Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në inaugurimin e Bulevardit të Ri të Tiranës:

 

Shumë faleminderit!

Besoj që ky është një tjetër shembull për të gjithë ata që në mënyrë naive, për të mos thënë cinike, mendojnë se vota nuk vlen dhe për të gjithë ata që mendojnë se nuk ia vlen të votosh, sepse të gjithë në fund fare janë njësoj.

Nëse të gjithë do ishin njësoj dhe nëse vota nuk do kishte asnjë vlerë, ne nuk do ishim këtu dhe në vendin tonë këtu do ishin ferrat, plehrat dhe të gjithë kafshët e insektet e gjora në një gropë të zezë, siç ishte kjo zonë deri kur Tirana vendosi të votojë Erionin dhe deri kur njerëzit, ata që bënë detyrën e tyre, duke dhënë gjykimin e tyre, ndërruan drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

Patjetër që meritat për këtë tjetër vepër fantastike i takojnë lali Erit dhe ekipit të tij.

Por, lali Erin, si Erion, e lindi nëna, ndërsa si kryetar Bashkie e solli vota. Kështu që, të gjithë ata që thonë, “nuk ia vlen të shkosh të votosh, se i gjithë ky muhabet është kot dhe të gjithë janë njësoj”, bëjnë mirë që të hapin sytë e të shikojnë, se, e vërteta është ndryshe.

Ashtu sikundër, e vërteta është ndryshe dhe për politikën. Se është bërë një modë që prezantohet nga “top modelet” e kazanit që, “Politikanët janë të gjithë njësoj. Janë të gjithë banda, kriminelë, hajdutë, ndërkohë që llafazanët dhe gjithologët e kazanit janë forca morale që ngushëllon këtë vend.”

Kjo është e pavërtetë!

Politika nuk ka lindur për të bërë keq! Politika ka lindur për t’iu dhënë njerëzve mundësi që së bashku të bëjmë të mundura gjëra që të vetëm nuk i bëjmë dot. Sado të dojë me gjithë zemër një prind që shkolla e fëmijës të bëhet më e mirë, që arsimi për fëmijën të bëhet më cilësor, që rruga e të ardhmes drejt universitetit dhe më pas të jetë rruga e konkurrencës dhe e meritës, prindi i vetëm nuk e bën dot. Prandaj ka lindur politika, që prindërit të bëhen bashkë dhe përmes politikës t’ua mundësojnë këtë gjë fëmijëve.

Sigurisht, politika mund të bëjë dhe shumë keq, nuk diskutohet.

Bën shumë keq atëherë kur bie në duar të gabuara.

Por ama, të thuash që politikanët janë të gjithë njësoj, është si të thuash që ne jemi të gjithë në të njëjtën gjatësi, kemi të gjithë të njëjtën peshë, veshim të gjithë të njëjtat rroba dhe në fund të ditës rrojmë të gjithë të njëjtat orë. Asgjë nuk është njësoj.

Zgjedhjet nuk janë një moment për t’u neglizhuar, e sidomos në një vend si ky, ku, po të kthejmë kokën pas, shohim një histori të mbushur me njerëz që sot janë në varreza dhe nuk e patën kurrë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e votës. Ashtu, sikundër, po të shohim pak përtej kufijve, janë miliona e qindra miliona njerëz që ëndërrojnë të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e votës.

Kur qytetari është në moshë për të votuar, e drejta e votës është në fakt, mundësia që i jep sistemi demokratik që të jetë anëtar i një gjykate, me aq sa janë zgjedhësit dhe si anëtar gjykate të shkojë në kutinë e votimit, jo sikur shkon në tribunën e stadiumit dhe fletën e votimit ta konsiderojë një fletë, ku ai do të firmosë si anëtar i gjykatës opinionin e tij për vendimin që duhet të marrë dhe jo si një biletë për të hyrë në stadium dhe për të bërë tifozllëk për skuadrën që ka zgjedhur, sepse, kur vjen puna tek futbolli, nuk është asnjë problem që të jesh gjithë jetën me një skuadër që vetëm humb, por kur vjen puna tek zgjedhjet, është një problem i madh, pasi, nëse ndeshja mbaron të dielën dhe të hënën fillon jeta, zgjedhjet mbarojnë, por në fakt, pasoja e vendimit që merr populli, vetë populli i jeton si pasoja për mirë, apo për keq, për plot katër vjet.

Ajo që sot unë dua të them është se, për mirë, apo për keq, Shqipëria ka nevojë të madhe që të ketë një qeveri dhe të ketë një drejtim që beson tek dritat, që beson tek parqet, që beson tek trotuaret, që beson tek sheshet, që beson tek pemët, që beson tek të gjitha ato gjëra që dallojnë çfarë ka nevojë njeriu me çfarë ka nevojë delja, sepse delja mjaftohet të mbushë barkun dhe të flejë në stallë, kurse për njeriun ka diçka shumë të rëndësishme, po ashtu, që është nevoja për t’u ndjerë gjallë dhe për tu ndjerë me të tjerë.

