Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Rama në mbledhjen e parë të përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, mbajtur në Prizren:

 

“Fort i nderuar Kryeministër  i Kosovës!

Të nderuar ministra dhe ministre të Qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë,

Shumë të dashur bashkëkombas,

Të respektuar bashkëqytetarë të të gjitha etnive që ndiqni këtë takim kaq të posaçëm!

“Nuk janë projektet, nuk janë nevojat, nuk është bindja e përplotësimit në shumë fusha, nuk është as vizioni, as lidershipi, por është vendosmëria që solli suksesin e bashkëpunimit të tyre”, – thuhet në një prej analizave të goditura për suksesin e kooperimit mes vendeve të BENELUX-it, të cilat për shumë analistë të BE-së konsiderohen si pararojë  e integrimit, shembull i suksesit dhe laboratori i testit për shumë aspekte të integrimit evropian.

Modestish mendoj se ajo që na ka bërë bashkë sot, në një tryezë të bashkëqeverisjes strategjike, Qeverinë e Shqipërisë dhe Qeverisë e Kosovës, është një nismë që ka të bëjë pikë së pari, me kontributin tonë për integrimin shqiptar dhe rajonal në Evropën e bashkuar, si shprehje  e vendosmërisë sonë të përbashkuar për ta jetësuar këtë integrim si hapësire evropiane të tejkufijve.

Parafytyrimi i kahershëm i pararendësve tanë, e pastaj dhe jetësimi prej nesh i kësaj hapësire me kthjelltësinë e me vendosmërinë e përbashkuar, ndaj dhe të forcuar, për përkatësinë tonë jo vetëm ndaj një kombi, por njëkohësisht ndaj projektit tonë për Evropën e bashkuar, e kthen së dyti këtë nismë në pikënisjen e një rrugëtimi të përbashkët institucional, drejt zhvillimit të vendeve tona; forcimit të ekonomive tona; modernizimit të shteteve tona; transformimit të arsimit shqipfolës; pasurimit të jetës sonë kulturore; ripërtëritjes së vazhdueshme të shoqërive tona dhe shtimit dhe fuqizimit të ndërlidhjeve mes tyre.

Është  e vërtetë  se ne jemi më shumë se qytetarë të dy shteteve fqinje, sepse shumica dërrmuese  e qytetarëve tanë i takojnë një kombi që megjithë diferencat e brendshme, kanë një gjuhë, një kulture dhe një traditë të përbashkët.

Por, nëse mbledhja e përbashkët e dy qeverive, një kombi të shtrirë në dy shtete, bëhet arsye trembjeje, apo nga ana tjetër inkurajimi, për këdo që ka shqetësime në lidhje me vijat kufitare, dua ta them kryekreje, kthjellët dhe fort, se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është për ne shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm, si një vijë që na kujton, qoftë pamundësinë e historisë nga njëra anë, apo përpjekjen heroike që solli krijimin e shtetit të dytë shqiptar nga ana tjetër, dhe qoftë edhe detyrimin tonë për t’i qëndruar besës së dhënë atyre, pa të cilët Kosova e lirë dhe  pavarur do të kishte mbetur një ëndërr e përgjakur, SHBA-ve dhe BE-së.

E, të gjithë duhet ta dinë që ne e dimë fort mirë se liria, demokracia dhe dinjiteti i një kombi nuk kanë të bëjnë me kufijtë shtetërore, por me qeverisjen dhe aspiratat e saj për shtetin, si dhe me vlerat e patjetërsueshme të respektit, qoftë për detyrimet ndaj familjes së shteteve ku duam të integrohemi plotësisht, si anëtarë të denjë, qoftë për detyrimet ndaj çdo anëtari të familjeve të dy shteteve tona, që nuk i përket kombësisë sonë.

Qeveria e Shqipërisë sot është qeveria e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”. “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” ka ardhur në qeverisje me një program të qartë të Shqipërisë Evropiane, si model frymëzimi, faktor paqeje dhe stabiliteti demokratik në rajon, si partnere strategjike e SHBA-ve dhe BE-së.

Qeveria jonë ka dalë nga një shumicë e mbështetur me një votë plebishitare, e cila e ka deklaruar dhe nënvizuar pa ekuivokë qëllimin e zhvillimit të gjithanshëm të një partneriteti paqësor dhe strategjik me Kosovën.

Kjo nisëm, qenia jonë sot këtu, është pikë se treti, mbajtja  e një zotimi për të cilin Shqipëria votoi dhe fillimi i jetësimit në një tërësi aspektesh, i vizionit tonë të ri të bashkëpunimit me Kosovën.

