Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në takimin publik me banorë të Korçës, “Bashkia që duam”: 

Mirëmbrëma! Shumë faleminderit! Më vjen shumë mirë që jemi sot këtu në Korçe për të çelur një cikël kombëtar takimesh publike “Bashkia që duam”, dhe ashtu siç e tha miku im dhe bashkëpunëtori i çmuar dhe kryetari i bashkisë që pavarësisht se ja ka lënë stafetën Sotiraqit do të mbetet kryetari i bashkisë që i hapi rrugën ndryshimit. E nisëm nga këtu, sepse këtu kemi një nga modelet rrezatuese të suksesit, të shpresës dhe të së ardhmes së bashkive tona.

Kjo falë një vizioni, falë një programi, falë një lidershipi dhe falë edhe një skuadre që kemi krijuar në sinergji të plotë, mes bashkisë se Korçës dhe qeverisë, në Tiranë.

Po shikonim disa të dhëna sebashku me Nikon dhe Sotiraqin, apo siç i thoni ju me Raqken, dhe një shembull shumë i thjeshtë dhe besoj shumë kuptimplotë, për drejtësinë e vizionit tonë për Rilindjen Urbane që këtu në Korçë ka gjetur nga terrenet më pjellore, është xhiroja vjetore e bizneseve.

Në vitin 2014 kemi patur një xhiro vjetore biznesesh që mezi ja arritën 10 milionë dollarë. Sot, kemi një xhiro vjetore biznesesh mbi 30 milionë dollarë. Kemi një xhiro vjetore biznesesh të trefishuar dhe kemi 1300 biznese te reja të hapura këtu në Korçë. Ndërkohë që, përpara disa vitesh ne Korçë mund të vije, por ishte shumë vështirë të flije, sot nuk mund ta kuptosh dot që të vish në Korcë dhe të mos flesh në Korçë, dhe kjo është dhe një shtysë e madhe, jo vetëm për çka ka ndodhur dhe çka po ndodh çdo ditë.

 Çdo ditë janë rindërtim, bujtina, hotele te vogla, struktura mikpritjeje, që na bëjnë te besojmë që në mandatin tjetër të zotit Sotiraq, ne do të kemi përsëri një rritje të xhiros dhe të biznesit, edhe më të madhe se kjo e këtyre 4 viteve. Edhe më të madhe për një arsye tjetër. Sepse jo vetëm ajo që ndodh në qytet, por edhe ajo që ka filluar të ndodhë, dhe do ndodhe intensivisht rreth qytetit, në zonën e fshatit,  do të bëjë që të fuqizohet shumë struktura e ekonomisë së turizmit. Do bëjë që ekonomia bujqësore të krijojë një sinergji të re dhe një lidhje të re me ekonominë e turizmit. Do të bëjë që pikat e referimit të shtohen në mënyrë shumë të ndjeshme, jo vetëm duke patur parasysh disa nga fshatrat që janë perlat e kurorës të Shqipërisë rurale, por edhe numrin e agroturizmave që do të ndërtojnë sebashku në vitet ne vijim.

Sot, unë jam këtu jo për rastësi me ministren e shëndetësisë. Sot kemi parë maternitetin e ri të Korçës. Kush është këtu nënë dhe ka kaluar nga materniteti i vjetër e di se cfarë ka hequr, por ky maternitet i ri ja vlen që të shkoni dhe një herë në maternitet. E për disa arsye, nga të cilat unë nuk ka nevojë tua them te gjitha. Por ama mund t’ju them që së pari, shërbimi është fantastik. Së dyti, falë ecurisë pozitive që kemi pasur, tani bebet vijnë me lekë me vete.

