Projektligje të miratuara në mbledhjen e datës 26 mars 2014
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7895, DATË 27.1.1995, “KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7895, DATË 27.1.1995, “KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, shkronja “d”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në fund të nenit 34 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Për vepra penale që dënohen deri në tre vjet burgim, kur parashikohet shprehimisht nga dispozita, gjykata mund të vendosë zëvendësimin e dënimit me burgim me dënimin me gjobë, duke llogaritur një ditë burgim me pesë mijë lekë.”.
Neni 2
Neni 137 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 137
Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike
Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike, dëmtimi i matësit me qëllim përfitimi të paligjshëm, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet.
Kur kjo vepër penale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose nga përdoruesit jofamiljarë të energjisë elektrike, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.”.
Neni 3
Në nenin 278 bëhen këto ndryshime:
1. Në paragrafin e tretë, fjalët “… dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet …” zëvendësohen me “… dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet …”.
2. Në paragrafin e pestë, fjalët “… dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet …” zëvendësohen me “… dënohen me burgim nga pesëmbëdhjetë deri në njëzet vjet …”.
Neni 4
Në nenin 282 bëhen këto ndryshime:
1. Në paragrafin e parë, fjalët “… përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet …” zëvendësohen me “… dënohet me burgim nga tre deri në pesë vjet …”.
2. Në paragrafin e tretë, fjalët “… dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet …” zëvendësohen me “… dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet …”.
Neni 5
Neni 291 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 291
Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt
Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë dënohet me burgim nga dhjetë ditë deri në tre vjet. Gjykata mund të vendosë zëvendësimin e dënimit me burgim me dënimin me gjobë.”.
Neni 6
Pas nenit 293/ç shtohet neni 293/d, me këtë përmbajtje:
“Neni 293/d
Shitja e paautorizuar e kartave SIM
Tregtimi i paautorizuar i produkteve/kartave SIM telefonike përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë deri në tridhjetë ditë ose me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.”.
Neni 7
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
Ve NDIM
PËR
PROPOZIMIN e PROJeKTLIGJIT “PËR KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT EKONOMIK KOMBËTAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT EKONOMIK KOMBËTAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
1. Për garantimin e bashkëpunimit institucional dhe të partneritetit publik – privat për zhvillimin e politikave ekonomike, për garantimin e dialogut dhe këshillimit ndërmjet organeve të administratës shtetërore dhe sektorit privat, si dhe rritjen e transparencës në vendimmarrjen publike dhe përfaqësimin e sektorit privat në këtë proces, krijohet Këshilli Ekonomik Kombëtar (KEK).
2. Dialogu në KEK zhvillohet nëpërmjet shkëmbimit të mendimeve, vërejtjeve, sugjerimeve e propozimeve përmes faqes zyrtare të internetit të këtij Këshilli, mbledhjes periodike të përfaqësimit të lartë dhe takimeve e formave të tjera të organizimit në funksion të realizimit të qëllimeve sipas pikës 1, të këtij neni.
3. Ky ligj ka për qëllim të përcaktojë parimet e procedurat, në bazë të të cilave do të zhvillohet e do të bazohet procesi i dialogut dhe i këshillimit në KEK.
4. Procesi i këshillimit publik në KEK bazohet në:
a) parimin e publikimit, nëpërmjet njoftimit dhe vënies në dispozicion të grupeve të interesit të propozimeve e projektakteve dhe/ose politikave që propozohen nga administrata shtetërore;
b) parimin e këshillimit, nëpërmjet shkëmbimit të mendimeve, komenteve, vërejtjeve e sugjerimeve me biznesin mbi të cilin kanë ndikim nismat legjislative dhe/ose politikat e reja të propozuara nga administrata shtetërore;
c) parimin e angazhimit të grupeve të interesit, nëpërmjet përfshirjes së grupeve të ndryshme të interesit në procesin e identifikimit dhe formulimit të çështjeve, politikave dhe zgjidhjeve, objekt i rregullimit.
Neni 2
Fusha e veprimit të ligjit
1. Ky ligj zbatohet për nisma dhe praktika të organeve të administratës shtetërore, të cilat kanë ndikim në fushën e ekonomisë e më konkretisht:
a) Strategjitë dhe programet qeveritare të zhvillimit të ekonomisë;
b) Përgatitja e buxhetit të shtetit dhe paketave fiskale;
c) Politikat e privatizimit dhe prokurimeve publike;
ç) Politikat e nxitjes së investimeve;
d) Politikat e zhvillimit të tregtisë dhe të biznesit;
dh) Politikat e konkurrencës, mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjes
së konsumatorëve;
e) Politikat e punësimit dhe të pagave;
ë) Politikat e edukimit dhe zhvillimit të kërkimit shkencor;
f) Monitorimi i ndikimit në klimën e biznesit i praktikave rënduese burokratike dhe rastet e arbitraritetit të administratës shtetërore;
g) Përmirësimi i legjislacionit tatimor dhe procedurave përkatëse;
gj) Çështje të tjera me ndikim në zhvillimin e ekonomisë së Republikës së Shqipërisë.
2. Me nisma të organeve të administratës shtetërore nënkuptohen të gjitha projektet për ndryshimin e ligjeve apo akteve nënligjore, si dhe projektet për ndryshimin e politikave me ndikim në fushat e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni.
Neni 3
Publikimi i nismave ligjore
1. Ministria përgjegjëse për ekonominë përzgjedh nga nismat e organeve të administratës shtetërore ato nisma që përfshihen në fushën e zbatimit të këtij ligji, siç përcaktohet në nenin 2, të cilat ia paraqet, sipas parashikimit të pikës 2, të këtij neni, sekretariatit teknik të Këshillit Ekonomik Kombëtar, i krijuar në përputhje me përcaktimin e nenit 8, të këtij ligji.
2. Ministria përgjegjëse për ekonominë merr në dorëzim nga organet e administratës shtetërore dhe vë në dispozicion të sekretariatit teknik të Këshillit Ekonomik Kombëtar, pa pagesë, sa më poshtë:
a) Informacion në lidhje me qëllimin e nismës ku shpjegohet se:
i) çfarë synohet të rregullohet, të ndryshohet dhe/ose të përmirësohet;
ii) cili është ndikimi në sektorin privat;
iii) cili është ndikimi financiar i parashikuar;
iv) informacione të tjera që janë të nevojshme për të shpjeguar nismën në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme;
b) Tekstin e ligjit dhe/ose aktit nënligjor që propozohet;
c) Kur është rasti, tekstin e ligjit dhe/ose aktit nënligjor ekzistues ku janë integruar ndryshimet e propozuara;
ç) Tekstin e politikës që propozohet;
d) Kur është rasti, tekstin e politikës ekzistuese ku janë integruar ndryshimet e propozuara.
3. Sekretariati teknik publikon në faqen zyrtare të internetit të Këshillit Ekonomik Kombëtar informacionin e marrë sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni.
Neni 4
Faqja zyrtare e internetit
1. Grupet e interesit, të cilat ndikohen nga nismat legjislative të organeve shtetërore, mund të paraqesin vërejtjet, komentet a sugjerimet drejtpërsëdrejti në faqen zyrtare të internetit të Këshillit Ekonomik Kombëtar. Gjithashtu, grupet e interesit mund të kërkojnë nga sekretariati teknik i këtij Këshilli që të publikojë në faqen e vet zyrtare të internetit edhe ato nisma të organeve të administratës shtetërore të cilat nuk janë përzgjedhur nga ministria përgjegjëse për ekonominë sipas nenit 3, të këtij ligji, por që grupet e interesit i konsiderojnë të përfshira në fushën e zbatimit të këtij ligji, siç përcaktohet në nenin 2, të këtij ligji.
2. Afati, brenda të cilit grupet e interesit duhet të paraqesin vërejtjet, komentet e sugjerimet e tyre, është 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike nga e nesërmja e publikimit të projektaktit të parashikuar në nenin 3, të këtij ligji. Po kështu, për 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike nga e nesërmja e publikimit, organet shtetërore angazhohen të mos i japin fuqi ligjore projektaktit të përgatitur prej tyre.
3. Sekretariati teknik i Këshillit Ekonomik Kombëtar grumbullon vërejtjet, komentet dhe sugjerimet e përmendura në këtë nen, të cilat do t’i përpunojë e do t’ia transmetojë organit shtetëror që ka marrë nismën për përgatitjen e aktit.
4. Përjashtimisht, në rastet e nevojës për përshpejtimin e procesit të miratimit të projektakteve, sekretariati teknik, me propozimin e ministrit përgjegjës për ekonominë, vendos që të mos kryhet procesi i konsultimit sipas këtij neni ose që afatet e sipërpërmemdura të shkurtohen. Në çdo rast, në momentin e publikimit të projektakteve në faqen zyrtare të internetit të Këshillit Ekonomik Kombëtar, sekretariati teknik publikon edhe afatin për dhënien e komenteve.
5. Kushtet dhe rregullat për përcaktimin e subjekteve, të cilave do t’u jepet akses në faqen zyrtare të internetit të Këshillit Ekonomik Kombëtar për të publikuar aty sugjerimet dhe komentet e tyre, përcaktohen nga sekretariati teknik.
Neni 5
Angazhimi i grupeve të interesit
1. Grupet e interesit, përveç sa përcaktohet më sipër në këtë ligj, mund të parashtrojnë në faqen zyrtare të internetit të Këshillit Ekonomik Kombëtar propozimet e tyre për legjislacion të ri apo për takime e forma të tjera organizimi sipas nenit 7, të këtij ligji.
2. Në rastet kur grupet e interesit propozojnë ndryshime në ligjet, aktet nënligjore dhe/ose politikat ekzistuese apo aktet nënligjore dhe/ose politikat e reja, propozimet e tyre duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara në shkronjat “a” – “d”, të pikës 2, të nenit 3, të këtij ligji.
3. Grupet e interesit mund të denoncojnë nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të Këshillit Ekonomik Kombëtar çdo praktikë burokratike të tepërt, veprim arbitrar, moszbatim të ligjit apo abuzim me ligjin dhe autoritetin shtetëror nga ana e administratës shtetërore ndaj subjekteve private.
4. Grupet e interesit, që kanë të drejtën e veprimeve në faqen zyrtare të internetit të Këshillit Ekonomik Kombëtar sipas këtij neni dhe nenit 4, të ligjit, konsiderohen vetëm organizatat e biznesit të krijuara, të regjistruara dhe që zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me ligjin.
Neni 6
Takimi periodik i nivelit të lartë
1. KEK do të organizojë takime periodike duke u mbledhur çdo muaj në ambientet e ndërtesës së Kryeministrisë të Republikës së Shqipërisë. Takimet drejtohen nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, i cili është Kryetari i Këshillit Ekonomik Kombëtar. Ministri përgjegjës për ekonominë është zëvëndeskryetar dhe kryen detyra në zbatim të këtij ligji dhe ato të deleguara nga Kryetari i Këshillit.
2. Në këto takime do të marrin pjesë:
a) Kryeministri;
b) Ministri përgjegjës për ekonominë;
c) Ministri përgjegjës për financën;
ç) Guvernatori i Bankës së Shqipërisë;
d) Jo më shumë se 6 (gjashtë) personalitete të ekonomisë kombëtare dhe botërore;
dh) Jo më shumë se 6 (gjashtë) nga tatimpaguesit më të mëdhenj të biznesit privat, vendas ose i huaj, të përfaqësuar nga përfaqësuesit e tyre ligjorë;
e) Jo më shumë se 4 (katër) organizata biznesi, të krijuara, të regjistruara dhe që zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me ligjin, të përfaqësuara nga përfaqësuesit e tyre ligjorë;
ë) Sekretari i Përgjithshëm.
3. Përveç subjekteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, në këto takime do të marrin pjesë si të ftuar të përhershëm edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në Fondin Monetar Ndërkombëtar (International Monetary Fund – FMN), Korporatën Financiare Ndërkombëtare (International Financial Corporation – IFC), Bankën Botërore (World Bank – WB), Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (European Bank for Reconstruction and Development – EBRD), si dhe drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve e drejtori i Përgjithshëm i Doganave.
4. Me miratimin e Kryetarit të Këshillit Ekonomik Kombëtar, ftohen të marrin pjesë në këto takime, rast pas rasti, edhe personat e mëposhtëm:
a) Ministri i linjës ose përfaqësues të ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore që mbulojnë fushën, problematika e së cilës diskutohet në një mbledhje të caktuar;
b) Akademikë, vendas dhe/ose të huaj, të shquar në fushën e ekonomisë, apo personalitete të tjera;
c) Përfaqësues të organizatave të tjera të biznesit;
ç) Subjekte të tjera.
5. Subjektet e përcaktuara në shkronjat “dh” dhe “e”, të pikës 2, të këtij neni, përzgjidhen nga Kryetari i Këshillit Ekonomik Kombëtar ndërmjet atyre subjekteve që aplikojnë pranë sekretariatit teknik për të marrë pjesë në takimet periodike. Këto subjekte do të marrin pjesë në takime për një periudhë gjashtëmujore nga dita e pranimit të pjesëmarrjes së tyre dhe me kalimin e kësaj periudhe ata do të zëvendësohen nga subjekte të tjera, që i përkasin së njëjtës kategori.
6. Subjektet e përcaktuara në shkronjën “d”, të pikës 2, të këtij neni, përcaktohen nga Kryetari i Këshillit Ekonomik Kombëtar dhe kanë të drejtë të marrin pjesë në këto takime për një periudhë që do të përcaktohet, sipas rastit, në varësi të mundësisë së tyre.
7. Pjesëmarrja në këto takime e subjekteve të përmendura në shkronjat “d”, “dh” dhe “e”, të pikës 2, të këtij neni, mund të ndalohet nga Kryetari i Këshillit Ekonomik Kombëtar, nëse ata shkelin detyrimin për të mbajtur konfidencial dhe për të mos përhapur në media, në shtypin e shkruar apo në çdo formë a forum tjetër informacionet që marrin për shkak të pjesëmarrjes së tyre në këto takime. Zëvendësimi i tyre bëhet nga subjektet e tjera në listën e aplikuesve për të marrë pjesë në këto takime.
8. Pjesëmarrja në takimet periodike është pa shpërblim. Subjektet e përmendura në shkronjat “d”, “dh” dhe “e”, të pikës 2, të këtij neni, mund të heqin dorë në çdo kohë nga pjesëmarrja në këto takime.
9. Si rregull, takimet e Këshillit Ekonomik Kombëtar zhvillohen me dyer të mbyllura, por, në raste përjashtimore, me miratimin e Kryetarit të Këshillit, ato mund të zhvillohen edhe me dyer të hapura.
10. Rendi i ditës i takimeve periodike përgatitet nga sekretariati teknik i Këshillit Ekonomik Kombëtar dhe miratohet nga zëvendëskryetari, pas këshillimit me Kryetarin e Këshillit.
11.Sekretariati teknik i Këshillit Ekonomik Kombëtar do t’u bëjë të ditur pjesëmarrësve në takim, të paktën 7 (shtatë) ditë kalendarike përpara, kohën kur do të zhvillohet takimi, çështjet për diskutim në rend dite, si dhe do t’u vërë në dispozicion materialet e takimit.
Neni 7
Forma të tjera këshillimi të Këshillit Ekonomik Kombëtar
1. Me akt nënligjor të Kryetarit të Këshillit Ekonomik Kombëtar dhe me propozim të ministrit përgjegjës për ekonominë apo të sekretarit të Përgjithshëm mund të krijohen komisione këshillimi, si struktura ad hoc të Këshillit për të mbuluar fusha dhe sektorë specifikë. Komisionet e këshillimit janë të përkohshme dhe përfundojnë funksionimin e tyre me mbarimin e detyrave që iu janë ngarkuar. Ato drejtohen nga ministri përgjegjës për ekonominë. Komisionet e këshillimit kryejnë detyrat e përcaktuara në aktin e krijimit të tyre. Me propozimin e tyre dhe me vendim të Këshillit Ekonomik Kombëtar, ato mund të ngrenë sekretariate të këshillimit sektorial.
2. Këshilli Ekonomik Kombëtar mund të organizojë, nëpërmjet sekretariatit teknik të tij, takime midis grupeve të interesit dhe organeve e institucioneve të ndryshme të administratës shtetërore, që do të ndërmerren me kërkesë të grupeve të interesit apo organeve shtetërore.
3. Këshilli Ekonomik Kombëtar mund të organizojë edhe forma të tjera këshillimi të cilat mund të jenë të përshtatshme sipas rastit.
Neni 8
Sekretariati teknik
1. Pranë Këshillit Ekonomik Kombëtar funksionon sekretariati teknik që kryen funksione ndihmëse dhe administrative, me seli pranë ambienteve të ndërtesës së Kryeministrisë. Aktiviteti i tij rregullohet sipas këtij ligji, duke përjashtuar zbatimin e dispozitave të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar.
2. Sekretariati teknik kryen funksionet e mëposhtme:
a) Administron faqen zyrtare të internetit të Këshillit Ekonomik Kombëtar dhe përcakton rregullat e aksesit në këtë faqe;
b) Grumbullon dhe përpunon komentet, vërejtjet, sugjerimet, denoncimet dhe propozimet e grupeve të interesit në procesin e këshillimit publik të zhvilluar sipas këtij ligji;
c) U dërgon ministrive përkatëse, Këshillit Ekonomik Kombëtar dhe/ose institucioneve të tjera shtetërore informacionin e përpunuar dhe dokumentacionin shoqërues, kur është rasti;
ç) Monitoron dhe zbaton projektet dhe nismat e Këshillit Ekonomik Kombëtar;
d) Ndihmon dhe mbështet Këshillin Ekonomik Kombëtar në punën dhe mbarëvajtjen e takimeve;
dh) Me kërkesë të Kryetarit të Këshillit Ekonomik Kombëtar, kryen anketime, përgatit raporte dhe studime për çështje që lidhen me fushën e veprimtarisë së Këshillit;
e) Analizon fenomenet e praktikave arbitrare apo shqetësime të tjera të identifikuara nga organizatat e biznesit dhe jep rekomandimet përkatëse;
ë) Kryen detyra të tjera të përcaktuara nga Kryetari i Këshillit Ekonomik Kombëtar.
3. Sekretariati teknik drejtohet nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ekonomik Kombëtar, i cili do të kryejë këtë funksion pa shpërblim. Sekretari i Përgjithshëm përfaqëson sekretariatin teknik në marrëdhënie me të tretët.
4. Kryetari i Këshillit Ekonomik Kombëtar emëron sekretarin e Përgjithshëm nga radhët e biznesit me eksperiencë në fushën ligjore dhe/ose ekonomike, për një afat katërvjeçar, me të drejtë riemërimi. Sekretari i Përgjithshëm nuk është funksionar publik dhe nuk gëzon statusin e nëpunësit civil. Sekretari i Përgjithshëm drejton dhe mbikëqyr punën e sekretariatit teknik si monitorues dhe mediator i dialogut shtet-privat dhe kryen detyrat e tjera të ngarkuara nga ky ligj.
5. Struktura organizative e sekretariatit teknik miratohet nga Kryetari i Këshillit Ekonomik Kombëtar, me propozim të sekretarit të Përgjithshëm. Marrëdhëniet e punës së personelit të sekretariatit teknik rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë dhe punonjësit e këtij sekretariati nuk gëzojnë statusin e nëpunësit civil.
6. Pagat dhe kontributet për personelin e sekretariatit teknik, si dhe shpenzimet e tjera që lidhen me funksionimin e tij sigurohen nëpërmjet dhurimeve, sponsorizimeve e burimeve të tjera të ligjshme.
7. Sekretariati teknik mund të vendosë që të rimbursojë shpenzimet e kryera për pjesëmarrjen dhe angazhimin, pranë Këshillit Ekonomik Kombëtar, të subjekteve të përmendura në nenin 6, pika 2, shkronja “ç”, dhe pika 4, shkronja “b”, të këtij ligji.
Neni 9
Dispozita të fundit
Ligji nr.9607, datë 11.9.2006, “Për Këshillin Konsultativ të Biznesit”, shfuqizohet.
Neni 10
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR SIGURIMIN E DEPOZITAVE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave Këshilli i Ministrave,
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për sigurimin e depozitave”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
—
P R O J E K T L I GJ
PËR
SIGURIMIN E DEPOZITAVE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
1. Ky ligj rregullon funksionimin e skemës së sigurimit të depozitave në bankat, degët e bankave të huaja dhe shoqëritë e kursim – kreditit të licencuara në Republikën e Shqipërisë.
2. Objektivi i skemës së sigurimit të depozitave është kompensimi i depozitave të depozituesve.
3. Në mbështetje të objektivit kryesor, dy objektivat dytësorë të skemës janë: të mbrojë interesat e depozituesëve dhe të kontribuojë në stabilitetin e sistemit bankar e financiar.
Neni 2
Fusha e veprimit
1. Ky ligj zbatohet për të gjitha bankat, degët e bankave të huaja dhe shoqëritë e kursim – kreditit që pranojnë depozita në Republikën e Shqipërisë, të cilat duhet të jenë anëtare të skemës së sigurimit të depozitave.
2. Përfshirja e subjekteve të një natyre tjetër juridike në skemën e sigurimit të depozitave bëhet me ligj të veçantë, sipas propozimit të Agjencisë, dhe vetëm për qëllime të ruajtjes të stabilitetit financiar në Republikën e Shqipërisë, duke administruar rrezikun moral dhe shtesën e fondeve të Agjencisë.
Neni 3
Përkufizime
Në zbatim të këtij ligji termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Agjencia e Sigurimit të Depozitave”, subjekti i krijuar në bazë të këtij ligji (në vijim “Agjencia”).
2. “Akt nënligjor”, akti i Autoritetit Mbikëqyrës dhe/ose Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, i dalë në bazë dhe për zbatim të këtij ligji.
3. “Autoriteti Mbikëqyrës”, Banka e Shqipërisë.
4. “Autoritete mbikëqyrëse dhe institucione të sigurimit të depozitave përgjegjëse” janë autoritetet e vendit anëtar apo të huaj të autorizuara sipas legjislacionit përkatës të ushtrojnë mbikëqyrjen mbi veprimtarinë dhe/ose sigurimin e depozitave të subjekteve me natyrë të njëjtë me subjektet anëtare të skemës së sigurimit të depozitave në Republikën e Shqipërisë.
5. “Bankë” ka kuptimin e përcaktuar në ligjin nr.9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, dhe/ose çdo ligj ndryshues i tij. Kudo në këtë ligj, banka dhe dega e bankës së huaj do të quhen “banka”.
6. “Bankë – urë” ka kuptimin e përcaktuar në ligjin nr.9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, dhe/ose çdo ligj ndryshues i tij.
7. “Certifikata e sigurimit të depozitave”, akti administrativ i lëshuar nga Agjencia, me anën e të cilit një person juridik bëhet anëtar i skemës së sigurimit të depozitave.
8. “Degë e bankës” ka kuptimin e përcaktuar në ligjin nr.9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, dhe/ose çdo ligj ndryshues i tij.
9. “Degë e bankës së huaj” ka kuptimin e përcaktuar në ligjin nr.9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, dhe/ose çdo ligj ndryshues i tij.
10. “Degë e bankës jashtë Shqipërisë”, njësia organizative e bankës jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që kryen drejtpërsëdrejti të gjitha ose disa veprimtari të bankës, drejtoria qendrore e së cilës është në territorin e Republikës së Shqipërisë.
11. “Degë rajonale e SHKK-së” ka kuptimin e përcaktuar në ligjin nr.8782, datë 3.5.2001, “Për shoqëritë e kursim – kreditit”, dhe/ose çdo ligj ndryshues i tij.
12. “Depozitë” ka kuptimin:
– e përcaktuar në ligjin nr.9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, dhe/ose çdo ligj ndryshues i tij;
– çdo shumë parash që anëtari, individi i shoqërisë së kursim – kreditit depoziton pranë saj, në përputhje me ligjin nr.8782, datë 3.5.2001, “Për shoqëritë e kursim – kreditit”, dhe/ose çdo ligj ndryshues i tij.
13. “Depozitë e sigurueshme”, vlera e agreguar e të gjitha depozitave të një depozituesi, përfshirë interesin e përllogaritur të tyre në ditën e vlerësimit ose të ndërhyrjes në një subjekt anëtar të skemës, përveç përjashtimeve të nenit 32, “Depozitat e pasigurueshme”, të këtij ligji.
14. “Depozitë e siguruar në bankë dhe degë të saj”, pjesa e depozitës së sigurueshme e një depozituesi, i cili mbulohet me sigurim nga Agjencia.
15. “Depozitë e siguruar në SHKK”, pjesa e depozitës së sigurueshme e një depozituesi, i cili mbulohet me sigurim nga Agjencia.
16. “Depozitues”, çdo individ, i cili ka të drejtën e përfitimit të pagesës së një depozite nga një subjekt anëtar i skemës së sigurimit të depozitave, përfshirë këtu titullarin me të drejta të plota të një depozite në bashkëpronësi dhe çdo përfitues të një depozite të palës së tretë.
17. “Likuidim i detyruar” ka kuptimin e përcaktuar në ligjin nr.9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, dhe/ose çdo ligj ndryshues i tij.
18. “Ngjarja e sigurimit” quhet një nga rrethanat e mëposhtme:
– pjesëmarrja e Agjencisë me transferim mjetesh financiare në shitjen e bankës ose në themelimin e bankës – urë;
– vendosja e subjektit anëtar të skemës së sigurimit të depozitave në likuidim të detyruar.
Ngjarja e sigurimit konsiderohet se ndodh në datën dhe orën e hyrjes në fuqi të vendimit të Autoritetit Mbikëqyrës për ndërhyrjen në subjektin anëtar të skemës së sigurimit të depozitave.
19. “Pjesëmarrje e Agjencisë me transferim mjetesh financiare në shitjen e bankës dhe bankën – urë” ka kuptimin e plotësimit nga Agjencia me mjetet e saj financiare të diferencës ndërmjet detyrimeve dhe aseteve të subjektit anëtar të skemës së sigurimit të depozitave, të cilat transferohen te një subjekt tjetër anëtar i skemës ose një bankë-urë, përfshirë në çdo rast totalin e depozitave të siguruara, në bazë të urdhrit të Autoritetit Mbikëqyrës ose gjatë procesit të kujdestarisë apo likuidimit, me miratimin e Autoritetit Mbikëqyrës.
20. “Prim i sigurimit”, vlera monetare që subjekti anëtar i paguan Agjencisë me qëllim sigurimin e depozitave në këtë subjekt.
21. “Rrezik moral”, rrethanat kur sjellja e një pjesëmarrësi të skemës, siç janë subjektet anëtare ose depozituesit, mund të ndryshojë duke përkeqësuar stabilitetin e sektorit bankar dhe financiar për shkak të besimit që krijon sigurimi i depozitës.
22. “Skema e sigurimit të depozitave”, marrëdhënia juridike dhe veprimtaria për sigurimin dhe kompensimin e depozitave që krijohet ndërmjet subjekteve anëtare të skemës dhe institucioneve publike në përfitim të depozituesve. Kudo në këtë ligj, skema e sigurimit të depozitave do të quhet “Skema”.
23. “Sigurimi i depozitës”, kalimi i rrezikut deri në nivelin maksimal të mbulimit nga subjekti që mbledh depozita te Agjencia, sipas dispozitave të këtij ligji, kundrejt përmbushjes prej këtij subjekti të kushteve për t’u anëtarësuar në skemën e sigurimit të depozitave dhe pagesës së kontributeve e primeve të sigurimit Agjencisë.
24. “Subjekt anëtar i skemës së sigurimit të depozitave”, personi juridik i anëtarësuar në skemën e sigurimit të depozitave nga Agjencia dhe i licensuar nga Autoriteti Mbikëqyrës si bankë, degë e bankës së huaj, shoqëri e kursim-kreditit që ushtron veprimtari në Republikën e Shqipërisë.
25. “Shitje e bankës” ka kuptimin e përcaktuar në ligjin nr.9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, dhe/ose çdo ligj ndryshues i tij.
