Takimi javor në Sallën e Hartave në Kryeministri, ku njerëz të zakonshëm vijojnë dëshmojnë sesi përmes platformës shqiperiaqeduam.al kanë gjetur rrugën e zgjidhjes së problemeve të mbetura pa përgjigje në zyrat e shtetit:
Kryeministri Edi Rama: Në radhë të parë ju uroj mirëseardhjen dëshmitarëve të sotëm të Platformës së Bashkëqeverisjes, të cilët, si në çdo javë, janë të pranishëm për të treguar me zërin e tyre të vërtetën e bashkëpunimit me qeverinë në adresimin e halleve dhe të problemeve të tyre. Ju falënderoj sepse, pasi e keni zgjidhur problemin tuaj, që ka kërkuar shumë kohë, keni marrë mundimin të vini deri këtu, duke na ndihmuar që të ndihmojmë shumë të tjerë, që njësoj si ju presin të marrin përgjigje në zyrat e shtetit, por ngurrojnë, apo janë mosbesues lidhur me efikasitetin e Platformës së Bashkëqeverisjes.
Entela, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Një ndër rastet e trajtuara në Ministrinë Financës dhe Ekonomisë është edhe ankesa e Zotit Petrit Kutrolli nga Bilishti i Korçës, i cili kishte kërkuar që prej qershorit të vitit 2018, kopje të dokumentacionit të depozituar prej tij në QKB në korrik të vitit 2010. Por të dyja kërkesat e tij kishin marrë përgjigje negative, edhe pse zoti Kutrolli posedonte vërtetimin e regjistrimit të çështjes. Së treti, zoti Kutrolli iu drejtua me një tjetër ankesë zyrtare, me shkresë, ministrit të Financës dhe Ekonomisë. Kjo ankesë u trajtua nga zyra, u hodh në Platformën e Bashkëqeverisjes dhe mori zgjidhje në datën 14 shtator. Zoti Kutrolli mori kopje të dokumentacionit që kishte kërkuar prej kohësh.
Zoti Petrit Kutrolli: Së pari, falënderoj Kryeministrin dhe qeverinë e tij për organizimin e zgjidhjes së problemeve të qytetarëve nëpërmjet platformës qeverisëse. Unë fillimisht ndoqa rrugën administrative. Pastaj iu drejtova Ministrisë së Financave, por gjeta dhe pashë konkretisht një zgjidhje shumë të shpejtë dhe të drejtë në platformën qeverisëse të qeverisë. Për këtë e falënderoj Kryeministrin dhe qeverinë që ne si qytetarë na ka krijuar mundësinë për të gjetur zgjidhjet e problemeve tona. Rruga administrative që ndoqa unë ishte një rrugë e lodhshme dhe e pazgjidhshme. Me platformën qeverisëse gjeta zgjidhje të menjëhershme dhe shumë të shpejtë.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për dëshminë dhe për fjalët! Platforma nuk mund të zgjidhë gjithçka, – kam parasysh rastet kur qytetarët janë në procese të zvarritura gjyqësore, sepse platforma nuk është gjykatë, – por për çdo rast dhe për çdo çështje që lidhet drejtpërdrejtë me detyrimet e zyrave të shtetit si zyra shërbimi, Platforma është zgjidhje, pasi në momentin kur qytetari i drejtohet Platformës, menjëherë angazhon drejtpërdrejt ministrin apo ministren përkatëse të fushës së shqetësimit të vet.
Flamuri do të paraqesë një tjetër rast në vazhdën e rasteve që ne trajtojmë çdo javë dhe lidhet me titujt e pronësisë, në këtë rast me ALUIZNI-n.
