Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e përurimit të shkollës profesionale në Lezhë:

 

Së pari dua të përshëndes kryetarin e bashkisë dhe ambasadorët, këtu të pranishëm. Së dyti dua të përshëndes të gjithë mësueset, mësuesit, studentët, që janë pjesë e kësaj përpjekjeje kaq të rëndësishme, e cila nëse do të kishte filluar 20 e kusur vjet më parë, sot do të na kishte dhënë mundësinë të flisnim për krejt të tjera gjëra dhe Shqipëria do të kishte një kapacitet shumë më të madh të krahut të kualifikuar të punës.

Por, fatkeqësisht, historia dihet, arsimi profesional u braktis dhe u kthye në një zgjedhje të dorës më të fundit e praktikisht, shkolla profesionale, siç dëshmon edhe karakatina e shkollës së vjetër këtu, mbetën shumë pas dore. E po ashtu, edhe ata që kaluan përmes shkollave profesionale nuk arritën të marrin dot atë shërbim publik arsimor të nevojshëm për t’u kthyer në profesionistë, në zanatçinj të zot të vetes.

Ne kemi ndryshuar kurs, e faktikisht kemi bërë një zgjedhje të qartë, duke e adresuar problemin e madh të prapambetjes së thellë në arsimin profesional në radhë të parë, përmes ndryshimit tërësor të modelit. Modeli i ri i arsimit profesional është tërësisht i bazuar tek parimi themelor i sistemit dual gjerman, por jo vetëm, edhe atij zviceran dhe vendeve të tjera, ku shkolla është e lidhur me ndërmarrjen dhe ku cilido që hyn në shkollë, një pjesë të kohës gjatë javës e kalon në klasë e laborator për teori dhe pjesën tjetër e kalon në ndërmarrje për praktikë.

Edhe marrëveshjet që sapo u firmosën janë marrëveshje punësimi për t’i dhënë mundësi nxënësve të kësaj shkolle që paralelisht me teorinë të marrin dhe praktikën, qoftë në hotel Plaza në Tiranë, qoftë tek Mrizi i Zanave apo katër sipërmarrjet e tjera që ishin pjesë e këtij procesi. Dua t’i falenderoj me shumë mirënjohje, sepse pa sipërmarrjen e pa ndërveprimin me to, arsimi profesional nuk ka asnjë shans që t’u japë nxënësve perspektivën e qartë të punës dhe njëkohësisht t’i bëjë ata të aftë në dijet e tyre, për t’iu adaptuar kërkesave të tregut të punës.

Faktikisht, nëse marrëveshjet do të funksionojnë dhe ato do të funksionojnë në radhë të parë, nëse nxënësit do të jenë të përkushtuar për t’i qëndruar këtyre marrëveshjeve me sipërmarrësit, atëherë këto sipërmarrje do të jenë të parat që do të jenë të interesuara që këta nxënës t’i mbajnë në punë, pasi të mbarojnë shkollën e kështu t’u japin një perspektivë të qartë që tani.

Kjo është ajo që po bëjmë, në një përpjekje për të ndërtuar të gjithë rrjetin e shkollave si kjo, shkolla ekselence ku jepet një trajnim i nivelit të lartë dhe ku ndërthuret i gjithë ky trajnim me praktikën e punës.

Jemi shumë të vetëdijshëm se shifrat që na japin të drejtë, qoftë në aspektin e përfshirjes së shumë më tepër të rinjve në arsimin profesional, qoftë në aspektin e punësimit, pasi faktikisht kemi shifra inkurajuese për rritjen e punësimit, krahasuar me një vit më parë, apo krahasuar në vite, nuk janë absolutisht të mjaftueshme për të qenë të kënaqur. Por, janë të mjaftueshme për të kuptuar sesa i madh është potenciali për më shumë, pasi nevojat nuk diskutohet janë për më shumë. E rëndësishme është që ky vend ka një potencial të madh për t’i përmbushur nevojat, sepse është një vend i pasur në të gjitha aspektet e pasurisë së vet natyrore. Është një vend që ka fatkeqësinë e trashëguar që burimet e veta njerëzore nuk i ka mjaftueshmërisht të kualifikuara, por dhe që ka mesataren shumë të re të moshës dhe me aftësitë e provuara të shqiptarëve – të cilët kur shkojnë jashtë bëjnë sukses, sepse i nënshtrohen kushteve dhe nuk rrinë tek kafja që të presin kur po vjen puna që t’i takojë në kafe, apo nuk shkojnë të trokasin tek dera e partisë, tek dera e mikut, e shokut apo e kushëririt, se jashtë shtetit s’kanë as parti, as mik, as kushëri që mund t’i ndihmojë më shumë se ç’mund të ndihmojnë veten e tyre. Është patjetër një arsye për të besuar se, nëse ne do të arrijmë të ndërtojmë sistemet e duhura, patjetër që do të marrim dhe rezultatet e duhura.