E kush mund t’ia japë njeriut këtë?

Kush mund t’i japë njeriut komunitetin?

Kush mund t’i japë njeriut mundësinë për të ndërvepruar me të tjerët?

Kush mund t’i japë njeriut lirinë për t’u ndjerë pjesë e sheshit, – sepse demokracia nga sheshi nisi, – nëse nuk ia jep vizioni dhe drejtimi i atyre që e qeverisin.

Unë një gjë di t’u them të gjithë atyre mendjengushtëve dhe dritëshkurtërve që janë kapur në një mënyrë të hatashme pas gjithë transformimeve të Rilindjes Urbane si të ishin mëkate: Kam parë vende që kanë drita, që kanë parqe, që kanë sheshe e që kanë probleme me varfërinë, që kanë probleme me papunësinë. Por nuk ekziston në planet, një vend që nuk i ka këto dhe që nuk ka problemin e vazhdueshëm kronik të mbushjes së barkut.

Kështu që, nëse të tjerët këto i shohin si fasada, ne këto i shohim si gjeneratorë të një energjie të madhe pozitive që transformon mënyrën e të jetuarit, mënyrën e të raportuarit me njëri-tjetrin, mënyrën e perceptimit të komunitetit dhe patjetër ndikon në mënyrë jetike në zhvillimin ekonomik, në rritjen e punësimit dhe në zhvillimin social.

Tirana sot, falë gjithë këtyre transformimeve, është një vend ku ka shumë më tepër dëshirë për të bërë biznes, ku ka shumë më tepër dëshirë për të blerë një shtëpi, ku ka shumë më tepër dëshirë për të ndërtuar jetën dhe ku ka shumë më tepër dëshirë për të ardhur e për ta vizituar.

E pra, edhe qytetet e tjera të Shqipërisë nuk kanë pse të privohen nga kjo gjë.

Kjo është baza e një të ardhmeje pa kthim. Ndërkohë që, kujtohuni pak, që nga viti 1992 deri më sot, sa herë ka zgjedhje, të gjithë pavarësisht se çfarë i thonë vetes për bindjet, për pozicionet për atë që e quajnë akoma ideologji, shfaqen përpara jush me të njëjtin muhabet, në një garë se kush do t’i çojë taksat më shumë përtokë dhe kush do t’i ngrejë shpenzimet më shumë në hava, në një garë ku fjalët janë karrem për të kapur peshq të trullosur.

Ndërkohë që pyetja është shumë e thjeshtë. Këto receta magjike që janë njësoj si recetat e Sudes, pse nuk funksionuan 23 vjet? Me çfarë kurajë na thonë sot se varfëria, korrupsioni na qenkan plagë që këta i zbuluan sot, se nuk ishin këtu përpara 44 muajve?

Nuk funksionuan dhe nuk funksionojnë, sepse po nuk bëmë shtet, të gjitha këto janë “dokrra hini”.

Në mbyllje, unë dua shumë përzemërsisht të falënderoj të gjithë ata që e bënë të mundur këtë moment, si shumë momente të tjera që na ka dhuruar lidershipi i lali Erit dhe skuadra e tij. Ata janë qytetarët e qytetaret e Tiranës që e sollën kryetarin e Bashkisë në zgjedhjet e kaluara.

Na jepni fuqinë që të vazhdojmë më tutje, se po luajtët ju me votën, nuk është aspak çudi që Bulevardi të mos vazhdojë, se nuk janë të gjithë njësoj.

Lulin e keni shalqi me provë, e keni provuar një herë. Të paktën në Tiranë nuk mund të bëhet ky gabim. Unë kam për borxh t’ju dal borxhit. Lali Erin këtu do e keni, por do e keni për ngushëllime, për dasma, për ditëlindje, për festa. Por, për bulevarde e për parqe të mëdha e të gjithë ato projekte të tjera që ne kemi, duhet ta harroni nëse në 25 qershor nuk votoni si kryeqytetas, jo si të majtë e të djathtë, por si kryeqytetas, si tironca me pus e me carac, si tropojanë të ardhur këtu për të zbuluar Amerikën e vogël, si të tjerë të zbritur këtu nga të gjitha anët e Shqipërisë, jeni kryeqytetas. Keni përgjegjësi për kryeqytetin, jo për të shkuar e për t’u ndarë si delet nën flamujt e partive që ju hedhin karremin, sepse vazhdojnë t’ju konsiderojnë si peshq të trullosur.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.