26. “Shoqëria e kursim-kreditit” ka kuptimin e përcaktuar në ligjin nr.8782, datë 3.5.2001, “Për shoqëritë e kursim-kreditit”, dhe/ose çdo ligj ndryshues i tij. Kudo në këtë ligj, shoqëria e kursim-kreditit do të quhet SHKK.
27. “SHSHB”, Shoqata Shqiptare e Bankave.
28. “Unioni i SHKK-së” ka kuptimin e përcaktuar në ligjin nr.8782, datë 3.5.2001, “Për shoqëritë e kursim-kreditit”, dhe/ose çdo ligj ndryshues i tij.
29. “Vend anëtar”, vendi anëtar i Bashkimit Evropian ose një vend tjetër që i përket Zonës Ekonomike Evropiane.
30. “Vend i huaj”, çdo vend përveç Republikës së Shqipërisë dhe një “vendi anëtar”.
Neni 4
Parimet bazë të skemës
Skema e sigurimit të depozitave mbështetet mbi këto parime bazë:
a) Anëtarësimi i detyrueshëm në skemë i bankave dhe SHKK-ve që licencohen nga Autoriteti Mbikëqyrës për grumbullimin e depozitave në Republikën e Shqipërisë;
b) Sigurimi i depozitave të depozituesve në banka dhe SHKK;
c) Transparenca në veprimtarinë e Agjencisë;
ç) Financimi i skemës në bazë të pagesave të primit të sigurimit nga subjektet anëtare të saj.
Neni 5
Juridiksioni i skemës
1. Banka dhe SHKK-ja në Republikën e Shqipërisë pranojnë dhe grumbullojnë depozita vetëm nëse janë anëtarësuar në skemë, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
2. Agjencia siguron depozitat në bankat dhe SHKK-të e pranuara dhe të pagueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.
3. Agjencia nuk siguron depozitat në degën e bankës jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Neni 6
Pavarësia institucionale e Agjencisë
1. Agjencia gëzon pavarësi operacionale dhe financiare nga çdo subjekt tjetër, në zbatim të dispozitave të këtij ligji.
2. Agjencia mbikëqyret nga Autoriteti Mbikëqyrës.
Neni 7
Raportimi i Agjencisë
1. Agjencia raporton në Kuvend, në Këshillin e Ministrave dhe në Autoritetin Mbikëqyrës për veprimtarinë vjetore të saj.
2. Raporti vjetor dhe dokumentet financiare të audituara të Agjencisë i paraqiten Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Autoritetit Mbikëqyrës jo më vonë se tre muaj nga mbyllja e vitit financiar.
3. Agjencia publikon raportin vjetor dhe dokumentet financiare të audituara në faqen e saj të internetit.
Neni 8
Administrimi i skemës
1. Pjesëmarrës të skemës janë:
a) Depozituesit, si përfitues të saj;
b) Bankat dhe SHKK-të, të licencuara nga Autoriteti Mbikëqyrës dhe të pranuara në skemë nga Agjencia;
c) Agjencia e Sigurimit të Depozitave;
ç) Banka e Shqipërisë;
d) Ministria e Financave.
2. Banka e Shqipërisë, si pjesëmarrëse e skemës, ushtron funksionet e mëposhtme:
a) mbikëqyr veprimtarinë e Agjencisë, në veçanti administrimin e mjeteve financiare, në rast paaftësie paguese dhe deficiti të Agjencisë;
b) licencon, rregullon dhe mbikëqyr veprimtarinë e bankave, SHKK-ve dhe unioneve të SHKK-ve;
c) është autoriteti përgjegjës për kujdestarinë dhe likuidimin e detyruar të subjekteve anëtare të skemës, sipas ligjeve përkatëse;
3. Ministria e Financave, si pjesëmarrëse e skemës, i propozon Këshillit të Ministrave projektligjin për plotësimin e burimeve financiare dhe fondeve të Agjencisë nga fondet e buxhetit të shtetit, brenda 3 (tri) ditëve nga kërkesa e Agjencisë, në rast parashikimi të deficitit të saj.
Neni 9
Administrimi i rrezikut moral në skemë
1. Agjencia merr pjesë në administrimin e rrezikut moral nëpërmjet bashkëpunimit me:
a) anëtarët e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar;
b) autoritetet dhe institucionet qendrore dhe vendore të Republikës së Shqipërisë;
c) subjektet anëtare të skemës, SHSHB-së dhe unionet e SHKK-ve;
ç) autoritetet mbikëqyrëse dhe/ose siguruese përgjegjëse të depozitave në vendet anëtare dhe të huaja;
d) autoritetet publike dhe private të medias të shkruar dhe audiovizive.
2. Agjencia mbështet për sigurimin e depozitave në:
a) nismat për mirëqeverisjen dhe administrimin e rrezikut të subjekteve anëtare të skemës;
b) forcimin e disiplinës të sektorit të mbikëqyrur nga Autoriteti Mbikëqyrës;
c) zbatimin e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës nga subjektet anëtare të skemës.
3. Subjektet anëtare dhe institucionet pjesëmarrëse të skemës së sigurimit të depozitave caktojnë personat e kontaktit të nivelit drejtues për zbatimin e këtij ligji.
Neni 10
E drejta për informacion
1. Agjencia kërkon të dhëna nga subjektet anëtare të skemës dhe Autoriteti Mbikëqyrës për realizimin e veprimtarisë dhe të detyrave të saj.
3. Autoriteti Mbikëqyrës dhe subjektet anëtare të skemës duhet t’i japin Agjencisë të dhënat e kërkuara prej saj.
3. Agjencia përmbush detyrimet për ruajtjen e sekretit zyrtar, profesional dhe të informacionit për klientin.
Neni 11
Bashkëpunimi i Agjencisë me Autoritetin Mbikëqyrës
1. Agjencia dhe Autoriteti Mbikëqyrës bashkëpunojnë për të përmbushur objektivat e tyre ligjorë, në veçanti, nëpërmjet:
a) nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, që përfshin, ndër të tjera, dhe shkëmbimin e të dhënave e të informacionit;
b) përcaktimit të funksioneve përkatëse organizative ose administrative të secilit prej këtyre institucioneve;
c) bashkërendimit të inciativave ligjvënëse dhe rregullatore të tyre;
ç) bashkëpunimit gjatë procesit të licencimit dhe anëtarësimit të një subjekti në skemë;
d) bashkëpunimit gjatë procesit të licencimit dhe anëtarësimit të një banke -urë në skemën e sigurimit të depozitave;
dh) vlerësimit të depozitave të regjistruara në një subjekt anëtar gjatë 12 (dymbëdhjetë) muajve të parë të aktivitetit të këtij subjekti.
2. Autoriteti Mbikëqyrës siguron pjesëmarrjen e Agjencisë në grupet e mbikëqyrjes dhe të inspektimit të subjekteve anëtare, veçanërisht të atyre me probleme.
3. Agjencia informon rregullisht Autoritetin Mbikëqyrës për politikat e sigurimit të depozitave, gjendjen financiare dhe për buxhetin e saj.
4. Autoriteti Mbikëqyrës informon rregullisht Agjencinë për gjendjen e sektorit bankar dhe subjekte anëtare të skemës.
5. Agjencia dhe Autoriteti Mbikëqyrës njoftojnë menjëherë njëri – tjetrin për çdo rrethanë që gjykojnë se mund të shkaktojnë ngjarje sigurimi ose situata të jashtëzakonshme që kërcënojnë stabilitetin e sistemit financiar të vendit.
6. Autoriteti Mbikëqyrës njofton menjëherë Agjencinë, në rast se ka të dhëna, që të ndërhyjë në një subjekt dhe që ky subjekt të vendoset në kujdestari ose likuidim të detyruar.
7. Në rastet e përcaktuara në pikat 5 dhe 6, të këtij neni, Agjencia dhe Autoriteti Mbikëqyrës dërgojnë në këto subjekte punonjës të teknologjisë së informacionit elektronik me qëllim që të merren të dhënat e nevojshme për të kryer saktë dhe në kohë procesin e kompensimit të depozitave.
8. Në procedurat e kujdestarisë dhe të likuidimit, Agjencia, në veçanti, merr informacione të hollësishme për depozitat dhe depozituesit, të cilët përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave, sipas dispozitave të këtij ligji.
9. Agjencia ka të drejtë të ankimojë raportin e likuidatorit te Autoriteti Mbikëqyrës, kur vëren se veprimet e propozuara nga ai janë në kundërshtim me interesat e ligjshëm të saj, sipas ligjit për bankat në Republikën e Shqipërisë ose ligjit për SHKK-të.
10. Në mbikëqyrjen e subjekteve anëtare, përpara ose gjatë procesit të kujdestarisë ose të likuidimit, Autoriteti Mbikëqyrës mbron interesat e Agjencisë dhe i jep asaj të dhëna të cilat i shërbejnë për të kryer veprimtarinë e saj.
Neni 12
Bashkëpunimi i Agjencisë me Ministrinë e Financave
Agjencia dhe Ministria e Financave bashkëpunojnë për t’i paraqitur Këshillit të Ministrave propozimin për përfshirjen e shpenzimeve të parashikuara të deficitit të Agjencisë në projektligjin për buxhetin e shtetit të vitit të ardhshëm.
Neni 13
Bashkëpunimi i Agjencisë me Shoqatën Shqiptare të Bankave
1. Agjencia bashkëpunon me SHSHB-në nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit, takimeve, konsultimeve, organizimit të seminareve dhe konferencave të natyrave shkencore e praktike.
2. Agjencia ka të drejtën të ftojë përfaqësues të SHSHB-së për të marrë pjesë në punën e komiteteve, komisioneve ose njësive të tjera të saj për qëllime informimi mbi çështje të sigurimit dhe kompensimit të depozitave.
3. Agjencia dhe SHSHB-ja bashkëpunojnë për t’u ofruar bankave anëtare të skemës ekspertizë dhe mbështetje për qëllime të këtij ligji.
Neni 14
Ndërgjegjësimi i publikut
1. Agjencia kryen veprimtari me qëllim ndërgjegjësimin e publikut mbi skemën e sigurimit të depozitave si dhe vlerësime të këtyre veprimtarive.
2. Agjencia krijon infrastrukturën e teknologjisë së informacionit për informimin e depozituesve apo personave të tjerë të interesuar për sigurimin e depozitave.
3. Agjencia kryen veprimtari promocionale me qëllim informimin dhe edukimin e publikut.
Neni 15
Ankimimi
1. Depozituesi i subjektit anëtar të skemës ka të drejtën t’i drejtohet Agjencisë me kërkesë kur ka pretendime mbi të drejtat për informim, sigurim dhe kompensim të depozitave.
2. Agjencia i përgjigjet çdo kërkese të depozituar me shkrim apo në formë elektronike nga depozitues të skemës dhe jep çdo informacion të kërkuar që ka lidhje me sigurimin e depozitave, brenda 15 ditëve pune nga data e marrjes së kërkesës në fjalë.
3. Agjencia krijon një sistem të brendshëm për trajtimin e ankesave të depozituesve në lidhje me sigurimin dhe kompensimin e depozitave.
Neni 16
Bashkëpunimi i Agjencisë me institucione ndërkombëtare,
autoritete mbikëqyrëse dhe institucione të sigurimit të depozitave përgjegjëse
1. Agjencia shkëmben informacione në bazë të reciprocitetit dhe nënshkruan marrëveshje anëtarësimi ose bashkëpunimi me institucione ndërkombëtare, autoritete mbikëqyrëse dhe institucione të sigurimit të depozitave përgjegjëse të vendeve anëtare ose të huaja.
2. Bashkëpunimi përfshin konsultimet dypalëshe dhe shumëpalëshe, të shoqëruara me shkëmbimin e informacionit dhe ekspertizave, i cili vlerësohet rast pas rasti nga institucionet ose autoritetet përgjegjëse si të përputhshme me sigurimin e depozitave dhe të vlefshme për interesat e përbashkëta.
3. Në këmbimin e informacioneve Agjencia respekton kuadrin ligjor dhe rregullator të Republikës së Shqipërisë mbi ruajtjen e sekretit zyrtar, profesional dhe të informacionit për klientin.
4. Agjencia përmbush detyrimet dhe përfiton nga të drejtat e përcaktuara në marrëveshjet e bashkëpunimit në përputhje me kuadrin rregullator dhe ligjor të Republikës së Shqipërisë, si dhe me parimet e të drejtës ndërkombëtare publike.
KREU II
ANËTARËSIMI I SUBJEKTEVE
DHE PËRJASHTIMI I TYRE NGA SKEMA
Neni 17
Autoriteti pranues në skemë
Agjencia është autoriteti i vetëm përgjegjës për anëtarësimin e subjekteve në skemën e sigurimit të depozitave.
Neni 18
Gjuha
Të gjitha subjektet e këtij ligji përdorin gjuhën shqipe në dokumentacionin dhe korrespondencën që mbajnë në Republikën e Shqipërisë në lidhje me sigurimin e depozitave.
Neni 19
Fazat e anëtarësimit të subjekteve në skemë
Anëtarësimi i subjektit në skemën e sigurimit të depozitave përbëhet nga dy faza:
a) Vërtetimi për plotësimin e kërkesave ligjore dhe nënligjore lidhur me sigurimin e depozitave.
b) Certifikimi për sigurimin e depozitave.
Neni 20
Karakteristikat e certifikatës së sigurimit të depozitave
1. Certifikata e sigurimit të depozitave është e pakufizuar në kohë, e patransferueshme dhe e patjetërsueshme.
2. Elementet e detyrueshme të certifikatës së sigurimit të depozitave janë logoja e Agjencisë; numri i certifikatës; emërtimi i subjektit dhe elemente të tjera të përcaktuara me akt nënligjor të këshillit drejtues të Agjencisë.
Neni 21
Ndalimet në ushtrimin e veprimtarisë bankare dhe financiare
1. Asnjë subjekt, emri i të cilit lidhet me fjalën “bankë”, “SHKK” dhe fjalë të prejardhura prej tyre, i cili nuk ka marrë vërtetimin për plotësimin e kërkesave ligjore e nënligjore lidhur me sigurimin e depozitave, nuk licencohet nga Autoriteti Mbikëqyrës.
2. Asnjë subjekt i këtij ligji nuk lejohet të ushtrojë veprimtari në territorin e Republikës së Shqipërisë pa certifikatën e sigurimit të depozitave. E drejta për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë bankare dhe financiare lind vetëm pasi subjekti pajiset me certifikatën për sigurimin e depozitave nga Agjencia.
3. Asnjë subjekt i vendosur në kujdestari ose likuidim të detyruar nga Autoriteti Mbikëqyrës nuk mund të dorëzojë kërkesë për pranimin në skemën e sigurimit të depozitave.
Neni 22
Procedura e anëtarësimit të subjekteve në skemë
1. Subjektet dorëzojnë në Agjenci kërkesën për anëtarësimin në skemë:
a) Për bankat, menjëherë pas marrjes së miratimit paraprak për licencë nga Autoriteti Mbikëqyrës.
b) Për SHKK-të, njëkohësisht me dorëzimin e kërkesës për licencë në Autoritetin Mbikëqyrës.
2. Agjencia i anëtarëson në skemë subjektet vetëm nëse ato:
a) plotësojnë kushtet e përcaktuara për dokumentacionin e kërkuar;
b) plotësojnë kushtet teknike e organizative për krijimin dhe mbajtjen e regjistrit elektronik të detyrimeve depozitë të subjektit;
c) paguajnë kontributin fillestar.
3. Agjencia kryen verifikime në vend të plotësimit të kushteve nga subjektet si dhe mund të kërkojë informacion shtesë nga personi që kërkon të anëtarësohet në skemën e sigurimit të depozitave.
4. Procedura, kërkesa, dokumentacioni dhe kushtet për pranimin në skemën e sigurimit të depozitave rregullohen me akte nënligjore të Agjencisë.
5. Autoriteti Mbikëqyrës informon Agjencinë për miratimin e vendimit të licencimit të subjektit brenda tri ditëve nga marrja e këtij vendimi.
6. Agjencia vendos për anëtarësimin e subjektit në skemën e sigurimit të depozitave dhe dhënien e certifikatës brenda tri ditëve nga marrja e njoftimit me shkrim nga Autoriteti Mbikëqyrës, sipas pikës 5, të këtij neni.
Neni 23
Publikimi i vendimit për anëtarësimin në skemën e sigurimit të depozitave
Vendimi i këshillit drejtues të Agjencisë për anëtarësimin e subjektit në skemën e sigurimit të depozitave botohet në “Fletoren zyrtare” të Republikës së Shqipërisë, si dhe në një ose më shumë gazeta kombëtare.
Neni 24
Regjistri i subjekteve anëtare në skemën e sigurimit të depozitave
1. Agjencia mban një regjistër për konsultim nga publiku, në të cilin përfshihen të gjitha subjektet anëtare, të dhënat e të cilit përcaktohen në akt nënligjor të këshillit drejtues të Agjencisë.
2. Ky regjistër përfshin edhe një listë të subjekteve të përjashtuara nga skema sipas aktit nënligjor të Agjencisë.
Neni 25
Detyrimete subjekteve
1. Subjektet janë të detyruara:
a) të paguajnë kontributet dhe primet e sigurimit në llogarinë e fondit përkatës të Agjencisë, në përputhje me shumën dhe afatet e përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore;
b) t’u japin depozituesve informacionin për anëtarësimin e këtyre subjekteve në skemën e sigurimit të depozitave, në përputhje me udhëzimet e Agjencisë;
c) të sigurojnë aksesin e depozituesve ndaj informacionit të sigurimit dhe kompensimit të depozitave, veçanërisht në vendet ku ushtrohet shërbimi ndaj klientit;
ç) të mbajnë regjistrin elektronik të detyrimeve depozitë të subjektit anëtar të skemës së sigurimit të depozitave, në përputhje me përmbajtjen dhe formën e përcaktuar nga Agjencia;
d) mbi bazën e kërkesës të Agjencisë dhe në afatin e përcaktuar prej saj, të paraqesin të dhëna, informacione e dokumentacione për veprimtarinë e tyre, në veçanti për zbatimin e metodologjisë së përllogaritjes së primit dhe kontributit fillestar;
dh) të krijojnë sisteme administrimi dhe operacionale me qëllim përmbushjen e detyrimeve e të kushteve të përcaktuara në këtë ligj dhe me akt nënligjor të Agjencisë.
Neni 26
Regjistri elektronik i detyrimeve depozitë të subjektit
1. Regjistri elektronik i detyrimeve depozitë të subjektit anëtar është sistemi informatik i ndërtuar në mënyrë të tillë që të lejojë në çdo kohë nxjerrjen e menjëhershme të të dhënave elektronike të depozituesve, me qëllim identifikimin e tyre dhe përcaktimin e saktë të shumës që subjekti i detyrohet këtij depozituesi e të cilën e siguron pranë Agjencisë.
2. Agjencia miraton me akt nënligjor informacionin, parimet, procedurat dhe rregullat për funksionimin e regjistrit elektronik të detyrimeve depozitë të subjektit anëtar të skemës dhe raportimin pranë saj.
3. Subjektet që kërkojnë të anëtarësohen në skemën e sigurimit të depozitave dhe ato të anëtarësuara në të plotësojnë dhe zbatojnë kushtet teknike për krijimin e sistemeve elektronike, ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave për efekt të llogaritjes së primit të sigurimit, kompensimit të depozitave, si dhe raportojnë në Agjenci informacionin e kërkuar nga kjo e fundit.
4. Agjencia zotëron sistemin e saj elektronik me qëllim trajtimin e qendërzuar dhe shpërndarjen e informacionit të raportuar në të nga subjektet anëtare të skemës, në funksion të ushtrimit të sigurimit dhe kompensimit të depozitave.
5. Funksioni kryesor që përmbush sistemi elektronik i Agjencisë është identifikimi i depozituesit me një numër unik në sistem, i cili të përputhet me të dhënat personale të një personi konkret dhe të përcaktojë saktë shumën që subjekti i detyrohet këtij depozituesi, të cilën edhe e siguron pranë Agjencisë.
6. Depozituesit dhe subjektet anëtare të skemës së sigurimit të depozitave kanë të drejtë të kërkojnë dhe përdorin informacionin e mbajtur në sistemin elektronik të Agjencisë sipas akteve nënligjore të saj.
7. Ruajtja dhe përdorimi i informacionit të mbajtur nga Agjencia në sistemin e saj elektronik bëhet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen dhe trajtimin e të dhënave personale.
Neni 27
Detyrimi për informimin e publikut nga subjektet anëtare të skemës
1. Subjektet anëtare të skemës informojnë publikun në përputhje me aktet nënligjore dhe materialet e miratuara nga Agjencia.
2. Këshilli Drejtues i Agjencisë miraton kriteret, mënyrat dhe politikat e informimit të publikut.
3. Subjektet anëtare të skemës informojnë depozituesit përpara nënshkrimit të çdo lloj kontrate në lidhje me përfitimet dhe përjashtimet e sigurimit të depozitave.
4. Detyrimi për informim fillon para nënshkrimit të kontratës dhe vazhdon gjatë periudhës të vlefshmërisë së saj.
5. Informacioni i miratuar nga Agjencia përfshihet në kontratat për depozitat që nënshkruhen nga depozituesi i subjektit anëtar dhe ruhen së bashku me dokumentet e tjera të tij.
6. Informacioni mbi skemën e sigurimit të depozitave publikohet në kushtet e punës, shpallet në mjediset publike të subjektit dhe në faqen e internetit të bankës, unionit të SHKK-ve ose SHKK-së, duke siguruar lidhjen nëpërmjet kësaj faqeje me faqen e internetit të Agjencisë.
7. Kur subjekti anëtar jep informacion promocional rreth tij dhe produkteve ekzistuese dhe të reja që ofron:
a) deklaron në mënyrë të saktë dhe të vërtetuar sigurimin e depozitave në këtë subjekt si dhe anëtarësimin e tij në skemë;
b) nuk fsheh apo tregon në mënyrë mashtruese e çorientuese informacionin në lidhje me sigurimin dhe kompensimin e produktit;
c) mbështet informacionin verbal në dokumente të hartuara nga Agjencia.
8. Informacionet promocionale që përfshijnë sigurimin e depozitave dërgohen në Agjenci për miratim përpara publikimit të tyre.
9. Subjektet anëtare informojnë publikun nëpërmjet postës, faksit, postës elektronike, nënshkrimit elektronik e të tjera.
10. Subjektet anëtare ndërmjet tyre dhe Agjencia bashkëveprojnë për të ruajtur besimin në sistemin bankar dhe financiar në rast të një ngjarjeje sigurimi.
11. Informacioni mbi sigurimin dhe kompensimin e depozitave i drejtohet depozituesit, si rregull, në gjuhën shqipe.
12. Në rast se Agjencia vëren, nga ankesat e depozituesve, inspektimet dhe verifikimet, dhënien e informacioneve të pasakta ose të rreme mbi skemën e sigurimit të depozitave, ajo merr masat e përcaktuara në nenin 66, “Masat parandaluese”, të këtij ligji.
Neni 28
Ndryshimet në veprimtaritë e subjekteve
1. Në rast se subjektet anëtare gjatë ushtrimit të veprimtarisë bëjnë ndryshime për të cilat njoftojnë Autoritetin Mbikëqyrës sipas ligjeve në fuqi, ato njoftojnë njëkohësisht edhe Agjencinë.
2. Në rast se subjektet anëtare gjatë ushtrimit të veprimtarisë bëjnë ndryshimet e përcaktuara me akt nënligjor të Agjencisë, ato rimarrin vërtetimin për plotësimin e kërkesave ligjore dhe nënligjore lidhur me sigurimin e depozitave. Agjencia jep vërtetimin jo më vonë se 3 (tre) muaj nga data e kërkesës.
3. Agjencia pasqyron ndryshimin në certifikatën e sigurimit të depozitave brenda 2 (dy) ditëve nga data e regjistrimit të vendimit përkatës të transformimit në regjistrin tregtar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
Neni 29
Komisionet për çertifikatë
1. Agjencia ka të drejtën që, me vendim të këshillit drejtues, të përcaktojë komisionet që subjektet paguajnë për certifikatën e sigurimit të depozitave.
2. Vendimi i këshillit drejtues për përcaktimin e këtyre komisioneve publikohet në “Fletoren zyrtare” të Republikës së Shqipërisë.
Neni 30
Përjashtimi nga skema dhe revokimi i i certifikatës
1. Autoriteti Mbikëqyrës njofton Agjencinë menjëherë, me marrjen e vendimit, për:
a) revokimin e licencës së subjektit anëtar të skemës së sigurimit të depozitave;
b) vendimin për ndërhyrjen në subjektin anëtar të skemës së sigurimit të depozitave.
2. Përjashtimi i subjektit nga skema e sigurimit të depozitave bëhet me vendim të këshillit drejtues të Agjencisë brenda 24 orëve nga marrja e njoftimit nga Autoriteti Mbikëqyrës, sipas pikës 1, të këtij neni.
3. Vendimi i Agjencisë për përjashtimin e subjektit nga skema e sigurimit të depozitave publikohet në faqen e internetit të Agjencisë dhe botohet në “Fletoren zyrtare” të Republikës së Shqipërisë, si dhe në një ose më shumë gazeta kombëtare.
4. Subjekti i përjashtuar nga skema e sigurimit të depozitave dorëzon menjëherë në Agjenci certifikatën e sigurimit të depozitave, me marrjen e njoftimit nga ana e saj për këtë.
KREU III
SIGURIMI I DEPOZITAVE
Neni 31
Kushtet e përgjithshme të sigurimit të depozitave
1. Depozita e siguruar e një depozituesi, në një subjekt anëtar, llogaritet mbi depozitën e sigurueshme deri në nivelin maksimal të mbulimit, sipas dispozitave të këtij ligji.
2. Depozitat sigurohen pavarësisht nëse ato janë të mbajtura në lekë apo në monedhë të huaj.
3. Dita e vlerësimit është dita kur kryhet përllogaritja e depozitave të siguruara, për efekt të përllogaritjes së primit.
4. Depozitat në valutë konvertohen në lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit të përcaktuar nga Autoriteti Mbikëqyrës në ditën e vlerësimit.
5. Në rastin e depozitave në bashkëpronësi, pjesa përkatëse e secilit prej titullarëve me të drejta të plota merret parasysh në llogaritjen e depozitës së sigurueshme që ka depozituesi në subjektin anëtar. Përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe në kushtet e vendosjes së depozitës, çdo depozitues me të drejta të plota prezumohet se zotëron pjesë të barabarta në depozitën në bashkëpronësi.
6. Në rastet e transformimit të subjektit anëtar të skemës së sigurimit të depozitave, depozitat mbeten të siguruara për secilin subjekt pjesëmarrës në këtë proces, tre muaj prej datës kur Agjencia njoftohet me shkrim nga Autoriteti Mbikëqyrës për përfundimin e procesit të transformimit.
7. Në zbatim të këtij ligji, depozita mbetet e siguruar deri në kryerjen e kompensimit nga Agjencia, sipas dispozitave të këtij ligji, pavarësisht nga ngjarja e siguruar ose revokimi i licencës së subjektit anëtar të skemës së sigurimit të depozitave.
8. Sigurimi i depozitës, sipas këtij ligji, përfundon kur:
a) klasifikohet si depozitë e pasigurueshme;
b) kompensohet nga Agjencia.