Ka shumë njerëz që ankohen se në Shqipëri nuk ka punë, por unë dua t’ju them që patjetër papunësia në Shqipëri është një problem i madh, një problem i madh si në të gjithë rajonin, është gjithmonë e më problem edhe në vendet më të zhvilluara, por fakti që nga “Zogu i Zi” në Tiranë deri në dalje të Tiranës, në të dyja anët e rrugës, nuk ka një ndërmarrje që të mos ketë nga 1 deri në 50 a 60 vende të lira pune, tregon se papunësia ka edhe disa elementë të brendshëm të saj, që janë strukturalë dhe që kanë nevojë të adresohen për të vazhduar ta luftojmë dhe ta ulim atë sa të mundemi.

Ashtu sikundër dje, ne firmosëm një Marrëveshje me Bankën Botërore, një tjetër projekt me rëndësi strategjike për zhvillimin e turizmit dhe parashikueshmëria e institucioneve ndërkombëtare për kapacitetin e punësimit në industrinë e turizmit është që, nëse sot numërojmë rreth 51 mijë të punësuar në industrinë e turizmit, në vitin 2025, ne mund të jemi në 250 mijë vetëm në industrinë e turizmit. Nëse sot ne marrim në konsideratë se turizmi kontribuon në Prodhimin tonë të Përgjithshëm Kombëtar me 6%, ndërkohë që në Kroaci apo në Greqi kontribuon me 15% dhe në mesataren globale kontribuon me 9.8%, atëherë, ne kuptojmë që ka një hapësirë të madhe mundësish që na takon neve ta përmbushim, duke qenë të aftë që t’i adresojmë problemet ashtu siç duhet.

Dua t’ju them edhe një shifër që flet shumë. Vitin 2015, ne e konsideruam një vit shumë të mirë për arsimin profesional dhe faktikisht, regjistrimin e 16 mijë nxënësve në arsimin profesional e morëm si një shenjë kuptimplotë të një kthese psikologjike. Arsimi profesional nuk është çështja se thjesht u dëmtua rëndë në gjithë organizmin e tij, por u shkatërrua psikologjikisht si segment për shkak se Shqipëria u bë vendi ku çdo i ri duhet të kishte një diplomë juristi dhe u bë vendi ku çdo i ri duhet të kishte, nëse jo një diplomë juristi, patjetër një diplomë universiteti.

Faktikisht, arritëm të kemi një numër 10 herë më të madh universitetesh për frymë sesa Britania e Madhe dhe të kemi numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në botë. Dhe çudi e madhe, se kemi juristë më shumë se çdo vend i botës dhe gjykatat i kemi për “mrekulli” të Zotit!!! Të paktën të kishim eksportuar juristë nëpër botë, meqë kemi kaq shumë, por edhe juristët i kemi pafund, edhe gjykatat i kemi më të diskredituarat që mund të ekzistojnë në këtë glob.

Ndërkohë që sivjet, në arsimin profesional janë regjistruar afro 27 mijë studentë. Pra, janë mbi 10 mijë më shumë se një vit më parë. Është një shifër fantastike për një arsye, që tregon që tek të rinjtë po fiton pak nga pak terren vetëdija që arsimi profesional jo vetëm që nuk është një zgjedhje e dorës së dytë, por është një zgjedhje që mund të garantojë perspektivë të qartë punësimi. Nuk bëhet fjalë thjesht për t’u punësuar vetë, por bëhet fjalë që dhe falë dijeve të marra në shkollë të mund të kthehesh në sipërmarrës i vogël e pastaj, edhe i madh.