Bashkëpunimi i kahershëm i vendeve të BENELUX-it dhe bashkëpunimi i mëvonshëm, por që përfshin shumë aspekte novatore edhe i vendeve nordike, janë frymëzim për ne, në këtë kohë të re që ka filluar për Evropën Juglindore.

Është një kohë sfidash dhe mundësish të mëdha që nëpërmjet bashkimit të vendosmërisë, këtej dhe andej kufirit, do të mundësojë ripërkufizimin e hapësirës shqiptare, duke e trajtuar atë të tërën bashkë, si burim mirëqenie për qytetarët e dy shteteve tona dhe si gjeneratorë, jo vetëm shqiptarë, por rajonal dhe evropianë, sigurisht.

Sakaq, janë të mirëpritur si pjesë  e kundërvënies së natyrshme demokratike edhe mohuesit e brendshëm të cilët këtë nisëm, në mbledhjen e dy qeverive në Prizrenin e çmuar të historisë së kombit shqiptar, e cilësuan pa ndodhur dhe me gjasë do ta rifonfirmojnë paçka se ndodhi, thjeshtë si një shfaqe patriotike, madje konsum mediatik. Gjithsesi, ajo çfarë ka rëndësi, besoj unë, është se kjo nisëm që të marrë kuptimin e merituar, siç ndoshta dhe vetë mohuesit  e rastit dëshirojnë, nuk mund të mbetet vetëm në kuadrin e një bashkëpunimit qeveritar, por duhet të zhvillohet më tej dhe si projekt i përbashkët i të gjithëve, edhe i opozitës në të dyja vendet, dhe i shoqërisë civile, dhe i botës akademike, dhe i sipërmarrjes së lirë dhe i gjithë qytetarëve të interesuar padyshim. Sepse historia apo rasti  e deshën që të jemi ne, të pranishmit këtu, inauguruesit e kësaj faze të re të historisë së marrëdhënieve mes nesh, Shqipërisë dhe Kosovës.

Por, pa pikë dyshimi, përkohshmëria demokratike e mandateve tona e bën të vetëkuptueshëm faktin se rruga e re e bashkëpunimit që inaugurojmë sot mbetet të zhvillohet ende më tutje dhe shumë më tutje sesa kufiri kohor i detyrës sonë.

Me këtë vetëdije dhe qasje, besoj, kjo rrugë mund të plotësohet me dimensionin e saj të katërt, që është mobilizimi i imagjinatës gjithëkombëtarë për parafytyrimin, krijimin dhe jetësimin e perspektivave të reja dhe të ndryshme të bashkëpunimit.

Në fjalën time në Parlamentin e Kosovës pata mundësinë e privilegjuar të nënvizoj rreth 15 perspektiva konkrete bashkëpunimi, për shumë prej të cilave, hapat e parë do të hidhen në këtë mbledhje, që realizohet veç pak më shumë se 100 ditë larg deklarimit për mbajtjen e saj. E, përsa ju përket këtyre perspektivave konkrete dua të qëndroj një dekikë, tek ajo ç’ka kemi deklaruar në dakortësi të plotë mes nesh, se një rëndësi e posaçme duhet dhe do t’i jepet mbështetjes dhe mbrojtjes me vendosmëri të bashkuar të drejtave të shqiptarëve përtej kufijve tanë zyrtarë. Për të rishënjuar këtë vendosmëri, kjo mbledhje përfshin një gjest të shumëpritur qoftë nga Tirana, qoftë nga Prishtina dhe jo thjesht simbolik, në mbështetje të shqiptarëve të Preshevës. Vendosmëri kjo, që në anën tjetër të medaljes ka angazhimin e dy shteteve shqiptare në mbrojtje të çdo pakice dhe promovimin e të drejtave të pakicave në gjithë rajonin.

Ne jemi të gjithë krenarë për Kosovën, e cila doli e përgjakur nga një sundim i gjatë ku u trajtua si pakicë për t’u shtypur dhe spastruar, dhe pastaj nga një luftë e madhe ku humbi shumë e bij dhe bija, por jo vetëm nuk ktheu pavarësinë e vet republikane, të fituar me urtësi e me gjak, në një forcë shtypëse ndaj pakicave, por u kthye e tëra në modelin më shembullor të rajonit për mbrojtjen dhe respektin ndaj pakicave.

Guximin tuaj, të dashur vëllezër e motra, për dialog me armikun e deridjeshëm dhe frytet e dialogut me fqinjin e gjithhershëm në rrugën e të ardhmes, jam i bindur se koha që vjen do t’i çmojë gjithnjë e më shumë e bukur më mirë se ne, si vlerë të një historie frymëzuese, të cilën ju po e shkruani sot dhe brezat do ta lexojnë nesër, me mirënjohjen për frytet në vijimësi që e tashmja do të sjellë në të ardhmen, qoftë për gjeneratën tjetër të shqiptarëve të Kosovës, qoftë për gjeneratën tjetër të serbëve në Serbi.

