Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Kryeministri Edi Rama konsultim publik për buxhetin 2018 me qytetarë në Vlorë: 

Është privilegj për mua, si deputet i Qarkut të Vlorës, që me jepet mundësia të jem sot, këtu, së bashku me kolegë të tjerë të qeverisë, në këtë stacion të parë  të një programi që do vazhdojë gjatë gjithë mandatit të ri. Sipas të cilit, çdo muaj, qeveria do të zhvillojë një seancë të Këshillit të Ministrave, por edhe një qëndrim të zgjatur në një qark të vendit, duke filluar nga qendrat e qarqeve dhe duke u shtrirë më tutje, në bashkitë e tjera, gjatë gjithë 4-vjeçari. S’është thjeshtë një spostim mekanik i Këshillit të Ministrave, për të bërë një mbledhje qeverie, por është shumë më tepër se kaq. Ka përveç mbledhjes së qeverisë që ne sapo e zhvilluam, edhe një sërë aktivitetesh.

Sot, ne zhvillojmë këtë dëgjesë për buxhetin dhe në vijim, së bashku me kolegët e ekipeve drejtuese të ministrive, zëvendësministrat, zëvendësministret, që tanimë janë pjesë integrale  e ekipit tonë, do zhvillojmë një takim ku secili prej anëtarëve të kabinetit, së bashku me ekipin e tij do të takohet me përfaqësues të ndryshëm të sektorëve që mbulon çdo ministri.

Gjatë ditës së nesërme, ne kemi një axhendë shumë të ngjeshur, takime më vete të anëtarëve të qeverisë me institucionet e varësisë këtu në Qark, një takim me prindërit që do të zhvilloj së bashku me ministren e Arsimit dhe Kryetarin e Bashkisë, për planin e ri të Ministrisë së Arsimit. Pastaj të gjithë do të shkojmë në pjesë të ndryshme të zonës rurale, për të zhvilluar edhe atje takime, sipas një axhende të përcaktuar.

Më pas kemi një tjetër takim të rëndësishëm me të gjithë përfaqësuesit e pushtetit vendor, kryetarë bashkish, kryetarë këshillash, anëtarë këshillash, pavarësisht përkatësive politike dhe të gjithë kryetarët e njësive administrative, si edhe një takim të hapur me të gjithë drejtuesit e administratës në Qark.

Këto takime janë shumë të rëndësishme për të dëgjuar, për të komunikuar me njerëzit, drejtpërdrejtë dhe për të marrë energji pozitive, si edhe për të dalë me mësimet e duhura nga ky komunikim, në raport me nevojat dhe në raport me të gjithë atë që ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme, që është ndërtimi i një sistemi bashkëqeverisjeje me njerëzit.

Duke u kthyer tek tema  e sotme, më vjen shumë mirë që ne kemi një projekt të rëndësishëm për të gjithë Qarkun, përsa i takon financimeve të buxhetit të vitit të ardhshëm. Ashtu sikundër besoj se më në fund do të vëmë në lëvizje njëherë e mirë dhe pa ndalim, punën për të ndërtuar përfundimisht dy by-passet e famshme, që për fat të keq janë bërë të famshme për keq e jo për mirë; by-passin e Fierit dhe by-passin e Vlorës. Procedura është hapur nga e para dhe është drejt përfundimit. Po ashtu duam të çojmë drejt përfundimit rrugën Kardhiq-Delvinë, e cila është një rrugë shumë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit në këtë Qark. Do të vazhdojmë për të çuar sa më parë drejt përfundimit, rrugën e lumit të Vlorës, për të cilën ka nisur procedura për lotin e dytë.  Disa akse të tjera më të vogla janë në projektin tonë për t’u financuar.

Ne po diskutojmë për të finalizuar një qasje të re ndaj problemit të madh, jo vetëm në këtë Qark, por në të gjithë Shqipërinë, të ujit të pijshëm. Në fund të vitit përfundon projekti i kanalizimeve dhe impiantit të trajtimit të ujërave në zonën e Ksamilit. Përfundon edhe këtu në zonën e Vlorës, por do të vijojmë me ndërtimin e një sistemi të ri të ujërave të zeza në zonën e Ujit të Ftohtë. Së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe me ministrin e Financave po shikojmë mundësinë për të alokuar më shumë fonde për ujësjellësit në zonat me intensitet të lartë banimi, ku, ashtu siç ka rezultuar edhe nga dëgjesat publike pas zgjedhjeve, ka pasur shumë shqetësim për furnizimin me ujë të pijshëm.

Kemi një sërë projektesh përsa i përket arsimit parauniversitar në përgjigje të kërkesave të bashkive, ku do veçoja rindërtimin e plotë të shkollës “Halim Xhelo” në Vlorë, po edhe një sërë shkollash tjera, që nga Konispoli në Himarë dhe Sarandë.

Në fushën e shëndetësisë kemi ndërmarrë një proces, që besoj do të jetë me rezultate pozitive për të gjithë shërbimet aktuale nëpër spitale, por duam që t’i zgjerojmë më tutje këto shërbime. Spitali rajonal i Fierit, që do të ndërtohet tërësisht nga e para, është një objektiv prioritar, pasi është spital ekselence që do t’i shërbejë të gjithë zonës jugore të Shqipërisë.

Përsa i përket vetë Bashkisë Vlorë, sapo kemi shpallur në qeveri, zonë të mbrojtur të Trashëgimisë Kulturore, qendrën historike të Kaninës, kemi nxjerrë edhe shpronësimin për të përfunduar më në fund, projektin e Rilindjes Urbane në qendrën e njësisë Brataj, si dhe një sërë projektesh të tjera.

Besoj se do të fillojmë brenda vitit të ardhshëm rindërtimin e Bulevardit. Gjithë bulevardi Vlorë-Skelë do t’i nënshtrohet një rindërtimi të thellë. Po ashtu, besoj se do të fillojmë fazën e dytë të vijës bregdetarë, domethënë të Lungomares, në krahun perëndimor, për ta shtrirë deri në pyllin e Sodës. Kemi nisur një projektim të zonës qendrore të portit, ku duam që të çelim rrugën për investimin në një port turistik të standardeve më të larta, që do të ishte për Vlorën një tjetër nxitje e fuqishme për ekonominë për punësimin, natyrisht, për turizmin.