Flamuri, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Më lejoni të sjell rastin e një qytetari nga Tirana, Zotit Besjan Shehi, i cili kishte aplikuar që në 2005-ën për të legalizuar një ndërtesë për qëllime biznesi familjar dhe në 2016-ën, ai kishte bërë likuidimin e të gjitha faturave për të marrë lejen e legalizimit, por, për çudi, për dy vjet rresht ajo s’po jepej nga institucioni i ALUIZNI-t, edhe pse ishte interesuar shumë herë dhe kishe bërë ankesa me shkrim pranë këtij institucioni. Atëherë Zoti Shehi vendosi që të adresojë ankesën e tij në Platformën www.shqiperiaqeduam.al dhe brenda 10 ditëve mori përgjigjen që leja ishte emetuar dhe duhej të paraqitej për ta marrë atë.
Zoti Besjan Shehi: Kisha që në 2005-ën që kisha aplikuar për një ndërtesë rreth 50 metër katror, ambient biznesi. Në 2016-ën, me VKM, me të gjitha doli. Bëra pagesën në bankë, siç i kishin, të gjitha, në prill të 2016-ës dhe që atëherë më thanë brenda 2 muajsh do marrësh dokumentin e ALUIZNI-t. Që nga atëherë nuk kishte asnjë lloj përgjigjeje. Bëra kërkesë me shkrim. Do dalë, thanë, është vetëm për tu firmosur. Është protokolluar, etj.. Hera e fundit ishte në gusht dhe më thanë po prapë që “është gati dhe do dalë”. Pas ankesës brenda një jave mu zgjidh. Për këtë falënderoj qeverinë, Kryeministrin, edhe pse jam vetë pjesë e administratës shtetërore dhe mundohemi që të shërbejmë sa më shumë, por…. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Ajo që është e rëndësishme të theksohet është që zgjidhja e një problemi si ky që sapo u prezantua, i mbetur pezull për vite, me kosto të mëdha, jo vetëm financiare, por edhe morale për qytetarin, pasohet me një hetim administrativ dhe personat përgjegjës për këtë zvarritje marrin ndëshkimin e merituar, sipas rastit. Duke filluar nga sot dhe çdo të mërkurë, paralelisht me prezantimin e rasteve të zgjidhura, ne përmes ministres së Drejtësisë, që drejton Task-forcën antikorrupsion të qeverisë, do të bëjmë me dije edhe rastet e ndëshkimeve si rezultat i hetimeve administrative, kryesisht të çështjeve të Platformës së Bashkëqeverisjes, por edhe të inspektimeve të tjera të Task-forcës.
Katerina, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Një tjetër rast, i cili ka gjetur zgjidhje përmes Platformës së Bashkëqeverisjes, është ankesa e familjes Balla nga Kamza, e cila adresohej ndaj zyrës së ALUIZNI-t Kamzë. Zoti Liman Balla, i cili ishte bashkëdeklarues me djalin e vet, Lulzim Ballën, kanë bërë dhe deklarimin pranë kësaj zyre në vitin 2005. Nga viti 2005 deri në shtator të vitit 2018 nuk mundën dot të pajiseshin me lejen e legalizimit. Në fakt, ankesa iu adresua Platformës prej Zotit Lulzim dhe u bë e mundur që të emetohej leja e legalizimit dhe për më tepër të nxirrej dosja, e cila ishte prej vitesh në arkiv.
Zoti Lulzim Balla: Jam banues në Kamëz. Për hir të të vërtetës i jam drejtuar Platformës së Bashkëqeverisjes me 2 ankesa. E para kishte të bënte me OSHEE-në, për një problem të vjetër, të mbartur që nga koha e privatizimit të CEZ-it. E dyta, problemi i ALUZNI-t. Nga viti 2005 që kam aplikuar nuk po merrnim lejen e legalizimit, megjithëse shumë komshinj të mi, që kishin aplikuar pas meje, u pajisën me të. Falë aplikimit në Platformën e Bashkëqeverisjes, unë mora zgjidhje. I jam mirënjohës Platformës së Bashkëqeverisjes, të gjithë atyre koordinatorëve, të cilët, në mënyrë të përkushtuar, pa u lodhur, punuan dhe na zgjidhën hallet dhe problemet tona. Faleminderit Zyrës së Bashkëqeverisjes!
