Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me drejtorët e ZVRPP-ve:
Përshëndetje të gjithëve!
Unë doja të bëja një takim të drejtpërdrejtë me ju, për shkak se situata e hipotekave është realisht shumë shqetësuese. Aspekti më i prekshëm dhe më konkret, për të parë sesi funksionojnë hipotekat, është mënyra sesi procedohet me lejet e legalizimit.
Ndërkohë që po kaloja materialin e përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme, lidhur me kërkesën për të pasur një raport të situatës ekzistuese me numrin e kërkesave për leje legalizimi dhe me numrin e përgjigjeve, pashë që ka një hendek të madh midis realitetit dhe asaj që është raportuar nga shumica dërrmuese prej jush. Ju keni bërë një raportim që në masën 99%, po themi, është fiktiv dhe në fund të raportimit tuaj, sipas jush, del që deri tani kemi vetëm 5126 leje ende të patrajtuara. Ndërkohë që shifra reale është pesëfish.
Nga ana tjetër, përsa i përket vendimit të Këshillit të Ministrave dy viteve më parë për blloqet kadastrale jemi në shifrën e përgjithshme 11%, një tjetër shifër katastrofike. Ashtu sikundër, edhe rënia e vazhdueshme e përgjigjeve për statusin e pronësisë është një tjetër shenjë shumë shqetësuese.
Pa hyrë në detaje të raportimit nga secili dhe secila prej jush, dua fillimisht t’ia kaloj fjalën Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, i cili e ka ndjekur këtë proces nga afër, për të kuptuar qartësisht sa larg realitetit jeni ju, pjesa dërrmuese dhe sa larg realitetit të nevojave të njerëzve është kjo strukturë kaq problematike, ku, pavarësisht faktit që ka një vështirësi reale lidhur me pronën, me dokumentacionin, me hartat, struktura vetë nuk është pjesë e zgjidhjes, por është pjesë e problemit.
Vështirësitë që janë objektive janë njëra anë dhe vështirësitë subjektive, që i krijohen zyrat e hipotekave njerëzve, janë ana tjetër. Të dyja bashkë janë një mal që njerëzit e zakonshëm e kanë shumë të vështirë ta kapërcejnë pa kaluar nëpër tunele, nëpër vrima, nëpër labirinte e nëpër histori, që ju i dini më mirë se unë.
Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t: Doja ta nisja pikërisht nga ajo që theksuat edhe ju, që jo të gjithë janë njësoj, sepse po të ishin të gjitha keq, do të thoshte që realisht ka një problem sistemi. Por fakti që ka drejtori që funksionojnë mirë dhe ka një pjesë, për fat të keq, të madhe që funksionojnë keq, ose shumë keq, tregon se nuk është çështje thjesht e sistemit, por është çështje edhe e brendshme e mënyrës sesi funksionojnë një pjesë e drejtorive.
Me urdhër të Kryeministrit është ngritur një grup pune vitin e kaluar, i kryesuar nga Zëvendëskryeministri, që duhet të ndiqte avancimin e të dy institucioneve dhe çdo muaj i kemi dërguar Zëvendëskryeministrit, një material ku kryesisht për çështjen e VKM së vitit 2015, që në një mënyrë nga vetë impenjimi në atë kohë i dy personave më të lartë të shtetit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit u çua në miratim dhe u tha që do të ishte realisht zgjidhja e problematikës. Këtë material që ia kemi çuar Zëvendëskryeministri çdo muaj dhe mbi atë bazë janë bërë edhe takimet, ku një pjesë e juaj kanë qenë të pranishëm, për të përballuar problematikën, ne e kemi ndërprerë ta bëjmë dy muajt e fundit, por unë kam marr informacion për dymujorin e fundit.
Për fat të keq nuk ka përmirësim dhe në raport është me shifra. Nëse në rang republike, përgjigja e statuseve është 53% për muajt e parë, për majin ka rënë në 34 %, pra, ka shkuar drejt uljes numri i përgjigjeve të statuseve. Pa hyrë tek cilësia e përgjigjes që me shifra mund të dalë që ke dhënë përgjigje, sepse ke thënë që nuk ka informacion, por praktikisht nuk ke dhënë përgjigje se termi “nuk ka informacion” nuk jep asnjë ndihmë dhe objekti mbetet prapë i bllokuar, për sa kohë thuhet “nuk ka informacion”. Kështu që, edhe ky 34% është prapë me problemin brenda, që në realitet është edhe më e ulët se kaq.
