Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Të nderuar deputete dhe deputetë,
48 orë më parë, Tirana u gdhi me lajmin e vendosjes së tre bombave. Dy prej tyre kishin në shënjestër familjen e Ministrit të Brendshëm. Akte të mirëfillta terroriste, të cilat së pari përcjellin mesazhin e një kërcënimi të rëndë në adresë të Ministrit të Brendshëm. Së dyti, përcjellin ankth dhe pasiguri tek njerëzit, siç është në natyrën e terrorizmit të çdo forme. Së treti, fatkeqësisht përcjellin energjitë më negative të qenies njerëzore për të furnizuar politikën e llojit më të ulët që është politika me krimin, e cila është mbështetje imorale dhe frymëzim i drejtpërdrejtë për krimin.
Cilitdo qofshin urdhëruesit e drejtpërdrejtë dhe ekzekutuesit e kërcënimit ekstrem të familjes së Ministrit të Brendshëm të Republikës sonë të përbashkët, për fatin më të keq punonjësve të policisë, ashtu si dhe të gjithë qytetarëve pa dallim, të cilët janë cenuar psikologjikisht, nga ky karshillëk kriminal, frymëzim dhe mbështetje e krimit në ditët e sotme është bërë dhe politika e ditës, edhe ky Kuvend ku krimi përdoret rëndom si lëndë e parë fjalimesh halucinante që kriminalizojnë Qeverinë dhe policinë.
Askush që nuk është pjesë e kësaj politike kriminalizuese, qoftë shqiptarët, qoftë i huaj që ka lidhje me Shqipërinë e sotme, nuk mund ta gëlltisë si lajthitjen e radhës reagimin e faqezezshëm të Partisë Demokratike ndaj sulmeve me bomba në adresë të familjes së Ministrit të Brendshëm dhe atij personalisht.
Por, nga ana tjetër, reagimet e forta të opinionit publik përmes rrjeteve sociale dhe të opinionit ndërkombëtar përmes deklaratash, qëndrimesh pa asnjë ekuivok, lidhur me deklaratat e turpshme të PD-së, na turpërojnë të gjithëve ne, përfaqësuesit e zgjedhur të popullit shqiptar. Turpërojnë partitë politike shqiptare dhe institucionet ligjzbatuese në Shqipëri, ku si askund, si në asnjë vend tjetër demokratik në botë, opozita nuk e ka për gjë të pozicionohet në anën e krimit, përmes reagimesh të cilat nuk dënojnë veprën terroriste, por tregojnë me gisht Ministrin e Brendshëm dhe familjen e tij, si fajtorë që meritojnë bombat.
Deklaratat tuaja të pardjeshme, zonja dhe zotërinj opozitarë të sotëm, janë kulmimi i një fushate të egër shpifjesh, fyerjesh dhe denigrimesh të pandërprera, ndaj Ministrit të Brendshëm dhe Policisë së Shtetit. E keni nisur këtë fushatë qysh kur filloi kthimi i policisë në krye të detyrës dhe filloi prerja e lidhjeve të vendosura prej jush, mes policisë dhe botës së krimit.
Ato deklarata për fatin shumë të keq të këtij populli dhe nesh, janë fundi i fillit të çdo arsyeje, të çdo morali politik, të çdo mundësie justifikimi. Jo në Europën e sotme, por as në faqet e kanunit të moçëm nuk ka gërmë të shkruar mbi bashkëjetesën e qenieve njerëzore që justifikon ato reagime aq të ulëta.
Edhe gjakësit, Kanuni i jep 24 orë qetësi në besë, ndërsa ju nuk pritët dot as 4 orë për t’i shtuar bombave të terroristëve aktin e dhunës suaj të pashembullt verbale ndaj njeriut që ishte objektiv i terrorit, Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë.
Unë jam bashkuar prej kohësh me të gjithë shqiptarët, atë shumicë dërrmuese shqiptarësh, të cilët e tregojnë me gisht drejtësinë, si të akuzuarin numër një në këtë vend, për pandëshkueshmërinë që ju i keni garantuar prej kohësh vetes, qoftë për ato që keni bërë me dorën tuaj në 21 janar, apo në bashkëpunim me krimin si në Lazarat dhe në të gjitha rrugët e trafiqeve të drogës, të qenieve njerëzore, të naftës apo korrupsionit të gjithanshëm, të cilat i zgjeruat me zellin më të madh sa kohë ishit në Qeveri. Apo qoftë për akuzat monstruoze që nxirrni nga goja, vazhdimisht, tani që jeni në opozitë, duke e kthyer mjedisin politik, ashtu si edhe këtë Kuvend, në hapësirën ku emrat e krimineleve i përmendni më shumë se hallet e njerëzve dhe ku kundërshtarëve i adresoheni me një gjuhë që asnjë prokuror, sado i ashpër, nuk do t’i adresohej dot as edhe një krimineli, sado të damkosur.
