Bashkëqeverisja, Kryeministri Edi Rama takim me qytetarë në Laç:
Mirë se ju gjeta!
Shumë faleminderit për praninë tuaj!
Ne jemi këtu për të vazhduar një proces që sapo ka nisur, një fushatë pa votime, por një fushatë e mirëfilltë në të gjitha aspektet përsa i përket intensitetit, shtrirjes në territor, komunikimit, madje edhe shpresoj më e hapur sesa fushata që zakonisht mbledh në pika të ndryshme rreth partive njerëzit më të vendosur.
Në këtë fushatë, ne synojmë të komunikojmë me të gjithë, pa përjashtim dhe t’i japim mundësi vetes për të shpjeguar disa gjëra, pa ndërmjetësinë e mediave, pa ndërmjetësinë e agjentëve të mjerimit që bëjnë çmos çdo ditë për t’i deformuar dhe për t’i shtrembëruar sa të jetë e mundur disa të vërteta, besoj të thjeshta. Nga ana tjetër për të dëgjuar nga njerëzit gjithçka që ata kanë për të na thënë, pasi sot në një botë që është shumë e zhvilluar nga pikëpamja teknologjike dhe ku në pamje të parë ka shumë më tepër komunikim, në fakt, cilësia e komunikimit shkon duke rënë për shkak të mungesës së ndërveprimit të drejtpërdrejtë.
Dua të prek disa pika që besoj kanë shumë rendësi për të kuptuar vërtetësisht se çfarë kemi bërë, çfarë besojmë se duhet bërë, patjetër duke e përcaktuar pozicionin e sotëm në raport me dje dhe në raport me nesër.
Së pari, dua të bëj një pyetje dhe shpresoj që reagimi të jetë i sinqertë: Kush nga ju mendon se janë rritur taksat?
Nëse dikush mendon që janë rritur taksat, mjafton të ngrejë dorën dhe të thotë, mua më janë rritur taksat.
Njëri e ngriti dorën. E di që ka edhe të tjerë që e mendojnë këtë gjë. Nuk e di pse nuk e ngritën dorën, por unë do doja t’ia kaloj mikrofonin zotërisë që të thotë cilat taksa konkretisht janë rritur.
Për taksat, nuk kam taksa unë. Veç jam i sëmurë, jam pa zanat, jam pa gjë. Nuk marr përkrahje, as marr asistencë. Kam paguar drita, ujë deri më sot.
Kryeministri Rama: Dritat dhe uji nuk janë taksa. Dritat dhe uji janë mallra që blihen dhe paguhen. Sigurisht, kur nuk i ke paguar më parë dhe fillon t’i paguash, të duket një kiamet i madh. Ndërkohë po të them se shtresat më korrekte me pagesën e dritave në Shqipëri kanë qenë dy, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara. Dy pikat më të dobëta të të gjithë organizmit shoqëror. A ka ndonjë që mund të më thotë se ka edhe më pak, seç kanë këto dy kategori? S’ka si ta thotë. Kanë paguar drita pensionistët pa ndërprerje. Se erdhi Saliu, se iku Saliu, se erdhi përsëri Saliu, se u përmbys shteti në 97-ën, se u ngrit zjarri përpjetë, se ranë piramidat, se u ngritën piramidat, kanë qenë paguesit më korrektë të dritave. Dritat nuk janë taksa. Dritat janë mall. Uji s’është taksë. Është tipike që në Shqipëri ankohen për rritjen e taksave, ata që nuk paguajnë taksa. Sigurisht ka edhe të tjerë.
Është e vërtetë që janë mall energjia dhe uji dhe shumë të tjera. Unë i kam paguar për vete. Tani na është rritur 500 lekë. Kur rritet, a është taksë?
Kryeministri Rama: Po flasim për taksa, nuk po flasim për çmime mallrash konsumi. Nëse të është rritur çmimi i ujit, është një çmim të cilin e përcakton bashkia. Në të gjithë territorin e Shqipërisë çmimet janë të ndryshme. Askund sot në Shqipëri, çmimi nuk është në lartësinë e kostove.
Unë jam dakord që janë rritur. Por ma sillni tubin e ujit aty, jo ta marr 300 metra larg.
