Fjala e Kryeministri Edi Rama në seancë plenare në Kuvend për projektbuxhetin 2018:
Sot, qeveria paraqet në Kuvend një dokument, në këndvështrimin tonë, me rëndësi të posaçme, që shënon edhe hapin e parë të një mandati të ri, i cili do të fokusohet i tëri tek shtetbërja, punësimi dhe mirëqenia.
Dokumenti i projektbuxhetit nis me premisën tejet inkurajuese se ekonomia shqiptare rritet në mënyrë të qëndrueshme. Gjatë tre mujorit të dytë të këtij vitit prekëm kufirin e 4% dhe ashtu siç konfirmojnë të gjitha të dhënat e besueshme, duke filluar nga ato të Bankës së Shqipërisë, por edhe të dhënat e institucioneve të tjera financiare, kemi një gjallërim të ndjeshëm të kërkesës së brendshme private. Këtu besoj se vlen të nënvizohet rritja reale e konsumit në gjysmën e parë të vitit që po mbyllim, e cila vijoi në trendin pozitiv të rritjes reale mesatare të vitit të shkuar.
Po ashtu i ndjeshëm është edhe përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare. Eksportet, gjatë 8 mujorit të këtij viti rezultojnë me një rritje afro 13%. Nga ana tjetër, edhe importet rezultojnë me një rritje mbi 6.3%.
Rritja e shpenzimeve publike, investimet, në gjysmën e parë të këtij viti u rriten me afro 13%. Edhe investimet e huaja direkte, në tremujorin e parë të vitit kanë shënuar një rritje pozitive prej 18%, krahasuar me një vit më parë.
Më vjen vërtetë mirë të ndaj me ju, rezultatet e anketës të forcave të punës, ku vihet re një rritje e punësimit në gjysmën e parë të vitit me 3.15%, përkundrejt gjysmës së parë të një viti më parë. Shkalla e papunësisë vijon në trendin e saj rënës dhe treguesi i ndjesisë ekonomike ka një rritje po ashtu inkurajuese dhe një përmirësim të ndjeshëm, në raport me tremujorin e tretë të një viti më parë, me afro 9 pikë përqindje. Niveli aktual i treguesit të ndjesisë ekonomike qëndron afro 14 pikë mbi mesataren afatgjatë dhe 17 pikë mbi mesataren e 6 viteve të fundit.
Është e rëndësishme të nënvizohet se sikundër po verifikohet nga shifrat e këtij viti, buxheti është ndërtuar i tëri me një përgjegjësi dhe realizëm, që ka karakterizuar për hir të së vërtetës edhe buxhetin e këtij viti, mjafton të shohim të ardhurat nga tatimet dhe doganat që kanë njohur një rritje prej afro 7%, krahasuar me një vit më parë. Ndërsa të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore janë rritur me 10% .
Ndërkohë që në tërësinë e vet, rritja reale ekonomike pritet të jetë 3.9-4% e gjithë vitit mbi parashikimin fillestar të kryer një vit më parë.
Është fakt se Shqipëria, sipas të gjithave të dhënave të institucioneve financiare ndërkombëtare, ka rritjen më të lartë ekonomike në rajon. Këtë e thotë edhe BE që e vlerëson vendin tonë në konstatimin e vet për konsolidimin e financave dhe uljen e borxhit.
Thënë të gjitha këto, dëshiroj të nënvizoj për të gjithë ata që na ndjekin se për ne, këto shifra nuk duan të thonë aspak se njerëzit duhet të ngrihen në këmbë dhe të duartrokasin qeverinë, apo duhet të ndihen të lumtur. Ne nuk jemi aspak të lumtur, për shkak se duam shumë më tepër dhe jam i bindur që me dokumentin e projektbuxhetit të vitit 2018, ne vendosim një bazë të re për të bërë shumë më tepër. E faktikisht e tregon këtë në krye të herës, shifra e rritjes së të ardhurave në buxhetin e vitit 2018, e cila kap nivelin 28.1% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar.
Përveç investimeve më të larta publike, buxheti do të financojë njëkohësisht edhe një ulje të mëtejshme të nivelit të borxhit publik. Vitin e ardhshëm, trendi rënës i borxhit publik do të vazhdojë të theksohet duke u reduktuar në 2.5%.
Nga ana tjetër, paketa fiskale e vitit të ardhshëm, përmes reduktimit të pragut të TVSH-së në vetëm 2 milionë lekë, do të nxisë formalizmin e gjithanshëm të ekonomisë, me një kosto të papërfillshme në raport me gjithçka është thënë për biznesin e vogël.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm fiskal është mënyra e taksimit të ndërtesës, pasi kalohet nga taksa e sheshtë, në një taksë që bazohet në vlerën e pronës. Në këtë pikë është shumë e rëndësishme të nënvizohet iniciativa për zerimin e taksës së ndërtesës për pensionistët kryefamiljarë dhe për familjet në ndihmë ekonomike. Është një hap tjetër, që na çon më tutje në konsolidimin e politikës sonë se kush fiton më pak, duhet të paguajë më pak dhe është një shembull kuptimplotë i së vërtetës se politika jonë e taksimit nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë një politikë që rëndon më të dobëtit. Përkundrazi është një politike që synon lehtësimin sistematik të atyre që kanë më pak të ardhura.
Njëkohësisht zgjidhim njëherë e mirë dhe një ngërç të vjetër dhe të trashëguar të sektorit të peshkimit, që lehtësohet me përjashtimin e plotë nga TVSH-ja të 52 kategorive dhe pajisjeve të mjeteve të peshkimit, çka do t’i japë kësaj industrie një frymëmarrje të re dhe do të mundësojë rritjen e mëtejshme të të ardhurave për ata që janë i janë përkushtuar këtij aktiviteti, por edhe për ekonominë kombëtare.
Projekti rrit të ardhurat e qeverisjes vendore dhe për herë të parë pas miratimit të ligjit të ri për financat vendore do të transferohet në nivel vendor 2% e tatimit mbi të ardhurat personale. Gjithashtu, e tërë transferta e pakushtëzuar për njësitë e qeverisjes vendore, sipas këtij ligji do të jetë jo më pak se 1% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, që në vlerë nominale është rreth 3 miliardë lekë më shumë.
Ky është një buxhet i ndërtuar me përgjegjësi dhe me realizëm dhe një buxhet i ndërtuar për të përshpejtuar rritjen ekonomike, për të nxitur rritjen e mëtejshme të punësimit dhe për të garantuar instrumente më efikase në funksion të integrimit social.
Dua ta nënvizoj se ndihma ekonomike, e cila deri në vitin që po flasim është e ndarë në tre qarqe, ku ka hyrë në fuqi skema e re që ka sjellë dy deri në trefishimin e ndihmës dhe në 9 qarqe të tjera, ku ende ka funksionuar skema e vjetër, do të jetë e gjitha e integruar në 12 qarqe dhe rritjen për shkak të një ndryshimi të skemës do ta marrin të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, edhe në 9 qarqet e tjera të vendit.
