Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me veteranë të Luftës Nacional Çlirimtare dhe ushtarakë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në nderim të 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit:

 

Shumë të dashur veteranë dhe pasardhës të veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare!

Shumë të nderuar gjeneralë dhe ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë!

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë, miq dhe të ftuar!

Përkujtimi i 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit të Shqipërisë ka sot një ngjyrim të posaçëm. Një ngjyrim në shenjën e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, të cilin e shpallëm dje, në Vlorën e flamurit, si një vit që rrok jo vetëm një mori datash të shënuara, por edhe një rend përparësish në politikbërje, me një fokus të qartë tek rruga jonë e përbashkët e afrimit të përditshëm me familjen europiane, si një aspiratë e kahershme dhe si një angazhim i palëvizshëm i të gjithë shoqërisë sonë, i të gjitha forcave politike dhe padiskutim, i qeverisë tonë të re.

Në këtë përvjetor të Çlirimit të atdheut kemi mes nesh akoma më pak nga burrat dhe gratë që ishin autorët e drejtpërdrejtë të asaj fitoreje të rëndësishme, e cila na bëri të gjithëve ne, nderin e paçmuar të të qenit pjesë e një populli që u rendit në krah të fituesve të Luftës së Dytë Botërore. Por veteranët dhe veteranet kanë pasues. Ndërkohë që një cikël jete shkon drejt përfundimit, cikle të tjera fillojnë. Janë të rinjtë shqiptarë, ata që duhet të kujdesen për flakën e kujtimit të Luftës Nacional Çlirimtare, si një pishtar i pazëvendësueshëm në ndriçimin e rrugës së të ardhmes, ku përditë duhet të njohim vetveten si komb, si shoqëri dhe si shtet.

Ndërkohë që shumë pak gjëra mbase kanë mbetur pa u ditur nga kjo luftë. Ama ka diçka që mbetet përditë për t’u zbuluar e rizbuluar. E kjo diçka është sensi i përkatësisë dhe zhvillimi i një angazhimi të përditshëm, që lidhet me vlerat dhe me shpresat e ëndrrat që e çuan masivisht rininë shqiptare në mbështetje të Luftës Nacional Çlirimtare.

Në këtë pikë të gjithë ne, rinia jonë posaçërisht, kanë përditë shumë për të mësuar dhe për të përfituar nga shembulli i asaj përpjekjeje, pa u ngatërruar me çfarë erdhi më pas, si një thjeshtim ideologjik, rrafshues për shumë ëndrra, për shumë shpresa dhe për shumë jetë dhe pa u ngatërruar po ashtu me gjithçka vjen sot, jo si një thjeshtim totalitarizues, sepse, për fat të mirë, ideologjitë që u përplasën në atë luftë kanë vdekur, por si thjeshtim radikalizues në një botë gjithmonë e më komplekse, ku veçanërisht të rinjtë janë sa burimi i shpresës dhe garancia e të ardhmes, aq edhe viktimat potenciale të tundimeve radikalizuese, që shfaqen sot në forma agresive e që marrin deri edhe formën çnjerëzore të terrorizmit.

Nuk ka sot një shembull më kuptimplotë e më solid në fushën e jetës shoqërore, sesa shembulli këtyre ushtarakëve që sapo morën një vlerësim simbolik, i cili thotë shumë simbolikisht, por nuk ka si të thotë mjaftueshëm për sakrificat dhe përkushtimin e tyre. Ishte vërtet prekëse të dëgjoje secilin prej tyre, që pas marrjes së dekoratës të nderonin ministren e Mbrojtjes me fjalët: “I shërbej Republikës së Shqipërisë!”