Kryeministri Rama: Nuk është taksë. Është temë tjetër, diskutojmë patjetër edhe për tubin që e do afër. Por po flasim për taksa. Di ndonjë taksë të të jetë rritur? Ka ndonjë këtu që i janë rritur taksat? Se është bërë si puna e asaj, rrej, rrej e rrej derisa të bëhet e vërtetë. Rrej, rrej, rrej edhe krijohet një psikozë që në Shqipëri, kjo qeveri vetëm ka rritur taksa. Ne kemi rritur vetëm dy taksa. Ne kemi rritur taksën për ata që kanë më shumë, për biznesin e madh. Ne oligarkëve, siç thonë ata, iu kemi rritur taksën. Oligarkët që ndërtojnë në Tiranë, sot paguajnë shumëfish më tepër taksa, sesa kur po të njëjtët ndërtonin deri dje me këta që kanë marrë përsipër të mbrojnë të varfrit nga ne. Kemi rritur taksën për të gjithë ata si puna ime dhe e të gjithë që kanë rroga të larta dhe kemi ulur taksën për të gjithë rrogat nën 600 mijë lekë. Nëse ka këtu infermiere, mësuese, punonjës të thjeshtë, në shtet apo në privat, mund ta dëshmojnë që qysh prej ardhjes tonë në qeveri paguajnë më pak dhe në xhep iu mbetet më shumë. Pastruesja e Kryeministrisë paguante më shumë se Kryeministri. Sot është komplet e përmbysur skema dhe jo vetëm kaq. E dëgjoj shpesh këta ekspertët e Facebook-ut të thonë ç’janë këto punë me 300 mijë lekë e gjithë këto taksa? Kush merr rrogë 300 mijë lekë nuk paguan asnjë taksë, e ka zero. Mbi 300 mijë lekë fillon në mënyrë progresive, por është gjithmonë më pak sesa 10% që ishte deri përpara se ne të merrnim qeverinë.
E dyta, biznesi i vogël paguante 10%. Një kafe e vogël paguante më shumë taksë se 15-katëshi. Në numër e kishin njëlloj, 10% njëri, 10% tjetri. Por 10%-shi tek i vogli rëndon shumë më tepër në llogarinë e familjes sesa te i madhi. Nga 0 deri në 5 milionë lekë xhiro në vit e kanë zero. I vetmi detyrim që kanë është të paguajnë sigurime shoqërore dhe shëndetësore që është gjëja më normale në botë, por nuk paguajnë taksa. Nga 5 deri në 8 milionë lekë xhiro, deri aty ku është sot biznesi i vogël, e kanë 5%, pra, e kanë gjysmë për gjysmë.
Përveç taksës për më të pasurit, ne i kemi ulur taksat për 97% të të gjithë shqiptarëve që kanë të ardhura nga rroga apo nga biznesi i vogël.
Ne kemi rritur, është e vërtetë, taksën e karburantit. Pse e kemi rritur taksën e karburantit?
E dëgjuat historinë e rrugës Thumanë-Milot, që është pjesë e jetës tuaj të përditshme. Që në vitin 2010 ka filluar një rotondë. Ka që në 2009-ën ka filluar një copë tjetër. Në 2011-ën që ka filluar një copë tjetër. Rruga vazhdon të mos jetë e përfunduar.
Dikush mund të thotë, ke ardhur para 4 vitesh e gjysmë në qeveri, pse nuk e përfundove. Atëherë, vijmë tek çështja se pse rrugët u lanë rrugëve dhe pse rrugët nuk u përfunduan dot në mandatin e parë.
Rrugët u lanë rrugëve. Saliu thotë, kemi bërë 10 mijë kilometra, po kuptohet, me vizoren e Saliut, shifrat duhen marrë gjithmonë me lekë të vjetra, sepse i bie shumë larg. Sidoqoftë, e vërteta është që qeveria paraardhëse ka bërë tendera, shumë më tepër sesa qeveria jonë. Po të numërosh sa kilometra tendera ka bërë si rrugë janë shumë. Po të shkosh t’i shohësh në terren në 2013, sa kilometra të tenderuara ishin realizuar, unë ju them që kemi ndërtuar më shumë kilometra sesa kishin ndërtuar ata dhe akoma nuk kemi përfunduar.
Nuk i përfunduam dot, sepse ishin hapur tendera, duke hapur një gropë të madhe borxhesh dhe gjithë këto kompanitë që filluan rrugët që u lanë rrugëve, mbetën pa lekë dhe kompanive, qeveria ju kishte borxh qindra milionë dollarë borxhe. Me çfarë do lanim borxhet dhe si do vazhdonim të funksiononim në kushtet kur buxheti ishte trokë?
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në fillim të mandatit në tetor të 2013, na tha ulni rrogat dhe pensionet se nuk keni shans tjetër të mund të vazhdoni të financoni shtetin. Ju kujtohet Saliu që thoshte, prisni se ju pret fati i Greqisë. Ai e dinte çfarë fliste, sepse e dinte më mirë se gjithë të tjerët se çfarë grope kishte lënë përpara.
Ne duhet patjetër të mos lejonim që Shqipëria të binte në atë gropë nga e para, siç ra në ’97-n dhe duhej patjetër që të garantonim vazhdimësinë, pa i ulur rrogat dhe pensionet. Ne jo vetëm që nuk i ulëm rrogat dhe pensionet, por ulëm dhe taksën për të gjithë ata që përmenda, qysh në buxhetin e parë.
