Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në pritjen e dhënë për mësuesit, me rastin e festave të fundvitit:

Më bëri përshtypje që kur filluan disa të flasin nëpër tavolina po shikoja vetëm burrat flisnin, ndërkohë që gratë këtu mbanin fjalët e tyre.

Burrat përmirësohen, por nuk bëhen! Prandaj të rrojnë gratë sa malet! Nën hijen e maleve të rrojnë dhe burrat.

Shumë faleminderit!

Është kënaqësi që jam këtu me ju, përsëri në një mbrëmje tradicionale tanimë për të festuar bashkë me mësueset dhe mësuesit më të dalluar të vitit, festat e fundvitit dhe për ta shfrytëzuar këtë moment për të shprehur drejtpërdrejtë – sepse nëpërmjet Tv besoj që e kemi shprehur mjaftueshmërisht – mirënjohjen për të gjithë ju! Në radhë të parë për të gjitha ju, pastaj për të gjithë ata, që janë këtu bashkë me ju, për punën e madhe që bëni në kushte që besoj janë më të mira se ç’ishin, por janë larg së qeni kushtet që duhet të jenë.

Jam shumë i vetëdijshëm që kemi ende shumë për të bërë për t’i garantuar kushtet që duhet të jenë. Ashtu sikundër, jam i bindur se çka kemi arritur në këto 3 vite e pak, është mjaftueshmërisht për të kuptuar se potenciali është i madh dhe mundësitë që ne t’ia dalim të krijojmë kushtet optimale për mësuesit dhe për fëmijët në shkolla, nuk na mungojnë.

Aleksandri i Madh thoshte për mësuesin e tij, Aristotelin: “Prindërit më dhanë jetën, por ishte mësuesi im që më bëri Perandorin më të madh të botës”.

Kjo është një ndër, ndoshta, miliona shprehjet kuptimplota që njerëzimi ka lënë në rrugën e historisë së tij, të shkruara për figurën e mësuesit.

Më kujtohet se në darkën e parë të kësaj tradite, kryefjala e asaj që u përpoqa të them ishte reforma në arsim, në radhë të parë si një instrument për të rikthyer dinjitetin e figurës së mësuesit.

Ishte një moment i vështirë me një trashëgimi të rëndë në një sistem arsimor të kapur për fyti nga borxhet dhe jo pak borxhe, por 35 milion dollarë; me 600 shkolla të konstatuara në rrezik shembjeje; me 177 mijë nxënës që merrnin mësim nga mësues jashtë profilit ose pa arsimin përkatës; me mbi 1 mijë tekste që ishin kthyer në makthin tuaj, në makthin e nxënësve, në makthin e prindërve dhe në një burim përfitimesh të pamerituara për të mos thënë të paligjshme për një grusht njerëzish; me mësues që jetonin me ankthin e të nesërmes, sepse ju jeni dëshmitarë dhe dëshmitare të faktit se askush nga ju nuk e kishe të sigurtë vendin e punës. Gjithkujt nga ju të nesërmen mund t’i vinte lajmi se duhet të transferohej në një shkollë tjetër, se duhet të lëvizte nga qyteti në një fshat të largët, me një mesazh të qartë për ta bërë të pamundur transferimin dhe për ta detyruar mësuesin ose të torturohej,  ose të jepte dorëheqjen në mënyrë që vendi i punës të hapej për dikë tjetër që nuk hynte nga dera e rrugës së konkurrencës dhe të meritës, por hynte nga dera e pasme e hapur për zarfet me para, e hapur për teserat e partisë, e hapur për fisin dhe farefisin.

Kjo ishte situata.

Me këto nuk po ju them që kjo situatë është përmbysur 100%. Por besoj që ju e ndani me mua bindjen, pavarësisht se për kë ju keni votuar dhe votoni, se sot, askush prej jush nuk e ka më këtë ankth.

Asnjërën dhe asnjërin prej jush këtu dhe askënd nga mësueset dhe mësuesit në Shqipëri nuk e kërcënon pasiguria se nesër në mëngjes mund të marrë lajmin se është i larguar nga puna apo është i transferuar brutalisht në një destination të pamundur.

Kjo nuk është pak. Por sigurisht që kjo nuk është ndonjë arsye që ne të mund të mendojmë se kemi bërë ndonjë mrekulli, sepse faktikisht kjo as nuk duhet të kishte ndodhur ndonjëherë.

Megjithatë, sot fakti që ju keni siguri në punë dhe nuk e keni këtë ankth të dikurshëm, është një bazë e mirë për secilën dhe secilin prej jush që të përpiqeni që punën që keni ta bëni sa më mirë pa parë majtas apo djathtas se kush do ju shpëtojë në rast rreziku.