E di që, siç thotë populli, tek e fundit, ju s’keni faj, jo! Shqipërinë e antishtetit, të baltës dhe të përçarjes deshët dhe atë Shqipëri që deshët e bëtë realitet. E, na e latë ne ta kthejmë në rrugën e Zotit dhe të robit që do ligj, do shtet, do bashkëjetesë qytetare dhe demokratike. Nga plagët e tmerrshme të kancerit antishtet të Shqipërisë që rrënuat kërkoni të përfitoni sot, me të njëjtin epsh antishtet dhe antiqytetari duke na tundur gishtin para syve për çdo plagë që e hapët dhe e infektuat ju, me pushtetin e pakufishëm të karagjozllëku tuaj. E bëtë krimin partner të qeverisjes tuaj tallava dhe e kthyet Shqipërinë në njollën e zezë të Europës për drogën që i kthyet malet dhe kodrat në fusha pjellore dhe sot tundni gishtin e akuzës ndaj nesh për çdo operacion antidrogë, siç e tundët për turpin e dheut edhe kur u shkul nga themelet “Republika” juaj e turpit, e turpit tuaj, në Lazarat. Policinë që luftonte me gangot e armatosur të plantacioneve të atij turpi e akuzuat për terrorizëm shtetëror, në kulmin e operacionit.
Ju i bëtë kriminelët me damkë Forcash Speciale në fushatat tuaja, me të cilët na gjeti belaja ku u ndeshëm në ato zgjedhjet e vjedhura të 2009 apo në ato të tjerat të Tiranës në 2011. Ndërsa sot tundni gishtin, dhe në drejtim të Ministrit të Brendshëm. A thua se personazhet famëkëqij të botës së krimit me të cilët na u desh të përballemi rrugëve të fushatave u lindën dhe u rritën në këtë një vit e gjysmë të qeverisjes sonë.
Bëtë një privatizim skandaloz të kompanisë së shpërndarjes së energjisë për të cilin j’u thamë atëherë, edhe në këtë Kuvend, mos e bëni se do të zhyteni të gjithë më keq në borxhe dhe në probleme. Pasi e kthyet CEZ-in në një faqe të zezë të keqqeverisjes dhe na e latë në derë me 1 miliardë dollarë borxhe dhe një mal me detyrime ligjore ndaj çekëve, sot i tundi gishtin qeverisë sonë pse po vendos ligjshmërinë në xhunglën tuaj të energjisë.
Më keq akoma. Na akuzoni ne dhe nuk ju lëviz asnjë qerpik që i paskemi falur çekëve që sollët ju, 600 milionë euro. Ose ç’e pyet, ju latë 53 900 konsumatorë me një faturë të paligjshme në derë, që nga 2008. Faturë që ERE, e juaj, e nxori të paligjshme në 2010-tën dhe sot tundni gishtin e akuzës ndaj nesh që anuluam ato fatura duke iu kthyer qytetarëve të drejtën e mohuar prej jush.
E bëtë Shqipërinë një realitet të mosozotshëm afrikan, duke e çarë rrugën e historisë me ndërtime pa leje, kuturu, mbi çdo lumë, digë, argjinaturë, kanal kullues dhe fushë prodhuese, duke prerë pyje pa fund dhe duke ‘ngrënë’ çdo shtrat lumi. Sot, na tundi gishtin pse ndodhi përmbytja e ditëve të fundit, a thua se tërë ajo lukuni shkatërrimesh dhe legalizimesh kriminale mbi kanale në lumenj është vepra jonë. Dhe jo, nuk ishit ju që sajuat dhe e propaganduat atë tezën karagjoze “ndërtimi është bereqet”, “ndërto ku të mundesh, bereqeti të vjen mbrapa”.
Në vitin 2006- 2009 keni shpallur anekënd Shqipërisë 127 zona informale. Ndër to janë 36 zona informale që gjenden brenda kornizës së kërcënimit nga përmbytjet. Pas shpalljes së tyre si të tilla keni inkurajuar dhe keni mbështetur, pastaj edhe bekuar me premtimin për legalizim, ndërtime pa leje që u shumëfishuan, ndërsa masa për t’i mbrojtur sado pak nga përmbytjet e padiskutueshme nuk i keni marrë kurrë. Që nga ultësira e Shkodrës, Bahçallëkut, të Dajçit dhe të Vaut të Dejës, në Lezhë, në Durrës në zonën e Kënetës, në Tiranë në zonën e Paskuqanit dhe lumit të Tiranës, në Elbasan, në Fier, në Berat në zonën e Uznovës, në Vlorë në zonën e Akërnisë dhe atë të Drashovicës, ju i keni minuar themelet e jetës familjeve dhe gjësë së tyre të gjallë, fatin e prodhimit të tyre, si dhe arkën e shtetit prej ku duhet të dalin para të ekstra sa herë që ka përmbytje, për shkak të politikës tuaj. Në këtë kornizë prej 5142 hektarë të ndërtuar verbërisht nga ju, e cila në rast prurjesh të pazakonshme, por jo domosdoshmërisht të jashtëzakonshme, provokon përmbytje në dhjetëra mijëra hektarë, gjenden 44 512 ndërtime pa leje. Ndërsa në të tërë hartën e kërcënuar nga përmbytjet, që me dorën e Zotit nga njëra anë dhe me dorën e pushtetit tuaj karagjoz nga ana tjetër, janë mbi 100 mijë ndërtime të tilla.