FMN-ja propozoi disa taksa të reja dhe e vetmja pikë ku ne ramë dakord ishte rritja e taksës së karburantit. Kjo me logjikën që çmimi ndëkombëtarisht, – jo se e ulëm ne, – kishte rënë në mënyrë drastike. Sot, me këtë çmim ku është brenda dhe taksa e shtuar, krahasuar me çfarë kanë paguar ata që ankohen sot për karburantin, në shumë vite me radhë përpara rënies së çmimit, janë 100 milionë dollarë kursim çdo vit.
Po të ishim me çmimin e atëhershëm, do ishin 400 milionë dollarë deri tani që nuk do kishin mbetur në xhepat e njerëzve, por do kishin vajtur për karburant. Kjo ishte e vetmja logjikë, natyrisht çmimi do të rritet pak, por do të jetë shumë më i ulët sesa ai që ishte për shkak të konjukturës ndërkombëtare dhe ndërkohë nuk do vendosim taksa të tjera për njerëzit në përgjithësi, por vetëm për ata që konsumojnë karburant.
Kemi rritur dhe akcizën e cigares, por ajo është taksë qejfi. Kush do të vazhdoje të shkojë në rrugën e shkatërrimit të mushkërive, ta paguajë atë taksë. Kush nuk do ta paguajë, ta lërë duhanin dhe jemi në rregull.
Pra, dy taksa janë rritur në Shqipëri. E gjithë kjo propagandë është një gjë jashtë realitetit komplet.
Vijmë tek biznesi i vogël. Biznes të vogël në Shqipëri bëjnë 96000-98000 subjekte. Janë vetëm 9000, ata që preken nga vendosja e TVSH-së.
Vendosja e TVSH-së nuk është taksë që rritet për ta, por është mbyllje e një të çarë ku bëhet evazion nga të mëdhenjtë, duke përdorur të vegjlit. Absolutisht nuk ka asnjë ngarkesë dhe mbi të gjitha nuk është qëllimi ynë që të marrim më shumë lekë nga biznesi i vogël. E dini sesa merr buxheti i shtetit nga gjithë biznesi i vogël në Shqipëri? 0.8% të të ardhurave. 99.2 % vijnë nga biznesi i madh.
Ne na intereson të kapim gjithçka që i takon qytetarëve nga të mëdhenjtë, jo të marrim më shumë nga të vegjlit. Kaq e vërtetë është kjo, sa për t’i nxjerrë të gjithë të vegjlit nga bota e gënjeshtrave, se të gjithë gënjejnë dhe të gjithë e pranojnë që gënjejnë se nuk ka asnjë biznes të vogël në Shqipëri që bën aq xhiro sa deklaron. E thonë vetë, pa kamera. Madje disa e thanë edhe në takimin e fundit me kamera. E gënjejnë që të mos e kapërcejnë pragun e pesë milionëshit. Kush do të rrijë me vetëm 5% shkon deri afër 8-ës dhe fillon gënjen, që të mos e kapërcejë 8-ën dhe pastaj rrinë ankohen për inspektimet, se e dinë që gënjejnë dhe kur ju vjen inspektori, është shumë e vështirë t’i shpëtosh duke gënjyer gjithë kohës.
Zgjidhja është shumë e thjeshtë. E kemi diskutuar me ta shumë herë dhe është një tregues se ne nuk jemi ata që po shtrëngojmë më të dobëtit. E kundërta është e vërtetë. Sa janë shtrënguar më të fortët në këto 4 vite e gjysmë, nuk janë shtrënguar ndonjëherë në Shqipëri. Ne do rrisim pragun nga 8 milionë do ta çojmë midis 120 dhe 140. Nuk e kemi akoma të vendosur saktësisht, por është çështje javësh dhe nga 1 janari i vitit të ardhshëm, për të mos krijuar konfuzion me deklarimet, çdokush që ka një xhiro deri në 120, ose 130 ose 140 milionë, por kjo është për t’u definuar, do jetë biznes i vogël dhe do paguajë vetëm 5%, asgjë më shumë. Pra, nga rritja e pragut nuk do shkojnë në tatimin 15%. Dhe ata që sot paguajnë 15% që janë midis 8 dhe le të themi 120-130, nga 1 janari do kalojnë në 5%.
Kjo është ulje taksash, përsëri, për biznesin e vogël, sepse ne biznesin e vogël e duam aleat për të bllokuar të mëdhenjtë, nuk e shohim si lopë për ta mjelë, se nuk ke çfarë mjel aty. Lopa për t’u mjelë është tjetërkund, është biznesi i madh që fshihet pas të voglit dhe që përdor të voglin për të shkarkuar gjithë atë pjesë që krijon evazion.