Shumë e rëndësishme të nënvizohet se buxheti rrit investimet dhe ul borxhin. Në buxhet parashikohen 86 miliardë lekë investime publike dhe paralelisht financohet reduktimi i mëtejshëm i borxhit. Bëhet fjalë për një volum investimesh që pa diskutim është më i larti në historikun e financimeve publike për investimet. Dua që të mbahet parasysh se në këtë volum nuk përfshihet pjesa tjetër, që është programi “1 miliardë për rindërtim”, i cili ka nisur të zbatohet me projektin e parë të rrugës së Arbrit, për të cilin në javët në fillim do të firmoset kontrata e parë e programit. Ndërkohë që ministria e Infrastrukturës po shqyrton edhe disa propozime të tjera, në funksion të transformimit rrënjësor të akseve kombëtare, ku sot, megjithëse kemi hedhur para pafund për shumë vite, nuk kemi asnjë rrugë kombëtare të certifikueshme me standardet e sigurisë dhe të lëvizshmërisë së Bashkimit Europian.
Ambicia është që në 4 vitet e ardhshme, të gjitha rrugët kombëtare të vendit të jenë të certifikueshme me standardet e sigurisë dhe lëvizshmërisë së BE-së dhe pa diskutim që ky financim masiv do të sjellë edhe një rritje ekstra të punësimit dhe të të ardhurave të njerëzve që në këtë vend jetojnë dhe duan të jetojnë me punë.
Buxheti ka një rritje të ndjeshme për arsimin dhe shëndetësinë, dy sektorë që do të njohin një fluks investimesh që nuk e kanë pasur më parë. Buxheti i arsimit është 10% më i lartë, krahasuar me buxhetin e këtij viti, ndërsa ai i shëndetësisë është 5% më i lartë.
Infrastruktura do të marrë 42% më shumë investime dhe janë afro 400 milionë euro që do të shkojnë për ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe atë të ujësjellës kanalizimeve.
Bujqësia do të mbështetet me një paketë financiare në rritje dhe faktikisht 15% më të lartë se ky vit.
Turizmi, pas reduktimit të taksës në 6%, do të mbështetet me një paketë lehtësuese për të gjitha ato marka ndërkombëtare që do të investojnë, apo operojnë hotele me 4 ose 5 yje, për të cilat industria jonë e turizmit ka një nevojë alarmante, krahasuar me të gjitha vendet rreth e rrotull në vijën e Adriatikut.
Paralelisht me këto kemi dhe një volum të konsiderueshëm investimesh për vijimin e mëtejshëm të programit kombëtar të Rilindjes Urbane, që do të fillojë të shtrihet përtej qendrave të qyteteve në hapësirën rurale të bashkive të reja, me përparësi ato zona dhe ato destinacione ku ka potencial të zhvillimit të turizmit dhe të rritjes së punësimit përmes turizmit.
Buxheti garanton zbatimin e reformës në drejtësi, duke paraparë një financim të qëndrueshëm të të gjithë elementëve që kjo reformë ka domosdoshmëri dhe të institucioneve që krijohen si rezultat i reformës.
Po ashtu, buxheti financon me një rritje shumë të rëndësishme Policinë e Shtetit, për të çuar më tutje programin e transformimit dhe rritjes së kësaj trupe që sot ka një nevojë të konsiderueshme për të pasur në dispozicion mjete dhe instrumente, që do të forcojnë aspektin e hetimit dhe të zbulimit të krimeve, e ndjekjes dhe përballimit të rrjeteve dhe elementeve kriminalë, duke shfrytëzuar inovacionet e teknologjisë.
Kjo është një pamje e përgjithshme e buxhetit të vitit 2018.
Ka plot elementë brenda tij që detajojnë të gjithë filozofinë dhe mekanizmin e buxhetit për rritjen e mëtejshme ekonomike, për rritjen e mëtejshme të punësimit, për fuqizimin e rrjetit të solidaritetit shoqëror dhe për të forcuar më tutje procesin e bërjes së shtetit.
Ajo që besoj është shumë e rëndësishme të thuhet në fund është se:
Ky buxhet nuk rrit taksat;
Ky buxhet lehtëson më tutje familjet në nevojë;
Ky buxhet garanton që në terrenin e Shqipërisë reale të kemi transformime të rëndësishme gjatë vitit në vijim.
E duke qënë se sot është Dita Ndërkombëtare e Tolerancës, unë po e lë me kaq dhe nuk po ju them se pse, të gjitha ato që do të dëgjoni sapo të ulem unë, janë realisht për të qeshur dhe për të qarë.
Shumë faleminderit!
* * *
Është Dita ndërkombëtare e Tolerancës dhe unë nuk mundem veçse të buzëqesh, duke replikuar për të gjitha sharjet, fyerjet dhe shpifjet që sapo më adresoi shumë i dashuri, Lul. Por, për arsye që unë nuk i di, e nise me Papa Françeskun dhe unë po e vazhdoj me Papa me Françeskun, i cili thotë: “ Flisni vetëm për mëkate dhe skandale, sepse ju intereson zhurma që bën një pemë që bie dhe jo pylli që rritet.”
T’i hysh të gjitha atyre që thanë, është njësoj si të hysh në këmbë një deti shpifjesh, gënjeshtrash dhe fyerjesh. Po vetëm një shembull po jap; Jemi një vend për të cilin të gjithë ata që kanë folur në këtë foltore si kryeministra apo si patriotë, ose oratorë të patriotizmës, kanë thënë se është më i bukuri, është më i miri dhe është turistik në të gjithë kilometrat katrorë të tij, me dy dete, me erëra që fryjnë dhe me diellin që lind e perëndon më bukur se kudo dhe sot jemi i vetmi vend në të gjithë Mesdheun që nuk kemi një hotel me 5 yje. Yje, jo ylla të prerë e të lyer me të verdhë dhe të ngulur atje, që kanë emrin e pronarit dhe një Palasë nga mbrapa.
Ne do të ndërtojmë hotele me 5 yje në Shqipëri dhe për të këtë nuk kemi bërë asnjë shpikje, thjesht kemi adoptuar legjislacion shumë të ngjashëm me legjislacionin e vendeve si Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia e të tjerë në Mesdhe. Por po marr Malin e Zi se në këtë aspekt na ka lënë targën dhe nuk ia shohim më. Si do t’u bëka ky pastrim i madh parash, kur paketa është shumë, shumë e qartë?! E përsëris, jo 5 ylla të lyera me të verdhe, me ermin e pronarit dhe me një Palasë nga mbrapa, po me marka ndërkombëtare të listuara në top listën e industrisë ndërkombëtare të turizmit.