Është prioritar aeroporti i Vlorës dhe jemi në proces me ministrin e Infrastrukturës dhe ministrin e Financave dhe Ekonomisë, për ta nxitur më tutje procesin, pasi jemi njohur me masterplanin e përgjithshëm. Tani presim që të përfundojë projekti, për të hyrë pastaj në një fazë të lidhjes së kontratës dhe fillimit të punimeve. Ambicia është që brenda 4-vjeçarit të kemi fluturimin e parë, por për momentin, kjo është një ambicie e bazuar në dëshirën dhe në sa procesi është zhvilluar deri tani. Të shikojmë si do ecim më tutje. Unë jam shumë  optimist, sidoqoftë.

Po diskutojmë për të përfshirë edhe fazën tjetër të bregdetit, që faktikisht lidh Ujin e Ftohtë me Orikumin, ku ju jeni të vetëdijshëm që kemi një rritje të madhe të intensitetit të qarkullimit, një rritje të madhe të nevojës për turizëm dhe një situatë aspak të këndshme nga pikëpamja e infrastrukturës, nga pikëpamja e shërbimeve, ndërkohë që potenciali në atë zonë është shumë i madh. Kemi nisur me Fondin Shqiptar të Zhvillimit të bëjmë projektin dhe duam që të zhvillojmë qoftë krahun perëndimor, për të shtrirë të gjithë vijën bregdetare me Lungomaren deri poshtë, ku është projektuar të zhvillohet vija bregdetare e qytetit, qoftë krahun jugor për të lidhur me standarde krejt të reja, siç janë standardet që tanimë janë fiksuar në pjesën e ndërtuar të vijës bregdetare dhe për të vazhduar me zhvillimin dhe kthimin në standarde sigurie ndërkombëtare të aksit që lidh Orikumin, Llogoranë dhe Himarën. Duke bërë nga ana tjetër, – projekt që i takon qarkut Gjirokastrës, po është shumë strategjik për zhvillimin e zonës, – lidhjen e vijës bregdetare në Bashkinë e Himarës me pjesën e Kuçit dhe me kanionet e Kurveleshit.

Besoj se janë plane të arsyeshme dhe jam i bindur që duke kombinuar financimet nga buxheti i shtetit, financimet nga programi “Një miliardë për rindërtim” dhe financimet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, në bashkëpunim me bashkitë, të cilat do të kenë një financim më të lartë seç kanë pasur vitin e shkuar, do t’ia dalim që këto projekte t’i fusim në proces dhe të krijojmë një standard të ri.

Sigurisht, këto nuk zgjidhin të gjitha problemet që ka Qarku. Sigurisht që këto nuk zgjidhin të gjitha nevojat që ka zona, por krijojnë kushte që shumë nga këto nevoja dhe në radhë të parë, nevojat ekonomike dhe sociale të adresohen përmes rritjes së cilësisë së infrastrukturës, rritjes së qarkullimit dhe ndërveprimit të zonave, si edhe të një rritjeje të konsiderueshme të turizmit, që ne e parashikojmë në katër vitet e ardhme të ketë vërtet një nga historitë më të mëdha të suksesit të këtij mandati.

Kjo është pak a shumë panorama dhe duke përfituar edhe nga prania e anëtarëve të tjerë të kabinetit, ju jeni të lutur të bëni të gjithë pyetjet e nevojshme, të gjithë pyetjet që dëshironi, në mënyrë që nga ky komunikim, jo vetëm qytetarët e Vlorës, po edhe ata që na ndjekin nëpërmjet mediave të mund të marrim maksimumin e informacionit.

 

Kryeministër përshëndetje! Ju uroj suksese për këtë mandat! Unë dua t’ju pyes, duke parë impaktin dhe ndjeshmërinë që ka rruga e lumit të Vlorës, a do shoqërohet ajo me zhvillime të tjera, sidomos në zonën rurale?

Kryeministri Edi Rama: E rëndësishme është që në radhë të parë, ne të garantojmë përfundimin e projektit. Në vetvete, rruga e transformuar do të sjellë me patjetër një dritë të re për zonën, pasi shumëkush që nuk e ka idenë e mrekullive të asaj zone, – pasi nuk ka kaluar ndonjëherë andej, edhe për shkak të infrastrukturës, – do mund me këtë akses, të ketë një ide të qartë. Ajo zonë, siç ne e kemi parashikuar kur kemi financuar projektin, ka një potencial të madh të zhvillimit rural, në funksion jo vetëm të turizmit bregdetar, por edhe të agroturizimit.

Për pjesën që ka të bëjë me zhvillimin rural dhe agroturizmit, unë po ja kaloj fjalën ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili, përveçse gjatë mandatit të parë ka arritur të krijojë një ide shumë të qartë të fushës, sepse e ka ndjekur për llogari të Kryeministrisë, ka dhe një ekip që jam i bindur është një vlerë e  shtuar për t’i dhënë një impuls krejt të ri zhvillimit rural dhe një fokus e një mundësi të re agroturizmit, duke i hapur një perspektivë shumë familjeve që jetojnë në një zonë si ajo zonë dhe që shtëpinë, pronën e fermën e tyre të vogël kanë një potencial të madh për ta kthyer në një qendër agroturizmi. Për agroturizmin, ne do të japim dhe mbështetjen tonë financiare dhe për më tepër ministri do flasë për aspektin e financimeve në bujqësi, në tërësinë e tyre, vitin e ardhshëm do të bëjmë financimin më të madh të një qeverie për bujqësinë dhe zhvillimin rural.