Ne tani jemi në gjendje që pasi kemi shlyer borxhet e kemi rrafshuar gropën e borxheve, kemi filluar të çojmë përpara projektet, jemi në gjendje të ndërtojmë në realitet, jo në letër, një program masiv investimesh në infrastrukturë. Një gjë kam për t’ju thënë të gjithë atyre maskarenjve që i bien asaj daulles “veriu-jugu, jugu-veriu”, apo “këta nuk duan veriun”.
Programi “1 Miliard për rindërtim” ka katër projekte. Thumanë – Kashar, i bie jug? Milot – Balldren i bie jug? Rruga e Arbrit, jug është?
Këto janë 3 nga 4 projekte që do ndërtohen të gjitha, – jo do paraqiten, do ndërtohen të gjitha – brenda këtij mandati.
Ndërkohë që i vetmi projekt që i takon pjesës së jugut nga programi është rruga nga dalja e Vlorës deri në Llogara, që është nga pikëpamja financiare segmenti më pak i kushtueshëm.
Janë më shumë se 75% e fondit të këtij programi që shkojnë nga Tirana e lart. Kjo është për maskarenjtë që i bien kësaj daulleje.
Përsa i përket pjesës tjetër që ka të bëjë me zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës, dua të them që do ketë dy elementë. E para, nuk do ndërtojmë rrugë si këto. Do ndërtohet edhe Thumanë-Kashari, edhe Rruga e Arbrit, edhe rruga Milot-Balldren që do krijojë një lidhje shumë më të shpejtë, një qarkullim shumë më të sigurt e do ta shikoni se çfarë do të thotë për ne, rrugë kombëtare. Se këtu, këto janë vetëm shtigje ku Zoti për të gjithë, secili për vete.
Nga ana tjetër, programi do të japi një impakt shumë të fortë ekonomik. Do ketë rritje të ndjeshëm të punësimit, do ketë rritje të ndjeshme të ekonomisë kombëtarë. Nuk janë vetëm këto projekte të programit, por janë dhe projekte të tjera nga buxheti i shtetit, nga rifillimi dhe më në fund përfundimi i by-pass-eve të Fierit dhe Vlorës, tek rruga Kardhiq – Delvinë që do të bëjë lidhjen e shkurtër nga ana lindore e Sarandës, tek bypass-i i Tepelenës, tek rruga e Vlorë-Llogara, tek rindërtimi tërësor i aksit të Tiranë – Durrës dhe rruga e re dhe rruga e re Kashar – Rrogozhinë, që do të thotë se për të shkuar nga këtu në Vlorë do të ketë një shkurtim drastik të kohës dhe rruga Durrës – Rrogozhinë – Fier, po atë po e projektojmë për një skemë tjetër.
Dëgjojmë të flitet për koncesionet. Ne kemi bërë shumë më pak koncesione saç ka bërë qeveria e mëparshme. Është bërë shumë më tepër zhurmë për ato që kemi bërë ne, por ato që kemi bërë ne nga ato që jenë bërë më përpara ndryshojnë në një pikë. Për tonat, ne nuk u themi njerëzve do paguani ju. Marrim dializën. Edhe në këtë zonë ka njerëz që dikur e bënin dializën me 700 mijë siklete. Njerëz nga gjithë Shqipëria që shkonin kryesisht në një spital privat në Tiranë, tre herë në javë, bashkë me një familjar, se duhet të jenë të shoqëruar, bënin dhe turne për të bërë dializën. Ndërkohë që ne kemi ftuar një sipërmarrje private që ka ndërtuar qendra dialize në disa pjesë të territorit dhe e kemi afruar shërbimin tek pacientët.
Kur këta flasin për kontrollin mjekësor falas, kontroll mjekësor kishte edhe më përpara, por të bënte 81 mijë lekë. Doje të bëje kontroll mjekësor, kishte shumë më pak analiza se këto që bëhen me kontrollin mjekësor tani, por duhet të paguaje 81 mijë lekë dhe askush nuk e bënte. Sot janë qindra mijëra njerëz që e bëjnë falas.