Meqë kemi kërkesën e parë, quhet Avni Ponari, votues dhe sponsor i Partisë Demokratike, i cili kërkon të ndërtojë një hotel me 5 yje në Valbonë. Atëherë, po pastron para? Paratë e kujt po pastron? Po investon të ardhurat e tij legjitime. E nuk është tentativë, është kërkesa e parë.
Ndryshim i madh mes nesh dhe jush, mes meje e parafolësit [zoti Basha] është pikërisht ky, unë nuk i ndaj shqiptarët në “tanët” dhe të “atyre”. Kurrë nuk ja lejoj vetës që t’i fus të gjithë njerëzit në një thes dhe t’i them që jeni të tillë e të atillë.
Po e mbyll me Papa Franceskun, i cili thotë: “Nuk rritesh dot, nëse nuk e pranon vogëlsinë tënde”. Problemi yt është se në përpjekjen për t’u bërë një kopje e të madhit (që s’na ka ardhur akoma) dhe në pozën për t’u bërë Luli i të varfërve, je një kopje e pagëlltitshme e Lulit të vocërr.
* * *
Unë nuk e kam zakon t’i nxjerr letrat në televizor. Kam marrë një letër nga Presidenti i Partive Popullore, të cilin bashkë me Partitë Popullore e keqpërdorët duke e dezinformuar dhe pastaj ia nxorët letrën në televizor, për t’ju thënë shqiptarëve që Partitë Popullore po kërkonin arrestimin e Saimir Tahirit. Në letrën e tij, Presidenti thotë shumë thjeshtë, ne duam drejtësi, jo gjueti shtrigash në Shqipëri.
Kush janë gjuetarët, kush janë shtrigat dhe kush synon të bëjë gjueti shtrigash, këtë nuk do ta shpjegoj unë sot, sepse është Dita Ndërkombëtare e Tolerancës.
Ndërkohë që Papa Françeskun e solle ti Lul, për batutë, këtu. Unë, duke qenë se e njoh atë dhe veprën tij më mirë se çfarë e njeh ti, të ndihmova përmes tij. Pranoje vogëlsinë tënde, nëse do të rritesh Lul.
Unë nuk bëra batuta, solla një emër konkret, Avni Ponari, sipërmarrës i nderuar, për mua, mbështetës i flaktë i juaji dhe sponsor i juaji, i cili kërkon të bëjë një hotel me 5 yje në Valbonë. Çfarë parash po pastron ai? Paratë e kujt? Për mua, ai po investon parët e fituara falë talentit të tij si sipërmarrës.
A do të vijnë të tjerë? Do vijnë, kanë ardhur, po kërkojnë, po interesohen, janë atraktuar nga paketa, natyrisht dhe duan të dinë ekzaktësisht, si ne e shohim jetësimin e saj. Flasim për hotele me 5 yje, që do ta çojnë një stad tjetër Shqipërinë në të gjitha aspektet, në aspektin e imazhit, në aspektin e të ardhurave, në aspektin e punësimit dhe në aspektin e normalizimit të marrëdhënieve të saj me vetveten, si një vend i mrekullueshëm për çfarë i ka dhënë Zoti, por i bërë copa e cika përsa i ka bërë robi.
Përsa i takon gjithë logoresë lidhur me “kufirin tek thana”, thana jeni ju, ne jemi qeveria dhe shumica e zgjedhur në 25 qershor. Do ju duhet të bëni durim, që të prisni ditën kur kufirin e ri ta përcaktojnë vetëm ata që e kanë këtë të drejtë. Nuk jeni ju, janë ata që ju i trajtoni si të blerë, si të shitur, si skllevër. Meqë ra fjala, çfarë u bë me “skllevërit” e PD-së që t’i kishte marrë Shpk-ja e Monikës, Lul? Nuk kemi lajm për këtë pjesë.
Unë citova “Lulin e vocërr”. Nuk është i imi, është i Migjenit. Mu kujtua kur po të shikoja nga mbrapa, me brilantinë, që përpiqeshe të bëje mbrojtësin e fëmijëve të Bulqizës. Siç je një kopje e paarrirë e Saliut, sepse je fals, je një kopje krejt e paarrirë e Lulit të vocërr, sepse je fals. Bëhu vetja, prano vogëlsinë tënde dhe rritu Lul, sepse PD ka nevojë për një lider të rritur, jo për një fëmijë që nuk rritet dot.
Këto nuk janë batuta, këto janë fjalët e një njeriu që të do, janë fjalët e një njeriu që ka bërë përpjekje të sinqerta që të rritesh, fjalët e një njeriu që të dha mundësinë të bësh një akt prej lideri dhe të vetmin akt prej lideri, ti e mohove dhe e mohon. Lul, Monika të bësh të ndjehesh më i fortë, por nuk të rrit, të zvogëlon. Prandaj bëj si të duash, prapë fillo me shpifje, me sharje, merru me kë të dali përpara.
Vëllai im është një njeri i zakonshëm, nuk është një kunat i famshëm, por unë kurrë nuk vij këtu me librin e shtëpisë së tjetrit. Nuk vij këtu, asnjëherë, për të bërë luftëra me ju si persona. Ju si persona jeni të gjithë prindër, besoj të mirë, jeni njerëz të mirë, jeni djem e vajza, burra e gra që përpiqeni me tuajën, po këtu nuk është çështje personash. Është çështje përkatësie, është çështje “pse”-je. Pse jeni bashkë? Çfarë kërkoni të bëni? Ku doni të dilni sëbashku? Se ku doni të dilni individualisht, kjo është lehtësisht e kuptueshme, por sëbashku? E keni katandisur këtë parti në një tufë pa vizion, pa program, pa ide.
Po e mbyll me Papa Françeskun, të bëjmë zhurmën më të madhe, kur një pemë bie dhe të mohojmë gjithçka lidhur me pyllin që po rritet. Pylli do të vazhdojë të rritet, doni, apo s’doni ju. Nëse doni të jepni një dorë, jepeni, nëse s’doni ta jepni, mos e jepni. Por dorë ju në drejtimin e Shqipërisë, me këtë mendje, me këtë zemër, ju siguroj kurrë nuk do keni. Ndryshoni dhe pastaj mbani fjalime këtu dhe u kërkoni shqiptarëve besimin.
Shqiptarët mund të kenë shumë e shumë probleme, shumë e shumë halle, mund të kenë edhe të metat e tyre si çdo popull tjetër, por shqiptarët kanë një gjë që ju vazhdimisht e harroni, për budalla nuk i bën dhe nuk i merr dot askush. Shqiptarët i dëgjojnë të gjithë, patjetër që i gjykojnë të gjithë, po midis jush dhe atyre që jo më larg se dje folën nga Brukseli për Shqipërinë sot, kë mendoni ju se do besojnë, juve?!
Rritu Lul, rritu!
