin gatishmërinë që të përfshiheshin. Por duhet të jemi shumë realistë, kjo Akademi, kështu siç është, nuk motivon as ata që janë brenda saj, jo më të motivojë të tjerët që e shikojnë atë në distancë.

Sfida nuk është një reformim i brendshëm strukturor, por është një rithemelim i këtij institucioni nga e para, duke marrë në konsideratë terrenin në të cilin ai do veprojë, duke marrë në konsideratë burimet që ai do shfrytëzojë dhe impaktin që ai do dojë të ketë. Sepse, po të kthehemi në vitin e themelimit të tij, ishte një kohë krejt tjetër, me qëllime krejt të tjera, me burime njerëzore krejt të tjera dhe me një impakt të shkencës në jetën e institucioneve krejt tjetër.

Unë besoj se që në emër ka një gjë që nuk shkon. Na duhet një Akademi e Shkencave e riparë, apo na duhet një Akademi shqiptare, e cila të ketë synimin, ambicien që të mund të përmbajë brenda vetes të gjithë trurin e shkencës dhe të dijes së kombit tonë dhe jo thjesht të shtetit tonë. Unë besoj se që këtu duhet të nisë rrugëtimi për ta rithemeluar këtë institucion.

Është shumë e vërtetë, por prapë merr diskutim që goditja që iu bë në të shkuarën, rrjetit të instituteve, mbyllja e shumë prej tyre për arsye të caktuara, por në një mënyrë të pastudiuar, ka sjellë pasoja. Por, sa në fakt do të ishte në gjendje shteti shqiptar t’i mbante e t’i financonte ato institute, që t’i ripërtërinte me burime të reja njerëzore, kjo mbetet e diskutueshme. Nuk e kemi një përgjigje ezauruese pozitive, sepse flasim për shkencë. Por, nëse sot kemi një sistem akademik të botës universitare, ku nuk ka një bibliotekë shkencore që të mund ta mbajë këtë emër, për çfarë diskutojmë?

Sigurisht, edhe në këtë aspekt u dhanë goditje shumë të rënda për sistemin e organizimit të botës universitare, me universitetet private pa kriter, pa karar, pa standarde, si ndërmarrje fitimprurëse. Në të njëjtën kohë nuk u bë asgjë për të pasur një bibliotekë shkencore normale pranë një universiteti, apo një universiteti tjetër.

Pyetja shumë e thjeshtë që ngrihet është, çfarë duam ne nga kjo Akademi dhe çfarë i shërben sot vendit të ketë, si rezultat i rithemelimit të këtij institucioni. Sigurisht që Akademia vetë si e tillë nuk mund të jetë ajo që bën shkencën, por është kuvendi i atyre që e bëjnë shkencën në sektorët përkatës dhe që garantojnë autoritetin e një gjykate llogarie, po themi, të gjithë jetës akademike dhe shkencore të vendit, ku ndikimi mbi autoritetet, mbi opinionin vjen si rezultat i cilësisë së përfaqësimit në këtë kuvend të shkencës.

Sot, – nuk po i referohem thjesht atyre që nënvizoi profesor Artani [Fuga], por i referohem edhe çfarë ne kemi mundur të shohim në analizat dhe në raportimet e bëra nga ana e Ministrisë së Arsimit, – ne kemi një shërbim social për njerëzit e shkencës. Ky është një shërbim social me pensione, me honorarë, për një grup njerëzish që kanë meritat e tyre në fushat përkatëse, ku – le ta themi të vërtetën deri në fund, – është përzier i njomi me të thatin dhe në krah të një profesori të nderuar mund të jetë një “cuasi analfabet”, që ka ardhur aty dhe ka të njëjtin vend, të njëjtën peshë, me një titull doktor që nuk dihet si e ka marrë. Ne nuk mund të vazhdojmë ta mbajmë në këmbë këtë shërbim social.

Duke respektuar gjithsecilin dhe pikërisht për të mos djegur edhe të njomin me të thatin, ne mendojmë që, nga njëra anë, pjesën e fondeve, e cila shkon dëm, do ta spostojmë për të krijuar bibliotekën shkencore të universitetit. Është një shumë e konsiderueshme me të cilën ne mund të vëmë në dispozicion të të gjithë fakulteteve dhe të të gjithë shkencëtarëve që ka bota akademike, një bibliotekë dixhitale të vitit 2017, me të gjitha fushat dhe me të gjitha materialet e orës së fundit.

Ndërkohë, përsa i përket pjesës së pagave dhe shpërblimeve që janë në fuqi, qoftë për një grup njerëzish të nderuar etj., sipas atyre kategorive, qoftë për pjesën tjetër, ne do të vendosim një afat dhe ky afat do të jetë afati i materializimit të këtyre që po diskutojmë. Pra, diçka që mban të motivuar, ose i mban të rrjetëzuar njerëzit që duan vërtetë ta ndryshojnë këtë situatë, por që ne të vazhdojmë dialogun me një institucion që i ka forumet një pikëpyetje më vete, kjo nuk mund të bëhet. Me një institucion ku krahas një profesori të nderuar si Luan Omari, apo të tjerë që janë këtu, gjenden disa personazhe që s’dihet si kanë hyrë dhe s’dihet për çfarë janë aty dhe të gjithë flasin sikur përfaqësojnë një Akademi të lartë të Shkencave, kjo është një tallje e madhe me themeluesit. Mjafton të parafytyrojmë vetëm një gjë, sikur të ngjallej Eqerem Çabej dhe të hynte sot në derën e kësaj godine, do ndihej krenar për atë që themeloi dhe për mënyrën si ajo që ai themeloi bashkë më të tjerët u zhvillua, apo do thoshte, më mirë po kthehem në botën tjetër, sesa të rri këtu mes jush. Sigurisht, në rastin më të mirë, nuk do jepnin përgjigje. Në rastin më të keq do thoshin, shyqyr që Eqerem Çabej dhe të tjerë si ai janë në botën tjetër, përballë kësaj marrëzie që është përpara nesh, me emrin Akademia e Shkencave.