Shikoni çfarë kanë shkruar në Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr.438, të vitit 2006. E kanë shkruar këta: ‘Nuk kualifikohen për t’u legalizuar kur janë ndërtuar në zona për rrezik përmbytje.’ Pra, me fjalë u thoshin ndërtoni ku të mundeni se ku ndërtoni j’u vjen bereqeti dhe ne do t’ju legalizojmë. Me letra atyre iu çonin hartat e këtyre zonave të pabesa informale, kurse shtegun e legalizimit ua kanë mbyllur në 2006. Ndërsa me punë pastaj as që u morën ndonjëherë seriozisht me ta dhe as me këtë vend që e bëtë, dhe kjo mjafton, mjafton e tepron, të vetmin vend të Europës që ndërton në shtratin e lumit në shekullin e XXI-të. Ashtu siç nuk kanë ndërtuar kurrë të parët tanë, të cilët si gjithë të tjerët nëpër Europë, qysh në shekujt më të largët, ndërtuan gjithnjë larg zonës së kërcënimit nga përmbytjet. Këtë e bëtë ju; Ndërtimtarinë në zonën e përmbytjes, pa leje me bekim dhe për bereqet.
Duke u kthyer te akuzat tuaja barbare, unë dhe ne, Qeveria dhe shumica e sotme parlamentare nuk keni ndërmend të bëhemi pjesë e jetës së mjerë politike, që ju doni të na impononi. As dimë dhe as duam të shpifim për ju, siç shpifni ju përditë për ne. Por, ama, as mund të vazhdojmë t’ju dëgjojmë dhe të mjaftohemi me shprehjen e neverisë tonë sa herë lëshoni ndaj nesh, të yshtur me tërbim ndaj krimit, sepse Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë këtë zymtim të qëllimshëm, armiqësor, të mjedisit politik. Nuk meriton Shqipëria dhe shqiptarët, as panoramën krejt të pashpjegueshme që ky zymtim krijon në sytë e komunitetit ndërkombëtar, jo për ju, por për këtë vend dhe për këtë popull si i tërë.
Parafytyroni pak o njerëz, të gjithë ju që dëgjoni, se çfarë mund të mendojë një zyrtar i huaj kur dëgjon se ky vend na qenka një pazar politik kriminelësh, që paskan pushtuar politikën, parlamentin, qeverinë, policinë, institucionet dhe ku të jesh Kryeministër, Ministër i Brendshëm, apo deputet apo politikan do të thotë të jesh kriminel e shkuar kriminelit, që gdhihesh e ngrysesh në mbledhje me botën e krimit. Parafytyroni pak o deputetë të këtij populli se çfarë mund të mendojnë për ne si popull e si vend në zyrat e huaja që merren me Shqipërinë kur lexojnë raportet mbi këto shpifje dhe akuza të pashembullta që nuk ngrihen as në Gjykatën e Krimeve të Rënda ndaj vrasësve, siç ngrihen përditë në foltoret e opozitës ndaj qeverisë. Parafytyrojeni pak dhe gjeni pak se kush tjetër, përveç krimit këtu në Shqipërinë tonë dhe atyre antieuriopianëve andej matanë, mund të përfitojnë ndonjë gjë nga kjo politikë e ulët, verbërisht e egër, ku ethet e hakmarrjes për një humbje që e merituat në zgjedhje, e kanë katandisur partinë më të madhe të opozitës në një lumë që përmbyt çdo ditë shoqërinë tonë dhe zyrat e huaja për Shqipërinë me akuza të neveritshme.
Kjo qeveri është larg së qeni e përsosur. Ne jemi larg të qënit të pagabueshëm. Ndaj nuk besoj se ky mjerim i madh, mjerim moral, mjerim politik, por edhe mjerim mendor mund të justifikohet me ndonjë mungesë mundësish për të na kritikuar, sulmuar, goditur me argumente dhe me fakte. Nuk mund të justifikohet me asgjë ky mjerim i pashembullt, ky mjerim ekstrem që ushqehet me moton, “shpif, shpif se diçka do mbetet” dhe “sa më shumë të shpifim aq më shumë do mbeten”.
Sigurisht e ka një justifikim real edhe ky mjerim. Ky justifikim është fakti se nuk keni asnjë vizion për Shqipërinë. Atë vizionin që kishit e bëtë realitet dhe ja ku është. Ju s’keni asnjë program real reformash modernizuese, lëreni pastaj që s’keni asnjë lidership të ri për të djathtën, e mos e pyet fare pastaj për popullin shqiptar. Vizioni juaj është kaosi. Ai kaos që ndërtuar gjithandej. Programi juaj është baltosja e kundërshtarit. Kjo baltosje që vjen nga superprodhimi i SHQUP-it. Lidershipi juaj është ku thërret kiameti. Ndaj si duket edhe ju thërrisni përditë kiametin, se e ndjeni që vetë nuk e mundni dot. Prandaj, kiameti le të bëhet për Shqipërinë dhe për shqiptarët, se kush e di po del edhe ndonjë gjë për ju.
Por ne nuk kemi ndërmend ta pranojmë këtë “modus vivendi” mizerabël që ju kërkoni të na impononi me dhunë verbale në bashkëjetesën tonë të detyruar.
Ne do të kërkojmë kriminalizimin, një orë e më parë, me ligj, të shpifjes për shkak të detyrës për çdo rast kur akuza e bëra nga një përfaqësues i zgjedhur i popullit ose një partie politike parlamentare janë akuza penalisht shqetësuese për opinionin publik. Dhe, po me ligj ne do të sanksionojmë si të pashmangshëm detyrimin e Prokurorisë për të vepruar menjëherë për të hetuar mbi bazën faktike të një akuzë, ku për shkak të detyrës dikush akuzohet se ka kryer një vepër të rëndë penale ose se ka bashkëpunuar me krimin për të kryer një vepër penale.
