Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama takim me drejtues të institucioneve qendrore e vendore në Lezhë:

 

Ne jemi këtu, për të zhvilluar një ditë takimesh intensive në të gjithë sektorët e qeverisjes. Pas këtij takimi të parë të ditës do të shpërndahemi në të gjithë zonën e qarkut, sipas programit, për të ndjekur nga afër punën e kryer dhe për të parë problematikat fushë për fushë. Ndërkohë që dje kemi pasur një bashkëbisedim të gjatë me përfaqësues nga të gjithë sektorët, qofshin përfaqësues publikë, kryetarët e bashkive, apo drejtues të institucioneve qendrore në zonë, qofshin përfaqësues të sipërmarrjes.

Dua të nënvizoj një element shumë të rëndësishëm të procesit qeverisës të këtij viti, por edhe shumë të rëndësishëm për çuarjen përpara të planit për fuqizimin e sektorit publik për rritjen e ekonomisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës, që ka të bëjë me ujin. Dje, me vendimin e qeverisë që kemi marrë këtu në Lezhë kemi përcaktuar edhe mbështetjen financiare për të gjitha familjet në nevojë për vendosjen e matësve falas dhe pastaj, për të subvencionuar pagesën e ujit është e domosdoshme që të vazhdojmë të rrisim ndjeshmërinë lidhur me faktin se ky është muaji i fundit në të cilin ata konsumatorë, biznese apo familjarë që kanë lidhje të paligjshme të legalizojnë lidhjet, të vendosin matësit, pa asnjë penalizim. Ndërkohë që duke filluar nga muaji shkurt, kjo gjë do të bëhet, por do të ketë penalizime dhe pasoja, sipas ligjit, për të gjithë ata që do të kapen në kushtet e veprës penale të vjedhjes së ujit.

Në sektorin e ujit, një nga elementët që ka penalizuar rëndë shtetin, ka penalizuar rëndë çdo konsumator të rregullt, ka penalizuar rëndë ekonominë dhe të ardhmen ka qenë tejpolitizimi i administratës, pa dallim, nga të gjitha partitë që kanë pasur mundësi të fusin duart në administrimin e ujësjellësve, tejpolitizimi i këtyre ndërmarrjeve, që do të thotë që këto ndërmarrje, siç e tregojnë edhe shifrat, janë struktura që në vite janë mbingarkuar me paga për individë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me nevojat e ndërmarrjeve për burimet njerëzore në dispozicion, pra s’kanë lidhje me vendin e punës nga pikëpamja e formimit, nga pikëpamja e aftësive. Në këtë aspekt, kjo ka sjellë një gjendje shumë të rëndë, pasi nga kompani që duhet të funksionojnë si kompani në treg, që duhet të garantojnë shërbimin cilësor për klientët dhe duhet të garantojnë shëndetin e tyre të brendshëm financiar për të shkuar më tutje, ndërmarrjet e ujësjellësit janë kthyer në zyra punësimi në dëm të konsumatorëve dhe në dëm të ekonomisë kombëtarë. Shifrat krahasuese me vendet e tjera të rajonit, me të Bashkimit Europia, hendeku bëhet shumë i madh, për sa punonjës paguhen në sektorin e ujit në raport me volumet e punës janë katastrofike, në kuptimin që ne kemi shumë më tepër punonjës seç na duhen dhe kemi shumë më pak shërbim sesa duhet.

E vërteta e thjeshtë është se në këtë reformë, çka ne po konstatojmë është që aty ku kryetarët e bashkive dhe bashkitë vendosin parimin e mirëfunksionimit të kompanisë dhe të mirëfunksionimit të shërbimit mbi politikën, jo vetëm punët shkojnë më mirë, por dhe bashkëpunimi është shumë i thjeshtë midis nesh dhe bashkive, pavarësisht ngjyrës politike. Në këtë aspekt dua të them që ne kemi një bashki, siç është bashkia e Lezhës, ku kryetari i bashkisë vjen nga kampi opozitar, që bashkëpunojmë pa asnjë problem të natyrës politike, pa asnjë artificë në mes. Kemi bashki, të cilat vijnë nga kampi që sot është kampi i shumicës, me të cilat sot kemi probleme për shkak të mungesës së vizionit, për shkak të mungesës së vullnetit dhe mbi të gjitha, për shkak të politizimit të këtyre kompanive, fenomene me të cilat nuk luftohet sa duhet.