Përsa i përket lejeve të legalizimit janë 24 186 leje të dhëna vetëm këtë vit, nga janar-qershor 2017. Aplikimi bëhet përgjithësisht me sistemin online për ato drejtori të ZRPP që kanë sistemin online dhe për të tjerat bëhet akoma manualisht. Kjo bën që të ketë diference midis numrit të lejeve të lëshuara nga ana jonë dhe numrit të lejeve që është bërë aplikimi. Vetëm 2-3 mijë është diferenca midis aplikimeve. Ka një përmirësim në tre muajt e fundit në regjistrimin e lejeve të legalizimit, por edhe ajo ka ardhur kryesisht për shkak të presionit të fortë po nga zyra e Kryeministrit, për t’u fokusuar në këtë çështje, sepse ishte edhe situata e fushatës dhe pati një mobilizim më të madh të hipotekave për regjistrimin. Por borxhi i vjetër, që rezulton të jetë rreth 25-28 mijë leje të paregjistruara, mbetet akoma i tillë, domethënë, kaq kanë mbetur nga vitet e tjera të paregjistruara ende.
Më dëshpëruese është çështja e Vendimit të vitit 2015 dhe për të cilën u ngrit edhe grupi i punës, i kryesuar me Zëvendëskryeministri, praktikisht në 5 muajt e fundit është braktisur fare. Asnjë nga hipotekat, ndoshta diçka Fieri dhe Lushnja, por gjithë të tjerat nuk merren më me përmirësimin e blloqeve kadestrale. Gjë që ka bërë që ajo pjesë të mos funksionojë dhe që ka bërë që i gjithë materiali i lejeve që hipotekat po regjistrojnë do ribëhet nga fillimi, kur të bëhen hartat e përmirësuara. Do jetë një punë kolosale, në shumicën e rasteve e bërë kot.
Mjafton të sjell shembullin e Kavajës, me blloqet e zonës së bregdetit. Për shkak të ndjeshmërive që kishte zona atje me disa personalitete, kemi mbi një vit që merremi, jam marrë unë, janë marrë drejtoritë tona, është marrë Drejtoria e Kavajës, është marrë Drejtoria e Përgjithshme e ZRPP-së, është marrë Kryeministri dhe ende sot nuk është bërë rregullimi i atyre dy blloqeve. Janë dy blloqe kadastrale gjithsej. Janë ndërruar disa herë, për fat të keq, edhe drejtorët atje, por jemi në këtë situatë që nuk është bërë akoma dhe ka mbi një vit që po merremi me ato dy blloqe të Kavajës.
E njëjta situatë nga raportimi i fundit i maj-qershorit të këtij viti, zyra vendore e Beratit ka vonesa të mëdha në përgjigje, gjë që pengon sistemin mbrapa.
Kruja rezulton pozitive.
Fieri është ndoshta e vetmja zyrë që funksion mirë, për shkak se janë ulur bashkë drejtori i ALUIZNI-t me drejtorin e ZRPP-së dhe në një farë mënyre iu ka hapur derën atyre. Hipoteka iu ka thënë, bëjini si t’i doni blloqet, se ne s’kemi kapacitetin t’i bëjmë, por kanë bashkëpunuar dhe i kanë bërë.
Kavaja, siç e thashë, është tmerrësisht keq.
Korça, ankohet vetë ZRPP-ja, thotë se për mungesë personeli nga ana e tyre na komunikojnë që e kanë shumë të vështirë, gati të pamundur që të kthejnë përgjigje për kërkesat tona.
Lezha, jo më larg se sot më ka raportuar për tjetër çështje. Drejtoresha e Lezhës më thotë që Lezha ka filluar i kthen fare lejet e legalizimit, nuk i regjistron, nëse janë në tokë të tjetrit. Është informacioni që më dha sot, se lejet e legalizimit që janë në tokë të të tretëve, bien në tokë të të tretëve dhe kthehen mbrapsht. Por atë e dimë që është në tokë të të tretëve, prandaj bëhen VKM-të, që bëhet kalimi i pronësisë. Domethënë, është tërësisht antiligjore si përgjigje. Nuk dua as ta rëndoj, se do të ma japë me shkrim drejtorja, e cila mban përgjegjësi për ketë dhe do japë edhe shifrat sesa leje na janë kthyer nga Lezha, pa asnjë lloj arsyeje të vërtetë.