Në mars kam personalisht një gjyq me ty dhe me këtë tjetrin. J’u kam kallëzuar për shpifje për shkak të detyrës dhe j’u kam sfiduar t’i faktoni përpara Gjykatës së Lartë akuzat tuaja, sa qesharake aq të çuditshme për lidhjet e mija me kriminelë dhe me vepra kriminale. Do t’i shkoj deri në fund atij procesi dhe nëse ju do të provoni sado pak, jo të gjitha, sado pak, nga tërë ato hatara që j’u ka nxjerrë hapësira që e quani gojë, unë do të jap dorëheqjen dhe do t’i vihem në dispozicion drejtësisë. Në të kundërt ju do të paguani çmimin e kësaj politike të turpshme.
Ndërsa shqiptarët duhet ta dinë, jo nga ne, por nga një palë e tretë që na gjykon, nëse e vërteta është siç e pretendoj unë apo siç akuzoni ju. Por kaq nuk mjafton, s’mund të mjaftojë. Këto nuk janë sherre në familje as sherre mes komshinjsh dhe ne nuk jemi këtu për të hapur gjyqe me ju, sa herë ju jashtënxjerr goja ju ato që ju prodhon zorra juaj politike. Kështu nuk vazhdohet më. Shqipëria nuk mund të rrijë zhytur në baltën e akuzave të sajuara apo të paprovuara të politikanëve me njëri-tjetrin.
Jemi i vetmi vend në Europë, të nderuar deputetë, ku ka mbirë kjo farë e keqe, e cila e mbyt përditë, prej vitesh, të tërë shoqërinë me një helm të padurueshëm. Kush merr përsipër t’i ngrejë akuza kësaj kategorie duhet të marrë përsipër t’i provojë ato përpara publikut dhe jo në gjyqet e pafundme mes nesh. Nga ato gjyqet që mbarojnë, – “ishte shpifje, por ishte në detyrë dhe detyra e politikanit e përmban edhe shpifjen si pjesë të profesionit”, – por nëpërmjet futjes në veprim të prokurorisë.
Nuk ka vend në Europë, nuk ka vend në rajon ku kushdo qoftë, ndër përfaqësuesit e zgjedhur të popullit, të çohet, të bëjë akuza penale nga ato që bëni ju dhe Prokurori i Përgjithshëm të nesërmen të mos e thërrasë për t’i kërkuar shpjegime. Sepse nuk ka vend në Europë, nuk ka vend në rajon, që të mund të pranojë që këto akuza të trajtohen si pjesë e lojës politike dhe ndërkohë, me gjasë, një Kryeministër, një Ministër i Brendshëm të jenë përfaqësues të botës së krimit. Nuk ka vend që e pranon këtë dhe që e sheh këtë si një shfaqje që politika e jep përditë, se këtë detyrë ka. Prandaj prokuroria, duhet ta marrë një orë e më parë nga ligjvënësi detyrën e qartë, të pashmangshme, të painterpretueshme sipas qejfit, për të thirrur dhe për të hetuar çdo akuzues profesionist të kësaj kategorie.
Nuk mundet më që “profesionistët” që e nxjerrin bukën me këto akuza, se s’kanë bërë më asgjë tjetër në jetë, të vazhdojnë të bashkëjetojnë me ne të tjerët dhe sa herë të ketë nevojë zorra politike, përmes tyre, të nxjerrë të gjithë atë që nxjerr në mënyrë të pashembullt.
Ja konkretisht. A është Ministri i Brendshëm që po e lufton me vendosmëri krimin, siç them unë apo njeriu që drejtohet nga krimi, siç akuzoni ju?
Kjo nuk është një pikëpyetje që mund të ngrihet përpara opinionit publik sa herë e kërkon politika juaj e ulët me krimin dhe pastaj të mbeten vetëm përgjigjet tona. As nuk është një pikëpyetje që publikut i duhet lënë ta zgjidhë vetë, sipas tifozllëkut partiak apo hamendjes instiktive. Kjo është një pikëpyetje konkrete, e cila meriton hetim nga prokuroria dhe pastaj gjykim nga gjykata. Sepse, populli shqiptar dhe komuniteti ndërkombëtar meritojnë të dinë të vërtetën për këto akuza të turpshme sipas nesh dhe heroike sipas jush.
Asnjë prej nesh, asnjë prej jush s’mund të fshihet pas imunitetit apo dekriminalizimit të shpifjes në emër të lirisë së fjalës, që është për gazetarët, jo për ata si puna juaj që e nxjerrin bukën duke i shërbyer zorrës, për ta bërë baltë këtë foltore dhe të tërë mjedisin social dhe politik të Shqipërisë. Politika, si zanat për të jetuar me shpifje dhe me akuza që synojnë kriminalizimin dhe diskreditimin e kundërshtarit, me forma propagandistike që vetëm komunistët dhe nazistët i kanë përdorur, duhet të japë më në fund llogari përpara prokurorëve, jo të vazhdojë të kërkojë llogari nga e tërë ajo pjesë tjetër njerëzish që merren me politikë për shumë arsye, por jo për ta nxjerrë bukën duke shpifur qençe.
