Fjala e kryeministrit Edi Rama në Konferencën Ndërkombëtare “Sfidat e migracionit”:
Pikë së pari, faleminderit për këtë nismë, që besoj ka një vlerë të veçantë në kontekstin në të cilin zhvillohet, në një vend ku sa herë që flitet për emigracionin, debati spostohet në terrenin e hiperbolave dhe të arsyeve për konflikt, apo për dëshpërim. Ndërkohë që ky është një fenomen historik mbi të cilin ka shumë e shumë për të analizuar, studiuar, për të reflektuar e mbi të gjitha, i cili nuk përbën asgjë të veçantë për Shqipërinë, në një fazë historike që ka përcaktuar lëvizjen e lirë si risi dhe si një domosdoshmëri të munguar për shumë e shumë vite për shqiptarët.
E për më tepër, kjo konferencë ka vlerën se i referohet fakteve dhe shifrave të vërteta, duke ndërtuar një diskutim që synon të jetë i ftohtë dhe analitik, larg politizimit apo shpërdorimit për efekte të caktuara të një teme kaq komplekse dhe kaq interesante, saç është tema e emigracionit.
Për më tepër, ky debat në Shqipëri zhvillohet në kushtet kur Shqipëria, por jo vetëm Shqipëria, por dhe disa vende të tjera si ne në rajonin ku jetojmë, nuk janë pjesë e tregut të forcave të lira të punës, siç janë vendet e tjera të Bashkimit Europian. Në këtë kontekst duket sikur janë vetëm shqiptarët, apo banorët e tjerë të rajonit, që largohen dhe lëvizin në drejtim të vendeve më të zhvilluara dhe më të pasura, ndërkohë që kjo është larg së qeni e vërtetë.
Nëse do i referohemi shifrave që vazhdojnë sot e gjithë ditën të mbeten të konsiderueshme në të gjitha vendet e reja të Bashkimit Europian, duke nisur nga Polonia e deri tek Kroacia, si anëtarja më e fundit e procesit të deritanishëm të zgjerimit, atëherë do të shohim se e vërteta është krejt ndryshe. Siç e tha ambasadorja, arsyet për t’u larguar sot, për shqiptarët nuk janë arsye të natyrës politike, pra, nuk janë arsye që lidhen me azilkërkimin politik, por janë as më shumë e as më pak, të njëjtat arsye për të cilat largohen nga vendi i tyre polakët, rumunët apo kroatët.
Vetëm vitin e kaluar, nga Kroacia që është një vend anëtar i Bashkimit Europian janë larguar plot 50.000 njerëz. 90% e të cilëve, të reja e të rinj. Por ndryshe nga ne shqiptarët, apo të tjerët që janë ende në pjesën e paintegruar në tregun e lirë të punës, ata nuk shënohen asgjëkund si azilkërkues, sepse janë forca të lira pune që lëvizin për një mundësi më të mirë punësimi dhe për një shans integrimi në jetën shoqërore të një vendi më të zhvilluar të Bashkimit Europian.
E nëse 50.000 njerëz janë larguar nga Kroacia, anëtare e Bashkimit Europian, në vitin 2017, nga Shqipëria janë larguar 39.905. Ndërkohë që janë kthyer 25.000. Pra, siç ndodh rëndom me debatet e super intensifikuara nga emocione, apo nevoja politike, ose mediatike të ditës, kur shkojmë tek shifrat, pasqyra është shumë më e ndryshme nga çfarë lihet të kuptohet prej rrjedhës intensive të propagandës.
Në Italinë e jugut, fenomeni i largimeve është një fenomen tanimë kronik, i cili as nuk është frenuar e as nuk është shmangur dot, nëse bëhet fjalë për një vend anëtar të G7, një ndër 7 vendet më të industrializuar të botës dhe një nga destinacionet e vetë shqiptarëve për të emigruar.
Po të shikojmë më tutje, trendin e lëvizjes në një periudhë kohore 2011-2017, bazuar në matjet e bëra nga INSTAT-i dhe të rakorduara me EUROSTAT-in, numri i emigrantëve, për çudinë e të gjithëve që jetojnë nën këtë bombardim të madh politik dhe mediatik, ka shkuar në rënie. Nga censusi më i fundit, ku janë dhe të dhënat më të sakta mbi shifrat e emigrimit, është lehtësisht e lexueshme që në vitin 2017, në krahasim me vitin 2013, kemi 20% më pak emigracion, ose 9500 persona më pak. Ndërsa në krahasim me vitin 2011, numri i emigrantëve ka rënë me pothuajse 30%, ose rreth 15000 persona më pak dhe emigracioni nuk është një fenomen që ka shpërthyer së fundmi.
