Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Viti 2024 do të shënojë për vendin përfundimin e një sërë veprave publike nga më të rëndësishmet në infrastrukturë, duke kompletuar në këtë mënyrë panoramën e Shqipërisë turistike me destinacione të arritshme lehtësisht dhe me rrugë që do të lidhin shqiptarët në çdo cep të saj.

Tuneli i Llogarasë do të dorëzohet më 30 qershor të vitit që sapo hymë, duke bërë që rruga nga Vlora drejt perlave të bregdetit të Jugut të jetë më e shkurtër se kurrë më parë, dhe e standardeve të larta të rrugëve, si në vendet më të përparuara europiane. 

Në analizën vjetore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrja Balluku theksoi se pavarësisht kontratës 36 mujore, Tuneli i Llogarasë do të hapet në fillim të sezonit veror të vitit 2024, ashtu siç u premtua. 

Por jo vetëm. Një tjetër segment i rëndësishëm si ai i Thumanë-Kashar, së bashku me dy nyjet e tij të rëndësishme do të futet në funksion gjatë verës së vitit 2024.

Rruga e Arbrit, vepra tjetër madhore e mezipritur nga mbarë shqiptarët, shënoi këtë vit një fazë të rëndësishme, përfundimin e gërmimeve në tunelin e Murrizit, një prej proceseve më të vështira nga pikëpamja gjeologjike, dike bërë të mundur që në dhjetor të vitit 2024 apo edhe më shpejt, Rruga e Arbrit të përfundojë plotësisht.

Unaza e Madhe e Tiranës, është një tjetër aks kombëtar shumë i rëndësishëm që do të jetë i disponueshëm, në dhjetor të vitit 2024, për të përthithur të gjithë trafikun që vjen nga autostradat  e veriut e jugut apo dhe të lindjes. 

Në këtë mënyrë të gjithë banorët e kryeqytetit, së bashku me të gjithë turistët e shumtë të pranishëm në çdo muaj të vitit, nuk do t’u duhet që të kalojnë qytetin mes për mes për të shkuar nga një pikë në tjetër, por do të përdorin Unazën e Madhe, që nuk do të ketë vetëm funksionin e prurjeve apo nxjerrje e në autostradë, por do të jetë edhe funksionin e lehtësimit të banorëve të qytetit apo vizitorëve  të kryeqytetit, të cilët mund të aksesojnë pika të ndryshme, duke kaluar nga Unaza e Madhe.

Në Analizën Vjetore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u bë e ditur se në tremujorin e parë të vitit 2024 planifikohet hapja e garës ndërkombëtare për ndërtimin e Portit të Ri të Durrësit, një nga projektet më të rëndësishme të dekadës së ardhshme, i cili do të vendosë Shqipërinë në një nivel tjetër përsa i përket industrisë detare, një nyje lidhëse në Mesdhe, e cila sipas planeve të mirë studiuara të qeverisë do të jetë edhe një nyje ushtarake, pas propozimit që qeveria shqiptare i ka bërë NATO-s dhe marrjes së mbështetjes nga ana e saj përsa i përket edhe idesë për të patur edhe një bazë detare të Aleancës në zonën e Porto Romanos.

Një nga projektet e tjera të rëndësishme, që do të mbështetet, jo vetëm nga qeveria e Shqipërisë, por edhe e Kosovës, është  projekti i  transportit hekurudhor që do të lidhë Durrësin me Prishtinën, jo vetëm si një transport komercial i rëndësishëm që do të lidhë portin e ri të Durrësit me portin e Prishtinës, por edhe si një transport alternativ  për të gjithë udhëtarët e shumtë, të cilët shkëmbehen midis Kosovës dhe Shqipërisë. 

Në analizën vjetore të Ministrisë së Infrastruktuës dhe Energjisë, Ministrja Balluku bëri të ditur se gjatë vitit 2024 do të procedohet me krijimin  e një agjencie përsa i përket transportit publik, një agjenci, e cila padyshim do të ofrojë një shërbim  të unifikuar në mbarë vendin, do të ofrojë një biletë elektronike për të gjithë për të evituar çdo evazion fiskal, por nga ana tjetër çdo abuzim me udhëtaret dhe mbi të gjitha duke i dhënë mundësi të re transportit publik, me ngritje e stacioneve të mirëfillta të transportit publik në çdo qytet apo dhe me teknologji të re. 

Krahasuar me vitin 2018, në transportin publik ka një cilësi tjetër shërbimi, falë reformës së thellë të bërë në këtë drejtim. Duke iu referuar shifrave të prezantuara në analizën vjetore,  sot ka 21 % të shërbimeve më shumë online, krahasuar me atë kohë dhe nga ana tjetër është ulur kosto mesatare e çdo shërbimi me 16 %. Ndërsa koha mesatare e shërbimit është 30 % më pak seç ishte krahasimisht në vitin 2018.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.