Politika juaj me krimin bën padyshim dëm të madh, por as nuk na pengon ne të vazhdojmë luftën të vendosur kundër krimit dhe as nuk i pengon dot shqiptarët që mendojnë me kokën e tyre, dhe jo me kokën tuaj si ata të Ferrasit domethënë ata “xh-të e q-të”, të bëjnë dallimin gjithnjë e më të qartë mes nesh e jush në këtë drejtim.
Të thuash sot se krimi është më i fortë seç ishte përpara një viti e gjysmë, është më i përhapur se ç’ishte para një viti e gjysmë apo është më me influencë mbi shtetin dhe mbi shoqërinë se ç’ishte përpara një vitit e gjysmë do të thotë të përpiqesh të mbulosh diellin me shoshë. Ndërsa të biesh në kurthin e kësaj propagande të shfrenuar, të turpshme, atavizëm komunist, i propagandës komuniste apo naziste po të doni, që me këmbëngulje kërkon ta tregojë Shtetin, Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme apo vetë Ministrin, jo në ofensivë, siç janë realisht kundër krimit, por në tërheqje dhe nën urdhrat e krimit do të thotë ta kesh kujtesën shumë të shkurtër.
Rezultatet e vitit të parë të plotë të qeverisjes sonë, të 2014-ës, në raport me vitin 2013 flasin vetë;
10.4 % më pak vrasje në 2014 sesa 2013, duke llogaritur që 3-mujori i fundit i 2014 pati një ulje me 41 % të vrasjeve. Dhe nga këto vrasje 60% janë krim në familje, apo motive pronësie. Vetëm 11 % e vrasjeve janë për motive kriminale.
Personat në kërkim të kapur janë 20 % më shumë.
Armët dhe municioni i sekuestruar janë 41 % më shumë.
Lëndët eksplozive të kapura 90 % më shumë.
Krimet kundër pronës vijojnë në ulje.
Ndërkohë, droga e asgjësuar në 2014 është më shumë se në të gjitha vitet e këtyre të mbledhura sëbashku.
Por, duhet të kesh një pafytyrësi hollivudiane dhe duhet ta mendosh popullin tënd një tufë delesh për të dalë sot dhe për të akuzuar këtë qeveri për drogën pasi ke kultivuar Lazaratin dhe i ke kthyer malet e kodrat në fusha pjellore, nën porosinë e shokut Enver por jo me grurë, por me drogë.
2214 parcela me kanabis të asgjësuara. Kush i mbolli? Kush i kultivoi? Ne, Ministria e Brendshme apo ministri i Brendshëm? Po 71.64 kg heroinë në vitin 2014 më shumë, kush e kapi, ju? Po 19 milionë euro asete kriminale të sekuestruara nga trafikantët e drogës, kush i vuri nën sekuestro dhe kur u krijuan këto aseste kriminale, vjet?
Lëre pastaj historinë e ushtrisë së NATO-s. Atë nuk dua ta hapim këtu sot, e kemi hapur në të shkuarën, por për atë nuk keni nevojë fare të bëni interpelanca, nuk keni nevojë fare as të na tregoni gishtin, kur gishti tregon hënën, mjafton të pyesni kompetentët që keni mes jush për të gjitha raportet e partnerëve, posaçërisht partnerëve tanë më të mëdhenj. Se ku e latë ju ushtrinë në NATO-s këtë e dinë të gjithë në NATO, se NATO-s as nuk i shpëton gjë dhe as nuk i bëjnë përshtypje broçkullat tuaja.
Arritët deri në pikën që i merrnit bashkish me mijëra euro rekrutëve që çonit në Afganistan. Ja këta! Shifrat janë aty, faktet janë aty, shqiptarët që kanë sy për të parë dhe mend për të gjykuar, janë edhe ata aty. Janë aty edhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, të cilët, pyeteni veten, pse u solidarizuan menjëherë, fort dhe prerë me Ministrin e Brendshëm dhe me Policinë e Shtetit, pas reagimeve tuaja skandaloze lidhur me bombat që kërcënuan familjen e ministrit.
Ju siguroj se sikur shqiptarët të dëgjonin edhe atë që ne dëgjojmë vazhdimisht prej tyre lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar kundër krimit të Policisë së Shtetit me policitë partnere, deri para viti e gjysmë dhe gjatë këtij një vitit e gjysmë, do të kuptonin qartë që se ç’nam keni lënë ju dhe çfarë reputacioni po ndërtojmë ne për shtetin tonë në këtë drejtim. Por krahasimi me ç’ishit ju dhe ç’ishte krimi në kohën e qeverisjes tuaj, dhe ç’është sot Policia e Shtetit dhe ç’kemi bërë ne kundër krimit deri sot, për mua vlen vetëm për të thënë sesa aspak të drejtë keni ju të tundni gishtin e akuzës. Sepse unë, Ministri i Brendshëm, Qeveria jonë nuk kemi ndërmend ta gjykojmë punën tonë nën dritën e këtij krahasimi. Të krahasosh me ju dhe të ndalesh aty, do të thotë të mbetesh në kategorinë e dytë, duke u kënaqur me krahasimin me një ligë amatore province. Kjo vlen për policinë, kjo vlen për energjinë, kjo vlen për arsimin dhe për shëndetësinë, siç vlen për çdo sektor ku krahasimi me ju ka vlerë në fakt, vetëm për debatin me ju, por jo për betejën tonë frontale për të ndërtuar shtetin modern të shqiptarëve.