Sot falë transformimeve rrënjësore euroatlantike, Forcat e Armatosura shfaqen si një pol orientues, jo vetëm për ne këtu në Shqipëri, por në të gjithë botën e lirë. Sa më shumë e jetojmë këtë botë sot, sa më shumë kuptojmë rreziqet dhe vështirësitë për t’u përballur me ato rreziqe, aq më shumë edhe kuptojmë pse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ushtarakët, veteranët, vajza e djem, që i bashkohen Forcave të Armatosura për një mision apo një tjetër, janë kaq shumë të nderuar e të respektuar, aq më shumë kuptojmë sot, pse Forcat e Armatosura kanë në vetvete një garanci për të gjithë, si një shëmbëlltyrë e faktit se radikalizmi dhe deri edhe terrorizmi janë të mundshëm, të thyeshëm dhe mbi ta mund të fitojnë dhe do të fitojnë vlerat që mishëron fuqia e madhe, jo thjesht ushtarake, por e bashkimit në një aleancë të vetme si NATO të vendeve demokratike.

Katër shembujt shumë njerëzorë dhe profesionalë, që sot morën nderimin simbolik, janë thjesht dhe vetëm një pjesëz e të gjithë atyre shembujve të përditshëm, shpeshherë të padukshëm në skenën e jetës publike, të vajzave dhe djemve, të grave e burrave të këtyre Forcave, të cilët nuk janë thirrur të flijohen për Shqipërinë, por thirren për të sakrifikuar dhe për të shpëtuar të tjerë nga kërcënimi deri dhe i jetës në përballje me fatkeqësi natyrore, apo me fatkeqësi të shkaktuara nga dora e njeriut, siç është rasti i refugjatëve që rrezikojnë jetën e tyre, për t’i ikur vdekjes në vendet që lënë pas.

Ndonëse të panjohur, emrat e këtyre katër bashkëqytetarëve, ashtu sikundër dhe emrat e të gjithë të tjerëve në trupat e Forcave të Armatosura nuk qëndrojnë më poshtë sesa emrat e dëshmorëve, të invalidëve dhe të veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare. Përkundrazi janë një vijim krenar dhe besnik i tyre, i vlerave për të cilat ata u flijuan, apo u plagosën me armë në dorë dhe i Shqipërisë që sëbashku të gjithë ata deshën dhe që ne duam për gjeneratat që vijnë.

Të jesh sot pjesëtar i këtyre Forcave, të jesh sot në rreshtin e skuadrave të Emergjencave Civile, të shpëtosh foshnje, të shpëtosh nëna me fëmijë dhe familje të shpërngulura nga katastrofat natyrore, duke lënë bashkëshortë, fëmijë dhe familjarë, për të shkuar për të ndihmuar të tjerë dhe të panjohur, nuk është një sakrificë që sjell lavdi, që sjell prestigj, që sjell para më shumë sesa të tjerët në xhep, por është një shembull që i sjell Shqipërisë atë që i duhet më shumë se çdo gjë tjetër sot, fuqinë e dëshirës për t’i shërbyer vendit tënd, për t’i shërbyer shoqërisë ku bën pjesë, për t’iu shërbyer fëmijëve të tu, duke i shërbyer në një moment të caktuar atyre që ti nuk njeh.

Sot më vjen shumë mirë të them se Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut nuk e kemi parë si një vit për t’u kthyer pas, si një vit për t’u rënë daulleve të nacionalizmave të së shkuarës, si një vit për të rrahur gjoksin për bëmat e atyre që shkruan emrin në historinë e këtij vendi me gjak apo me penë, por e kemi parë si një vit për të nxitur burimet e energjive më pozitive të kësaj shoqërie dhe posaçërisht si një vit për t’iu dhënë mundësinë më të rinjve që të shfrytëzojnë instrumente të rinj për të njohur më shumë vetveten dhe për t’u bërë më të dobishëm për vendin.

Forcat e Armatosura do të jenë një nga pikat e referimit të këtij Viti Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, si një bazë ku rinia mund të gjejë hapësira për integrimin e vet social, duke u bërë pjesë e programeve, të cilat do t’iu japin mundësi të rinjve që të njihen me vlera, të njihen me shembuj, të njihen me rrugë ku përpjekja e përbashkët dhe solidariteti mund të stimulojnë çdo individ për të mos ndenjur këmbëkryq dhe as duarkryq në pritje të të ardhmes që nuk vjen, nëse ne nuk e kërkojmë. Nëse flamuri i Skënderbeut dhe simbolet e përkatësisë tonë europiane do të ktheheshin për ta në një strehë ku do të stimulohej talenti dhe do të zhvilloheshin dhuntitë e tyre individuale, kjo do të ishte një arritje jo e vogël.