Ka pasur momente piku, ka pasur moment rënie, por është një trend historik, i cili ka nisur qysh me nisjen e lëvizjes së lirë. Të mos harrojmë që në vitet ’90-të, Shqipëria përjetoi një lëvizje masive drejt vendeve më të zhvilluara, që llogaritet në mbi 1 milionë njerëz dhe sigurisht, arsyeja kryesore e emigracionit ishte domosdoshmëria për një jetë më të mirë, në çdo aspekt.
Jeta më e mirë mbetet sot e gjithë ditën një arsye, edhe pse struktura e emigrantëve nuk është më e njëjta si më parë, siç dëshmojnë të gjitha analizat dhe studimet e bëra. Nëse do t’i vinim një emërtim të përbashkët të gjithë lëvizjeve individuale për të emigruar jashtë vendit, sot, ky emërtim është mundësi punësimi. Faktikisht, nëse i referohemi edhe të gjitha analizave të bëra mbi shifrat dhe mbi burimet, të cilave i është referuar INSTAT-i, janë 84% e emigrantëve, të cilët e lidhin me mundësinë për punësim, lëvizjen e tyre drejt vendeve të tjera.
Një nga rastet më tipike të diskutuara dhe në mjedisin tonë është rasti i largimit të mjekëve specialistë drejt Gjermanisë, i cili përbën një burim të rëndësishëm për të analizuar e për të kuptuar se si një rast i tillë është i lidhur qoftë me ambicien dhe nevojën për një mundësi më të mirë punësimi, por qoftë dhe me boshllëkun e lënë këtu, në raport me këtë grup njerëzish. Kështu, ne mund të lexojmë e të analizojmë të gjitha kategoritë, për të kuptuar ekzaktësisht se çfarë duhet bërë ndryshe e çfarë duhet bërë më mirë këtu, në mënyrë që një pjesë e atyre njerëzve që e kërkojnë gjetkë mundësinë e tyre për punësim dhe për zhvillim karriere, t’u krijohen kushtet këtu.
Në rastin e mjekëve, për 4 vjet me radhë, nga viti 2009 në vitin 2013 u mbyllën specializimet dhe u krijua një boshllëk shumë i madh, i cili u transmetua pastaj në një pamundësi reale të sistemit tonë për të plotësuar me mjekë të specializuar nevojat e të gjithë infrastrukturës sonë të shërbimit kombëtar shëndetësor.
Nga ana tjetër, për të adresuar problemin dhe pa pasur asnjë ambicie, apo pretendim që të konkurrojnë në mundësi, Gjermaninë, Italinë, apo kudo qoftë tjetër që mjekët shkojnë për të kërkuar një mundësi punësimi me më shumë motivim financiar, por jo vetëm, ne kemi aprovuar një masë për t’i dhënë çdo mjeku specializant, që shkon të punojë jashtë Tiranës, aty ku është dhe problemi më i madh, një bonus mujor mbi rrogën, prej 2 milionë lekë, cka faktikisht, sipas kalkulimit, e bën motivimin financiar të barabartë me motivimin që një mjek i larguar, financiarisht mund të ketë në Itali apo në Gjermani, kur ka fat që menjëherë të futet në sistem dhe sigurisht, duke zbritur dhe detyrimet nga taksat, që atje janë shumë më të larta se sa këtu.
Nuk diskutohet që në vitet ’90 po e po, por edhe në vijim, kontributi i emigrantëve në ekonominë familjare dhe në ekonominë kombëtare ka qenë i jashtëzakonshëm dhe faktikisht i pazëvendësueshëm. Nëse do të hiqnim kontributin e emigrantëve nga të ardhurat e përgjithshme në ekonominë tonë kombëtare dhe nga të ardhurat e familjeve, posaçërisht në vitet ’90-të, por edhe sot, do të ishte e pamundur të imagjinonim një ekonomi kombëtare që do të qëndronte në këmbë. Do të ishte e pamundur të imagjinonim shumë e shumë familje, sidomos në zonat më të varfra, apo në zonat me më pak mundësi punësimi, që do të mund të mbijetonin. Në 5 vitet e fundit janë mesatarisht 618 milionë euro, sipas Bankës së Shqipërisë, para këto, të injektuara në ekonominë tonë nga emigracioni.