Shkodra është jashtëzakonisht keq. Shkodra është një rreth i madh dhe ka pasur problematikat e veta për shkak të ndryshimeve në kohë, por vazhdon të jetë shumë keq në statuse dhe në problematika që kanë lindur edhe kohët e fundit për shkak të bllokimit të sistemit në disa prej zyrave vendore të ZRPP-së.
Kamëz-Vora rezulton nga drejtoria jonë, shumica e statuseve që vijnë, vijnë si përgjigje, por shumica nuk vlejnë, sepse vijnë pa informacion, që do të thotë që ajo dosje nuk mund të trajtohet nga ana jonë.
Tirana 2, përgjithësisht brenda në qytet kanë problemin që ka lindur dy muajt e fundit, që shumicën e kohës del i bllokuar sistemi i lëshimit të informacionit. Kjo ka bërë që sistemi online të mos funksionojnë me Tiranën dhe të detyrohemi t’i kthehemi sistemit të vjetër, me kërkesat një për një.
Kjo është, e thënë diagonal, situata me zyrat vendore. Probleme të veçanta ka për secilën drejtori. Por një pjesë shumë e madhe e informacionit që vjen është e papërdorshme nga ana jonë. Pra, ose vjen në formatin e vjetër, informacion që nuk është më kompatibël me hartën vektor tonën, që është e reja, ose vjen pa përgjigje, që praktikisht nuk shërben për asgjë, sepse nuk operojmë dot me atë.
E fundit, është çështja e hedhjes së zonave në sistem. Është e paimagjinueshme që zona e Vorës ka dy vjet që është thënë, në atë kohë kemi qenë edhe me Kryetarin e Kuvendit në Vorë dhe u tha që do hidhet, u hodh një javë dhe u hoq përsëri nga sistemi. 82/20-ta, që është një nga pjesët më të mëdha të Tiranës dhe Njësia 7, kap dhe 6-ën, e kemi diskutuar gjithmonë, nuk hidhet në sistem, megjithëse kanë përfunduar matjet në terren. Gjë që bën që përsëri, e gjithë ajo zonë kolosale, që janë disa mijëra ndërtime pa leje, të mos hyjmë dot për të marrë informacion për këtë arsye, pra, të mos hedhjes në sistem edhe të atyre zonave që praktikisht kanë mbaruar matjet në terren. Jam i bindur që edhe në zona të tjera të republikës ka problematikë të tillë, pra, zona që janë tenderuar dhe kanë mbaruar matjet nga ana e ZRPP-së në vite, por zonat nuk janë hedhur ende në sistem.
Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Kjo është një pasqyrë shumë e përgjithshme. Ndërkohë që unë kam këtu një listë të gjatë rastesh konkrete, të cilat janë ndjekur posaçërisht edhe nga zyra ime, si pasojë e ankesave të qytetarëve. E po ju them që pjesa dërrmuese e rasteve janë shkelje flagrante e të drejtës së qytetarëve nga ana e zyrave tuaja. Kërkohen absurditete që nuk kanë bazë ligjore asgjëkund. Pastaj, kur vjen ankesa, e mbështetur nga zyra këtu, iu jepet hipoteka. Çfarë do të thotë kjo? Në qoftë se nuk bëhet, nuk bëhet. Zyra këtu bën të gjitha verifikimet dhe në ato raste kur thuhet që nuk bëhet, nuk bëhet. Ama pjesa më e madhe bëhet. Atëherë, kush mban përgjegjësi për këto tortura që iu bëhen njerëzve? Sa njerëz janë përtej atyre që arrijnë të çojnë një mesazh, apo të bëjnë një ankesë këtu, që torturohen përditë nga zyrat tuaja në mënyrën më kriminale?
Lejet e legalizimit janë njëra anë. Ana tjetër janë të gjitha historitë e statuseve të pronësisë. Është një mal me absurditete që ju ia mbivendosni malit me probleme objektive, që kanë të bëjnë me hartat dhe me të gjitha ato që përbëjnë bazën dokumentare.
