Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm francez, Gerard Collomb, pas përfundimit të takimit mes tyre:

 

Kryeministri Edi Rama:  Mirëdita të gjithëve! Kjo është një konferencë shtypi atipike. Unë jam këtu me ministrin e Brendshëm, me mikun tonë, Gerard Collomb, i cili vjen nga Franca që për ne është një pikë shumë e rëndësishme referimi dhe bazuar edhe në dokumentin e partneritetit që ne kemi nënshkruar jo shumë kohë më parë, përbën një marrëdhënie të posaçme bilaterale dhe në funksion të aspiratave tona europiane.

Nga ana tjetër ishte plotësisht e dëshirueshme që në vizitën e tij të parë në Tiranë dhe pas takimit të ishim këtu sëbashku, për të ndarë me opinionin publik, nga njëra anë, çfarë biseduam dhe nga ana tjetër, vullnetin dhe dëshirën që mes Shqipërisë dhe Francës, marrëdhëniet të forcohen në vijimësi dhe bashkëpunimi të thellohet, hap pas hapi.

Prandaj, zoti ministër, unë dua të ndaj me ju, edhe publikisht, kënaqësinë për dinamikën e re në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Francës dhe ndër të tjera, edhe për cilësinë e re që këto marrëdhënie kanë marrë në fushën e rendit dhe sigurisë publike, çka e tregojnë edhe vizitat e ndërsjella të muajve të fundit.

Dua t’ju shpreh edhe publikisht, mirënjohjen në emër të qeverisë shqiptare për mbështetjen e vijueshme që Franca i ka ofruar Shqipërisë në një sërë sektorësh shumë të rëndësishëm, por, padyshim, edhe për mbështetjen që ju personalisht dhe dikasteri që ju drejtoni ka ofruar për të plotësuar angazhime të rëndësishme të vendit tonë, lidhur me çështje të rëndësisë së dorës së parë, siç është lufta kundër krimit të organizuar, por edhe frenimi i fenomenit të emigracionit të paligjshëm.

E informova ministrin lidhur me zhvillimet në Shqipëri, me sfidat me të cilat ne përballemi, me ecurinë e reformës themelore në drejtësi, me rezultatet e prekshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si edhe me pritshmërinë tonë që në 6 mujorin e ardhshëm, Shqipëria të marrë një rekomandim pozitiv dhe të pakushtëzuar të Komisionit Europian dhe pastaj, miratimin e Këshillit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Ministri është njohur po ashtu, edhe me platformën tonë për luftën kundër krimit të organizuar, operacionin :Forca e Ligjit”, procesin e vetting-ut në Policinë e Shtetit, si një instrument i ri dhe i domosdoshëm për të realizuar objektivat ambicioze të platformës, por edhe për ta ngritur më tutje Policinë e Shtetit në nivelin e kërkuar. Ne e kemi shpallur ambicien tonë që në fund të këtij mandati, Policia e Shtetit të jetë një polici e standardeve plotësisht europiane dhe për nga të gjithë të dhënat të hyjë në mesataren e policive të vendeve të BE.

Natyrisht që e prekëm temën e emigracionit të paligjshëm dhe të azil kërkimit, ku sëbashku kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë, ne nga ana jonë, jo vetëm me masat e marra, por edhe për të vazhduar që t’ ja bëjmë të qartë të gjithë qytetarëve shqiptare që rruga e azilkërkimit, jo vetëm që përbën në vetvete një rrugë të paligjshme, por nga ana tjetër përbën dhe një rrugë pa krye, pasi, siç dëshmojnë vetë ata, të cilët në fund të kësaj rruge janë detyruar të rikthehen, përkthehet në kosto individuale dhe familjare, edhe të natyrës financiare.

