Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës:

Zoti Kryeministër i Kosovës dhe bashkëdrejtues i kësaj mbledhje,

Zonja dhe zotërinj ministra,

Të dashur bashkëqytetarë andej dhe këndej bjeshkëve,

Rikthimi në tryezën e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive tona, zanafilla e së cilës u ngjiz në qytetin e të gjitha zanafillave të historisë shqiptare drejt shtetformimit, në Prizren, ndodh në kohën e duhur.

Cilido që i njeh objektivat dhe raundet teknike të marrëveshjeve që vijnë sot për nënshkrim, nga krijimi i një hapësire tregtare të përbashkët, tek kontrolli kufitar dhe përndjekja e përbashkët e krimit të organizuar, mund të dëshmojë se në një vit, ne i kemi bashkuar ndjeshëm axhendat tona.

E vërteta është, se ajo që ndodhi dje në Prizren dhe që po ndodh sot në Tiranë është përmbushje e një urdhërese madhore të kohës; politikbërjes në bazë të realiteteve.

Shqiptarët nuk reshtin prej kohësh tanimë, së propozuari dhe ndërtuari ura lidhëse drejt ëndrrës shekullore të rikthimit në shtëpinë e përbashkët europiane. Dje të sfilitur nga segregacioni në territoret fqinje, sot të vetëdijshëm për rolin çelës në rajon, shqiptarët me zemërgjerësi dhe kurajë shtrijnë dorën për mirëkuptim dhe bashkëpunim.

Dialogu dhe përafrimi janë çka shqiptarët duan përmes mirëkuptimit dhe bashkëpunimit. Bashkimi mes vedi dhe i krejt rajonit tonë me Europën e Bashkuar është çka shqiptarët aspirojnë. Ne jemi krejt të vetëdijshëm se urat e së nesërmes, jo hendeqet e së djeshmes na çojnë drejt qëllimit tonë të madh strategjik. Fjala vjen, ndonëse ende në Maqedoni, të penguar në rrugën drejt jetësimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët i mbeten besnikë marrëveshjes, jo vetëm në germë, por edhe në frymë, me vetëpërmbajtjen e tyre të lavdërueshme ata garantojmë qëndrueshmëri dhe nxisin bashkëpunim në një rajon ku pa vështirësi mund të rindizen thëngjijtë e përçarjes, përballjes dhe krisjes së paqes.

Në të vërtetë shqiptarët në rrugëtimin e marrjes së plotë të të drejtave që u përkasin duan ekuilibër dhe jo prishje ekuilibrash. Kërkojnë thjesht atë që ju takon si bashkësi njerëzore në shtetet ku jetojnë, apo po ashtu kërkojnë thjesht çfarë ju kanë njohur si të drejtë të tjerëve në të dyja shtete e tyre, në Shqipëri dhe në Kosovë.

Përballur në dekada me realitetin e hidhur të etnisë së shkelur dhe të dhunuar, shqiptarët japin sot një shembull fisnik në bashkëjetesën me etni të tjera, që janë minoritete në dy shtetet tona. Në këtë aspekt, Republika e Kosovës është një shembull rrezatues për gjithë Europën e sotme, jo vetëm për Ballkanin. Frymëzimi nga ky kuadër bashkëjetese në Shqipëri dhe në Kosovë i bën edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës të këmbëngulin me kërkesa të përsëritura parimore, për të jetësuar po njësoj në Serbi, mishërimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes tyre dhe popullit serb.

Por sjellja jonë e shkëlqyer me minoritetet na bën të kërkojmë njëzëri nga Serbia, që të garantojë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, as më shumë e as më pak, po sa ç’u është garantuar serbëve të veriut të Kosovës.