Ashtu sikundër, ju jeni të gjitha dhe të gjithë dëshmitarë, siç janë dhe të gjithë mësuesit dhe mësueset e Shqipërisë që edhe pse në këto 3 vjet e pak ka pasur fushata elektorale, të përgjithshme, lokale, ose të pjesshme nuk ka ndodhur që t’ju vijë drejtori i shkollës, apo drejtorja e t’ju thotë: “Tani, mësimi duhet ndaluar, duhen marrë dhe nxënësit e duhet të nisemi për te sheshi se ka ardhur kryeministri, ose ka ardhur kryetari i Kuvendit, apo udhëheqësit që duhet t’i duartrokasim dhe duhet të mbushim sheshin sëbashku”.

Ashtu sikundër nuk ka ndodhur që në oborrin e shkollës të vijë një person politik dhe të bëjë propagandë për një parti, apo për një parti tjetër.

Nga ana tjetër, unë dua të ndaj me ju krenarinë që ju na keni dhënë me rezultatet e programit ndërkombëtar të vlerësimit, i njohur globalisht si një pikë referimi për politikëbërësit në të gjithë botën “PISA 2015”, ku rezultat e 15-vjecarëve, për herë të parë nuk ia ulën kokën Shqipërisë dhe nuk na e ulën kokën të gjithëve ne.

Kjo besoj është shprehje e drejtpërdrejtë e faktit se reforma duke filluar nga vendosja në vend e dinjitetit tuaj, në raport me shtetin e pastaj me një sërë gjërash të tjera, ka filluar të japë rezultate.

Unë jam i bindur se “PISA 2018”, kur Shqipëria do të jetë përsëri e përfshirë në program, do të sjellë rezultate edhe më të mira. Ashtu sikundër nuk e diskutoj se vajzat do dalin përsëri më mirë se djemtë.

Tre vjet më parë, ju paguheshit më pak dhe taksoheshit më shumë. Ju kujtohet besoj. Burrave mund të mos iu kujtohet tamam-tamam sepse llogaritë ua mbajnë gratë, por pjesës më të madhe këtu, që jo rastësisht janë gra, i kujtohet shumë mirë që për çdo muaj duhet të linin 10% të rrogës dhe pavarësisht rritjes së rrogës, taksa godiste buxhetin në mënyrë të përmuajshme.

Ne e hoqëm taksën 10% që faktikisht bënte që ju të paguanit më shumë sesa ministrja e arsimit. Faktikisht e rritëm në mënyrë modeste, por sidoqoftë e rritëm fuqinë tuaj blerëse. Ndërkohë që, për shkak të reformave, për shkak të daljes nga gropa e borxhit të madh që trashëguam dhe të vendosjes së shtetit, nga pikëpamja financiare, në binarë të qëndrueshëm, jemi të gatshëm që ta rrisim më tej rrogën tuaj.

Ju e keni marrë lajmin që për 31 mijë mësueset dhe mësuesit e Shqipërisë, nga 1 Marsi, rroga do të rritet me 10%.

Është një rritje e konsiderueshme, por jo e mjaftueshme.

Mbetet prapë sfidë që ne ta rrisim edhe më shumë, më tutje. Kjo është një sfidë që unë jam i bindur që do ta fitojmë, sepse reformat kanë filluar dhe na tregojnë se jemi në rrugën e duhur dhe faktikisht, ekonomia jonë rritet gradualisht, në mënyrë të qëndrueshme.

Sot jemi në një vit kur kemi të gjitha arsyet të besojmë se do ta mbyllim me një rritje 3.3, 3.4, 3.5%, që nuk është e mjaftueshme për atë që ka nevojë Shqipëria, nga pikëpamja ekonomike, që rritja të ndjehet konsiderueshëm në nivelin e shtresës së mesme dhe shtresës më të varfër, por është padiskutim e mjaftueshme për të kuptuar se sa rrugë të gjatë kemi bërë në kaq pak kohë, duke patur parasysh që u nisëm nga një rritje ekonomike midis 0 dhe 1%.

Dua t’ju them edhe se jemi duke përgatitur, para se të vija, – ndjesë për pak minuta vonesë sepse ishim në një takim për këtë çështje, – një program të veçantë investimesh në infrastrukturën rrugore, arsimore dhe shëndetësore.

Qëllimi është që, duke parë situatën aktuale të infrastrukturës arsimore, ne t’i rikonstruktojmë tërësisht dhe të ndërtojmë nga e para të 108 shkollat që janë në inventarin e nevojave të Ministrisë së Arsimit, me synimin që deri në vitin 2020 të mos ketë më asnjë shkollë, në asnjë pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë, që të mos të jetë e standardeve më të mira, njësoj si shkollat që sot konsiderohen me standarde më të mira.