Është një reformë me të cilën mund të bëhet shumë politikë abuzive, por është një reformë që në fund të ditës ka në qendër interesin e qytetarëve. E vërteta është dhe këtë mund ta dëshmojë çdo drejtor ujësjellësi dhe çdokush që ndjek këtë proces, që ujin e paguajnë konsumatorë të rregullt të të gjitha niveleve, nga ata që janë sipërmarrës të mëdhenj deri tek konsumatorë që mund të jenë me ndihmë ekonomike. Ashtu sikundër e vjedhin konsumatorë të të gjitha niveleve, që do të thotë që nuk është një çështje pasurie apo varfërie. Është një çështje marrëdhënieje me ligjin, është çështje raportesh me moralin e thjeshtë të bashkëjetesës, që, nëse secili merr përsipër të paguajë pjesën e vet, barra e përbashkët lehtësohet. Nëse disa paguajnë dhe disa vjedhin, atëherë, ata që paguajnë dalin që janë budallenjtë dhe ata që vjedhin dalin që janë të mençurit, nëse shteti nuk vepron për t’i vënë gjërat në binarë, ashtu siç duhet.

Siç ndodhte me energjinë më parë, edhe pse unë jam shumë dakord që në këtë aspekt, kjo reformë është më komplekse, sepse energjia ka një alternativë ekstreme kur mungon, që është drita e diellit, apo drita e kandilit, ndërsa uji nuk ka alternativë, ama e vërteta është që njësoj, pensionistët, invalidët, apo familjet me të ardhura mesatare janë kontributorët përgjithësisht më të rregullt. Po të shikojmë edhe tek uji, ka shumë biznese të mëdha që nuk e paguajnë atë në mënyrë korrekte. Ka edhe hotele në mes të Tiranës që deklarohen sikur furnizohem me pus, në fakt, e vërteta është që furnizohen ilegalisht nga rrjeti i ujësjellësit. Unë iu bëj thirrje të gjithë këtyre megagënjeshtarëve që janë të pasurit e këtij vendi, që të mos luajnë me zjarrin, sepse do të bëhen shembuj publikë dhe jo vetëm do të përgjigjen penalisht, për këtë aktivitet grabitqar në mes të qytetit. Ka fshatra turistikë që deklarohen që furnizohen me pus dhe në fakt, vjedhin drejtpërdrejtë ujin nga sistemi i ujësjellësit. Ka fabrika që deklarojnë që furnizohen me pus dhe në fakt, vjedhin nga sistemi i ujësjellësit. Në këtë aspekt, edhe strategjia që ne kemi, edhe taktika e rakorduar me ndërmarrjet është që ata që do paguajnë ligjërisht të parët janë ata që hyjnë në këtë kategori.

Ndërkohë që do vazhdojmë sistematikisht procesin për të formalizuar sa më shumë që të jetë e mundur. Unë dua të nënvizoj jo për formalizëm apo për diplomaci, por për hir të të vërtetës, faktin se me Bashkinë e Lezhës, edhe me Mirditën dhe Kurbinin, por me Bashkinë e Lezhës, ku ka shumë potencial dhe ka shumë problematika, kemi një dialog pozitiv. Edhe dje kemi pasur një diskutim me kryetarët e bashkive për disa çështje që kanë të bëjnë me nevoja imediate të zhvillimit. Shumë shpejt do të fillojmë nga puna për të zgjidhur problemin të aksit që lidh Lezhën me Shëngjinin, që është një aks strategjik, sidomos për shkak të sezonit turistik. Është një aks absolutisht i pamundur, që torturon jo vetëm turistët, por dhe të gjithë banorët e zonës që duan të shfrytëzojnë plazhin dhe do transformohet në një rrugë të mirëfilltë turistike. Kemi diskutuar për projektin e lidhjes me Velipojën. Ne kemi një projekt strategjik të një rruge mirëfilli turistike, që lidh Shëngjinin me Velipojën, që është nga pikëpamja panoramike nga më spektakolaret e bregdetit shqiptar, por edhe nga pikëpamja e shpejtësisë së lidhjes, shumë e shkurtër. Njëkohësisht, duke pasur parasysh edhe faktin se bëhet fjalë për një rrugë që ka disa momente delikate të natyrës mjedisore dhe të relievit, edhe për nga kostot është goxha e konsiderueshme.