Ministri i Bujqësië dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi: Së pari dua t’ju them që tani jemi në kushtet, për herë të parë pas reformës territoriale, që të flasim realisht për zhvillim rural, apo zhvillim lokal. Kemi pasur deri para 2-3 vitesh, 400 komuna dhe bashki, me një profil të ndarë. Kemi pasur vetëm bashki urbane, ose komuna vetëm rurale. Kështu që një bashki e Vlorës, përshembull, që administronte vetëm territorin urban, pra, qytetin e Vlorës, e kishte praktikisht të pamundur të zhvillonte një plan strategjik të zhvillimit të qytetit, apo të të gjithë zonës përreth, duke shfrytëzuar gjithë potencialet që zonat tona kanë. Zonat si Vlora, Fieri, Lushnja, Lezha, Shkodra dhe zona të tjera, një potencial të madh të zhvillimit ekonomik e kanë në fshat.

Sa i përket zhvillimit rural, le ta ndajmë për thjeshtësi në dy paketa; në paketën e mbështetjes të ekonomive bujqësore dhe ekonomive jobujqësore. Tek të dyja këto paketa, ne shpresojmë shumë dhe po punojmë shumë, ndonëse jemi disi të vonuar, që në fillim të vitit që vjen të hapim programin më të madh që bujqësia shqiptare ka pasur ndonjëherë në mbështetje të saj. Behet fjalë për programin e përbashkët të BE dhe qeverisë shqiptare, 93 milionë euro dhe vitin që vjen, skenari i financimit do të ndryshojë duke u përmbysur. Nëse deri sot, duke qenë një vend me pasuri, ose me buxhet jo të pafundëm, gjithmonë jemi ankuar dhe kemi pretenduar për më shumë financime, vitin që vjen do ta kemi sfidën ndryshe, sa do jemi ne në gjendje si institucione, si pushtet lokal, si fermerë, si shoqata fermerësh apo agropërpunuesish të thithim sa më shumë nga këto fonde. Puna jonë është që të asistojmë zonat, fermerët dhe agropërpunuesit të thithin sa më shumë fonde. Koncepti i parë që ne duam të implementojmë del nga kufijtë e një ministrie, por që është brenda mundësive të kabinetit. E kam fjalën për programe të integruara të disa ministrive, të Ministrisë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të zhvillimit të Infrastrukturës dhe Turizmit, apo të Kulturës, atje ku ka zona të trashëgimisë kulturore. Do t’i identifikojmë zonat rurale, të cilat kanë potencial për të zhvilluar ekonomi të tjera, jo vetëm bujqësore. Ku ka një objekt të trashëgimisë kulturore, rreth tij do ndërtojmë një paketë, sëbashku me Ministrinë e Kulturës dhe ministritë e tjera, për ta kthyer trashëgiminë kulturore në një aset ekonomik dhe për të zhvilluar ekonomi rreth saj. Ku ka një fshat që ka konsoliduar tregues të origjinës, apo prodhime karakteristike, do t’ju japim rrugë këtyre prodhimeve, përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare. Përshembull, shumë prej produkteve karakteristike, si vaji, rakia apo reçel s’mund të jenë formale se prodhohen në kushtet e shtëpisë, janë të pacertifikueshme. Në ato fshatra ku i zhvillojnë këto produkte, do të ngremë inkubatorë, ku prodhimet artizanale tradicionale të prodhohen duke qenë të mbështetura nga shteti, duke qënë të certifikuar dhe të kenë mundësi të tregtohen.

Përsa i përket financimeve, ne presim në fushën e zhvillimit rural të fillojmë një program me Bankën Botërore, i cili do të jetë mbi 50 milionë euro dhe do të implementohet përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, por natyrisht Ministria e Bujqësisë dhe ministri të tjera do ta programojnë këtë fond drejt potencialeve që zonat tona kanë. Ne nuk i shikojmë më të ndara fshatin dhe qytetin, do t’i shohim në partneritet me njëri-tjetrin, ndaj ndërhyrjet tona do jenë të integruara. Mundësitë financiare përmes programit të BB-së, që ka filluar të zbatohet në jug, programi i turizmit rreth 70 milionë euro, programi i BB-së që pritet të fillojë, nga 50-100 milionë euro, programi i IPARD që shpresojmë shumë ta fillojmë vitin që vjen, në masën 3 milionë euro dhe programe të tjera të BE-së e të donatorëve të tjerë, na japin një pakete të madhe dhe sfida do të jetë si do të punojmë sëbashku, për të thithur sa më tepër dhe për të investuar sa më shumë në fshat dhe në zonën rurale, në përgjithësi.

 

Kryeministri Rama: Këtu mbase ia vlen të shtohet një element që ne jemi duke e diskutuar, një qasje më agresive përsa i përket mbështetje me financim të pushtetit vendor, por edhe të projekteve të zhvillimit në fshat. Që do të thotë nga njëra anë, financimet për pushtetin vendor, përveç financimit të drejtpërdrejtë të qeverisë, financimet me projekte, nuk do të bëhen më siç janë bërë deri tani. Nuk do japim më asnjë financim të plotë, por do japim financime me kontribut, që do të thotë që bashkitë do të vendosin një kontribut, sigurisht modest, në krahasim me volumin e përgjithësim të investimeve. Kjo nuk është një qasje për të bërë më pak investime, është një qasje për të bërë më shumë investime, por për të rritur përgjegjshmërinë e tyre dhe për të rritur transparencën e investimeve. Nga ana tjetër, volumin e investimeve për bashkitë do ta bazojmë te nikoqirllëku me të cilin bashkitë shfrytëzojnë fondet që marrin  nga transferta e pakushtëzuar e buxhetit. Kur kemi bërë reformën administrative territoriale, nga llogaritë e bëra me ekspertët ndërkombëtarë, llogari krejtësisht të verifikueshme, kemi konkluduar që do të shkurtohej burokracia dhe do të rriteshin investimet. Sot jemi në kushtet, kur nuk di t’ju them ekzaktësisht – s’do doja të kritikoja Bashkinë  e Vlorës, sepse e kritikoj në mëngjes, dreke dhe në darkë, kryetarin e bashkisë, për ta nxitur për punë, pra, gjithë padurimin e vlonjatëve ndaj meje, unë ia derdh kryetarit në mënyrë të drejtpërdrejtë, – por na ndodh diçka e papranueshme. Bashkitë, sot paguajnë  më shumë për shpenzime operative dhe për rroga, sesa paguanin sa gjithë komunat bashkë. Kjo është e papranueshme. Sot, Bashkia Vlorë paguan 10% më shumë se para reformës territoriale. Këto paga, ne nuk mund t’i ndalojmë, sepse është autonomi e pushtetit vendor, por mbi këtë pasqyrë do të përcaktojmë kriteret për financimet tona.

