Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Është mbledhur Këshilli Kombëtar i Emergjencave në Zyrën Operacionale të Situatës në kryeministri, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama. Ministrat dhe drejtuesit e strukturave të shtetit të angazhuara në përballimin e emergjencave civile kanë bërë një raport të situatës si pasojë e uljes së ndjeshme të temperaturave e rëndimit të kushteve atmosferike dhe angazhimin operacional gjatë këtyre ditëve dhe masat në vijim:

 

Kryeministri Edi Rama:

Dua t’ju falenderoj që të gjithëve për një punë absolutisht të mirë dhe për një angazhim jo vetëm masiv të të gjitha strukturave, por ajo që ka më shumë rëndësi, mjaft të koordinuar.

Dua të përshëndes dhe të faenderoj në mënyrë të posaçme Ministrin e Transporteve, i cili ka qenë, pandërprerë, në të gjitha pikat e nxehta dhe ka drejtuar në terren një punë jo të letë.

Falenderoj me shumë mirënjohje të gjithë punonjësit e OSHEE-së, që punojnë në zona shumë të vështira, në kushte jashtëzakonisht të rënda dhe që përballen jo thjeshtë me situatën shumë të vështirësuar për shkak të temperaturave tejet të ulëta, por edhe me faktin e mirënjohur, të një rrjeti tejet të amortizuar, sidomos në zonat rurale. Nga reagimet e kryetarëve të bashkive, pa dallim, majtas apo djathtas dhe nga reagimet e qytetarëve kam mundur të konstatoj me shumë kënaqësi, që puna e tyre është e vlerësuar shumë lartë përsa i përket përkushtimit dhe sakrificës.

Një falenderim shumë i posaçëm Forcave të Armatosura, që edhe një herë tjetër treguan dhe po tregojnë përgjegjshmëri maksimale dhe efikasitet të lartë në ndërhyrjet e rrezikshme, por të domosdoshme për të shpëtuar jetë njerëzish të izoluar, siç ishte rasti i tre personave që rrezikoheshin seriozisht me jetën e tyre për shkak të izolimit në një zonë minerare.

Puna e Emergjencave Civile ka qenë dhe mbetet në lartësinë e duhur.

Angazhimi i Ministrisë së Bujqësisë, që ka qenë maksimal përpara se të fillonte kjo situatë, për të garantuar të gjithë sistemin, pavarësisht se parashikimet e motit nuk flisnin për përmbytje, që kemi pasur më parë.

Të gjithë anëtarët e tjerë të këtij shtabi, që realisht në mënyrë konstante në terren dhe në komunikim të vazhdueshëm me strukturat po bëjnë një punë voluminoze dhe deri tani, për hir të së vërtetës, me rezultate mjaft pozitive. Nëse do t’i referoheshim volumit të madh të pasojave të evituara, besoj që bilanci i deritanishëm është mjaft pozitiv. Në këtë Zyrë kemi informacion të përditësuar çdo 60 minuta nga gjithë territori. Informacioni flet për efikasitet dhe për një situatë që është nën kontroll.

 

Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi:

Shërbimi Meteorologjik i vendit nëpërmjet stacioneve të transmetimit në gjithë Shqipërinë, nga 24 orët e fundit kanë regjistruar:

 

  • Temperaturat minimale kanë arritur në –29 gradë dhe –27 gradë në ekstrem, kryesisht në Vermosh dhe në fshatin Shtyllë të Librazhdit, si dhe temperatura më maksimale –14, –18 në Peshkopi, Kukës dhe Pukë;
  • Temperaturat në perëndim dhe në bregdet kanë vijuar –4 dhe –9, në ekstreme;
  • Në ditët në vijim do të ketë një rritje temperaturash në vlerat 2-3 gradë, por përsëri do të jetë në vlerat minimale;
  • Në orët e para të mëngjesit kanë filluar reshje të lehta dëbore në rajonin e Livadhjasë, Sarandës dhe Qafë Muzinës dhe reshje me intensitet më të lartë dëbore në rajonin e Pukës dhe Dibrës;
  • Reshjet do të na shoqërojnë gjatë gjithë muajit janar dhe temperaturat do të jenë në vlera minimale, nuk do të zbresin poshtë –18 gradë në rajonin verior dhe verilindor, por edhe më të ulëta. Në vlera maksimale temperatura jo më poshtë –9 gradë, çka do të thotë prezencë e akullit në të gjithë akset rrugore, qoftë nacionale, qoftë rurale;
  • Aktualisht të gjitha rrugët nacionale të hapura;
  • Po punohet për hapjen e 13 akseve rrugore që lidhin qendrat administrative me njësitë administrative në veri të Shqipërisë. Në këto zona po operohet nëpërmjet strukturave operacionale të ushtrisë dhe emergjencave civile për dërgimin nga ajri ndihmave ushqimore, në veshmbathje dhe mjete për fjetje;
  • Ministri i Brendshëm, me një ekip të Emergjencave Civile dhe të Rezervave të Shtetit, po ndjek shpërndarjen e ndihmave në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore të qarkut Dibër, kryesisht për zonat e izoluara.
  • Janë zhvilluar disa operacione të vështira për shpëtimin e jetëve njerëzore në zonën e Iballës, në Pukë.

