Projektligje të miratuara në mbledhjen e datës 5 mars 2014
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA E NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8438, datë 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”,TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, me propozim të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
—
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Pas pikës 3, të nenit 2, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Për qëllime të neneve 36 – 36/7, të këtij ligji, me termat e mëposhtëm do të nënkuptojmë:
a) Dy persona konsiderohen të jenë palë të lidhura, kur:
i. një person merr pjesë direkt apo indirekt në menaxhimin, kontrollin apo kapitalin e personit tjetër, ose
ii. i njëjti/të njëjtët person/persona marrin pjesë direkt apo indirekt në menaxhimin, kontrollin apo kapitalin e të dy personave.
b) Një person merr pjesë direkt ose indirekt në menaxhimin, kontrollin apo kapitalin e një personi tjetër, kur:
i. Ai person zotëron, direkt ose indirekt 50% ose më shumë të kapitalit aksionar të personit tjetër, ose
ii. efektivisht kontrollon vendimet e biznesit të këtij personi tjetër.
c) “Palë të pavarura” janë palët që nuk janë palë të lidhura.
ç) “Transaksion i kontrolluar” është:
i. çdo transaksion midis palëve të lidhura kur:
· njëra nga palët në transaksion është rezidente dhe tjetra jorezidente,
· njëra nga palët në transaksion është një jorezident që ka një seli të përhershme në Shqipëri, të cilës i atribuohet transaksioni, dhe pala tjetër është një person tjetër jorezident,
· njëra palë në transaksion është një rezident dhe pala tjetër është një rezident që ka një seli të përhershme jashtë Shqipërisë, të cilës i atribuohet transaksioni;
ii. çdo marrëdhënie biznesi ndërmjet një jorezidenti dhe një selie të përhershme në Shqipëri të atij jorezidenti,
iii. çdo marrëdhënie biznesi ndërmjet një rezidenti dhe selisë së përhershme të tij jashtë Shqipërisë,
iv. çdo transaksion ndërmjet një rezidenti apo një jorezidenti që ka një seli të përhershme në Shqipëri, të cilës i atribuohet transaksioni, me një rezident të një juridiksioni të listuar me udhëzim të ministrit të Financave;
d) “Transaksion i pakontrolluar” është çdo transaksion ndërmjet palëve të pavarura.
dh) Termi “transaksion” përfshin një ujdi, mirëkuptim, marrëveshje apo praktikë direkte ose indirekte mes palëve, e detyrueshme ose jo ligjërisht apo me synimin që të jetë ligjërisht e detyrueshme, dhe përfshin çdo marrëdhënie biznesi ndërmjet personave të lidhur.
e) Kushtet e një transaksioni përfshijnë, por pa u kufizuar vetëm në to, treguesit financiarë të matur në aplikimin e metodës së duhur të transferimit të çmimit, p.sh., çmimi i transaksionit, marzhi bruto apo fitimi neto i përfituar nga një prej palëve në transaksion, ose ndarja e fitimit midis palëve në transaksion.
ë) “Marrëveshje çmimi në avancë” është një marrëveshje procedurale ndërmjet një apo më shumë tatimpaguesve dhe një apo më shumë administratave tatimore, me qëllim zgjidhjen në avancë të mosmarrëveshjeve të mundshme të transferimit të çmimit, duke përcaktuar, para kryerjes së transaksioneve të kontrolluara, një grup kriteresh të përshtatshme për përcaktimin e përputhshmërisë së këtyre transaksioneve me parimin e tregut.
Neni 2
Neni 36 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 36
Transferimi i çmimit
1. Nëse një tatimpagues që është subjekt i tatimfitimit merr pjesë në një apo më shumë transaksione të kontrolluara, ai duhet të përcaktojë fitimin e tatueshëm në një mënyrë që është në përputhje me parimin e tregut.
2. Fitimet e tatueshme të një tatimpaguesi që merr pjesë në një apo më shumë transaksione të kontrolluara do të konsiderohen në përputhje me parimin e tregut, nëse kushtet e këtyre transaksioneve nuk janë të ndryshme nga kushtet që do të ishin aplikuar ndërmjet palëve të pavarura në transaksione të krahasueshme të kryera në rrethana të krahasueshme.