9. Në rastet kur një produkt i subjekteve anëtare të skemës së sigurimit të depozitave ka karakteristika të tilla që nuk e klasifikojnë automatikisht si depozitë të sigurueshme, Agjencia ka të drejtën të udhëzojë subjektet mbi klasifikimin e këtij produkti si depozitë të sigurueshme ose jo. Agjencia në çdo rast udhëzon duke u nisur nga interesat e ligjshme të depozituesit dhe në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
Neni 32
Depozitat e pasigurueshme
Depozitat e mëposhtme përjashtohen nga sigurimi dhe kompensimi nga Agjencia:
a) Pjesa e depozitës në bankë ose degën e bankës së huaj me vlerë mbi 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë ose shuma e barasvlershme me të (kundërvleftën), në monedhë të huaj;
b) Pjesa e depozitës në shoqërinë e kursim – kreditit me vlerë mbi 1 000 000 (një milionë) lekë ose shuma e barasvlershme me të (kundërvleftën), në monedhë të huaj;
c) Depozitat e bankës, degës së bankës, degës së bankës së huaj dhe shoqërisë së kursim – kreditit në emër dhe për llogari të vet;
ç) Depozitat e drejtorit, administratorit në bankë dhe të afërmit e ngushtë të tyre, sipas përcaktimit në ligjin për bankat;
d) Depozitat e çdo personi që zotëron 5 për qind ose më shumë në kapitalin e subjektin anëtar ose të aksioneve me të drejtë vote në këtë subjekt;
dh) Depozitat e prejardhura nga veprimtari të lidhura me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, të cilat janë deklaruar të paligjshme me vendim gjykate të formës së prerë;
e) Depozitat e tregtarëve vendas ose të huaj;
ë) Depozitat e personave juridikë, vendas ose të huaj;
f) Depozitat e shoqërive të sigurimit dhe risigurimit, vendase ose të huaja;
g) Depozitat e subjekteve të sipërmarrjes ose investimeve kolektive, vendase ose të huaja;
gj) Depozitat e fondeve të pensionit ose sigurimit pensional, vendase ose të huaja;
h) Tituj të emetuar nga subjekte financiare dhe çdolloj detyrimi tjetër që këto subjekte kanë bazuar mbi marrëveshjet e tyre të premtimit;
i) Depozitat e njësive të pushtetit qendror ose vendor të Republikës së Shqipërisë ose të një vendi të huaj;
j) Depozitat të paemërtuara dhe ose titulli i të cilave nuk përcaktohet qartë;
k) Depozitat e vendosura në subjektin anëtar të skemës së sigurimit të depozitave gjatë dhe pas ditës së ngjarjes së sigurimit në këtë subjekt;
l) Depozitat e anëtarëve të organeve drejtuese të shoqërisë së kursim-kreditit, sipas përcaktimeve në ligjin për shoqëritë e kursim – kreditit, përveç asamblesë së përgjithshme.
Neni 33
Nivelet maksimale të mbulimit
1. Agjencia siguron dhe kompenson depozitat e sigurueshme të çdo depozituesi në çdo subjekt anëtar të skemës, si më poshtë vijon:
a) në bankë ose në degën e bankës së huaj në masën 100 për qind, por në çdo rast jo më shumë se 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë, pavarësisht numrit të depozitave apo llojit të monedhës të tyre, të depozituara në këtë bankë.
b) në SHKK në masën 100 për qind, por në çdo rast jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë, pavarësisht numrit të depozitave apo llojit të monedhës të tyre, të depozituara në këtë SHKK.
2. Agjencia vlerëson, çdo pesë vjet, përputhshmërinë e niveleve maksimale të mbulimit me kushtet ekonomike dhe sociale të Republikës së Shqipërisë dhe standardet ndërkombëtare të sigurimit të depozitave, sipas kritereve të miratuara nga këshilli drejtues i saj.
Neni 34
Kontributi fillestar
1. Çdo subjekt, i cili kërkon të anëtarësohet në skemën e sigurimit të depozitave, paguan kontribut fillestar në masën 0,5 për qind të kapitalit fillestar të tij, të konvertuar në lekë, në llogarinë e Agjencisë pranë Autoritetit Mbikëqyrës, për të marrë vërtetimin për plotësimin e kërkesave ligjore dhe nënligjore lidhur me sigurimin e depozitave.
2. Çdo subjekt, i cili kërkon të anëtarësohet në skemën e sigurimit të depozitave, paguan në fund të vitit të parë të anëtarësimit në skemë shtesën e kontributit fillestar, që përllogaritet në masën 0,5 për qind të kapitalit të shtuar gjatë atij viti.
3. Këshilli drejtues i Agjencisë mund të vendosë përjashtimin nga detyrimi për pagesën e kontributit fillestar për subjektet të cilat krijohen duke marrë përsipër depozitat dhe detyrimet e një subjekti anëtar ekzistues.
Neni 35
Pagesa e primit
1. Depozitat e siguruara përbëjnë bazën për përllogaritjen e primit.
2. Për subjektet anëtare primi i sigurimit të depozitës përllogaritet dhe paguhet në tremujorë.
3. Për bankat primi tremujor i sigurimit është 0.125 për qind e mesatares aritmetike të shumës të depozitave të siguruara, që janë të regjistruara në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.
4. Për SHKK-të, primi tremujor i sigurimit është 0.075 për qind e mesatares aritmetike të shumës të depozitave të siguruara, që janë të regjistruara në SHKK në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.
5. Për efekt të përllogaritjes së primeve, tremujori fillon ditën e parë të muajve janar, prill, korrik dhe tetor.
6. Primi paguhet jo më vonë se data 15 e muajit të parë të tremujorit për të cilin paguhet.
7. Njëkohësisht me pagimin e primit për çdo tremujor, çdo subjekt anëtar i skemës ose unioni i SHKK-ve i paraqet Agjencisë deklaratën e llogaritjes së primit sipas kërkesave të saj.
8. Pagesa e primit bëhet në lekë në llogarinë e Agjencisë, në Autoritetin Mbikëqyrës.
9. Me vendim të këshillit drejtues të Agjencisë, primi tremujor i pagueshëm nga subjektet anëtare mund të rritet, të ulet ose të paguhet përpara afatit. Agjencia njofton Autoritetin Mbikëqyrës për këto vendime. Nëse shuma e primit të paguar para afatit ligjor është më e madhe se shuma e primit të pagueshëm për periudhën pasardhëse atëherë diferenca i rimbursohet këtij subjekti.
10. Agjencia mund të rrisë primin tremujor të pagueshëm nga subjektet anëtare deri në masën 0.175 për qind të mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë të regjistruara në subjekt në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.
11. Agjencia mund të ulë primin tremujor të pagueshëm nga bankat anëtare të skemës së sigurimit të depozitave deri në 0.025 për qind të mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë të regjistruara në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm, por vetëm nëse mjetet financiare të Agjencisë janë jo më pak se 5 për qind të mesatares së këtyre depozitave.
12. Primi i vitit të parë të aktivitetit për bankat vlerësohet me 0.5 për qind të mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara të mbajtuara në bankë në çdo ditë pune të kësaj periudhe. Për periudhën e mbetur në vijim deri në fund të vitit kalendarik, primi tremujor vlerësohet proporcionalisht për këtë periudhë, bazuar në aktet nënligjore të Agjencisë.
13. Primi i vitit të parë të aktivitetit për SHKK-të vlerësohet me 0.3 për qind të mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara të mbajtuara në SHKK në çdo ditë pune të kësaj periudhe. Për periudhën e mbetur në vijim deri në fund të vitit kalendarik, primi tremujor vlerësohet proporcionalisht për këtë periudhë, bazuar në aktet nënligjore të Agjencisë.
Neni 36
Kontributi i veçantë
1. Me propozimin e Këshillit Drejtues të Agjencisë dhe miratimin e Autoritetit Mbikëqyrës, subjektet anëtare paguajnë një kontribut të veçantë, i cili përmbush kriteret e mëposhtme:
a) Kontributi i veçantë është kontribut i subjekteve anëtare, që përdoret në rast parashikimi të defiçitit ose për qëllim të rindërtimit të fondeve dhe mjeteve financiare të Agjencisë, në rast të kompensimit të depozitave të siguruara ose të transferimit të mjeteve financiare në shitjen e bankës ose themelimin e bankës-urë nga Agjencia, apo për shlyerjen e huave të Agjencisë të marra për këtë qëllim.
b) Kontributi i veçantë i subjekteve anëtare mblidhet nga Agjencia vetëm një herë gjatë vitit kalendarik. Masa e kontributit të veçantë përcaktohet e njëjtë për të gjitha subjektet anëtare dhe në çdo rast jo më shumë se 1 për qind e totalit të depozitave të siguruara që janë regjistruar në subjektin e siguruar në ditën e fundit të muajit pararendës nga data e njoftimit të Agjencisë.
2. Kontributi paguhet nga subjektet anëtare në lekë me marrjen e njoftimit nga Agjencia për vendimin e Autoritetit Mbikëqyrës mbi detyrimin e pagesës së tij dhe, në çdo rast, jo më vonë se data e përcaktuar në njoftimin e Agjencisë.
3. Me propozimin e këshillit drejtues të Agjencisë, Autoriteti Mbikëqyrës përcakton subjektet anëtare, të cilat, për arsye të ruajtjes së aftësisë paguese të tyre, mund të përjashtohen nga pagesa e kontributit të veçantë përkatës.
Neni 37
Kontabilizimi i kontributeve dhe i primeve
1. Kontributet fillestare, primet dhe kontributet e veçanta llogariten si shpenzime të subjekteve anëtare.
2. Kontributet fillestare, primet dhe kontributet e veçanta nuk rimbursohen.
KREU IV
KOMPENSIMI I DEPOZITAVE DHE PJESËMARRJA E AGJENCISË
NË SHITJEN E BANKËS OSE NË THEMELIMIN E BANKËS – URË
Neni 38
Kushtet e përgjithshme të kompensimit të depozitave
1. Kompensimi i depozitës së siguruar është vlera monetare që i njihet ose i paguhet depozituesit në rast të ngjarjes së sigurimit, në përputhje me këtë ligj. Pjesëmarrja e Agjencisë me transferimin e mjeteve financiare në shitjen e bankës dhe në bankën-urë, konsiderohet përmbushje e detyrimit për të kompensuar depozitat e siguruara.
2. Niveli maksimal i kompensimit për çdo depozitues përllogaritet sipas përcaktimeve të nenit 33, “Nivelet maksimale të mbulimit”, të këtij ligji, duke zbritur shumën e detyrimeve të papaguara në kohë të depozituesit ndaj subjektit anëtar, që rezulton në vonesë shlyerjeje në ditën e ndërhyrjes nga Autoriteti Mbikëqyrës.
3. Shuma e kompensimit paguhet deri në nivelin maksimal të mbulimit vetëm nëse tejkalon vlerën prej 100 (njëqind) lekësh.
4. Dita e ndërhyrjes është dita kur kryhet përllogaritja e depozitave të siguruara në një ngjarje sigurimi, për efekt të përllogaritjes së vlerës së kompensimit.
5. Në rastin e likuidimit vullnetar të subjektit anëtar të skemës së sigurimit të depozitave, depozitat mbeten të siguruara, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, deri në përfundim të këtij procesi. Në çdo rast, Agjencia kompenson depozitat vetëm pas njoftimit, me shkrim, nga Autoriteti Mbikëqyrës për ngjarjen e sigurimit.
6. Depozitat në valutë konvertohen në lekë, sipas kursit zyrtar të këmbimit të përcaktuar nga Autoriteti Mbikëqyrës në ditën e ngjarjes së sigurimit.
7. Depozitat me afat vlerësohen të përfunduara në afat në ditën e vendosjes së subjektit anëtar në likuidim të detyruar nga Autoriteti Mbikëqyrës, përveç rastit të transformimit të tij ose të pjesëmarrjes së Agjencisë në shitjen e bankës ose bankën – urë.
8. Në rastin e depozitave të vendosura si garanci për një person të tretë ose për depozitat mbi të cilat janë vendosur sekuestro nga subjektet të cilët e gëzojnë këtë të drejtë me ligj, të drejtat për kompensim të depozitës i njihen titullarit të depozitës nëse në ngjarjen e siguruar titullari është çliruar nga detyrimi i garancisë ose nga detyrimi për të cilin është vendosur sekuestro. Në rast se titullari nuk arrin të çlirohet nga detyrimi i garancisë ose detyrimi për të cilin është vënë sekuestro, shuma e kompensimit përfitohet nga personi i tretë, në favor të të cilit është vendosur garancia ose sekuestroja.
9. Në rastin e depozitave të vendosura në përfitim të personit të tretë, të drejtat për kompensim i njihen personit të tretë.
10. Në rastin e depozitave të vendosura me kusht ose afat në përfitim të personit të tretë, të drejtat për kompensim i njihen personit të tretë në rast se në ngjarjen e sigurimit janë plotësuar kushti dhe afati përkatës.
11. Likuidatori vlerëson dhe kryen kompensimin e depozitave me vlerën e mbetur të detyrimit të depozituesit kundrejt subjektit. Depozitat kolateral të ngurtësuara nga depozituesi për subjektin anëtar me anë të një marrëveshjeje, sipas së cilës kjo depozitë do të shërbente vetëm për të shlyer detyrimin e depozituesit kundrejt subjektit anëtar, nuk quhen të sigurueshme për qëllim kompensimi.
12. Agjencia ka të drejtë të refuzojë kompensimin ose të kërkojë kthimin e kompensimit për depozitat e siguruara, kur e drejta për kompensim bazohet në të dhëna të pavërteta dhe mashtruese dhe kur vëren se nuk ka interes të sigurueshëm. Interes i sigurueshëm është interesi i ligjshëm dhe nevoja objektive e depozituesit për t’u mbrojtur nga humbja financiare e depozitave në një ngjarje sigurimi.
13. Me përfundimin e afatit ligjor të procesit të kompensimit, fondi i mbetur i kompensimit për depozitat e siguruara, i përbërë nga shumat e kompensimit që mbeten të pashlyera deri në përfundim të këtij afati, transferohen prej Agjencisë në një llogari të veçantë pranë Autoritetit Mbikëqyrës. Në përputhje me dispozitat e këtij ligji, depozituesit mund të paraqiten brenda 10 (dhjetë) vjetëve nga ngjarja e siguruar pranë Agjencisë për pretendimin e shumës së kompensimit.
14. Çdo depozitues ka të drejtë të depozitojë një ankesë në Autoritetin Mbikëqyrës. Vendimi i Agjencisë zbatohet pa kufizim gjatë periudhës së ankimit dhe çdo apelimi tjetër ose procesi tjetër juridik të lidhur me apelimin. Akti i Autoritetit Mbikëqyrës ankimohet, sipas ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.
Neni 39
Procedura e kompensimit të depozitave
1. Procedurat e kompensimit fillojnë menjëherë në momentin kur Agjencia njoftohet me shkrim nga Autoriteti Mbikëqyrës për vendosjen e subjektit anëtar të skemës së sigurimit të depozitave në likuidim të detyruar. Kompensimi përfundon jo më vonë se tre muaj nga data e fillimit të tij.
2. Këshilli Drejtues i Agjencisë i kërkon Autoritetit Mbikëqyrës të vendosë zgjatjen e afatit të kryerjes së kompensimit, në veçanti në rast të pasaktësive në dokumentet kontabël të subjektit ose në funksionimin e sistemeve elektronike të tij.
3. Autoriteti Mbikëqyrës merr vendim lidhur me këtë kërkesë brenda dy ditëve nga paraqitja e saj.
4. Agjencia mund të kompensojë depozitën e siguruar nëpërmjet njërës prej këtyre mënyrave:
a) pagesës të shumës në lekë personit në ambientet e subjektit të vendosur në likuidim në bashkëpunim me likuidatorin;
b) pagesës të shumës në lekë personit në ambientet e një banke anëtare të skemës (banka agjente);
c) transfertës të shumës që përfitohet nga depozituesi në një bankë anëtare të skemës së sigurimit të depozitave;
ç) pagesës me çek;
d) mënyra të tjera pagese të miratuara me akt nënligjor të Këshillit Drejtues të Agjencisë.
5. Banka agjente që do të kryejë procesin e kompensimit caktohet me vendim të këshillit drejtues të Agjencisë, në përputhje me kriteret e përzgjedhjes, të propozuara nga Agjencia dhe të miratuara nga Autoriteti Mbikëqyrës.
6. Agjencia, brenda 2 (dy) ditëve nga vendosja e subjektit anëtar të skemës së sigurimit të depozitave në likuidim të detyruar bashkëpunon me likuidatorin dhe merr prej tij:
a) listëpagesën e depozituesve me të dhënat mbi regjistrin e detyrimeve depozitë kundrejt depozituesve të subjektit të vendosur në likuidim në formatin e një listëpagese emërore dhe sasiore, që përcaktohet me akt nënligjor të Agjencisë;
b) të dhënat mbi rrjetin e degëve dhe agjencive të marra nga banka e vendosur në likuidim;
c) çdo informacion tjetër të kërkuar nga Agjencia për qëllim kompensimi.
7. Likuidatori mban përgjegjësi ligjore, sipas legjislacionit në fuqi, për vërtetësinë, saktësinë dhe plotësinë e informacionit të dërguar pranë Agjencisë, në veçanti për:
a) listëpagesën e depozituesve;
b) përcaktimin e së drejtës së pretendimit dhe vlerës për kompensim sipas titullit të depozituesve në depozitat në bashkëpronësi, bazuar në kushtet e vendosjes së depozitës;
c) përcaktimin e së drejtës së pretendimit dhe vlerës për kompensim sipas titullit për depozitat e vendosura si kolateral, garanci, në sekuestro, dhe në përfitim të të tretëve, bazuar në kushtet e vendosjes së depozitës dhe/ose detyrimit të depozituesit ndaj subjektit të vendosur në likuidim, rezultatet e procesit të ndërmjetësimit me depozituesit, akteve të trashëgimisë ose vendimeve të gjykatës.
8. Agjencia nuk mban përgjegjësi për kompensimin e depozitave personave të gabuar, as për kompensimin e depozitave në masën e gabuar, bazuar në listëpagesën e depozituesve, si dhe në rast se nuk kryen kompensimin e depozitave personit të duhur për shkak të mospërfshirjes së këtij personi në listëpagesën e depozituesve të marrë nga likuidatori.
9. Agjencia nuk mban përgjegjësi për tejkalimin e afatit të kompensimit, të përcaktuar në këtë ligj, për shkak të forcës madhore.
10. Agjencia publikon njoftimin për fillimin e procesit të kompensimit dhe vendin e kohën për kompensimin e depozitave brenda 3 (tri) ditëve pas njoftimit me shkrim nga Autoriteti Mbikëqyrës për vendosjen e subjektit në likuidim të detyruar.
11. Depozituesi ose përfaqësuesi i tij ka të drejtë ta marrë informacionin e përcaktuar në pikën 10 të këtij neni, drejtpërdrejt në mjediset e subjektit të vendosur në likuidim të detyruar, në unionin e SHKK-ve ose në bankën agjente.
12. Agjencia mund të kërkojë nga depozituesit që përfitojnë kompensimin në përputhje me këtë ligj, të paraqesin, përveç dokumenteve të identifikimit edhe kopje të dokumenteve të mëposhtme:
a) Dokumentit të depozitës;
b) Dëshmisë së trashëgimisë;
c) Çdo dokument tjetër që vërteton pretendimin mbi kompensimin e depozitës.
13. Këshilli Drejtues i Agjencisë, për rrethana sociale, vendos për kryerjen e pagesave të pjesshme dhe paraprake, sipas rasteve dhe kritereve të parashikuara me akt nënligjor të saj.
14. Me pagesën e kompensimit të depozitave banka agjente ose likuidatori i lëshon depozituesit një dokument të kryerjes së pagesës, ndërsa kopjen e këtij dokumenti e dërgon në Agjenci.
15. Në rast se depozituesi nuk është në listëpagesën e depozituesve ose ka pretendime mbi shumën e kompensimit të caktuar për pagesë, ai paraqet dokumentet e nevojshme, të cilat faktojnë pretendimin e tij. Agjencia dhe likuidatori, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga marrja e këtyre dokumenteve, shqyrtojnë nëse pretendimi konsiderohet i bazuar në fakte dhe likuidatori kryen ndryshimet në listëpagesën e depozituesve, sipas vendimit përfundimtar të Agjencisë. Vlerësimi i këtyre pretendimeve bëhet në përputhje me kriteret dhe procedurat e miratuara me akt nënligjor të Agjencisë.
16. Marrëdhëniet e bankës agjente dhe likuidatorit me Agjencinë përcaktohen me akt nënligjor të këshillit drejtues të Agjencisë.
Neni 40
Pjesëmarrja e Agjencisë me transferim mjetesh financiare
në shitjen e bankës ose themelimin e bankës – urë
1. Në rastin kur Autoriteti Mbikëqyrës vendos për transferimin e disa ose të të gjitha aseteve dhe detyrimeve të subjektit anëtar të skemës te një subjekt tjetër anëtar ose një bankë-urë, përfshirë në çdo rast totalin e depozitave të siguruara, ose gjatë procesit të kujdestarisë apo likuidimit, Agjencia, me urdhër të Autoritetit Mbikëqyrës, transferon mjetet e saj financiare të nevojshme për plotësimin e diferencës ndërmjet detyrimeve dhe aseteve që transferohen, nëse vlera e detyrimeve është më e madhe se vlera e aseteve.
2. Agjencia, me urdhër të Autoritetit Mbikqyrës, transferon mjetet financiare të saj për plotësimin e diferencës ndërmjet detyrimeve dhe aseteve që transferohen te një subjekt tjetër anëtar i skemës ose një bankë-urë vetëm nëse plotësohen dy kushtet e mëposhtme:
a) Plotësimi i diferencës, nga ana e Agjencisë, ndërmjet detyrimeve dhe aseteve që transferohen, kryhet deri në shumën e depozitave të siguruara, dhe
b) Kjo mënyrë të jetë më pak e kushtueshme se kryerja e procesit të kompensimit të depozitave, duke përfshirë të gjitha shpenzimet që lidhen me këtë proces, siç vlerësohet nga Autoriteti Mbikqyrës, pasi ka marrë opinionin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë. Në rastin e rrezikut sistemik sipas vlerësimit të Autoritetit Mbikëqyrës, ky kusht nuk zbatohet për transferimin e mjeteve financiare të Agjencisë.
Neni 41
Radha e pretendimeve të Agjencisë në rimarrje
1. Me pagimin e kompensimit të depozitës së siguruar, Agjencisë i cedohen të gjitha tagrat dhe të drejtat e depozituesit deri në shumën e kompensuar.
2. Me likuidimin e subjektit, pretendimet e Agjencisë që rrjedhin nga pagesa e depozitave të siguruara renditen në radhë së bashku me depozituesit e vegjël, deri në nivelin maksimal të mbulimit sipas këtij ligji, me përjashtim të shpenzimeve të Agjencisë për përgatitjen dhe kryerjen e procesit të kompensimit, të cilat renditen në të njëjtën radhë së bashku me likuidatorin dhe Bankën e Shqipërisë.
3. Veprimet ose mosveprimet në përdorimin e së drejtës dhe të tagrave mbahen nga Agjencia në emër dhe për llogari të depozituesit ose të vetë Agjencisë deri në nivelin e kompensimit të depozitave.
4. Cedimi i të drejtave dhe tagrave të depozituesve të kompensuar në Agjenci nuk cenon të drejtat e këtyre depozituesve ndaj subjektit anëtar të skemës për llogari të këtyre depozitave deri në atë masë sa teprica kreditore kalon nivelin e kompensimit të paguar nga Agjencia.
5. Agjencia ka të drejtë të ankimojë raportin e likuidatorit te Autoriteti Mbikëqyrës, kur vëren se veprimet e propozuara nga ai gjatë likuidimit të bankave dhe SHKK-ve janë në kundërshtim me interesat e ligjshëm të saj.
6. Pretendimet e Agjencisë, të cilat rrjedhin nga plotësimi i diferencës midis detyrimeve dhe aseteve të transferuara, renditen në radhë së bashku me depozituesit e vegjël deri në nivelin maksimal të mbulimit sipas këtij ligji, me përjashtim të shpenzimeve të Agjencisë për përgatitjen dhe kryerjen e procesit të transferimit të mjeteve financiare, të cilat renditen në të njëjtën radhë së bashku me likuidatorin dhe Bankën e Shqipërisë.
KREU V
ADMINISTRIMI I AGJENCISË SË SIGURIMIT TË DEPOZITAVE
Neni 42
Forma juridike e Agjencisë
1. Agjencia është person juridik publik me seli në Tiranë.
2. Agjencia administron në mirëbesim fondet themeltare, kontribute të buxhetit të shtetit shqiptar.
3. Agjencia ka në pronësi mjetet e tjera financiare të ardhura nga burime të përcaktuara në këtë ligj.
4. Agjencia nuk përgjigjet për detyrimet dhe përgjegjësitë e Republikës së Shqipërisë.
5. Agjencia ka logon dhe vulën e saj të mbrojtura nga kuadri ligjor i Republikës së Shqipërisë.
6. Agjencia përjashtohet nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe tatimi mbi fitimin në lidhje me shërbimin e sigurimit të depozitave dhe të ardhurat nga veprimtaria e sigurimit dhe administrimi i mjeteve financiare.
7. Vetëm për arsye të përgatitjes dhe kryerjes të procesit të kompensimit, si dhe të pjesëmarrjes së Agjencisë në shitjen e bankës e krijimin e bankës-urë Agjencia përjashtohet si subjekt i dispozitave të ligjit për prokurimin publik dhe të akteve nënligjore në fuqi për zbatimin e tij, përfshirë kryerjen e këtyre funksioneve sipas dispozitave të këtij ligji.
8. Ekzekutimi i detyrimeve të lindura për Agjencinë gjatë procesit të kompensimit pezullohet deri në përfundimin e plotë të këtij procesi.
9. Agjencia shpërndahet dhe likuidohet me ligj.
Neni 43
Funksionet e Agjencisë
1. Agjencia ushtron funksionet e saj me qëllim përmbushjen e objektivave në zbatim të këtij ligji. Në veçanti, ajo:
a) miraton aktet nënligjore për sigurimin e depozitave;
b) anëtarëson dhe përjashton subjektet në skemë;
c) mban regjistrin e subjekteve anëtare;
ç) verifikon të dhënat e raportuara periodikisht nga subjektet anëtare, në veçanti saktësinë dhe plotësinë së regjistrimit dhe kryqëzimit të pretendimeve të depozituesve dhe subjekteve ndërmjet tyre;
d) përpunon në mënyrë elektronike të dhënat nëpërmjet aksesit të Agjencisë tek të dhënat e sakta e të plota të depozituesve dhe depozitave në subjektet anëtare;
dh) kryen inspektime të plota dhe të pjesshme në lidhje me sigurimin dhe kompensimin e depozitave në subjektet anëtare;
e) vendos për përmbajtjen dhe mënyrën e informimit të depozituesve nga subjektet anëtare;
ë) zhvillon veprimtari për ndërgjegjësimin dhe edukimin e publikut për skemën e sigurimit të depozitave;
f) vendos masa parandaluese ndaj subjekteve anëtare në rastet e moszbatimit të këtij ligji;
g) propozon në Autoritetin Mbikëqyrës vendosjen e sanksioneve ndaj subjekteve anëtare;
gj) kryen simulime dhe testime të procesit të kompensimit të depozitave, duke përfshirë subjektet anëtare dhe subjektet e kontraktuara, me qëllim evidentimin e gatishmërisë për këtë proces;
h) merr pjesë në procesin e transformimit, kujdestarisë, likuidimit të detyruar në subjektet anëtare;
i) kompenson depozitat sipas dispozitave të këtij ligji;
j) merr pjesë në masat për administrimin e rrezikut të subjekteve, që mund të sjellë pasoja të dëmshme për depozituesit;
k) merr pjesë në ndërmjetësimin për shitje ose në shitjen e aktiveve të subjektit të vendosur në likuidim të detyruar, për të cilat gjatë procesit të kompensimit Agjencisë i lind e drejta e pretendimit për rimarrje;
l) merr pjesë në planet e kontingjencës për parandalimin ose administrimin e rreziqeve sistemike;
ll) arkëton kontributet fillestare, primet e sigurimit, kontributet e jashtëzakonshme dhe komisionet për certifikatat;
m) investon mjetet monetare përkohësisht të lira të Agjencisë sipas dispozitave të këtij ligji;
n) administron fondet dhe aktivet e veta, që shërbejnë për të kompensuar depozitat e siguruara dhe për nivelin e synuar të fondeve të sigurimit të depozitave;
nj) përfiton mjetet financiare nëpërmjet marrjes së kredive, huave, subvencioneve dhe granteve;
o) përfiton financime shtesë, në veçanti për kompensimin e depozitave të siguruara ose pjesëmarrjen me transferim mjetesh financiare në shitjen e bankës ose themelimin e bankës-urë;
p) kryen analizë financiare e parashikuese dhe vlerëson nivelin e ekspozimit ndaj rrezikut të subjekteve dhe vlerësimit të kompensimit të mundshëm;
q) jep konsulencë teknike të lidhur me veprimtarinë e saj;
r) kryen çdo funksion tjetër që rrjedh drejtpërdrejt nga funksionet e mësipërme.