Ju jeni e shkuara. Të matesh me të shkuarën mjafton për të fituar të tashmen, por jo për të siguruar të ardhmen. I siguroj të gjithë qytetarët se kjo është vetëdija jonë e plotë. Me këtë vetëdije fillon e mbaron çdo ditë e jona, përveç kësaj ditës këtu, sot, që ia kemi dedikuar këtyre dhe duhet të merremi me këta.
Për shembull, ju pyes juve, – se këta pyeti sa të duash, nuk dinë t’i përgjigjen pyetjeve, këta dinë t’i përgjigjen urdhrave, – si mund të na mjaftojë krahasimi me këta, në përballimin e një emergjence civile siç ishin përmbytjet?
Të krahasohesh me ju është njësoj si të krahasosh postën elektronike me postën kur letrat dërgoheshin me zogj. Kurse koha ne na imponon që t’i matim arritjet tona duke i krahasuar me rajonin dhe pak më tutje, me vetë Europën ku duam të hymë, në kohën që jetojmë.
Për ju, fakti që e rrënuat shtetin, duke e drejtuar me veshë, si ata muzikantët e dasmave që nuk i njohin notat, por i mban gjallë instinkti i tallavasë, nuk ju pengon që të na tundni gishtin sot, madje duke na kërcënuar se po nuk shpallet gjendjen e emergjencës për shkak të fatkeqësisë natyrore, do të bëhet kiameti. Ju! Dhe siç mund të bëhet qesharak një violinist dasmash, kur përpiqet të luajë Paganinin, aq qesharak u bë edhe ai kryetari juaj, i riu, kur shkoi në një fshat në kodër, në Shtyllas, ku nuk kishte pasur përmbytje dhe me çizme, se i kishin veshur edhe çizmet në tokë të thatë, në pikë të diellit, trashte edhe zërin dhe urdhëronte qeverinë shpalle sot, gjendjen e emergjencës. Ose siç mund t’i jetë dukur ndonjërit sot, dikush si Pamela Anderson në Bayëatch.
Ju nuk u thatë shqiptarëve as sa na e keni lënë borxhin e dëmshpërblimeve për ata të shkretë atje në Shkodër. Ata që ju mbajtën në krahë me dy gishta, edhe në mes të ujit, të cilët u përmbytën tre herë dhe u thanë katër herë. Tre herë i thau në trup dielli, herën e katërt i thau në shtëpi e në shpirt, braktisja juaj shembullore.
Jua them unë sa na e keni lënë borxhin ndaj tyre: 6.1 milionë dollarë. Flas për borxhin e drejtpërdrejtë për familjet e tyre dhe nuk po flas për ato digat që si të gjitha gjërat i latë rrugëve. Po ju kujtoj pak edhe sa keni paguar ju për ta nga buxheti i shtetit, as 2%.
Ndërkohë që ne, pa filluar fare përmbytja, kemi akorduar në buxhetin e këtij vitit, që ju nuk e keni miratuar, para në dispozicion të të përmbyturve në Shkodër sa 21% e dëmeve. 20 herë më shumë se ju, që i përmbytët ata me iluzionin se nga ju do të merrnin çdo qindarkë. Dhe kur dilnit në televizion atje tek Venecia e Ruzhdijes, u thoshit “çdo qindarkë, çdo qindarkë”. Ku i keni qindarkat? Jo qindarkat, po ju i hëngrët edhe fasulet, edhe orizin.
Sa për shpejtësinë e reagimit tuaj të asaj kohe, mjafton të hedhësh sytë nga maratona njëvjeçare e Këshillit të Ministrave të këtyre, për të arritur t’i dëmshpërblenin ata. Vendimin e parë e morën në fillim të janarit 2010-s dhe të fundit në fund të muajit dhjetor të 2010-s. Një vit! Tani thonë ku i keni faturat, ku i keni paratë, ku janë emergjencat.
Po mirë kjo, por të shikoni çudirat e asaj maratone, janë një supertallje me të përmbyturit e Shkodrës, edhe me vetë qeverinë si institucion.
Për shembull, me vendim qeverie, në fillim të janarit shtonin fondin 200 milionë lekë dhe në fund të janarit e ulnin 160 milionë. Po kështu në dhjetor, e ulnin 150 milionë lekë dhe para vitit të ri e shtonin 100 milionë lekë. Mos e pyet! Rrumpalla juaj tipike, kaosi juaj organik. Edhe paaftësia juaj lapidare.
Ç’është më e keqja, vajtën dhe ia faturuan KESH-it. 2 miliardë!
U përmbyt Shkodra, ia lanë KESH-it. I thanë KESH-it, 2 miliardë lekë për të financuar riparimin e dëmeve, kur vetë kompania nuk ishte e përmbytur, po ishte e mbytur komplet në borxhe, në miliarda ndaj buxhetit të shtetit, ndaj bankave të nivelit të dytë, ndaj detyrimeve tatimore.
Pra, faktikisht, andej lart nuk bëtë asgjë për të qenë, ndërsa këtej poshtë e thelluat më keq borxhin publik, në një kohë kur kompania nuk mund të merrte më asnjë kredi pa garanci shtetërore dhe na e latë neve peshqesh, si gjithë peshqeshet bujare që na bëtë brenda asaj pakos së madhe me borxhin kolosal, 720 milionë dollarë ndaj kompanive për rrugët që inauguronit pa pasur lekë, për shkollat që inauguronit pa pasur lekë, për ujësjellësit që inauguronit pa pasur lekë, për ilaçet që i merrnit pa pasur lekë, madje, edhe drekat e darkat e pavarësisë i hanit pa paguar lekët. S’keni paguar lekët për darkat e 100 vjetorit. Thonë që keni ngrënë shumë.