Sot kemi qene atje dhe kemi takuar disa nga bebet që kanë ardhur me lekë me vete dhe nuk është pak, se është jo vetëm çështje, por dhe çështje frymëzimi dhe çështje solidariteti, duke i parë të gjitha ato nëna që kishin në krahë evlatet e rinj dhe kishin në krah evlatet me ceqet nëpër djepe. Nuk po ju them dhe arsyen tjetër që është themelorja pse duhet shkuar në maternitet, por nëse ju do bëni dhe një xhiro këtej nga materniteti do të kemi në të ardhmen korçarë dhe korçarka të bukura, për të cilat ka nevojë, jo vetëm Korça, por e gjithë Shqipëria!

Ndërtimi i maternitetit te ri është një nga gjerat por ndërkohë në spitalin e Korçës kanë ardhur dhe 15 specialistë të rinj. Pra, boshllëku i madh i krijuar në vite për shkak të një absurditeti të ndodhur para se ne të vinin në qeveri, ku u mbyllën specializimet, dhe që solli një rënie dramatike të numrit të specialistëve dhe te vetë numrit të shërbimeve të specializuara në spitale jashtë Tiranës, tanimë është duke u mbushur pasi rihapja e specializimeve me qëllimin tonë, ka bërë që tani të kemi numrin e nevojshëm të specialistëve për ti çuar në të gjithë spitalet e Shqipërisë. Dhe faktikisht Korça që e ka patur problem te madh çështjen e specialisteve, sot ka një ndërthurje të shkëlqyer gjeneratash mes specialistëve më të vjetër që janë këtu dhe specialisteve të rinj që kanë ardhur dhe do të plotësojnë të gjitha nevojat e spitalit për shërbime, duke bërë që të mbaroje historia e udhëtimeve për në Tiranë për të lindur një fëmijë apo për të marrë një shërbim të specializuar.

Nga ana tjetër, sot është me mua dhe ministrja e arsimit. Kemi patur një takim me studentët ekselente të Korçës dhe është një mesazh për të gjithë studentët, dhe për të gjithë prindërit që për fëmijët që dalin mirë me mësime, ne tanimë kemi hapur një rrugë të re trajtimi me punësim. Dhe kështu adresojmë dy çështje njëkohësisht: Nga njëra anë çështjen e atyre që dalin mirë me mësime, dhe për shkak të 1001 arsyeve,  por ne radhe të parë për shkak të mungesës së meritokracise në shumë vite, e kanë të pamundur që të hapin derën e administratës. Dhe nga ana tjetër, mbyllim derën e administratës për shumë nga të paudhët dhe zuzarët që e bënë rrugë që të futeshin në administratë përmes klientelave partiake, përmes tarafeve, përmes ryshfeteve, e kështu me radhë.

Për të gjithë studentët më të mirë ne do të garantojmë punësim të drejtpërdrejtë. Punësim të drejtpërdrejtë nëpërmjet rezultateve të tyre në universitet, pa konkurs, pa vendimmarrje nga drejtorë, pa vendimmarrje nga ministra, po me një vendimmarrje automatike nga platforma e kompjuterizuar që merr kërkesën, bën klasifikimin në bazë të rezultateve dhe kush është i pari, zgjedh i pari. Kush është i dyti, zgjedh i dyti. Dhe kështu për 800 vendet e para të punës në administratë,  ne do të kemi 800 vajza dhe djem që kanë mbaruar universitetin me nënta dhe me dhjeta. Pastaj do të hapim vende të tjera dhe të të tjera dhe kështu do i japim mundësi atyre që mbarojnë me nota të mira që të mos thonë “nuk më gjen punë Shqipëria dhe unë po iki”, por të thonë “Jam krenar për prindërit e mi, jam krenar për rezultatet e mia, jam krenar për vendin tim që më jep mundësinë të punoj këtu ku dua dhe ku e meritoj”!

Sot është ftuar dhe Ministrja e Kulturës. Ajo ka drejtuar programin e “100 fshatrave” dhe ndërkohë në Korçe, mos të harrojmë, është vendi ku kemi ndërtuar një nga muzetë më të bukur në rajon, muzeun e artit mesdhetar. Sapo është ndërtuar dhe muzeu i Gjon Milit.