Po kështu, projekti i rrugëve rurale do të jetë i lidhur drejtpërdrejtë me sa dhe si fermerët në një zonë të caktuar do të bashkëpunojnë me bashkinë, do të bashkëpunojnë me qeverinë për një program zhvillimi rural. Nuk do të bëjmë rrugë rurale për rrugë. Do bëjmë rrugë rurale për zhvillim, rrugë rurale për rritjen e prodhimit, për nxjerrjen e prodhimit në treg dhe për të stimuluar bashkimin e fermerëve. Nuk duam të bëjmë kooperativat e dikurshme, por duam të bëjmë kooperativat për të cilat sot ka nevojë më shumë se kurrë fshati.  Kooperativa ku toka është e secilit, ku secili prodhon më vete, por të gjithë shesin sëbashku. Vetëm kjo fuqizon ekonominë e fshatit, i bën fermat të qëndrueshme dhe mbi këtë bazë, ne do financojmë direkt. Nuk do ketë më AZHBR–ja nga ato financimet që bënte, jo vetëm nga pikëpamja e atyre historive që i kemi dëgjuar në të gjithë fshatrat, por as nga pikëpamja e strukturës së financimeve. Nuk do financojmë më për lëmoshë, do financojmë për zhvillim. Të gjithë atyre fermerëve që do kenë kurajo që ta shikojnë  rrugën e tyre si një rrugë zhvillimi, jo si një rrugë përpëlitje për mbijetesë, ne do t’i japim të gjithë mbështetjen. Bashkitë sot janë ende të brishta në raport me zonën rurale, sepse janë mësuar tradicionalisht që të merren vetëm me qytetin. Ne kërkojmë nga bashkitë që të shikojnë edhe fshatin dhe faktikisht sot, zyrtarisht, ne kemi 4 zëvendësministra në Ministrinë e Bujqësisë, por ne duam që në çdo bashki, një nënkryetar bashkie të jetë zëvendësministër de facto, me të cilin Ministria të bashkëpunojë dhe të shikojmë drejtpërdrejtë problemet që duhen zgjidhur në fshat.

Nga pikëpamja e financimeve do kemi më shumë financime sesa asnjëherë tjetër. Nga pikëpamja e strukturës se financimit dhe nga pikëpamja e kriterit të financimit, gjërat do të jenë ndryshe. Në do të financojmë ata që jo vetëm duan të marrin një subvencion, por ata që me atë subvencion rrisin prodhimin e tyre, rrisin mirëqenien dhe ekonominë në tërësi. Lëmosha nga ato që nuk merren vesh ku përfundojnë, 5 lekë këtu, 2 lekë atje dhe që shkojnë për të blerë naftë për mercedesin, apo që në fund të ditës riprodhojnë vetëm varfëri, ne nuk do japim më dhe ftesa jonë është shumë e thjeshte, nëse do të jesh në vetëm atë gjendje, është e drejta jote, ama nëse do të dalësh nga ajo gjendje, do duhet të bashkohesh me të tjerët. Pa bashkuar pronën siç ndodhte dikur, por duke bashkuar mendjen, duke u bashkuar në një projekt zhvillimi, përndryshe s’ia dalim dot. Këtë gjë nuk është se e kemi shpikur ne, këtë gjë e bëjnë të gjitha vendet që zhvillohen dhe në këtë aspekt besoj se është shumë e rëndësishme, e para, që kryetarët e bashkive, që nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, që sigurisht ka merita të jashtëzakonshme, por unë ja kam thënë që meritat do të t’i vë në dukje vetëm në fushatë dhe asnjëherë tjetër, duhet në radhë të parë të bëjnë shkurtimet e nevojshme dhe mos të harxhojnë transfertën e pakushtëzuar për të dhënë indulgjenca  e për të krijuar vende pune, për të marrë me të mirë njeri- tjetrin. Ne do japim pastaj më shumë investime. Nëse duan që lekët që marrim nga buxheti i shtetit t’i bëjnë rroga dhe t’i indulgjenca, është e drejta e tyre, por nuk do marrin investime, siç do merrnin në të kundërt. Në takimin e kaluar ishte kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, që është i PD-së. Unë i thashë që, nëse ai do bëjë atë që thotë përsa i përket administrimit të fondeve, sigurisht që do marri më shumë investime dhe kjo do të ndodhë me të gjithë, pavarësisht se me kë parti janë. Në fund të fundit, njerëzit që përfitojnë shërbimet janë të barabartë dhe aq me tepër me këtë opozitë që kemi, duhet patjetër t’i trajtojmë me precedencë dhe ata që kanë votuar për opozitën dhe që opozita i ka lënë jetimë.

Kryetari i Bashkisë së Selenicës. Është një koleg i PD-së. Faleminderit që keni ardhur.

 

Në radhë të parë dua t’i uroj Kryeministrit dhe kabinetit të tij punë të mbarë në mandatin e ri qeverisës.  Kush do thotë që shkoi dhe ky me ne, jo, kjo është një normë komunikimi që ne do ta kemi me të gjithë, absolutisht. Do doja të falënderoja për njoftimin që më është bërë për të marrë pjesë në këtë dëgjese publike, apo në këtë diskutim e konsultim me publikun, që Kryeministri po bën në prag të projektbuxhetit të vitit 2018. Nuk jam këtu as për t’u ankuar dhe as për të akuzuar, por një të vërtetë në fakt duhet ta themi, që Bashkia Selenicë nuk ka pasur vëmendjen e duhur nga qeveria. Unë e kam thënë dhe kam bërë një falënderim publik për rrugën e lumit të Vlorës, që është një investim shumë i rëndësishëm, do të ketë goxha impakt të madh jo vetëm për Bashkinë Selenicë, por më gjerë. A do jetë prioritet për këtë qeverisje 4-vjeçare, një zhvillim i zonave rurale, sepse bashkia që unë drejtoj është një bashki që ka vetëm shtrirje rurale dhe 80% e banorëve merret me bujqësi dhe blegtori. Deri tani, pavarësisht se kemi bërë maksimumin tonë, mbasi jemi nga të rrallat bashki që me të ardhura rreth 70 milionë lekë të reja, vetëm për bujqësinë këto dy vjet kam hedhur gati 100 milionë lekë të reja. Nga qeveria kemi marrë 17 milionë lek dhe 7 milionë lekë tani na janë pezulluar. Unë shikoj që është një diferencë dhe një kontrast i madh midis zonave urbane dhe zonave rurale. 