Këtu folën disa mësuese, por është fakt që, po shkon në 3000 numri i mësueseve edhe i mësuesve, por ata janë më pak, që janë punësuar dhe po punësohen në arsim përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”.

Pavarësisht se çfarë thuhet e stërthuhet në mexhlisin tonë, – nganjëherë më shkon mendja: “Çfarë do bënit ju, sikur parlamenti të ishte një klasë dhe ju të ishit në vendin tim dhe të kishit mundësi të vlerësonit nxënësit përballë! Nuk e di çfarë do bënit. Mendja më thotë që do iknit pa vënë nota, – pra, pavarësisht se çfarë thuhet, fakti është që sot janë rreth 3000 mësues që janë në sistem, falë meritës së tyre.

Kur njerëzit janë në sistem falë meritës tyre, është krejt tjetër, nga kur janë në sistem falë elementeve të tjerë, jo vetëm sepse janë më të sigurtë, por sepse ndiejnë edhe një përgjegjësi tjetër, që, siç merita e tyre u vlerësua, ashtu të vlerësojnë meritën e të tjerëve, të nxënësve dhe të nxënëseve. Siç ata/ato u bënë mësuese falë dijeve, të kërkojnë që falë dijeve të përcaktohet edhe rezultati i nxënëseve.

Më vjen shumë mirë që numri i atyre që ngelin në klasë është rritur. Kjo tregon që ka filluar të funksionojë psikologjia  e meritës.

Sigurisht që nuk më vjen mirë për asnjë nga ata që mbeten në klasë, por me vjen mirë që nuk jemi më në kushtet kur s’kishte asnjë rendësi sa dije, sa nuk dije, çfarë thoje, çfarë nuk thoje, notat në të gjitha rastet merreshin.

Ajo që ndodhi me hyrjen në Universitet këtë vit është një tjetër tregues shumë i rëndësishëm i vullnetit tonë për ta çuar më tutje përpjekjen që përmes konkurrencës të përcaktojmë meritën, sepse kemi zgjedhur një sistem që imponon si rregull, konkurrencën.  Nëse konkurrenca nuk garantohet, sistemi nuk funksionon.

Ashtu sikundër po mbajmë mbi supe përgjegjësinë që të edukojmë një brez, i cili, nesër nuk do përballet me një fushë me lule, por do përballet me vështirësi të mëdha për t’ia dalë, siç përballet çdo vajzë dhe çdo djalë edhe në Gjermaninë e superzhvilluar edhe në vendet e tjera të zhvilluara të BE.

Largimi i mësuesve pa arsimin përkatës dhe jashtë profilit u konsiderua një krim social.

Por, askush nga ata që e konsideruan krim social nuk mendoi që, në fakt, krimi i vërtetë social ishte që gjithë këta mësues të tjerë që nuk hynin dot në punë, edhe pse e meritonin, ishin faktikisht të shkelur në të drejtën e tyre që të kontribuonin në këtë shoqëri sipas meritës.

Ashtu sikundër, besoj që, e ka rritur autoritetin dhe dinjitetin e secilit dhe secilës prej jush fakti se, ne nuk hymë në xhunglën e teksteve me shpatën e qeverisë që i di të gjitha, por pastruam 600 tekste, duke ju pyetur ju dhe ishit ju që dhatë konsideratat tuaja për tekstet. Falë konsideratave tuaja u nxorën konkluzione nga Ministria e Arsimit se cilat ishin tekstet që duheshin pastruar.

Futja në sistemin tonë e tre alternativave të vetme; Oxford-it, Cambridge-t, Pearson-it, që,  kur të mbyllet cikli do të jetë e shtrirë në të gjithë sistemin, na jep një garanci shumë të madhe që edhe për ju, edhe për nxënësit, edhe për prindërit mësimdhënia, mësimnxënia dhe rritja e kapaciteteve do të bëhen në kushte shumë më optimale, nga pikëpamja didaktike, nga pikëpamja psikologjike dhe nga pikëpamja e marrjes së sadisfaksionit të merituar.

Po ashtu më vjen shumë mirë që Ministria e Arsimit ia ka dalë që të ndërtojë një proces trajnimi të mësuesve për të garantuar edukimin në vazhdim të tyre.

Pavarësisht se secili, apo secila prej jush, me veten e vet e bën përpjekjen për të qënë në çdo hap me kohën, kjo nuk mund të funksionojë, duke e lënë në dorë të çdo individi, por mund të funksionojë vetëm duke i dhënë mundësi dhe në një farë mënyre duke i detyruar të gjithë ata individë që kanë nevojë për trajnim që të trajnohen.

Janë trajnuar 17613 mësues, bazuar në një proces shumë serioz identifikimi të nevojave për trajnim, gjë që patjetër ka dhënë frytet e veta të para.