2. Asnjë person tjetër, përveç Agjencisë, nuk ushtron sigurimin e depozitave në subjektet anëtare që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë.
Neni 44
Të drejtat e Agjencisë
1. Për të përmbushur objektivat dhe funksionet e saj, Agjencia ka këto të drejta:
a) miraton buxhetin e saj;
b) miraton strukturën e saj organizative;
c) nxjerr akte nënligjore;
ç) lidh kontrata dhe marrëveshje me subjekte publike dhe private;
d) zotëron, gëzon, disponon, blen pasuri të luajtshme ose të paluajtshme që i shërbejnë veprimtarisë së saj;
dh) merr shërbime intelektuale e teknike të lidhura me veprimtarinë e sigurimit dhe kompensimit të depozitave;
e) me vendim të Këshillit Drejtues krijon fondet e pensionit për punonjësit, bën marrëveshje të ngjashme në përfitim ose në mbrojtje të punonjësve të saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi për fondet e pensioneve vullnetare, si dhe kontribuon në koston e barasvlefshme të këtyre marrëveshjeve;
ë) me vendim të këshillit drejtues krijon politika që rregullojnë marrëdhëniet financiare të punonjësve të Agjencisë me subjektet anëtare me qëllim shmangien e konfliktit të interesit, por pa cenuar të drejtën e tyre për të hyrë në këtë marrëveshje sipas kushteve të tregut.
2. Agjencia mund të kontraktojë palë të treta për kryerjen e çdo veprimtarie me qëllim përmbushjen e funksioneve të saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Këshilli drejtues i Agjencisë miraton me akt nënligjor kriteret, rregullat dhe procedurat për kontraktim në përputhje me pikën 7, të nenit 42, si dhe njofton Autoritetin Mbikëqyrës në lidhje me to.
Neni 45
Organizimi i Agjencisë
1. Agjencia organizohet, drejtohet dhe kryen veprimtarinë e saj nëpërmjet këshillit drejtues, drejtorit të Përgjithshëm dhe punonjësve, siç përcaktohet në këtë ligj.
2. Organe të vetme administruese dhe mbikëqyrëse të Agjencisë janë këshilli drejtues dhe drejtori i Përgjithshëm.
Neni 46
Kërkesat paraprake për përshtatshmëri dhe aftësi
1. Çdo person që është ose do të jetë anëtar i këshillit drejtues, drejtor i Përgjithshëm dhe punonjës i Agjencisë duhet të përmbushë kërkesat për përshtatshmëri dhe aftësi në lidhje me pozicionin përkatës.
2. Autoriteti Mbikëqyrës vlerëson nëse një person është i përshtatshëm dhe ka aftësi për të mbajtur pozicionin përkatës si anëtar i këshillit drejtues dhe drejtor i Përgjithshëm në Agjenci, bazuar në kriteret e mëposhtme:
a) integriteti, ndershmëria dhe përkushtimi në përmbushjen e funksioneve të tij;
b) kompetenca, aftësia profesionale dhe gjykimi i shëndoshë në përmbushjen e funksioneve të tij;
c) Pavarësia, në mënyrë që të mos cenohen interesat e Agjencisë nga konflikti i interesit që mund të krijohet gjatë ushtrimit të detyrës.
3. Përveç dispozitave të përcaktuara më lart, Autoriteti vlerëson sjelljen dhe veprimtaritë e mëparshme të personit në fjalë, në biznes ose në çështje financiare dhe në mënyrë të veçantë shqyrton nëse ka të dhëna që tregojnë se ky person ka qenë apo është:
a) i dënuar për kryerje të veprave penale;
b) i përfshirë ose i lidhur me humbje financiare të shkaktuara nga veprimet e pandershme, të papërgjegjshme ose neglizhente në lidhje me kryerjen e shërbimeve financiare dhe administrimin e subjekteve ose institucioneve të tjera;
c) i angazhuar në praktika tregtare, përfshirë edhe evazionin fiskal, të cilat Autoriteti i gjykon si praktika mashtruese, kërcënuese ose të papërshtatshme, pavarësisht nëse janë të ligjshme apo jo, ose që në njëfarë mënyre pasqyrojnë mangësi vlerash të një personi në kryerjen e shërbimeve financiare dhe veprimeve të tjera tregtare;
ç) i angazhuar në mënyrë aktive në veprimtari politike.
4. Kërkesat për përshtatshmëri dhe aftësi, të përcaktuara në këtë nen, duhet të përmbushen nga personat e përcaktuar në pikën 1, të tij, gjatë gjithë kohës që janë në detyrë.
Neni 47
Kriteret për anëtarin e këshillit drejtues dhe drejtorin e Përgjithshëm
1. Kandidati për anëtar i këshillit drejtues dhe drejtor të Përgjithshëm duhet të përmbushë kriteret e mëposhtme:
a) të jetë shtetas i Republikës së Shqipërisë;
b) të ketë diplomë universitare ose pasuniversitare në ekonomi ose jurisprudencë dhe kualifikime profesionale, të nevojshme për administrimin e veprimtarisë së Agjencisë;
c) të ketë jo më pak se 7 (shtatë) vjet përvojë profesionale në fushën e sistemit bankar dhe/ose financiar dhe/ose institucionet publike shtetërore;
ç) të ketë mbajtur një pozicion drejtues për, të paktën, 3 (tri) vite në institucione financiare që veprojnë në tregun financiar të brendshëm ose të jashtëm;
d) të mos ketë qenë, në dhjetë vitet e fundit, ortak apo anëtar i një organi drejtues ose kontrollues, apo administrator i një subjekti për të cilin janë hapur procedurat e falimentimit. Afati 10-vjeçar fillon nga data e vendimit të gjykatës për hapjen e procedurave të falimentimit;
dh) të mos ketë qenë në dhjetë vitet e fundit ortak apo anëtar i një organi drejtues ose kontrollues, administrator i një subjekti për të cilin janë vendosur procedurat e administrimit të përkohshëm. Afati 10-vjeçar fillon nga data e njoftimit të aktit për vendosjen e procedurave të administrimit të përkohshëm;
e) të mos ketë pasur në dhjetë vitet e fundit pozicione drejtuese apo kontrolluese në një subjekt tregtar ose institucion financiar, të cilit i është hequr e drejta për të ushtruar një veprimtari të caktuar tregtare ose financiare brenda apo jashtë vendit;
ë) të mos ketë dhënë kontribut ose ndihmuar në themelimin e veprimtarive të paautorizuara tregtare të pranimit dhe të grumbullimit të depozitave;
f) të mos ketë dhënë kontribut ose ndihmuar në ushtrimin e veprimtarive të paautorizuara të bankës dhe të ndërmjetësimit financiar;
g) të mos jetë anëtar i organeve drejtuese të një subjekti tjetër, administrator, përfaqësues apo punonjës i një subjekti tjetër të sektorit bankar dhe financiar privat me ose pa shpërblim;
gj) të mos jetë auditues i brendshëm apo i jashtëm i një subjekti të sektorit bankar dhe financiar me ose pa shpërblim;
h) të mos i jetë refuzuar nga Autoriteti Mbikëqyrës në 12 muajt e fundit kërkesa për t’u bërë anëtar i këshillit të administrimit të një subjekti, veprimtaria e të cilit është objekt i mbikëqyrjes nga Autoriteti Mbikëqyrës.
i) të mos ketë qenë ose të mos jetë subjekt i procedurave të deklarimit të paaftësisë paguese të detyrimeve ndaj të tretëve.
2. Kriteri për përvojën profesionale, i përcaktuar në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij neni, për Drejtorin e Përgjithshëm është jo më pak se 10 (dhjetë) vjet.
3. Dokumentacioni paraqitet në gjuhën shqipe.
4. Dokumentacioni dorëzohet në Autoritetin Mbikëqyrës me zarf të mbyllur ose dërgohet me postë të regjistruar.
Neni 48
Këshilli drejtues i agjencisë
1. Këshilli drejtues i Agjencisë përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, përfshirë këtu edhe drejtorin e Përgjithshëm.
2. Drejtori i Përgjithshëm nuk mund të jetë kryetar i këshillit drejtues.
3. Anëtarët e këshillit drejtues emërohen nga Autoriteti Mbikëqyrës, të propozuar si më poshtë:
a) dy anëtarë nga Autoriteti Mbikëqyrës;
b) dy anëtarë nga ministri i Financave;
c) një anëtar nga Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar.
4. Përveç drejtorit të Përgjithshëm, anëtarët e këshillit drejtues nuk janë të punësuar nga Agjencia.
5. Anëtarët e këshillit drejtues të Agjencisë emërohen për një afat pesëvjeçar dhe mund të rizgjidhen, bazuar në treguesit e performancës të veprimtarisë së tyre. Datat e qëndrimit në detyrë të anëtarëve janë të shpërndara gjatë periudhës pesëvjeçare.
6. Gjatë shqyrtimit të kërkesës Autoriteti Mbikëqyrës mund t’i kërkojë kandidatit të propozuar sipas pikave 3 dhe 5, të këtij neni, të depozitojnë programin e administrimit dhe mirëfunksionimit të Agjencisë.
7. Autoriteti Mbikëqyrës refuzon kandidaturat për anëtarë të këshillit drejtues nëse:
a) nga shqyrtimi i informacionit dhe dokumentacionit që disponon, rezulton se veprimet e mëparshme të kryera nga kandidati mund të ndikojnë negativisht në veprimtarinë e Agjencisë, veçanërisht në lidhje me administrimin e rrezikut të veprimtarisë së saj;
b) nga shqyrtimi i programit vlerëson se administrimi i Agjencisë nuk do të kryhet në përputhje me dispozitat e këtij ligji apo legjislacionit në fuqi;
c) rezulton se kandidati në kërkesën, dokumentacionin apo programin e administrimit të dorëzuar në Autoritet, ka paraqitur të dhëna të rreme;
ç) kandidati nuk plotëson kërkesat paraprake për përshtatshmëri dhe aftësi,
të parashikuara në nenin 46, të këtij ligji.
8. Periudha e vlefshmërisë së miratimit, e përcaktuar në pikën 5, të këtij neni, përfundon në rastet e mëposhtme:
a) kur, brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e vendimit për emërim nga Autoriteti Mbikëqyrës personi nuk ka filluar të ushtrojë kompetencat e pozicionit përkatës në Agjenci;
b) në datën e përfundimit të mandatit të anëtarit të këshillit drejtues.
Neni 49
Ndryshimi i anëtarit të këshillit drejtues dhe drejtorit të Përgjithshëm
1. Agjencia nuk ndryshon anëtarin e këshillit drejtues dhe drejtorin e Përgjithshëm pa marrë më parë miratimin e Autoritetit Mbikëqyrës.
2. Autoriteti Mbikëqyrës miraton kërkesën e Agjencisë për ndryshimin e anëtarit të këshillit drejtues dhe drejtorit të Përgjithshëm brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga marrja e propozimit. Vendimi për propozim merret me shumicë të kualifikuar të votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues.
3. Autoriteti Mbikëqyrës kërkon informacion shtesë nga Agjencia brenda 14 (katërmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga marrja e propozimit për ndryshim. Autoriteti Mbikëqyrës shprehet për kërkesën e Agjencisë brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga marrja e informacionit shtesë, por në çdo rast brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve kalendarike nga marrja e propozimit për ndryshimin e anëtarit të këshillit drejtues.
4. Agjencia njofton, me shkrim, Autoritetin Mbikëqyrës për çdo ndryshim të të dhënave mbi bazën e të cilave Autoriteti ka vlerësuar dhe miratuar anëtarin e këshillit drejtues dhe drejtorin e Përgjithshëm. Në këtë rast, Autoriteti Mbikëqyrës, nëse e gjykon të nevojshme, rivlerëson personin në fjalë në përputhje me këtë ligj.
5. Agjencia njofton, me shkrim, Autoritetin Mbikëqyrës për përfundimin e mandatit, detyrës ose funksionit të anëtarëve të përhershëm të këshillit drejtues si dhe institucionet përkatëse propozuese.
Neni 50
Lirimi nga detyra dhe shkarkimi i anëtarëve të këshillit drejtues
1. Çdo anëtar i këshillit drejtues, përfshirë drejtorin e Përgjithshëm, shkarkohet nga Autoriteti Mbikëqyrës në rast se:
a) është në pamundësi për të shërbyer në këtë këshill, sipas nenit 47, të këtij ligji;
b) dënohet nga gjykata për një vepër penale;
c) është shpallur në paaftësi paguese ose ka qenë administrator në 10 (dhjetë) vitet e fundit në një subjekt i cili është shpallur në paaftësi paguese;
ç) ndalohet ose pezullohet nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë a mjeshtërinë;
d) është në marrëdhënie bashkëshortore ose gjaku, deri në shkallë të dytë, me anëtarët e tjerë të këshillit të Agjencisë ose me një anëtar të këtij këshilli apo me një administrator ose me personin i cili zotëron më shumë se pesë për qind të aksioneve me të drejtë vote të subjektit anëtar të skemës së sigurimit të depozitave;
dh) ka munguar tri ose më shumë herë, në vazhdimësi, në mbledhjet e radhës të këshillit drejtues, pa shkak të arsyeshëm;
e) është në pamundësi, fizike ose mendore, për të mbuluar funksionet e ngarkuara;
ë) shkel rëndë etikën dhe cenon interesat e Agjencisë.
2. Anëtarët e këshillit drejtues lirohen nga detyra në këto raste:
a) Kur përfundon mandati i emërimit si anëtarë të këshillit drejtues;
b) Kur përfundon marrëdhënia e punësimit në institucionet propozuese, në rastet kur anëtari është punonjës i këtyre institucioneve;
c) Kur jep dorëheqjen ose vdes.
3. Asnjë anëtar i këshillit drejtues nuk pezullohet ose shkarkohet për shkaqe të tjera.
4. Anëtarët e Këshillit njoftojnë dorëheqjen, me shkrim, në Agjenci, jo më pak se tre muaj përpara largimit.
5. Çdo vend bosh në këshillin drejtues zëvendësohet me emërimin e një anëtari të ri për të shërbyer deri në përfundimin e mandatit të anëtarit të zëvendësuar.
Neni 51
Mbledhjet e këshillit drejtues
1. Mbledhjet e këshillit drejtues kryesohen nga kryetari. Anëtarët e këshillit drejtues zgjedhin kryetar një nga anëtarët e këtij këshilli. Kryetari i këshillit drejtues nuk është drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë.
2. Këshilli drejtues mblidhet sa herë që kërkohet për realizimin e veprimtarisë së Agjencisë, por jo më pak se një herë në dy muaj kalendarikë. Këshilli drejtues mblidhet me kërkesë të kryetarit, të drejtorit të Përgjithshëm ose të Autoritetit Mbikëqyrës, si dhe me kërkesën e jo më pak se dy anëtarëve të këshillit drejtues.
3. Çdo anëtar i këshillit drejtues ka të drejtën e një vote. Mbledhja e këtij këshilli zhvillohet me praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve.
4. Përveç rasteve kur është parashikuar ndryshe në këtë ligj, vendimet e këshillit drejtues miratohen me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të tij, të cilët janë të pranishëm në mbledhje. Vetëm anëtarët e këshillit që janë personalisht të pranishëm kanë të drejtën e votës; si përjashtim nga ky rregull, statuti i Agjencisë mund të lejojë që në mbledhjet e këshillit drejtues votimi të kryhet me mjete të tjera komunikimi të përcaktuara me akt nënligjor të saj. Në rast barazie vote, kryetari i mbledhjes ka votën përcaktuese.
5. Vendimet e këshillit drejtues merren me votim të hapur, përveç rasteve kur bëhet votim për persona dhe kur këshilli vendos ndryshe.
6. Mbledhjet e këshillit drejtues protokollohen. Protokolli nënshkruhet nga Kryetari dhe sekretari i këshillit drejtues. Sekretari nuk është anëtar i këshillit drejtues.
7. Këshilli drejtues mund të ftojë të marrin pjesë në mbledhjet e tij përfaqësues të subjekteve anëtare të skemës me qëllim dhënien e informacionit dhe/ose shprehjen e mendimeve për çështje që gjykohen të arsyeshme nga këshilli.
Neni 52
Kompetencat dhe përgjegjësitë e këshillit drejtues
1. Këshilli drejtues ka kompetencat dhe përgjegjësitë e mëposhtme:
a) Garanton zbatimin e legjislacionit në fuqi nga Agjencia;
b) Vlerëson përputhshmërinë e veprimtarisë së saj me objektivin e përcaktuar në këtë ligj, të paktën një herë në pesë vjet, bazuar edhe në bashkëveprimin me grupet e interesit;
c) Administron rrezikun ndaj të cilit Agjencia ekspozohet gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj duke marrë masat e duhura;
ç) Krijon sistemin e kontrollit të brendshëm për të gjitha fushat e veprimtarisë së Agjencisë, dhe siguron funksionimin e tij;
d) Raporton dhe informon te Autoriteti Mbikëqyrës;
dh) Miraton statutin, rregulloret e brendshme dhe planet strategjike e vjetore të veprimtarisë të Agjencisë;
e) Propozon shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë;
ë) Miraton kontratën tip menaxheriale që Agjencia nënshkruan me drejtorin e Përgjithshëm si dhe kushtet e politikat e punësimit të punonjësve të Agjencisë;
f) Mbikëqyr veprimtarinë e drejtorit të Përgjithshëm dhe shqyrton raportimet e tij mbi administrimin e veprimtarisë së Agjencisë;
g) Miraton strukturën organizative të Agjencisë;
gj) Miraton projektbuxhetin e Agjencisë dhe njofton për këtë Autoritetin Mbikëqyrës;
h) Propozon për miratim në Autoritetin Mbikëqyrës nivelin dhe strukturën e pagave e shpërblimeve të punonjësve të Agjencisë, të drejtorit të Përgjithshëm dhe shpërblimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues;
i) Vendos për politikat e administrimit të mjeteve financiare të Agjencisë;
j) Miraton kriteret për përzgjedhjen dhe cakton audituesit e brendshëm e të jashtëm të specializuar të Agjencisë, si dhe shqyrton raportet e tyre;
k) Mbikëqyr mbajtjen e kontabilitetit, përgatitjen e raporteve financiare e statistikore të Agjencisë dhe raporteve të tjera të kërkuara nga Autoriteti Mbikëqyrës, si dhe garanton vërtetësinë dhe saktësinë e këtyre të dhënave në përputhje me rregullat e metodat e përcaktuara;
l) Miraton bilancin vjetor, raportin vjetor dhe raportet e tjera financiare të Agjencisë;
ll) Miraton metodat për shpërndarjen e shpenzimeve lidhur me veprimtarinë e Agjencisë;
m) Merr vendimin për parashikimin e deficitit të fondeve të sigurimit të depozitave dhe i kërkon Ministrisë së Financave t’i paraqesë Këshillit të Ministrave projektligjin për plotësimin e burimeve financiare e fondeve të Agjencisë nga fondet e buxhetit të shtetit, jo më vonë se 3 (tri) ditë nga marrja e njoftimit nga drejtori i Përgjithshëm, si dhe njofton për këtë Autoritetin Mbikëqyrës.
n) Kërkon akordimin e mjeteve financiare nga buxheti i shtetit jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga marrja e njoftimit nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, duke njoftuar për këtë Autoritetin Mbikëqyrës;
nj) Miraton huatë, subvencionet dhe donacionet e marra nga Agjencia për kryerjen e veprimtarisë së saj;
o) I kërkon Ministrisë së Financave që t’i paraqesë Këshillit të Ministrave vendimin për rritjen e fondeve themeltare të Agjencisë.
p) Miraton vendimet, rregulloret dhe udhëzimet me zbatim të përgjithshëm për subjektet anëtare të skemës;
q) Përcakton primet e sigurimit, kontributet e anëtarësimit dhe kontributet e veçanta në përputhje me këtë ligj;
r) Miraton dhe revokon dhënien e vërtetimit për plotësimin e kërkesave ligjore dhe nënligjore lidhur me sigurimin e depozitave dhe miraton anëtarësimin ose përjashtimin e subjekteve nga skema;
rr) Miraton procedurat dhe masat parandaluese që Agjencia ushtron ndaj subjekteve anëtare;
s) Propozon në Autoritetin Mbikëqyrës marrjen e sanksioneve ndaj subjekteve anëtare sipas dispozitave të këtij ligji;
sh) Vendos për kompensimin e depozitave të siguruara sipas dispozitave të këtij ligji;
t) Miraton vendimin për hapjen e pikave të përfaqësimit të Agjencisë për qëllime kompensimi;
th) Propozon për miratim në Autoritetin Mbikëqyrës shtyrjen e afatit për kryerjen e procesit të kompensimit;
u) Vendos për krijimin e komiteteve të specializuara;
v) Vendos për pjesëmarrjen e Agjencisë në funksionet e kujdestarisë, likuidimit, shitjes së subjekteve anëtare dhe për pretendimin e Agjencisë të tagrave të ceduara nga kompensimi i depozituesve;
x) Miraton rregullat dhe procedurat e kontraktimit;
xh) Miraton rregullat dhe procedurat për prokurimin e shërbimeve dhe mallrave për qëllim të përgatitjes dhe kryerjes së procesit të kompensimit dhe të pjesëmarrjes së Agjencisë në shitjen e bankës dhe krijimin e bankës-urë sipas dispozitave të këtij ligji.
2. Vendimet e këshillit drejtues me efekt për subjektet anëtare të skemës botohen në “Fletoren zyrtare”.
Neni 53
Përgjegjësitë e drejtorit të Përgjithshëm
1. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet dhe shkarkohet nga Autoriteti Mbikëqyrës me propozim të këshillit drejtues për një mandat prej 5 (pesë) vitesh me të drejtë rizgjedhjeje, në bazë të treguesve të performancës në administrimin e Agjencisë. Këshilli drejtues miraton kushtet e punësimit të tij.
2. Drejtori i Përgjithshëm vepron si drejtor ekzekutiv i Agjencisë. Të drejtat dhe detyrat e drejtorit të Përgjithshëm rregullohen në statutin e Agjencisë.
3. Drejtori i Përgjithshëm përgjigjet përpara këshillit drejtues për zbatimin e vendimeve dhe të detyrave të Agjencisë.
4. Drejtori i Përgjithshëm nënshkruan me Agjencinë kontratë menaxheriale. Ai gëzon të gjitha përfitimet e kuadrit ligjor të Republikës së Shqipërisë për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore pranë Agjencisë.
5. Drejtori i Përgjithshëm i propozon këshillit drejtues:
a) krijimin dhe përbërjen e Komitetit të Strategjisë të Agjencisë;
b) lidhjen dhe zgjidhjen e kontratave sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore të Agjencisë;
c) aktet nënligjore dhe rregulloret e funksionimit të strukturës organizative të Agjencisë;
ç) nisjen e procedurave pranë autoriteteve përkatëse për iniciativat ligjvënëse dhe rregullatore të skemës së sigurimit të depozitave;
d) vendimin për pagesën e kompensimit depozituesve në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
dh) vendimin për pranimin dhe përjashtimin nga skema të subjekteve;
e) vendimin për propozimin në Autoritetin Mbikëqyrës të sanksioneve;
ë) miratimin e vendimit për deficitin e fondit të sigurimit të depozitave dhe kërkesën drejtuar Ministrisë së Financave për t’i paraqitur Këshillit të Ministrave projektligjin për plotësimin e burimeve financiare dhe fondeve të Agjencisë nga fondet e buxhetit të shtetit;
f) miratimin e bilancit vjetor, raportit vjetor dhe raporteve të tjera financiare të Agjencisë;
g) projektbuxhetin e Agjencisë.
6. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë kryen funksione nëse ato nuk janë parashikuar shprehimisht si funksione të këshillit drejtues, dhe në veçanti ka këto kompetenca:
a) Vepron në emër të Agjencisë dhe përfaqëson interesat e saj pa autorizim të veçantë në marrëdhëniet me organet e pushtetit qendror dhe vendor, subjektet publike dhe private, organizata vendase dhe ndërkombëtare, subjektet përgjegjëse të mbikëqyrjes dhe sigurimit të depozitave;
b) Drejton administrimin e Agjencisë dhe organizon përmbushjen e vendimeve të këshillit drejtues të Agjencisë;
c) Emëron punonjësit të Agjencisë;
ç) Bën shpërndarjen e detyrave dhe funksioneve ndërmjet këshilltarëve dhe punonjësve të Agjencisë;
7. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë lirohet nga detyra në këto raste:
a) Kur i përfundon mandati si anëtar i këshillit drejtues;
b) nëse plotësohen rrethanat e parashikuara në pikën 1, të nenit 50, të këtij ligji.
Neni 54
Konflikti i interesit dhe transaksionet me palë të lidhura
1. Anëtarët e këshillit drejtues, drejtori i Përgjithshëm dhe punonjësit e Agjencisë shmangin për aq sa është e mundur, interesin privat, i cili krijon konflikt me interesin e Agjencisë. Nëse ata kanë interesa privatë, të tillë që ndikojnë gjykimin e tyre për transaksione apo çështje të caktuara, duke krijuar konflikt interesi, bëjnë deklarimin e tyre pranë eprorit përkatës, veçanërisht për rastet e përcaktuara me ligje të Republikës së Shqipërisë.
2. Kurdoherë që shtrohen për diskutim në këshillin drejtues çështje në lidhje me këta interesa, anëtari që ka lidhje me çështjen, deklaron interesat në fillimin e diskutimit dhe nuk merr pjesë në diskutimin e vendimin për këtë çështje. Prania e këtij anëtari llogaritet për efekt të kuorumit në mbledhje.
3. Interesat privatë përcaktohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.
4. Marrëdhëniet dhe transaksionet e biznesit me palë të lidhura dhe të tretë, në të cilat anëtari i këshillit drejtues, drejtori i Përgjithshëm dhe punonjësit e Agjencisë kanë interes, kryhen në përputhje me kushtet normale të tregut, ku nuk ka asnjë favorizim të padrejtë të fituar nga njëra palë në përfitim të palës tjetër.
5. Agjencia miraton procedura për trajtimin e rasteve të konfliktit të interesit, të cilat duhet të përfshijnë informimin për konfliktin e mundshëm të interesit, kërkesa të veçanta për transaksionet që duhet të kryhen në përputhje me kushtet normale të tregut, ku nuk ka asnjë favorizim të padrejtë të fituar nga njëra palë në përfitim të palës tjetër, si dhe kur gjykohet e përshtatshme marrja e miratimit paraprak të këshillit drejtues për kryerjen e këtyre transaksioneve.
6. Në rastin e mosdeklarimit të konfliktit të interesit, sipas këtij neni ose kur kontrata apo veprimi juridik është lidhur në kushtet e ekzistencës së konfliktit të interesit, merren masat e mëposhtme:
a) Këshilli drejtues ose drejtori i Përgjithshëm mund t’i kërkojë gjykatës deklarimin e pavlefshmërisë së kontratës ose të veprimit tjetër juridik;
b) Autoriteti Mbikëqyrës ose Agjencia pezullon personin në fjalë për një periudhë deri në një vit;
c) Autoriteti Mbikëqyrës ose Agjencia vendos për shkarkimin e personit në fjalë.