Kryeministri Rama: Bashkia e Selenicës është për t’u përgëzuar dhe për këtë shkak besoj se do marri më shumë financime, se disa bashkia socialiste, sepse nuk ka bërë asnjë rritje të shpenzimeve administrative, pas ndryshimit nga reforma administrative territoriale. Asnjë lek më shumë, asnjë shpenzim të tepërt dhe kjo është një pikë kryesore në kriteret e vlerësimit për financime të vitit të ardhshëm. Së dyti, ne kemi projektin e rrugëve rurale, që është një program më vete. Jemi duke negociuar e besoj deri në pranverë përfundon negocimi dhe fillon aktivizimi i projektit me Bankën Botërore. Janë 100 milionë dollarë nga ky program për rrugë rurale. Pastaj se si do t’i qasemi është një temë tjetër, po për zonën rurale është e barabartë me 100 milionë dollarë investime të freskëta nga buxheti i shtetit për gjithë sektorët e tij. Kemi edhe programin e Bankës Botërore për zhvillimin e turizmit, që ka filluar. 70% e atij programi zhvillohet në Qarkun e Vlorës dhe pjesa tjetër në Qarkun e Gjirokastrës dhe Beratit. Projekte duhen dhe ne do jemi në kontakt, do ju mbështesim pa asnjë rezervë. Për ne, bashkëqeverisja me njerëzit kalon detyrimisht nga një bashkëpunim shumë më i afër e shumë më i frytshëm se katër vitet e shkuara me bashkitë, padallim. Sidomos për sa i përket zonës rurale, ne e kemi thënë qartësisht, se në mandatin e parë kemi pasur shumë për të bërë në zonën urbane, në mandatin e dytë investimet do të jenë shumë më të ekuilibruara dhe zona rurale do të jetë shumë më e rëndësishme, duke filluar nga ato pjesë të zonës rurale që mund të sjellin më shpejt impakt ekonomik e që kanë edhe potencial turistik. Në këtë aspekt, edhe zona juaj nuk është mbrapa të tjerave. Kështu që nuk është se po them fjalë të bukura, por realisht jemi në kushtet ku mund të bëjmë më shumë, por duhet vetëm që të kemi më shumë projekte.

Përsa i përket financimeve direkt për bujqësinë, mjafton që nënkryetari juaj që është caktuar për bujqësinë të jetë i gatshëm dhe bashkëpunues me ministrin dhe ju do të shikoni vetë që ne do të jemi shumë më aktivë, për të mbështetur gjithë ato zona e komunitete, të gjithë ata fermerë që janë aty e kërkojnë thjesht e vetëm mbështetje për të punuar.

 

Dua të ngre një problem, certifikimin e tokave në zonat fshatare. Në bazë të ligjit 7501 kanë marrë toka në përdorim e në pronësi. Ky certifikim ka hyrë në një ngërç, sepse nuk i hapet rrugë, nga mosmenaxhimi i fshatrave. Dosjet shkojnë deri në ZRPP dhe bllokohen, nuk marrin certifikatë derisa të vijë vendim nga qeveria. E dyta, ata që i kanë direkt në pronësi dhe përfundon afati kohor i një ligji, ose duhet të shtyhen, ose duhet bërë një ligj i ri. E treta, për këtë menaxhim ka mbështetje nga qeveria?

Kryeministri Rama: Ne e kemi objektiv prioritar dhe njëri nga zëvendësministrat do të merret ekskluzivisht me çështjen e titujve të pronësisë në fshat. Është një objektiv prioritar, që mund ta realizojmë duke bashkuar forcat midis bujqësisë, pushtetit vendor dhe Agjencisë së re të Titujve të Pronësisë, që do të krijohet nga bashkimi i Hipotekës, ALUIZNI-t, Komisionit të Kthimit të Pronave dhe që do të funksionojë si një Agjenci e vetme e Titujve të Pronësisë, për të pasur sa më shumë shpejtësi dhe sa më shumë mekanizma të brendshëm kontrolli midis gjithë këtyre strukturave.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi: Është e vërtetë ajo që thatë, që në fund të dhjetorit përfundon afati për bashkitë për të plotësuar me tituj pronësie ata fermerë që nuk e kanë marrë, pra, kanë vetëm aktin e marrjes në përdorim. Po e shtyjmë afatin deri në qershor të vitit që vjen, po kjo do të jetë finale. Bashkive do t’i japim gjithë mbështetjen që duhet, se edhe aty ka disa ngërçe. Do t’i zhbllokojmë ngërçet, do t’i japim mbështetje bashkive. Një zëvendësministër, por dhe një ekip në Ministri do të merret me çështjen e regjistrimit të pronave, që të paktën plotësimi me tituj pronësie të përfundojë.

Pastaj është çështja e regjistrimit të titullit të pronësisë dhe marrjes së pronësisë. Ne bëmë një decentralizim të këtij procesi, duke ia dhënë bashkive, madje hoqëm edhe tarifën e topografisë, por edhe ky proces nuk ka ecur me shpejtësinë e duhur. Natyrisht ka shumë përmirësim, disa bashki janë më aktive, janë më pranë fermerëve, por edhe kështu fundi është goxha larg. Ndaj do të krijojmë Agjencinë e Titujve të Pronësisë, e cila nuk do presë fermerin të vijë të trokasë për të regjistruara AMTP-në, por do bëjë një regjistrim të përgjithshëm të gjithë AMTP-ve, me një metodë tjetër, e cila tani është e mundur pasi të gjitha agjencitë që lidhen me pronën do të jenë nën një çati. Ne do ndërtojmë një rrjet me gjithë përfaqësuesit e bashkive për këto probleme e për probleme të tjera.

