Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të zhvilluar në Shkodër:

Mirëmbrëma të gjithëve!

Sot kemi nisur aktivitetin e përmuajshëm të qeverisë në qarkun e Shkodrës për muajin dhjetor dhe sapo kemi përfunduar mbledhjen e qeverisë, e cila i hap rrugë një numri projektesh të rëndësishme që synojnë transformimin e mëtejshëm të qytetit si një kryeqendër turistike, por dhe të gjithë qarkut të Shkodrës.

Kemi aprovuar një dokument drejtimesh për ndërhyrjet prioritare në Shkodrën turistike, që është një orientim i zhvillimit të integruar, bërë në bashkëpunim me drejtuesit vendorë, duke marrë në konsideratë të gjitha kërkesat dhe ato çka kemi regjistruar gjatë bashkëbisedimit me ta në muajt paraardhës, si dhe dëgjesat e kryera gjatë periudhës paszgjedhore me qytetarët në të gjithë qarkun.

Më tutje, kemi miratuar vendimin për shpalljen e qendrës historike të Thethit dhe të zonës së mbrojtur përreth saj, një zotim i bërë në fushatë, i cili lidhet me domosdoshmërinë për të fokusuar më shumë burime financiare për të gjithë atë zonë të mrekullueshme, duke filluar nga rindërtimi i rrugës së Thethit. Bashkëlidhur me këtë vendim është miratuar dhe rregullorja për mbrojtjen, konservimin dhe administrimin e vlerave historiko-kulturore të qendrës dhe të gjithë asaj zone që vihet në mbrojtje. Po ashtu, në rregulloren e miratuar përcaktohet edhe modaliteti i bashkëpunimit me bashkinë Shkodër për ruajtjen dhe promovimin sa më të mirë të vlerave turistike, historike dhe kulturore të zonës së Thethit.

Një tjetër vendim me rëndësi është ai për miratimin e bursave për nxënësit të Shkollës së Mesme Profesionale “Peter Mahringer” këtu në Shkodër, e cila është një shkollë me një reputacion të njohur pozitiv dhe në total, janë 84 bursa që qeveria do t’i akordojë nxënësve të dalluar dhe atyre që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike.

Mbështetja e kësaj kategorie është në përputhje me programin e qeverisë për nxitjen e arsimit profesional, si një katalizator i rëndësishëm për rritjen e punësimit dhe patjetër edhe reduktimin e mëtejshëm të varfërisë.

Paketa e miratuar do të sjellë një rritje të ndjeshme të investimeve në infrastrukturën publike, kulturore dhe sociale të qytetit të Shkodrës, siç ka nisur me programin e Rilindjes Urbane, kur u ndërhy në një sërë pikash strategjike për këtë qytet, nga teatri Migjeni, tek ky muze i fotografisë “Marubi” ku jemi sot këtu, tek stadiumi “Loro Boriçi” e me radhë në zonat që shkojnë edhe përtej bashkisë së Shkodrës, përfshirë Malësinë e Madhe, Pukën, Fushë-Arrzin apo bashkinë e Vaut të Dejës.

Kemi marrë dhe një sërë vendimesh të tjera që janë vendime që do të publikohen edhe në faqen e qeverisë, por që nuk kanë të bëjnë me këtë zonë dhe nesër do të bëjmë prezantimin publik, jo vetëm të Shkodrës turistike, pra të programit të zhvillimit, por edhe të programit të zhvillimit të qëndrueshëm të Alpeve. Është një program, i cili është ndërtuar me ekspertizë vendase dhe të huaj dhe që do të përbëjë një platformë shumë të rëndësishme për investimet dhe nxitjen e fortë që ne duam t’i japim zhvillimit të turizmit, ekonomisë dhe të punësimit në të gjithë zonën, duke i konsideruar edhe Alpet si një nga pikat kyçe të zhvillimit për të arritur objektivat e katër vjeçarit.

Qëndrimi i qeverisë në Shkodër do të vazhdojë gjatë gjithë ditës së nesërme me një numër të madh aktivitetesh të të gjithë ministrave që do shkojnë në territore të ndryshme, që do të marrin kontakte me administratën qendrore këtu në qark, që do të marrin kontakte me grupet e interesit dhe që do të dëgjojnë me shumë vëmendje opinionet e qytetarëve po ashtu.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.