Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e datës 19 mars 2014
V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 9572, DATË 3.7.2006, “PËR AUTORITETIN E MBIKQYRJES FINANCIARE””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9572, datë 3.7.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
P R O J E K T L I GJ
PËR
disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9572, datë 3.7.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9572, datë 3.7.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 3 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Paragrafi i parë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Autoriteti është person juridik publik i pavarur me qendër në Tiranë.”
2. Pas paragrafit të parë shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
“Autoriteti, brenda kompetencave të përcaktuara në këtë ligj, është i pavarur nga çdo pushtet tjetër dhe çdo person juridik apo fizik për ushtrimin e detyrave të ngarkuara dhe realizimin e veprimtarisë së tij. Cilido prej tyre është i detyruar të respektojë pavarësinë e Autoritetit, duke mos ndërhyrë apo penguar veprimtarinë e tij.”.
Neni 2
Në nenin 5 bëhen këto ndryshime:
1. Në paragrafin e parë, të pikës 3, fjalët “… me përvojë të paktën 3-vjeçare …” zëvendësohen me “… me përvojë profesionale të paktën 10-vjeçare, nga e cila, të paktën, 5 vjet …”.
2. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Në përmbushje të kërkesave dhe dispozitave ligjore për konfliktin e interesave.”.
Neni 3
Në nenin 6 fjalitë në vijim shfuqizohen:
“Në rastin e nënkryetarëve, në propozim përcaktohet edhe departamenti që do të drejtojë secili prej tyre.
Kuvendi, me vendimin e emërimit të secilit prej nënkryetarëve, përcakton edhe departamentin që do të drejtojë secili prej tyre.”.
Neni 4
Në nenin 7 bëhen këto ndryshime:
1. Paragrafi i dytë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Kryetari, nënkryetarët dhe anëtarët e Bordit kanë vetëm një të drejtë rizgjedhjeje.”.
2. Në paragrafin e tretë, përcaktimi “… periudhë dyvjeçare …” zëvendësohet me “… periudhë njëvjeçare …”.
3. Pas fjalisë së parë të paragrafit të katërt shtohen fjalitë, si më poshtë vijon:
“Në rast punësimi, kur paga që marrin është më e vogël se ajo e parashikuar në këtë paragraf, ata kompensohen deri në, por në asnjë rast mbi, nivelin e pagës së muajit të fundit të përftuar gjatë detyrës, brenda një viti nga dorëzimi i detyrës. Pagesat e kryera në favor të kryetarit dhe të nënkryetarëve, sipas përcaktimeve të këtij paragrafi, përballohen nga Autoriteti dhe parashikohen si pjesë e buxhetit të Autoritetit.”.
Neni 5
Neni 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 9
Struktura organizative, pagat dhe trajtimet e tjera të Autoritetit
Bordi përcakton strukturën organizative të Autoritetit, numrin e punonjësve, pagën, shpërblimet dhe trajtimet financiare të kryetarit, nënkryetarëve, punonjësve, si dhe pagesën mujore të anëtarëve joekzekutivë të Bordit. Trajtimet financiare përfshijnë mbulimin e shpenzimeve të kryera në përmbushje të detyrës, pagesat për trajnimet profesionale, për sigurimin e jetës dhe të shëndetit e të tjera të ngjashme. Bordi, në përcaktimin e masës së pagës, shpërblimeve dhe trajtimeve financiare apo jofinanciare të administratës, bazohet në përvojat e autoriteteve të tjera që kryejnë aktivitetin e rregullatorit financiar në Shqipëri dhe në nevojat e vetë institucionit.
Autoriteti mund të krijojë një plan të pensionit profesional për punëmarrësit e tij, si dhe të kontribuojë në emër e në favor të administratës së tij.
Përcaktimet e bëra në dispozitat e ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, dhe çdo përcaktim tjetër ligjor, si edhe përcaktimet e akteve nënligjore në fuqi për zbatimin e këtyre dispozitave, që bien në kundërshtim me këtë nen, nuk zbatohen për Autoritetin.”.