3. Kur kushtet e vendosura apo të diktuara në një a më shumë transaksione të kontrolluara të kryera nga një tatimpagues nuk janë në përputhje me parimin e tregut, atëherë fitimet e tatueshme të atij tatimpaguesi mund të rriten në atë masë që të jenë në përputhje me parimin e tregut.
4. Përcaktimi nëse kushtet e një transaksioni të kontrolluar janë në përputhje me parimin e tregut dhe masa e çdo rregullimi sipas pikës 3, të këtij neni, do të bëhet në përputhje me dispozitat e nenit 36, të këtij ligji.”.
Neni 3
Pas nenit 36, shtohen nenet 36/1, 36/2, 36/3, 36/4, 36/5, 36/6 dhe 36/7, si më poshtë vijon:
“Neni 36/1
Krahasueshmëria
1. Një transaksion i pakontrolluar është i krahasueshëm me një transaksion të kontrolluar, për qëllime të këtij kapitulli,:
a) kur nuk ka diferenca të rëndësishme midis tyre që mund të ndikojnë materialisht treguesit financiarë që po kontrollohen sipas metodës së përshtatshme të transferimit të çmimit; ose
b) kur ekzistojnë të tilla diferenca, një rregullim i arsyeshëm i bëhet treguesit financiar përkatës të transaksionit të pakontrolluar me qëllim eliminimin e efekteve të këtyre diferencave në krahasim.
2. Për të përcaktuar nëse dy apo më shumë transaksione janë të krahasueshme, do të merren në konsideratë, në masën që ata janë ekonomikisht të përshtatshëm për faktet dhe rrethanat e transaksionit, këta faktorë:
a) Karakteristikat e pronës, mallit apo shërbimeve të transferuara;
b) Funksionet e marra përsipër nga secila palë në lidhje me transaksionet, duke marrë në konsideratë asetet e përdorura dhe risqet e marra;
c) Kushtet kontraktuale të transaksioneve;
ç) Rrethanat ekonomike në të cilat ndodhin transaksionet; dhe
d) Strategjitë e biznesit të ndjekura nga palët në lidhje me transaksionet.
Neni 36/2
Metodat e transferimit të çmimit
1. Përputhshmëria me parimin e tregut e një transaksioni të kontrolluar do të përcaktohet duke aplikuar metodën më të përshtatshme të transferimit të çmimit, sipas rrethanave të rastit, sipas përcaktimeve të bëra me udhëzim të ministrit të Financave. Përveç sa parashikohet në pikën 2, metoda më e përshtatshme e transferimit të çmimit do të zgjidhet midis metodave që vijojnë:
a) Metoda e çmimit të pakontrolluar të krahasueshëm, e cila konsiston në krahasimin e çmimit të vendosur për mallra apo shërbime të transferuara në një transaksion të kontrolluar me çmimin e vendosur për mallra apo shërbime të transferuara në një transaksion të pakontrolluar të krahasueshëm.
b) Metoda e çmimit të rishitjes, e cila konsiston në krahasimin e marzhit të rishitjes që një blerës mallrash në një transaksion të kontrolluar fiton nga rishitja e asaj prone në një transaksion të pakontrolluar me marzhin e rishitjes që fitohet në transaksione shitblerjesh të pakontrolluara të krahasueshme.
c) Metoda kosto plus, e cila konsiston në krahasimin e rritjes (marzhit të fitimit) mbi kostot direkte dhe indirekte në furnizimin e mallrave e shërbimeve në një transaksion të kontrolluar me rritjen, marzhin e fitimit të këtyre kostove direkte dhe indirekte në furnizimin e mallrave dhe shërbimeve në një transaksion të pakontrolluar të krahasueshëm.