Vullneti ynë është i plotë dhe procesi i frenimit që ka nisur do vazhdojë deri në fund. Qytetarët shqiptarë janë të gjithë mirëkuptues dhe të qartë lidhur me faktin se kjo është pjesë e rëndësishme e sfidës sonë të madhe, të çeljes së negociatave për anëtarësim dhe të ndërtimit të një shteti serioz, që një orë e më parë duhet të bëhet pjesë e familjes europiane. Por këtë orë duhet ta përshpejtojmë ne me reformat tona, me rezultatet tona dhe nuk mund të presim që të na i përshpejtojnë të tjerët.

Natyrisht, Franca është një shtyllë e patjetërsueshme e BE dhe teksa Shqipëria është një vend që aspiron çeljen e negociatave, është edhe një vend që këtë aspiratë, sot e mbron dhe do vazhdojë ta mbrojë muaj pas muaji, deri në ditën e vendimmarrjes, me rezultate konkrete në çdo aspekt.

Si përfundim, dua ta falënderoj edhe njëherë ministrin për praninë e tij këtu në Tiranë.

Dua edhe një herë që në emër të qeverisë se Shqipërisë ta siguroj qeverinë e Francës dhe drejtpërdrejtë, edhe Presidentin Macron, se ne do të vijojmë me të njëjtin vullnet të mirëshprehur, hap pas hapi, të vendosim njëri pas tjetrit të gjithë gurët e themelit të shtetit të së drejtës dhe të ndërtimit të institucioneve europiane këtu, në vendin tonë, duke qenë të bindur që e vetmja rrugë për të garantuar edhe lëvizjen e lirë në tregun e lirë të punës së të gjithë shqiptarëve, është rruga e reformave, rruga e negociatave, rruga e integrimit të plotë në BE dhe asnjë shteg tjetër, përfshirë edhe azilkërkimin.

Për ne, respektimi i demokracisë dhe i rregullave të saj, funksionimi normal i institucioneve, zhvillimi i procesit demokratik në bazë të modelit të Shqipërisë europiane, janë të panegociueshme.

Ndaj, duke ja kaluar fjalën ministrit Collomb, të cilin besoj se mund ta quaj një mik të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, kam bindjen e plotë se kjo vizitë i shërben ecurisë së mëtejshme në të gjitha drejtimet që fola dhe përbën një tjetër hap shumë të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve tona me Francën, marrëdhënie që për qeverinë e Shqipërisë janë themelore për sot dhe për të ardhmen.

 

Ministri Gerard Collomb: Faleminderit Zoti Kryeministër për fjalët që thatë!

Më lejoni që në nisje të kësaj konference shtypi, së pari të mendoj për viktimat e aksidentit të tmerrshëm që ndodhi në Francë. Do të kishte qenë e udhës të ndodhesha sot, atje, pranë familjarëve të prekura. E di që kolegët e mi, ministri i Transportit  dhe ministri i Arsimit i kanë shoqëruar dje, gjatë kohës kur unë po vija për në Shqipëri. E sëbashku me Kryeministrin dhe dy ministrat shkuan në vendin ku ka ndodhur kjo ngjarje tragjike, për të shpëtuar e plagosurit, që ishin midis jetës dhe vdekjes. Ishte një dramë e tmerrshme, kjo që na ka ndodhur ne, dje.

E pata takuar Zotin Kryeministër, ministrin e Çështjeve Europiane dhe të Punëve të Jashtme, si dhe ministrin e Brendshëm në 20 korrik të këtij viti, për disa çështje që për ne janë të rëndësishme, qoftë për emigrimin e paligjshëm, lidhur me azilkërkuesit, si dhe çështjen e rrjeteve të krimit të organizuar. Patëm një bisedë shumë pozitive. Patëm vendosur që të ecnim përpara dhe kur shoh gjithë progresin dhe rezultatet që janë arritur këto muajt e fundit, mund të them që jemi të kënaqur dhe kemi besim lidhur me vullnetin që ka pala juaj dhe sëbashku ne, për të vazhduar luftën në këto fusha dhe për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve tona.

I pata premtuar ministrave tuaj që kisha dëshirë të vija në Tiranë për t’ju takuar edhe juve, kur patëm folur edhe në telefon sëbashku, ku ju pata thënë që do të vij dhe jam shumë i lumtur që sot ndodhem në Tiranë.