* * *
Të dëgjova që the “ngrihuni” dhe mu kujtua sa shumë i thirre që të ngriheshin aty poshtë dritares time, kur ishe ne çadër dhe pastaj erdhe u ule me mua. Prapë do vish të ulesh me mua dhe unë të pres, jo se është Dita Ndërkombëtare e Tolerancës, por sepse unë besoj se vetëm nga ajo e ulura jote, imja, e jona, e të gjithëve këtu mund të bëhet më mirë për këtë vend dhe për këta njerëz.
Fole në emër të policisë italiane, gjermane dhe britanike. Janë të tërë në ministrinë e Brendshme, punojnë me ne dhe sëbashku, edhe me një polici tjetër që nuk e di pse e harrove, FBI. Janë të gjithë bashkë, punojnë me ne për fazën e dytë të një lufte që ne patëm kurajë ta hapim.
Kur the “u kapën 36 ton”, mendova po 900 ton që prodhoheshin çdo vit në Lazarat, si nuk u kapën kurrë? Kush t’i kapte, pse t’i kapte, si t’i kapte?
Pikërisht sepse ishte luftë dhe nuk ishte një shëtitje për të kositur barin, por një përballje, pati fitoret e veta, pati dështimet e veta, po sot, si ka mundësi që nuk gëzohesh e nuk gëzoheni që raporti i Guardia di Finanza, i mirëpritur dhe i duartrokitur në të gjitha kancelaritë europiane, edhe në Bruksel, edhe në selinë e Partive Popullore, të hidhëron e ju hidhëron?
A donit fitoren në këtë luftë?
A donit që Shqipëria të pastrohej nga ky kancer i trashëguar?
A donit që Shqipëria të dilte nga harta e vendeve që kultivojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike, apo tani që iku kanabisi, keni hallin se me çfarë do luftoni me ne?
Ka 1001 gjëra për të bërë betejën me ne. E për ta bërë këtë betejë, duhet të ktheheni tek pikënisja, kush jeni, pse jeni bashkë, çfarë kërkoni, kush është vizioni, kush janë qëllimet tuaja. I thoni vetes jemi të djathtë dhe doni vetëm djathë dhe midis të djathtës dhe jush është vetëm djathi. Ju ka marrë malli për djathë, e kujtoni se në ndërkohë, djathi po mbaron.
Është shumë e lehtë, por është shumë dritëshkurtër të luash me fjalë, të bësh prokurorin, të bësh gjykatësin dhe të japësh vendimet këtu në këtë foltore, ndërkohë që je po ti që vrapove në Kamzë dhe ka qenë hera e parë që kishe shkuar në Kamzë, se Kamza është shumë larg për ty, për të treguar solidaritet për një të arrestuar që ishte një nga 5 yjet e partisë tënde. Këtu prapë ne ndryshojmë. Ka një hetim dhe ne presim hetimin. Ka një proces në rrugën e drejtësisë, ne presim procesin. Por një këshillë po e jap, që nuk do ta dëgjosh; Mos u ngut! Mos u ngut, sepse prapë mund të dalësh blof.
Prapë e vërteta mund të të nxjerrë, siç për fat të keq je, i vogël, fals dhe mbi të gjitha, në një aktrim permanent të njeriut që tjetër mendon, tjetër thotë, tjetër do.
Mos u ngut! Është Dita Ndërkombëtare e Tolerancës.
Kur thua “ngrihuni”, kujto çadrën, kujto si mbaroi. Herët ose vonë do ulesh prapë dhe ata nuk do ngrihen, sepse ata nuk janë budallenj dhe kush i bën për budallenj, i ngre pastaj në ditën e duhur, aty kur ata thirren për të vënë kufirin. E nga 4 vite më parë deri më sot, unë që ju kisha dhe ju kam këtu, ju shoh se kufiri ju ka ardhur më afër, pas 4 vitesh mund t’ju vijë edhe më afër. Që do të thotë se jeni dhe më pak këtu.
Prandaj, merru me buxhetin, na thuaj çfarë vizioni ka PD për rritjen më të shpejtë ekonomike. Ne do ta çojmë mbi 4%, ju mund të doni ta çoni mbi 14%, po thuaje këtu dhe thuaj si.
Çfarë vizioni ka PD për luftën kundër informalitetit? Ne mendojmë që të vegjlit nuk mund të përdoren nga të mëdhenjtë për të bërë evazion. Ju, në fakt, këtu nuk mbroni të vegjlit, ju mbroni ata, të cilët përmes të vegjëlve iu ikin detyrimeve ndaj shtetit dhe ndaj shoqërisë.
Si do e luftoni ju varfërinë, çfarë recete ke për luftën kundër varfërisë, përveçse të recitosh këtu, duke e kopjuar pa sukses Lulin e vocërr të Migjenit. Kuptoje, atë e ka bërë Migjeni, ty të ka bërë Saliu e ka një dallim shumë të madh midis Migjenit dhe Saliut. Ndaj ik nga ajo fushë, mundohu të gjesh fushën tënde ku të rritesh, të bëhesh burrë dhe të jesh lideri i një partie që lindi për arsye krejt të tjera nga arsyet që ju sjellin juve këtu, çdo të enjte dhe që frymëzoi për arsye krejt të tjera nga arsyet ku ju shihni mundësinë për të frymëzuar njerëzit. Ju nuk frymëzoni askënd.
Sot diskutohet projektbuxheti i vitit të ardhshëm, buxheti i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Ne e kemi sjellë projektin tonë. Na thuaj kush është i yti.
Ne i kemi sjellë rrugë-zgjidhjet tona. Na trego kush janë të tuat.
Ne kemi sjellë një qasje që është e jona. Na thuaj kush është e juaja.
Siç çrrënjosem kanabisin, do t’i shkojmë deri në fund luftës për të çrrënjosur elementët dhe rrjetet kriminale. E do t’i shkojmë deri në fund, të jeni të bindur për këtë, hap pas hapi, përpjekjes për të ndarë mënjanë kriminelët me patllake dhe ata me kollare. Prandaj jemi të angazhuar, prandaj të gjithë partnerët tanë janë të angazhuar bashkë me ne dhe prandaj edhe ngrenë supet dhe qeshin me keqardhje për ju. Përpara disa ditësh ke takuar një të huaj. E di çfarë më tha? Nuk arrij dot ta kuptoj si mund ta dua unë Shqipërinë, më shumë seç e do kryetari i PD-së.
* * *
Ka një ndryshim themelor midis koncesioneve të dhëna prej nesh dhe koncesioneve të dhëna prej jush. Keni dhënë koncesione përmes të cilave keni futur duart në xhepin e qytetarëve. Ndërkohë që ne nuk kemi dhënë koncesione ku futen duart në xhepin e qytetarëve. Është një dallim shumë i thjeshtë.