Do të vazhdojmë me muzealizimin e objekteve në Voskopojë dhe në fshatrat e tjera të “100 fshatrave”, por më e rëndësishmja akoma, është se përmes nxitjes së kulturës, përmes nxitjes se projekteve dhe te sponsorizimeve dhe të financimeve të përbashkëta për trashëgimin kulturore, ne do t’i japim një shtysë të re turizmit, duke shtuar arsyet për të ardhur në Korçë, duke shtuar arsyet për të shkuar në çdo vend te Shqipërisë kudo ku ka trashëgimi kulturore, kudo ku ka gjera të bukura për të parë dhe për të shijuar.

Thënë këto, unë besoj, se jemi këtu në kushtet kur mund te themi që Korça, bashkia e Korçës ka ofruar një model spektakolar pune dhe marrëdhëniesh me qytetarët.

Sot kemi vizituar ndërtesën e re te bashkisë. Nuk është çështja, siç e tha dhe vetë kryetari, e një ndërtesë që ka zyra më të mira për nëpunësit, por i një ndërtese që është e tëra në dispozicion te qytetareve. Ashtu sikundër, kemi vizituar hapësirat e reja të bibliotekës se Korçës, ku ne po diskutojmë për të parë dhe një marrëdhënie institucionale me bibliotekën kombëtare, pasi është në një hapësire fantastike. Muzeu i ri i arteve te Korçës, aty ku sot janë mbledhur bashkë të gjitha ato struktura, këshilli i qarkut dhe kështu me radhë, dhe kemi folur dhe për transformimin e infrastrukturës së universitetit e Korçës, konviktit, kampusit në mënyrë që të vazhdojmë të krijojmë hapësira dinjitoze siç është dhe kjo hapësirë këtu që  flet shumë.

E besoj se këtu në Korçe nuk ka nevojë të flasim shumë, por mjafton të tregojmë, për të bërë dallimin mes nesh, – që kemi bërë sa kemi mundur, nuk kemi bërë sa kemi dashur dhe duam dhe do të bëjmë më shumë akoma, – dhe atyre që vijnë vërdallë nëpër Shqipëri, duke predikuar një përmbysje dhe në fakt duke ëndërruar një rrëmujë. Dallimi është shumë i thjeshtë. Ju kujtohet si ishte ky vend ku jemi këtu? Ishte siç janë ata. Ndërsa sot, jemi këtu në vendin që mishëron ne. Ne jemi kështu. Ata janë siç ishte këtu. Tani, të shkosh pas atyre do të thotë që ketë që është këtu, ta kthesh siç ishte. Ndërsa, të vazhdojmë përpara sebashku, do të thotë që, siç është këtu të bëhet kudo.

Kudo, ku ende është ashtu siç ishte.  Në Korçë, mjafton të ecësh dhe të kthesh kokën majta, djathtas kudo ka një shembull. Mjafton të kujtosh si ishte. Ta shikosh si është dhe të kuptosh ata janë siç ishte, ne jemi kjo që është.

Për ta bërë më mirë, s’mund të zgjidhen ata. Ne nuk kemi këtë problem, problemin si të zgjidhemi. Ne kemi problemin si të vazhdojmë të garantojmë që qytetarët të fitojnë më shumë. Ka një shprehje shumë të bukur që thotë “Fituesit merren me fitoren. Humbësit merren me fituesit.” Ne merremi me si do të fitojmë përsëri, për të fituar më shumë qytetarët, ata merren me ne!

Gjithë kohës, merren me ne! Dhe unë ju kërkoj ndjesë për mëkatet tona të se enjtes se e keni dëgjuar atë shprehjen “Kush fle me qenin, gdhihet me pleshta”. Ditën e enjte, duam s’duam shkojmë dhe futemi tek ajo kasollja e qenve. Kështu që, duam s’duam edhe ne me ta, edhe nganjëherë dukemi edhe ne si ata, por një gjë është e sigurtë. Ne nuk jemi si ata. Ne jemi ndryshe.