Sot paradite, me ministrin e Brendshëm, zhvilluam një takim të gjatë, mbi dy problematikat që na lidhin, qoftë atë me azilkërkuesit shqiptarë, që është shumë e rëndësishme për ne, sepse në vendet e strehimit që kemi në Francë për të pritur azilkërkuesit, 20% i zënë shqiptarët, të cilët kanë ardhur pa vizë, por që kanë kërkuar azil. Kjo është një çështje mbi të cilën, ne po mundohemi të punojmë sëbashku me autoritetet shqiptare. Ata kanë treguar shumë kurajë lidhur më këtë çështje, sepse është një çështje delikate, e para e punës për t’i penguar njerëzit që duan të largohen nga Shqipëria. Kur ne ju kërkojmë autoriteteve shqiptare që azilkërkuesit, të cilët nuk kanë marrë përgjigje pozitive, duhet sipas procedurave të kthehen në Shqipëri, ata na janë përgjigjur gjithmonë  në mënyrë të favorshme.

Kemi bashkëpunim të mirë po ashtu, edhe lidhur me luftën kundër rrjeteve kriminale. Edhe rrjetet kriminalë janë botërore dhe ne të gjithë e dimë  se bashkëpunimi midis vendeve është një bashkëpunim i domosdoshëm, sepse krimi i organizuar është global tashmë. Ndaj duhet patjetër që edhe partneriteti që kemi me vende të ndryshme europiane dhe të kontinenteve të tjera të jetë i tillë që të arrijmë rezultat.

Pra, shkëmbyem mendime me ministrin lidhur me bashkëpunimin që kemi pasur mes Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe të Francës. Kemi një përforcim të këtyre marrëdhënieve që do të vazhdojnë të intensifikohen edhe në vitet e ardhshme.

Zoti Kryeministër, ju shprehët edhe mbrëmë, edhe tani në takimin që bëmë para disa minutash,  vullnetin tuaj dhe shpresën europian që keni, edhe unë  e konstatoj sesa i fortë është ky vullnet në Shqipëri. Dua t’ju them që ne  e kuptojmë këtë  aspiratë tuajën. Ne jemi në një botë të re, edhe në Francë, në një farë mënyrë jemi në një botë re. Sepse, siç e dini, edhe ne kishim nevojë për të bërë reforma, sepse Franca ndoshta nga pikëpamja ekonomike kishte një rënie. Franca e kishte humbur besimin në të ardhmen, sepse  qytetarët po dyshonin për të ardhmen, dyshonin për Europën. Gjatë fushatës zgjedhore që bëmë në Francë, Presidenti Macron ishte ndër të vetmit, i cili rregullisht në fjalimet e tij fliste për ëndrrën euopiane, duke thënë që ne duhet t’i japim një frymë të re Bashkimit Europian. Sepse këtu, ju keni ëndrrën europiane, por, ndonjëherë,  në vendet perëndimore, njerëzit e kanë humbur këtë ëndërr. Prandaj do të ishte udhës që të gjithë sëbashku  të luftonim që t’i japim një frymë të re dhe atë gjë e bëri edhe Presidenti i Republikës, që nga momenti që ai fitoi zgjedhjet dhe u bë President i Francës. Ju e dini të gjithë rolin pozitiv që ai po mundohet të luajë në të gjitha subjektet e rëndësishme europiane, madje dhe botërore. Ai mundohet që t’i qetësojë tensionet dhe të ndërtojë paqen në zona të ndryshme të botës dhe kjo është shumë e rëndësishme për Europën. Por që të bëhen propozime europiane duhet të fillojë secili nga vetja  e vet. Prandaj, qëkur qeveria jonë u formua me zgjedhjen e Zotit Macron dhe me Kryeministrin zoti Philippe, ne kemi filluar disa reforma të rëndësishme.