Pse jepet një koncesion? Ato janë koncesione për zhvillim ekonomik përmes investimeve në një sektor strategjik. Koncesionet, shteti në rastin e shërbimeve i jep për të dhënë një shërbim më të mirë për qytetarët. Ky është koncepti. Pra, thërret privatin dhe i thotë nuk i kam këto para sot, që të mund t’ju shërbej njerëzve më mirë. Ti si privat i ke, atëherë do bësh investimin dhe shteti do të t’i shlyejë në vite. Ky është principi.
Çfarë përmirësimi i shërbimit u bë në portin e Durrësit? U bënë investime nga qeveria dhe – e kemi ndarë si shqetësim, kur përpiqeshim të vinim rregull në Portin e Durrësit – investimi i gatshëm iu dha privatit. E për çfarë? Që privati të fitojë dhe asnjë ndryshim në cilësinë e shërbimit. Privati shfrytëzon investimin e shtetit, për të marrë paratë nga çdo qytetar që i kalon përpara.
Vijmë tek skanimi. Çfarë përfitoi qytetari nga skanimi? 40 euro, jo për kamion, por për një faturë dhe një kamion mund të ketë shumë fatura. U detyruam ne të ndërhynim, për të shpëtuar të gjithë industrinë fason që u kërcënua nga falimentimi për shkak të tarifës së koncesionit. Çfarë investimi bëri privati aty? Një investim qesharak. Çfarë fiton çdo vit? Shikojeni bilancin, gropë. Por gropa është në xhepat e qytetarëve. Qytetarët nuk fituan asnjë shërbim më të mirë.
Vijmë tek koncesioni i famshëm, kolaudimin e automjeteve. Shteti nuk e bënte dot atë shërbim me dinjitet. Jam shumë dakord, siç ishte, ishte copë. Ju morët një privat, – sesi e morët është histori më vete e s’po i hy, por po flas për parimin, – dhe jo vetëm që nuk ka përmirësuar shërbimin, por çdo njeri që ka një makinë dhe që shkon të bëjë kontrollin, duhet të rrijë në radhë të gjatë, duhet të kërkojë rrugën të paguajë, për ta bërë më shpejt punën dhe në fund fare paguan më shumë seç paguante, kur po të njëjtin shërbim mizerabël e bënte shteti.
Kjo është filozofia juaj e koncesionit.
Vijmë tek koncesionet që kemi bërë ne në shëndetësi. A do vazhdonim të pranonim afro 50 mijë njerëz që hyjnë në sallë operatore në Shqipëri të kërcënoheshin nga infeksionet post-operatore për shkak të instrumenteve mjekësorë të kohës së shokut Enver, të ndryshkura e për shkak të një rrënimi të plotë të gjithë infrastrukturës së sterilizimit?
Ne i kemi thënë privatit investo që ta kemi këtë shërbim sot, sepse ne nuk e bëjmë dot dhe do të të paguajmë në vite. Këtu përfiton çdo shqiptar që hyn në një sallë operacioni e nuk rrezikohet të infektohet nga gërshërët e ndryshkura të kohës së dashurisë shqiptaro-kineze, sepse janë instrumente mjekësore të standardeve më të larta europiane. Instrumente që vijnë nga Gjermania dhe ju njihni plot mjekë e njerëz në sistemin e shëndetësisë, që mund t’i pyesni. Tritani [Shehu] p.sh, e di shumë mirë se çfarë ndryshimi themelor ka në cilësinë e sterilizimit dhe në cilësinë e instrumenteve mjekësore.
Ju thoni që shqiptarët duhet të vazhdonin që kontrollin mjekësor ta kishin me lekë. E kishit edhe ju kontrollin mjekësor për çdo shqiptar, por e kishit me lekë, 80 mijë lekë për të bërë një kontroll mjekësor. Ne themi duhet ta kenë falas dhe e kanë falas.
Vërtet kemi ftuar një privat të investojë për gjithë infrastrukturën, por ama nuk u themi qytetarëve se instrumentet mjekësorë janë të reja dhe duhet të paguash. Shteti paguan për shërbimin e tyre. Nuk janë para që shteti ia jep privatit dhe privati i çon në shtëpi, por janë para për shërbimin e tyre, për të shlyer investimin që bën privati. Në harkun e 7 deri në 10 vite, sipas natyrës së koncesionit, të gjitha këto investime bëhen të shtetit. Pra, nuk paguan shteti një privat që merr lekët e ikën, por shlyen një investim dhe gjithë infrastruktura e kontrollit mjekësor, gjithë infrastruktura e instrumenteve mjekësorë, gjithë infrastruktura e hemodializës, bëhen të shtetit. Ky është dallim i madh.
U thoni shqiptarëve se paratë i morën klientët, i morën oligarkët. Ndërkohë që e vërteta është ndryshe. Ne ftojmë sipërmarrjen të marrë pjesë në përpjekjen për të ecur më shpejtë e për të bërë të mundur zhvillime përmes investimesh që buxheti i shtetit nuk i bën dot. Këtë e bën Gjermania, e bën Britania e Madhe, e bën Turqia, e cila e ka transformuar të gjithë sistemin shëndetësor vetëm përmes partneritetit publik-privat dhe këtë e bëjmë dhe ne.
Laboratorët e analizave në Shqipëri janë të kohës që s’mbahet mend. Sot, ne do të kemi laboratorë modernë, që bëjnë një gamë analizash shumë më të gjerë dhe për të cilat, shqiptarët që do të bëjnë analiza nuk do të paguajnë as edhe një qindarkë më shumë.
Mund të thoni ç’të doni, po mos thoni se paratë e buxhetit i çojmë për privatin. Ne, me paratë e buxhetit shlyejmë investimet e privatëve, që ju shërbejnë qytetarëve falas. Hemodializën, – partia juaj që është për hemodializë duhet ta ndjejë këtë gjë, – ju e bënit në një vend, në Tiranë dhe paguanit 90 euro nga buxheti për një seancë. Njerëzit nga Korça, nga Malësia e Madhe, nga Tropoja, nga Konispoli, vinin në Tiranë tre herë në javë për hemodializë, merrnin edhe familjarë me vete se nuk mund të vinin vetëm, paguanin edhe shpenzimet e udhëtimit e rrinin këtu me tre turne.
Tani, çdo seancë hemodialize paguhet 10 euro më pak nga shteti. Investimin e ka bërë privati e me pagesën që ne bëjmë, shlyejmë investimin për 7 vjet. Mbas 7 vjetësh, gjithë infrastruktura do të jetë e shtetit. Përfituesi është qytetari. Prandaj ndryshimi midis koncesioneve tuaja që u përmenda është se me koncesionet tuaja fitonte e fiton sot akoma privati, jo duke marrë lekë nga buxheti i shtetit, por duke shfrytëzuar infrastrukturën e shtetit, për t’ju marrë lekë qytetarëve për shërbimin që shteti ka detyrim t’ia japë. Me këto që kemi bërë ne, fiton qytetari, sepse shërbimin e merr shumë më cilësor, shumë më të sigurt, pa ngarkesë në xhepin e tij dhe sigurisht, shteti do paguajë, por do paguajë investimin. Historia e katër vjetëve do jetë kjo dhe Shqipëria pas katër vjetësh do jetë më afër se kurrë Bashkimit Europian, jo thjesht në pikëpamjen e ecurisë së procesit të integrimit, por në pikëpamjen e shërbimeve për qytetarët.