Sot këtu kanë ardhur disa miq që unë dua t’i thërras për të dëshmuar edhe njëherë  tjetër, që ne jemi komplet ndryshe. Janë disa miq që kanë vuajtur shumë, kanë vuajtur shumë për  të fituar të drejta të thjeshta. Por ama, që sot, pikërisht sepse ne jemi ndryshe, janë të drejta që pavarësisht se fitohen në vështirësi, fitohen. Ndërsa, deri dje me ta, as nuk  bëhej  fjalë. Kështu që, dua të ftoj këtu zonjën të marri fjalën dhe të tregojë me dy fjalë rastin e saj. Hajde pak të lutem! Mos ki emocione! Siç e shikon unë nuk jam aq i keq saç dukem në televizor, atje me atë që s’po ia përmend emrin, sepse jemi në Korçë dhe në Korçë është vendi  i parfumeve dhe jo i erërave të pakëndshme.

-Kam që në 2008-ën, kam bërë legalizimin e shtëpive, nuk kam marr asnjë përgjigje. Qëkur i jam drejtuar kryeministrit kanë filluar kartat. Tani pres të marr certifikatën. E falënderoj kryeministrin!

Kryeministri Edi Rama: Nuk e tha të gjithën. E di pse? Sepse kishte dy shtëpi pa leje. Kishte dy shtëpi pa leje dhe nuk i tha, po që në 2008-ën priste të bënte legalizimet,  dhe të merrte certifikatën. Në platformën “Shqiëpriaqëduam.al” u regjistrua. E faktikisht, jemi në kushtet ku një e drejtë e mohuar për shumë  vite është fituar për një kohe shumë të shkurtër.

-Unë jam gruaja e një polici të vrarë në krye të detyrës. Burri mu vra më 15 mars të 1997 dhe më la dy fëmijë. Djalin e madh në klasë të gjashtë  dhe të voglin në klasë të parë.  I rrita me sakrificë. Kryeministrit i dërgova një letër dhe këtë ju ma zgjidhët. Ju ia dërguat bashkisë tonë dhe bashkia ma zgjidhi hallin.

– Përshëndetje! Vij nga fshati Çaushli i bashkisë Maliq. Ne të gjithë si lagje kishim problemin me korrentin, na vinte shumë i dobët. Mendova do shkruaj tek platforma e bashkëqeverisjes. Nga ai moment mbas 3-4 ditëve që shkrova unë problemi u zgjidh. Faleminderit shumë!

Kryeministri Edi Rama: Kam menduar për gjithë komunitetin. Nuk po  ju marr kohë më shumë me raste që keni plot, po ju solla këto 3 raste këtu për t’u kujtuar për një fakt, që,  ne nuk kemi arritur akoma të ndërtojmë një sistem shërbimesh që eshtë ashtu siç ne e duam.

Bashkia e Korçës ka bërë një ndryshim të madh në këtë drejtim dhe është një shembull për tu marrë, por së bashku me Bashkinë ne do të vazhdojmë përpjekjen për t’i përmirësuar dhe për t’i kthyer në një sistem funksional të gjitha shërbimet.

Ama një gjë është e sigurtë, që ne nuk lëmë asgjë pas dore. Kushdo që na drejtohet përmes Platformës është një qytetar i zakonshëm nga qyteti, nga fshati, një njeri i panjohur, pa shpatulla të ngrohta, pa lekë për të harxhuar për të blerë të drejtën, pa parti nga mbrapa që e çon te burimi për të pirë ujë, por që ama ka forcën e të qenit pjesë e vizionit dhe e qëllimit tonë, që Shqipëria të jetë një vend ku njerëzit e zakonshëm zgjidhin drejtpërdrejtë problemet e tyre duke qenë bashkë krah për krah me qeverinë.