U kërkohet njerëzve, deklaratë noteriale nga anëtarët e familjes bujqësore për dhënien e pëlqimit për regjistrimin e lejes së legalizimit në emër të këtij subjekti. I kërkohet certifikatë familjare ku të pasqyrohen anëtarët aktualë të familjes bujqësore, që s’ka lidhe fare as me ligjin, as me detyrimet, as me asgjë. Që mos të them që ajo përgjigja që sapo përmendi drejtori, “ik s’ta bëj legalizimin se nuk je në truallin tënd”, është përgjigje, jo për ta hequr nga puna atë drejtor që jep këtë përgjigje, po për t’i hequr diplomën e Maturës dhe për ta lënë vetëm me certifikatën e 8-vjeçares. Madje edhe aty me dyshime të mëdha, a e meriton ta ketë certifikatën e 8-vjeçares ky lloj drejtori, që s’kupton asgjë lidhur me procesin e legalizimit, që, në fund të fundit, në pjesën më të madhe është pikërisht zgjidhja e problemit të ndërtimit në një truall që s’është në pronësi. Është një tallje kolektive dhe individuale me njerëzit, historia e hipotekave.
Duke parë edhe raportin e kërkesave me përgjigje në lidhje me kërkesat e dërguara, unë nuk di më se çfarë të them tjetër, përveçse ju të gjithë, nga i pari tek i fundit duhet të shkruani dorëheqjen tuaj dhe të largoheni nga detyra, që të gjithë, pa asnjë përjashtim!
Firmosni dorëheqjen sot, që të paktën të ikni me dinjitet fundor nga kjo punë. Se që të kesh 238 kërkesa pa përgjigje nga 246 që ka zyra, domethënë, t’iu jesh përgjigjur në afatin ligjor vetëm 3% të kërkesave, unë nuk e di se çfarë duhet më. E nuk po flasim këtu pozitive apo negative. Flasim për përgjigje. Kush e ka të drejtën t’u shkelë qytetarëve të drejtën e tyre ligjore, që të marrin përgjigje brenda një afati! Çfarë janë afatet e ligjit, rekomandime që, në rast se ju keni disponibilitetin, mund edhe t’i zbatoni, apo janë detyruese?! Një qytetar kur vjen të marrë një shërbim, do një përgjigje: “po” ose “jo”.
27 kërkesa, vetëm 1 përgjigje. Domethënë, 26 pa përgjigje.
685 kërkesa, 639 pa përgjigje fare, as “po”, as “jo”.
Po i marr zyrat me radhë, që të mos përmend emra, se në këndvështrimin tim janë të gjithë njësoj nga pikëpamja e rezultatit, e ke 50%, apo e ke 4%, kjo nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe, përveç thellësisë së shkeljes së ligjit. Është në shkelje të ligjit edhe ai që e ka 99%, edhe ai që e ka 1%, sepse përgjigja është e detyrueshme brenda afatit. Prandaj nuk po i përmend me emra, që të mos kujtojë ndonjëri që është më i dalluar se tjetri. Këtu është një katastrofë, nga fillimi deri në fund. Një pamje më e shëmtuar dhe më kuptimplotë për katandinë e marrëdhënieve të shtetit me njerëzit, sesa pamja e marrëdhënies së hipotekës me njerëzit në Shqipëri nuk gjendet asgjëkund tjetër. Është spektakolare.
Me të gjitha përpjekjet, me gjitha telefonatat, deri edhe të miat, që kam marrë një pjesë tuajën në telefon, kur përpara disa muajsh doli problemi i raportit komplet të zhdrejtë midis lejeve që jep ALUIZNI dhe përgjigjeve të marra nga ju, me të gjitha vendimet e qeverisë për blloqet kadastrale, me të gjitha përpjekjet e bëra nga vetë Zëvendëskryeministri në një periudhë kohe asnjë ndryshim i vërtetë. Ndryshime komplet të pakuptimta, jo thelbësore. Një çorganizim i organizuar, që gjeneron vetëm pisllëk dhe turp për shtetin.