* * *
Ka një dallim themelor në filozofinë e dhënies së koncesioneve. A mund të më thoni, sa e keni vënë në kontratë kilovatin për hidrocentralin e Ashtës? Në kontratën tuaj me kompaninë austriake për hidrocentralin e Ashtës keni marrë përsipër të paguani nga buxheti, 100 euro kilovatin. Më tregoni një hidrocentral, një të vetëm që keni dhënë koncesion dhe nuk keni marrë përsipër riskun, me tarifën e garantuar nga buxheti i shtetit. Ajo që thatë, ne kemi dhënë koncesione që është edhe risku i privatit, në fakt është e pavërtetë dhe këtu është dallimi.
Më tregoni një koncesion në energji, ku qeveria jonë ka marrë riskun e privatit. Vini këtu dhe tregoni përralla. Të gjitha koncesionet tuaja në energji janë me tarifë të garantuar nga shteti, dmth e shite, s’e shite, shteti të paguan. E paguan me lekët e shqiptarëve. D.m.th, lekët e shqiptarëve shkuan për të paguar hidrocentrale që mund të mos arrijnë dot të shesin prodhimin e tyre. Kush fiton këtu? Fitojnë privatët apo jo?
Më tregoi një koncesion të energjisë të dhënë nga qeveria jonë, ku ne kemi garantuar tarifën me lekët e buxhetit. Ju e keni garantuar privatin me tarifë fikse. Sido që të shkojë tregu i energjisë, sido të shkojë çmimi i energjisë, ju i jepni lekët privatit. Del, s’del në treg, fiton, s’fiton, është “lopa shtet” që e ushqen atë. Kjo është filozofia e koncensioneve që keni dhënë ju. Ne, përkundrazi, ju kemi dalë përballë atyre e ju kemi thënë, nuk ka më koncesion për të ndërtuar hidrocentral dhe shteti të garanton shitjen.
Kush e liberalizoi tregun e energjisë, ne apo ju? Ju të djathtët, apo ne komunistët? Treg energjie më të mbyllur, më qesharak dhe më pa të ardhme sesa latë ju, nuk besoj se do ta ketë lenë kush tjetër nga mbrapa, në asnjë vend në zhvillim. Ne e kemi filluar liberalizmin dhe do ta çojmë deri në fund.
Pse betejat në gjykatë, privatët nuk i bënë me ju, por i bëjnë me ne? Sepse ju kemi thënë, nuk ju japim lekët e buxhetit për riskun e investimit tuaj. Sepse ai është treg, nuk është një shërbim publik, i cili duhet garantuar nga shteti. Risku i tyre është nga koncesionet që kanë marrë nga ne, jo nga ju. Me ju ata janë të garantuar. Luli thotë se risku i koncesioneve tona është tek privati. Çfarë risku ka marrë ai që ka marrë kolaudimin automjeteve?
Lulit nuk ia marr për keq, se Luli nuk ka bërë asnjë punë në jetë dhe nuk e di si bëhet puna e nuk kupton ku lidhen gjërat. Ju jeni në rrugën e degradimit të përditshëm. Jeni një ndërmarrje e falimentuar që kërkon treg, por treg nuk ka.
More përsipër të më bësh mua gënjeshtar, unë nuk them “gënjeshtar” se nuk e kam zakon të fyej, por që ti gënjen dhe gënjen sikur këndon, kjo është e sigurt. The se sterilizimi është bërë me fondet e Këshillit të Europës, kemi marrë kredi nga KE 15 milionë, – i futi edhe një të rrumbullakosur, – për të bërë sterilizimin e mjeteve spitalore. Ju ndërtuat një godinë spitali me dy kate bosh, ku sot, ne po përgatitemi të fusim një shërbim tjetër dhe në atë paketë ishin 1.2 milionë për sterilizimin, jo 15, vetëm për centralin e sterilizimit të QSUT-së.
Çfarë ndodhi?
Në 2010 filloi ky projekt. Ju e morët atë kredinë për të ndërtuar spitalin me dy kate bosh dhe për centralin e sterilizimit. Tre vjet, instrumentet e sterilizimit që bletë, mbetën në qese. Ishin amortizuar pa u hapur qesja. Është, apo nuk është kështu Tritan? Midis kolegëve të tu dhe kryetarit të tënd duhet të zgjedhësh të vërtetën.
Ju thoni ne morëm nga KE 15 milionë euro për ju dhe ky mori një privat e futi që të shfrytëzojë ato që ne ndërtuam për sterilizimin. Ju e latë spitalin me dy kate bosh në degradim, i latë instrumentet e sterilizimit në qese. Ju nuk e ndërtuat kurrë të vetmin central sterilizimi. Ndërkohë që 20% e 50 mijë shqiptarëve që shkojnë bëjnë operacion dhe jo sipas meje, por sipas OBSH-së, kalojnë infeksione post-operatore për shkak të mungesës së sterilizimit. Për çfarë duhet t’ju besojë njeri juve, kur ju një parti që ua bëri kush ua bëri, e vetmja gjë që mësuat nga Saliu ishte si të shkatërroni partinë tuaj. Asgjë tjetër.
Ne me privatin do të ndërtojmë 17 centrale sterilizimi. E para, nga 1 në 17 është diferencë e madhe. E dyta, privati investon 8 milionë. E treta, centrali i sterilizimit nuk amortizohet nga përdorimi në harkun e viteve që ne shlyejmë investimin. Kemi qenë bashkë Tritan, në ingaurimin e një spitali dhe më ke thënë se është shpëtim ardhja e instrumenteve mjekësore për sallën e operacioneve, sepse ishte më të vërtetë keq.
Po ashtu, shumë e rëndësishme është, a marrin shqiptarët kontroll falas? E marrin kontrollin mjekësor falas dhe shyqyr që ka njerëz që e bëjnë e na gjykojnë neve që flasim këtu. Ndërkohë dëgjova një shprehje fantastike, laboratorin e analizave nuk e keni në mjedise publike. Çfarë do me thënë kjo? Laboratori janë aparaturat, nuk janë muret. Laboratori kryen një funksion në momentin kur i kalon shtetit, shteti e merr dhe e akomodon diku tjetër.