Ne kemi shumë të meta në qeverisjen tonë dhe ka shumë arsye për të na kritikuar, por, ama jemi e para qeveri që ka pasur ndonjëherë ky vend që nuk i thotë asnjë qytetari “plaç”, që nuk i kthen kurrizin askujt që është në nevojë dhe që bën atë që mundet në momentin kur qytetari troket dhe kërkon mbështetje.

Trokitja është vetëm një klik te www.shqiperiaqeduam.al ndërkohë që jemi të vetëdijshëm që e tillë duhet të jetë çdo trokitje në çdo derë të shtetit.

Nuk është akoma kështu, por, së bashku ne do ta bëjmë kështu. Kjo nuk ka diskutim! Së bashku ne do t’i japim çdo qytetari të gjithë dinjitetin dhe të gjithë forcën e të drejtës që ka dhe do të bëjmë që askush të mos guxojë t’ia mohojë këtë të drejtë, kur qytetari shkon në zyrat e shtetit.

Na është dashur dhe na duhet të bëjmë një operacion shumë të thellë. Kemi trashëguar një sistem të korruptuar, një sistem kanceroz dhe ajo që po bëjmë nuk është një fjalë goje, por është ndërtimi i një sistemi tjetër, një sistemi që funksionon për të drejtat dhe që i garanton ato brenda ligjit.

-Unë jam një biznes hotelerie që ka ardhur rishtaz në Korçë para 1 viti e gjysmë. U mahnita kur gjeta Pazarin e Korçës të transformuar ashtu, – jetoj dhe punoj në Tiranë, – u gjenda përpara surprizës kur kam parë Parkun Rinia të transformuar.. E njëjta gjë më ndodhi me Pazarin e Korçës. Ishte një surprizë e mrekullueshme sepse mendonim që s’do të kthehej më kurrë ajo situatë. Për ne si biznes ishte në terren i ndërtuar nga pushteti lokal dhe përkrahja e pushtetit lokal bëri që ne të vinim dhe të ftoheshim në mënyrën më të thjeshtë, përkrahja si morale, si reale, por me një terren të përgatitur tashmë. Patëm dyshimet tona si fillim, sepse është shumë e vështirë të marrësh dhe të ngresh leckat e të nisesh nga Tirana për të ardhur në Korçë, por gjetëm një qytet që bashkëpunimi mes biznesit, individit dhe pushtetit ishte shumë i shëndetshëm. Ka akoma rrugë për të bërë. Në subjektin tonë ka dy lloj turistësh që vijnë, turisti shqiptar i cili vjen nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, por nga viti i kaluar ka filluar shumë edhe turisti i huaj nëpërmjet agjencive. Një nga shqetësimet kryesore që hasim me agjencitë turistike shqiptare që bashkëpunojnë me ne është vështirësia e tyre, megjithëse Bashkia iu ka dhënë një ndihmë të madhe, duke i ftuar këto agjenci në qytetin e Korçës, problemi kryesor i tyre shpesh herë është rruga që ata duhet të bëjnë. Turistët vijnë me një 10-ditor maksimumi, të huajt e organizuar nga agjencia dhe një nga pretendimet që ata kanë, por që dashje pa dashje reflektohet tek ne, është bashkimi i Korçës me pjesën jugore të Shqipërisë sepse në 12 muaj të vitit udhëtohet Korçë-Berat-Gjirokastër dhe doja t’ju pyesja sa i mundur mund të jetë restaurimi i asaj rruge edhe për qytetin e Korçës, por dhe për turizmin gjeneral?