Përtej apologjive dhe ndjesave protokollare, Francës dhe Gjermanisë iu desh në vitet që pasuan fundin e Luftës së Dytë Botërore të kapërcenin botëkuptimet e rrënjosura prej shekujsh, për të arritur në një paqe që ia vlen të jetohet. Kur gjenerali de Gaulle dhe kancelari Adenauer shfaqen në meshën e madhe të pajtimit në katedralen e Reims-it në vitin 1963, gjithë konflikti vëllavrasës është lënë mbrapa, për t’i lënë vendin zyrave të rinisë dhe bashkëpunimit universitar, projekteve për menaxhimin e lundrimit mbi Rin apo të aerospacialit.

Kthjelltësia e brendshme mbi të shkuarën dhe pajtimi i pashmangshëm me modelin franko-gjerman të së ardhmes mund t’u japin shqiptarëve dhe serbëve një shtysë të jashtëzakonshme, për ta kthyer plotësisht faqen e historisë së rajonit tonë në një faqe suksesi përbashkues.

Këtë rrugëtim pa komplekse dhe autentikisht angazhues, Shqipëria dhe Kosova ia kanë propozuar dhe ia propozojnë Serbisë, si një rrugëtim të pashmangshëm europian. Ne jemi gati të luajmë deri në fund rolin tonë, për ta mundësuar kthimin e fjalëve premtuese në angazhime dhe projekte konkrete bashkëpunimi me Serbinë.

Bashkimi i forcave në përforcimin e rolit të së ardhmes mbi politikat e sotme të vendeve të rajonit, është një domosdoshmëri për t’i nxitur konkretisht edhe partnerët europianë, të pranojnë nevojën e integrimit sa më shpejt të Ballkanit, si një projekt strategjik europian, jo si një vazhdë e një procesi burokratik.

Të presuar mes shfaqjes së terrorizmit në kontinent, zhgënjimit të brendshëm të pjesëve të ndryshme të opinionit të tyre ndaj ëndrrës europiane dhe hordhive të fanatikëve që prodhon në seri një Lindje, sa e largët aq dhe e afërt, e rraskapitur nga skamja dhe çorodia, europianët e Bashkimit Europian duhet më shumë se kurrë t’i promovojnë idealet europiane, pa e parë rajonin tonë si një hall të tepërt, në hallet me të cilat duhet të përballen.

Ne jemi të bindur se sfidat e mësipërme, të cilat i bien barrë jo vetëm vendeve anëtare të Bashkimit Europian, por edhe vendeve si tonat, mund të zgjidhen vetëm duke dalë nga shtigjet e rrahura dhe e një inkuadrimi normativ që ushqen vetveten dhe privon Europën nga energji dhe potenciale të reja.

Modeli shqiptar i bashkëjetesës është sa një mburojë, po aq dhe një udhërrëfyes për mbarë Europën, tashmë e përshkuar dhe e përbërë nga një larmi fetare dhe etnike domethënëse. Për këtë arsye, ne kemi bindjen, sistematikisht, të përcjellë tek partnerët tanë eruopianë se rajoni ynë, dhe konkretisht Shqipëria dhe Kosova, meritojnë vëmendje dhe qasje strategjike. Për ne, as anëtarësimi në NATO dje dhe as integrimi i plotë në Bashkimin Europian nesër, nuk janë projekte fitimprurëse. Po ashtu, për Bashkimin Europian, Shqipëria, Kosova dhe Ballkani nuk mund të jenë biznes, “as usual”.

Në këtë kontekst, procesi i çelur në Berlin dhe instrumentet jashtë kornizave të vjetra që ai ofron, shfaqet si një proces pragmatik dhe shpresëdhënës të cilin kërkojmë ta intensifikojmë në bazë të udhërrëfyesve të mësipërm. Ballkani, si pjesë e qenësishme e vizionit të etërve themeltarë të Bashkimit Europian, përbën sot një çelës sigurie dhe harmonie brenda kontinentit të vjetër.

Kosova dhe Shqipëria kanë në zgjedhur politikbërjen në bazë realitetesh. Realitetin e një toke, të një populli dhe të një ëndrre.