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për mundimin, për të ardhur deri këtu dhe për ta dëshmuar eksperiencën tuaj. Ndërkohë që ftoj Florianin për 2 raste të tjera, përsëri të lidhura me legalizimet, dua të nënvizoj që, pavarësisht faktit kokëfortë se është bërë një punë kolosale me legalizimet, ndërveprimi me qytetarët dhe adresimi i vonesave në Platformë na ndihmon jashtëzakonisht shumë edhe për të përmirësuar më tutje mekanizmin e funksionimit të ALUIZNI-t. Ndërkohë që përgatitemi për fillimin e një procesi shumë të rëndësishëm të reformës së këtyre agjencive, një ristrukturim i thellë që do të sjellë njehsimin e agjencive për të shmangur përfundimisht ecejaket e qytetarëve mes ALUIZNI-t, hipotekës dhe anasjelltas dhe për të pasur vetëm një pikë referimi nga ku do të vijë drejtpërdrejtë përgjigja. Kështu do të lehtësohet edhe puna e madhe që bëjnë koordinatorët.
Floriani, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti që do paraqes i përket qytetarit Shkëlqim Dauti. Zoti Shkëlqim kishte aplikuar pranë ALUIZNI-t për legalizimin e banesës së tij që në 2006-ën. Edhe pse specialistët e ALUIZNI-t kishin ardhur disa herë të bënin matje, përgjigja që ai merrte ishte që dosja e tij ishte në proces vlerësimi. Ai iu drejtua Platformës dhe me 7 shtator u njoftua përmes Platformës që është pajisur me lejen e legalizimit.
Zoti Shkëlqim Dauti: Është e vërtetë që në vitin 2006 aplikova për dokumentet e ALUIZNI-t dhe që nga ajo kohë e deri më tani nuk mora asnjë përgjigje. Sa herë që shkoja më thonin që dosja juaj është në proces. Sapo ju drejtova platformës, menjëherë mu dha zgjidhja. Shumë faleminderit!
Floriani, Koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes : Rasti tjetër ka të bëjë sërish me një proces legalizimi dhe i përket qytetares Valbona Doçi nga Shkodra. Ajo kishte aplikuar për disa nga pronat e saj që në vitin 2006 dhe nuk kishte marrë asnjëherë përgjigje, përkundrazi ishte ndeshur me zvarritje të panumërta. Valbona iu drejtua platformës dhe brenda 6 ditëve pune, ajo është pajisur me lejen e legalizimit. Ftoj zonjën Valbona të flasë për eksperiencën e saj.
Zonja Valbona Doçi: Shumë faleminderit për mundësinë që po më jepni sot, që unë të ndaj me ju një sukses, pasi të tillë dua ta quaj. Prej 13 vitesh, familja ime i është drejtuar institucioneve përkatëse për të marrë një përgjigje për zgjidhjen e çështjeve të pronësisë, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje të qartë. Përgjigjet kanë qenë vetëm “nuk punon sistemi” apo “fajin e ka institucioni tjetër”. U detyruam t’i shkruanim portali dhe në fakt pritshmëritë ishin shumë të ulëta. Nuk mendonim që do të kishim një përgjigje, por realisht brenda 6 ditëve, ne kemi marrë në dorë legalizimin e njërës prej pronave të familjes sime. Ndërkohë janë 3 të tjera në proces që si rezultat i angazhimit të stafit të Kryeministrisë do zgjidhen shumë shpejt. Shumë faleminderit gjithë stafit dhe veçanërisht Katerinës për dashamirësinë e saj në komunikim.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit juve për mundimin për të ardhur nga Shkodra deri këtu për të dëshmuar. E di shumë mirë që me ALUIZNI-n e Shkodrës kemi pasur probleme në të shkuarën dhe për këtë arsye i bëj një apel të veçantë të gjithë qytetarëve të Shkodrës, që për çdo rast, kur nuk ju jepet ajo që ju takon, menjëherë t’i drejtohen platformës. Kështu zgjidhin problemin e tyre dhe na ndihmojnë ne që ta forcojmë dhe ta shërojmë përfundimisht ALUIZNI-n e Shkodrës nga sëmundjet e rënda të së kaluarës. E dimë të gjithë që është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe ka një transformim rrënjësor të të gjithë sistemit të furnizimit me energji elektrike, por dimë po ashtu që nuk kanë mbaruar të gjitha problemet. Edhe pse mbifaturimi për shkak të afrofeve i përket të shkuarës, prapë ka raste që konstatohet. Platforma ndihmon edhe në këtë drejtim. Për një rast të tillë dua të ftoj Dorinën që të bëjë prezantimin.
