Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin e zhvilluar gjatë konferencës “Sfidat e Zhvillimit Ekonomik”, organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Tiranë:
Pyetje: Zoti Kryeministër, do më lejoni ta nis me ju, fillimisht ne këtu patëm në diskutim më përpara mbi rezultatet e indeksit të biznesit, të realizuar nga Dhoma Amerikane. Gjithashtu edhe mbi raportin “Doing Business”, për të cilën ju jeni njohur. U ngritën shumë problematikat me të cilat ju e dini janë çështje, që fillojnë që nga taksat, korrupsioni, informaliteti, klima e biznesit. Ajo, që doja të dija nga ju, si i lexon qeveria shqiptare këto rezultatet, këto shqetësime që përcillen nga biznesi dhe nga raporte të tilla?
Faleminderit për ftesën! Të them të drejtën ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit. Jo vetëm direkt, por edhe indirekt nëpërmjet anketimeve, që bëjmë për përdorim të brendshëm. Jemi të vetëdijshëm për problemet për shqetësimet dhe për sfidat tona. Besoj që, sidoqoftë, gjërat kanë nisur të marrin një formë të caktuar. Sigurisht, ka akoma shumë për të bërë, por është e sigurt që të dhënat që kemi në dispozicion flasin për një fazë të re. Kemi një rritje shumë të ndjeshme të të ardhurave nga doganat dhe nga tatimet, që i përgjigjet edhe sfidës shumë ambicioze të dakordësuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një rritje të madhe të ardhurave. Është rezultat i miradministrimit dhe i luftës kundër korrupsionit, pa asnjë dyshim. Kemi një shifër shumë domethënëse në këtë panoramë që është 30263 persona të regjistruar në punë, të formalizuar, që paguajnë taksa dhe kontribute. Një shifër jashtëzakonisht e lartë për katër muajt e parë të vitit. Kemi 4400 biznese më shumë të regjistruara dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre janë biznese të formalizuara.
Nëse kemi një shifër shumë herë më të lartë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë, dua të nënvizoj se ka dy elementë shumë të rëndësishëm në këtë shifër krahasuese.
E para, një vit më parë 10 % e të ardhurave të buxhetit nga biznesi e zinin gjobat. E mbajnë mend të gjithë, edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë ka shprehur një shqetësim të hapur për gjoba të kthyera në një instrument për të nxjerrë lekë për buxhetin. Këtë vit, kjo shifër është shumë herë më e ulët, thuajse e papërfillshme në krahasim me të tërën dhe normale, brenda një sistemi ku ka edhe gjoba, kuptohet.
E dyta, nëse të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në shifrën krahasuese të një viti më parë, për të njëjtën periudhë, zinin një mesatare prej 6 %, sot Tatimi mbi Vlerën e Shtuar zë një mesatare prej mbi 20 %. Për muajin prill ishte 24 %. Ka një rritje të vazhdueshme të të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, që përsëri do të thotë luftë kundër informalitetit dhe kundër korrupsionit. Kundër korrupsionit, sepse deri dje këto shifra nuk ishin të paarritshme, por praktikisht nuk arriheshin për shkak sepse preferoheshin paratë nën dorë. Ne kemi ndërtuar një sistem që është i kontrolluar nga brenda dhe që e bën shumë më të vështirë blerjen e heshtjes apo e symbylljes së agjentëve tatimorë.
Pyetje: Shqipëria pret të vendoset çështja e statusit, që, siç e thatë dhe ju, është instrument stimuli. Ndërkohë që me këtë erë, me këtë frymë euroskepticizmi dhe pas zgjedhjeve të fundit për PE-në, duket se procesi i zgjerimit do të ngadalësohet. Në këtë këndvështrim, qeveria shqiptare çfarë mund të bëjë për t’i hapur perspektiva të reja biznesit, në mënyrë që biznesi të mos gjendet i papërgatitur, apo t’i paraprijë reformave që të kërkuara nga BE duket se do të vonojnë për shkak të këtij procesi të ngadalësuar.
Besoj se biznesi nuk ndjehet shumë keq se do të vonohet pak ky proces, sepse besoj se biznesit si gjithë vendit i duhet kohë. Dhe biznesit, në radhë të parë, i duhet shumë kohë, për të mos u tretur krejt në atë detin e zgjerimit. Por, përtej kësaj, do të thosha që fakti që ne sot kemi një qeveri që përfundimisht ka ndarë epokën kur rimbursimi i TVSH-së ishte një lëmoshë që jepej sipas dëshirës dhe mbi të gjitha merrej përgjithësisht me para, në një proces automatik, brenda 60 ditësh dhe i ndërtuar në mënyrë të atillë që nuk ka nevojë për të paguar bakshish, sepse merr i pari ai që hyn i pari, pra, me parimin ‘first in, first out’.