Unë  e di që edhe qeveria juaj është një  qeveri reformash dhe në të gjitha pikat jeni duke punuar për të reformuar institucionet tuaja. Të gjitha vendet e botës kanë nevojë për një botë në lëvizje, në lëvizje të shpejtë dhe që duhet ta shohë veten në pasqyrë, të bëjë reforma dhe të eci përpara.

Juve po e bëni, sepse BE ia u kërkon këtë gjë, por e bëni edhe për veten tuaj, sepse duke reformuar vendin, ai vend mund të eci përpara në pikëpamje kombëtare dhe ndërkombëtare. Kështu, ne e shohim dhe konstatojmë ato përpjekje që ju keni bërë në të kaluarën dhe që po bëni akoma, megjithëse lufta politike ndonjëherë është e ashpër, ashtu siç e kemi edhe në Francë, por të paktën tek ju është një subjekt i përbashkët dhe një ide e përbashkët, që është ajo anëtarësimit në Europë. Prandaj, për ju është shumë e rëndësishme që të ecni përpara në këtë proces.

Ju e dini gjithashtu që kur Presidenti Macron foli në Universitetin e Sorbonës, në lidhje me të ardhmen  e Europës, foli më në veçanti për zonën e Ballkanit Perëndimor dhe tha që është shumë e rëndësishme që duhet të stabilizohet kjo zonë, ky rajon dhe se BE nuk mund t’i lërë vendet e Ballkanit jashtë kësaj familje, por duhet patjetër që t’i përfshijë në një ecje dinamike drejt anëtarësimit. Reformat, natyrisht marrin kohë, po duhet patjetër që të ecim përpara.

Unë  e dëgjova me shumë vëmendje shprehjen e vullnetit tuaj dhe dëshirën për ta reformuar vendin, përsa i takon çështjeve të përbashkëta që na lidhin. E besoj që mund t’ia arrini kësaj pune, në bazë të një bashkëpunimi që do të kemi. Do t’ia transmetoj edhe Zotit Macron ëndrrën europiane që ju keni, për të cilën më folët dhe që është ëndrra e të gjithë shqiptarëve, besoj. Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, është shumë e rëndësishme për Francën, është shumë e rëndësishme për Europën dhe besoj, një Europë që do të marri besim tek vetja  e vet do të krijojë projekte për të ardhmen  dhe që të rikujtojë vlerat e përbashkëta europiane, do të jetë e rëndësishme dhe në arenën botërore. Pra, po të përpiqemi të punojmë sëbashku dhe që të gjithë sëbashku të kemi të përbashkët ëndrrën europiane dhe të ardhmen.

Faleminderit për pritjen!

Faleminderit ministrit të Brendshëm për pritjen që më bëri! Ishte një pritje shumë e jashtëzakonshme!

Jam shumë, shumë i lumtur!

Do të largohem që këtu për në Francë, me vullnetin për t’i promovuar më tej marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Francës. I kam premtuar ministrit të Brendshëm, që pas ca kohësh, – nuk po themi datën, – por pas disa muajsh do të vij përsëri, të rri nja një javë, 7-8 ditë, në Shqipëri.

 

Ju folët për ndryshim pozitiv të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe përpjekjet për të ndalur kërkesat për azil. Ndërkohë që folët dhe për reformat e Shqipërisë që janë të domosdoshme, së pari, për vendin, pastaj për integrimin. Qëndrimi i zyrtar i qeverisë shqiptare është që ne jemi gati për të hapur negociatat. Me kaq sa ka bërë Shqipëria, e ka mbështetjen e Francës për të hapur negociatat në prillin e vitit të ardhshëm?