Këta thonë kaq qindra milionë i kanë marrë privatët dhe duket sikur është një thes që ne e kemi marrë nga shteti dhe ia kemi çuar privatëve nëpër shtëpi. Ky është një spekulim i madh. Kjo është një tallje e madhe me njerëzit, sepse e vërteta është që ne privatëve i kemi kërkuar investimin. Sot që flasim, janë privatët që kanë dhënë lekë dhe ne, çdo vit paguajmë nga pak për të shlyer investimin e tyre. Nuk kemi nxjerrë një thes me 300 milionë që ia u kemi çuar atyre nëpër shtëpi. Por çdo vit paguajmë nga pak për investimin, për të pasur kontroll mjekësor falas në çdo qendër shëndetësore të Shqipërisë. Sot mund të shkoni në qendrën shëndetësore më të afërt dhe bëni kontrollin mjekësor falas. Këto si dhe investimet për instrumentet mjekësorë, instrumentet për dializën, instrumentet për kontrollin mjekësor falas janë investime, të cilat i kanë bërë privatët, njësoj si të shkosh të marrësh një borxh, por ky nuk është një borxh, kjo është një marrëveshje mbi bazën e të cilës shteti i thotë privatit, unë dua për qytetarët e mi këtë shërbim falas, pasi nuk kam mundësi ta investoj. Investoje ti dhe unë do të paguaj ty në vite e në fund të një numri vitesh, për shembull, pas 7 vitesh, gjithë investimi i dializës i mbetet shtetit, gjithë investimi i instrumenteve mjekësore i mbetet shtetit. Bënim operacione me instrumente mjekësore të kohës së Kinës, pa sterilizim. Sot kemi qendra kombëtare dhe lokale sterilizimi. Të gjitha këto janë të investuara nga privati, ndërkohë që ne e shlyejmë çdo vit detyrimin dhe në fund, gjithë ky sistem i mbetet shtetit. Këto janë koncesionet tona.
E dini ç’do me thënë koncesion që të merr frymën?
Shteti kishte nevojë për të bërë skanimin e kamionëve që fusin e nxjerrin mallra në Shqipëri dhe ky është një shërbim që i duhet shtetit. Qeveria në atë kohë mori një privat, – nuk është këtu problemi, – por lekët ia merr çdo ditë nga xhepi kompanive, pra, u thotë kompanive unë dua të të kontrolloj. Normalisht kompania duhet të thotë kontrollo sa të duash, por pse duhet unë të paguaj lekë, kur ti po bën punën tënde dhe jo punën time. 36 euro për çdo faturë. Ka kamionë që kanë edhe 15 fatura brenda dhe llogariteni pak. Kjo është grabitje. Këto janë koncesionet që ne as nuk i kemi bërë e as nuk do t’i bëjmë kurrë. Ndërsa ato që ne bëjmë, nuk rëndojnë asnjë sekondë xhepin e qytetarëve, për shërbime shumë më të mira që marrin qytetarët, qoftë në maternitet kur shkojnë e nuk operohen më me gërshërët e kohës së dashurisë shqiptaro-kineze, por operohen me instrumente mjekësorë gjermanë të gjeneratës së fundit dhe të sterilizuar sipas standardeve ndërkombëtare, qoftë për dializën, qoftë për kontrollin mjekësor bazë që është falas. Kjo është shumë e thjeshtë.
Po ju jap edhe një shembull tjetër. E keni dëgjuar historinë e aeroportit të Vlorës. Aeroportin e Vlorës nuk do ta ndërtojë shteti, do ta ndërtojë një kompani private, konsorciumi që ndërton aeroportin e tretë të Stambollit, që do të jetë aeroporti më i madh i botës. I njëjti konsorcium do nxjerrë lekët dhe do ndërtojë aeroportin, të cilin do ta administrojë për një periudhë kohe të caktuar. Shteti, si në çdo rast kur kemi të bëjmë me një koncesion që ka të bëjë me trafik ajror, me trafik rrugor apo detar, kur bëhet fjalë për linja të kësaj natyre, merr përsipër të paguajë një tarifë risku të trafikut. Por ne po punojmë për një formulë dhe po ju sjell një shembull.
Aeroporti i Rinasit, është koncesion. Koncesion mbi një gjë që ekzistonte, sigurisht i rindërtuar komplet dhe ju e dini mirë sa kushtojnë biletat atje. Janë biletat më të shtrenjta në rajon, sepse është aeroporti më i shtrenjtë në rajon, sepse kontrata koncesionare është bërë për t’i rënë qytetarëve. Kontratat koncesionare të miratuara nga parlamenti nuk i bie dot, sepse kompania të çon në gjykate ndërkombëtare dhe gjykatësi ndërkombëtar nuk do të dijë asgjë, por të thotë se këtë e ka miratuar parlamenti dhe nëse është çmendur parlamenti juaj, kjo është puna juaj e jo e puna ime. Ndaj dhe kompania që ka marrë koncesionin ka të drejtë.
Atëherë si do bëjmë që të ulim tarifat e Rinasit? Duke hapur një aeroport tjetër që do të jetë me çmime shumë herë më të lira. Ajo që i kemi kërkuar konsorciumit që ka ardhur të ndërtojë aeroportin ka qenë se, nëse Rinasi është aeroporti me tarifat më të larta në të gjithë Ballkanin, ne duam në Vlorë, aeroportin me tarifat më të ulëta në të gjithë Ballkanin.
Ku është problemi?