Pasi kemi ndjekur aksionin që shpallëm me Kryeministrin për disiplinimin e therjeve, jo të gjithë e kuptojnë që ky aksion nuk është thjesht një aksion i shkëputur, por është pjesë e një reforme. Fundi i reformës është një çlirim i jashtëzakonshëm energjish për ekonominë rurale, nëse ne do t’i shkojmë deri në fund. Qëllimi i këtyre aksioneve është hapja e eksportit të produkteve shtazore dhe nënprodukteve. Që ta bëjmë, duhet mbështetje e gjithanshme. Mbështetje e fermerëve, blegtorë, në radhë të parë. Nëse do t’ia dalim të matrikullojmë gjithë bagëtinë e të disiplinojmë tregjet e këtu është një thirrje e drejtpërdrejtë për investitorët lokalë, nëse një investitor do të ndërtojë një treg modern të kafshëve të gjalla, sipas standardeve, ne marrim përsipër me gjithë instrumentet tona të çlirojmë nga konkurrenca e pandershme e tregjeve mesjetare, që për fat të keq i kemi ende në Shqipëri. Për thertoret kemi filluar. Sot janë 17 pika therjeje të mbyllura, do vazhdojmë të mbyllim të gjitha ato që janë jashtë standardit e që kërcënojnë jetën e njerëzve. Do të disiplinojmë transportin, tregtinë. Nëse ne bëjmë këto detyra tonat, hapet një mundësi shumë e madhe edhe për blegtorinë shqiptare, hapen tregjet e eksportit, çka do të thotë se edhe subvencionet që kemi dhënë deri më sot marrin sens.

Krahu i djathtë i Vlorës e krahu i majtë i Vlorës jeton në geto. Kemi paraqitur projekte, është në dijeni kryetari i Bashkisë, për dy rrugë. Kryetari i Bashkisë nxjerr problem vetëm lekët. Është e buxhetuar për këtë vit dhe nuk po fillon. Unë jam 60 vjeç, kur do ta gëzoj atë?

Kryeministri Rama: Gjërat bëhen me radhë. Jo vetëm këtu, por kudo ka akoma plotë rrugë që kanë nevojë, sepse nuk është vënë dorë për shumë e shumë vite. Ju lutem, pak durim, sepse duhët të nisemi gjithmonë nga më e madhja tek më e vogla e jo anasjelltas. Kështu që ka një radhë e duhet pak durim.

 

Për studentet që mbarojnë në Universitetin e Arteve në Tiranë, para katër vitesh është hequr e drejta që të japin mësimin e muzikës. A ekziston mundësi që ky ligj të rishikohet?

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla: Ne po punojmë e po e rishikojmë ligjin. Në bashkëpunim edhe me profesorët e Universitetit të Arteve do bëjmë të mundur që studentët që përfundojnë Universitetin e Arteve të jenë pjesë e sistemit tonë arsimor.

 

Kam një kërkesë për ju, të mbështetur jo vetëm në vizionin tuaj. Lungomare tani është pranuar nga të gjithë, madje dhe nga ata më negativistët. A është mundësia që Lungomare të pasurohet dhe me pak art?

Kryeministri Rama: Për veprat e artit, janë çështje që i takojnë bashkisë. Vetëm monumente mos na bëni, se pastaj do na plasi ndonjë luftë e madhe se kush do ketë monumentin atje. Vepra arti, por mundësisht jo monumente.

 

Përpara se të vija këtu, i hodha një sy buxhetit të vitit 2017 dhe pashë edhe disa kritika që ishin bërë nga specialistë të fushës së ekonomisë. U përqendrova në dy pika që mendova se ishin shumë të rëndësishme. E para, mbështetja buxhetore e sektorëve prioritarë, arsim, shëndetësi, ambient, bujqësi. Të gjitha këto ndikojnë në cilësinë e rritjes ekonomike të vendit. Dua të di, në raport me buxhetin e vitit të kaluar, në 2018-ën, çfarë parashikohet ndryshe për të përmirësuar atë nivel që konsiderohej nga specialistët si delikat?

E dyta, kishte të bënte me politikat shtrënguese buxhetore, të cilat synonin më shumë në rritjen e pagave dhe të pensioneve, duke përdorur politika shtrënguese që synonin më shumë në uljen e shpenzimeve dhe investimeve publike. Sivjet, në këtë buxhet të 2018-ës çfarë parashikohet?  

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj: Përsa i përket pyetjes së dytë, buxheti i 2018-ës shënon rekord në investimet publike: 85 miliardë. Besoj që sektorët që kanë prioritet, në bazë të vizionit që është diskutuar edhe me kolegët, por që është parashtruar nga Kryeministri janë: infrastruktura, arsimi, shëndetësia. Përsa i përket shëndetësisë po ju them që shëndetësia është financuar direkt nga burimet e buxhetit të shtetit në këto vite dhe nga koncesionet shumë të suksesshme, shumë prej tyre, rreth mbi 300 milionë në një hapësirë kohore të kontratave të tyre dhe ka ofruar shërbime që nuk kanë ekzistuar më parë.

Edhe arsimi merr një avancë në buxhetin e vitit 2018 dhe jemi duke diskutuar me ministren për t’i parashtruar Kryeministrit, edhe instrumente socialë brenda logjistikës së mbështetjes së arsimit.

E fundit fare, rritja ekonomike është 4%. Është 4 herë më shumë se çfarë ka qenë katër vite. Sigurisht që nuk është mjaft, por kjo i ka dhënë mundësi vitit tjetër të jetë viti rekord i investimeve publike.

 

Qendrat shëndetësore në njësinë administrative janë në gjendje të mjerueshme. A parashikohet ndërhyrje në buxhetin 2018 për këtë problematikë?

Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu: Shëndetësia do të jetë prioritare dhe do të ketë një financim që për nga krahasimi me vitin 2013 është rreth 3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Përsa i përket Vlorës, ne kemi nisur kantierin e shëndetësisë edhe ne Vlorë. Kemi bërë një seri investimesh në Spitalin Rajonal të Vlorës, kemi vijuar me qendrat shëndetësore. Ne kemi investuar në Qendrën Shëndetësore në Brataj, kemi investuar në Qendrën Shëndetësore të Shushicës. Nga ana tjetër, ne e dimë që nevojat janë shumë të mëdha. Në fakt janë 30 qendra shëndetësore në Vlorë, të cilat kërkojnë padyshim investime. Në këtë pikë, ne kemi vendosur një fond të posaçëm, i cili do të bëjë të mundur që Bashkia të aplikojë duke bërë një vlerësim të imtësishëm të nevojave që kanë zona të caktuara, njësi administrative të caktuara dhe për të mundësuar bashkitë të aplikojnë për të investuar për këto qendra të shëndetit parësor. Për ne është shumë e rëndësishme që qytetarët të kenë akses në qendrat shëndetësore. Ju aty i merrni shërbimet. Në të gjitha qendrat shëndetësore, pikërisht falë Partneritetit Publik Privat, ne sot kemi 30 kabinete të kontrollit mjekësor bazë, të cilat janë investuar në këto njësi administrative, pra, në qendrat shëndetësore. Duhet që ne ta shfrytëzojmë këtë instrument që qeveria ka vënë në dispozicion të qytetarëve, për t’u kontrolluar dhe për t’u diagnostikuar. Është gjithmonë më mirë të parandalojmë, sesa të kurojmë.

Nga ana tjetër, qeveria ka marrë masa dhe do të vazhdojë të investojë tek spitalet. Janë shumë të rëndësishëm hapat që ne kemi bërë në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës së spitaleve, të përmirësimit të pajisjeve mjekësore. Për vitin 2018, qeveria ka marrë impenjim për të përmirësuar infrastrukturën spitalore dhe pajisjet. Spitali i Vlorës do fuqizohet me një set pajisjesh, duke filluar që nga mamografia e re dhe ju e dini që mamografia e Spitalit Rajonal tashmë është vjetruar dhe ne pikërisht për këtë arsye jemi duke marrë masat për ta zëvendësuar me një të re gjatë vitit 2018, si dhe një seri aparaturash të tjera, që do të ndikojnë direkt në përmirësimin e cilësisë së shërbimit, qoftë në diagnostikë, ashtu dhe në trajtim. Ju e dini që spitali i Vlorës është tashmë një spital shumë më i përmirësuar dhe shumë më efiçent. Kemi aty reparte të reja, të cilat nuk kanë qenë më parë, si reparti i kimioterapisë për trajtimin e tumoreve dhe reparti i dializës, në Partneritetin Publik Privat, ku trajtohen 42 pacientë në ditë, të cilët më parë ishin të detyruar të shkonin nëpër qytetet të tjera për ta marrë këtë shërbim, si dhe shumë investime të tjera që e kanë kthyer Spitalin Rajonal të Vlorës në një spital shembull. Sigurisht nuk mjafton ende. Kryeministri e përmendi projektin madhor të qeverisë në këtë 4-vjeçar, që është projekti i programit “Një miliardë” dhe do të bëjë të mundur ndërtimin e një spitali ekselence në Qarkun e Fierit, i cili padyshim do të lehtësojë një ofrim të shërbimit ekselent edhe për Vlorën.

 

Zoti Kryeministër, ju keni premtuar që stadiumi i katërt që do të rikonstruktohet do të jetë stadiumi i Vlorës. Në buxhetin e 2018-ës, a do të ketë vend ky premtim?

Kryeministri Rama: Ta mbarojmë të tretin njëherë, se nuk e kemi mbaruar. Për stadiumin e Vlorës jemi duke diskutuar dhe duhet të vendosim disa gjëra paraprakisht, sepse një ide është për të bërë një stadium komplet të ri, nga e para, këtej nga zona perëndimore. Një ide tjetër është për ta rikonstruktuar aty ku është stadiumi ekzistues. Plus duhet të zgjidhim skemën e financimit dhe sigurisht që do ta bëjmë edhe stadiumin.

 

A do ishte e mundur që të krijohej dhe një kinema këtu në Vlorë?

Kryeministri Rama: Në fakt, këtu keni qenë keq për filma. Edhe në kohën kur të tjerët nuk shikonin, të gjithë vinin në Vlorë për të parë filma. Pyet babanë, çdo të thotë bukë e kripë dhe RTL.

 

Përshëndetje. Pyetjet e mia konsistojnë në keqmenaxhimin e ujërave. Po të dalësh lart në Kalanë e Kaninës, janë tre liqene. Të tre liqenet në sistemin e mëparshëm ishin me kanale vaditëse. Të tërë kolektorët vadisnin zonën e ullishtës. Unë kam një plantacion me 700 rrënjë ullinj. Sivjet pothuajse gjysma mu thanë. Aty kemi kolektorët që shkojnë nga Ura e Peshkëpisë deri në liqenet e Kaninës, mbushen liqenet. Janë kolektorët ekzistues. Mungon vetëm një ristrukturim i tyre dhe pompat që do bëjnë të mundur vaditjen e të gjithë zonës së Kaninës. Më pëlqen Tirana. Është bërë e bukur, por do doja që kryetari i Bashkisë së Vlorës, jo se nuk ka punuar, ka punuar shumë mirë, por do doja që ato nismat që ndërmerr Erioni, pastrimi i qytetit, mbjellja e pemëve do ishte shumë mirë.

Kryeministri Rama:  Edhe këtë pjesën mbjellje, pastrim, gjelbërim dhe gjallërim do ta mbulojmë më mirë. Kështu që mos ki merak.