ç) Metoda e marzhit neto të transaksionit, e cila konsiston në krahasimin e marzhit neto të fitimit ndaj një baze të përshtatshme, p.sh., kostot, shitjet, asetet, që një palë arrin në një transaksion të kontrolluar, me marzhin neto të fitimit ndaj së njëjtës bazë të arritur në transaksione të pakontrolluara të krahasueshme.
d) Metoda e ndarjes së fitimit të transaksionit, sipas së cilës çdo personi të lidhur që merr pjesë në një transaksion të kontrolluar i alokohet pjesa e fitimit të përbashkët/humbjes që rrjedh nga ky transaksion që një person i pavarur do të fitonte nga pjesëmarrja në një transaksion të pakontrolluar të krahasueshëm.
2. Tatimpaguesi mund të aplikojë një metodë të transferimit të çmimit të ndryshme nga metodat e mësipërme, kur ai provon se asnjë nga metodat e miratuara nuk mund të përdoret në mënyrë të arsyeshme për të përcaktuar përputhshmërinë me parimin e tregut për transaksionet e kontrolluara dhe kjo metodë tjetër jep një rezultat në përputhje me parimin e tregut. Tatimpaguesi që përdor një metodë të ndryshme nga metodat e miratuara të përmendura në pikën 1, të këtij neni, do të ketë barrën e provës për të demonstruar se kërkesat e këtij kreu janë përmbushur.
3. Për të përcaktuar përputhshmërinë me parimin e tregut për një transaksion të kontrolluar, nuk kërkohet të aplikohet më shumë se një metodë.
4. Kur një tatimpagues ka përdorur një metodë të transferimit të çmimit për të vendosur shpërblimin e transaksioneve të tij të kontrolluara dhe kjo metodë e transferimit të çmimit është në përputhje me dispozitat e këtij neni, atëherë kontrolli i administratës tatimore mbi faktin nëse kushtet e transaksioneve të kontrolluara të tatimpaguesit janë në përputhje me parimin e tregut, bazohet në metodën e transferimit të çmimit të aplikuar nga tatimpaguesi.
Neni 36/3
Vlerësimi i transaksioneve të kontrolluara të kombinuara
Nëse një tatimpagues kryen, në rrethana të njëjta ose të ngjashme, dy ose më shumë transaksione të kontrolluara që janë ekonomikisht të lidhura ngushtë me njëri – tjetrin ose që përbëjnë një vazhdimësi/kombinim të caktuar në mënyrë të tillë që ato nuk mund të analizohen veçmas në mënyrë të besueshme, këto transaksione mund të kombinohen:
a) për të kryer analizën e krahasueshmërisë të përcaktuar në nenin 36/1 dhe
b) për të aplikuar metodat e transferimit të çmimit të përcaktuara në nenin 36/2.
Neni 36/4
Diapazoni i treguesve të tregut
1. Diapazon tregu është një grup treguesish financiarë përkatës, p.sh., çmimet, marzhet apo pjesët e fitimit, të nxjerra nga aplikimi i metodës më të përshtatshme të transferimit të çmimit për një numër transaksionesh të pakontrolluara, ku secili është pothuajse njëlloj i krahasueshëm me transaksionin e kontrolluar, bazuar në një analizë krahasueshmërie të kryer në përputhje me nenin 36/1.
2. Një transaksion i kontrolluar ose një grup transaksionesh nuk do të jetë subjekt i rregullimeve sipas pikës 3, të nenit 36, kur treguesi financiar përkatës, që rrjedh nga transaksioni/transaksionet i/e kontrolluar/a që po testohet/testohen sipas metodës më të përshtatshme të transferimit të çmimit, është brenda diapazonit të tregut.
3. Kur treguesi financiar përkatës, i cili rrjedh nga transaksione të kontrolluara, del jashtë diapazonit të tregut, administrata tatimore mund ta rregullojë atë sipas pikës 3, të nenit 36, dhe çdo rregullim i tillë do të jetë në mesataren e diapazonit të tregut, përveç rasteve kur administrata tatimore apo tatimpaguesi mund të vërtetojnë se rrethanat në atë rast garantojnë rregullimin në një pikë të ndryshme të gamës së tregut sipas përcaktimeve të bëra në udhëzimin e Ministrit të Financave.