Nuk diskutohet që këtu çfarë do që të bësh, do thonë “e bën me paratë e drogës, me paratë e krimit”. Edhe nëse unë ju kërkoj leje një moment të dal pak jashtë, do thonë, shkoi të kontaktojë një nga kriminelët më të njohur të zonës për çështjen e Saimir Tahirit, pavarësisht se ju do ta dini më mirë se ata se ku do shkoja unë, po të dilja jashtë.
Kështu që kjo është arsyeja e kësaj fushate, për të thënë disa të vërteta, siç janë. Që do të thotë, unë nuk jam absolutisht këtu apo asgjëkund tjetër për të thënë se gjërat janë në rregull, apo punët shkojnë shumë mirë. Jo, gjërat nuk janë në rregull. Ka shumë gjëra për të vënë në rregull. Një nga gjërat për të vënë në rregull është pikërisht marrëdhënia e qytetarëve me zyrat e shtetit e për këtë arsye, ne kemi dhe këtë instrument që është platforma e bashkëqeverisjes. Unë i sfidoj të gjithë, kush ka një hall me një zyrë shteti, në vend që të vijë vërdallë e të sorollatet me ato rrugët e vjetra, ta përdori këtë instrument. 3 minuta është dhe nëse 10 ditë nuk merr përgjigje, unë jam në borxh.
A mjaftojnë të gjitha këto?
Nuk diskutohet që nuk mjaftojnë. Ne ishim dysh, tani jemi pesë. Pesa nuk është notë për të bërë festë. Pesë është kaluese. Ishim ngelës, por ishim ngelës shtrirë barkas. Tani jemi me një notë kaluese. Duam ta çojmë shumë më lartë notën, por po të kthejmë kokën nga u nisëm, unë nuk besoj se ka krahasim. Po të shohim se ku duam të shkojmë, patjetër që nuk mund të rrimë asnjë sekondë në vend, se nuk është këtu ku duam të rrimë. Ne duam të shkojmë shumë më tutje dhe për të shkuar shumë më tutje, duhet të jemi sa më shumë në kontakt me njëri-tjetrin e të jemi sa më shumë të ndjeshëm për pulsin e çdo qytetari që ka halle, që ka probleme, që ka ëndrra, që ka shpresa, që ka fëmijë, që ka të moshuar për t’u kujdesur e kështu me radhë.
Tani radhën e keni ju për të bërë pyetjet e vështira, se më ishte mërzitur dje, njëri që më bëri një fjalë shumë realiste. Ishte mërzitur se ai ka votuar gjithë jetën PD-në, tani ka votuar për ne dhe e kishte marrë doktori e kishte përdorur si hero. Më është mërzitur dhe ka ardhur sot këtu. Të kishte bërë doktori hero kundër qeverise së krimit.
Jam mësuese tek shkolla numër 5 në Laç. Bashkëshorti im vuan nga një sëmundje e rëndë. Kempi rajonal i Lezhës e trajtoi dy vite dhe vitin e tretë e nisi për tek kempi epror, me pretendimin se ne nuk do ta çonim për 5 vite, por autiditi e ka përcjellë tek kempi epror. Shkon burri paraqitet tek kempi epror dhe i thonë Lezha të ka çuar për ta hequr kempin dhe na vjen përgjigja pas 6 muajsh që je i aftë për punë.
Kryeministri Rama: Është rast tipik, ku nuk ka nevojë as për të shkuar tek kempi qendror, as për të pritur 6 muaj. Mjaftojnë tre minuta për t’u futur në platformë dhe për 10 ditë, nëse të takon zgjidhja, merr zgjidhje. Para se të thuash kam shkruar, këtu janë disa nga koordinatorët e platformës, se e kam vënë re disa herë që thonë e kam bërë dhe ose i çojnë tek adresa e kryeministrisë që nuk ka lidhje fare me këtë, ose i fusin në ca adresa të tjera. Këtu përpara ke koordinatorët. Ulu, jepi emrin dhe e zgjidhim në sallë. Jepi emrin dhe çfarë është tjetër që duhet dhënë dhe do e marrim përgjigje këtu. Ti do rrish këtu, ne do marrim përgjigjen, që të kuptoni se kjo nuk është aspak lojë, kjo është prej vërteti.
Ju kam bërë thirrje kur keni ardhur në fushatë për mandatin e ri. Ky përrua këtu që është bërë sheshi i përkryer, ky përroi këtu, i cili do e shkatërrojë, i padisiplinuar. Ju kam thënë bëjeni në këmbë dhe jam i sigurt që do e jepni fondin për ta disiplinuar këtë përrua në mes të qytetit të Laçit, 30 metra me oborrin e pallatit të kulturës. Dhe jepi 5 lekë për këtë Pallat Kulture se vellon ia keni veshur të bukur, e keni bërë nuse nga jashtë. Me autoritetin rrugor, e pamë disa herë në monitor, hyrjen e Laçit me autostradën. Është një skandal. Nëse një zot shtëpie thotë që unë do ta rregulloj shtëpinë, do t’i bëj rikonstruksion të plotë, pa mirëmbajtje asnjë ditë, shtëpia do ta zërë brenda. Ato rrugët që janë bërë me gropa është një taksë e jashtëzakonshme.