Neni 6
Neni 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 14
Kompetencat e Bordit
Bordi ushtron në mënyrë të pavarur këto kompetenca:
1. Miraton politikat e licencimit, të rregullimit dhe të mbikëqyrjes, për të nxitur zhvillimin e tregjeve financiare që mbikëqyren nga Autoriteti, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi.
2. Miraton rregullat, rregulloret, vendimet dhe udhëzimet për mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve e personave që ushtrojnë veprimtari në tregjet financiare që mbikëqyren nga Autoriteti, si dhe udhëzues për interpretimin dhe zbatimin e ligjeve, sipas përcaktimeve të këtij ligji e të legjislacionit në fuqi.
3. Miraton të gjitha raportet që dërgon Autoriteti në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
4. Miraton, refuzon, pezullon apo heq licencat ose autorizimet për ushtrimin e veprimtarisë së subjekteve në tregjet financiare që mbikëqyren, si dhe rregullat përkatëse, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi.
5. Miraton ekspertin kontabël ose shoqërinë audituese për subjektet e mbikëqyrura.
6. Miraton standarde kontabël dhe format e raportimit financiar, të detyrueshme për t’u zbatuar nga subjektet e mbikëqyrura.
7. Miraton kodin e etikës, rregulloren e funksionimit të Bordit dhe rregulloret për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit, që nxirren në zbatim të këtij ligji.
8. Miraton strategjitë, politikat dhe rregulloret e administrimit të përgjithshëm të Autoritetit, politikën e investimit në depozitat bankare apo në titujt e qeverisë së Republikës së Shqipërisë, si dhe përcakton mënyrat dhe procedurat e përdorimit të mjeteve financiare për realizimin e veprimtarisë së Autoritetit.
9. Miraton rregulloren për krijimin, investimin dhe përdorimin e fondit të rezervës së Autoritetit.
10. Miraton strukturën organizative të Autoritetit dhe numrin e punonjësve, si dhe ndarjen e detyrave e kompetencat e nënkryetarëve.
11. Miraton pagën, shpërblimet dhe trajtimet financiare për kryetarin, nënkryetarët dhe punonjësit e Autoritetit, si dhe pagesën mujore për anëtarët joekzekutivë të Bordit.
12. Miraton politikën e burimeve njerëzore dhe rregullat e punësimit.
13. Miraton rregullat për përcaktimin e elementeve të përllogaritjes dhe nivelet e tarifave që u ngarkohen subjekteve të mbikëqyrura, si dhe procedurat e arkëtimit dhe rakordimit të tyre.
14. Miraton buxhetin e Autoritetit, llojet e shpenzimeve, si dhe alokimet e përdorimin e fondit të rezervës.
15. Miraton pasqyrat financiare të Autoritetit.
16. Emëron drejtuesin e njësisë së auditimit të brendshëm dhe miraton ekspertin kontabël ose shoqërinë audituese të Autoritetit.
17. Vendos për blerjen e shërbimit të këshillimit nga ekspertë të fushës.
18. Miraton nënshkrimin e memorandumeve të mirëkuptimit, të marrëveshjeve të shkëmbimit të informacionit me autoritete të tjera brenda dhe jashtë vendit.
19. Miraton raportin vjetor të veprimtarisë së Autoritetit për vitin e mëparshëm, i cili paraqitet në Kuvend në muajin prill të çdo viti, së bashku me pasqyrat financiare të audituara.
20. Miraton raportin e mbikëqyrjes, ku paraqitet gjendja dhe perspektiva e tregjeve që mbikëqyren, i cili botohet në muajin korrik të çdo viti.
21. Vendos për masat e mbikëqyrjes dhe sanksionet ndaj subjekteve të mbikëqyrura.
22. Ushtron çdo kompetencë tjetër dhënë Autoritetit sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi.
Vendimet e marra janë objekt ankimimi në gjykatë.