Neni 36/5
Informacioni mbi transferimin e çmimit
1. Një tatimpagues duhet të paraqesë informacion dhe analiza të mjaftueshme për të vërtetuar se kushtet e transaksioneve të tij të kontrolluara janë në përputhje me parimet e tregut. Dokumentacioni i transferimit të çmimit duhet t’i vihet në dispozicion administratës tatimore, me kërkesë të saj, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës së administratës tatimore. Përmbajtja dhe forma e dokumentacionit të transferimit të çmimit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
2. Tatimpaguesit e përfshirë në transaksione të kontrolluara mbi një vlerë të përcaktuar duhet të paraqesin një njoftim/formular vjetor për transaksionet e kontrolluara. Ministri i Financave përcakton, me udhëzim, kufirin/vlerën e sipërpërmendur, formatin dhe afatin kohor për paraqitjen e informacionit mbi transaksionet e kontrolluara.
Neni 36/6
Rregullimet korresponduese
Kur në kushtet e transaksioneve të kontrolluara bëhet një rregullim nga një administratë tatimore e një vendi tjetër dhe ky rregullim rezulton në taksimin në atë vend të fitimeve, për të cilat tatimpaguesi është tatuar tashmë në Shqipëri, dhe vendi që propozon rregullimin ka një marrëveshje me Shqipërinë për eliminimin e tatimit të dyfishtë, atëherë, në këto kushte, administrata tatimore e Shqipërisë, pas kryerjes së një kërkese nga tatimpaguesi shqiptar, do të kontrollojë përputhshmërinë e atij rregullimi me parimet e tregut, siç përcaktohet në pikën 2, të nenit 36. Nëse administrata tatimore arrin në përfundimin që rregullimi është në përputhje me parimet e tregut, ajo bën rregullimet e duhura në vlerën e tatimit që i është ngarkuar tatimpaguesit shqiptar. Procedura për kërkesën për një rregullim korrespondues sipas këtij neni do të përcaktohet në udhëzimin e ministrit të Financave.
Neni 36/7
Marrëveshjet e çmimit në avancë
1. Një tatimpagues mund të kërkojë që administrata tatimore të hyjë në një marrëveshje çmimi në avancë për të përcaktuar një grup të përshtatshëm kriteresh për përputhshmërinë me parimin e tregut për transaksionet e ardhshme të kontrolluara për një periudhë kohore të përcaktuar.
2. Kur administrata tatimore hyn në një marrëveshje çmimi në avancë me një tatimpagues, asnjë rregullim i transferimit të çmimit nuk bëhet sipas pikës 3, të nenit 36, për transaksionet e kontrolluara që janë brenda fushës së marrëveshjes, për aq kohë sa afatet dhe kushtet e vendosura nga marrëveshja e çmimit në avancë janë plotësuar.
3. Ministri i Financave do të nxjerrë një udhëzim të posaçëm në lidhje me marrëveshjet e çmimit në avancë.”.
Neni 4
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR FALJEN E DËNIMEVE ADMINISTRATIVE NË FORMËN E GJOBAVE, TË VËNA NË BAZË TË KONTROLLEVE DHE VERIFIKIMEVE TATIMORE TË KRYERA PËR PERIUDHËN 1 MARS DERI MË 31 GUSHT 2013”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave, të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore të kryera për periudhën 1 mars deri më 31 gusht 2013”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
—
P R O J E K T L I GJ
PËR
FALJEN E DËNIMEVE ADMINISTRATIVE NË FORMËN E GJOBAVE, TË VËNA NË BAZË TË KONTROLLEVE DHE VERIFIKIMEVE TATIMORE TË KRYERA PËR PERIUDHËN 1 MARS DERI MË 31 GUSHT 2013
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Objekti i ligjit
Ky ligj parashikon faljen e gjobave të vendosura, si pjesë e detyrimit tatimor, nga administrata tatimore ndaj tatimpaguesve, të evidentuara dhe të kontabilizuara në regjistrat tatimorë për periudhën 1 mars deri më 31 gusht 2013.
Neni 2
Tatimpaguesit përfitues
Përfitojnë nga ky ligj të gjithë tatimpaguesit, persona fizikë dhe juridikë, të regjistruar në administratën tatimore dhe që janë debitorë për detyrimet tatimore të përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji.