Niko Peleshi: Është e vërtetë që kjo rrugë do jepte një impuls shumë të madh, sepse do mbyllte një cirkuit turistik. Nuk mund të mos shkojnë në Berat dhe në Gjirokastër të gjithë të huajt që vijnë për turizëm, sidomos kulturor, në Shqipëri, sepse Berati dhe Gjirokastra janë 2 trashëgimi të UNESCO-s, por nëse shkon në Gjirokastër që të vish në Korçë pastaj është e vështirë, duhen më shumë se 4 orë në një rrugë që ka nevojë për ndërhyrje. Deri tani është bërë gjysma e rrugës Korçë-Ersekë, janë investuar 20 milionë euro. Kemi gati projektin dhe me shumë gjasa këtë vit do të fillojë rruga që e lidh Korçën me Ersekën, pra pjesa tjetër e rrugës. Kjo e shkurton rreth gjysmë ore. Na duhet pastaj të punojmë për ta çuar deri në Përmet dhe në Gjirokastër rrugën. Nuk ka nevojë të jetë një autostradë, sepse ajo është një rrugë shumë e bukur dhe duhet t’ia humbasim bukurinë duke e bërë shumë shpejt, por duhet të jetë në standard. Është një nga projektet që nuk mund të jetë një premtim për këtë vit, sepse është një investim i madh, por është një nga prioritetet që do të mbahet parasysh. Një pjesë ka filluar. Pra, rreth 20 milion euro tashmë janë investuar.

-Si nënë e dy fëmijëve që merren me sport unë do të bëj një kërkesë shumë të rëndësishme dhe shumë të fortë, për të cilën dua dhe një përgjigje pozitive. Ky qytet kaq i bukur nuk e meriton që të ketë pranë atë stadium të vjetër. Korça më shumë se kushdo e meriton atë stadium të bëhet, ashtu siç u bë Elbasani, Shkodra dhe Tirana sepse ekipi ynë “Skënderbeu” është një ekip që na nderoi ne jo si qytet, por të gjithë shqiptarët. Nëse përgjigja juaj është pozitive, për të cilën unë se vë në dyshim, ju s’do jeni kryeministri më i mirë i këtij qyteti, por do jeni njeriu që do qëndroni në kujtesën e këtij qyteti si ai që i dha stadiumin qytetit tonë.

Kryeministri Edi Rama: Me këtë që the në fund, që nuk e vë në dyshim përgjigjen time, çfarë të them unë tani? Por, kur kërkoi fjalën zonja, diçka më tha pamja, po s’më kujtohej dhe pastaj ma sqaroi Niko, që, zonja ka qenë në krye të protestës kundër pedonales dhe tani është bërë mbështetësja më e flaktë e pedonales. Ky është protestuesi që duam ne. Zonja është tamam protestuesja që duam dhe na duhet, protestues që na sfidojnë siç ka qenë rasti i zonjës, apo siç ishte rasti me studentët dhe protestues që na bëjnë që të nxjerrim edhe më shumë nga vetja dhe të bëhemi edhe më të mirë për njerëzit. Për sa i përket stadiumit, do fillojmë ndërtimin e stadiumit të Kukësit tani. Kështu që përveç Elbasanit, Shkodrës, Tiranës po nisim dhe Kukësin, por duke pasur Elisën deputete, që ka një dobësi të veçantë për “Skënderbeun”, ka mundësi që radhën pas Kukësit ta ketë “Skënderbeu”. Përtej shakasë, kjo në fakt lidhet edhe me planin këtu, se, në qoftë se e keni parë planin këtu, që është realizuar në pjesën më të madhe, plani ka edhe një hotel midis fushave dhe stadiumit që ne duam, shpresojmë, urojmë dhe do bëjmë çmos që të jetë një shembull për turizmin e nivelit të lartë, një hotel me 5 yje me të gjithë aksesorët dhe plani ka edhe rindërtimin e stadiumit. Kështu që, besoj që Korça e meriton nuk diskutohet, por edhe zona vetë është planifikuar e tillë dhe nuk mundet dot që në gjithë këtë transformim e modernizim të të gjithë kësaj pjese, ne të lëmë akoma për një kohë të gjatë stadiumin në atë gjendje që është dhe qesharake.