Një tokë që për politikbërjen reale është një terren i pakufishëm bashkëpunimi, një hapësirë që i ofrohet çdokujt, një rrugëtim që bëhet çdo ditë e më i përbashkët.

Një popull që për politikbërjen mbi realitete është një bashkësi qytetarie dhe qytetarësh, të lirë të qarkullojnë, të shkojnë dhe të vijnë, të ndërveprojnë dhe të sipërmarrin, të begatojnë në paqe dhe në ndërvarësi të plotë.

Sa për ëndrrën tonë, bashkimi kombëtar përmes Bashkimit Europian, politikbërja mbi realitete e ka urtësi dhe frymëzim të saj të përhershëm.

Më kujtohet shënimi që një gjimnazist, rezistent francez, la amanet, pak çaste përpara pushkatimit nga nazistët. “Ëndrra e njerëzve, – shkruan ai, – është vetë ngjarja”. I vetmi realitet autentik i denjë për t’u jetuar.

Kosova dhe Shqipëria do të bëjnë sëbashku politikë mbi realitete, sepse siç do të thoshte koritësi i ideologjive dhe korifeu i kthejlltësisë Sharl de Gaulle, kjo politikë është e vetmja e vlefshme.

Në harkun kohor të një viti u vërtetua se politikat e ndërmarra i përgjigjen ambicies sonë të përbashkët dhe të madhe, sidomos çka kemi bërë në aspekt të harmonizimit të politikave kryesore, me karakter zhvillimor. U punua për krijimin e një tregu të përbashkët energjetik dhe për realizimin e linjës sonë të interkonjeksionit 400 kilovolt; U intensifikua bashkëpunimi në fushën e bujqësisë, me synim njehsimin e standardeve, përshtatjen e metodave të legjislacionit në fushën e kontrollit ushqimor; U hodh themeli unifikues i sistemit arsimor parauniversitar; Realizimi i politikave të përbashkëta zhvillimore, kryesisht në zonat e brezit kufitar u konsiderua si prioritet në politikat tona bujqësore; Po kështu, është konkretizuar bashkëpunimi në fushën e kulturës, turizmit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Realitetet janë në sytë e të gjithëve dhe shfaqen sot e gjithë ditën ekzigjente dhe pa lëshime. Kosova është një ëndërr njerëzore që bën event ngjarje të çdo dite, shtet i pavarur, i shoqëruar në rrugëtimin drejt konsolidimit nga aleatë të mëdhenj strategjikë, duke filluar nga Shqipëria e vogël tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, Gjermania dhe Franca, mëvetësisht, që, duke i njohur të drejtën e vetëvendosjes, shmangën më të keqen dhe i dhanë trup një qytetarie të mohuar.

Realitetet, më shumë se pasionet, drejtojnë sytë e Shqipërisë nga Kosova, me projektin përbashkues të një populli jo më të fragmentuar, por edhe të një Ballkani jo më fragmentar, por të unifikuar nga sinergjitë e përbashkëta, nga strategjitë gjithëpërfshirëse, në një terren të kultivuar nga bashkëjetesa.

Kosova dhe Shqipëria po përpiqen të dëshmojnë se janë dy pole ndërveprimi dhe një lokomotivë e proceseve rajonale, të hapura për rrezatim të përbashkët me vendet fqinje, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë.

Procesi i Berlinit dëshmon se kjo përpjekje është reale dhe se sfida me të cilën Kosova në veçanti ka vokacion të përballet, si realitet me të drejtë të plotë qytetarie në bashkësinë ndërkombëtare, nuk do të jetë vetëm suksesi i Kosovës, por suksesi i mbarë rajonit dhe pa asnjë dyshim, suksesi i vetë Europës.

Kosova vazhdon të mbështetet fuqishëm nga Shqipëria si partnere strategjike parësore, për t’iu përmbajtur axhendës së dy vendeve tona, duke çelur konsullata të përbashkëta, si ajo e Munihut që parashikohet të çelet këtë vit, pas eksperiencës së suksesshme të Milanos në 2014-n, duke përshpejtuar njohjen nga sa më shumë shtete dhe duke vijuar në fazën e integrimeve në organizata ndërkombëtare edhe falë punës së palodhur të diplomacisë këtej dhe andej kufirit, gjatë gjithë kësaj periudhe.