Ku e keni dëgjuar këtë lloj çudie, që privati u dashka të ndërtojë një sistem alternativ mjekësor shërbimi dhe jo të shfrytëzojë sistemin tonë të shërbimit për një shërbim që e financon privati, por që është publik.
Ndërkohë që sterilizimi ka në krye një ekip specialistësh italianë vetëm për trajnimin e personelit dhe nuk e paguajmë ne, por e paguajnë ata, është investimi i tyre.
Ajo që ka rendësi është se përmes këtyre proceseve, shqiptarët shërbehen më mirë. Me paratë e buxhetit që funksionojmë ne sot, funksiononit ju dje, do të funksionojmë ne nesër, – se ju nesër nuk do vini, po nuk e dhatë me koncension PD-në. Ky është thelbi i çështjes dhe investimi ju mbetet shqiptarëve, pra, edhe shërbimin e marrin shqiptarët dhe investimi ju ngelët shqiptarëve.
Çfarë risku mori përsipër “Rapiscan” për skanimin? Vuri ca skaner atje dhe jo vetëm për mallra që kalojnë në skaner, por për çdo mall që hyn në Republikën e Shqipërisë paguhet fatura, edhe kur s’ka skaner fare. A nuk i nxjerrin shqiptarët këto lekë nga xhepi? E lekët i merr privati, Shqipërisë i mbetet asgjë.
Kjo është diferenca e madhe midis nesh dhe jush. Është filozofike, nëse privatin e përdor si potencial investimi për të përmirësuar shërbimet për publikun, apo nëse me privatin ndërton një partneritet, ku publiku paguan nga xhepi vet.
Të dali një shqiptar dhe të thotë, bëra hemodializën e pagova nga xhepi im; Të dali një shqiptar të thotë, operova prindin, apo linda një fëmijë në maternitet dhe pagova për instrumentet mjekësore; Të dali një shqiptar të thotë, se çfarë paguan direkt si pasojë e këtyre partneriteteve. Zero! Ndërkohë që mbulimi nga buxheti është normal, është shlyerje investimi për një shërbim publik. Ne kemi koncensionuar funksione, të cilat bëhen më mirë dhe do të bëjmë të tjera.
Këto janë ndryshimet e mëdha.
E fundit, Lulëzim, mos e imito Saliun edhe kur bën referenca, jo Këshilli i Evropës, jo Bashkimi Europian, policia angleze, shërbimi sekret indian, sepse ka një ndryshim shumë të madh midis teje dhe Saliut, ai është origjinali, ti je kopja e vogël që nuk rritesh dot.
* * *
Me kujtohet një protagoniste e PD-së që dilte në konferencë shtypi dhe thoshte Edi Rama, ka filluar numërimi “tik–tak, tik-tak”. Ku është ajo? Do vijë dita Lulëzim, që do pyes, ku je? Prandaj mos numëro mbrapsht shumë.
Fole për hotelet me 5 yje. U detyrova dhe i kërkoj ndjesë personit që i përmenda emrin. Kurrë, as në opozitë, as në qeveri nuk kam marrë nëpër gojë sipërmarrës të këtij vendi, që paguajnë kontribute të mëdha për buxhetin, që krijojnë punësim dhe që natyrisht ndikojnë në rritjen jo vetëm ekonomike, por dhe sociale të Shqipërisë.
Sa për kullat e Tiranës, Zamir Mane është pastrues parash të drogës, Lulzim?
Shefqet Kastrati është pastrues parash të drogës?
Bashkim Ulaj është pastrues i parave të drogës?
Ram Geci është pastrues i parave të drogës?
E për një çudi të rastësisë janë të katërt votues dhe mbështetës të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Nëse ke ndonjë kullë tjetër në mend, thuaj këtu kush ka ndërmend ta ndërtojë dhe ta diskutojmë. Këto 4 emra që të dhashë, janë njerëz që kontribuojnë në zhvillimin e këtij vendi, janë taksapaguesit më të mëdhenj të Republikës së Shqipërisë, kanë vënë pasurinë kur ti ishe akoma në Holandë dhe nuk guxon ti dhe partia jote t’i marrë nëpër gojë, se ju është bërë gjuha “drogë, drogë” sikur e merrni nga mëngjesi deri në darkë drogën dhe s’dini çfarë flisni. Nuk ka nevojë të më shkelësh syrin, po thuaj, Zamir Mane është pjesë e kësaj skeme pastrimi, e kësaj PPP-së tënde?
Sheqet Kastrati është pjesë e kësaj PPP-së?
Bashkim Ulaj është pjesë e kësaj PPP-së, apo është Ram Geci?
Kush nga këta të katërt, se këta të katërt di unë që kanë bërë kërkesa për të ndërtuar dhe t’i ndërtojnë me patjetër. Kurrë nuk i kam prerë rrugën dikujt që do të zhvillojë këtë vend, që do të ndërtojë në këtë vend, që krijon punësim në këtë vend, duke i treguar flamurin e partisë, apo duke i treguar derën mbrapa.
Këtu flitet sigurisht për politikë. Këtu sigurisht debatojmë. Sigurisht ti të synosh të vish këtu, por mbi ty dhe mbi mua, është Shqipëria. E Shqipëria janë njerëzit që i japin ekonomisë, njerëzit që punojnë qoftë si sipërmarrës, qoftë si punëtorë të thjeshtë. Është skandaloze që kryetari i një partie që i thotë vetes partia e djathtë, partia e sipërmarrjes, partia e iniciativës së lirë, partia e Shqipërisë pa rregulla strikte, del këtu edhe të mbiu droga në gojë, sikur jeni të tërë nën efektin e drogës kur flisni dhe flisni për Shqipërinë, jo për mua. Për mua thoni çfarë të doni, i keni thënë të gjitha e vazhdoni të thoni, skam asnjë problem. Unë problemin e kam kur ju cenoni drejtpërdrejtë këtë vend, duke cenuar njerëzit e këtij vendi, përpara të cilëve, ti dhe unë duhet të rrimë me respekt. Se në fund të fundit, ne paguhemi nga taksat që vijnë edhe prej kontributit të tyre, në radhë të parë.
Përmende Bulqizën disa herë. Pyete shokun tënd, Zamir Mane, për investimet në miniera, pyete për sigurinë në miniera, për ndryshimin rrënjësor që ka ndodhur atje. Pyete edhe për shkollën profesionale të të rinjve që mësojnë zanatin e natyrisht, pyete edhe për fëmijët dhe çfarë do të thotë ai.
* * *
Pse nuk jep përgjigje për atë që të pyeta përpara gjithë shqiptarëve, pasi u the që kullat në Tiranë po ndërtohen me paratë e drogës. E the përpara gjithë Shqipërisë dhe unë të solla emrat e atyre që po i ndërtojnë. Eja këtu e jep përgjigje se kjo historia jote që nuk i përgjigjesh pyetjeve nuk është mirë, jo për ty, por nuk është mirë për këtë parti, që t’i gabimisht drejton sot.