Dorina, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Një nga rastet e shumta, që ne si koordinatorë të Zyrës së Bashkëqeverisjes pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kemi trajtuar, ka qenë dhe rasti i qytetarit Selam Haskaj nga Tirana, i cili iu drejtua platformës për një shqetësim në lidhje me mbifaturimin e shtëpisë së tij të pushimit në Golem, e cila prej 3 vitesh nuk banohej. Porsa u paraqit ky shqetësim, koordinatorët e çuan atë për trajtim pranë institucioneve përkatëse. Rezultoi që shqetësimi i qytetarit ishte i drejtë. Problemi është i zgjidhur dhe për më shumë ftoj qytetarin që të ndajë eksperiencën e tij me ne.
Zoti Selam Haskaj: Unë jam Selam Haskaj, banoj në Tiranë. Problemin tim e tha Dorina dhe unë nuk kam nevojë që t’ju them për historinë shumë, por dua të bëj nja dy konstatime. Gjëja e parë që më ra në sy, kur erdha këtu në Kryeministri, ishte mikpritja shumë e mirë e personelit dhe mua më erdhi mirë se ne si qytetarë, – unë jam pensionist, – ndihemi të barabartë. Më thanë që këtu Kryeministri pret personalitete shumë të rëndësishme dhe njëkohësisht na pret dhe ne e kjo është gjë shumë e mirë për ne. Zoti Kryeministër, komplimente për personelin që keni këtu. E dyta gjë që doja të theksoja është që historia e mbi faturimeve është e tmerrshme. Unë kam pasur një mbi faturim rreth 800 mijë lekë. Ishin dy muaj njëri pas tjetrit. Kur kam shkuar në Kavajë, për të bërë ankesën e dytë, në autobus kisha një student aty dhe i thashë, të lutem, kam një problem, a mund të më ndihmosh të bëj këtë ankesën për në platformë. Po tha dhe më ndihmoi ai djali. Në autobus e kam bërë aplikimin. Kontaktet që kam pasur me Dorinën, se kjo ka shumë rëndësi, kanë qenë nga dita e 8 që unë kam bërë ankesën. Më ka çuar një email. Më jepte metodologjinë se si do të zgjidhej problemi, ndërkohë unë kam pasur disa kontakte me Dorinën, se me thënë të drejtën, jo u stresova, por u skandalizova se 800 mijë lekë një pensionist është e tmerrshme që t’i paguaj. Dorina më ka qëndruar jashtëzakonisht afër nëpërmjet telefonit, më ka ndihmuar, më ka qetësuar, më ka dhënë kurajë, se, kur më erdhi fatura e dytë, u trondita me thënë të drejtën. Unë them që si Dorina të ketë shumë koordinatorë dhe besoj që edhe të tjerët kështu si Dorina do të jenë. Shpresoj që të ketë shumë “Dorina” në zyrat e shtetit tonë.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit dhe ndjesë për gjithë shqetësimin që ju është krijuar. Ndërkohë që dua ta përsëris atë që ju dëshmuat, që, ndërkohë që keni paguar biletë për të shkuar me autobus dy herë në zyrën e Kavajës, zgjidhjen e keni marrë në autobus. Platforma është e aksesueshme në çdo vend dhe nuk ka nevojë për të marrë mundimin për të shkuar prapë nëpër zyra. Mjafton që zyra të mos përgjigjet një herë dhe tre minuta duhen për t’ju drejtuar platformës, për të angazhuar Dorinën, apo të tjerat dhe të tjerët që janë, ju siguroj, njësoj si Dorina në përkushtim dhe në efikasitet dhe jo vetëm për të marrë zgjidhjen, por dhe për të na mundësuar që të adresojmë probleme të brendshme të institucionit dhe njëkohësisht të marrim masa, në rast se problemet që u janë shkaktuar personave që ankohen janë të lidhura me subjektivitetin, me parazitizmin, me tentativën për korrupsion.