Një mision i posaçëm, të cilin e kemi quajtur “Rini-talent-mundësi-dinjitet” i është mirëbesuar Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Arsimit. Edhe me asistencën e partnerëve tanë ndërkombëtarë do të mundësojë sigurimin e një formimi etik dhe ushtarak, në formën e një shërbimi të kontraktualizuar në adresë të të rinjve pa orientim të qartë arsimor apo profesional, me synimin;

Së pari, një formim mbi simbolet kombëtare, mbi ndjenjën e përkatësisë europiane, mbi historinë dhe sistemin e vlerave themeltare të Republikës së Shqipërisë;

Së dyti, një formim mbi parimet eurointegruese dhe objektivat e Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe respektin ndaj simboleve dhe vlerave të tyre universale;

Së treti, formimin me teknika ushtarake dhe civile mbi misionet paqeruajtëse, Emergjencat Civile dhe luftën kundër terrorizimit;

Së katërti, deradikalizimin dhe formimin në teknikat operacionale të luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm;

Së pesti, formimi në programet dixhitale dhe sigurinë kibernetike;

Së gjashti, formim në gjuhët e huaja kryesore.

Kështu Forcat e Armatosura do të bëhen për të gjithë Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, në njëfarë mënyre, kumbarë dhe dorëzanë të të shumë të rinjve, duke i certifikuar dhe duke u dhënë ndihmesë në orientimin profesional dhe në karrierë, qoftë brenda Forcave të Armatosura, qoftë në jetën civile, publike, apo private pas shërbimit.

Uroj vërtet që ky të jetë një proces ku do të përfshihen shumë të rinj e të reja dhe ku edhe ne të gjithë do mësojmë, për ta kthyer në një program të përvitshëm, duke iu dhënë të rinjve brenda Forcave të Armatosura, por dhe jashtë tyre, mundësinë që tek bashkëjetesa për një kohë të caktuar me Forcat e Armatosura të zbulojmë pikërisht vlera dhe njerëz pa emër, pa lavdi, pa prestigj, por që në punën e tyre të përditshme meritojnë të quhen pasardhës të denjë të heronjve, dëshmorëve dhe veteranëve e invalidëve të Luftës Nacional Çlirimtare.

Shumë faleminderit për këtë privilegj, sepse besoj që është privilegj të flasësh në emër të qeverisë përpara jush!

Gëzuar të gjithëve festën e Çlirimit të atdheut tonë, 29 Nëntorin!

* * *

Qeveria shqiptare ka nderuar me Medaljen e Mirënjohjes, katër ushtarakë, të cilët kanë marrë pjesë në misione kombëtare apo ndërkombëtare për shpëtimin e jetëve njerëzore.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Mbrojtjes iu kanë dorëzuar sot, në Ditën e Çlirimit të Shqipërisë, përmes një ceremonie të posaçme, ku ishin të pranishëm veteranë të luftës e ushtarakë të FASH, medaljet ushtarakëve:

Saimir Balla, Rreshter i Forcës Ajrore, i cili një vit më parë shpëtoi nga përmbytja një fëmijë të sapolindur në Zenishtë të Burrelit;

Fatjon Lulja, pjesë e batalionit mbështetës të xheniove që ka kontribuar në ndërtimin e rrugëve dhe urave, duke iu paraprirë pasojave që mund të sjellë izolimi, moti i keq, apo emergjencat;

Ervin Todo, Rreshteri i cili mori pjesë në operacionin për evakuimi i banorëve të Urës Vajgurore që rrezikoheshin nga përmbytja;

Esmeralda Murati, infermierja që së bashku me mjeken Aurela Bala ishin pjesë e misionit të anijes Oriku që u vlerësua edhe nga NATO për operacionin e kërkim-shpëtimit në detin Egje, duke shpëtuar mbi 1 mijë jetë emigrantësh.

“Këta ushtarakë nuk kanë luftuar armikun klasik, por kanë vënë veten në rrezik për të shpëtuar jetë njerëzore,” – u shpreh ndër të tjera ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.