Diku në këtë grup është një person që ka marrë pjesë në ndërtime dhe ka qenë edhe ortak me një prej personave që përmenda unë. Me këtë teori, unë duhet të çohem këtu e të akuzoj atë, të të akuzoj ty, të akuzoj PD-në. Ç’është kjo bisedë e ç’është ky llum ku nuk kurseni dhe nuk kursen asgjë! Nuk kursen as vendin tënd. Shqipëria është me rreth të zi, – thua. Si mund ta thotë këtë, një person që synon të qeverisë këtë vend! Shqipëria është e bllokuar e do të mbetet e bllokuar, – thua. Si mund ta thotë këtë, një person që synon ta qeverisë këtë vend e mbi të gjitha, si mundet një person që synon të qeverisë këtë vend të kriminalizojë këdo që i del përpara! E ka bërë Saliu këtë e po ta përsëris, mos e imito se nuk ke shans të kesh sukses. Ai është origjinali, ti je kopja.
Thua, “e kam me adminstratën”. Po pse, administrata po i ndërton kullat? Thua, pse rritet ndërtimi. Shko pyeti e dëgjoi të ta thonë ata, pse rritet ndërtimi në Shqipëri, të ta thonë ata se ekonomia në Shqipëri është në rritje. Pyeti e të ta thonë ata, pse sot, bankat kanë 10% më pak kredi të këqija. Pyeti e të ta thonë ata, që për gjithçka mund të bëhen vërejtje, por janë botërisht të njohur si mbështetës të Partisë Demokratike dhe të tutë. Këta janë ndërtuesit më të mëdhenj në Shqipëri, që po ndërtojnë sot. Të tjerët, kur të vijnë të kërkojnë, do të t’i prezantoj me emra.
Nuk jep dot, një herë, një përgjigje direkte për një pyetje direkte, por vazhdon “la voce del padrone”, rrotullohet gramafoni dhe e njëjta këngë. Fut diskun dhe atë gjilpërën sipër e rrotullohu, normal që nuk të del muzika dhe të mbaron gjithmonë para kohe.
Më thua se kam katër javë që nuk flas për Saimir Tahirin. Çfarë të flas për Saimir Tahirin? Nuk është detyra as e imja e as e jotja, është detyra e atyre që po e hetojnë e nuk të ka caktuar njeri ty të bësh as gazetarin, as prokurorin, as gjykatësin dhe as gjykatën supreme. Por e bën, sepse jo e vërteta, por pushteti është e vetmja gjë që të intereson dhe për pushtetin je në gjendje ta bësh llum çdo gjë. Je në gjendje të bësh gjithçka, që të fusësh llumin në veshin e çdo njeriu, me të vërteta, gjysmë të vërteta, të pavërteta, çfarë të jenë.
Jemi shumë ndryshe. Ne dhe ju. Unë dhe ti. Ilir Beqja të ka ftuar të shkosh të provosh në gjykatë, atë që ke thënë për të dhe avokati thotë
“këto janë politike, nuk ka gjë Luli me Ilirin”. E mbrohesh tamam si skuthat, me statusin e gazetarit. Gazetar je, që po të shkelet e drejta e fjalës? Bën akuza penale, kriminalizon çdo njeri që të del përpara e pastaj mbrohesh si gazetar.
Unë kam qenë, jam e do jem ky. Unë bashkëpunëtorët i besoj të gjithë dhe mbroj deri në fund idetë që ndajmë, punën që bëjmë, por unë nuk jam avokati i asnjë bashkëpunëtori. Kush prek në dërrasë të kalbur, të shkojë e të përgjigjet aty ku duhet të përgjigjet çdo njeri që ka besimin publik dhe prek në dërrasë të kalbur. Unë nuk e bëj dot për askënd, atë që bëri Saliu për ty, kur u akuzove dhe u shmange me raport mjekësor e nuk u paraqite fare. Ndërkohë merrte fjalën këtu e në çdo fjalim të mbronte e jo kur ishe i akuzuar nga opozita, ajo është gjëja më normale që mund të bëjë një kryeministër, por kur ishe i akuzuar nga prokuroria, që është gjëja më anormale që mund të bëjë një Kryeministër. Unë nuk e kam bërë kurrë dhe s’kam për ta bërë kurrë.
Unë kam opinionet e mia për prokurorinë, për mënyrën si vepron, kjo është çështje tjetër. Kam folur vetëm për qëndrimin në Këshillin e Mandateve të Partisë Socialiste, se e kam pasur për detyrë të shpjegoj qëndrimin dhe aty ka mbaruar detyra ime në raport me atë çështje. Ajo çështje i takon hetimit, i takon drejtësisë, i takon atyre gazetarëve që dinë të bëjnë investigime, por nuk të takojnë ty, as partisë tënde.
Jemi këtu për buxhetin. E ke marrë fjalën 5 herë, nuk ke thënë asgjë se çfarë mendon ti, sesi e shikon ti të ardhmen e këtij vendi, sesi mendon ti se mund të dalin nga varfëria më shpejt ata njerëz që i merr e i përdor si mish për top, se varfëria e tyre nuk të intereson fare. Nuk di, a ke vajtur ndonjëherë në Bulqizë, ose mund të kesh vajtur tek sheshi për të bërë ato mitingjet e republikës së re.
Më thua edhe se kanë ardhur të të mbikëqyrin. Po kush i solli ata? Jam unë që kam vajtur deri në Washginton e kam kërkuar marrëveshjen me FBI-në, apo je ti? Jam unë që thosha se do vijë FBI-ja këtu e ju thoshit, kurrë, nuk ka punë FBI-ja të vijë. E do vijnë e po vijnë dhe të tjerë, sepse i kam kërkuar unë, për të luftuar pa parë njeri fare, kush të jetë, kush të dali, majtas, djathtas, apo majtas-djathtas, djathtas-majtas, sipas zgjedhjeve. Kush të dali e deri në fund do t’i shkoj kësaj historie, këtij llumi që përhapet çdo ditë këtu, vetëm për një qëllim, as për të luftuar krimin, as për të luftuar korrupsionin, as për të mbrojtur të varfrit, as për të marrë më shumë nga të pasurit, por thjesht për një karrige.
Mos godit Shqipërinë. Shqipëria janë këta njerëz që kontribuojnë për të ardhurat e buxhetit me taksat e tyre, për të rritur punësimin, për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve dhe për të realizuar investimet që bëhen në këtë vend, publike apo private, apo publik-privat. Ti kohën e piramidave e mban mend mirë, por ndryshimi midis nesh e di kush është? Sikur atë Ali-Mucën që del në përgjimet e Habilajve ta kishte kushëri vjehrra ime, ti këtu do kishe bërë namin e zi. Unë nuk ta kam përmendur kurrë dhe s’ta përmend. Ky është ndryshimi.