Megjithatë, për ne ka qenë e qartë që në krye të herës dhe është çdo ditë e më e qartë, se paraja e emigrantëve në ekonomi, sipas modelit të rritjes, posaçërisht në vitet ’90-të, por edhe deri në vitet më pas, 2000-2010, është e pamjaftueshme dhe është e pamundur të konsiderohet si një burim i qëndrueshëm i rritjes ekonomike. Ka qenë burimi kryesor i rritjes sonë ekonomike për vite e vite me radhë. Për këtë arsye, çka ne kemi tentuar e do vazhdojmë të provojmë në vazhdimësi, falë edhe bashkëpunimit me organizma të tjerë më të ditur dhe më të specializuar në këtë aspekt, janë programet e mundësive për investim dhe për punë në rikthim.
Siç e thashë më parë, kemi një rikthim të emigrantëve, ashtu siç kemi dhe një largim të shqiptarëve në emigracion. E faktikisht, nëse do të shohim gjithë trendin e largimeve dhe rikthimeve në vitet 2011-2017, do të shikojmë se diferenca mes largimeve dhe rikthimeve shkon duke u ngushtuar, jo në mënyrë aq të ndjeshme sa të vendose baraspeshë, por sidoqoftë shkon duke u ngushtuar. Kësaj tendence, ne duhet të jemi në gjendje t’i japim përgjigje adekuate, hap pas hapi, në funksion të integrimit të atyre që kthehen në tregun shqiptar të punës dhe në radhë të parë, në funksion të mundësimit të investimeve të kursimeve të tyre në ekonominë kombëtare.
Ka pasur një debat të madh, i cili ka zënë dhe pjesë të axhendës së bashkëpunimit dhe ndërveprimit tonë me disa shtete, çështja e azilkërkimit. Është e vërtetë që shqiptarët u përfshinë për arsyen që thashë më lart, për pamundësi lëvizje normale në tregun e lirë të punës, në valën e azilkërkimeve, që faktikisht arritën një kulminacion të madh për shkak të konflikteve në Lindjen e Mesme dhe u bë shumë zhurmë dhe u bënë shumë spekulime me azilkërkuesit shqiptarë.
Sidoqoftë, padashur në asnjë rast që ne ta justifikojmë këtë fenomen dhe duke qenë të vetëdijshëm se ky fenomen duhej dhe duhet frenuar medoemos, sot jemi në kushtet kur kemi një rënie drastike të numrit të azilkërkuesve, qoftë për masat e marra, fjala vjen në Gjermani, apo në ndonjë vend tjetër, qoftë për masat konkrete të marra nga qeveria shqiptare. Në raportin e fundit të “European Asylum Supporting Office” të 1 marsit 2018-të, rezulton se Shqipëria nuk është më ndër gjashtë vendet me kërkesat më të larta për azil.
Këto masa, të kombinuara edhe me krijimin e mundësive legale për punë, na sjellin një situatë të lehtësuar në raport me azilkërkimin. Ambasadorja përmendi një shifër shumë domethënëse. Në vitin 2007 janë 3 000 shqiptarë, të cilëve u është dhënë mundësia të punojnë ligjërisht në Gjermani, duke plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, për t’u paraqitur në atë vend, jo si azilkërkues, por si njerëz me kualifikime të ndryshme dhe jo domosdoshmërisht kualifikime të larta, por dhe kualifikime të ulëta për një mundësi punësimi.
Kjo është rruga dhe ne do të punojmë ngushtësisht, qoftë me Gjermaninë, por qoftë edhe me vende të tjera, për të stimuluar këtë rrugë që është si të thuash paradhoma e mundësive që nesër, si vend anëtar në Bashkimin Europian, Shqipëria do të ketë njësoj si gjithë të tjerët në kuadrin e lëvizjes së lirë në tregun e lirë të punës.
