Deklaratë e Drejtores së Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu:
Mirëdita.
Siç jeni në dijeni, në maj të vitit 2013, Kuvendi i Shqipërisë, me konsensus miratoi ligjin e ri “Për nëpunësin civil”.
Ky ligj i hapi rrugë një reforme të gjerë në shërbimin civil, ku peshën kryesore e mban Departamenti i Administratës Publike, të cilit gjatë kësaj periudhë i është dashur të mbajë një peshë të madhe dhe një pune intensive sa i përket implementimit rigoroz të këtij ligji.
Ky ligj është një ligj i hartuar si një ligj kuadër, që jep parimet bazë të shërbimit civil dhe kriteret e përgjithshme, pa shkuar në detajime specifike sa i përket rregullave të implementimit të tij. Ky ligj parashikohej që të hynte në fuqi me 1 tetor 2013.
Për shkak se deri në fund të shtatorit 2013, muaj në të cilin qeveria e re u mandatua, nuk ishte përgatitur asnjë akt nënligjor që do të bënte të mundur zbatimin e tij, por edhe nuk ishte përllogaritur asnjë kosto financiare si peshë në buxhetin e shtetit për të implementuar ligjin, qeveria miratoi shtyrjen me 6 muaj të efekteve të tij.
Kjo periudhë na ndihmoi që Departamenti, sëbashku me MIAP, të ndërmerrnin një sërë masash për të implementuar korrektësisht këtë ligj dhe për së pari, për të draftuar 10 akte nënligjore, të cilat ishin detyrim i plot 30 neneve të këtij ligji.
Për këtë, sëbashku me partnerët ndërkombëtarë, Komisionin Evropian, Departamenti i Administratës Publike punoi për të hartuar 10 draftet, të cilat në fund të muajit dhjetor ishin gati dhe u konsultuan me shoqërinë civile, grupet e interesit dhe institucionet që do ta aplikonin e zbatonin këtë ligj.
Më pas, këto akte u miratuan nga Këshilli i Ministrave në muajt shkurt-mars 2014.
Siç të gjithë jeni në dijeni, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, efektet e ligjit të ri të nëpunësit civil filluan që nga data 26 shkurt 2014. Që nga ky moment u pezulluan të gjitha aplikimet apo procedurat e pranimit në institucionet e administratës shtetërore, që tashmë janë pjesë e ligjit të nëpunësit civil.
Kjo ndërprerje e procedurave u bë pikërisht për t’i dhënë kohë implementimit korrekt të legjislacionit, për t’i dhënë kohë institucioneve të kuptonin përgjegjësitë e tyre, për t’i dhënë kohë çdo njësie përgjegjëse të menaxhimit të burimeve njerëzore, për të zbatuar, për të kuptuar dhe për të implementuar ashtu siç duhet ligjin e ri të nëpunësit civil.
Në kuptim të këtij ligji, Departamenti i Administratës Publike është njësi përgjegjëse e menaxhimit të burimeve njerëzore për të gjithë institucionet e administratës shtetërore. Janë plot 150 institucione, me 9000 nëpunës, të cilët aktualisht janë pjesë e shërbimit civil dhe ku Departamenti është njësia përgjegjëse për të menaxhuar shërbimin civil.
Gjatë kësaj periudhe, po në bashkëpunim më partnerët ndërkombëtarë, është ndërvepruar aktivisht me këto institucione për të siguruar garantimin e kuptueshmërisë së plotë të ligjit, për të trajnuar këto institucione, por edhe për të kuptuar detyrimet që këto institucione kanë në respekt të këtij legjislacioni. Kështu, u realizuan trajnime të posaçme me njësitë e burimeve njerëzore në të gjitha institucionet e administratës publike shtetërore, por edhe në institucionet e pavarura dhe në institucionet që koordinojë punën me njësitë e qeverisjes vendore.
Për të sqaruar më mirë të gjithë bazën e re ligjore, DAP hartoi 4 udhëzues, të cilat janë lehtësisht të gjindshme në faqen e Departamentit,www.dap.gov.al. Udhëzimet konsistojë kryesisht në detajimin e procedurave për masat disiplinore; për transferimin e punonjësve në rast ristrukturimi; për hartimin e përshkrimeve të punës dhe për procesin e rekrutimit në shërbimin civil.
Gjithashtu, në ndërveprim me institucionet, u bë e mundur edhe hartimi i përshkrimeve të punës për çdo pozicion pune për të 9 mijë punonjësit e administratës shtetërore, pjesë e shërbimit civil. Ky proces është i rëndësishëm, pasi në përshkrimet e punës, krahas detajimit të detyrave që ka çdo punonjës, përcaktohen edhe kriteret e veçantë që duhet të kenë personat që mbajnë këto vende pune. Kjo u bë sigurisht në bashkëpunim me gjithë institucionet, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe aktualisht që flasim, kemi përshkrime pune për çdo pozicion. Ky procesi përfundoi me sukses në muajin korrik.
Një detyrë tjetër, gjatë kësaj periudhe, e Departamentit të Administratës Publike ishte deklarimi i statusit të nëpunësit për çdo punonjës, pjesë e shërbimit civil.