Ne e përshëndesim me gjithë zemër pranimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, në organizmat rajonalë të Nismës për Bashkëpunim të Europës Juglindore, të verifikimit dhe implementimit të kontrollit të armëve, të migrimit, azilit dhe refugjatëve dhe angazhimit të saj konkret në Komisionin e Venecias, Bankën e Këshillit të Europës, Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe e fundit, por në sytë e mi jo më pak e rëndësishme, Federata Ndërkombëtare e Basketbollit.

Standardizimi i politikave të qeverisë së Kosovës, në njehsim me politikat e BE-së dhe të NATO-s, punon fort për integrimin e saj në këto struktura dhe vazhdimin e bashkëpunimit të deritanishëm në fushën diplomatike, të mbrojtjes, të luftës kundër terrorizmit dhe fanatizmave, të krimit të organizuar, të korrupsionit, të trafiqeve të paligjshme. Dhe në bazë të realiteteve të reja që po mishëron Kosova në rajon dhe në kontinentin Europian, Shqipëria nuk do të reshtë së mbështeturi fuqishëm dhe me krenari të plotë, për gjithçka Kosova ka bërë dhe po bën, për përfundimin me sukses të Procesit të Stabilizim-Asociimit dhe dizinklavimit të Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës nëpërmjet liberalizmit të vizave dhe të drejtës së qarkullimit të lirë. Mosheqja e vizave për qytetarët e Kosovës është një paradoks i madh në raport me të shkuarën e errët të Kosovës, kur sidoqoftë njerëzit e asaj toke mund të lëviznin lirisht drejt Europës. Ndërkohë që, regjimi i sotëm i vizave e ka kthyer Kosovën në një enklavë dëshpëruese të burokracisë europiane.

Ne e kemi thënë dhe do ta themi kudo dhe kurdo që na jepet rasti; regjimi i vizave sot në Kosovë është një padrejtësi cinike ndaj Kosovës dhe kjo padrejtësi duhet të marrë fund një orë e më parë. Sepse nuk cenon vetëm dinjitetin e popullit të Kosovës, por cenon dhe dinjitetin e vetë Europës. Mbajtja e Kosovës nën regjimin e vizave është turp për Bashkimin Europian.

Përfshirja e Kosovës në të gjitha projektet rajonale, ndër më të rëndësishmit të të cilëve ne konsiderojmë Trans-Adriatik Pipeline, TAP-in, mbetet gjithashtu një përparësi.

Nga ana tjetër, realitetet janë ekzigjente për ne, Shqipërinë dhe Kosovën, që besojmë fort në dinamikën e tyre. Bash për këtë arsye duhet të jemi të vërtetë dhe pa lëshime me të vërtetën. 160 milionë euro shkëmbime ekonomike janë një realitet, por nuk janë një realitet i kënaqshëm për ne dhe nuk mund të jetë një realitet me të cilin të dyja qeveritë tona mund të pajtohen lehtësisht. Dyfishimi minimalisht i kësaj shifre duhet të jetë ambicia jonë.

Ndërkohë që, promovojmë strategji ekonomike afatgjata, ende nuk i kemi dhënë vetes instrumentet angazhues, konvencionalë dhe ligjorë, për të sjellë në jetësimin e plotë të tyre. Soliditeti dhe besimi në vetvete i aktorëve ekonomikë, për të ndërmarrë hapat e domosdoshëm në thurjen e një rajoni ekonomik, ndërmjet fijeve dhe rrjeteve infrastrukturore, energjetike, hidrike dhe tregtare, mbetet ende dorëzanës i influencës dërrmuese të aktorit publik. Në këtë aspekt, ne jemi shpresë plotë që nismat e ndërmarra në përputhje me deklaratën e përbashkët për partneritet strategjik të firmosur në Prizren do të vijojnë të konkretizohen.