 

Kryeministri Edi Rama:

Me shqetësim kemi konstatuar në mënyrë të përsëritur se vendosja e zinxhirëve për automjetet nuk është uniforme, gjë që të gjithë qytetarët duhet ta kenë parasysh, pasi për shkak të mungesës së zinxhirëve mund të bëhen shkaktarë të aksidenteve që mund të rrezikojnë seriozisht jetën e tyre, por dhe të të tjerëve.

 

Ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj:

Dua ta nis me një apel për qytetarët: Përdorni zinxhirët! Ndiqni informacionet dhe sugjerimet për kalueshmërinë e rrugëve. Bllokimi i një makine pa zinxhir në një aks të rënduar prej situatës së ngricave apo borës e bën shumë të vështirë ndërhyrjen e mjeteve të pastrimit dhe krijon radhë të gjata.

 

  • Në aksin Qafë e Malit-Fierzë-Tropojë, një mjet i vogël ka kaluar pa zinxhirë dhe ka mbetur në rrugë dhe po ndërhyhet për ta zgjidhur situatën;
  • Gjithë infrastruktura përkatëse për mirëmbajtjen e rrugëve është në gatishmëri;
  • Janë verifikuar e kontaktuar në mënyrë të vazhdueshme gjithë kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, të cilat në përgjithësi kanë bërë një punë të mirë, por që rast pas rasti ka nevojë për t’u përmirësuar;
  • Akset e veriut mbeten problematike;
  • Akset e Shqipërisë së mesme dhe Shqipërisë së jugut janë të gjitha të kalueshme;
  • Aeroporti i Rinasit, por dhe ai i Kukësit në rast të ndonjë emergjence të veçantë në rast të një nevoje për dislokim helikopterësh apo mjetesh të tjera, janë në gjendje pune optimale;
  • Situata e porteve gjithashtu është optimale;
  • Ka lindur një problematikë për shkak të temperaturave shumë të ftohta me tubacionet e ujësjellësve, të cilat vende-vende kanë ngrirë.

 

Kryeministri Edi Rama:

Ministri i Energjisë dje ka qenë në terren në zonën e Kukësit, ku është regjistruar një përmirësim thelbësor i një situate vërtet dramatike, të krijuar për shkak të rrjetit shumë të amortizuar të shpërndarjes së energjisë. Për momentin, furnizimi me energji është dukshëm i përmirësuar dhe duke iu referuar shifrave konkrete, jemi nga afro 15.000 abonentë të mbetur pa energji elektrike në momentin fillestar, në disa qindra abonentë në mungesë të saj. Kjo për shkak të një rrjeti totalisht disfunksional, mbi dyzet e ca vjeçar, ku nuk është vënë dorë e ku faktikisht, me gjithë investimet masive të nisura falë rimëkëmbjes së kompanisë, ne nuk kemi arritur dot të shtrihemi deri në ato zona, që është e dhe objektivi ynë në vazhdim.