Neni 55
Mbrojtja ligjore gjatë ushtrimit të detyrës
1. Agjencia mban përgjegjësi ligjore vetëm për dëmet e shkaktuara të tretëve si pasojë e pakujdesisë së rëndë dhe veprimeve të kryera me keqbesim.
2. Anëtarët e këshillit drejtues, personat që janë ose kanë qenë të punësuar, apo të kontraktuar që të veprojnë në emër dhe interes të Agjencisë, nuk mund të paditen nga palët e treta për veprimet e kryera gjatë ushtrimit të detyrës funksionale dhe përmbushjes së përgjegjësive të tyre ligjore, të përcaktuara në këtë ligj. Kjo mbrojtje nuk zbatohet në rastet e procedimeve penale.
3. Në rastet kur Agjencia, me vendim të Gjykatës, shpallet përgjegjëse për veprime ose mosveprime të kryera nga personat e përcaktuar në pikën 2, të këtij neni, Agjencia ka të drejtën të kërkojë nga këta të fundit rimbursimin e dëmshpërblimit dhe shpenzimeve të lidhura.
4. Agjencia mbulon shpenzimet e përfshirjes së personave të përcaktuar në pikën 2, të këtij neni, në procedimet e ngritura ndaj tyre.
5. Këshilli drejtues mund të prokurojë mbulim me sigurim për rreziqet e dëmshpërblimit ndaj të tretëve.
Neni 56
Konfidencialiteti
Asnjë person, që shërben ose ka shërbyer si anëtar i këshillit drejtues, Drejtor i Përgjithshëm, punonjës i Agjencisë, dhe persona të kontraktuar ose të autorizuar nga Agjencia nuk duhet që në mënyrë të paautorizuar:
a) të lejojë zbulimin ose publikimin e të dhënave jopublike, të cilat janë përfituar nga kryerja e detyrave në Agjenci;
b) të përdorë ose të lejojë që këto të dhëna të përdoren për përfitime personale.
KREU VI
ADMINISTRIMI I MJETEVE FINANCIARE
TË AGJENCISË SË SIGURIMIT TË DEPOZITAVE
Neni 57
Fondete Agjencisë
1. Fondet e Agjencisë, për qëllime të këtij ligji, përfshijnë fondet themeltare për sigurimin e depozitave, rezervat e mundshme dhe fondet e akumuluara nga veprimtaria e saj.
2. Fondi themeltar për sigurimin e depozitave në banka, i cili mbahet në llogari të veçantë kontabël, është kontribut i buxhetit të shtetit në vlerën 400 000 000 (katërqind milionë) lekë. Fondi administrohet në mirëbesim nga Agjencia dhe përdoret për përgatitjen dhe financimin e kompensimit të depozitave, në përputhje me pikën 1, të nenit 38, të këtij ligji.
3. Fondi themeltar për sigurimin e depozitave në SHKK, i cili mbahet në llogari të veçantë kontabël, është kontribut i buxhetit të shtetit në vlerën 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë. Fondi administrohet në mirëbesim nga Agjencia dhe përdoret për përgatitjen dhe financimin e kompensimit të depozitave, në përputhje me pikën 1, të nenit 38, të këtij ligji.
4. Fondet themeltare të Agjencisë krijohen ose rriten me zgjerimin e skemës, në veçanti nëse përfshihen në skemë subjekte të një natyre të ndryshme juridike nga ato të parashikuara në këtë ligj.
5. Fondet e akumuluara zmadhohen ose zvogëlohen me fitimet apo humbjet nga veprimtaria e Agjencisë.
6. Fondet e kompensimit të depozitave përfshijnë fondin themeltar përkatës, rezervën dhe fondin e akumuluar përkatës, duke zbritur shpenzimet përkatëse korrente të Agjencisë të buxhetuara për vitin e fundit financiar, si dhe koston e kompensimit ose të transferimit të mjeteve financiare. Në rast ngjarjeje sigurimi nuk lejohet transferimi nga njëri fond në tjetrin për të plotësuar pamjaftueshmërinë e tyre, përveç rasteve kur këshilli drejtues i Agjencisë vendos për dhënien e huasë ndërmjet fondeve, duke njoftuar Autoritetin Mbikëqyrës. Mënyra dhe kriteret e huasë rregullohen me akt nënligjor të Agjencisë.
7. Agjencia me akt nënligjor mund të krijojë një fond rezervë për mbulimin e rreziqeve të veprimtarisë së saj. Rezerva është fond likuid i Agjencisë, i ngurtësuar pranë Autoritetit Mbikëqyrës për të përmbushur detyrime të ardhshme që mund të lindin nga veprimtaria e saj.
Neni 58
Burimet financiare të Agjencisë
1. Burimet financiare të Agjencisë përfshijnë:
a) kontributet fillestare të subjekteve që anëtarësohen në skemën e sigurimit të depozitave;
b) primet e subjekteve anëtare të skemës së sigurimit të depozitave;
c) huatë, subvencionet dhe donacionet. Huatë mund të garantohen me një garanci të lëshuar nga vetë Agjencia, duke përdorur asetet e saj apo pretendimet e ardhshme të Agjencisë;
ç) të ardhura dhe fitime kapitali të përfituara nga aktiviteti i saj;
d) Kontributet e veçanta të paguara nga subjektet anëtare të skemës së sigurimit të depozitave;
dh) rimarrje nga likuidimet.
2. Burimet financiare të Agjencisë përdoren për përmbushjen e objektivave dhe funksioneve të saj, të përcaktuara në këtë ligj.
3. Agjencia informon Autoritetin Mbikëqyrës mbi burimet e reja financiare në përputhje me këtë ligj.
4. Burimet financiare të Agjencisë nuk duhet të jenë nga fonde me origjinë të paligjshme.
Neni 59
Mjetet financiare
1. Mjetet financiare administrohen në përputhje me politikën e investimeve, të miratuar nga këshilli drejtues. Politika e investimeve përcakton procedurat, kriteret dhe kufijtë e përqendrimit dhe maturitetit të zbatueshme nga Agjencia në administrimin e mjeteve financiare.
2. Administrimi i mjeteve financiare kryhet në përputhje me parimet e likuiditetit, sigurisë dhe normës së kthimit.
3. Mjetet financiare të Agjencisë investohen vetëm në:
a) Tituj borxhi të emetuar nga qeveria e Republikës së Shqipërisë ose Autoriteti Mbikëqyrës, në lekë dhe në monedhë të huaj;
b) Tituj borxhi të emetuar nga qeveritë dhe bankat qendrore të cilat vlerësohen si të investueshme nga agjenci për vlerësimin e riskut të njohura ndërkombëtarisht;
c) Depozita ose tituj borxhi të emetuar nga institucione financiare ndërkombëtare të cilat vlerësohen si të investueshme nga agjenci për vlerësimin e riskut të njohura ndërkombëtarisht;
ç) Tituj borxhi të emetuar nga shoqëri aksionare ndërkombëtare të cilat vlerësohen si të investueshme nga agjenci për vlerësimin e riskut të njohura ndërkombëtarisht;
d) Depozita me interes në Autoritetin Mbikëqyrës.
4. Me synim administrimin e mjeteve të saj financiare, Agjencia mund të hyjë në marrëveshje me Autoritetin Mbikëqyrës ose institucione ndërkombëtare për administrimin financiar, të cilat për llogari të Agjencisë investojnë mjetet e saj financiare në monedhë të huaj sipas qëllimeve të përcaktuara në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij neni.
5. Me synim sigurimin e likuiditetit të nevojshëm për përmbushjen e detyrimeve që lindin nga ky ligj, Agjencia mund të shesë me detyrim riblerjen e tyre tituj të emetuar nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, sipas kushteve të miratuara nga këshilli drejtues i Agjencisë dhe Autoriteti Mbikëqyrës.
6. Ministria e Financave, Autoriteti Mbikëqyrës dhe Agjencia hyjnë në marrëveshje ndërmjet tyre për qëllimet e parashikuara në pikën 5, të këtij neni.
7. Agjencia mban llogari pranë Autoritetit Mbikëqyrës.
8. Agjencia mban llogari të veçanta kontabël për mjetet financiare për depozitat e siguruara në bankat dhe mjetet financiare për sigurimin e depozitave në SHKK-të.
9. Pagesat e kontributit fillestar, pagesat e primit vjetor të sigurimit të depozitave, si dhe pagesat e kontributit të veçantë nga subjektet do të derdhen në lekë në llogaritë përkatëse të Agjencisë pranë Autoritetit Mbikëqyrës.
Neni 60
Qëllimi i përdorimit të mjeteve financiare
Mjetet financiare të Agjencisë përdoren për:
a) kompensimin e depozitave të siguruara sipas dispozitave të këtij ligji;
b) plotësimin e diferencës ndërmjet detyrimeve dhe aktiveve që transferohen nga një subjekt anëtar te një subjekt tjetër anëtar ose në bankën-urë, sipas nenit 40, të këtij ligji;
c) mbulimin e të gjitha shpenzimeve administrative për zbatimin e procesit të kompensimit, transferimit të fondit sipas neneve 38, 39 e 40, të këtij ligji, dhe administrimin e aseteve të Agjencisë;
ç) mbulimin e të gjitha shpenzimeve administrative dhe financiare për veprimtarinë e Agjencisë, sipas buxhetit të miratuar nga këshilli drejtues;
d) shlyerjen e detyrimeve, kredive dhe huave të marra për përmbushjen e qëllimeve të përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të këtij neni.
Neni 61
Burimet financiare në rast parashikimi të deficitit të Agjencisë
1. Deficiti i fondit të sigurimit të depozitave ndodh kur në bilancin e Agjencisë vlera e mjeteve financiare të një fondi bie nën shumën e detyrimeve dhe fondit themeltar për atë fond.
2. Në rastin kur këshilli drejtues parashikon për deficit të njërit prej fondeve të sigurimit të depozitave, Agjencia në bashkëpunim me Autoritetin Mbikëqyrës miraton planin e plotësimit të tij me burime financiare.
3. Deficiti i parashikuar mbulohet, me propozimin e këshillit drejtues dhe me miratimin e Autoritetit Mbikëqyrës, nëpërmjet njërës prej këtyre mënyrave:
a) Arkëtimin e primeve përpara afatit, nga secili subjekt anëtar i skemës, në një vlerë jo më të madhe se katër herë primin e fundit të paguar;
b) Rritjen e primit të pagueshëm nga subjektet anëtare;
c) Pagesën e një kontributi të veçantë nga subjektet anëtare të skemës së sigurimit të depozitave.
4. Nëse mjetet financiare të siguruara sipas pikave 2 dhe 3, të këtij neni, nuk janë të mjaftueshme, atëherë:
a) Agjencia mund të marrë hua nga buxheti i shtetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi:
i. Masa e huasë që do të jepet përcaktohet në mënyrë që kapaciteti financiar i fondeve të Agjencisë të jetë në proporcion me detyrimet e fondeve, si dhe të jetë në përputhje me qëndrueshmërinë e financave publike, në këndvështrimin afatmesëm dhe afatgjatë.
ii. Interesi i huasë që do të jepet duhet të jetë jo më i lartë se me normat e interesit të titujve, me maturitet të krahasueshëm, të emetuar nga qeveria e Republikës së Shqipërisë e të tregtueshme në Republikën e Shqipërisë.
iii. Për dhënien e huasë Ministria e Financave lidh marrëveshje me Agjencinë dhe Autoritetin Mbikëqyrës, ku përcaktohen, ndër të tjera, kushtet e kësaj huaje;
b) Agjencia mund të marrë subvencione nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
c) Agjencia i kërkon Ministrisë së Financave që t’i paraqesë Këshillit të Ministrave vendimin për rritjen e fondeve themeltare të saj.
Neni 62
Kontabiliteti dhe raporti financiar i Agjencisë
1. Agjencia mban llogari e regjistra financiarë, që në çdo kohë duhet të pasqyrojnë në mënyrë të saktë gjendjen financiare të Agjencisë, në përputhje me ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” dhe me standardet ndërkombëtare.
2. Agjencia përgatit raportin dhe llogaritë financiare në fund të çdo viti financiar.
3. Viti financiar fillon më 1 janar dhe mbaron më 31 dhjetor.
Neni 63
Kontrolli
1. Pasqyrat financiare vjetore të Agjencisë certifikohen nga auditues të jashtëm të specializuar, që miratohen nga këshilli drejtues.
2. Veprimtaria e Agjencisë auditohet nga auditues të brendshëm, që miratohen nga këshilli drejtues.
3. Agjencia kontrollohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
KREU VII
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 64
Parandalimi i pastrimit të parave dhe mashtrimit në sigurimin e depozitave
1. Agjencia bashkëpunon me Autoritetin Mbikëqyrës dhe shkëmben informacion për marrjen e masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, në kuadër të sigurimit të depozitave.
2. Autoriteti Mbikëqyrës dhe Agjencia njoftojnë njëri-tjetrin kur provohet se një depozitë është përdorur për transaksione të lidhura me aktivitete kriminale.
3. Agjencia bashkëpunon me Autoritetin Mbikëqyrës dhe shkëmben informacion për marrjen e masave të nevojshme për zbulimin, parandalimin dhe ndreqjen e rasteve të mashtrimit në fushën e sigurimit të depozitave. Agjencia raporton menjëherë në Autoritet çdo fakt që përbën mashtrim në fushën e sigurimit të depozitave.
Neni 65
Marrja e masave kundër palëve përgjegjëse
1. Agjencia ka të drejtën të kërkojë dëmshpërblim dhe në veçanti të drejtën e regresit kundër palëve përgjegjëse për rritjen e rrezikut në veprimtarinë e subjektit anëtar dhe ndodhjen e ngjarjes së sigurimit.
2. Agjencia kryen verifikime të veçuara ose në bashkëpunim me Autoritetin Mbikëqyrës për të evidentuar veprime të palëve përgjegjëse që ndikojnë në rritjen e rrezikut të veprimtarisë së subjekteve anëtare, në përputhje me aktet nënligjore në fuqi.
3. Autoriteti Mbikëqyrës informon Agjencinë për masat e marra dhe sanksionet e vendosura nga mbikëqyrja kundrejt subjekteve anëtare, për mundësinë e vendosjes së tyre në kujdestari apo likuidim, si dhe në raste të tjera të parashikuara në marrëveshje midis palëve.
4. Agjencia bashkëpunon me autoritetet publike dhe private, organet e ruajtjes së rendit dhe prokurorinë, veçanërisht ato të parandalimit të krimit financiar, institucionet akredituese dhe të kualifikimit profesional për qëllime të marrjes së masave paraprake dhe ndëshkimore kundër palëve përgjegjëse në rritjen e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve anëtare.
5. Nëse personat e identifikuar si përgjegjës në përputhje me këtë nen shpallen fajtorë, Agjencia i propozon Autoritetit Mbikëqyrës vendosjen e sanksioneve dhe kërkon dëmshpërblim, sipas ligjeve në fuqi.
6. Sanksionet dhe dëmshpërblimi përfshijnë masa administrative profesionale dhe personale, gjoba dhe dënime, padi civile dëmshpërblimi e regresi dhe kallëzim penal.
Neni 66
Masat parandaluese
1. Agjencia merr masa parandaluese ose i propozon Autoritetit Mbikëqyrës vendosjen e sanksioneve kundrejt subjekteve anëtare të skemës së sigurimit të depozitave në rast shkeljesh të këtij ligji si dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij, në veçanti, kur subjekti:
a) nuk paguan kontributet dhe primet e sigurimit në masën dhe në kohën e përcaktuar në këtë ligj;
b) përllogarit primin në kundërshtim me formulën e përcaktuar në ligj si dhe në aktet nënligjore;
c) i jep Agjencisë të dhëna dhe informacione të pavërteta e të gabuara;
ç) pengon kryerjen e procesit të verifikimit në ambientet e subjektit;
d) informon depozituesit dhe të tretët në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji dhe udhëzimet e Agjencisë;
dh) i regjistron të dhënat mbi depozitat në mënyrë të pasaktë dhe të paplotë, duke penguar përcaktimin e saktë të depozitës së siguruar në përfitim të depozituesit;
e) nuk përmbush detyrimin dhe kushtet për sistemet elektronike për regjistrin e detyrimeve depozitë;
ë) nuk merr pjesë në kryerjen e simulimeve dhe testime të procesit të kompensimit të depozitave të organizuara nga Agjencia;
f) nuk bashkëvepron me subjektet e tjera anëtare dhe me Agjencinë për të ruajtur besimin në sistemin bankar dhe financiar në rast të një ngjarje sigurimi.
g) nuk dorëzon menjëherë në Agjenci certifikatën e sigurimit të depozitave, me marrjen e njoftimit nga Agjencia për përjashtimin nga skema e sigurimit të depozitave.
2. Agjencia në rast se vëren shkelje të subjekteve anëtare merr këto masa parandaluese:
a) Paralajmëron subjektin për mosrespektimin e detyrimeve që rrjedhin nga ky ligj dhe aktet nënligjore të tij;
b) Urdhëron subjektin për pushimin e menjëhershëm të veprimeve të konsideruara si kundërvajtje dhe marrjen e masave korrigjuese;
c) I jep subjektit rekomandime për zbatimin e këtij ligji dhe të akteve nënligjore të tij.
3. Agjencia përcakton afatet për eliminimin e shkeljeve nga subjekti anëtar.
4. Subjekti, brenda afatit të përcaktuar nga Agjencia, i paraqet kësaj të fundit një raport të hollësishëm për masat e marra për eliminimin e shkeljeve.
5. Agjencia, me marrjen e raportit sipas pikës 4, të këtij neni, verifikon eliminimin e shkeljeve.
6. Agjencia merr vendim për të pranuar ose jo raportin mbi eliminimin e shkeljeve brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga marrja e tij.
7. Në rast të shkeljeve të përsëritura të subjektit sipas përcaktimit të dhënë në pikën 1, të këtij neni, ose të refuzimit të raportit të subjektit mbi eliminimin e shkeljeve nga Agjencia, Autoriteti Mbikëqyrës, me propozim të Agjencisë, merr ndaj subjekteve anëtare sanksionet e parashikuara në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” ose në ligjin “Për shoqëritë e kursim-kreditit”.
8. SHKK-të paguajnë një prim shtesë prej 0.3 për qind në rast thyerjeje të disa treguesve rregullatorë të përcaktuar nga Autoriteti Mbikëqyrës, sipas aktit nënligjor të Agjencisë.
9. Në rast të vonesës në pagimin e primit, subjekti anëtar paguan interesa, të barabartë me kredinë për mbështetje me likuiditet të Bankës së Shqipërisë.
10. Agjencia merr masa parandaluese në përputhje me aktin nënligjor të miratuar nga këshilli drejtues.
Neni 67
Dispozita tranzitore
1. SHKK-të që janë krijuar dhe kryejnë veprimtari përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, brenda datës 31 dhjetor 2015, plotësojnë të gjitha kushtet për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga ky ligj dhe aktet nënligjore të tij. Në momentin e përfshirjes në skemën e sigurimit të depozitave, këto shoqëri dhe ato të krijuara nga transformimi i tyre deri në këtë çast nuk do t’u nënshtrohen përcaktimeve të pikës 13, të nenit 35, të këtij ligji.
2. Në çdo rast, anëtarësimi në skemë i SHKK-ve do të bëhet vetëm pas arkëtimit të fondit themeltar në llogari të Agjencisë dhe plotësimit të kushteve nga ana e tyre, siç parashikohet në këtë ligj dhe në ligjin për SHKK- të.
3. Ligji nr.8873, datë 29.3.2002, “Për sigurimin e dipozitave”, të ndryshuar shfuqizohet.
4. Të gjitha aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të ligjit nr.8873, datë 29.3.2002, “Për sigurimin e dipozitave”, zbatohen për aq sa ato nuk bien në kundërshtim me këtë ligj deri në zëvendësimin e tyre me akte të tjera nënligjore.
5. Dispozitat e këtij ligji në lidhje me primin e sigurimit të pagueshëm nga bankat anëtare të skemës hyjnë në fuqi më 1 janar 2015. Në janar 2015 do të paguhet kësti i katërt i primit vjetor për tremujorin e fundit të vitit 2014 dhe primi për tremujorin e parë të vitit 2015.
6. Mandatet e anëtarëve të këshillit drejtues, të drejtorit të Përgjithshëm dhe kontratat e punësimit të punonjësve vazhdojnë në mënyrë të pandërprerë sipas afateve përkatëse pavarësisht shfuqizimit të ligjit nr.8873, datë 29.3.2002, “Për sigurimin e dipozitave”.
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR Një shtesë në LIGJIN NR.8668, DATË 23.11.2000, “PËR PAJISJEN E SHTETASVE SHQIPTARË ME PASAPORTË PËR JASHTË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.8668, datë 23.11.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
—
P R O J E K T L I GJ
PËR
Një shtesë në LIGJIN NR.8668, DATË 23.11.2000, “PËR PAJISJEN E SHTETASVE SHQIPTARË ME PASAPORTË PËR JASHTË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 84, pika 4, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Në ligjin nr.8668, datë 23.11.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, pas nenit 14/1 shtohet neni 14/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 14/2
Dispozitë kalimtare
Për shtetasit shqiptarë, deri në moshën 16 vjeç në kohën e aplikimit, të pajisur gjatë periudhës prill 2009 – korrik 2010 me pasaportë biometrike me afat vlefshmërie të pasaktë 10 (dhjetë) vjet, afati ligjor i vlefshmërisë së pasaportës prej 5 (pesë) vjetësh zgjatet për një vit”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E HUAMARRJES PREJ 295 420 000 SDR-SH, QË FONDI MONETAR NDËRKOMBËTAR I AKORDON SHQIPËRISË PËR PROGRAMIN 36-MUJOR TË NDIHMËS (EFF)”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1 dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e huamarrjes prej 295 420 000 (dyqind e nëntëdhjetë e pesë milionë e katërqind e njëzet mijë) SDR-sh, që Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i akordon Shqipërisë për programin 36-mujor të ndihmës (EFF)”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
—
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E HUAMARRJES PREJ 295 420 000 SDR-SH, QË FONDI MONETAR NDËRKOMBËTAR I AKORDON SHQIPËRISË PËR PROGRAMIN 36-MUJOR TË NDIHMËS (EFF)
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 2, 84, pika 4, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e huamarrjes prej 295 420 000 (dyqind e nëntëdhjetë e pesë milionë e katërqind e njëzet mijë) SDR-sh, që Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i akordon Shqipërisë për programin 36-mujor të ndihmës (EFF).
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8663, DATË 18. 9.2000, “PËR REGJISTRIMIN, KLASIFIKIMIN, MËNYRËN E PËRDORIMIT DHE KONTROLLIN E MJETEVE LUNDRUESE ME MOTOR, ME TONAZH NËN 20 NT””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8663, datë 18.9.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 NT””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8663, DATË 18.9.2000, “PËR REGJISTRIMIN, KLASIFIKIMIN, MËNYRËN E PËRDORIMIT DHE KONTROLLIN E MJETEVE LUNDRUESE ME MOTOR, ME TONAZH NËN 20 NT”
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8663, datë 18.9.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 NT”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Neni 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 2
Përkufizimi i mjetit lundrues
Në kuptim të këtij ligji, me mjet lundrues kuptohet mjeti lundrues me motor, me tonazh nën 20 NT, duke përfshirë edhe mjetet lundruese që përdoren për qëllime argëtimi e sportive, të klasifikuara si të tilla nga Regjistri i Mjeteve Lundruese Shqiptare ose nga institucionet korresponduese të shteteve të tjera.”.
Neni 2
Pika 1, e nenit 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Ky ligj zbatohet për mjetet lundruese, objekt i këtij ligji, që mund të përdoren në det, liqene, lumenj, rezervuarë dhe përrenj.”.
Neni 3
Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 4
Respektimi i normave të lundrimit
Mjetet lundruese duhet të respektojnë rregullat e regjimit të lundrimit në det, liqene, lumenj, rezervuarë dhe përrenj, duke përfshirë edhe normat që lidhen me pajisjet e shpëtimit, me sinjalet ndriçuese për lundrimin natën, me pajisjen me radio ndërlidhjeje, të sintonizuar në frekuencat e ndihmës detare, si dhe me sistemin për lokalizim gjeografik, GPS.”.
Neni 4
Pas nenit 15 shtohet neni 15/a, me këtë përmbajtje:
“Neni 15/a
Kushtet e sigurisë dhe mënyra e përdorimit të mjeteve lundruese për qëllime argëtimi dhe sportive
Kushtet për ushtrimin e aktivitetit të rregullt e të sigurt me mjetet lundruese, mënyra e përdorimit të tyre për qëllime argëtimi e sportive dhe rregullat për sigurinë e pushuesve në plazhet publike dhe jopublike, në bregdet apo në ujërat e brendshme në thellësi të territorit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 5
Pas nenit 30 shtohen nenet 30/a, 30/b dhe 30/c, me këtë përmbajtje:
“Neni 30/a
Mosrespektimi i normave të lundrimit
1. Shkelja e detyrimeve të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative, dënohet me gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe me sekuestrim të mjetit.
2. Gjykata vendos për konfiskimin e mjetit, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.
Neni 30/b
Shkelja e rregullave të sigurisë në plazhe
1. Shkelja e rregullave për sigurinë e pushuesve në plazhet publike dhe jopublike, në bregdet apo në ujërat e brendshme në thellësi të territorit, sipas nenit 15/a, të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative, dënohet me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) deri në 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, si dhe me sekuestrim të mjetit.
2. Gjykata vendos për konfiskimin e mjetit, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.
Neni 30/c
Shkelja e rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese në plazhe e sporte ujore
1. Shkelja e kushteve për ushtrimin e aktivitetit të rregullt e të sigurt me mjetet lundruese e për mënyrën e përdorimit të tyre për qëllime argëtimi e sportive sipas nenit 15/a përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë, si dhe me sekuestrim të mjetit lundrues.
2. Gjykata vendos për konfiskimin e mjetit, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.”.
Neni 6
Neni 37 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 37
Ankimi administrativ
1. Ndaj masave administrative të marra në bazë të këtij ligji, kundërvajtësi mund të bëjë ankim brenda pesë ditëve te drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili vendos brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga data e paraqitjes së ankimit.
2. Ndaj vendimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kundërvajtësi mund të bëjë ankim në gjykatë në përputhje me rregullat dhe afatet e parashikuara sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.”.
Neni 7
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9947, DATË 7.7.2008, “PËR PRONËSINË INDUSTRIALE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratimin në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
—
P R O J E K T L I G J
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9947, DATË 7.7.2008, “PËR PRONËSINË INDUSTRIALE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Pika 2, e nenit 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Shpikjet mbrohen nëpërmjet patentave dhe modeleve të përdorimit, të cilat lëshohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave (në vijim DPPM). Disenjot industriale, markat tregtare e të shërbimit dhe treguesit gjeografikë mbrohen nëpërmjet regjistrimit në DPPM. Mbrojtja e sipërpërmendur për disenjot industriale nuk përjashton të drejtat e tjera që parashikohen në ligj. Një disenjo e mbrojtur nga të drejtat e disenjos së regjistruar në përputhje me këtë ligj përfiton edhe nga mbrojtja e së drejtës së autorit nga data e krijimit të disenjos ose fiksimit të saj në çfarëdolloj forme sipas kritereve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të autorit.”.
Neni 2
Në nenin 4 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 3, fjalët “… ekspozitë ndërkombëtare …” zëvendësohen me “… ekspozitë ndërkombëtare zyrtare apo e njohur zyrtarisht …”.