Në shkurt të këtij viti u realizua bashkërendimi i kontrolleve doganore, i cili përtej lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës është një shembull për mbarë rajonin, për të shtendosur presionin doganor dhe fiskal dhe për të liberalizuar qarkullimin e lirë. Një nga faktorët historikë të suksesit të projektit europian.

Bashkërendimi strategjik në qeverisjen e hapësirës sonë të përbashkët Shqipëri-Kosovë është një përgjegjësi së cilës, ne të mbledhur sot në Tiranë, nuk i shmangemi. Instrumentet e bashkëpunimit që do të nënshkruhen sot nuk janë instrumente të zakonshëm në funksion vetëm të një bashkëpunimi ndërshtetëror efikas, por janë instrumente në shërbim të mbrojtjes së të gjitha lirive publike të bashkëkombësve tanë.

Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e kontrollit të brendshëm, të sigurisë, të ndjekjes së menjëhershme ndërkufitare, të shfrytëzimit të përbashkët të pajisjeve për kontrollin e kufirit do ta tkurrin kufirin administrativ midis dy vendeve dhe do ta kthejnë në një konvencion, sikundër do të krijojnë një kordon sanitar të vërtetë ndaj krimit të organizuar, trafiqeve dhe infiltrimeve terroriste.

Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, asociiuar me atë për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë, do të tkurrin distancat gjeografike mes shqiptarëve kudo që ndodhen, nëpërmjet njehsimit të mësimdhënies dhe përçimit të kulturës së qytetërimit tonë dhe mbi të gjitha, të qytetarisë si edukim i përhershëm, falë gjuhës dhe trashëgimisë sonë të përbashkët. Shpërndarja e librave, shoqërimi konsullor i pajisjes me dokumentacionin e nevojshëm për familjet, studentët dhe të gjithë bashkëkombësit në nevojë janë në qendër të dispozitivit që pritet të bëhet realitet.

Arsimi nuk shkon pa kulturën dhe kalendari tanimë i fiksuar i shkëmbimeve mes Kosovës dhe Shqipërisë, i përshkallëzuar jo vetëm në marrëdhënie të përditshme, por edhe në evente dhe manifestime të nivelit kombëtar do të përbëjnë një proces themeltar në çimentimin e përkatësisë sonë të përbashkët shqiptare dhe europiane, në këtë rrugë drejt Europës.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit, i cili u riçel dje, edhe në prezencë të ambasadorit të Republikës së Kosovës dhe Festivali i ardhshëm Mbarëkombëtar i Gjirokastrës që do të zhvillohet në maj janë shkëndija të dukshme që do të vazhdojnë të yjëzojnë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe sinkroninë tonë kulturore.

Së fundi, dua ta mbyll fjalën time, duke nënvizuar se marrëveshjet në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe financiar janë një premisë e jashtëzakonshme, për t’i dhënë një hov të ri cilësor një tregu të hapur, pa barriera burokratike, të inkurajuar nga aktorët publikë dhe privatë, si partnerë të barabartë në nismën e lirë të sipërmarrjes dhe konkurrencën pa shtrëngesa dhe pa komplekse.

Të dashur miq dhe bashkëvendimmarrës të ardhur sot nga Kosova, përpara se t’ia kaloj fjalën homologut dhe mikut tim, Kryeministrit të Kosovës, ju uroj edhe një herë mirëseardhjen dhe ju shpreh bindjen time se ky institucion që ne kemi krijuar dhe konsolidojmë si një institucion i përbashkët i vendimmarrjes strategjike për krejt hapësirën që dy shtetet tona qeverisin, pa as më të voglin dyshim do të bëhet një shtysë e fuqishme drejt çeljes së shtigjeve të reja përbashkuese për të gjithë njerëzit tanë.

Na priftë e mbara në punën tonë të përbashkët!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.