Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

A K T  N O R M A T I V

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË AKTIN NORMATIV NR.3, DATË 15.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MARRJEN E MASAVE TË VEÇANTA ADMINISTRATIVE GJATË KOHËZGJATJES SË PERIUDHËS SË INFEKSIONIT TË SHKAKTUAR NGA COVID-19”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

Neni 1

Në nenin 3, të aktit normativ nr.3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“13. Të gjitha transmetimet audiovizive me më shumë se një person në të njëjtën studio televizive, që nuk respektojnë distancën e sigurisë prej 2 metrash nga njëri-tjetri, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe, në rast përsëritjeje, iu shtohet edhe vendosja e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, pas marrjes së vendimit nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe zbatohet nga organi kompetent.”.

2. Pas pikës 20 shtohet pika 21, me këtë përmbajtje:
“21. Moskryerja e aplikimit nga ana e subjektit të të punësuarit apo ish-të punësuarit që plotëson kushtet për të përfituar ndihmën financiare, gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Subjektet, të cilat i kanë trajtuar me pagë të plotë të punësuarit apo ish-të punësuarit nuk gjobiten për mosaplikim për përfitimin e ndihmës financiare.

Subjektet e gjobituara mund të ushtrojnë të drejtën e ankimit pranë administratës tatimore, duke paraqitur në rrugë elektronike, nëpërmjet portalit e-filing, shkaqet dhe/ose arsyet e mosaplikimit, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e komunikimit të gjobës, sipas Kodit të Procedurave Administrative.”.

Neni 2

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.