Kryeministri Edi Rama është pritur në një takim nga Presidenti i Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso. Pas takimit të zhvilluar në selinë e Komisionit, Presidenti Barroso është shprehur i bindur në përkushtimin personal të Edi Ramës dhe kabinetit të tij ndaj axhendës integruese të vendit. “Shqiptarët i kanë dhënë Aleancës tuaj për Shqipërinë Evropiane një mandat të qartë dhe të fortë”, u shpreh Presidenti i KE.
Në takimin e zhvilluar mes Kryeministrit të Shqipërisë dhe Presidentit të KE u diskutua mbi reformat që do të ndërmarrë qeveria e re në procesin e integrimit të vendit në Familjen Evropiane. Presidenti Barroso është shprehur i vendosur për perspektivën evropiane të Shqipërisë.
“E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Zgjedhjet parlamentare të qershorit u mbajtën në një mënyrë përgjithësisht të mirë dhe konkurruese. Unë shpresoj që ky momentum të vazhdojë në mënyrë që së shpejti të kemi mundësinë të punojmë më shumë,” është shprehur Presidenti i KE duke kërkuar që procesi integrues të jetë proces i mirëfilltë kombëtar. Duke vënë theksin tek reformat dhe detyrat, që duhet të bëjë Shqipëria, Presidenti Barroso është shprehur se nga komisioni ekziston vullneti që procesi të përshpejtohet: “Unë mendoj se në parim Shqipëria mund të arrijë statusin e kandidatit këtë vit.”
Kryeministri Edi Rama garantoi vullnetin dhe ambicien pozitive për të realizuar çka kërkohet nga qeveria që drejton për të realizuar jo vetëm marrjen e statusit, por edhe hapjen e negociatave Shqipëri–BE sa më parë të jetë e mundur: “Ne jemi plotësisht të vendosur për të arritur sa më parë statusin e kandidatit dhe të hapim sa më parë të jetë e mundur negociatat. Për ne është me rëndësi jetike, por ne e dimë se Shqipëria duhet ta meritojë dhe jemi të vendosur t’ju bëjmë të vendosni në favorin tonë bazuar në rezultate dhe jo vetëm në deklaratat të vullnetit të mirë.”
Një tjetër çështje e bisedës Rama-Barroso ishte dhe ekonomia shqiptare, e cila ka mbetur vulnerabël. Për Presidentin e KE “disa reforma janë të domosdoshme për të siguruar rritje afatgjatë dhe për të përmirësuar klimën e biznesit dhe investimit.”
Sa i takon situatës në rajon Presidenti Barroso do të shprehej se “është me një rëndësi kritike qasja konstruktive e Shqipërisë ndaj situatës në rajon dhe gjithashtu ndaj integrimit të rajonit.”