Derisa i përmbytën kompanitë në borxhe, i latë rrugët të gjitha të hapura rrugëve, shkollat të shqyera rrugëve, ujësjellës e kanalizime të bllokuara rrugëve, spitalet mes rrugës, pa ilaçe e pa çarçafë, e përmbytët edhe shtetin në borxhe dhe na shfaqeni këtu, tani, jo vetëm sikur s’keni lidhje fare me tërë këtë lumë borxhesh e zullumesh, por sikur ne ju kemi borxh t’ju themi “na falni që u përmbytët në 23 qershor”. Ne nuk jua themi dot këtë. Thahuni. Thahuni vetë. Jeni akoma të lagur nga koka te këmbët.
Ju vjen keq, kur ne ju përmendim si i latë rezervat e shtetit për emergjencat. Nuk latë kokërr orizi, nuk latë kokërr fasuleje dhe me gjithë ato fasule që keni ngrënë në mes të vapës, – se ishte fushata elektorale dhe emergjenca e vetme ishte si t’i shpëtonit humbjes, – kush e di ç’kanë ndjerë ata që ju vinin mbrapa.
Edhe pak fjalë, jo për këta, se me këta mbarova për sot, por për ata që duan të dinë konkretisht se çfarë kemi bërë.
Faktikisht, informacionin për një situatë me reshje të dendura dhe dëborë, veçanërisht në veriperëndim, por sidomos në jugperëndim të vendit, e ka marrë Drejtoria e Emergjencave Civile, duke filluar nga komunikimi i Qendrës Europiane të Përmbytjeve në Sllovaki dhe pastaj të konfirmuar nga Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit. Bëhej fjalë për mesnatën e datës 29 janar. Për herë të parë, – të paktën nga letrat që keni lënë ju dhe nuk besoj të keni marrë letra me vete, se edhe ato që keni lënë, mezi i keni shkruar, – në gjithë këto vite, strukturat e emergjencës civile e kanë nisur punën përpara sesa të fillonin reshjet, me paralajmërimin për situatën, duke filluar përgatitjet për të përballuar situatën e pritshme. Janë ngritur shtabet e emergjencave përpara fillimit të reshjeve. Kurse ai me çizme në Shtyllas na i kërkonte kur doli dielli. Ka nisur njoftimi i qytetarëve 2 ditë përpara, 48 orë përpara se priteshin reshje dhe rrezikoheshin përmbytje. Brenda datës 28 janar ju është përcjellë informacioni me shkrim, të gjitha prefekturave të vendit tonë. Në datë 29 janar 2015, Shtabi Qendror i Emergjencës, i cili nuk doli në televizor, por nisi punën për ngritjen e shtabit të emergjencave në të gjitha qarqet e vendit, ndërkohë që ne në Qeveri, unë së bashku me ministrat përkatës hartuam fazat e një plani me të cilin synuam të përballemi me emergjencën. Siç është në logjikën e gjërave u bë plani i përballjes së emergjencës nga moti. Pastaj faza e dytë që ishte gjithë mbështetja për të përballuar pasojat e menjëhershme. Në ndërkohë, paralelisht, filloi komunikimi me gjithë partnerët tanë. Faktikisht paralelisht, qysh në fillim, është ngritur grupi i përbashkët i punës me ekspertët e menaxhimit të krizave për shkak të emergjencës nga fatkeqësitë natyrore, të Bankës Botërore, të cilët erdhën edhe në Shqipëri. U vunë në gadishmëri të gjitha kapacitetet njerëzore, teknike të strukturave të emergjencave civile, të Forcave të Armatosura, shtabet e emergjencave civile në qarqe shfrytëzuan të gjitha rrugët e komunikimit për të lajmëruar banorët. Strukturat e pushtetit vendor ishin të gjitha të lajmëruara dhe të koordinuara dhe padyshim gjithë forcat e policisë u vunë në shërbim të njerëzve që rrezikoheshin fizikisht.
Në datën 30 Janar 2015 ka nisur largimi i banorëve që kishin banesa dhe biznese përgjatë lumit Vjosë në zonën e Memaliajt. Megjithëse janë njoftuar në kohë, një pjesë e mirë e banorëve, siç u pa edhe nga mediat, në Memaliaj, por edhe në zona të tjera të rrezikuara nuk kanë pranuar të largohen nga banesat e tyre edhe pse u është kërkuar në mënyrë përsëritur të largohen. Po në datën 30 janar, u është kërkuar banorëve fshatrave Fitore të Novoselë, Ferras të komunës Levan, Kashishtë, Kafaraj dhe Sheq të komunës Frakull që të largoheshin nga banesat pasi niveli i ujit në lumin Vjosë po i afrohej kufijve maksimal të argjinaturës.