 

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri:

 

  • Kukësi është i vetmi vend, pavarësisht investimeve që kemi bërë me linjën e Peshkopisë, që nuk ka një sistem “back-up” energjitik, një unazë. Kjo për shkak të një segmenti, i cili zotërohet nga një kompani private. Linja tjetër e zakonshme është një linjë shumë e vjetër, që nuk përballon sa herë ka furtunë. Falë mbështetjes së forcave të ushtrisë, që na vunë në dispozicion një helikopter, u bë e mundur që të realizohet lidhja me këtë linjë edhe me segmentin privat dhe sot Kukësi po merr energji.
  • Ka disa njësi të vogla vendore në disa zona të veriut, të cilat akoma kanë mbetur pa energji. Duhet të kuptojmë që kudo kur ka furtunë dhe trashësi dëbore që shkon edhe në 1 metër do të ketë probleme me sistemin energjetik;
  • Piku i konsumit të energjisë është rritur në parametra të paparashikuar, të jashtëzakonshëm. Kjo bën që shumë transformatorë të arrijnë pikën maksimale e shpesh herë janë të ekspozuar ndaj djegieve, ndaj ka shpesh defekte, por ato janë riparuar në kohë;
  • Rreth 1800 punonjës janë në  terren, duke riparuar defektet në zonat më të largëta. Punonjës të Operatorit të Shpërndarjes dhe të Sistemit të Transmetimit kanë rrezikuar jetën në shtylla e në temperatura që shkonin deri në -20oC dhe me erë të fortë;
  • Janë duke u monitoruar të gjitha defektet e po ndërhyhet për riparimin e tyre dhe të gjitha grupet e avarisë janë në gatishmëri për riparime të shpejta të çdo defekti;
  • Linjat e tensionit të lartë janë të gjitha funksionale;
  • Kaskada është e gjitha në operim. Prurjet janë të vogla, për shkak të ngricave. Afërsisht kuota është tek 279 metra. Edhe nëse do ketë ndonjë ngritje të menjëhershme të temperaturës, çka do të sjellë prurje, ka nivel të pranueshëm për të mbajtur edhe prurje ekstra, të ujërave;
  • Të paktën për pjesën e kaskadës, me këto parashikime dhe rritje të temperaturave me pak gradë, nuk jemi në fazën që të mund të kemi shkrirje të dëborës deri në majën e malit, që të mund të shkaktojë prurje që nuk menaxhohen;
  • I gjithë sistemi elektro-energjetik është funksional;
  • Hidrovoret janë furnizuar në vijimësi me energji.
  • Nuk pritet ndonjë avari apo ngjarje e jashtëzakonshme, përveç episodeve apo njësive të izoluara ku ka rënë shumë dëborë e që mund të ketë ndërprerje të energjisë.

 

Kryeministri Edi Rama: Është e vërtetë që në Kukës ka një specifikë që lidhet me një absurditet të së shkuarës, ku është trashëguar një segment i shpërndarjes së energjisë i privatizuar. Një lloj absurditeti që faktikisht krijoi një problem të madh për një moment, por që është zgjidhur. Ritheksoj për shkak të rrjetit të amortizuar, në datën 6 janar  një sërë zonash në mbarë vendin, nga Kukësi deri në Dibër, Shkodër, Elbasan dhe gjetkë janë regjistruar 123.862 abonentë, të cilëve u ka munguar energjia elektrike. Ndërkohë që, një ore më parë sipas raportit të përditësuar, jemi në vetëm 286 abonentë në rang Republike. Pra, është bërë një punë kolosale nga ana e punonjësve të OSHEE, të cilët realisht kanë merituar edhe respektin dhe falenderimet e shumë qytetarëve në këto zona, pasi puna e tyre është realisht e një shkalle vështirësie të jashtëzakonshme.

Kemi disa pasoja paraprake të shkaktuara nga ngrica përsa i përket produkteve bujqësore, faktikisht, të luleshtrydheve në zonën e Frakullës.

 

Ministri i bujqësisë, Edmond Panariti:

 