Vendimet e Bordit arsyetohen dhe publikohen në mënyrën e caktuar prej tij për publikimin e njoftimeve zyrtare.”.
Neni 7
Neni 15 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 15
Kompetencat e kryetarit të Bordit
Kryetari i Bordit ka këto kompetenca:
1. Vepron si drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit.
2. Përfaqëson Autoritetin.
3. Organizon, drejton dhe kontrollon veprimtarinë e Autoritetit.
4. Përgjigjet para Bordit për zbatimin e vendimeve të miratuara.
5. Thërret dhe drejton mbledhjet e Bordit.
6. I propozon Bordit të gjitha çështjet të cilat janë objekt i vendimmarrjes së Bordit.
7. Ngre grupe pune që ta mbështesin gjatë ushtrimit të funksioneve.
8. Nxjerr urdhra dhe udhëzime në funksion të organizimit dhe drejtimit të Autoritetit.
9. Emëron dhe shkarkon punonjësit e Autoritetit.
10. Shkëmben të dhëna me Bankën e Shqipërisë, me institucione e agjenci të tjera qeveritare, me autoritete dhe administrata vendore, me organizata jofitimprurëse, që ushtrojnë veprimtari të lidhura me tregjet financiare që mbikëqyren nga Autoriteti, si dhe me subjektet e mbikëqyrura.
11. Bashkëpunon me Bankën e Shqipërisë për inspektimin në bankat depozitare të veprimtarisë së subjekteve të mbikëqyrura nga Autoriteti.
12. Kërkon nga Banka e Shqipërisë kryerjen e inspektimeve me objekt të caktuar në banka, në përputhje me ligjin nr.9662, datë 8.2.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe vënien në dispozicion të rezultateve të inspektimit.
13. Kryetari ushtron të gjitha kompetencat e tjera të specifikuara në këtë ligj apo në legjislacionin në fuqi.
Kur Kryetari mungon, ose kur për shkaqe të jashtëzakonshme nuk mund të delegojë kryerjen e detyrave apo është në pamundësi për të vepruar, nënkryetari më i vjetër në detyrë drejton autoritetin për të siguruar mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të tij.”.
Neni 8
Neni 16 shfuqizohet.
Neni 9
Në nenin 17 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në fund të paragrafit të parë shtohet fjalia e mëposhtme:
“Bordi miraton rregullat e organizimit dhe të funksionimit të këtyre komiteteve.”.
2. Paragrafët e dytë dhe të tretë shfuqizohen.
Neni 10
Paragrafi i fundit i nenit 18, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Anëtarët e Bordit të Autoritetit dhe nëpunësit e tjerë të administratës së tij nuk mund të jenë individualisht përgjegjës për dëmin që mund t’u shkaktohet personave të mbikëqyrur nga veprimet apo mosveprimet e kryera gjatë ushtrimit të kompetencave dhe detyrave të tyre, në zbatim të këtij ligji apo të legjislacionit në fuqi, me përjashtim të rasteve kur veprimet apo mosveprimet janë kryer në mënyrë të qëllimshme.
Autoriteti dëmshpërblen anëtarët e Bordit dhe nëpunësit e tjerë të administratës së tij për kostot ligjore të lindura gjatë procesit të mbrojtjes prej veprimeve ligjore të ndërmarra kundër tyre për shkak të ushtrimit të funksioneve apo të detyrave të tyre, në zbatim të këtij ligji apo të legjislacionit në fuqi.”.
Neni 11
Pas nenit 18 shtohet neni 18/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 18/1
Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit
1. Autoriteti lidh marrëveshje ose memorandume bashkëpunimi me autoritete të tjera mbikëqyrëse, vendase apo të huaja, me autoritete mbikëqyrëse në sektorin financiar, agjenci apo institucione të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit ose institucione të tjera të njohura me ligj, për të bashkëpunuar, shkëmbyer informacione, apo kryer inspektime të përbashkëta.