Neni 3
Falja e gjobave
1. Falen gjobat e vendosura si pjesë e detyrimit tatimor, që janë të evidentuara sipas datës së nxjerrjes së njoftimvlerësimit (akti administrativ) ose të kontabilizuara në regjistrat e administratës tatimore gjatë periudhës 1 mars deri më 31 gusht 2013, ndaj tatimpaguesve, persona juridikë apo persona fizikë, të regjistruar në administratat tatimore.
2. Falen gjobat e vendosura që janë evidentuar sipas pikës 1, të këtij neni, të cilat, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë ankimuar dhe janë në proces ankimimi administrativ apo në proces gjyqësor.
3. Të gjithë tatimpaguesit që janë dënuar me gjobë administrative për punonjës të padeklaruar apo të deklaruar me vonesë, për mosinstalim të pajisjeve fiskale apo moslëshim të kuponit tatimor ose moslëshim të biletave, u falen shumat e gjobave të vendosura.
Neni 4
Përjashtimet nga falja
1. Përjashtohen nga falja e çdo dënimi administrativ (gjobës), të përcaktuar sipas nenit 3, të këtij ligji, masa e tatimit dhe kamatëvonesat.
2. Përjashtohen nga falja gjobat e parashikuara në nenin 3, të këtij ligji, të cilat janë të llogaritura dhe të regjistruara automatikisht nga sistemi informatik i tatimeve për shkak të shkeljeve të dispozitave të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Neni 5
Rimbursimi i gjobave të paguara
1. Subjekteve që kanë bërë pagesat e gjobave, të përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji, u rimbursohen në masën 100% shumat e paguara të gjobave, sipas radhës së datës së pagesës së bërë.
2. Ministri i Financave nxjerr udhëzimin për zbatimin e këtij neni.
Neni 6
Procedura e shuarjes së detyrimeve të falura nga ky ligj
Brenda 5 (pesë) muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, administrata tatimore fshin dënimet administrative të falura sipas këtij ligji dhe bën pasqyrimet konkrete të fshirjes në regjistrat e saj.
Neni 7
Nxjerrja e akteve nënligjore
Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes që, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin udhëzimin e përbashkët për përcaktimin e kompetencave konkrete të administratës tatimore, për evidentimin e praktikave të tatimpaguesve që përfitojnë nga ky ligj, si dhe procedurat, dokumentacionin e rregullat për mënyrën e evidentimit të debitorëve që përfitojnë nga kjo falje dhe shuarjen e gjobave.
Neni 8
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.9920, DATË 19.5.2008, “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave,
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR. 9920, DATË 19.05.2008, “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhet shtesa e mëposhtme:
Neni 1
Pas nenit 115 shtohet neni 115/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 115/1
Dënime lidhur me transferimin e çmimit
1. Në rast të mosparaqitjes në kohë të “Njoftimit të transaksioneve vjetore të kontrolluara”, në përputhje me dispozitat përkatëse të udhëzimit të ministrit të Financave, “Për transferimin e çmimit”, tatimpaguesi dënohet me një gjobë fikse prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh, për çdo muaj vonesë.
2. Në rast rregullimesh të detyrimeve tatimore, për efekt të transferimit të çmimit në bazë të dispozitave të nenit 36, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, tatimpaguesit dënohen sipas nenit 114, “Mospagimi në afat i detyrimit tatimor apo kontributit”, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
3. Në rast rregullimesh të detyrimeve tatimore për efekt të transferimit të çmimit, në bazë të dispozitave të nenit 36, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, ndaj tatimpaguesve, të cilët kanë plotësuar dhe kanë paraqitur në organet tatimore dokumentacionin e transferimit të çmimit, siç përcaktohet në nenin 36/5, të ligjit të sipërpërmendur, dhe udhëzimin e ministrit të Financave, “Për transferimin e çmimit”, këta tatimpagues janë të detyruar të paguajnë vetëm detyrimin shtesë dhe interesat, por jo gjoba.”.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META