  • Ka pasur disa dëme të kufizuara në serën me plastmasë të luleshtrydheve në Kafaraj dhe në serat me domate në Lushnjë, në Berat, ku llogaritet një shkallë dëmi prej 10 hektarësh. Kemi një plan të qartë për t’i siguruar dhe kemi filluar bisedën me agjencinë e sigurimit;
  • Është garantuar furnizimi i fidanishteve me karburant dhe mbajtja e temperaturave në kushte optimale, pasi janë në prag të shpërndarjes së fidanëve për mbjelljet e ardhshme;
  • Nuk kemi dëme të raportuara në blegtori. Shërbimi veterinar është në gatishmëri;
  • Po bëhet tre herë në javë dezinfektimi i stallave dhe i stabilimenteve, edhe për shkak të kërcënimit që kemi nga epidemia e gripit të shpendëve, që ndodhet në shtetet fqinjë;
  • 27 hidrovorët janë në funksion të plotë. Nuk kemi asnjë defekt të raportuar, si dhe është garantuar në vazhdimësi furnizimi i tyre me energji elektrike;
  • Parashikohet që situata nga ngricat të kalojë javën e ardhshme në flukse të shtuara uji, nisur nga fakti që kemi reshje të parashikuar ditën e premte dhe një ngritje të temperaturave, kemi ndërhyrë pas reshjeve të kaluara, duke përforcuar 1.2 km argjinaturë në Tale; e njëjta gjë po bëhet edhe në Spatharë, po ndërhyhet në Bardhaj, njëkohësisht edhe në Daragjat;
  • Vazhdohet të punohet në mbajtjen hapur të kanaleve të dyta, si dhe punimet në basenet që kanë shtrirje territoriale.

 

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja: 

 

  • Situata vazhdon të jetë në nivele të larta të përhapjes së epidemisë, edhe pse tendenca është frenuar;
  • Kemi filluar para disa ditësh me shpërndarjen vaksinave në të gjithë vendin. Kemi shpërndarë rreth 93 mijë doza vaksine dhe deri mbrëmë janë aplikuar rreth 22 mijë dhe vazhdojnë edhe në ditët në vijim;
  • Është bërë aplikimi i vaksinës tek të moshuarit, që janë në institucionet rezidenciale dhe në fëmijë që vijnë nga komunitete që nuk kanë shumë akses në shëndetësi, si komuniteti rom.
  • Personeli i infermierisë u ka bërë vaksinën edhe të moshuarve, të cilët nuk mund të lëvizin dot drejt qendrave shëndetësore;
  • Edhe ditën e dielë, të gjithë qendrat shëndetësore në të gjithë qytetet e vendit kanë punuar dhe kanë pritur fluks të sëmurësh;
  • 9 ditë e para, autoambulancat kanë bërë 6.003 misione;
  • Janë kryer 44 fluturime ajrore për 11 persona; Një pjesë e nevojave tona është plotësuar edhe nga helikopterët e Forcave të Armatosura;
  • Kemi ndjekur në vijimësi situatën e zbatimit të urdhrit për moskryerjen e procesit mësimor. Dje kemi kryer 4 masa administrative për disa institucione në Vlorë, Berat dhe në Tiranë, të cilët kishin thyer urdhrin. Fakti që kemi urdhëruar të mos ketë proces mësimor lidhet nga nevoja për të shmangur grumbullimet dhe nuk ka të bëjë fare nëse në një shkollë ka kushte më të mira, sesa në një shkollë tjetër. Grumbullimi i njerëzve është një nga shkaktarët kryesore të përhapjes të virusit, prandaj ne si shëndetësi kemi kërkuar që të shmangim grumbullimet, duke mos zhvilluar proces mësimor, edhe pse në moshat rinore, përhapja e gripit ka më shumë pasoja në shëndetin e tyre.

 

Kryeministri Edi Rama:

Kur detyra kërkon një angazhim të veçantë edhe falenderimet janë me vend, kur pasojnë një angazhim kaq konkret dhe kaq efikas të një strukture të gjerë, gjë për të cilën kemi punuar prej kaq kohësh, për ta kthyer në një ingranazh që funksionon i koordinuar. Pasi, mungesa e koordinimit ka qënë ajo që ka shkaktuara pasoja mbi pasoja dhe të panevojshme, ose të evitueshme në të kaluarën.

Me kapërcimin e kësaj situate ashtu siç bëmë edhe për përmbytjet e fundit, do të ulemi përsëri për të folur, konkretisht; për çfarë nuk ka funksionuar ashtu siç ne duam; ku është e nevojshme të bëhen korrigjime të mëtejshme të mekanizmit, në mënyrë që edhe Shqipëria të ketë më në fund një mekanizëm reagimi shtetëror në kushte emergjence në standardet normale të rajonit tonë, ku është e qartë edhe në këtë aspekt kemi trashëguar një prapambetje historike dhe një situatë për t’u riorganizuar e gjitha nga e para.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.