2. Autoriteti kryen hetime, në emër dhe për llogari të autoriteteve të tjera mbikëqyrëse vendase apo të huaja, në sektorin financiar të agjencive apo institucioneve të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit ose institucioneve të tjera të njohura me ligj, me kërkesë të tyre.
3. Autoriteti shkëmben me autoritetet dhe institucionet vendase apo të huaja, sipas fushave përkatëse të veprimtarisë,:
a) informacion për subjektet e mbikëqyrura;
b) informacion për lëshimin e licencave;
c) informacion që lidhet me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
ç) informacion që lidhet me mashtrimin gjatë ushtrimit të veprimtarisë në fushat e mbikëqyrura;
d) të dhëna të natyrës financiare;
dh) informacion për personat fizikë, të cilët mbajnë poste me përgjegjësi në këto subjekte.
4. Çdo informacion që merr Autoriteti dhe çdo informacion që i jepet një autoriteti tjetër mbikëqyrës trajtohet si konfidencial dhe përdoret vetëm për qëllime të përcaktuara në ligj apo në akte nënligjore.
5. Autoriteti është përgjegjës për mbledhjen dhe përpunimin e informacionit rreth fakteve dhe rrethanave që lidhen me përmbushjen e detyrave të tij mbikëqyrëse dhe përgjegjësive të përcaktuara në këtë ligj.”.
Neni 12
Paragrafi i dytë i nenit 20 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Marrëdhëniet e punës për punonjësit e Autoritetit rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës, këtij ligji, si dhe akteve të tjera nënligjore të miratuara nga Autoriteti.”.
Neni 13
Neni 21 shfuqizohet.
Neni 14
Neni 26 ndryshohet, si më poshtë vijon:
Neni 26
“Financimi dhe buxheti
Autoriteti është institucion financiarisht i pavarur dhe financohet me burime të veta.
Të ardhurat e Autoritetit krijohen nga:
a) tarifat e mbledhura, në zbatim të këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi;
b) gjobat e vendosura, në zbatim të këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi, përfshi edhe penalitetet e vendosura për pagesat e vonuara të tarifave, të përcaktuara në nenin 27, të këtij ligji;
c) dhënia me qira e ambienteve në pronësi të Autoritetit;
ç) investimi në depozita bankare apo titujt e qeverisë së Republikës së Shqipërisë;
d) burime dhe veprimtari të tjera të lejuara nga ky ligj ose legjislacioni në fuqi.
Të ardhurat e Autoritetit përdoren:
a) për të mbuluar shpenzimet që kryen Autoriteti në përmbushje të përgjegjësive të tij, të përcaktuara në këtë ligj ose në legjislacionin në fuqi;
b) për të kryer investime apo zbatuar projekte në përmbushje të përgjegjësive të tij, të përcaktuara në këtë ligj ose në legjislacionin në fuqi;
c) për të krijuar dhe mbajtur fondin e rezervës. Me “fond rezervë”, për qëllime të këtij ligji, kuptohet fondi në të cilin alokohet diferenca pozitive ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve të vitit ushtrimor dhe që shërben për të mbuluar diferencën negative ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve të vitit ushtrimor. Alokimi i të ardhurave në fondin e rezervës kryhet deri sa ky fond të arrijë nivelin mesatar gjashtëmujor të buxhetit të Autoritetit për tre vitet e fundit.”.
Neni 15
Neni 27 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 27
Përcaktimi i tarifave për subjektet e mbikëqyrura
 Autoriteti mbledh nga subjektet e mbikëqyrura:
1. tarifa për aplikim, dhënie e rinovime licencash, miratimesh dhe autorizimesh, sipas përcaktimeve të këtij ligji, të legjislacionit në fuqi apo rregulloreve të Autoritetit;
2. tarifa për mbikëqyrjen e subjekteve të mbikëqyrura, të licencuara nga Autoriteti;
3. tarifa për projekte të veçanta, prej të cilave përfitojnë subjektet e mbikëqyrura. Të ardhurat nga këto tarifa përdoren vetëm për financimin dhe mirëmbajtjen e këtyre projekteve.