Që një qeveri, më në fund merr përsipër t’i kthejë sipërmarrjes paratë që i ka, për shkak të kontratave që kanë nënshkruar me të tretët dhe që për një kohë të gjatë nuk i ka respektuar. E kjo është, besoj, mbyllja e një epoke dhe hapja e një epoke tërësisht tjetër, përgjegjshmërie nga ana e qeverisë, që për shumë vite i dha vetes një të drejtë më shumë sesa sipërmarrja apo sesa qytetari, të drejtën e ushtrimit të forcës mbi kontratat, qofshin kontratat e përcaktuara nga Kushtetuta, qofshin kontratat e përcaktuara nga marrëdhënia dypalëshe. Kjo ka të bëjë, mendoj unë, me një demokratizim substancial të ekonomisë, ose një hap të rëndësishëm drejt demokratizimit substancial të ekonomisë.
Kam përshtypjen se sot, ende sipërmarrja nuk është e vetëdijshme për një ndryshim shumë të rëndësishëm që ka ndodhur në strukturën ekonomike të vendit. Ne nuk e kemi më ekonominë të varur nga burimet tradicionale, po i quaj, të rritjes të periudhës së tranzicionit. Që do të thotë se ne kemi nevojë për burime të reja rritjeje.
Së pari, nëse remitancat, dërgesat e emigrantëve ishin një burim konstant rritjeje ekonomike, me një përqindje shumë të rëndësishme në të ardhurat vjetore, ky burim po shkon duke u shterur. Nga njëra anë, sepse normalisht historia tregon që gjenerata e dytë e emigracionit ose më saktë, kur gjenerata e dytë fillon dhe rrit kërkesat e veta, për të shkuar në universitet, për të dalë në jetë, për t’u fejuar, për t’u martuar, për të marrë shtëpi, për t’u bërë prind e kështu me radhë, gjenerata e parë fillon tërhiqet nga dërgesat për njerëzit në vendin e origjinës dhe fillon të përqendrohet tek kursimet dhe tek shpenzimet aty. Por edhe për një arsye tjetër, sepse dy drejtimet kryesore që furnizonin këtë burim rritjeje ishin Greqia e Italia. Janë ende, por çdo vit, ne kemi ulje drastike të këtyre të të ardhurave që i kemi marrë, fatkeqësisht, për të mirëqena për një kohë të gjatë.
Së dyti, bumi i ndërtimit nuk është më. Pra, investimet e parave në tulla e në llaç, o burra ku të dalë, nuk janë më në sasinë që ishin. Stoku, sot, i apartamenteve të pashitura flet qartë për faktin se biznesi është investuar në një periudhë të gjatë inercie, në një drejtim tërësisht të gabuar.
Së treti, edhe kreditimi i ekonomisë në mënyrë të dhunshme, në mënyrë të imponuar, në formën e mospagesave mbrapsht, nuk është më, sepse këtë e kemi ekskluduar.
Atëherë, ne duhet të punojmë me burimet e tjera të rritjes. Besoj se është koha, kush ka para, të kthejë kokën nga fshati, të kthejë kokën nga bujqësia, të kthejë kokën nga blegtoria, të kthejë kokën nga agropërpunimi, të kthejë kokën nga eksporti i produkteve të fshatit. Ne kemi aty një potencial shumë të madh, por jemi ende shumë larg, hapjes së një kapitulli investimesh nga sipërmarrësit e vërtetë, jo përmes sipërmarrjes që lind dhe rritet me ritme shumë më të ulëta sesa ç’është rritur sipërmarrja këtu në qendër, atje në fshat. Kjo do të thotë që të investojmë në një burim të ri rritjeje ekonomike të përbashkët, por edhe në një burim të ri të ardhurash dhe në një burim të qëndrueshëm.
Shembujt të suksesit sot në fshat, që janë të panjohur dhe jam i bindur se gjithë organizatat e biznesit sot nuk i dinë.
Njerëz që eksportojnë me sukses, njerëz që kanë krijuar zinxhirë vlerash me sukses, njerëz që pa asnjë mbështetje kanë arritur të bëhen pikë referimi për shumë vende apo sipërmarrës, ose grumbullues, ose shitës nga shumë vende që shfaqen në një periferi të Lushnjes dhe askush nuk e di. Kur kam qenë në një magazinë perimesh në Lushnje, në një vend të humbur që nuk kisha qenë kurrë, hyra aty dhe në momentin kur isha brenda fliteshin 4 gjuhë, pa llogaritur shqipen, 5 gjuhë.