Do të vazhdojmë me procesin, e ndërkohë do të avancojmë më shpejt me idenë e ministres për të pasur një shkollë të drejtorëve të shkollave.

Deri dje, problemi ishte politika. Sot, problemi janë drejtorët.

Ne, në shumë vite, nuk kemi menduar për asgjë tjetër përveçse “hajde të vendosim njërin, apo tjetrin që të drejtojë shkollën”, duke u nisur nga vlerësime subjektive.

Jo domosdoshmërisht një mësues i mirë, apo një mësuese e mirë mund të jetë një drejtor i mirë, apo një drejtore e mirë.

Ashtu sikundër, padiskutim, procesi i përzgjedhjes së drejtorëve tradicionalisht u bë një proces shumë i shëmtuar politik, klientelist, e kështu me radhë.

Ajo që duhet të bëjmë është t’iu japim mundësi drejtuesve të shkollave që të fillojnë e të mendojnë si menaxherë. Menaxherë të mirëfilltë burimesh njerëzore. Menaxherë të mirëfilltë nga pikëpamja e administrimit të shkollës.

Shkolla e drejtorëve do të jetë një tjetër instrument për të rritur cilësinë e jetës shkollore dhe për të rritur mundësitë për çdo mësuese, për çdo mësues që të punojë në kushte optimale.

Një drejtor që nuk është për atë punë, ta bën punën të pamundur, sado të duash të punosh, edhe sikur mos ta takosh fare. Dhe ju këtë e dini më mirë. Unë e kam nga eksperienca ime kur isha pedagog. S’kam pasur drejtor, kam pasur dekan dhe rektor.

Pa dashur të zgjatem më shumë, dua të përmend edhe faktin që kemi sot një bazë të dobët, por e kemi një bazë që mund ta forcojmë hap pas hapi, të sportit në shkollë, që është rikthim në një fije arsyeje lidhur me domosdoshmërinë që për nxënësit dhe për nxënëset, përveç kulturës së përgjithshme shkencore, shoqërore që merret nga librat, të krijohen kushtet për të marrë kulturën fizike.

Nuk do t’i hyj këtu të gjitha të mirave të kësaj pune, por, besoj që edhe krijimi i Federatës së Sportit në shkollë është një hap shumë i rëndësishëm në këtë drejtim.

Ndërkohë që është bërë një punë e jashtëzakonshme për të trajnuar mësuesit e Edukimit Fizik. Nuk kemi akoma të plotësuar të gjithë zinxhirin e tyre dhe kemi akoma për të plotësuar, sepse na mungojnë burimet njerëzore. Ndërkohë, Akademia e Sporteve, në vite, arriti të jepte diploma për mësues fiskulture pa i parë fizikisht si ishin, jo më duke i futur në shkollë. Diploma që merreshin në distancë. Si mund të merret në distancë një diplomë për sport, këtë as Zoti nuk e di, por e dinë ata që e katandisën Akademinë Sportive në një fantazmë.

“Mësuesi i vërtetë është ai që e mban të shkuarën gjallë dhe çdo ditë kupton realitetin e të tashmes”, – thoshte Konfuci.

Unë po e mbyll me këtë, duke ju falënderuar me gjithë zemër dhe një herë tjetër, jo vetëm ju që jeni këtu, por dhe të gjithë të tjerët që nuk janë këtu.

Sigurisht që edhe këtë vit, si çdo vit tjetër do ketë hatërmbetje. Do kem mesazhe sa të dal tani, “po pse nuk jam unë, po pse ai, po pse ajo?”

Askush nuk është përjashtuar me ndonjë qëllim. Këtu thjesht janë ftuar ata që janë konsideruar si përfaqësuesit e mësuesve të dalluar dhe jo të vetmit të dalluar që ka në Shqipëri, se janë shumë më tepër, siç dëshmojnë edhe rezultatet.

Më tha Lindita kur hyra që, “sot nuk duhet të rrish gjatë, duhet të ikësh më shpejt, sepse mësueset kanë kërkuar që të iki ai, se duam të kërcejmë e të këndojmë pa protokoll”.

Me thënë të drejtën nuk më erdhi mirë, se nuk e di kur jam bërë unë pengesë që ju të kërceni e të këndoni si të doni, aq më tepër që unë kam dhënë prova që mund të kërcej dhe ashtu siç nuk i shkon mendja asnjërit nga ju që kërcen në plazh, por s’ka rëndësi kjo.

Unë jam i gatshëm t’i nënshtrohem kërkesës që ka ardhur nga baza. Kështu që, do largohem më përpara, jo menjëherë, por ju lutem, pas kësaj fjale, “ja sheshi-ja mejdani, kapedani po ikën”, kërceni e këndoni, sepse vërtet e meritoni!

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.