Tarifa për mbikëqyrjen e subjekteve të mbikëqyrura caktohet në nivelin deri në 1.5% të:
a) volumit të primeve të shkruara bruto vjetore nga veprimtaria e sigurimit dhe risigurimit të jojetës;
b) volumit të primeve të shkruara, pasi janë zbritur elementet e kursimit, vjetore, nga veprimtaria e sigurimit dhe risigurimit të jetës;
c) vlerës së përgjithshme të aseteve të fondit të pensioneve vullnetare dhe sipërmarrjeve të investimeve kolektive;
ç) volumit të përgjithshëm të transaksioneve vjetore të realizuara në bursë apo në një treg të rregulluar;
d) treguesit të përzgjedhur si bazë në këtë ligj, në legjislacionin në fuqi apo në rregulloret e Autoritetit për subjektet e tjera të mbikëqyrura, që nuk përcaktohen në shkronjat “a” deri në “ç” të këtij paragrafi.
Rakordimi përfundimtar i shumës së tarifës së mbikëqyrjes për t’u paguar kryhet brenda një muaji nga paraqitja në Autoritet e pasqyrave financiare të audituara të subjektit të mbikëqyrur ose nga paraqitja e pasqyrave financiare vjetore përfundimtare, për ato subjekte që nuk kanë detyrim auditimi ligjor.
Tarifat e paguara nga subjekti i mbikëqyrur llogariten si shpenzim i zbritshëm për efekte tatimore kur plotësojnë kushtet e përcaktuara në      nenin 20, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. Kur fondi i rezervës është në nivelin e përcaktuar në       shkronjën “c”, të nenit 26, çdo tepricë që mbetet nga të ardhurat vjetore të Autoritetit njihet dhe regjistrohet si paradhënie e subjekteve të mbikëqyrura për periudhën pasardhëse, duke e shpërndarë në mënyrë përpjesëtimore me kontributin e tyre.”.
Neni 16
Kudo në këtë ligj fjalët “… pension suplementar …” zëvendësohen me “… pension vullnetar …”, ndërsa fjalët “… tregje financiare jobankare …” zëvendësohen me     “… tregje financiare që mbikëqyren …”.
Neni 17
Dispozitë kalimtare
Në përfundim të mandatit të anëtarit të Bordit të propozuar nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit, kompetenca për propozimin për vendin e mbetur bosh pas përfundimit të mandatit i kalon Këshillit të Ministrave.
Neni 18
Ky ligj në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR  META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.152/2013, “PËR NËPUNËSIN CIVIL””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.152/2013, “Për nëpunësin civil””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.152/2013, “PËR NËPUNËSIN CIVIL”
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, 83, pika 1, dhe 107, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Në nenin 2, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, pas shkronjës “gj” shtohet shkronja “h”, me këtë përmbajtje:
“h) punonjësit e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR disa ndryshime në Ligjin Nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, TË ndryshuar”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
P R O J E K T L I GJ
PER
disa ndryshime në Ligjin Nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, TË ndryshuar
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
Neni 1
Në pikën 1, të nenit 2, emërtimi “Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare” shfuqizohet.
Neni 2
Në lidhjen nr.1, që përmendet në nenin 4, bëhen këto ndryshime:
a) Në klasifikimin “D”, pika 2 shfuqizohet.
b) Në klasifikimin “E”, pika 3 shfuqizohet.
Neni 3
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9741, DATË 21.5.2007, “PËR ARSIMIN E LARTË NË REPUBLIKËN  E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”,  të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Kudo në ligj emërtimet “Ministria e Arsimit dhe Shkencës” dhe “Ministri i Arsimit dhe Shkencës” zëvendësohen përkatësisht me “Ministria e Arsimit dhe Sportit” dhe “Ministri i Arsimit dhe Sportit”.