Kemi trajtuar edhe çështjen e rrugës së Torovicës, jo thjesht për të zgjidhur problemin e një komuniteti që është i izoluar prej një nga situatave më dramatike, një nga rrugët më të tmerrshme që ka sot në Republikën e Shqipërisë, por edhe si një aks që garanton një lidhe me Velipojën, duke iu kursyer të gjithë atyre që vijnë për turizëm nga Kosova, apo edhe nga pjesa Lezhë e poshtë drejt Velipojës, një pjesë të rëndësishme të kohës dhe një torturë të madhe për t’i rënë shumë gjatë për të shkuar në Velipojë. Për ne, rruga e Torovicës ka rëndësi jo thjesht sepse do të lidhë në një mënyrë alternative Shëngjinin me Velipojën, as sepse i duhet zgjidhur problemi një komuniteti atje, nuk diskutohet as elektoralisht, sepse bëhet fjalë për një komunitet që është tkurrur mjaft për shkak të izolimit, por sepse bëhet fjalë për një hapësirë të braktisur zhvillimi. Kush e njeh atë territor dhe pak të shkuarën, e di shumë mirë që aty kemi të bëjmë me një sasi të konsiderueshme tokash bujqësore shumë cilësore, ku ka pasur një zhvillim të madh bujqësor dhe ku është prodhuar për eksport shumë e shumë vite më parë. Ndërkohë që sot është djerrë dhe thjesht tokat shfrytëzohen për mbijetesën e atyre familjeve. Ne do ta bëjmë atë rrugë. E kishim në planin katër vjeçar. Dje, gazetarët më pyetën kur dhe u thashë brenda mandatit, por besoj se do të bëhet më shpejt, sepse ashtu siç u diskutua, me alternativën, më të mirat është diçka që mund të bëhet më shpejtë e me një kosto më të ulët, sesa ajo që ne parashikonim për të bërë këtë lidhje strategjike të bregdetit.

Çka më sjell tek pika tjetër, që shumëkush ndoshta i sheh këto takime të qeverisë jashtë Tiranë, ku jemi të gjithë bashkë, si të panevojshme, të tepërta, ose dhe si ekskursione. Në fakt po ju them që në çdo takim që kemi bërë jashtë Tiranës, përveç mbledhjes së qeverisë dhe gjithë këto kontakte, kemi axhustuar pikëpamje të caktuara, vendime të caktuara, ose projekte të caktuara, apo kemi marrë përsipër angazhime të reja që lindin nga territori. Dje, ministri i brendshëm ka diskutuar me sipërmarrësit e këtyre investimeve turistike, për si mund të përmirësohet në bashkëpunim situata e sigurisë për turistët në sezonin veror dhe e vërteta është që janë marrë disa rekomandime apo sugjerime praktike, që vlejnë për atë program të sigurisë që ne po ndërtojmë, një program special sigurie për sezonin e ardhshëm turistik në gjithë vijën bregdetare. Pra, janë ndërveprime që na bëjnë shumë mirë dhe takohemi në kushte të ndryshme.

Me kryetarin e bashkisë së Lezhës, unë jam takuar dhe herë të tjera, por është një lloj mundësie dhe në kohë, edhe në format, për të folur shumë në detaje e në mënyrë shumë më informale, për të parë çdo aspekt, sëbashku me deputetët, me ministrat. Kështu besoj se është një gjë pozitive.

Ka edhe një diskutim tjetër që kemi bërë e që ka të bëjë me fillimin e vitit shkollor. Kemi diskutuar konkretisht, me shifrat që i kishte kryetari i bashkisë me vete, që për shkak të katër ditëve, 11 – 15 shtator që duhet të fillojë shkolla, prenotimet e turistëve vendas bien në mënyrë drastike, çka në fakt do të na bënte të fitonim një 15 ditësh turistik këtu e në gjithë Shqipërinë, por qe se shkollën do ta fillojmë më 15 shtator. Kështu që duhet me e pasur këtë gjë parasysh, për ta përfunduar këtë vit, sepse e kemi diskutuar disa herë. E vërteta është që kryetarët e bashkive që kanë një prioritet turizmin e ndjenë më shumë sesa të tjerët këtë humbje të evitueshme të një 15-ditëshi, kur për shkak të ndërhyrjes së një obligimi si fillimi i shkollës, ndërpritet.

Ndërkohë nuk janë vetëm këto dy projekte. Ne kemi folur edhe për disa ndërhyrje të tjera, për ndërhyrjen e madhe strategjike të rrugës kombëtare, që ka të bëjë edhe me korridorin shumë të rëndësishëm që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe në unazën turistike të Mesdheut, që është Milot – Balldren, që do të garantojë edhe një unazë për Lezhën, edhe një kalim shumë më normal e të shpejtë për të shkuar lart në Shkodër. Kemi folur për rrugën e vjetër dytësore, që është një nga hyrje te dikurshme për në Lezhë. Kemi diskutuar edhe lidhur me domosdoshmërinë për të stabilizuar përfundimisht nivelin e pastërtisë së ujërave këtu, pasi ka disa  probleme me disa nga pistat që janë në det që shkarkojnë ujërat e zeza, që duhen eliminuar e për këtë do bashkëpunojmë me bashkinë, për të  parë gjithë statusin e tyre e për të marrë masat e nevojshme.