Fakti që nëse Gjermania sot është vendi me qëndrueshmërinë më të madhe nga pikëpamja e punësimit, një ndër arsyet themelore që të gjitha studimet i rreshtojnë si arsye për këtë qëndrueshmëri është sistemi shumë i fortë i arsimit profesional. Nëse sot, sipërmarrja e vogël, biznesi i vogël – që në fakt nuk është saktësisht e njëjta gjë si me biznesin e vogël këtu tek ne që është një vetëpunësim i pastër, – është sot në Gjermani një fuqi e madhe brenda motorit të përgjithshëm të ekonomisë, një pjesë e konsiderueshme e sipërmarrësve të vegjël gjermanë vijnë nga arsimi profesional. Janë njerëz që nuk vijnë nga juridiku, as nga filozofia, por vijnë nga rruga e arsimit profesional.

Rruga e arsimit profesional është një rrugë e sigurt për këdo që beson tek puna dhe që aspiron të jetojë me punë të ndershme dhe të pasurohet me punë të ndershme. Sigurisht në një botë konkurrence ku fitojnë ata që janë më të zotë. Por pa diskutim, në një realitet ku një zanat është kaq shumë i kërkuar sa s’ka as më të voglin dyshim se të jep mundësinë që së paku, veten tënde ta punësosh.

Të gjithë ata të rinj që ne takuam përpara se të hynim këtu, që vinin nga shkolla të ndryshme profesionale, nuk janë thjesht nxënës që mësojnë të gatuajnë, por janë ndërkohë dhe njerëz të punësuar në Korçë, në Sarandë, në Pogradec e qytete të ndryshme, ku ata marrin arsim.

Lezha pa diskutim ka një potencial të madh dhe mundësitë janë për shumë më tepër. Unë e dëgjova me vëmendje kryetarin e bashkisë dhe i jap të drejtë kur thotë që nevojat për të intensifikuar ndërhyrjet në infrastrukturën që ndihmon turizmin vazhdojnë të mbeten të mëdha. Ashtu sikundër edhe kjo shkollë nuk mund të mbetet e vetmja, por të shpresojmë në radhë të parë që të funksionojë me sukses, ta plotësojmë bashkë me komponentët e tjerë, konviktin, strukturën tjetër e kështu me radhë dhe të vazhdojmë përpara me bindjen se vërtet kemi shumë më tepër nevoja, por ndryshe nga vende të tjera, që mund të kenë shumë nevoja, por nuk i kanë potencialet që kemi ne, sepse nuk janë të pasur nga pikëpamja e burimeve natyrore siç jemi ne dhe nuk kanë një popullsi kaq të re sa e kemi ne, i kemi të gjitha mundësitë që të bëjmë sukses.

Shumë faleminderit!​

***

Shkolla e mesme profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë, rikthehet për të rinjtë lezhjanë tërësisht e rinovuar, me mjedise moderne dhe bashkëkohore, si një hapësirë e denjë europiane për të përvetësuar arsimin profesional.

Financuar nga BE, në kuadër të reformës së qeverisë për zhvillimin e arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri, kjo shkollë nga një ngrehinë e vjetër dhe jo funksionale, ofron sot të gjitha mundësitë që të rinjtë të specializohen sipas të gjitha standardeve në profesione të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të saj, ku pjesëmarrës ishin gjithashtu Ministri i Mireqenies Sociale dhe Rinise Blendi Klosi, Ambasadorja e BE në Shqipëri, Romana Vlahutin, Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri Christoph Graf, Manaxheri i Përgjithshëm i Plaza Tirana Gianni Riatsch, si dhe përfaqësues të bizneseve në vend.

Gjithashtu, drejtuesi i shkollës së mesme Profesionale “Kolin Gjoka”, Bardh Dedgjonaj nënshkroi disa marrëveshje me drejtues të kompanive private për praktikat Profesionale të nxënësve.

Ceremonia e përurimit të shkollës ishte konceptuar si një garë mes shkollave të hoteleri turizmit në mbarë vendin.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.