Në datën 31 Janar 2015, që në orët e para të mëngjesit, strukturat e drejtorisë së emergjencave civile janë detyruar të nisin evakuimin e detyrueshëm në Memaliaj për të gjithë banorët që nuk kishin pranuar, kishin refuzuar të largoheshin dhe rrezikoheshin tanimë fizikisht nga përmbytja, duke përdorur edhe operacione nga ajri me helikopterë. Po ashtu në 31 janar ka nisur evakuimi i banorëve në Urën Vajgurore, ku janë evakuuar 31 familje banesat e të cilëve rrezikoheshin nga përmbytja dhe faktikisht përmbytja ju ndodhi. Ka vazhduar evakuimi i banorëve po ashtu në fshatrat e komunës Novoselë, po ashtu në Frakull dhe në Levan. Përgjithësisht, fillimisht ka pasur rezistencë nga të gjithë banorët. E natyrshme, i kishin çuar atje për bereqet dhe tani shteti ju thoshte largohuni se nuk vjen bereqeti, por vjen qameti, që nuk kanë dashur të largohen. Kjo situatë ka vazhduar deri në orët e para të datës 1 shkurt.
Në datën 1 shkurt i gjithë teritori i rajonit të pëmrbytjeve ka qenë i kufizuar nga forcat e policisë duke ndaluar edhe qarkullimin në të gjitha akset dhe ato të brendshme në zonat e përmbytura, duke i qëndruar pranë banorëve për çdo kërkesë për ndërhyrje. Më pas me qetësimin e situatës ka nisur faza e dytë, ajo e përballimit të pasojave imediate në shtëpitë e njerëzve, duke pasur parasysh domosdohsmërinë për të vazhduar furnizimin e plotë me ushqim, si dhe për të filluar për të zëvendësuar orendi shtëpiake dhe elektroshtëpiake të dëmtuara. Ndërkohë që teoria, po nuk shpallët emergjencën nuk ju vjen njeri dhe kështu thirrjet tuaja do shkojnë në drejtim të paditur, është provuar si pjesë e gjithë kuptimit e të gjithë asaj që kanë kuptuar këta nga shteti, nga Europa, nga bota, nga mënyra sesi funskionojnë gjërat. Sepse janë deri sot, por që nga dita e parë, afro 50 shtete që ose janë gjendur menjëherë pranë ose kanë shprehur gadishmërinë për të qenë pjesë e fazës ku hymë, që është faza e tretë, ajo e përballimit të dëmeve të shkaktuara në krerë, të dëmeve të shkaktuara në sera, të shkaktuara në argjinatura, diga e kështu me radhë. Vetëm dje Qeveria Amerikane ka finalizuar dhe akorduar një fond prej 750 mijë dollarësh. Pa llogaritur mbështetjen e menjëhershme të Austrisë, të Gjermanisë, Kosova po e po që në momentin e parë, të Izraelit, Hollandës, Danimarkës, Italisë padiskutim dhe me radhë. Nga ana tjetër Ministri i Jashtëm së bashku me Ministren e Integrimit kanë qenë qysh në momentin e parë në lidhje direkte me Brukselin dhe është vënë në lëvizje mekanizmimi i solidaritetit. Kemi të gjitha kushtet për të vepruar ashtu siç duhet duke u bazuar në një inventar real, në një inventar serioz, në një inventar të detajuar që është përditësuar dita ditës, me mbështetjen e një grupi ekspertësh ndërkombëtarë për administrimin e këtyre situatave, që na e ka vënë në dispozicion Banka Botërore dhe padiskutim me kombiminim e fondeve që do të vërë në dispozicion Qeveria dhe fondeve që do të vijnë nga mbështetja e huaj.
Një gjë dua t’ju them të gjithë banorëve, në radhë të parë të gjithë atyre që sot sapo kanë dalë nga përmbytja; Asnjë kre i humbur nuk do të mbetet pa u zëvendësuar në mënyrë të menjëhershme. Zëvendësimi i krerëve të humbur do të fillojë menjëherë dhe çdo kre i humbur do të zëvendësohet. Nga ana tjetër do të mbështesim të gjitha ata të cilët kanë humbur prodhimin dhe kanë humbur një pjesë të konsiderueshme të infrastrukturës prodhuese drejtëpërdrejtë dhe në mënyrë indirekte. Marrëveshja me bankat është bërë, po mbyllet dhe një marrëveshje e rëndësishme, e kërkuar prej tyre, me unionin e kredimarrësve dhe me Fondacionin Besa, janë dy burime të rëndësishme të financimit të kredive për ta. Edhe ajo marrëveshje do të jetë tërësisht në favor të tyre. Ashtu sikundër do të vazhdojmë edhe me planin e riparimit të asaj pjese që është një pjesë e vogël e një Shqipërie shumë më të madhe se aq, që këta këtu na e lanë copë copë nga të katërt anët.
Dua ta mbyll me ata të Shkodrës, të cilëve u kemi vënë në dispozicion në buxhet të këtij viti, në buxhetin e këtij viti që këta nuk e kanë votuar, as e kanë lexuar as nuk e dinë fare se çfarë ka të shkruar, se mirë e tha Erjon Braçe këta edhe kur lexojnë i bëjnë opozitë autorit, prandaj nuk marrin vesh fare as nga librat, që t’i vijmë në mbështetje me 21% të dëmit që këtë vit nga buxheti. Ndërkohë që, për të gjitha palët, që nga Ana e Malit deri në Novoselë të gjithë atyre të janë të përmbytur do t’u japim një alternativë të re tërësisht lehtësuese edhe përsa i përket marrëdhënies me kompaninë e shpërndarjes së energjisë.
Këta jemi ne. Kurse se kush janë këta të tjerët e dini vetë ju.