2. Në pikën 5, fjalët “ … klasifikim ndërkombëtar …” zëvendësohen me “… klasifikimi i Nicës …”.
3. Pas pikës 5 shtohen pikat 5/a dhe 5/b, me këtë përmbajtje:
“5/a “Klasifikimi i Locarnos” është klasifikimi ndërkombëtar për disenjot industriale në funksion të regjistrimit të disenjove industriale, i miratuar me marrëveshjen e Locarnos “Për krijimin e klasifikimit ndërkombëtar të disenjove industriale”, më 8 tetor 1968, me të gjitha ndryshimet e mëvonshme.
5/b “Traktati i Budapestit” është traktati i Budapestit për njohjen ndërkombëtare të depozitimit të mikroorganizmave për qëllime të procedurës së patentave, aderuar me ligjin nr.9031, datë 20.3.2003.”.
Neni 3
Fjalia e dytë, e pikës 1, të nenit 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Shfrytëzimi i një shpikjeje nuk konsiderohet se bie ndesh me rendin dhe moralin publik vetëm për shkak se ai ndalohet me ligj ose akt nënligjor.”.
Neni 4
Në pikën 4, të nenit 7, pas fjalëve “… e njohur për publikun …” shtohen “… kudo në botë …”.
Neni 5
Në pikën 1, të nenit 9, fjalët “… e kuptueshme nga një person i kualifikuar …” zëvendësohen me “… dukshëm e qartë për një person të kualifikuar …”.
Neni 6
Në nenin 11 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Titulli i nenit ndryshohet dhe zëvendësohet me “Deklarimet e padëmshme”.
2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Në zbatim të nenit 7, bërja publike e shpikjes nuk do të merret parasysh në rast se ndodh jo më parë se 6 muaj përpara datës së depozitimit të kërkesës për patentë në DPPM dhe nëse ishte për shkak të ose si pasojë e:
a) një abuzimi të dukshëm në lidhje me kërkuesin ose përfaqësuesin e tij ligjor; ose
b) faktit që kërkuesi ose përfaqësuesi i tij ligjor ka treguar shpikjen në një ekspozitë ndërkombëtare zyrtare ose të njohur zyrtarisht.”.
3. Në pikën 2, fjalët “… shkronja “c”, e pikës 1, …” zëvendësohen me “… shkronja “b”, e pikës 1, …”.
4. Në pikën 2, pas fjalëve “… brenda afatit …” shtohen “… dhe kritereve …”.
Neni 7
Në shkronjën “a”, të pikës 2, të nenit 15, fjala “… katër …” zëvendësohet me “… gjashtë …”.
Neni 8
Në pikën 1, të nenit 18, bëhen këto ndryshime:
1. Në shkronjën “a”, fjalët “…, të specifikuar në rregulloren përkatëse, dalë në zbatim të këtij ligji ,…” shfuqizohen.
2. Në shkronjën “c”, fjalët “… përshkruan shpikjen …” zëvendësohen me “… në pamje të parë duket se është përshkrimi i shpikjes …”.
Neni 9
Në nenin 19 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në titull dhe kudo në nen, fjalët “… bërja publike …” zëvendësohen me fjalën “… përshkrimi …”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Nëse shpikja përfshin përdorimin e një materiali biologjik ose kur ka të bëjë me një material të tillë, që nuk gjendet në publik dhe që nuk mund të përshkruhet në aplikim në mënyrë të tillë që të jetë i mundur riprodhimi i tij nga një person i kualifikuar i fushës, aplikimi duhet të shoqërohet me prova që vërtetojnë se kampioni i këtij materiali është depozituar në institucionin përgjegjës jo më vonë se data e depozitimit të aplikimit për patentë. Institucioni që plotëson kërkesat e Traktatit të Budapestit konsiderohet institucion përgjegjës.”.
3. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Aplikimi për patentë, në këtë rast, duhet të përmbajë gjithashtu edhe të gjithë informacionin e rëndësishëm që disponon depozituesi në lidhje me karakteristikat e materialit biologjik të depozituar, emrin e institutit të depozitimit dhe numrin e regjistrimit të depozitimit.”.
Neni 10
Në nenin 24 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 3, pas fjalëve “… pranë DPPM-së …” shtohen “… vetëm për efekt të nenit 7 dhe të pikës 2, të nenit 13, …”.
2. Pikat 6 dhe 7 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“6. Kur aplikimi që pretendon prioritet depozitohet pas kalimit të periudhës 12-mujore sipas parashikimit të pikës 5, të këtij neni, aplikuesi mund të depozitojë një kërkesë për rivendosjen e së drejtës së prioritetit, duke përcaktuar arsyet për mosrespektimin e periudhës së prioritetit, me gjithë marrjen e masave të nevojshme, dhe paguan tarifën e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave të nxjerrë në zbatim të këtij ligji. Kërkesa depozitohet brenda dy muajve nga data e përfundimit të periudhës së prioritetit sipas pikës 5, të këtij neni. Kërkesa refuzohet nëse nuk plotëson kërkesat e sipërpërmendura.
7. Aplikanti mund të depozitojë një kërkesë për ndryshimin ose shtimin e prioritetit brenda 16 muajve nga data më e hershme e prioritetit të pretenduar ose, kur ndryshimi apo shtesa shkakton ndryshim të datës më të hershme të prioritetit të pretenduar, kërkesa depozitohet brenda 16 muajve nga data më e hershme e prioritetit të ndryshuar, cilado periudhë 16-mujore mbaron e para, me kusht që kërkesa për ndryshim të mund të depozitohet para mbarimit të periudhës katërmujore nga data e depozitimit të aplikimit. Prioriteti nuk deklarohet dhe as nuk ndryshohet nëse aplikanti ka depozituar kërkesë për publikim të parakohshëm sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 26. Aplikanti paguan tarifën e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, të nxjerrë në zbatim të këtij ligji, në të kundërt kërkesa refuzohet.”.
Neni 11
Pas fjalisë së parë, të pikës 4, të nenit 26, shtohet fjalia e dytë, me këtë përmbajtje:
“DPPM-ja publikon në buletin të gjitha ndryshimet e patentës ose të statusit të saj ligjor.”.
Neni 12
Pika 4, e nenit 28, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. DPPM-ja nuk kryen ekzaminim thelbësor të shpikjes, në përputhje me nenet 5, 6, 7, 9 e 10, të këtij ligji. Patenta e dhënë nga DPPM-ja ka efekte ligjore sipas pikës 1, të nenit 40, vetëm nëse, para mbarimit të periudhës 10-vjeçare nga data e depozitimit, pronari i patentës depoziton prova shkresore për patentueshmërinë e shpikjes. Prova shkresore mund të jetë rezultat i ekzaminimit thelbësor të kryer mbi të njëjtën patentë nga ZEP-i, nga një zyrë kombëtare e cila gëzon statusin e Autoritetit Ndërkombëtar për Ekzaminim Paraprak sipas nenit 32, të Traktatit të Bashkëpunimit për Patentat ose nga zyra kombëtare e cila ka marrëveshje bashkëpunimi me DPPM-në, si dhe një patentë e dhënë për të njëjtën shpikje nga një prej këtyre zyrave. Në rast se nuk paraqiten prova shkresore të patentueshmërisë, të përmendura më sipër, patenta nuk do të ketë më efekt pas kalimit të periudhës 10-vjeçare.”.
Neni 13
Në nenin 35 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Në kërkesën për rivendosjen e së drejtës përcaktohen arsyet që kanë penguar aplikantin të respektojë afatin dhe ajo depozitohet brenda afatit që mbaron më herët nga afatet e mëposhtme:
a) dy muaj nga data e mbarimit të shkakut që ka penguar respektimin e afatit për veprimin në fjalë;
b) 12 muaj nga data e mbarimit të afatit për veprimin në fjalë ose, kur kërkesa ka të bëjë me mospagimin e tarifës së rinovimit për ripërtëritjen e patentës, 12 muaj nga data e mbarimit të afatit të parashikuar në pikën 3, të nenit 41, të këtij ligji.”.
2. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Rivendosja e të drejtave nuk lejohet për:
a) një procedim para bordit të apelimit në DPPM;
b) bërjen e një kërkese për shqyrtim të mëtejshëm sipas nenit 34 të këtij ligji ose të një kërkese për rivendosjen e së drejtës sipas këtij neni;
c) depozitimin e përkthimit sipas pikës 2, të nenit 18;
ç) depozitimin e kërkesës për rivendosjen e së drejtës së prioritetit.”.
3. Pas pikës 5 shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:
“6. Procedura për depozitimin dhe shqyrtimin e kërkesës për rivendosjen e së drejtës kryhet në mënyrën e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, të nxjerrë në zbatim të këtij ligji.”.
Neni 14
Pas pikës 3, të nenit 36, shtohen pikat 4, 5 dhe 6, me këtë përmbajtje:
“4. Mbrojtja, që patenta i jep një materiali biologjik me karakteristika specifike si rezultat i shpikjes, shtrihet mbi çdo material tjetër biologjik që rrjedh nga materiali fillestar nëpërmjet riprodhimit apo shumëfishimit, në formë të njëjtë ose të ndryshme dhe ka të njëjtat karakteristika.
5. Mbrojtja, që patenta i jep një procesi që mundëson prodhimin e një materiali biologjik me karakteristika specifike si rezultat i shpikjes, shtrihet mbi materialin biologjik që përftohet direkt nga ai proces si dhe mbi çdo material tjetër biologjik të përftuar nga materiali i përftuar direkt nëpërmjet përhapjes apo shtimit në formë të njëjtë ose të ndryshme dhe ka të njëjtat karakteristika.
6. Mbrojtja, që patenta i jep një produkti që mbart ose përbëhet nga informacion gjenetik, shtrihet mbi të gjithë materialin në të cilin përfshihet ky produkt dhe në të cilin informacioni gjenetik mbartet dhe kryen funksionin e tij, me përjashtim të trupit të njeriut në të gjitha fazat e ndryshme të formimit dhe zhvillimit të tij dhe rastit të zbulimit të thjeshtë të një prej elementeve të tij, duke përfshirë këtu edhe sekuencën e plotë apo të pjesshme të një gjeni.”.
Neni 15
Në shkronjën “dh”, të pikës 1, të nenit 38, pas fjalëve “… i hedhur në treg …” shtohen “… në territorin e Republikës së Shqipërisë ,…”.
Neni 16
Në nenin 50 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Në bazë të kërkesës, gjykata ka të drejtë t’i japë licencë jovullnetare për një patentë të mëparshme pronarit të një patente apo mbajtësit të një drejte mbi një varietet bimor i cili nuk mund të përdorë patentën e dytë apo të drejtën mbi një varietet bimor, pa cenuar patentën e parë, përkundrejt një pagese të caktuar nga eksperti i zgjedhur nga Gjykata, me kusht që:
a) shpikja e pretenduar në patentën e dytë ose varieteti bimor i mbrojtur të jetë një përparim teknik me rëndësi ekonomike të konsiderueshme krahasuar me shpikjen e përmendur në patentën e parë;
b) ata t’i kenë kërkuar zotëruesit të patentës ose të së drejtës për një varietet bimor të drejtën për të marrë një licencë kontraktuale dhe nuk e kanë marrë atë.”.
2. Pas pikës 2 shtohen pikat 2/a dhe 2/b, me këtë përmbajtje:
“2/a. Gjykata merr çdo masë që e konsideron të nevojshme për të verifikuar ekzistencën e një situate të tillë.
2/b. Në rastin e një licence jovullnetare, të parashikuar në pikën 2, të këtij neni, pronari i patentës së parë ka të drejtë të marrë një licencë të ndërsjellë me kushte të arsyeshme për të përdorur shpikjen e mbrojtur nga patenta e dytë apo nga varieteti bimor i mbrojtur.”.
3. Shkronja “c”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) shfrytëzimi të jetë i patransferueshëm. Në rastin e një licence jovullnetare, siç parashikohet në pikën 2, të këtij neni, shfrytëzimi i autorizuar në lidhje me patentën e parë është i patransferueshëm, me përjashtim të rastit kur transferohet patenta e dytë ose varieteti bimor;”.
Neni 17
Krerët VIII, “Shkeljet”, IX, “Procedurat gjyqësore” dhe X, “Masat e përkohshme dhe mbrojtëse”, shfuqizohen.
Neni 18
Në pikën 2, të nenit 71, fjalët “… regjistrimit në regjistrin e patentave …” zëvendësohen me fjalën “… kërkesës …”.
Neni 19
Kreu XIII, “Regjistrimi i patentave evropiane” riemërtohet “Patentat evropiane të shtrira”.
Neni 20
Shkronja “a”, e pikës 2, të nenit 78, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) “Aplikim për patentë evropiane” është aplikimi për një patentë të depozituar në përputhje me Konventën Evropiane për Patentat (KEP) para 1 majit 2010, si dhe aplikimi ndërkombëtar, i depozituar para 1 majit 2010 sipas traktatit të bashkëpunimit për patentë, për të cilin Zyra Evropiane e Patentave (ZEP) vepron si zyrë e caktuar ose e zgjedhur, aplikime në të cilat është e caktuar Shqipëria;”.
Neni 21
Pikat 1 dhe 2, të nenit 80, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Tarifa e shtrirjes sipas pikës 2, të nenit 79, të këtij ligji, i paguhet ZEP-it brenda gjashtë muajve nga data në të cilën Buletini i Patentave Evropiane përmend publikimin e raportit evropian të kërkimit ose, sipas rastit, brenda periudhës së kryerjes së akteve të nevojshme për hyrjen në fazën evropiane të një aplikimi ndërkombëtar sipas kuptimit të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 78, të këtij ligji.
2. Pagesa e tarifës së shtrirjes mund të jetë ende e vlefshme, nëse ajo bëhet brenda dy muajve nga periudha përkatëse sipas pikës 1, me kusht që të kryhet një pagesë shtesë prej 50 për qind, brenda kësaj periudhe shtesë.”.
Neni 22
Në nenin 82 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Nëse si rezultat i një kundërshtimi ose i një kërkese për kufizim të depozituar në ZEP, patenta evropiane ripërtërihet me pretendime të ndryshuara, pronari i patentës, brenda tre muajve nga data e publikimit të vendimit për ripërtëritjen ose kufizimin, duhet t’i paraqesë DPPM-së përkthimin e pretendimeve të ndryshuara në gjuhën shqipe dhe të paguajë tarifën e parashikuar për publikim.”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 3/a, me këtë përmbajtje:
“3/a. Kur pretendimi përmban shenja referencë të përdorura në vizatime, këto vizatime i bashkëlidhen përkthimit sipas pikave 2 dhe 3, të këtij neni.”.
3. Në pikën 4, pas fjalëve “… të publikojë …” shtohen “… sa më parë …”.
4. Në pikën 6, pas fjalëve “… procedimet kundërshtuese …” shtohen “… apo në një procedim shfuqizimi qendror ose është kufizuar në një procedurë kufizimi …”.
Neni 23
Pika 3, e nenit 83, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Aplikanti ose pronari i patentës mund të depozitojë një përkthim të korrigjuar të pretendimeve të aplikimit për patentë evropiane ose të patentës evropiane. Përkthimi i korrigjuar i pretendimeve të një aplikimi për një patentë evropiane të publikuar nuk ka efekte ligjore, derisa ai t’i komunikohet personit që përdor shpikjen në Republikën e Shqipërisë nga ana e aplikantit. Përkthimi i korrigjuar i pretendimeve të një patente evropiane të shtrirë nuk ka efekte ligjore, derisa ai të publikohet nga DPPM-ja. Çdo person, i cili në mirëbesim përdor ose ka bërë përgatitje të vërteta dhe serioze për të përdorur një shpikje, përdorimi i së cilës nuk përbën cenim të aplikimit ose të patentës në përkthimin origjinal, mund ta vazhdojë këtë përdorim gjatë zhvillimit të biznesit të vet ose për nevoja të ndryshme, pa kryer ndonjë pagesë, pasi përkthimi i korrigjuar të bëhet i vlefshëm.”.
Neni 24
Në nenin 86, paragrafi i parë numërtohet “1” dhe shtohet pika 2, me këtë përmbajtje:
“2. Paragrafi 2, i nenit 141, të KEP-it, zbatohet mutatis mutandis.”.
Neni 25
Neni 87 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 87
Dispozitat e Konventës Evropiane të Patentave dhe të rregulloreve në zbatim të saj nuk zbatohen në lidhje me kreun XIII, përveç kur përcaktohet ndryshe në këtë kre.”.
Neni 26
Pas kreut XIII, “Patentat evropiane të shtrira”, shtohet kreu XIII/1, me këtë përmbajtje:
“KREU XIII/1
PATENTAT EVROPIANE
Neni 87/a
Efekti i patentave evropiane në Shqipëri
1. Për qëllim të dispozitave të këtij kreu:
a) “Aplikim për patentë evropiane” është aplikimi për një patentë evropiane të depozituar më ose pas 1 majit 2010 në përputhje me Konventën Evropiane për Patentat (KEP), si dhe aplikimi ndërkombëtar i depozituar më ose pas 1 majit 2010 sipas traktatit të bashkëpunimit për patentë, për të cilin Zyra Evropiane e Patentave (ZEP) vepron si zyrë e caktuar ose e zgjedhur, aplikime në të cilat është e caktuar Shqipëria;
b) “Patentë evropiane” është patenta evropiane e dhënë nga ZEP-i në bazë të aplikimit për patentë evropiane, për të cilën është caktuar Shqipëria;
c) “Aplikim për patentë kombëtare” është aplikimi për patentë, që depozitohet në DPPM, në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
ç) “Patentë kombëtare” është patenta e dhënë në bazë të këtij ligji.
2. Aplikimi për patentë evropiane dhe patenta evropiane, sipas dispozitave të këtij ligji, kanë të njëjtin efekt dhe u nënshtrohen të njëjtave kërkesa si aplikimi për patentë kombëtare dhe patenta kombëtare, të përcaktuara në këtë ligj.
Neni 87/b
Depozitimi i aplikimit për patentë evropiane
1. Aplikimi për patentë evropiane mund të depozitohet në:
a) ZEP;
b) DPPM.
2. Një aplikim i ndarë për patentë evropiane dhe aplikimi i ri për patentë evropiane sipas shkronjës “b”, paragrafi 1, i nenit 61, të KEP-it, depozitohen direkt në ZEP.
3. Kur shpikja në fjalë është me interes për sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare, aplikanti me vendbanim ose vendqëndrim në Shqipëri e depoziton aplikimin për patentë evropiane vetëm në DPPM.
4. Aplikimi për patentë evropiane i depozituar në DPPM ka të njëjtin efekt sikur të ishte depozituar në të njëjtën datë në ZEP, me kusht që DPPM-ja t’ia ketë transmetuar atë ZEP-it në përputhje me dispozitat e KEP-it.
5. Aplikimi për patentë evropiane, që depozitohet në DPPM sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, mund të depozitohet në çdo gjuhë të parashikuar në paragrafët 1 dhe 2, të nenit 14, të KEP-it.
6. Nëse nga aplikimi që depozitohet në DPPM nuk del qartë që aplikimi është për patentë evropiane, atëherë aplikanti duhet të depozitojë një deklarim në gjuhën shqipe apo angleze me anë të të cilit kërkohet një patentë evropiane.
Neni 87/c
Tarifat dhe kostot procedurale për aplikimet për patentë evropiane
Tarifat dhe kostot procedurale për aplikimet për patentë evropiane i paguhen ZEP-it në përputhje me parashikimet e KEP-it.
Neni 87/ç
Efektet e aplikimit për patentë evropiane
1. Aplikimi për patentë evropiane, të cilit i është dhënë një datë depozitimi, është i njëjtë me një aplikim të rregullt për patentë kombëtare dhe, kur është rasti, merret parasysh prioriteti i kërkuar në aplikimin për patentë evropiane, pavarësisht nga përfundimi që do të ketë aplikimi.
2.Aplikimi për patentë evropiane i publikuar i siguron aplikantit të saj të njëjtën mbrojtje që ofron aplikimi për patentë kombëtare, i publikuar sipas nenit 27, të këtij ligji, duke filluar nga data në të cilën përkthimi në shqip i pretendimeve të aplikimit për patentë evropiane të publikuar është publikuar nga DPPM-ja.
3. Aplikimi për patentë evropiane vlerësohet se nuk i ka sjellë, që nga fillimi, pasojat e përmendura në pikën 2, të këtij neni, nëse është tërhequr, mendohet se është tërhequr, është refuzuar përfundimisht ose nëse përcaktimi i Shqipërisë është tërhequr apo konsiderohet si i tërhequr.
Neni 87/d
Efektet e patentës evropiane
1. Patenta evropiane sipas përcaktimeve të këtij neni siguron nga data e publikimit të miratimit të dhënies së saj nga ZEP-i të njëjtat të drejta si të një patente kombëtare të dhënë nga DPPM-ja.
2. Brenda tre muajve nga data e publikimit të miratimit të dhënies së patentës evropiane, pronari i patentës i paraqet DPPM-së një kërkesë për regjistrimin e patentës evropiane në Regjistrin e Patentave. Kërkesa shoqërohet me:
a) përkthimin në anglisht të specifikimeve të patentës evropiane të dhënë nëse ajo nuk është lëshuar në anglisht si dhe përkthimin në shqip të pretendimeve të saj;
b) vërtetimin e pagesës së tarifës së publikimit.
3. Nëse si rezultat i një kundërshtimi ose i një kërkese për kufizim, të depozituar në ZEP, patenta evropiane mbahet në fuqi me pretendime të ndryshuara, pronari i patentës, brenda tre muajve nga data e publikimit të vendimit për mbajtjen në fuqi me ndryshimet e bëra ose kufizimin, duhet t’i paraqesë DPPM-së përkthimin e pretendimeve në gjuhën shqipe dhe të paguajë tarifën e parashikuar për publikim.
4. Kur pretendimi përmban shenja referencë të përdorura në vizatime, këto vizatime i bashkëlidhen përkthimit sipas pikave 2 dhe 3, të këtij neni.
5. DPPM-ja publikon, sa më parë, çdo përkthim të depozituar rregullisht sipas pikës 2 ose 3, të këtij neni.
6. Nëse përkthimi i përmendur në pikat 2 dhe 3, të këtij neni, nuk depozitohet në kohën e duhur ose tarifa e parashikuar nuk paguhet në kohën e duhur, patenta evropiane vlerësohet e pavlefshme që nga fillimi, për Shqipërinë. Nenet 34 dhe 35, të këtij ligji, zbatohen mutatis mutandis. Afati i përmendur në pikat 2 dhe 3, të këtij neni, mund të zgjatet me një muaj nëse aplikanti paguan tarifën shtesë të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, të nxjerrë në zbatim të këtij ligji.
7. Aplikimi për patentë evropiane dhe patenta evropiane mbi të cilën ajo bazohet vlerësohen se nuk i kanë sjellë që nga fillimi pasojat e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, dhe në pikën 2, të nenit 87/ç, të këtij ligji, në masën që patenta është shfuqizuar ose kufizuar në procedimet kundërshtuese, kufizuese apo shfuqizuese.
Neni 87/dh
Teksti autentik i aplikimit për patentë evropiane ose i patentës evropiane
1. Teksti i aplikimit për një patentë evropiane ose i një patente evropiane në gjuhën e aplikimit shërben si tekst autentik për të gjitha procedurat në Republikën e Shqipërisë.
2. Pavarësisht nga përcaktimi i pikës 1, të këtij neni, përkthimi i paraqitur në përputhje me pikën 2, të nenit 87/ç, dhe pikat 2 dhe 3, të nenit 87/d, të këtij ligji, vlerësohet autentik, me përjashtim të rastit kur ndiqet procedura për shfuqizim, ku aplikimi ose patenta në gjuhën e përkthyer siguron një mbrojtje më të kufizuar se ajo e siguruar prej saj në gjuhën e aplikimit.
3. Aplikanti ose pronari i patentës mund të depozitojë një përkthim të korrigjuar në çdo kohë. Përkthimi i korrigjuar i një patente evropiane nuk ka efekte ligjore, derisa ai të publikohet nga DPPM-ja.
4. Çdo person, i cili në mirëbesim përdor ose ka bërë përgatitje të vërteta dhe serioze për të përdorur një shpikje, përdorimi i së cilës nuk përbën cenim të aplikimit ose të patentës në përkthimin origjinal, mund ta vazhdojë këtë përdorim gjatë zhvillimit të biznesit të vet ose për nevoja të ndryshme, pa kryer ndonjë pagesë, pasi përkthimi i korrigjuar të bëhet i vlefshëm.
Neni 87/e
Mbrojtje e njëhershme
Në rastin kur një patentë evropiane që cakton Shqipërinë dhe një patentë kombëtare kanë të njëjtën datë depozitimi ose, kur pretendohet prioritet, të njëjtën datë prioriteti, i është dhënë të njëjtit person ose zëvendësuesit të tij ligjor, patenta kombëtare nuk sjell pasoja në masën që ajo mbulon të njëjtën shpikje me atë të patentës evropiane, që nga data kur ka përfunduar afati për depozitimin e një kundërshtimi të patentës evropiane, pa u depozituar një kundërshtim i tillë, ose që nga data kur procedura e kundërshtimit ka rezultuar me një vendim përfundimtar në favor të patentës evropiane.
Neni 87/ë
Konvertimi në aplikim për patentë kombëtare
1. Me kërkesë të aplikantit për patentë evropiane, DPPM-ja ndjek procedurën e dhënies së një patente kombëtare, nëse aplikimi për patentë evropiane që cakton Shqipërinë:
a) konsiderohet i tërhequr sipas pikës 3, të nenit 77, të KEP-it; ose
b) konsiderohet i tërhequr për arsye se përkthimi i aplikimit për patentë evropiane nuk është depozituar në kohën e duhur sipas pikës 2, të nenit 14, të KEP-it; ose
c) është refuzuar sipas pikave 3 – 5, të nenit 90, të KEP-it.
2. Në rastin e parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, kërkesa për konvertim depozitohet në DPPM nëse aplikimi për patentë evropiane është depozituar së bashku me të sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 87/b, të këtij ligji. DPPM-ja, pasi sigurohet se janë zbatuar kërkesat e nenit 31, të këtij ligji, e përcjell kërkesën në zyrat qendrore të pronësisë industriale të shteteve kontraktore të KEP-it të specifikuara në kërkesë. DPPM-ja i bashkëlidh kërkesës një kopje të dosjes së aplikimit për patentë evropiane.
3. Nëse, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni, aplikimi për patentë evropiane është depozituar fillimisht në një zyrë qendrore të pronësisë industriale të një shteti tjetër kontraktor të KEP-it, kërkesa për konvertim depozitohet në këtë të fundit. Ajo zyrë ia përcjell kërkesën DPPM-së nëse Shqipëria është e caktuar në të.
4. Afati kohor për përcjelljen e kërkesës sipas pikave 2 dhe 3, të këtij neni, dhe sanksionet ligjore për vonesat në përcjellje parashikohen në KEP.
5. Në rastet e parashikuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, të këtij neni, kërkesa për konvertim dorëzohet në ZEP sipas kërkesave të KEP-it.
6. Afati kohor për depozitimin e kërkesës për konvertim sipas pikës 1, të këtij neni, dhe sanksionet ligjore për vonesat në përcjellje parashikohen në KEP.
7. Me marrjen e kërkesës për konvertim, DPPM-ja njofton aplikantin e saj. Brenda 2 muajve nga data e njoftimit të DPPM-së për marrjen e kërkesës për konvertim, aplikanti duhet të depozitojë në DPPM:
a) vërtetimin e pagesës së tarifës për aplikimin për patentë kombëtare; dhe
b) përkthimin e aplikimit për patentë evropiane në shqip.
Nëse aplikanti nuk i depoziton dokumentet e sipërpërmendura brenda afatit, atëherë kërkesa vlerësohet si e tërhequr.
8. Dokumentet që shoqërojnë kërkesën për konvertim publikohen nga DPPM-ja në mënyrën e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, të nxjerrë në zbatim të këtij ligji.
9. Specifikimet e patentës, tek një patentë kombëtare që rrjedh nga konvertimi i një aplikimi për patentë evropiane, duhet të përmendin këtë aplikim.