Unë e përqafoj plotësisht edhe atë drejtimin strategjik që përcaktoi profesor Skënderi [Gjinushi], në mënyrën si duhet parë gjëja në përmasën e vet, pa marrë përsipër të bëjmë grandomanira, që nuk kanë lidhje as me përmasën e vendit, as me qëllimet e sotme të vendit dhe as me mundësitë e vendit.

Ne mund të kemi një kuvend këshilltarësh të mirë të këtij vendi, të universiteteve, të kërkuesve shkencorë dhe të botuesve. Por një gjë është e sigurt, nëse ne e krijojmë këtë bazë, atëherë nuk do gjendemi përpara pyetjeve që janë sa dramatike, aq dhe komike, botime të Akademisë së Shkencave, pa asnjë recensë, pa asnjë oponencë, sisteme botimi pa asnjë rend.

Ne duam paralelisht të fuqizojmë qoftë Qendrën e Studimeve Albanologjike, sepse është një pikë dhe një referencë themelore e asaj që mund të quhet sot kërkimi shkencor në Shqipëri, për çka i takon gjithë domosdoshmërive që kanë të bëjnë me identitetin, me trashëgiminë, me gjuhën tonë. Mund të bëjmë një pyetje që mund të jetë e thjeshtë në dukje, por që është e rëndë për të gjithë; po kalojmë një fazë zhvillimi ku gjuha jonë kërcënohet drejtpërdrejtë, pa dorashka. Lloj-lloj matrapazësh të dijes marrin përsipër të sulmojnë një nga monumentet më të larta që ka ngritur shkenca dhe dija në Shqipëri. Një nga monumentet më të larta të identitetit tonë kombëtar. Sulme të paimagjinueshme. E në këtë agresion, unë nuk e kam parë, – më falni, mbase më ka shpëtuar, – atë angazhimin dhe vendimin impozant të këtij kuvendi të dijes dhe shkencës të thotë “Stop!”. Madje të mos them se disa prej këtyre agresorëve vijnë nga gjiri i këtij kuvendi. Matrapazë të dijes.

Po ashtu ne duam që vitin e ardhshëm të hedhim bazat për një fondacion kombëtar të shkencave të natyrës dhe të inovacionit, dy lëmi ku e ndiejmë boshllëkun, por ku duhet të kapim edhe kohën.

Jemi vendi me pjesëmarrjen më të ulët në fond kërkimi në nivel europian dhe jemi vendi me përfitimin më të ulët në rajon nga fondet e kërkimit shkencor të Bashkimit Europian. Ndërkohë, qeveria paguan tarifën çdo vit, për të pasur akses dhe kur ballafaqohemi aty me kolegët tanë në rajon lidhur me këtë temë, është e pabesueshme se çfarë hendeku të madh ka.

Kjo Akademi Shkencash, krejt e shkëputur nga këto zhvillime, krejt e ndarë nga këto rrugë të kërkimit të fondeve dhe të financimit të projekteve, çfarë na duhet ?! Përkundrazi, ne na duhet një strukturë, një akademi shqiptare përtej kufijve shtetërorë, me trurin dhe dijen e kombit, që të mund të jetë e gatshme të luajë rolin që sapo folëm. E nga diskutimi, kur flasim për rolin, jemi pothuajse në sinkroni të plotë. Aty ku dallojmë, mund të jenë rrugët sesi realizohet përmbushja e këtij roli, por jua them shumë hapur, ne si qeveri nuk mund dot të rrimë në pritje, as mund ta bëjmë ne vetë, se do bënim ndonjë tjetër çudi. Nëse ne do ulemi ta shkruajmë pa ju, do ishte një tjetër gabim i madh. Ne jemi të detyruar t’ju vendosim në një pozitë të vështirë në raport me shërbimin social, jo në raport me karrierën tuaj.

Ne do të bëjmë një shkurtim drastik të fondeve, ndërkohë do të ruajmë pjesën e financimit që ka të bëjë me ata që, sipas statusit e të tjera, marrin një honorar, apo një shpërblim, me një kusht, që kjo të përkthehet brenda marsit në një platformë rithemelimi të Akademisë, që ju takon juve. Sigurisht, kjo punë do bëhet në bashkëpunim. Unë nuk kam asnjë kundërshtim për idenë e grupit të besimit, të reformimit, apo quajmë si të doni. Patjetër që Mistria e Arsimit është pjesë e kësaj përpjekjeje, jo për t’ju lënë juve topin e përgjegjësisë, por ju e keni topin e përgjegjësisë në raport me këtë. Është pastaj e hapur, ju apo bashkërisht mund të konkludohet një formë apo një tjetër, por nga gjithë sa u tha këtu, pak a shumë profili i gjithë asaj që ka nevojë sot vendi dhe që duhet ta zëvendësojë këtë lloj qenieje që tani ka humbur kuptimin dhe përmbajtjen, pak a shumë jemi në të njëjtën gjë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.