Së dyti, turizmi është një burim rritjeje që deri më sot është shpërdoruar në mënyrë barbare dhe nuk na ka dhënë atë që duhet të na jepte. Investimet në turizëm, me siguri kërkojnë – këtu bashkohem me zotin Leka, – një rol shumë të rëndësishëm të qeverisë për t’i orientuar dhe për të krijuar lehtësirat e nevojshme.
Së treti, sot, ne vazhdojmë të marrim të dhëna për faktin se jetojmë mbi një pasuri të madhe nëntokësore, të naftës dhe të gazit. Pa harruar pasurinë tjetër të jashtëzakonshme që kemi, jemi vendi i dytë më i pasur në Europë për ujë. Ne sot kemi trashëguar një situatë prej xhungle në industrinë e naftës. Sikundër, kemi trashëguar një situatë prej falimenti total në gjithçka lidhet me ujin. Por, kjo nuk do të thotë të mos kthejmë sytë ashtu siç duhet në këto drejtime, qoftë për të ndërtuar një model të qëndrueshëm zhvillimi dhe sigurie energjetike, qoftë për të kuptuar dhe për të vepruar. Këtu, përsëri, sipërmarrjet duhet që ta shikojnë ndryshe këtë çështje. Sepse janë bërë investime për ujin e pijshëm, për shitje, por kanë qenë të një mase shumë të vogël për të përballuar një konkurrencë shumë të madhe globale. Këtu duhet kuptuar si mund të krijohet masa kritike, sepse pa as më të voglin dyshim uji ynë, – kjo është e provuar dhe nuk po e them si patriot, – ka cilësi shumë të veçanta, siç ka cilësia shumë të veçanta vaji i ullirit. Vaji ynë i ullirit është një produkt që del me kosto të lartë dhe nuk është një produkt për tregjet e konsumit të gjerë, por me strategjitë e duhura do mund të jetë një produkt i posaçëm, siç ka produkte shumë të posaçme, që mund të ketë sukses pikërisht sepse është i shtrenjtë, le të themi.
E sigurisht, pastaj vijmë tek manifaktura, ku ne kemi vendosur një theks shumë të fortë. Këtu nuk kam parasysh vetëm fasonët, por çdo formë industrie prodhuese dhe përpunuese, që është një tjetër burim i rëndësishëm rritjeje për ne. Janë burimet e reja të rritjes, ku ne duhet të investohemi shumë fort.
Për sa i përket Europës, kjo është një temë që bëhet gjithnjë e më interesante. Unë me shumë kënaqësi dhe me pak, ndoshta, egoizëm konstatoj që gjithmonë e më shumë njerëz tani e kuptojnë çfarë kisha parasysh kur thosha ekstremistët. Se në fillim u gjet një konsensus i madh i ‘proeuropianëve’ këtu, për të thënë që ç’janë këta ekstremistë, ku ka ekstremistë në Europë.
Ekstremistët në Europë jo vetëm janë, por rrezikojnë të bëhen gjithmonë e më të fuqishëm për shkak se Europa është gjithmonë e më shumë taktike dhe gjithmonë e më pak strategjike. Europa ka lindur si projekt strategjik dhe është katandisur në një lojë taktike, që varet nga zgjedhjet e ardhshme në 28 vende, çdo vend ka zgjedhje, dhe në varësi të zgjedhjeve mendon se çfarë do të thotë në Europë dhe çfarë do të lejojë me votën e vet në Europë dhe çfarë do të pranojë në Europë. Unë dua të besoj shumë që kjo valë e ngritur antieuropianizmi dhe ekstremizmi, me nota diku fashiste, diku raciste, diku antimyslimane, diku të të gjitha formave, do të shërbejë për ta shkundur Europën. Për ta shkundur Europën dhe për të shkundur të gjithë partitë progresiste apo të moderuara, që të kuptojnë se nuk ka lojë që mund të fitohet në terrenin e ekstremistëve. Dy fitore domethënëse të zgjedhjeve europiane flasin shumë qartë; fitorja e Kancelares Merkel në Gjermani dhe fitorja e Kryeministrit italian në Itali. Ishin fitoret e dy liderëve dhe të dy partive që asnjëherë, për asnjë sekondë nuk kanë hyrë në asnjë lloj flirti me tezat e ekstremistëve. Asnjëherë, për asnjë sekondë, nuk kanë treguar muskujt që kush është më i fortë për të penguar emigrantët, kush është më i fortë për të luftuar me myslimanët, kush është më i fortë për të bërë kombin kundër Europës, apo kush është më i fortë për t’i dhënë Europës mësime. Dhe, ja ku janë rezultatet, sidomos fitorja në Itali, pasi ajo në Gjermani ishte rezultat i një ecurie shumë më solide dhe shumë më pak të diskutueshme, tregoi që dalja ballë për ballë këtyre lloj forcave, që me një qasje shumë të rrezikshme janë bërë sot një kërcënim për projektin e madh të Europës së Bashkuar, është e vetmja rrugë. Rrugët e tjera çojnë në katandisjen e disa nga partive të mëdha progresiste që sot kanë dalë forca të dyta, forca të treta e forca të katërta, sepse ranë në tundimin që të bëjnë si të fortë me emigrantët, të bëjnë si të fortë kundër zgjerimit, që të bëheshin më skeptikë, të bëheshin proteksionistë ndaj Europës së vjetër. Sot Europa është në një fazë kur duhet të realisht të zgjidhë një dilemë; që duhet të jetë taktike apo duhet të kthehet dhe të bëhet strategjike.