Kështu që me siguri që ne do të investohemi shumë seriozisht për ta rindërtuar stadiumin e për ta bërë një stadium model të standardeve të shijes që është vendosur këtu në çdo ndërtim të ri që bëhet në Korçë.

-Mirëmbrëma dhe përshëndetje! Jam një qytetare që kam punuar 25 vjet në Greqi. Ka 2 vjet që jam kthyer nga Greqia. E shikoj ndryshimin e Korçës si nata me ditën e për këtë gjë ju falenderoj të gjithëve, me gjithë shpirt e me gjithë zemër e të bëni akoma edhe më tepër për këtë popull. Problemi im zoti Kryeministër është ky. Si kam punuar 25 vite në Greqi, kam bërë një shtëpi në Tiranë, tek Kodra e Priftit. Ka dy vjet e gjysmë, mos them që po mbush 3 vjet, me ndihmën tuaj, mezi e kam marr lejen e legalizimit. E kam marr lejen e legalizimit, mirëpo më lindi një problem dhe një hall i madh që ta dijë tërë populli i Korçës, që unë po kurohem, jam e sëmurë dhe po rend zyrë më zyrë për të marrë tapinë e shtëpisë sepse jo që dua ta marr sa më parë tapinë mirëpo nuk kam lekë që të paguaj terapinë që bëj. Kam bërë aplikime plot, siç shkojnë aplikimet ashtu më kthehen.

Kryeministri Edi Rama: Të uroj me gjithë zemër të shkuara, por dëgjo. Nuk ka nevojë fare të shkosh zyrë më zyrë. Më ra goja, lërini zyrat, ju mjafton një tre minutësh në kompjuter, tek Shqipëriaqëduam, ço kërkesën, ço dokumentet dhe merremi ne me çështjen e brenda 10 ditësh do marrësh përgjigjen. Nëse të takon do marrësh letrën.

-Më fal kryeministër. E bëra edhe atë gjë. Unë nuk kam internet se jam në gjendje shumë të rëndë.

Kryeministri Rama: Aty nuk ka nevojë për lek, nuk paguan asgjë. Nuk ka nevojë të kesh ti internet. Mjafton të shkosh tani që flasim tek bashkia në Korçë, mos u lodh, mos u shqetëso, tek bashkia në Korçë, futu brenda, ka një sportel atje që bën këtë punë. Shko atje, të ndihmojnë ata dhe e bën nga Korça.

-Zoti Kryeministër, e bëra këtë gjë. Më kthejnë një përgjigje, më dërgo të gjitha kartat.

Kryeministri Rama: Të shkuara dhe pa merak këtë do e trajtojmë e do e zgjidhim patjetër. Kemi një nga ata djemtë që janë këtu, të vijë të të takojë e do i japësh emrin.

Përshëndetje! Ju falënderoj për pjesëmarrjen! Edhe kryetarin e bashkisë, për një punë të palodhur që ka bërë që ka arritur Korça këtu. Unë jam një kryefamiljare e divorcuar 55 vjeçe. Në 1 korrik ju kam takuar e më mundësuat një punë tek zyrat e punës ku punova për 4 muaj. Kam mbaruar shkollën e lartë, profili i agronomisë dhe masterin Zhvillim i Integrimit Rural. Ja u kam qarë hallin derë më derë kryetarit të bashkisë. Jetoj në një shtëpi me qera ku dit për ditë bëjnë masë dritat dhe mund të përvëlohem. Jam drejtuar kudo. Kam 2 muaj pa punë.

Kryeministri Edi Rama: Një pyetje kam vetëm. E pranon punën në privat apo e do në shtet patjetër?

-Po në shtet pra, unë jam 55 vjeçe. Në shtet sipas diplomimit që kam bërë.

Kryeministri Edi Rama: E pranon punën në privat apo në shtet dhe rashë e vdiqa?

-Zoti kryeministër, jo se e dua në shtet, por sepse ka hapësira në fshatra si specialiste fermere, që kryetari i bashkisë të më punësojë mua.

