Nga fjala e Kryeministrit Edi Rama në dëgjesën publike me qytetarë në Vlorë:
I dëgjova me vëmendje të gjitha këto shqetësime dhe është e qartë që në Vlore dhe në të gjithë Shqipërinë ka një problem të rëndë dhe të trashëguar me pronën, që nuk është krijuar tani, por e krijuar që nga dita e parë e ndryshimit të sistemit. Gjë që solli edhe krijimin e një rrëmuje të madhe, që ka krijuar në Shqipëri 8 mijë konflikte me pasojë vrasjen, plagosjen, apo dëmtimin fizik të njerëzve, pa llogaritur dhjetëra e mijëra gjyqe. Ajo që është ende një sfidë e madhe dhe që sjell gjithë këto konflikte me mbivendosje e histori të tjera është mungesa e një baze të qëndrueshme të dhënash për pronën në të gjithë territorin, për të cilën ne po punojmë, por ka ende shumë punë për të bërë.
Një pjesë e madhe e problematikave me ALUIZNI-n janë të lidhura me ndërtime që janë jashtë kritereve. Nuk mund të legalizohet një ndërtim mbi ujësjellës. Nuk mund të legalizohet një ndërtim mbi kanalin kullues. Nuk mund të legalizohet një ndërtim mbi rrugë, ose aty ku plani parashikon që të zgjerohet rruga, sepse me legalizimin e bëjmë pronar atë që shkelur aksin e rrugës dhe duhet ta paguajmë pastaj me lekët e popullit, që të shpronësohet si pronar. Nuk mund të legalizohet një ndërtim pa leje në një monument kulture. Kështu që, në një pjesë të problematikës nuk ka asnjë përgjegjësi zyra e ALUZINI-t, ama, përgjegjësia e zyrës së ALUIZNI-t dhe e të gjithë zyrave të këtij shteti është që nuk të japin përgjigje menjëherë, që ta ndajnë e të thonë “kjo nuk bëhet”, por të mbajnë varur pafund.
Shumë problematika që dëgjohen këtu dhe që i kam dëgjuar edhe në dëgjesa të tjera lidhen me çështje të mikromenaxhimit të pushtetit vendor. Ajo që ne duhet të bëjmë dhe do ta bëjmë patjetër është se duhet t’i japim çdo zyre një dinjitet të merituar nga njerëzit që paguajnë taksa. Duhet të transformojmë komplet të gjithë qasjen dhe sjelljen e administratës shtetërore. Edhe në bashki, edhe në zyrat e administratës qendrore kemi probleme të mëdha me njerëzit që janë në kontakt me publikun. Këtë do ta korrigjojmë patjetër!
Ne duhet të ndërtojmë një bashkëqeverisje me njerëzit e zakonshëm që të mos vazhdojë historia që, kur e sjell rasti të vijë Kryeministri apo ministri, të mblidhen të gjithë me letra në dorë, por kjo gjë të bëhet përditë nga administrata, e cila t’iu japë përgjigje njerëzve që të mos akumulojnë dëshpërim me vite, derisa ia sjell rasti që t’i dalë përpara një zyrtar i lartë. Kjo gjë është plotësisht e realizueshme sot, sepse kemi mundësinë që na jep teknologjia përmes një platforme të këtij koalicioni me njerëzit e zakonshëm në celular, në kompjuterin në shtëpi apo kudo në një zyrë shërbimi, në mënyrë që kushdo që do të kontribuojë në këtë qeverisje të regjistrohet si anëtar i koalicionit.
Ne nuk kemi një mandat për t’u marrë me ata që janë në detyrën të bëjnë opozitën. Ne kemi një mandat për t’u marrë me opozitën reale të rrugës tonë për Shqipërinë që duam, që janë parazitët dhe grabitqarët në zyrat e shtetit. Detyra jonë është të luftojmë armikun publik numër një të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar sot dhe armiku publik numër një sot është paraziti dhe grabitqari që rri me taksat e popullit në zyrat e shtetit dhe i nxin jetën popullit.
Kjo luftë është një luftë që bëhet vetëm në qoftë se njerëzit e zakonshëm përfshihen në bashkëqeverisje, vetëm në qoftë se çdo njeriu të zakonshëm i jepet aksesi nëpërmjet platformës ta çojë zërin menjëherë deri tek autoriteti më i lartë, deri tek ministri, kur problemi nuk merr zgjidhje e jo t’i nxihet jeta me muaj e vite, derisa të shohë një ministër rrugës. Çdokush mund të regjistrohet me emër, me mbiemër, me identitet dhe t’i dalë për zot gjithkush asaj për të cilën ankohet, jo t’iu bjerë në qafë njerëzve kot. Pas ekranit do jetë një ushtri e tërë njerëzish që do merret me verifikime dhe më ndjekjen e çështjeve. Në rastet kur verifikohet që zyrtari i shtetit i ka rënë në qafë qytetarit, ai zyrtar nuk mund të rrijë më në zyrë. Ai duhet të largohet nga zyra menjëherë.
Nuk është vetëm për ankesat, por edhe për opinionet. Ne do t’iu japim akses njerëzve që janë të interesuar në sektorë të ndryshëm të japin opinionet e tyre për vendime e projektligje që do të marrë qeveria dhe për çështje të aktualitet. Secili do ketë akses përmes kodit të anëtarësisë në këtë koalicion. Koalicioni mund të jetë me 1 mijë persona, mund të jetë me 1 milionë persona. Kush të dojë, të vijë të bëhet pjesëtar, pa dallim.
Qeveria të jetë në funksion të problemeve dhe të halleve të njerëzve, se problemi themelor është që njerëzit kërkojnë disa të drejta shumë të thjeshta që nuk po i marrin dot dhe përpos kësaj marrin edhe derën përplasur në fytyrë. Arrogancë, brutalitet, indiferencë, zyra shteti që i gjen mbyllur, ose të thonë “prit se drejtori me punonjësit janë në kafe”. Këto duhet t’i shkatërrojmë dhe mund t’i shkatërrojmë vetëm bashkërisht.
Ajo që duhet të bëjmë tani dhe të investohemi 4 vjet është që zyrat e shtetit të jenë të njerëzve të zakonshëm, jo të grabitqarëve, të parazitëve që rrinë atje. Ka Vlora, Tiranë, Shkodra, Tropoja, Saranda burra e gra, djem e vajza, që janë të aftë të rrinë në detyrë si qytetarë dhe t’iu shërbejnë të gjithëve.
Shumë faleminderit!