Neni 87/f
Tarifat e ripërtëritjes
Tarifat e ripërtëritjes për një patentë evropiane do t’i paguhen DPPM-së për çdo vit, duke filluar nga viti pasardhës i atij, në të cilin ZEP-i publikon dhënien e kësaj patente.
Neni 87/g
Shfuqizimi i patentës evropiane
1. Patenta evropiane mund të shfuqizohet nga DPPM-ja, me efekt për Shqipërinë, në bazë të dispozitave të nenit 138, të KEP-it, dhe nenit 73, të këtij ligji.
2. Nëse kërkesa për shfuqizimin e patentës evropiane depozitohet në DPPM pas fillimit të procedurës së kundërshtimit në ZEP ose fillimit të procedurës në lidhje me një kërkesë kufizimi ose shfuqizimi sipas nenit 105/a të KEP-it, DPPM-ja pezullon procedurën e shfuqizimit deri në përfundimin e procedurës në ZEP.
Neni 87/gj
Ligji i zbatueshëm
1. Patenta evropiane dhe aplikimi për patentë evropiane që caktojnë Shqipërinë do të rregullohen nga ky ligj përveç kur KEP-i parashikon ndryshe.
2. Në rast konflikti midis dispozitave të KEP-it dhe dispozitave të këtij ligji, dispozitat e KEP-it kanë epërsi.”.
Neni 27
Neni 93 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 93
Kreu XXXII i këtij ligji do të zbatohet edhe për modelet e përdorimit mutatis mutandis.”.
Neni 28
Në shkronjën “b”, të nenit 104, pas fjalëve “… në treg …” shtohen “… në territorin e Republikës së Shqipërisë …”.
Neni 29
Në shkronjën “ç”, të nenit 105, pas fjalëve “… në treg …” shtohen “… në territorin e Republikës së Shqipërisë …”.
Neni 30
Në nenin 113 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pikat 1 dhe 2 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Një disenjo përbën risi nëse ajo nuk është e njëjtë me një disenjo tjetër industriale, e cila i është bërë e njohur publikut përpara datës së depozitimit të aplikimit për regjistrimin e disenjos, e cila kërkohet të mbrohet ose, kur pretendohet për prioritet, përpara datës së prioritetit. Disenjot vlerësohen të njëjta, nëse karakteristikat e tyre ndryshojnë vetëm në hollësi të parëndësishme.
2. Një disenjo ka karakter individual, nëse përshtypja e përgjithshme, që ajo lë te një përdorues i informuar, ndryshon nga përshtypja e përgjithshme, që lihet tek i njëjti përdorues nga çdo disenjo, e cila, nëpërmjet publikimit, ekspozimit apo përdorimit publik në tregti ose çdo mënyre tjetër zbulimi, është bërë e njohur për publikun përpara datës së depozitimit të aplikimit për regjistrimin e disenjos, e cila kërkohet të mbrohet ose kur kërkohet prioritet, përpara datës së prioritetit. Në vlerësimin e karakterit individual të disenjos mbahet parasysh shkalla e lirisë në zhvillimin e saj.”.
2. Në shkronjën “a”, të pikës 3, pas fjalëve “… Republikës së Shqipërisë …” shtohen “… ose pas aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në territorin e Bashkimit Evropian …”.
3. Në shkronjën “b”, të pikës 3, fjalët “… 6 muajve…” zëvendësohen me “…12 muajve …”.
4. Pas shkronjës “b”, të pikës 3, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) i është zbuluar një personi të tretë në marrëveshje mirëbesimi mes palëve.”.
Neni 31
Para fjalisë së parë, të pikës 1, të nenit 114, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“E drejta ekskluzive mbi një disenjo, sipas këtij ligji, përfitohet me regjistrimin në DPPM.”.
Neni 32
Pas pikës 2, të nenit 115, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Në rastet e listuara në pikën 1, shkronjat “b”, “c”, “ç’ dhe “dh”, të këtij neni, disenjoja mund të regjistrohet në një formë të ndryshuar, nëse në atë formë ajo përputhet me kërkesat për mbrojtjen si dhe ruhet identiteti i disenjos.”.
Neni 33
Në nenin 116 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në shkronjën “c”, të pikës 1, fjalët “… për një shenjë dalluese ose për një të drejtë tjetër …” shfuqizohen.
2. Shkronjat “d” dhe “dh”, të pikës 1, shfuqizohen.
3. Në pikën 2, fjalët “… “a” deri në “d”…” zëvendësohen me “… “a” deri në “ç”…”.
4. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Në rastet e listuara në pikën 1, shkronjat “c” dhe “ç”, të këtij neni, disenjoja mund të regjistrohet në një formë të ndryshuar, nëse në atë formë ajo përputhet me kërkesat për mbrojtjen si dhe ruhet identiteti i disenjos.”.
Neni 34
Në nenin 119 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Titulli ndryshohet dhe zëvendësohet me “Data e depozitimit dhe kërkesat formale për aplikim”.
2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Data e depozitimit të aplikimit për regjistrimin e një disenjoje vlerësohet data kur DPPM-ja merr në dorëzim kërkesën, e cila përmban elementet e mëposhtme:
a) Kërkesën për regjistrim;
b) Identitetin e aplikantit;
c) Përfaqësimin e disenjos së përshtatshme për riprodhim;
ç) Vërtetim të pagesës së tarifës së depozitimit.”.
3. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Aplikimi për regjistrimin e një disenjoje përmban edhe këto elemente:
a) Emrin dhe adresën e aplikantit;
b) Emrin dhe adresën e përfaqësuesit si dhe autorizimin e përfaqësimit;
c) Treguesin e produktit në të cilin disenjoja është e përfshirë ose mbi të cilin do të aplikohet;
ç) Përshkrimin e disenjos;
d) Kopje të përfaqësimit të disenjos në përputhje me kërkesat e rregullores përkatëse;
dh) Klasifikimin e produkteve në të cilat disenjoja është e përfshirë ose mbi të cilat do të aplikohet sipas klasifikimit të Locarnos;
e) Identitetin e krijuesit ose të krijuesve të disenjos dhe një deklaratë që autorizon aplikantin ta regjistrojë disenjon kur aplikanti nuk është krijuesi;
ë) Nënshkrimin e aplikantit ose të përfaqësuesit të tij;
f) Kërkesa të tjera të përcaktuara në rregulloren përkatëse.”.
4. Në fillim të paragrafit të gjashtë, të pikës 4, shtohen fjalët “Për qëllim të nenit 113 ,…”.
5. Pas pikës 4 shtohet pika 4/a, me këtë përmbajtje:
“4/a. Deklarata që pretendon prioritet depozitohet brenda tre muajve nga data e depozitimit të aplikimit për regjistrim, duke përcaktuar datën e depozitimit dhe numrin e aplikimit të mëparshëm, zyrën në të cilën është depozituar si dhe duke treguar një kopje të vërtetuar të aplikimit të mëparshëm, në të kundërt e drejta e prioritetit humbet.”.
Neni 35
Neni 121 “Ekzaminimi i formaliteteve” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 121
Ekzaminimi i kërkesave formale
1. DPPM-ja, brenda tre muajve nga data e marrjes së aplikimit për regjistrimin e një disenjoje, kryen një ekzaminim paraprak për të përcaktuar datën e depozitimit të aplikimit. Nëse aplikimi është në përputhje me kërkesat e pikës 1, të nenit 119, të këtij ligji, data e depozitimit të aplikimit është data e dorëzimit të aplikimit pranë DPPM-së, në të kundërt data e depozitimit të aplikimit është data në të cilën plotësohen kërkesat e pikës 1, të neni 119.
2. Brenda periudhës së përmendur në pikën 1, të këtij neni, DPPM-ja shqyrton aplikimin për përmbushjen e kërkesave formale të nenit 119, të këtij ligji, si dhe të akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij dhe, sipas rastit, lëshon dëshminë e depozitimit. Kur aplikimi nuk përmbush të gjitha kërkesat formale të nenit 119, të këtij ligji, si dhe të akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, DPPM-ja njofton aplikantin t’i plotësojë ato brenda tre muajve nga data e njoftimit. Nëse aplikanti plotëson aplikimin brenda afatit, DPPM-ja lëshon dëshminë e depozitimit, në të kundërt, e refuzon aplikimin dhe njofton për këtë me shkrim aplikantin.
3. Periudha për paraqitjen e plotësimeve mund të zgjatet deri në një muaj shtesë, nëse aplikanti paraqet kërkesë me shkrim dhe paguan tarifën e përcaktuar në rregulloren përkatëse.”.
Neni 36
Pas nenit 121 shtohet neni 121/a, me këtë përmbajtje:
“Neni 121/a
Ekzaminimi i arsyeve absolute për refuzim
DPPM-ja, brenda tre muajve nga data e depozitimit të aplikimit për regjistrimin e një disenjoje, ekzaminon nëse disenjoja, përveç përmbushjes së kërkesave formale, është në përputhje edhe me kërkesat e nenit 115, të këtij ligji.
Nëse disenjoja nuk është në përputhje me kërkesat e nenit 115, të këtij ligji, DPPM-ja njofton aplikantin dhe i jep atij mundësinë të parashtrojë, brenda dy muajve nga data e njoftimit, vërejtjet dhe shpjegimet e tij ose të depozitojë dokumente shtesë.
3. Aplikimi refuzohet nëse aplikanti nuk parashtron vërejtjet e tij apo nuk depoziton dokumentet shtesë të kërkuara brenda afatit kohor ose nëse DPPM-ja vëren se aplikimi nuk është në përputhje me nenin 115 edhe pas përgjigjes së aplikantit. Ky vendim i njoftohet aplikantit. Vendimi për refuzimin e disenjos bazuar mbi arsye absolute refuzimi merret nga DPPM-ja vetëm pasi është marrë vendimi mbi kërkesat formale.”.
Neni 37
Pika 1, e nenit 122, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. DPPM-ja publikon të dhënat e aplikimit në buletinin e saj nëse është lëshuar dëshmia e depozitimit dhe disenjoja është në përputhje me kërkesat e nenit 115, të këtij ligji.”.
Neni 38
Në nenin 123 bëhen këto shfuqizime:
1. Në shkronjën “c”, të pikës 1, fjalët “… i një shenje dalluese ose …” shfuqizohen.
2. Shkronjat “d” dhe “dh”, të pikës 1, shfuqizohen.
Neni 39
Pika 3, e nenit 124, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Bordi i apelimit shqyrton kundërshtimin brenda një periudhe tremujore nga data e paraqitjes të të gjitha argumenteve, materialeve dhe dokumenteve shtesë nga palët dhe i njofton ato për vendimin e marrë.”.
Neni 40
Neni 125 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 125
Regjistrimi i disenjos
1. Nëse pas kalimit të afatit tremujor nga data e publikimit të disenjos nuk janë depozituar kundërshtime apo kundërshtimet janë refuzuar, DPPM-ja njofton aplikantin të paguajë tarifën e regjistrimit brenda një muaji nga data e njoftimit. Pasi aplikanti paguan tarifën e regjistrimit, brenda periudhës së caktuar, DPPM-ja regjistron disenjon në regjistrin e disenjove dhe lëshon certifikatën e regjistrimit, brenda një periudhe tremujore nga data e kryerjes së pagesës.
2. Nëse aplikanti nuk e paguan tarifën e regjistrimit brenda periudhës së caktuar, në pikën 1, të këtij neni, DPPM-ja e refuzon aplikimin për regjistrimin e disenjos.
3. Disenjoja e regjistruar publikohet në buletinin e DPPM-së.
4. Të dhënat për certifikatën e regjistrimit dhe për publikimin e disenjos parashikohen në rregulloren përkatëse.”.
Neni 41
Në nenin 126, fjalët “… 125, pika 4 ,…” zëvendësohen me “… 121/a, pika 3 ,…”.
Neni 42
Në nenin 127 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Pronari i një disenjoje të regjistruar ka të drejtën ekskluzive për ta përdorur atë dhe për të ndaluar çdo palë të tretë ta përdorë atë pa pëlqimin e tij. Në veçanti, pronari i një disenjoje të regjistruar ka të drejtë të ndalojë persona të tretë të prodhojnë, të ofrojnë, të importojnë, të eksportojnë, të hedhin në treg, të furnizojnë, të shpërndajnë, të përdorin ose të mbajnë në ruajtje apo zotërim, për këto qëllime, çdo produkt në të cilin është përfshirë disenjoja ose mbi të cilin është aplikuar.”.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Të drejtat e fituara nga një disenjo e regjistruar nuk shtrihen në akte që lidhen me një produkt në të cilin një disenjo, në kuptim të të drejtave që burojnë prej saj, është e përfshirë ose mbi të cilin është aplikuar nëse produkti në fjalë është hedhur në treg nga vetë pronari ose me pëlqimin e tij në territorin e Republikës së Shqipërisë.”.
Neni 43
Kreu XX, “Ushtrimi i të drejtave”, shfuqizohet.
Neni 44
Fjalia e parë, e pikës 2, të nenit 140, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Mund të përbëjnë markë, për shembull, shenjat e mëposhtme:”.
Neni 45
Në nenin 142 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “f”, e pikës 1, shfuqizohet.
2. Shkronja “gj” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“gj) përbëhet nga elemente, që bien në kundërshtim me nenin 6 ter të Konventës së Parisit, përveç kur autoritetet kompetente kanë autorizuar përdorimin e tyre.”.
3. Pas shkronjës “gj” shtohen shkronjat “h” dhe “i”, me këtë përmbajtje:
“h) nuk përbën markë sipas nenit 140, të këtij ligji;
i) përmban ose përbëhet nga një emërtim origjine ose një tregues gjeografik me efekt në territorin e Republikës së Shqipërisë, nëse kërkesa për regjistrimin e markës është dorëzuar pas datës së dorëzimit të kërkesës për regjistrimin e emërtimit të origjinës ose treguesit gjeografik dhe me qëllim mbrojtjen e tyre, të parashikuar në legjislacionin, në bazë të të cilit janë regjistruar ato dhe që kanë lidhje me të njëjtin lloj produktesh.”.
Neni 46
Në shkronjën “ç”, të pikës 5, të nenit 143, fjalët “…, në përputhje me parashikimet e DPPM-së dhe të autoriteteve ndërkombëtare …” shfuqizohen.
Neni 47
Në nenin 145 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në shkronjën “c”, të pikës 4, fjalët “… në përputhje me klasifikimin ndërkombëtar për mallrat dhe shërbimet …” shfuqizohen.
2. Shkronja “ç”, e pikës 4, shfuqizohet.
3. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Kërkesa për të regjistruar një markë përmban gjithashtu:
a) emrin dhe adresën e përfaqësuesit të aplikantit si dhe autorizimin e përfaqësimit nëse kërkesa depozitohet nga përfaqësuesi;
b) listën e mallrave dhe/ose të shërbimeve, të grupuara në klasa, në përputhje me klasifikimin e Nicës;
c) një dokument që përcakton rregullat e përdorimit të markës në rastin e markës kolektive;
ç) deklarimin e përjashtimit nga mbrojtja të elementeve të markës që janë përshkruese ose që nuk kanë karakter dallues;
d) nënshkrimin e aplikantit apo të përfaqësuesit të tij;
dh) elemente të tjera të aplikimit të përcaktuara në rregulloren përkatëse.”.
Neni 48
Neni 146 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 146
Data e depozitimit të aplikimit për regjistrimin e një marke është data kur DPPM-ja merr në dorëzim aplikimin me elementet e parashikuara në pikën 4, të nenit 145, të këtij ligji, në të kundërt, data e depozitimit të aplikimit konsiderohet data në të cilën plotësohen kërkesat e pikës 4, të nenit 145, të këtij ligji.”.
Neni 49
Pikat 6 dhe 7, të nenit 150, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“6. Periudha për paraqitjen e plotësimeve mund të zgjatet deri në një muaj shtesë, nëse aplikanti paraqet, me shkrim, një kërkesë dhe paguan tarifën përkatëse.
7. DPPM-ja lëshon dëshminë e depozitimit kur aplikimi plotëson të gjitha kërkesat formale të parashikuara në nenin 145, të këtij ligji, ose kur aplikanti i kryen plotësimet e kërkuara brenda periudhës së parashikuar.”.
Neni 50
Pas nenit 150 shtohet neni 150/a, me këtë përmbajtje:
“Neni 150/a
Ekzaminimi i shkaqeve absolute për refuzim
1. DPPM-ja, brenda tre muajve nga data e depozitimit të aplikimit për regjistrimin e një marke, ekzaminon nëse marka, përveç përmbushjes së kërkesave formale, është në përputhje edhe me kërkesat e neneve 140, pikat 2 e 3, dhe 142, të këtij ligji.
2. Nëse marka nuk është në përputhje me kërkesat e neneve 140, pikat 2 e 3, dhe 142, të këtij ligji, DPPM-ja njofton aplikantin dhe i jep atij mundësinë të parashtrojë, brenda dy muajve nga data e njoftimit, vërejtjet dhe shpjegimet e tij ose të paraqesë dokumente shtesë.
3. Aplikimi refuzohet nëse aplikanti nuk parashtron vërejtjet e tij apo nuk plotëson dokumentacionin brenda afatit kohor ose nëse DPPM-ja vëren se aplikimi nuk është në përputhje me përcaktimet e neneve 140, pikat 2 e 3, dhe 142, të këtij ligji, edhe pas përgjigjes së aplikantit. Ky vendim i njoftohet aplikantit. Vendimi për refuzimin e markës bazuar mbi shkaqet absolute për refuzim merret nga DPPM-ja vetëm pasi është marrë vendimi mbi kërkesat formale.”.
Neni 51
Pika 1, e nenit 151, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. DPPM-ja publikon të dhënat e aplikimit në buletinin e saj nëse është lëshuar dëshmia e depozitimit dhe marka është në përputhje me kërkesat e neneve 140, pikat 2 e 3, dhe 142, të këtij ligji.”.
Neni 52
Në nenin 153 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Bordi i apelimit shqyrton kundërshtimin, brenda një periudhe tremujore nga data e paraqitjes të të gjitha argumenteve, materialeve dhe dokumenteve shtesë nga palët dhe i njofton ato për vendimin e marrë.”.
2. Në pikën 4, fjalët “… për kundërshtimin e paraqitur në bazë të nenit 152, të këtij ligji ,…” shfuqizohen.
Neni 53
Neni 154 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 154
Regjistrimi i markës
1. Nëse pas kalimit të afatit tremujor nga data e publikimit të markës nuk janë depozituar kundërshtime apo kundërshtimet janë refuzuar, DPPM-ja njofton aplikantin të paguajë tarifën e regjistrimit brenda një muaji nga data e marrjes së njoftimit. Pasi aplikanti paguan tarifën e regjistrimit, brenda afatit të caktuar, DPPM-ja regjistron markën në regjistrin e markave dhe lëshon certifikatën e regjistrimit, brenda një periudhe tremujore nga data e kryerjes së pagesës.
2. DPPM-ja refuzon aplikimin nëse aplikanti nuk e paguan tarifën e regjistrimit brenda afatit të caktuar në pikën 1, të këtij neni.
3. Marka e regjistruar publikohet në buletinin e DPPM-së.
4. Të dhënat për certifikatën e regjistrimit dhe për publikimin e markës parashikohen në rregulloren përkatëse.”.
Neni 54
Në nenin 155 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, fjalët “…154, pika 4,…” zëvendësohen me “…150/a, pika 3,…”.
2. Pika 4 shfuqizohet.
3. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Vendimet e bordit të apelimit mund të kundërshtohen në gjykatë brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftimit të këtij vendimi.”.
Neni 55
Në nenin 157, paragrafi i parë numërtohet “1” dhe shtohet pika 2, me këtë përmbajtje:
“2. Marka tregtare nuk i jep të drejtë titullarit të saj të ndalojë palën e tretë të përdorë në tregti një të drejtë të mëparshme, e cila shtrihet në një territor të caktuar, nëse kjo e drejtë njihet nga legjislacioni shqiptar në fuqi dhe brenda territorit të caktuar.”.
Neni 56
Pika 1, e nenit 158, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Marka tregtare nuk i jep të drejtën titullarit të saj të ndalojë përdorimin e markës për produkte të hedhura në qarkullimin civil në territorin e Republikës së Shqipërisë nga mbajtësi i saj apo me pëlqimin e tij.”.
Neni 57
Neni 165 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 165
Objekti i mbrojtjes së markave kolektive
1. Markë kolektive është marka që shërben për të dalluar mallrat ose shërbimet e anëtarëve të një shoqate apo çdo forme tjetër organizimi ligjor, krijuar mes subjekteve tregtare që prodhojnë mallra, ofrojnë shërbime ose tregtojnë mallra ose shërbime të të tjerëve. Ky organizim i subjekteve tregtare është pronari i markës kolektive.
2. Të drejtat që lindin nga një markë kolektive janë të patransferueshme.
3. Parashikimet e këtij ligji për markat tregtare zbatohen gjithashtu për markat kolektive, përveç kur parashikohet ndryshe nga ky nen. Me përjashtim të parashikimeve të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 142, të këtij ligji, shenjat ose treguesit që mund të shërbejnë në treg për të treguar origjinën gjeografike të mallrave ose shërbimeve, mund të përbëjnë markë kolektive, në kuptim të pikës 1, të këtij neni. Në këtë rast, pronësia mbi një markë kolektive nuk i jep të drejtën pronarit të saj të ndalojë palët e treta të përdorin në treg shenja apo tregues të tillë, me kusht që ato të përdoren në përputhje me parimet e praktikës së ndershme tregtare dhe industriale. Në mënyrë të veçantë, e drejta mbi një markë të tillë kolektive nuk mund të përdoret kundër një pale të tretë që gëzon të drejta mbi një emërtim gjeografik.
4. Aplikanti për një markë kolektive depoziton, së bashku me aplikimin për regjistrimin e një marke kolektive dhe dokumentet e parashikuara nga neni 145, i këtij ligji, edhe rregulloren që parashikon rregullat e përdorimit të markës kolektive. Në rregulloren e përdorimit të markës kolektive duhet të përmenden në mënyrë specifike personat e autorizuar për ta përdorur markën, kushtet e anëtarësimit në bashkimin apo partneritetin ligjor që kërkon regjistrimin e markës dhe, nëse është e mundur, kushtet e përdorimit të markës dhe sanksionet në rast shkeljeje të tyre. Në rastin e markave të përmendura në pikën 2, të këtij neni, rregullorja e përdorimit duhet të autorizojë çdo palë të tretë, mallrat ose shërbimet e të cilit e kanë origjinën në atë zonë të caktuar gjeografike, që të bëhet anëtar i bashkimit apo partneritetit ligjor që është pronar i markës.
5. Përveç shkaqeve të refuzimit të aplikimit për një markë tregtare, të parashikuara nga ky ligj, aplikimi për markë kolektive refuzohet edhe nëse nuk plotësohen kërkesat e këtij neni ose kur rregullat e përdorimit të markës bien në kundërshtim me parimet e njohura të rendit dhe moralit publik. Aplikimi për regjistrimin e një marke kolektive refuzohet gjithashtu nëse ekziston mundësia e keqorientimit të publikut lidhur me karakterin ose domethënien e markës, në mënyrë të veçantë, nëse ka mundësi që ajo të kuptohet si diçka e ndryshme nga një markë kolektive.
6. Aplikimi për regjistrimin e një marke kolektive nuk refuzohet nëse aplikanti, si rezultat i ndryshimeve në rregulloren e përdorimit të markës, arrin të plotësojë kërkesat e pikës 4, të këtij neni. Pronari i një marke kolektive duhet të depozitojë pranë DPPM-së çdo ndryshim të rregullores së përdorimit të markës dhe, nëse këto ndryshime janë në përputhje me kërkesat e këtij neni, DPPM-ja pasqyron ndryshimet në regjistrin e markave. Ndryshimet në rregullat e përdorimit të markës kolektive hyjnë në fuqi në datën e shënimit të tyre në regjistrin e markave.
7. Përveç shkaqeve për shfuqizimin e një marke, të parashikuara në nenet 142 dhe 143, të këtij ligji, një markë kolektive e regjistruar në kundërshtim me parashikimet e pikës 4, të këtij neni, mund të shfuqizohet gjithashtu mbi bazën e një kërkesëpadie drejtuar gjykatës sipas nenit 173, të këtij ligji, ose mbi bazën e një kundërpadie gjatë një procedimi gjyqësor për shkeljen e të drejtave, përveç kur pronari i markës, duke ndryshuar rregullat e përdorimit, arrin të plotësojë kërkesat e neneve të lartpërmendura.”.
Neni 58
Neni 166 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 166
Markat certifikuese
1. Marka certifikuese është marka e cila tregon se mallrat ose shërbimet për të cilat ajo përdoret janë të certifikuara nga pronari i markës për origjinën e tyre, materialin e përdorur, mënyrën e përgatitjes së produktit ose ofrimit të shërbimit, cilësinë, saktësinë dhe për cilësi të tjera. Pronari i markës certifikuese nuk ka të drejtë ta përdorë atë për mallra ose shërbime të cilat ai i hedh në treg. Persona të tjerë mund të përdorin markën certifikuese me autorizim të pronarit të markës dhe nën kontrollin e tij.
2. Dispozitat e këtij ligji që rregullojnë markën tregtare zbatohen edhe për markën certifikuese. Me përjashtim të parashikimeve të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 142, të këtij ligji, shenjat ose treguesit, të cilët mund të shërbejnë në tregti për të përcaktuar origjinën gjeografike të mallrave ose shërbimeve, mund të konsiderohen si markë certifikuese në kuptim të pikës 1, të këtij neni.
3. Aplikanti për një markë certifikuese depoziton, së bashku me aplikimin për regjistrimin e një marke kolektive dhe dokumentet e parashikuara nga neni 145, i këtij ligji, edhe rregulloren që parashikon rregullat e përdorimit të markës certifikuese. Rregullorja përmban karakteristikat që certifikohen nga marka, mënyrën e testimit të këtyre karakteristikave, masat e kontrollit që ndërmerren nga pronari dhe sanksionet që ai vendos.”.
Neni 59
Kreu XXVII, “Ushtrimi i të drejtave”, shfuqizohet.
Neni 60
Në nenin 173 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Gjykata, me kërkesë të personit të interesuar, shfuqizon markën e regjistruar nëse:
a) është regjistruar në kundërshtim me kërkesat e neneve 142 e 143, të këtij ligji, në kohën kur është depozituar aplikimi për regjistrim;
b) aplikimi për regjistrimin e markës është bërë në keqbesim.”.
2. Në fund të pikës 3 shtohet fjalia e dytë, me këtë përmbajtje:
“Nëse marka tregtare e mëparshme është përdorur vetëm për një pjesë të produkteve apo shërbimeve, për të cilat është regjistruar, konsiderohet se ajo është regjistruar vetëm për këtë pjesë produktesh apo shërbimesh.”.
Neni 61
Në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 174, pas fjalëve “… pronari i saj …” shtohen “…, pa pasur arsye legjitime ,…”.
Neni 62
Në nenin 177 bëhen këto shtesa:
1. Në pikën 1, pas fjalëve “… Çdo person …” shtohen “… ose grup personash, fizikë ose juridikë ,…”.
2. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Autoriteti përkatës për produktet bujqësore dhe ushqimore, në kuptim të pikës 2, të këtij neni, është Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ose çdo organizëm kompetent në këtë fushë, i autorizuar për këtë qëllim nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.”.
Neni 63
Pas pikës 2, të nenit 181, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. E drejta për të përdorur treguesin gjeografik të regjistruar mund të rinovohet pa kufizim çdo pesë vjet me kërkesë të mbajtësit të së drejtës në DPPM. Përmbajtja dhe forma e kërkesës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, të nxjerrë në zbatim të këtij ligji.”.