Kemi diskutuar edhe me Drejtoreshën, edhe me Drejtorin e ALUIZNI-t, që pavarësisht problematikave që ka vetë ALUIZNI si institucion, mban në kurriz shumë kusure që nuk janë të ALUIZNI-t, por janë të hipotekave, për këto lloj absurditetesh që janë pafund, po të lexoj se çfarë kërkohet dhe që janë të verifikuara nga juristët në kundërshtim me ligjin. A është për mosnjohje të ligjit; a është për mungesë të shkollës 8-vjeçare; a është për arsye korrupsioni, unë nuk hyj fare në këtë pjesë, sepse nuk mund t’i kthej në akuza konkrete këto, por që është një nga këto të tria kjo nuk diskutohet. Mjafton një nga këto të tria, që të mos jesh drejtues i një institucioni kaq të rëndësishëm dhe delikat për marrëdhëniet me qytetarët.
Kështu që, të gjithë komplet ju ftoj të jepni dorëheqjen brenda 24 orësh.
Drejtorja e Përgjithshme do të ngrejë një komision për të parë kapacitetin dhe gatishmërinë e të gjithë atyre që punojnë në hipotekë, për të vazhduar të punojnë në hipotekë. Nuk po hyj tek historitë e kushërinjve, të tezeve, të vajzave të tezeve, të kunetërve, nuk po hyj as tek historitë që në një zyrë ka 4 kushërinj dhe në një zyrë tjetër ka 3 krushq. Kjo është një çështje që me detaje do të trajtohet nga një komision që do ngrihet nga drejtorja dhe pranë hipotekës do të vendosim një komision etike permanent, që nga paraqitja e zyrtarëve të hipotekës që lë shumë për të dëshiruar, deri aty ku fillon dhe mbaron etika. Përgjigja në kohë “po” ose “jo”. Përmbajta e përgjigjeve, problematikat, etj., janë çështje tjetër.
Nëse doni t’i jepni vetes një mundësi, që të dilni nga kjo punë me dinjitetin minimal, jepni dorëheqjen që të gjithë, pa asnjë përjashtim. As më intereson fare nga cila rrugë vini, a vini nga rruga e partisë, e shoqërisë, e krushqisë, e cilës parti, e cilës krushqi, e cilës shoqëri… Kjo histori këtu mbaron!
Në proces do të bëhen të gjitha verifikimet dhe që nga ndjekjet penale deri tek marrja apo rimarrja në punë e të gjithë atyre që kanë një lidhje me historinë e hipotekave, që kanë një dijeni, kanë një profesionalizëm dhe integritet do të bëhet nga një komision i posaçëm, i cili do ngrihet nga Drejtorja e Përgjithshme e hipotekave, deri në reformimin e plotë të këtij institucioni dhe në bashkimin e disa institucioneve, për t’i dhënë një drejtim çështjes së pronës dhe titujve të pronësisë.
Ju them dorëheqje vetëm për një arsye, – mos kujtoni se bëhet ngaqë s’bëhet dot me shkarkim, – për faktin se është një zonë pune shumë e vështirë dhe e minuar nga fakti i problemeve objektive, që s’janë probleme që i kanë krijuar drejtuesit. Por, ama, për malin me probleme subjektive që ju keni lejuar, apo keni ndihmuar, apo keni krijuar, sipas rasteve, të ngrihet në formën e arrogancës, e papërgjegjshmërisë, e korrupsionit dhe e të gjithë këtyre lloj fjalëve që mund të rreshtohen këtu, përgjegjës jeni ju, që të gjithë, pa përjashtim.
Kështu që, më vjen shumë keq, por nuk ka asnjë mundësi që të kemi shpresë të shikojmë përmirësime pas lutjeve, kërkesave, vendimeve, grupeve të punës, kërkesave prapë, lutjeve prapë, telefonave, a thua se po ju kërkonim të punonit ndonjë gjë jashtë orari, të papaguar, për sadaka.
Dy vjet pas vendimit të qeverisë për blloqet kadastrale të jemi në 11% të blloqeve kadastrale, kjo është e patolerueshme për askënd. Që të mos kthehet në e patolerueshme për mua dhe qeverinë, që të vazhdojmë të shpresojmë se mund ta bëni ju këtë gjë që nuk e bëtë për dy vjet është mirë që këtu rrugët tona të ndahen qartësisht, ju në punën tuaj, ne në punën tonë.
Shumë faleminderit!