Projektligje, miratuar në mbledhjen e datës 12 shkurt 2014
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD), PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË INVESTIMIT NË SEKTORIN E UJIT”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin e projektit të investimit në sektorin e ujit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD), PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË INVESTIMIT NË SEKTORIN E UJIT
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin e projektit të investimit në sektorin e ujit, nëpërmjet një huaje prej 62 500 000 (gjashtëdhjetë e dy milionë e pesëqind mijë) eurosh.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
—
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.152/2013, “PËR NËPUNËSIN CIVIL”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.152/2013, “PËR NËPUNËSIN CIVIL”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, 83, pika 1, dhe 107, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.152/2013, datë 30.5.2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Pika 2, e nenit 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Këshilli i Ministrave përcakton ministrin përgjegjës për administrimin e përgjithshëm të politikave në shërbimin civil.”.
Neni 2
Në të gjitha dispozitat e këtij ligji, emërtimi “ministri i Brendshëm” zëvendësohet me fjalët “… ministri përgjegjës për çështjet e administratës publike …”.
Neni 3
Pas shkronjës “h”, të pikës 2, të nenit 7, shtohet shkronja h/1, me këtë përmbajtje:
“h/1) harton dhe miraton politikat për trajnimet e nëpunësve civilë.”.
Neni 4
Në nenin 8 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Këshilli drejtues përbëhet nga 9 (nëntë) anëtarë. Në përbërje të tij janë përfaqësues të ministrive, Kryeministrisë, organeve të qeverisjes vendore, DAP-it, universiteteve, shoqërisë civile dhe biznesit, sipas përcaktimit të bërë me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
2. Në pikën 7, fjala “politikat” shfuqizohet.
3. Pika 8 shfuqizohet.
Neni 5
Në pikën 1, të nenit 28, fjalët “… vendas ose të huaj …” hiqen.
Neni 6
Pikat 1 dhe 2, të nenit 31, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Komisioni Kombëtar i Përzgjedhjes për TND-në përbëhet nga shtatë
anëtarë:
Një përfaqësues nga DAP-i;
Një përfaqësues nga ASPA;
Një përfaqësues i TND-së;
ç) Katër personalitete të pavarura me përvojë profesionale dhe integritet.
2. Katër personalitetet e pavarura emërohen nga Këshilli i Ministrave për një mandat 5-vjeçar, me përjashtim të anëtarëve të parë, njëri prej të cilëve, i zgjedhur me short, zëvendësohet çdo vit.”.
Neni 7
Në nenin 32 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Pranimi në kategorinë e nëpunësve civilë të lartë drejtues në institucionet e pavarura bëhet me konkurrim të organizuar për një apo disa pozicione të lira dhe është i hapur për nëpunësit civilë të kategorisë së mesme drejtuese. Përjashtimisht, titullari/organi vendimmarrës i institucionit mund të vendosë që procedura e pranimit të jetë e hapur edhe për kandidatët e tjerë, që plotësojnë kërkesat specifike për pranimin në këtë kategori, por, në asnjë rast, ky numër nuk mund të jetë më shumë se 15% e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të kategorisë së lartë drejtuese për atë institucion. Çdo emërim i kategorisë së lartë drejtuese, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në këtë ligj, është absolutisht i pavlefshëm.”.
2. Pas pikës 1 shtohet pikat 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Pranimi në kategorinë e nëpunësve civilë të lartë drejtues në njësitë e qeverisjes vendore bëhet me konkurrim të organizuar për një apo disa pozicione të lira dhe është i hapur vetëm për nëpunësit civilë të kategorisë së mesme drejtuese. Çdo emërim i kategorisë së lartë drejtuese, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në këtë ligj, është absolutisht i pavlefshëm.”.
Neni 8
Në nenin 50 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
1. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Njësia përgjegjëse, 1 (një) muaj përpara, njofton nëpunësin civil për fillimin e procedurës së mbylljes të institucionit. Në këtë rast, nëse nuk ka mundësi transferimi sipas pikës 2, të këtij neni, nëpunësi lirohet nga shërbimi civil duke i dhënë si dëmshpërblim pagën e 1 (një) muaji nëpunësve civilë, që kanë deri në 1 (një) vit eksperiencë pune si nëpunës civilë, pagën e 2 (dy) muajve nëpunësve civilë, që kanë nga një deri në 5 (pesë) vjet eksperiencë pune si nëpunës civilë, dhe pagën e 3 (tre) muajve nëpunësve civilë, që kanë më shumë se 5 (pesë) vjet eksperiencë pune si nëpunës civilë.”.
2. Pas pikës 6 shtohen pikat 7 dhe 8, me këtë përmbajtje:
“7. Njësia përgjegjëse, 1 (një) muaj përpara, njofton nëpunësin civil për fillimin e procedurës së ristrukturimit të institucionit. Në këtë rast, nëse nuk ka mundësi transferimi sipas pikës 2, të këtij neni, nëpunësi lirohet nga shërbimi civil duke i dhënë si dëmshpërblim pagën e 1 (një) muaji nëpunësve civilë, që kanë deri në 1 (një) vit eksperiencë pune si nëpunës civilë, pagën e 2 (dy) muajve nëpunësve civilë, që kanë nga 1 (një) deri në 5 (pesë) vjet eksperiencë pune si nëpunës civilë, dhe pagën e 3 (tre) muajve nëpunësve civilë, që kanë më shumë se 5 (pesë) vjet eksperiencë pune si nëpunës civilë.
8. Procedura e hollësishme për risistemimin e nëpunësve civilë, për shkak të mbylljes apo ristrukturimit, si dhe përbërja e hollësishme e komisionit miratohen nga Këshilli i Ministrave.”.
Neni 9
Në pikën 1, të nenit 66, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “ë” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ë) Si rezultat i mbylljes apo ristrukturimit të institucionit, sipas pikave 6 dhe 7, të nenit 50, të këtij ligji.”.
2. Pas shkronjës “ë” shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:
“f) në çdo rast tjetër të parashikuar nga ligji.”.
Neni 10
Në fund të pikës 3, të nenit 67, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në rastet kur këta nëpunës civilë ekzistues apo punonjës ekzistues janë në periudhë prove janë të detyruar të përfundojnë periudhën e provës sipas këtij ligji.”.
Neni 11
Neni 68 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 68
Ligji i zbatueshëm
Deri në datën e fillimit të efekteve të këtij ligji, zbatohet ligji nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”.”.
Neni 12
Neni 70 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 70
Ligji nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen me fillimin e efekteve të këtij ligji.
Neni 13
Pika 1, e nenit 71, shfuqizohet.
Neni 14
Pas nenit 71 shtohen neni 71/1 dhe 71/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 71/1
Pavarësisht nga parashikimi i pikës 2, të nenit 27, numri i anëtarëve të TND-së për vitet 2014 dhe 2015 është i barabartë me numrin e anëtarëve që janë parashikuar sipas organikës në institucionet e administratës shtetërore.
Neni 71/2
Për administratën e komunave ky ligj i shtrin efektet pas konstituimit të këtyre organeve, si rezultat i zgjedhjeve vendore të vitit 2015.”.
Neni 15
Neni 72 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 72
Ky ligj hyn në fuqi më 1 tetor 2013 dhe i fillon efektet e tij 6 (gjashtë) muaj pas hyrjes në fuqi.”.
Neni 16
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META