Në respektim të legjislacionit të ri, DAP ka verifikuar çdo dosje të punonjësit, që ligji e gjeti në vendin e punës në momentin që hyri në fuqi, pra, në datën 26 shkurt dhe ka vlerësuar përputhshmërinë e kritereve të tij me vendin e punës. Në përfundim, çdo punonjës, i cili nuk përmbush kriteret e veçanta të vendit të punës, të kërkuara këto jo vetëm në legjislacionin e shërbimit civil, por edhe në legjislacionet e posaçme me të cilat veprojnë institucionet, nuk do të përfitojë statusin e nëpunësit civil.
Sqarojmë se punonjësit, të cilët kanë nivelin bazë të edukimit në përputhje me legjislacionin, por nuk kanë nivelin e kërkuar të diplomës, që do të thotë, nivelin e masterit profesional apo masterit shkencor, i është dhënë një periudhë dy vjeçare kohe, në dispozicion, për ta përmbushur këtë nivel diplome. Kjo mbështetur edhe në legjislacionin e ri të shërbimit civil, por edhe në legjislacionin për Arsimin e Lartë.
Të gjithë të tjerët që nuk plotësojnë kriterin bazë të edukimit, apo kriteret e veçanta kualifikuese që kërkohen nga vendi i punës, mbështetur në legjislacionin e institucioneve, nuk e përfitojnë statusin e nëpunësit civil.
Aktualisht dua të njoftoj që Departamenti i Administratës Publike është gati dhe ka hapur procedurat për shpalljen e vendeve të lira të punës në shërbimin civil. Besoj se jeni njohur edhe nëpërmjet faqes së internetit të Departamentit.
Deri më sot, janë shpallur 113 vende të lira nga 257 pozicione të lira pune, në nivel specialisti në të gjithë administratën shtetërore. Bëhet fjalë për një numër të gjerë institucionesh, jo vetëm ministri, por edhe institucione të varësisë.
Është hera e parë që në administratën shtetërore nuk kemi më konkurse për pozicion pune, por kemi konkurse për një grup pozicionesh, që do të thotë konkurse masive të grupuara për pozicione të ngjashme.
Është hera e parë që në legjislacionin e ri, fituesve të këtyre konkurseve u jepet mundësia të zgjedhin ku duan të punojnë dhe jo siç ka qenë praktikë e mëparshme, ku titullarët e institucioneve zgjidhnin nga lista e fituesve.
Në javët në vazhdim do të vijojmë edhe me shpalljen e vendeve të tjera të lira në shërbimin civil.
Procesi për këto konkurse do të kalojë në dy faza. Faza e parë është ajo e verifikimit të dokumentacionit dhe e kritereve të përgjithshme. Faza e dytë është ajo e verifikimit të aftësive të kandidatëve. E cila do të pasohet nga një testim me shkrim, një testim me gojë, një testim aftësive profesionale të çdo kandidati. Këto testime do të kryhen nga Komitete Përzgjedhëse, të cilat janë përsëri një risi e ligjit, në kuptim që janë Komitete Përzgjedhëse që kanë një mandat 2-vjeçar, janë Komitete të cilat përzgjidhen për grup pozicionesh dhe që në përbërje të tyre kanë përfaqësues nga institucionet, kanë përfaqësues ekspertë të fushave dhe përfaqësues nga Departamenti i Administratës Publike.
Faqja zyrtare e Internetit të DAP është dizenjuar enkas, për t’i ardhur në ndihmë të gjithë aplikantëve. E theksoj këtë, sepse aplikimet tashmë do të bëhen vetëm online nëpërmjet kësaj faqeje. Aty, të gjithë të interesuarit mund të gjejnë çdo informacion sa i përket kritereve të kandidatëve, afatit për të dorëzuar aplikimin dhe dokumentacionin e nevojshëm për këto aplikime.
Nëpërmjet aplikimit online shmangim burokracitë e tepërta, shmangim gabimet e mundshme që ndodhin si pasojë e çuarjes së dokumenteve në postë e marrjes së tyre nga posta, por ndërkohë kandidatët kanë edhe mundësinë të marrin gjithë informacion e nevojshëm në lidhje me aplikimin e tyre.
Angazhimi i Departamentit të Administratës Publike është zbatimi me rigorozitet i parimeve të ligjit të shërbimit civil. Që do të thotë i parimeve të shanseve të barabarta, i mosdiskriminimit, i meritokracisë, nëpërmjet një procesi përzgjedhës transparent dhe të drejtë.
I gjithë ky proces, siç e theksova edhe më herët, ka ardhur si rezultat i mbështetjes dhe bashkëpunimit edhe me partnerët tanë strategjikë, duke hartuar një kuadër ligjor, i cili është afër standardeve të Bashkimit Evropian dhe që garanton cilësinë në administratën publike.
Sa më sipër, unë do të ftoja të gjithë të interesuarit që të bëhen pjesë e këtyre aplikimeve, duke sjellë në vëmendje që të tregoni kujdes me afatet e aplikimit, procedurat dhe kriteret e veçanta për çdo pozicion pune.
Faleminderit.