Nuk diskutohet që secili ka të drejtën të shkojë të jetojë ku të dojë dhe të provojë kudo që dëshiron, mundësitë e veta në emër të një jete më të mirë. Edhe në këtë aspekt, unë besoj se duhet thënë shumë qartë dhe shumë troç, që kush e vajton emigracionin si një e keqe që ka mbërthyer për fyti Shqipërinë, nuk di çfarë flet. Unë kam besuar dhe besoj shumë fort, që çka ne kemi fituar si vend në të gjithë këto vite ndryshimesh të vështira, dramatike, pas një izolimi tërësisht çnjerëzor, kanë qenë shumë më të mëdha, sesa ato që kemi humbur dhe kjo falë emigracionit, falë atyre që kanë emigruar dhe jo vetëm në funksion të ekonomisë, pra, të mundësive financiare të shtuara, por, mbi të gjitha, në funksion të dijes, në funksion të eksperiencave, në funksion të kulturave.
“Fatkeqësia” jonë është se ne e kalojmë këtë proces në një kohë kur gjithçka është online, në një kohë kur çdo ngjarje, sado e vogël dhe kur edhe një grabitje në një fshat të një vendi periferik të Europës bën lajm, të tjerët e kanë kaluar në kohëra të tjera. Por nuk ka asnjë vend të zhvilluar sot, që dje të mos ketë kaluar përmes kësaj rruge, që dje të mos ketë pasur pikërisht tek emigrantët dhe tek emigracioni, një nga burimet e veta kryesore të rritjes, jo vetëm ekonomike, por të rritjes së nivelit të dijes, të dijeve dhe të aftësive për të zhvilluar vetveten.
Dua të them se është me shumë rendësi që çka sot është bërë arsye për të zhvilluar këtë konferencë të jetë një pikë referimi për t’u thelluar më tutje dhe për të pasur një zinxhir eksperiencash komunikimi dhe ndërveprimi me partnerët e INSTAT-it, por edhe me partnerët e vendit tonë në tërësi, për të mësuar më shumë, për të kuptuar më shumë dhe për të qenë më të ditur në raport me si ne duhet t’i qasemi këtij fenomeni në të gjitha aspektet e veta.
E tha drejtorja e INSTAT-it, askush nuk mund të thotë se ky fenomen është i tëri një fenomen pozitiv, por largqoftë të mendohet që ky është një fenomen negativ. Ky është një fenomen që ka aspektet e veta shumë pozitive dhe ka dhe aspektet e veta negative. Ajo që na duhet, është të kuptojmë deri në fund çdo aspekt të këtij fenomeni dhe të mos mbytemi me një lugë ujë, duke u pllaquritur çdo ditë në lotët e krokodilit për ata që ikin, apo në fatalitetin e argumenteve për si do jetë e nesërmja e vendit.
Ne jemi duke punuar për një Program Kombëtar Strehimi në funksion të çifteve të reja. Besojmë se ka një mundësi të madhe, që, duke adresuar siç duhet nevojën e çifteve të reja për strehim dhe duke u krijuar të rinjve një mundësi reale strehimi, ne ta bëjmë qëndrimin e tyre në vend shumë më të mundshëm dhe tundimin për t’u larguar, qoftë dhe për faktin se s’mund të kenë një shtëpi të tyren, shumë më të ulët. Nuk është një shpikje. Është një masë kombëtare që vende të tjera e kanë bërë përpara nesh, me shumë sukses.
Kuptohet, mundësitë tona financiare nuk janë të pakufizuara, por me të pasur një draft të parë të këtij programi, ne do të konsultohemi me disa prej partnerëve tanë kryesorë, ku GIZ-i është një nga pikat më të rëndësishme të referimit tonë. E them këtë, jo sepse janë sot bashkëpunëtorë në organizmin e kësaj konference dhe duhet thënë një fjalë e mirë e rastit, por, sepse realisht ka qenë dhe është e qartë në çdo ndërveprim me kooperacionin gjerman, se përtej parave, përtej ndihmës financiare, vlera më e madhe e shtuar e këtij bashkëpunimi është dija që ata sjellin në çdo projekt dhe në çdo program, duke bërë të mundur një analizë shumë më të plotë dhe konkluzione shumë më solide në funksion të një programi të caktuar dhe duke bërë të mundur edhe rritjen e kapaciteteve tona të brendshme në hartimin e programeve dhe realizimin e tyre.
Me një falënderim të posaçëm për miqtë tanë gjermanë, që janë këtu të pranishëm dhe për gjithçka kanë bërë dhe bëjnë për të na ndihmuar dhe me përgëzimet më të sinqerta për organizmin e kësaj konference, ju uroj një vazhdim të mbarë të diskutimeve!