Nëse Europa do të vazhdojë të mbetet taktike, me siguri, gjëra shumë më të rënda do të na shohin sytë, sesa ç’na panë në zgjedhjet europiane, sidomos në 2 apo në 3 vende kyçe për Europën. Nëse do të bëhet strategjike dhe nëse Europa do të kuptojë me këtë rast që i duhet Ballkani, Europës po aq sa i duhet Europa, Ballkanit. Këtë nuk e them për slogan, e kam bindje. Me një Ballkan të pa integruar tek dyert e Europës, Europa është shumë më në siklet sesa po ta ketë edhe Ballkanin brenda. Është shumë më pak e gatshme dhe shumë më pak e mbrojtur dhe shumë më pak e sigurt duke e pasur Ballkanin jashtë, se duke e pasur Ballkanin brenda, që nga lufta kundër krimit të organizuar, te lufta kundër çdolloj forme ekstremizmi dhe tek kompaktësia e gjithë konfiguracionit euroatlantik, që edhe ky është jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm.
Për të mos ardhur pastaj te statusi i vendit kandidat, ju e dini mendimin tim. Edhe këtu, shumëkush përpiqet të thotë të kundërtën kot, për konsum, por mendoj që hezitimi ndaj statusit të vendit kandidat për Shqipërinë është një formë shumë e qartë e sëmundjes që ka Europa sot, në kuptimin e pamundësisë për të parë më larg sesa në zgjedhjet e ardhshme sesa në muajin e ardhshëm. Ndërkohë që Shqipëria duhet ta kishte marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor. Do të kishte më pak konflikt politik edhe këtu, se do të kishte pasur më pak tundim për ta kthyer në konflikt gjënë, që të pengojmë pastaj statusin, pastaj të themi t’i heqim këta, se këta janë të paaftë, etj., etj.. Do të kishte pasur më shumë mundësi për të çuar shumë më përpara edhe në rajon, në disa aspekte. E mbi të gjitha, në fund të fundit, nuk është se duke mos qenë anëtarë të Bashkimit Europian, në nuk jemi europianë. Ne jemi europianë po aq sa ç’janë europianë gjermanët, francezët, anglezët, danezët. Ata janë anëtarë të një bashkimi, ne nuk jemi. Por kjo nuk na bënë me më pak të drejta për të thënë atë që mendojmë për Europën, për Bashkimin Europian dhe për të ardhmen e përbashkët. Ndërkohë që, për sa na takon, ne duhet vetëm që të presim që Komisioni Europian, nëpërmjet Raportit të Progresit të thotë fjalën e vetë nëse ne i kemi qëndruar një për një të gjitha detyrimeve tona. Në momentin kur ne do të kemi një konfirmim të tillë, nëse do ta kemi dhe besoj se do ta kemi, ne e kemi bërë detyrën tonë. Në kohë të tjera më të mira, Europa nuk do ta diskutonte. Sepse është Komisioni Europian që thotë këta e kanë bërë detyrën. Është njësoj si një komision provimi të thotë këta e morën provimin dhe pastaj Drejtoria të thotë prit, se do ta shohim në vjeshtë këtë punë, se kemi halle të tjera. Se kështu jemi katandisur me këtë Europë që kemi sot. Por, ne le të marrim detyrën para komisionit të provimit, pastaj të presim drejtorinë se çfarë vendimi do marrë.