Rasti i fundit lidhet me fushatën e llogaridhënies, e cila për shumëkush nga këta profesorët që e ndjekin politikën në kafene dhe bëjnë analiza të thella, lidhur me zhvillimet politike, ishte një show, e vërteta është që fushata e llogaridhënies vazhdon të jetë një burim për të vijuar adresimin e problemeve që kanë dalë gjatë kësaj fushate. Specifikisht, sot është një rast që lidhet me takimin e Himarës, për të cilin ftoj Juelën të bëjë prezantimin.
Juela, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Gjatë turit të llogaridhënies në Himarë, Zoti Andon Prifti shprehu shqetësimin e tij në lidhje me punësimin e nuses së tij, për arsye se nuk kishte arritur ta zgjidhte përgjatë gjithë këtyre viteve. Menjëherë u morën kontaktet me Zotin Prifti dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë arriti të sistemojë situatën e Zonjës Prifti në qytetin e Vlorës, në kopshtin privat, jo publik, “Binjakët”.
Zonja Prifti: Kam ardhur nga Vlora enkas për të falënderuar Kryeministrin për zgjidhjen e problemit tim. Pas takimit të kryeministrit me vjehrrin tim, Andon Prifti, jam marrë në kontakt ditën e hënë, direkt me Zonjën Juela, për të shkuar tek zyra e punës. Jam pritur shumë mirë nga Zonja Mariana, sëbashku me specialisten e punësimit atje. Më kanë mbajtur në kontakt deri sa unë gjeta një punë në kopshtin “Binjakët”, jo publik, që drejtohet nga drejtoresha Margarita Andoni, e cila më ka pritur shumë mirë. Ndihem shumë mirë dhe jam shumë e kënaqur për këtë zgjidhje, që, pas shumë vitesh peripeci, duke shkuar në çdo derë, duke pritur fjalët e mira, nuk më kanë dhënë një përgjigje të mirë. Falenderoj vjehrrin tim që e bëri publike takimin me Kryeministrin dhe zgjidhjen që më dhatë ju.
Kryeministri Edi Rama: Mbase duhet të ndizni një qiri për Shën Andonin, se vjehrri Andon Prifti, drejtoresha Margarita Andoni, si duket është shenjti që ju ka ndjekur. Ndërkohë që më vjen shumë mirë që është gjetur një zgjidhje dhe dua ta them pavarësisht se kjo ngjall shumë reagime cinike dhe shumë shprehi negativiteti, për arsye nga më të ndryshimet, që nga janari në gusht, zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit kanë punësuar 20763 persona, janë emra e mbiemra të regjistruar në regjistrin e sigurimeve shoqërore, jo statistika. Më vjen po ashtu shumë mirë që edhe platforma ndihmon për këtë, ndërkohë që rastet në platformë vazhdojnë shtohen dhe vazhdojnë zgjidhjet e përditshme të problemeve, të halleve të qytetarëve. Duke e mbyllur takimin për sot, me falënderimin, përsëri, për të gjithë të ftuarit, natyrisht dhe me falënderimin për të gjithë koordinatorët për punën që kanë bërë dhe për kontributin që japin për imazhin e kësaj pune të madhe dhe të përbashkët, ftoj edhe njëherë të gjithë qytetarët që të mos ngurrojnë. Shqipëriaqëduam.al është rruga për të zgjidhur problemin në kohë reale dhe për të kontribuar drejtpërdrejtë në përmirësimin e shërbimeve të shteti ndaj qytetarit.
Shumë faleminderit të gjithëve!