Dhe, me admirimin për shembullin rrezatues të respektit ndaj pakicave, që përmes Kosovës, në radhë të parë, shqiptarët si komb japin sot për rajonin dhe për qytetërimin europian dhe gjithashtu, me shumë modesti përballë fqinjëve dhe partnerëve tanë, më lejoni ta vendos në krye të fjalisë tjetër togfjalëshin tonë popullor që thotë – “o na takon ne, o si takon kujt”, të mbrojmë shumëllojshmërinë e etnive, gjuhëve, besimeve fetare kudo ku i ndeshim në rrugën tonë, brenda ose jashtë vendit ku jetojmë.

Perspektivat që kemi vizatuar dhe fushat që kemi cekur në rrugën e derikëtushme të angazhimit të përbashkët, për bashkëpunim të thelluar e të zgjeruar mes nesh, sot nisin të konkretizohen prej dy qeverish të angazhuara, me mendje e me zemër, me shtrimin e një rrugë gjithnjë e më të përbashkët, me vulën e deklaratës së përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik. Padyshim, këto perspektiva, bashkë me projektet e përmendura në këtë deklaratë themeltare nuk janë shteruese. Të tjerët pas nesh apo edhe ne vetë, përgjatë rrugës që do na takojë ta bëjmë dorë përdore, qeveri më qeveri, do të mund t’i pasurojmë me risitë që, pa pikë dyshimi, të gjitha nivelet e shoqërive tona do të prodhojnë në kuadrin e gjerë të ndërveprimit tejqeveritar.

Prandaj dhe jam shumë i bindur se sot hapim një proces që, duke u zgjeruar edhe në rrathë të tjerë përtej rrethit të dy qeverive, do të jetë një kontribut shumë më i madh se ç’mund të parashikohet pa të, në rrugën e integrimit europian. Bash ashtu siç pati një efekt të  paparashikuar, qoftë edhe në kuadër ekspertësh shumë të njohur që kontribuuan për BE-në, eksperienca e bashkëpunimit të vendeve me përmasa shumë të vogla, por që i dhanë në fakt, jo veç emrin por shumë më tepër se emrin, disa marrëveshjeve kyçe për pasurimin dhe përsosjen e integrimit europian dhe të vetë projektit të BE-së.

Edhe me qeveri të tjera, vendesh të tjera, partnere strategjike ose partnere të çmuara në rrugën tonë drejt demokratizimit, modernizimit dhe integrimit tonë rajonal e europian, duam dhe me siguri do të kemi mbledhje të përbashkëta. Por do të ishte mungesë e madhe sinqeriteti që ta fshihja sot, se kjo, me qeverinë e Kosovës është një eksperiencë unikale, e replikueshme në formë, por jo në thelb. Sepse gjuha jonë është një, ëndrra jonë është një, qëllimi ynë i përbashkët është vetëm një.

Ne jemi bashkudhëtarë që ecim bashkë, duke folur të njëjtën gjuhë, me të njëjtën ëndërr, për të njëjtin qëllim dhe me vendosmërinë e bashkuar drejt të njëjtit destinacion, në hapësirën europiane të tejkufijve.

“Bashkudhëtari im, ta provojmë vetveten derisa kemi frymë”, – thotë një pendë ndër më të ndriturat e shqipes sonë, Ali Podrimja. Me këto fjalë kumbuese të tij, sot kam nderin dhe përulësinë ta mbyll këtë fjalë timen, duke falenderuar me zemër dhe mirënjohje vëllain, mikun dhe kolegun Hashim Thaçi, ju të gjithë dhe të gjithë ata, në Kosovë e në Shqipëri, që në të përditshmen tonë janë politikisht me ne apo politikisht kundër nesh, por nuk bëjnë dallim nga ne, kur vjen fjala tek gjuha, kur vjen fjala tek ëndrra, kur vjen fjala tek qëllimi dhe destinacioni që neve sot na ka mbledhur këtu, në Prizrenin e lidhjes së madhe të shqiptarëve, në Prizrenin që na kujton se s’ do të kemi kurrë mundësitë dhe se nuk do t’i gjejmë kurrë të gjithë fjalët e duhura, për të falenderuar të gjithë ata që menduan e luftuan më shumë se 100 vjet për gjuhën tonë, ëndrrën tonë, qëllimin tonë dhe që sot nuk janë më. Sepse pa ta, ne nuk do të ishim kurrë dot, sot këtu ku jemi, as kjo mbledhje nuk do të mbahej dot, mbase për 100 vjet të tjera.

Faleminderit!”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.