Kryeministri Rama: E pranon punën në privat apo e do në shtet patjetër?

-Në privat nuk e pranoj sepse jam me artrit.

Kryeministri Rama: Do me thënë do një punë në shtet që të mos punosh?

Jo të mos punoj. Punova 4 muaj atje. Nuk e përballova dot.

Kryeministri Rama: Po atëherë të shikojmë që të marrësh kempin.

Jo kempin. Kryeministër, ti ke thënë që gratë janë prioritet.

Kryeministri Edi Rama: Dakord! Këtë gjë ta shikojë kryetari i bashkisë. Unë di që nëse do punë në privat, unë ta gjej sot. Në shtet, nuk e di çdo bëjë kryetari i bashkisë.Kryetari i bashkisë do merret me këtë çështje. Nëse është e vërtetë që ka mundësi, nuk ka arsye pse mos të të japi prioritet si nënë e divorcuar, patjetër.

-Përshëndetje! Përfaqësoj një agjenci turistike në Korçë. Ka të njëjtën jetëgjatësi me pazarin e qytetit. Kur e nisëm ishte një risi dhe thamë do shkojmë sëbashku. Doja të pyesja se çfarë planesh ka bashkia për pista skish, që të shtojmë më tepër turizmin malor dhe sa afatgjatë apo afatshkurtër është aeroporti i Lumalasit sepse do doja më tepër të kishin lëvizje edhe qytetarët e Korçës dhe turistët gjithashtu.

Sotiraq Filo, kryetari i bashkisë Korçë: Faleminderit për pyetjen. Turizmi është një sektor prioritar për ne. Kemi bërë shumë deri më sot, por unë mendoj që ka akoma potenciale të pashfrytëzuara. Kemi disa projekte të rëndësishme, njëri prej të cilave është ndërtimi i një pistë skish. Ne kemi një pistë në Dardhë, por ideja është për të ndërtuar një pistë me kapacitet më të madh, e cila të ketë mundësi të akomodojë turizmin dimëror, jo vetëm të Korçës, por gjithë Shqipërisë. Kemi bërë një projekt, një studim fizibiliteti dhe besoj edhe me mbështetjen e qeverisë do ta realizojmë. Ndërkohë aeroporti i Lumalasit paraqet një potencial shumë të madh për të filluar aktivitetin sidomos tani në fillim, me fluturime turistike dhe sportive. Kemi vendosur një bashkëpunim shumë të mirë me Federatën e Aeronautikës të Shqipërisë. Kemi organizuar disa aktivitete dhe aktiviteti i radhës parashikohet të jetë në muajin maj dhe në rast se do të marrim masat e duhura, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Mbrojtjes që e ka në pronësi këtë aeroport, do të kemi mundësi në muajin maj të sjellim fluturimet e para të karakterit sportiv dhe turistik. Edhe prefekti i Korçës është njeri që e njeh shumë mirë këtë fushë dhe besoj se do bashkëpunojmë sëbashku me qeverinë patjetër sepse është një projekt që do mbështetje, nuk mund të realizohet vetëm nga ana e bashkisë dhe besoj që do ta vëmë në vijë.

Kryeministri Edi Rama: Tani unë për stadiumin mora përsipër që do ta fusim në vijë. Aeroportin e ka ky. Unë di që në fillim duhet të ndërtojmë Kukësin dhe Vlorën, ose Vlorën dhe Kukësi si të doni, por Kukësi është më i thjeshtë kështu që do fillojë më përpara. Me të ndërtuar Kukësin dhe Vlorën, patjetër radha mund t’i vijë Korçës, por e ka ky. Ky thotë e ka pa kosto, nuk e di për çfarë i duhet ndihma ime për një aeroport pa kosto apo vetëm mbështetje morale.

Unë ju falënderoj shumë. Ne do vijmë përsëri dhe ju siguroj që çfarë kemi bërë është shumë pak, në krahasim me çfarë do bëjmë për Korçën.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.