Ministri Collomb: Ju e dini që në një qeveri nuk është vetëm ministri i Brendshëm, është Presidenti i Republikës, i cili në një çast të caktuar do të thotë se çfarë rruge do të ndiqet. Fakti që Presidenti francez foli në universitetin  Sorbonne, në fjalimin e tij të rëndësishëm për të ardhmen e Europës, citoi Ballkanin, citoi dhe Shqipërinë, mund edhe mos ta kishte bërë këtë gjë, por për mua, fakti që e përmendi këtë vend, duke e cituar, tregon një drejtim. Pastaj besoj që duhet diskutuar me Komisionin Europian dhe gjithashtu të bindim vende e tjera të BE, por vullneti i Shqipërisë tuaj për të vazhduar është domethënës dhe është një shenjë, ogur i mirë për të ardhmen e do të na ndihmojë ne që ta shoqërojmë Shqipërinë në këtë proces e të mos jetë vetëm një pikë e largët në horizont, që largohet gjatë kohës që Shqipëria bën progres drejt Europës.

 

Lidhur me objektin e vizitës suaj, që ka të bëjë me luftën kundër emigracionit të paligjshëm, folët për praninë e katër oficerëve francezë që do të vijnë të punojnë me institucionet shqiptare, mos janë pak? Si do të zhvillohet puna?

Ministri Collomb: Për mua do të ketë një bashkëpunim të fortë lidhur me këtë çështje, mes ministrit të Brendshëm shqiptar dhe ministrit francez. Kjo është një marrëdhënie mirëbesimi midis nesh dhe e kemi hasur këtë mirëbesim tek njëri tjetri.

Kur shoh shifrat e qytetarëve shqiptarë që nuk janë lejuar të udhëtojnë drejt Bashkimit Europian apo drejt Francës për arsye të mungesës së dokumentacionit, them se është pozitive. Me pak vende kemi marrëveshje ku kthimi i personave që kanë përfunduar procedurën në Francë e që kanë marrë përgjigje negative, të marrë një përgjigje kaq të shpejtë nga ana e autoriteteve. Shqipëria e bën këtë gjë. I thashë ministrit qëparë që është e rëndësishëm të bëhen përmirësime në Shqipëri, por dhe në Francë, sepse procedurat për azilin dhe për emigrimin në Francë duhet të pajtohen me kriteret europiane dhe me kriteret e miqve tanë gjermanë. Ne po mundohemi të punojmë sëbashku, kemi sjellë oficerë për Policinë Kufitare dhe do të punojmë sëbashku dhe me vendet fqinje, sepse shqiptarët nuk nisen vetëm nga Tirana por disa prej tyre që duan të shkojnë në Francë nisen nga kryeqytetet e vendeve fqinje. Prandaj është e rëndësishëm që të punojmë bashkë me ata, në mënyrë që ta bllokojmë këtë fenomen. Gjithashtu kemi propozuar që oficerë të policisë shqiptare të vijnë në Francë, dy në Paris, për të punuar me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Ajrore dhe të Kufirit dhe dy në zonat e Francës ku janë të përqendruar azilkërkuesit shqiptarë që vijnë, qoftë në zonën e Moselle dhe qyteti i Metz-it, që është një qytet i prekur nga ky fenomen ka ardhur bashkë me mua dhe zona e Rhone-it. Siç e dini dhe unë vetë jam me orgjinë nga Lyon, kështu që i ndjek shumë nga afër, sepse është zona tjetër e prekur shumë nga azilkërkuesit. Pra, përveç shifrave aktuale që kemi konstatuar, ne kemi ndërtuar një marrëdhënie shumë të mirë dhe kemi vullnetin sëbashku që të punojmë mirë për të ardhmen.

Ekzistojnë probleme në botë, por kur njerëzit janë gati për t’i zgjidhur ato dhe kanë vullnetin për këtë, kanë për t’ia dalë mbanë dhe unë mendoj se kemi vullnetin e përbashkët për t’ia dalë.

Ju faleminderit!

Kryeministri Rama: Para se të mbarojmë, dua t’ju kujtoj gjithë gazetarëve francezë dhe francezëve që u bë një kampionat europian i futbollit në Francë, për fat të keq, Franca nuk fitoi, por pati me qindra, madje mijëra shqiptarë që e ndoqën ekipin kombëtar në Francë dhe asnjë shqiptar nuk theu asnjë xham të vetëm. Ishte tifozeria më e mirësjellshme e Europës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.