Kryeministri Rama: Për çështjen e përroit është një projekt që duhet ta bëjë bashkia dhe që ne e kemi shumë mirë parasysh se ma ka ngritur kohë përpara këtë çështje edhe kryetari i bashkisë, edhe deputeti dhe ne do ta financojmë.
Përsa i përket çështjes së rrugëve, e shpjegova se gjithë ky aks është pasqyra më besnike e katrahurës që është bërë për vite e vite të tëra në këtë vend dhe ne do ta transformojmë 100%, jo 90%, por 100%. Përsa i përket investimeve në mirëmbajtje që ne po bëjmë nga buxheti i shtetit dhe nga Banka Botërore janë më shumë se asnjëherë tjetër, por kini parasysh që janë fonde, të cilat sapo kanë filluar të disbursohen. Megjithatë aty nuk është çështja se do mbyllësh gropa, aty është katrahurë. Më the për hyrjen e Laçit, por më thoni një hyrje qyteti normale si përfundim i këtyre projekteve që e bënë Shqipërinë “madhështore” në vitet përpara ardhjes tonë në qeveri. E ke parë se si hyn në Tiranë? Hyn si fshehtas. Kthehesh tek aeroporti, futesh poshtë atyre hurmave dhe veçse kur del në Tiranë. E ke parë si hyn në Lezhë? Po kur kthehesh për Shkodër, e ke parë që është si ajo “mbaje shofer një sekondë se kam pak punë”. Të gjithë kthehen aty te shkëmbi sikur fshihen. E ke parë si hyje deri para pak kohësh në Vlorë? E gjithë ajo autostradë, shkoje dhe pastaj fshehtas, futu te një karburant dhe prapa ullinjve dilje në Vlorë. Sepse të gjitha projektet ishin projekte për shtatë palë qejfe. Shikoni rrugët. Bënë vetëm atë pjesën e butë dhe pastaj çfarë ka anash, çfarë ka në fillim, çfarë ka në fund. s’ka rëndësi, njësoj si PD-ja, se ku fillon, se ku mbaron, se çfarë ka anash s’ka lidhje. Rëndësi ka vetëm ajo korsia “krim, krim, krim”, “drogë, drogë, drogë” dhe përpara, të gjithë si delet mu në mes të rrugës. Ne do ta ndryshojmë rrënjësisht faqen e infrastrukturës në këtë mandat. Ky është një nga prioritetet tona.
Kam 5 vjet e këtej që kurohem për mëlçinë e zezë. Shkova të bëj vizitën te spitali në Lezhë, unë e marr këtë me gjysmë rimbursimi 60 mijë lekë. Këtë radhë kjo ishte bërë 215 mijë lekë. Unë jam i papunë, pa ndihmë ekonomike, pa asgjë. Kam punuar deri tani punëtor në punë të zezë.
Kryeministri Rama: Duhet të kemi parasysh një gjë. Ka disa ditë që është miratuar lista e re dhe ka pak konfuzion që është duke u shpjeguar përditë. Për të mos e zgjatur rastin konkret, që edhe unë të jap përgjigjen e saktë, bashkërisht, pas mbledhjes do ta sqarojmë konkretisht për ilaçin konkret, që të jap përgjigje të saktë.
Jam një familje e përmbytur në datën 10 tetor të 2016-ës nga ujërat që vërshuan nga Përroi i Gjarprit. Në këtë rast janë bërë të gjitha dokumentet, dosja, sipas ligjit ndodhet në Drejtorinë e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme. Kam dy vjet që sorollatem lart e poshtë, Laç-Tiranë. Nuk kam marrë asnjë “Ok”. Kam bërë disa herë takime. Asnjë letër nuk e keni marrë në dorë urgjent për arsye se ata drejtorët e drejtorisë së pritjes së popullit në Kryeministri nuk ua dërgojnë letrat juve, i mbajnë aty në sirtar. Si puna ime, jemi 90 familje.
Kryeministri Rama: Edhe ky është një rast tipik. E para, mos u lodhni me letra. Është gjëja më e thjeshtë në botë për të më çuar mua sinjal, nëse e keni me mua. Nëse e keni me ndonjë ministër, mjaftojnë 3 minuta. Ti vetë ndoshta nuk e përdor kompjuterin, por ke nip që gdhihet e ngryset në kompjuter, ke mbesë që e ka telefonin në dorë nga mëngjesi në mëngjes, thuaji të të ndihmojnë dhe ankesa vjen direkt. Për 10 ditë merr përgjigje. Është ndërtuar sistemi për t’i dhënë fund të gjithë këtyre ecejakeve, letrave. Përsa i përket kësaj të familjeve, edhe kjo është shumë e thjeshtë. Bëhuni bashkë dhe kërkoni ministrin përkatës të dalë t’ju japë llogari publikisht dhe t’ju thotë publikisht si është puna. Jeni 90 familje kërkoni ministrin t’ju dalë në interpelancë, njëlloj siç i del çdo deputeti.