Neni 2
Në nenin 12 bëhen këto ndryshime:
1. Pikat 5 dhe 6  ndryshohen, si më poshtë vijon:
“5. Në institucionet e arsimit të lartë publik, që kanë qendra spitalore universitare, departamentet përbëhen nga shërbimet të cilat formohen në bazë të specialitetit. Shërbimi realizon funksione diagnostikuese e trajtuese themelore, në nivel të lartë shkencor, si pjesë e spitalit universitar, si dhe funksione mësimore e kërkimore, si pjesë e institucionit të arsimit të lartë. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të shërbimeve përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të ministrit të Shëndetësisë.
 6. Në institucionet e arsimit të lartë, që kanë qendra spitalore universitare, përgjegjësi i shërbimit është titullari i shërbimit. Kriteret e përzgjedhjes së përgjegjësit të shërbimit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të ministrit të Shëndetësisë.”.
2. Pikat 6.1,  6.2. dhe 6.3 shfuqizohen.
Neni 3
Në nenin 12/1 bëhen këto ndryshime:
1. Pikat 1, 2 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
 “1. Qendrat spitalore universitare janë njësi të sistemit arsimor dhe të sistemit shëndetësor. Ato realizojnë funksione diagnostikuese e trajtuese themelore, në nivel të lartë shkencor, si pjesë e sistemit shëndetësor, dhe funksione mësimore e kërkimore, si pjesë e institucionit të arsimit të lartë.
2. Qendrat spitalore universitare miratohen si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të ministrit të Shëndetësisë.
4. Veprimtaria e qendrës spitalore universitare rregullohet me statutin e saj, i cili miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të ministrit të Shëndetësisë.”.
Neni 4
Në nenin 19/1 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2.  Bordi është organi më i lartë drejtues, që kryesohet nga ministri përgjegjës për fushën e shëndetësisë dhe ka në përbërjen e tij 6 (gjashtë) anëtarë:
a)  Përfaqësuesin e ministrisë përgjegjëse për fushën e financave;
b) Përfaqësuesin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit;
c) Dekanin e Fakultetit të Mjekësisë të institucionit të arsimit të lartë që ka në përbërjen e tij Qendrën Spitalore Universitare;
ç)  Përfaqësuesin e shoqatave të bashkive;
d)  Përfaqësuesin e Kryqit të Kuq Shqiptar;
                 dh)  Përfaqësuesin e shoqatave të pacientëve.
Mënyra e përfaqësimit sipas shkronjave “ç”, “d” dhe “dh”, të pikës 2, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
2. Në pikën 4 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Shkronjat “b” dhe “c” shfuqizohen.
b) Shkronja “e” ndryshohet, si më poshte vijon:
“e) Harton projektstatutin e Qendrës Spitalore Universitare;”.
Neni 5
Në pikën 1, të nenit 20, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) përgjegjësi i njësisë kërkimore – mësimore/përgjegjësi i shërbimit.”.
Neni 6
Pika 3, e nenit 23, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Rektori, i emëruar sipas pikës 2, të këtij neni, përzgjedh dekanin/drejtorin.
Dekani/drejtori i emëruar përzgjedh përgjegjësin e departamentit/qendrës së kërkimit dhe zhvillimit. Përgjegjësi i departamentit/qendrës së kërkimit dhe zhvillimit përzgjedh përgjegjësin e njësisë mësimore – kërkimore/përgjegjësin e shërbimit.”.
Neni 7
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME  NË LIGJIN NR.9235, DATË 29.7.2004, ‘PËR KTHIMIN DHE KOMPENSIMIN E PRONËS”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9235, DATË 29.7.2004,  “PËR KTHIMIN DHE KOMPENSIMIN E PRONËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Në nenin 24, data “30.4.2014” zëvendësohet me “30.4.2015”.
Neni 2
Në nenin 28, data “30.4.2014” zëvendësohet me “30.4.2015”.
Neni 3
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.