Shqipëria po kalon një fazë transformimi të gjithanshëm, ku reformat strukturore, investimet strategjike dhe procesi i integrimit europian po ecin paralelisht për të ndërtuar një shtet më modern, më konkurrues dhe më afër standardeve të Bashkimit Europian. Nga infrastruktura, energjia dhe sektori i ujit, te shëndetësia, arsimi, inovacioni, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i institucioneve, ndryshimet e viteve të fundit kanë krijuar baza të reja për rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.
* * *
Nga Stabiliteti i Sistemit drejt Liderit Rajonal të Energjisë së Pastër
Sektori i energjisë në Shqipëri ka hyrë në një fazë transformimi rrënjësor, ku arritjet e viteve të fundit po ndërthuren me një valë të re projektesh strategjike që synojnë ta çojnë këtë sektor në një nivel më të lartë zhvillimi dhe integrimi europian.
Energjia vijon të mbetet një front i rëndësishëm reformash dhe investimesh, ku stabiliteti i arritur po shoqërohet me një vizion të qartë për të ardhmen.
Një nga arritjet më të rëndësishme shënohet përmirësimi i ndjeshëm i eficiencës së sistemit, ku humbjet në rrjet janë ulur nga rreth 45% në më pak se 16%, falë investimeve të vazhdueshme në rrjetin e shpërndarjes dhe modernizimit të tij. Njëkohësisht, është konsoliduar siguria energjetike e vendit, duke përballuar me sukses krizën globale pa rritur çmimin për konsumatorët familjarë dhe duke realizuar për herë të parë një ulje prej rreth 10% të çmimit të energjisë. Në aspektin e prodhimit, Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve. Përmes 5 ankandeve ndërkombëtare janë mbështetur qindra megavat kapacitete të reja fotovoltaike dhe eolike, me çmime ndër më konkurrueset në Europë. Sot, energjia e rinovueshme përbën rreth 44% të miksit total, ndërsa kapacitetet e reja vijojnë të shtohen me ritme të larta.