Po ashtu kemi diskutuar lidhur me zhvillimin e mëtejshme të hapësirës rurale përmes agroturizmit. Rritja e kapacitetit kullues dhe ujitës është prioritet. Në Lezhë, në katër vite ka një rritje të rëndësishme të tokave që ujiten, por ka ende shumë sipërfaqe që kërkojnë sistemin e nevojshme të ujitjes dhe të kullimit. Qasja e re e financimeve të prodhimit bujqësor do të na japë rezultate edhe këtu. Një qasje e integruar me një numër të përcaktuar produktesh që do të financohen, për të stimuluar rritjen e prodhimit dhe të eksporteve. Që javën e ardhshme, anoncimi historik që do bëjë ministri i Financave për prodhimin bujqësor do të jetë një stimul i madh, sepse ne do t’u themi qartësisht fermerëve, që rritja e prodhimit përmes bashkimit është një veprimtari ku qeveria nuk do të kërkojë asnjë taksë, pavarësisht volumit të prodhimit. Gjë që deri tani ka qenë një pengesë historike dhe psikologjike, për shkak se deri në një nivel të caktuar të prodhimit, fermerët kanë operuar si biznes i vogël, pra, pa taksë, pa TVSH dhe në momentin kur kalojnë atë masë, atëherë detyrohen të futen në sistemin e TVSH-së, gjë që nuk e stimulon rritjen e forcës së përbashkët. Kjo do të na sjellë një hov të madh dhe të gjithë fermerët, besoj, nga java e ardhshme do të ndjehen njerëz të lirë për të qenë bashkë dhe nuk do kenë frikë të ribashkohen për shkak se duke rritur prodhimin e tyre, do detyrohen të paguajnë TVSH. TVSH-ja është një instrument që do të përdoret në shitje, jo në prodhim.

Aspekt tjetër i rëndësishëm është edhe programi i stimulimit të agrobiznesit. Dje kemi miratuar standardet, e hartuara nga Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit. Së shpejti, në një konferencë të madhe publike do të prezantojmë kornizën brenda të cilës, një veprimtari ekonomike quhet agrobiznes, duke u nisur nga minimumi deri tek maksimumi. Brenda këtyre standardeve, çdo aktivitet ekonomik në agrobiznes do të marrë një certifikatë dhe në bazë të asaj certifikate do të ketë një mbështetje të rëndësishme nga qeveria, me incentiva shumë të forta fiskale. Jemi duke e definuar përfundimisht sesi do të zhvillohet, por pak a shumë do të jetë një program simetrik me atë të hoteleve me 5 yje. Ne duam që në fshat të lulëzojë agrobiznesi e agroturizmi.

Ne duam që Shqipëria të mos ketë një Mriz Zanash që është një nga perlat e kurorës shumë të ngushtë sot të agroturizmit e të agrobiznesit, të mos ketë vetëm një Rapsodi, të mos ketë vetëm pak të tilla në të gjithë territorin e Shqipërisë, por të ketë me dhjetëra e me qindra në çdo qark, ku familjet të krijojnë mirëqenie e të bëjnë biznes, pa qenë nevoja të futen nëpër skema të mëdha prodhimi dhe nëpër skema të mëdha uljesh të imputeve, por duke ndërtuar pikërisht atë hotelin e vogël, atë bujtinën e vogël, atë fermën e vogël, ku shkohet dhe qëndrohet familjarisht, duke shijuar produktet e mrekullitë e natyrës. Kjo besoj do të jetë një nga rrugë e rëndësishme të zhvillimit rural të tre viteve të ardhshme. Ne do të krijojmë një hapësirë ku në 3 vite, kush do të hyjë në këtë aktivitet, pastaj do të gëzojë 10 vjet të tjera pa asnjë taksë, por kjo është një gjë që na mbetet ta zhvillojmë dhe në bashkëpunim me bashkitë.

Kemi qenë në diskutim me të gjithë edhe për atë që është plaga e madhe, e trashëguar, administrata, hipoteka, kolaudimi i makinave, shërbimet e tjera për qytetarët, një gangrenë e madhe që ne kemi filluar ta kurojmë, por do të kërkojë kohën e vet, sigurisht. Unë nuk i kërkoj qytetarëve që të bëjnë durim, se kanë duruar boll, por thjeshtë u them që ne nuk jemi duke ndenjur duar kryq, por jemi duke punuar për ta reformuar tërësisht sistemin e administratën. Njëri aspekt i reformës është ulja drastike e ndërveprimeve midis qytetarit dhe administratës, duke kaluar shumë procese online. Ndërkohë po vazhdojmë të punojmë për uljen e numrit të dokumenteve, licencave e autorizimeve, që do të thotë që një pjesë e madhe e ndërveprimeve që krijojnë prite, zvarritje, bakshishe e histori të tilla do të shkurtohet. Pjesa tjetër që është e pashkurtueshme kërkon sigurisht shërbime më cilësore dhe hipotekat janë ai kali i betejës sonë, për t’i transformuar në një institucion krejt tjetër nga ai që kemi trashëguar. Kjo nuk është e lehtë e nuk është çështja iku njëri e erdhi tjetri, por është çështje sistemi, modernizimi dhe burimesh njerëzore.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.