Neni 64
Neni 184 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 184
Aktet që përbëjnë shkelje të të drejtave
1. Veprimet e kryera nga çdo person në kundërshtim me nenet 36, 37, pika, 1, 47 e 48, të këtij ligji, për një shpikje, e cila mbrohet nga një patentë ose nga një aplikim për patentë, përbëjnë shkelje të të drejtave të patentës. Kur objekti i një patente është një proces për sigurimin e një produkti, konsiderohet se çdo produkt, me të njëjtat karakteristika, është prodhuar, duke përdorur procesin e patentuar, me përjashtim të rastit kur provohet e kundërta. Gjatë gjykimit për të provuar të kundërtën, interesat e të paditurit merren parasysh me qëllim që të mbrohet procesi prodhues ose sekreti tregtar. Në rastin e sekretit tregtar, DPPM-ja zbaton legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e sekretit tregtar gjatë procedurave të shfuqizimit ose të heqjes dorë.
2. Përbën shkelje të së drejtës, sipas rastit, çdo përdorim, kufizim, imitim ose bashkëshoqërim i paautorizuar i disenjos së regjistruar, markës apo treguesit gjeografik si dhe çdo veprim tjetër që cenon të drejtat e pronarit sipas neneve 127, 156 dhe 178, të këtij ligji. I njëjti rregull zbatohet edhe për disenjon, markën apo treguesin gjeografik të depozituar në DPPM, për të cilin është bërë kërkesë për regjistrim, sipas këtij ligji.”.
Neni 65
Pas nenit 184 shtohen nenet 184/a, 184/b dhe 184/c, me këtë përmbajtje:
“Neni 184/a
E drejta për të vepruar kundër shkeljes të të drejtave
1. E drejta për të ngritur padi në gjykatë për shkelje të të drejtave sipas këtij ligji i përket:
a) pronarit të një patente, disenjoje ose markë të regjistruar;
b) përdoruesit të autorizuar të një marke kolektive ose treguesi gjeografik;
c) mbajtësit të një licence ekskluzive për një patentë ose aplikimi për patentë në përputhje me kreun XXX, si dhe mbajtësit të një licence për një disenjo industriale ose marke në përputhje me nenet 129 dhe 163, të këtij ligji;
ç) pronarit të një marke të mirënjohur në Republikën e Shqipërisë në kuptim të nenit 6 bis të Konventës së Parisit, në përputhje me shkronjën “ç”, të pikës 5, të nenit 143, të këtij ligji.
2. Pronari i një patente ose i një aplikimi për patentë ka të drejtë të ngrejë padi në gjykatë kundër çdo personi, që ka shkelur, po shkel ose rrezikon të shkelë të drejtat mbi patentën. Megjithatë, gjykata mund të mos vendosë në themel për çështjen, derisa të publikohet patenta e dhënë.
3. Kur i licencuari ka një licencë ekskluzive mbi një patentë ose aplikim për patentë, ai ka të drejtë të fillojë proces gjyqësor, nëse pronari i patentës ose i aplikimit për patentë, pas njoftimit zyrtar nga i licencuari, nuk fillon procesin gjyqësor kundër shkeljeve, brenda një periudhe të arsyeshme kohe. Nëse licenca e patentës është joekskluzive, i licencuari mund të fillojë procesin gjyqësor kundër shkeljes vetëm nëse pronari i saj ose aplikanti për patentë jep pëlqimin. Pronari i patentës ose aplikanti për patentë ka të drejtë të marrë pjesë në procesin gjyqësor kundër shkeljes së filluar nga i licencuari. Në rastin kur gjykimi ndaj shkeljeve fillohet nga pronari i patentës, i licencuari ka të drejtë të marrë pjesë në gjykim si person i tretë.
Neni 184/b
Procedurat në rast shkeljeje
1. Personat e përmendur në nenin 184/a, të këtij neni, kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatës kundër çdo personi, që shkel të drejtat e tyre për të kërkuar:
a) ndalimin e veprimeve të mëtejshme që përbëjnë shkelje të të drejtave;
b) heqjen ose bllokimin e objekteve, që përbëjnë shkelje të të drejtave nga qarkullimi civil ose shkatërrimin e këtyre objekteve;
c) heqjen ose bllokimin e mjeteve të përdorura ekskluzivisht ose pothuajse ekskluzivisht për krijimin apo prodhimin e produkteve, që përbëjnë shkelje ose shkatërrimin e tyre;
ç) publikimin e vendimit përfundimtar të gjykatës në median publike me shpenzimet e personit që ka kryer shkeljen, sipas mënyrës së parashikuar nga gjykata.
2. Gjykata urdhëron zbatimin e masave të parashikuara në pikën 1, shkronjat “b” dhe “c”, të këtij neni, me shpenzimet e shkelësit, përveç kur ka arsye të veçanta për të vendosur ndryshe. Në shqyrtimin e kërkesës për marrjen e masave të parashikuara në pikën 1, shkronjat “b” dhe “c”, gjykata vlerëson proporcionalitetin midis rëndësisë së shkeljes dhe masës së urdhëruar si dhe interesat e palëve të treta.
3. Masa e parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, mund të merret edhe ndaj një ndërmjetësi, shërbimet e të cilit përdoren nga një palë e tretë për të shkelur një të drejtë të pronësisë industriale.
4. Padia kundër shkeljes të të drejtave duhet të depozitohet në gjykatë, brenda tre vjetëve nga data kur paditësi merr dijeni për shkeljen dhe shkelësin.
Neni 184/c
Shpërblimi i dëmeve
Shkelësi është përgjegjës për të gjitha dëmet që i janë shkaktuar paditësit. Gjykata, në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi, vendos për masën e dëmshpërblimit, përveç kur është parashikuar ndryshe. Gjykata, në caktimin e masës së dëmshpërblimit:
a) mban parasysh të gjitha aspektet përkatëse, si pasojat negative ekonomike, përfshirë fitimin e munguar, që ka pësuar pala e dëmtuar, çdo fitim të padrejtë, të realizuar nga shkelësi dhe, sipas rastit, elemente të tjera, përveç faktorëve ekonomikë, si dëmi moral shkaktuar mbajtësit të të drejtave nga shkelja;
b) sipas rastit, mund të vendosë kompensimin e dëmeve me shuma të menjëhershme, në bazë të elementeve, me shuma të të ardhurave ose tarifave, që do të siguroheshin ose do të merreshin në rast se shkelësi do të kishte kërkuar autorizim për përdorimin e së drejtës së pronësisë industriale në fjalë.”.
Neni 66
Paragrafi i parë, i pikës 1, të nenit 185, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Gjatë procesit të shqyrtimit të shkeljes të të drejtave për një të drejtë të pronësisë industriale dhe në bazë të një kërkese të justifikuar e proporcionale të kërkuesit, gjykata mund të urdhërojë që informacioni për origjinën dhe rrjetin shpërndarës të mallrave ose shërbimeve, që cenojnë të drejtën e pronësisë industriale, të jepet apo të sigurohet nga shkelësi dhe/ose çdo person tjetër për të cilin:”.
Neni 67
Pas pikës 2, të nenit 186, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Gjykata mund të urdhërojë kontrollin e ndërtesave dhe ruajtjen e provave, që janë ose mund të jenë të rëndësishme për gjykimet në proces apo të ardhshme. Me urdhër mund të kërkohet hyrja e personit të përcaktuar në urdhër ose të sigurohet që ky i fundit, në vijim i quajtur “përmbarues”, të lejohet të hyjë në ndërtesat tregtare të çdo pale shkelëse. Në përputhje me afatet e urdhrit, përmbaruesi, në lidhje me mallrat, materialet apo mjetet e përshkruara në urdhër, mund:
a) të kontrollojë ndërtesat;
b) t’i kërkojë artikuj;
c) të bëjë ose të marrë një kopje, fotografi, mostra apo të dhëna të tjera të këtyre artikujve;
ç) të kërkojë çdo informacion ose artikull, si dhe të mbajë në
ruajtje çdo gjë që përshkruhet në urdhër.”.
Neni 68
Në nenin 187 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Titulli i nenit bëhet “Masat e përkohshme”.
2. Shkronja “a”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) është pronar, sipas parashikimit të këtij ligji dhe gëzon të drejtat e përcaktuara në nenet 36, 127, 156 dhe 178, të këtij ligji;”.
3. Pikat 4 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“4. Kur vendos për marrjen e masave të përkohshme, gjykata cakton një afat, brenda të cilit personi që ka kërkuar këto masa duhet të ngrejë padi në gjykatë, në përputhje me nenin 184/b, të këtij ligji. Afati fillon nga data e vendosjes së masave të përkohshme dhe mbaron jo më vonë 15 ditë pas kësaj date. Nëse paditësi, që kërkon marrjen e masave të përkohshme, nuk ngre padinë brenda këtij kufiri kohor, gjykata, me kërkesë të të paditurit dhe pa cenuar dëmshpërblimet që pretendohen, i revokon ato.
5. Masat e përkohshme, të përmendura në shkronjat “a” e “b”, të pikës 2, të këtij neni, mund të jepen kundër shkelësit të pretenduar të së drejtës së pronësisë industriale, si dhe në kushte të njëjta kundër ndërmjetësit, shërbimet e të cilit janë përdorur nga pala e tretë për të cenuar këtë të drejtë.”.
4. Pas pikës 6 shtohet pika 7, me këtë përmbajtje:
“7. Nëse masat e përkohshme të parashikuara nga ky nen revokohen ose nëse ato bëhen të pavlefshme për shkak të një veprimi a mosveprimi të paditësit apo nëse gjykata gjen që nuk ka shkelje ose rrezik shkeljeje të të drejtave që burojnë nga e drejta e pronësisë industriale, gjykata urdhëron paditësin, me kërkesën e të paditurit, t’i ofrojë këtij të fundit shpërblim të përshtatshëm për çdo dëm të shkaktuar nga masat.”.
Neni 69
Neni 188 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 188
Masat në kufirin e vendit dhe në tregun e brendshëm
1. Nëse pronarët ose mbajtësit e të drejtave, në kuptim të këtij ligji, të një patente, disenjoje ose marke të regjistruar ose përdoruesit e autorizuar të treguesit gjeografik të regjistruar paraqesin një kërkesankesë për mallrat e importuara në Republikën e Shqipërisë ose për mallrat e tjera brenda tregut, të cilat cenojnë të drejtat e tyre, të parashikuara në këtë ligj, autoritetet doganore ose Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, sipas rastit, janë të detyruara të bëjnë verifikimet përkatëse dhe, në bazë të përfundimeve të nxjerra, të vendosin bllokimin e zhdoganimeve ose heqjen e mallrave nga tregu, si dhe vendosjen e tyre në një vend të sigurt, përveç kur importuesi ose tregtari vërteton nëpërmjet dokumenteve të origjinës së mallrave se ato nuk janë të falsifikuara. Autoritetet doganore dhe inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut veprojnë edhe ex officio kur parashikohet nga legjislacioni në fuqi që rregullon aktivitetin e këtyre organeve.
2. Procedurat për veprimet që ndërmarrin autoritetet doganore dhe inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut sipas pikës 1, të këtij neni, rregullohen nga legjislacioni doganor dhe legjislacioni për inspektimet në Republikën e Shqipërisë.
3. Autoritetet doganore ose Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut njoftojnë menjëherë importuesin, pritësin e mallrave ose tregtarin për masat e marra.
4. Autoritetet doganore ose Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut i ndërpresin masat e marra sipas pikës 1, të këtij neni, nëse pronarët ose mbajtësit e të drejtave, në kuptim të këtij ligji, të një patente, disenjoje ose marke të regjistruar apo përdoruesit e autorizuar të treguesit gjeografik të regjistruar nuk ngrenë padi në gjykatë për shkeljen e të drejtave të tyre brenda 20 ditëve (ditë pune) nga data e njoftimit të marrjes së masave.”.
Neni 70
Pas nenit 188 shtohet neni 188/a, me këtë përmbajtje:
“Neni 188/a
Deklarata për mosshkelje të së drejtës së patentës
1. Çdo person i interesuar mund të ngrejë padi kundër pronarit të patentës për të provuar se një veprim i veçantë nuk përbën shkelje të patentës. I licencuari i një licence ekskluzive duhet të thirret në gjykatë si i paditur së bashku me pronarin e patentës.
2. Pronari i patentës ka detyrë të njoftojë të licencuarin për gjykimin në fjalë. I licencuari ka të drejtë të marrë pjesë në gjykim, me cilësinë e personit të tretë, përveç kur parashikohet ndryshe në marrëveshjen e licencimit.
3. Nëse është ngritur një padi për shkelje të një patente nga pronari ose i licencuari i saj kundër një personi, ky i fundit ka të drejtë të ngrejë kundërpadi për të provuar se veprimi i tij nuk përbën shkelje të patentës.
4. Kërkesëpadia e lartpërmendur mund të paraqitet së bashku me kërkesën për shfuqizimin e patentës.”.
Neni 71
Neni 197 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 197
Përfaqësuesit e autorizuar të patentave dhe markave
1. Përfaqësues i autorizuar i patentave mund të jetë:
a) çdo person me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, i cili ka përfunduar studimet universitare në fushën
e inxhinierisë ose në fushën e shkencave natyrore dhe ka kaluar testimin për kualifikimin e përfaqësuesve të autorizuar; ose
b) çdo person me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, i cili ka përfunduar studimet universitare në një fushë tjetër, por që ka jo më pak se 5 vjet përvojë pune në veprimtaritë e fushës së pronësisë industriale dhe ka kaluar testimin për kualifikimin e përfaqësuesve të autorizuar të patentave. Veprimtari në fushën e pronësisë industriale vlerësohet çdo veprimtari pranë një përfaqësuesi profesionist të regjistruar në DPPM;
c) çdo ish-punonjës i DPPM-së që ka jo më pak se 3 vjet përvojë pune pranë DPPM-së.
2. Përfaqësuesi i autorizuar i markave mund të jetë:
a) çdo person me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, i cili ka përfunduar studimet universitare dhe ka kaluar testimin për kualifikimin e përfaqësuesve të autorizuar të markave në DPPM;
b) çdo ish-punonjës i DPPM-së që ka jo më pak se 3 vjet përvojë pune pranë DPPM-së.”.
Neni 72
Neni 202 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 202
Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 1 muaji nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve, 24, 35, 87/d, 87/ë dhe 181, të tij.”.
Neni 73
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
VENDIM
PËR
PROPOZIMIN e PROJeKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA Në LIGJIN NR.9482, DATË 3.4.2006, “PËR LEGALIZIMIN, URBANIZIMIN DHE INTEGRIMIN E NDËRTIMEVE PA LEJE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
—
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9482, DATË 3.4.2006, “PËR LEGALIZIMIN, URBANIZIMIN DHE INTEGRIMIN E NDËRTIMEVE PA LEJE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Neni 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Ky ligj zbatohet për objektet e ndërtuara pa leje deri më 15.1.2009, pavarësisht nëse ato kanë funksion banimi, veprimtarie ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore, të ndërtuara dhe që disponohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar. Këtu përfshihen dhe ndërtimet pa leje, për të cilat subjektet nuk kanë kryer procedurën e vetëdeklarimit për legalizim, sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj.
2. Fusha e zbatimit të këtij ligji shtrihet edhe për ndërtimet pa leje të ngritura pas datës së përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, me kushtin që ato të jenë të ngritura në truall në pronësi të personit posedues të ndërtimit pa leje, si dhe procedura e legalizimit të mos kërkojë kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin.
3. Objektet ndihmëse në shërbim të ndërtimeve pa leje legalizohen vetëm në qoftë se janë ngritur brenda sipërfaqes së parcelës ndërtimore.
4. Fusha e zbatimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet pa leje të ngritura mbi troje private të të tretëve, kur planet e përgjithshme vendore/planet e detajuara vendore parashikojnë ndërtime mbi 5 (pesë) kate nga niveli zero.
5. Të gjitha ndërtimet e tjera pa leje, të cilat nuk u përgjigjen kushteve të përcaktuara në pikat 1, 2 dhe 3 të këtij neni, prishen sipas ligjit nr.9780, datë 6.7.2007, “Për inspektimin e ndërtimit.”.
Neni 2
Shkronja “a”, e nenit 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ a) “Ndërtim pa leje” është objekti për të cilin është përfunduar karabinaja, i destinuar për banim, veprimtari ekonomike dhe/ose funksione të tjera, si, për shembull, social-kulturor, arsim, shëndetësi e të tjera të këtij lloji, për të cilin nuk janë respektuar procedurat e përcaktuara në kuadrin ligjor në fuqi, për planifikimin e territorit.”.
Neni 3
Neni 15 shfuqizohet.
Neni 4
Neni 15/1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 15/1
Kompensimi i pronarëve mbi sipërfaqet takuese pronë private,
që preken nga ndërtimet pa leje
1. Kur parcela ndërtimore e objektit pa leje, është e regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në emër të subjekteve pronarë joposedues të ndërtimit, Këshilli i Ministrave miraton me vendim kompensimin mbi sipërfaqet takuese, pronë private, që preken nga objekti.
2. Në rastet kur parcela ndërtimore objekt kompensimi rezulton në pronësi të njësive të qeverisjes vendore, transferuar sipas përcaktimeve të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, ALUIZNI, përpara se të kryejë procedurat e kalimit të pronësisë dhe kompensimit, kërkon miratimin e njësisë së qeverisjes vendore përkatëse.
3. Për efekt të përllogaritjes së masës së shpërblimit, sipërfaqja trajtohet si truall, sipas çmimit të përcaktuar në bazë të vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Shpërndarja e fondit të shpërblimit kryhet në përputhje me ligjin nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, të ndryshuar.”.
Neni 5
Neni 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 17
Kalimi i së drejtës së pronësisë dhe mënyra e pagesës së parcelës ndërtimore
1. Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë, si rregull, nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit pa leje. Sipërfaqet mbi masën e përcaktuar në këtë pikë, të cilat për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm nëse ka shprehur më parë vullnetin, nëpërmjet një kërkese me shkrim.
Këshilli i Ministrave miraton listën e poseduesve të objekteve pa leje dhe sipërfaqet e parcelave ndërtimore, për të cilat ngarkon ALUIZNI-n të lidhë kontratën e kalimit të së drejtës së pronësisë.
2. Çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion social – ekonomik është ai i përcaktuar në bazë të vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Funksioni ndërtimit pa leje përcaktohet sipas evidentimit në terren nga institucioni që kryen këto procedura.
4. Pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare dhe me bono privatizimi. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë.
Bonot e privatizimit, të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit.
5. Vlera e parcelës ndërtimore që i shitet poseduesit të ndërtimit pa leje paguhet menjëherë në momentin e njoftimit me shkrim nga ALUIZNI, duke përfituar reduktim të vlerës.
Për ndërtimet pa leje me funksion banimi, kur subjekti është në kushtet e paaftësisë paguese, Këshilli i Ministrave, në varësi të rasteve të deklaruara, përcakton mënyrat alternative dhe procedurat për shlyerjen e vlerës së parcelës.
6. Çmimi favorizues i shitjes së parcelës ndërtimore, për ndërtimet pa leje me funksion banimi dhe të përzier (social – ekonomik dhe banimi), kategoritë e subjekteve që përfitojnë falje të pagesës, përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit dhe rregullat e hollësishme për mënyrën, llogaritjen e afateve të pagimit e reduktimin e vlerës së parcelës ndërtimore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 6
Nenet 17/1, 18,19, 20, 21 dhe 22 shfuqizohen.
Neni 7
Neni 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 23
Taksa e ndikimit në infrastrukturë
Taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë llogaritet dhe arkëtohet nga njësitë e qeverisje vendore, në përputhje me pikën 2/1, të nenit 27, të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.”.
Neni 8
Neni 25 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 25
Rastet kur subjekti posedon më shumë se një ndërtim pa leje
Kur një subjekt posedon më shumë se një ndërtim pa leje, atëherë ai do të përfitojë kalimin e së drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore dhe legalizimin sipas çmimit, taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe tarifës së shërbimit të legalizimit, për ndërtimin me sipërfaqe më të vogël.
Për ndërtimet e tjera zbatohet çmimi i përcaktuar në bazë të hartës së vlerës së tokës, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, taksa e ndikimit në infrastrukturë sipas masës në fuqi dhe tarifa e shërbimit, pavarësisht nga kategorizimi i funksionit të objekteve apo sipërfaqja e parcelës ndërtimore.”.
Neni 9
Në nenin 27 bëhen këto ndryshime:
1. Në shkronjën “a” fjalët “… të lëshuar nga njësia e qeverisjes vendore …” shfuqizohet.
2. Në fund të shkronjës “d” shtohet fjalia:
“Për shtesat e realizuara në ndërtime para vitit 1993, vërtetimin ose certifikatën e pronësisë, për ndërtimin kryesor, apartamenti/njësia e shërbimit;
3. Shkronjat “e” dhe “f” shfuqizohen.
4. Paragrafi i fundit i nenit 27 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Poseduesi i ndërtimit pa leje, për dokumentacionin e mësipërm, paguan tarifën e shërbimit. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm për ndërtimet me funksion banimi, për të cilat vlera e tarifës së shërbimit përballohet nga buxheti i shtetit.”.
Neni 10
Në nenin 28 fjalët “… paraqitja e kërkesës …” zëvendësohen me “… nga përfundimi i procedurave administrative …”.
Neni 11
Neni 29 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 29
Dokumentacioni për regjistrimin e objektit në ZRPP
Leja e legalizimit dhe dokumentacioni shoqërues përcillen nga ALUIZNI për regjistrim sipas përcaktimeve të nenit 49, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.”.
Neni 12
Në nenin 30 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Pika 2/1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2/1. Përcaktimet e këtij neni zbatohen edhe në rastin kur subjekti apo njëri prej subjekteve që disponojnë ndërtimin me funksion banimi nuk shlyejnë detyrimet financiare të parashikuara në ligj për vlerën e parcelës ndërtimore/objektit pa leje. Në këtë rast, për pasurinë/pjesën takuese të subjektit debitor, regjistrimi bëhet sipas shkronjës “a”, të nenit 54, “Regjistrimi i hipotekës ligjore”, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.”.
2. Në fund të nenit shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
“Rregullat e hollësishme, kufizimet dhe procedurat që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 13
Neni 32 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 32
Ndarja e të ardhurave të arkëtuara nga legalizimi i ndërtimeve pa leje
1. Të ardhurat e arkëtuara nga kalimi i të drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore ndahen:
a) 70 për qind në fondin e kompensimit të pronave, sipas përcaktimeve të ligjit nr.10239 datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, të ndryshuar;
b) 30 për qind në buxhetin e shtetit, për përballimin e shpenzimeve të tarifës së shërbimit, për evidentimin në terren dhe përgatitjen e dokumentacionit për legalizimin e ndërtimeve pa leje me funksion banimi.
2. Të ardhurat e arkëtuara nga pagesa e tarifës së shërbimit për ndërtimet pa leje me funksion social – ekonomik, si dhe çdo penalitet tjetër, i cili shoqëron procesin e legalizimit përdoren nga ALUIZNI në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. Mënyra e mbledhjes së këtyre të ardhurave, vlera e tarifës së shërbimit dhe administrimi i saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 14
Neni 33 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 33
Dispozitë detyruese
Mosplotësimi nga subjekti i dokumentacionit respektiv, sipas përcaktimeve të këtij ligji, sjell përjashtimin nga procesi i legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të ndërtimeve informale.”.
Neni 15
Në nenin 34 emërtesa “Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave” zëvendësohet me “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”.
Neni 16
Në fjalinë e parë të nenit 35, fjalët “… në pikën 4 …” zëvendësohen me “… në pikën 3 …”.
Neni 17
Pas nenit 36 shtohet neni 36/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 36/1
Rregullim i veçantë për shtesat anësore /shtesa kati dhe
plotësimi i bazës së të dhënave
Në rastin e objekteve me leje ndërtimi, apo të ngritura përpara vitit 1993, tek të cilat janë kryer shtesa anësore/ shtesa kati, përfshirja në procesin e legalizimit të subjekteve posedues të tyre, bëhet me kërkesë, me kushtin që njëri nga subjektet posedues të ketë aplikuar për legalizim, në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara në këtë ligj.”.
Neni 18
Neni 38/1, ndryshohet si më poshtë vijon:
“Neni 38/1
Legalizimi i ndërtimeve pa leje të ngritura brenda vijës
turistike të miratuar
Ndërtimet pa leje të ngritura brenda kufirit të vijës turistike u nënshtrohen procedurave të parashikuara në këtë ligj, sipas kritereve të përcaktuara në instrumentet e planifikimit, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi, për planifikimin e territorit.”.
Neni 19
Neni 39 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 39
Përjashtimi nga legalizimi
Ndërtimet pa leje dhe shtesat anësore/në lartësi në ndërtimet me leje, që cenojnë veprat kryesore të infrastrukturës publike, akset rrugore kombëtare, sipas distancave të përcaktuara në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në aktet nënligjore, territorin e institucioneve publike, integritetin e monumenteve të kultures, nuk legalizohen.
Këshilli i Ministrave përcakton kriteret, procedurat dhe dokumentacionin e zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore/në lartësi në ndërtimet me leje, që legalizohen ose jo.”.
Neni 20
Neni 41 shfuqizohet.
Neni 21
Neni 43 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 43
Penalitetet për legalizimin e shtesave të subjektit ndërtues
1. Subjektet, shoqëri ndërtuese/investitorë, që kanë kryer shtesa anësore apo në lartësi tej lejes së ndërtimit, me qëllim kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien, paguajnë për efekt të legalizimit për llogari të ALUIZNI-t, këto penalitete:
a) 4 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe banimi;
b) 5 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe që shfrytëzohet për veprimtari social-ekonomike;
c) 10 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe që është bërë ndryshim destinacioni.
2. Çmimi minimal fiskal dhe vlera e tregut, në kuptim vetëm të pikës 1, të këtij neni, janë parashikuar në tabelat e marrëveshjes, ndërmjet Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nr.2116, datë 25.5.2004, dhe udhëzimit të Tatim-Taksave nr.2116/3, datë 14.12.2004.”.
Neni 22
Pas nenit 43 shtohet neni 43/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 43/1
1. Për rastin e parashikuar në pikën 1, të nenit 43, kur procedura e aplikimit për legalizim është kryer nga ana e blerësit të shtesës anësore apo në lartësi, legalizimi kryhet në favor të këtij të fundit.
2. Kur subjektet ndërtues janë në kushtet e shkronjës “c”, të nenit 99, të ligjit nr.9901 datë 14.4.2008, “Për shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, procedurat për dhënien e lejes së legalizimit vijojnë me poseduesit e shtesës anësore apo në lartësi.”.
Neni 23
Neni 45/1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 45/1
Dispozita kalimtare
1. Për ndërtimet pa leje të ngritura sipas përcaktimeve të pikave 1 dhe 2, të nenit 2, të këtij ligji, ALUIZNI kyen evidentimin faktik të situatës ndërtimore në terren. Në funksion të kësaj procedure përdoret harta vektor dhe ortofoto e përftuar nga imazhi satelitor, që disponohet nga autoriteti shtetëror përgjegjës.
Rregullat e hollësishme sipas pikës 1 të këtij neni, si dhe përcaktimi i periudhës kohore brenda së cilës janë ndërtuar objekte pa leje, bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
2. Vetëdeklarimet për legalizim, të bëra pranë njësive të qeverisjes vendore, sipas nenit 7, të këtij ligji, përfshirë dhe ato që kanë mangësi në elementet e formës, si dhe kërkesat për legalizim të depozituara sipas ligjit nr.141/2013, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, konsiderohen të mirëqena.”.
Neni 24
Pika 1, e nenit 46, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në përputhje me nenet 4, 15/1, 17, pika 6, 28, 30, 32, 34, 39, 45 dhe 45/1”.
Neni 25
Kudo në ligj, shkurtesa e emërtesës “KRTRRSH” zëvendësohet me “KKT”, fjalët “… vijë e verdhë …” zëvëndësohen me “… brenda territorit administrativ të njësisë së qeverisjes vendore …”, si dhe shkurtimi i emërtesës “KRRT” zëvendësohet me fjalët “… autoriteti vendor i planifikimit …”.
Neni 26
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META