Është një kanal nga Miloti në Ishëm që nuk ka pikën e ujit, jo sot, po ka 3-4 vjet s’ka pikë uji. Ju vetë keni thënë disa herë në televizor se fshatari do ta ketë ujin në krye të arës. A mund të merret ndonjë lloj mase kundrejt ujit?
Kryeministri Rama: Kundrejt ujit nuk marrim dot masa, por do të marrim masa kundrejt atyre që sjellin ujin. Do ta shohim konkretisht dhe do të them. Nuk e di tani konkretisht.
Ju kam shkruar para 9 muajsh dhe nuk kam marrë përgjigje. Kam shkruar për shumë probleme, i kam shkruar edhe Prefekturës, nuk e kanë zgjidhur, edhe pushtetit vendor. Është problem toke.
Kryeministri Rama: E paske çuar letrën kur kemi qenë në qeveri me Lul Bashën. Ne në shtator kemi filluar punën. Thuaji një nipi a mbese që përdor internetin ta fusë letrën tek www.shqiperiaqeduam.al, ose pastaj jepua telefonin këtyre vajzave që janë këtu dhe do ta marrin. Do marrësh përgjigje brenda 10 ditësh.
Jam një fshatar nga Bashkia Mamurras. Kam bërë disa kërkesa në Bashkinë e Laçit. Jemi nja 500 familje, jemi pa rrugë. Kemi 3 kilometra rrugë që s’kalohet prej 6 muajsh. Të kam parë në televizor në Durrës kur erdhën ekskavatorët. Ke hip në ekskavator me Vangjush Dakon dhe në fshatin tonë ka 20 vjet s’ka kanale të treta, të dytat. Në Bashkinë Mamurras, në fshatin Droje jemi pa rrugë dhe pa kullim dhe pa vaditje. Veç na ke sjellë dritat. Për dritat ke meritë. Kemi 24 orë drita, i kemi paguar.
Kryeministri Rama: Përsa i përket kullimit, bashkitë kanë marrë të gjitha mjetet dhe duhet të merren me këtë punë, që hap as hapi të lirojnë kanalet kulluese. Përsa i përket rrugës 3 kilometra që keni ju aty, nuk e keni vetëm ju, ka dhe plot të tjerë. Pyetja ime është, do fillojmë nga rrugët kryesore këtu? Ajo është rrugë bashkiake, nuk është rrugë kombëtare. Përsa na takon ne duhet patjetër të investojmë tek këto rrugët e rëndësishme kombëtare, sepse jam shumë dakord me ty, por ndërkohë te rruga këtu, ju e dini vetë se çfarë hiqni, ka 25 vjet.
Kam futur letrat për certifikatë për shtëpinë, kam 6 vjet që pres. Është harta keq thonë.
Drejtori i Hipotekës: Për sa kohë që unë jam drejtuesi i zyrave të regjistrimit, zotëria nuk ka ardhur, por me dijeninë që kam ka mbivendosje.
Kryeministri Rama: Ka mbivendosje?! Po ai ka shtëpinë aty. Nesër në mëngjes, zotëria do vijë të të takojë. Pastaj do çosh specialistët në vend, do shikosh në vend si është situata dhe mbi bazën e situatës faktike do japësh certifikatën, se mbivendosja është për shkaqe hartash, nuk është për shkak të atij. Ai shtëpinë e ka atje. Shko, zgjidh situatën faktike, jepi certifikatën në dorë. Pasdite pres lajmim nga ty që e zgjidhe problemin. Po nuk erdhi lajmi nga ti tek unë, do vijë lajmi nga unë tek ti dhe nuk do jetë lajm pozitiv.
Jam një qytetar nga Laçi. Kam marrë lejen e legalizimit para 6 muajsh. Tani për të marrë certifikatën e pronësisë duhet të dalë vendimi i qeverisë për çmimin e truallit, se ne jemi tokë shtetërore.
Drejtori i ALUIZNI-t: Përsa i përket rastit në fjalë, i përket procedurës së VKM-së, e cila është shitja, ose blerja e parcelave në rastin konkret kur figuron pronë në shtet. Është bërë procedura përkatëse. Është përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e ka përcjellë në Kryeministri dhe merret Vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimin tokës shtet në këtë rast. Pastaj kthehet në Drejtorinë Rajonale Lezhë.
Kryeministri Rama: E qartë, do interesohem unë sa të dalim që këtu dhe do ta shohim.