Përsa i përket pyetjes tjetër, është një çështje shumë serioze dhe si në atë pikë dhe në disa pika të tjera në këtë Qark, por edhe në të gjithë Shqipërinë, ne kemi të njëjtat problem, por besoj se me mënyrën si po riorganizohet i gjithë sistemi i Ministrisë së Bujqësisë do kemi mundësinë që në radhë të parë të mos lëmë të vazhdojnë situata që nuk kërkojnë ndonjë investim të madh për t’u zgjidhur. Në radhë të dytë t’i kanalizojmë investimet në mënyrën e duhur, duke garantuar që të marrim maksimumin prej tyre. Në radhë të tretë, kemi një plan për t’i bërë gjërat hap pas hapi, sipas impaktit që ato sjellin në rezultatet për njerëzit, për ekonominë lokale dhe atë kombëtare.

 

Përshëndetje! Jam nga Fakulteti i Ekonomisë. Pyeta është për ministrin e Financave në lidhje me skemën e re të TVSH-së për biznesin e vogël. Dëgjojmë opinionet e teknikëve dhe jo-teknikëve.

Kryeministri Rama: Meqë jeni nga Fakulteti i Ekonomisë, kush është opinioni yt?

 

Personalisht jam për heqjen e informalitetit dhe formalizimin e të gjitha faturave, qoftë biznes i vogël, i madh, i mesëm duhet t’i nënshtrohen skemës së TVSH-së, pasi është e pamundur që biznesi i madh të faturojë shitje drejt biznesit të vogël. Jam pro nismës, por ndoshta duke kategorizuar.

Meqë jemi këtu, unë ushtroj profesionin e ekspertit kontabël. Kam dy pyetje. E para, është reforma e ujit. Pyetja e dytë që kam lidhur me përfshirjen e biznesit të vogël në TVSH. Unë nuk jam dakord që të përfshihet i gjithë biznesi i vogël në TVSH, por të ulet pragu i përfshirjes, përgjysmë, nga 5 në 2.5. Të rritet pragu nga 8 në 120 i biznesit të vogël për taksat e tatimit të thjeshtuar të fitimit dhe njëkohësisht të rishikohen procedurat tatimore në Shqipëri, me qëllim që të jenë sa më afër biznesit.

Kryeministri Rama: Ka pasur ndoshta një keqkuptim, ndoshta nxitim, përveç atyre që flasin se gjithmonë duhet të jenë kundër. Ne kemi folur për principin. Artikulimi dhe detajimi i skemës është në punë e sipër dhe jemi shumë të interesuar t’i dëgjojmë të gjithë. Por një gjë është sigurt, që nga njëra anë, ne nuk duam të rrisim taksat, pra, nuk do ketë asnjë rritje takse për atë që sot quhet biznes i vogël, kjo është e sigurt. Nga ana tjetër, ne nuk duam të lëmë hapësirë spekulimi përsëri me TVSH-në. Sa dhe si do të jetë kjo hapësirë, që dikush thotë kaq, dikush thotë aq, kjo është një gjë duke u diskutuar, por ne parimin e kemi që të lëmë hapësirë minimale, mundësisht zero midis të dyjave, sepse aty pastaj fillon e bëhet loja. Në kushtet e Shqipërisë kemi parë që edhe në vrimën më të vogël kalon edhe elefanti. Ministri i Financave mund të thotë më shumë nga pikëpamja teknike, por që të gjithë ta dinë, ne jemi të hapur për të dëgjuar të gjitha opinionet dhe për të bërë zgjedhjen më të mirë në fund, se nuk ka rëndësi kush ka të drejtë, rëndësi ka si bëhet gjëja më e mirë.

Do vazhdojmë intensivisht komunikimin. Për fat të keq, – nuk e di, a do ndodhë ndonjëherë, – por ende në Parlament nuk bëjmë dot diskutime të tilla. Në Parlament nuk flasim dot për njerëzit, për çështjet që shqetësojnë njerëzit, për problemet reale të njerëzve. Nuk diskutojmë dot për këto çështje që janë të lidhura drejtpërdrejtë me ditën e nesërme të dikujt që bën biznes, të dikujt që punëson njerëz, dikujt që vetëpunësohet, sepse në Parlament, e keni parë vetë se me çfarë jemi të detyruar të merremi.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj: E para, ju falenderoj që bini dakord që në luftën anti-informalitet duhet shtrirë pragu i TVSH-së, për shkak të asaj që ndodh, që biznesi i madh përpiqet të përdorë biznesin e vogël, diku informal, diku në pamundësi për të shkarkuar.  Për ata që janë specialistë, kjo është e qartë, por për shqiptarët, unë do thosha që sot, biznesi i vogël është në raport të padrejtë me biznesin e madh, sepse biznesi i madh ia ngarkon 20%-shin si konsumator i fundit, ndërsa tani do ketë mundësinë që të kreditohet, që do të thotë, që të rimbursohet gjithashtu në një moment dhe për shpenzimet që bën në raport me shitjet.

E dyta, nuk ka rritje çmimesh. Profesori e di, eksperti kontabël e di, çmimet i vendos tregu. TVSH-ja është tashmë e fshehur, ose e deklaruar tek çmimi final.

E treta që është shumë e rëndësishme, nuk ka asnjë rritje të takës së biznesit të vogël. Do të vazhdojë të jetë zero.

E katërta që është po kaq e rëndësishme, biznesi i vogël sot deklaron sigurime shoqërore një herë në tre muaj. Do të deklarojë TVSH-në përsëri një herë në tre muaj, në mënyrë të thjeshtuar, siç deklaron sigurimet shoqërore. Zero kosto edhe kjo. Pra, do bëjë sigurimet që është i detyruar me ligj, do bëjë dhe TVSH-në, një herë në 3 muaj.

E pesta, parimi është ai që tha Kryeministri, ne jemi duke kolauduar, a do të vendosim taksë, po them, për zejtarët? Jo. Pra, do ndjekim definicionin e zejtarisë që nuk do të jetë brenda TVSH-së. Të gjitha tregjet e bashkive të formalizuara? Jo, nuk do jenë brenda. Tregjet e fruta-perimeve të tezgave? Jo, nuk do jenë brenda. Gjithsesi është duke u diskutuar edhe kjo, por këto janë parimet kryesore. E gjithë beteja shkon përtej dijes, bëhet politike dhe e shëmtuar.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.