Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Panaja të Vlorës, Kryeministri Rama u takua me fermerë të zonës për mbarëvajtjen e punëve në bujqësi, për ç’është bërë dhe Fondin e Garancisë Financiare për fuqizimin e familjes fermere. Kryeministri drekoi në familjen e Vasil Begovës, dentistit të zonës, por i cili të ardhmen e familjes së tij e ka gjetur në bujqësi.

Në tre vjet, për fshatin dhe bujqësinë janë investuar më shumë se në 25 vjet, por një program edhe më ambicioz, theksoi Kryeministri, është gati për bujqësinë që siguron mirëqenie dhe punësim. Një impakt të madh për fermerët dhe agrobiznesin po sjell Fondi i Garancisë, i cili ka një fillim shumë të mirë. “Fondi i Garancisë ka ecur shumë mirë. Janë rreth 6 milionë euro që janë dhënë për fermerët dhe janë 813 kredi në total, 234 janë dhënë në vitin 2016 dhe pjesa tjetër nga janari në mars të vitit 2017. Është shifër goxha inkurajuese. Ka një nivel mesatar kredie rreth 80 mijë euro, që nuk është pak. Rreth 35% janë fermerë, pjesa tjetër janë prodhues bujqësorë që janë shumë me leverdi, tashmë pasi kemi hequr TVSH-në. Me fondin e zhvillimit tani është e thjeshtë. Merr një kredi me interesa minimale, ke garancinë e shteti dhe vazhdo puno”, – u shpreh Kryeministri.

Një nga investimet, me efekt të drejtpërdrejtë jo vetëm në këtë zonë, por në mbarë Shqipërinë, është edhe pastrimi i kanaleve kulluese. Fermerët vlerësuan punën e bërë me kanalet kulluese, duke kërkuar që kjo punë të shtrihet edhe më shumë tek kanalet vaditëse. “Nuk është se ka ndonjë shkop magjik. Në fund të fundit, edhe shteti është shtëpi e madhe. Në një shtëpi të madhe, kur deri dje ishim mësuar që gjysma vidhte gjysmën tjetër, nuk ke ekonomi. Tani, duke vendosur kontributet e të gjithëve, rritet edhe buxheti e mundësitë. Ne kemi probleme të mëdha të trashëguara, por problemi më i madh i trashëguar dhe që do kohë shumë më tepër është të kesh shtet. Na u desh të fillojmë të pastrojmë 25 vjet llum kanalesh të bllokuara. Përmbyteshin njerëzit, shtëpitë dhe prodhimi, se nuk pastroheshin kanalet. Do pak kohë, nuk bëhen të gjitha përnjëherë. E rëndësishme është që disa baza janë vënë”, – theksoi Kryeministri Rama.

Një nga fermerët që nga përmbytja humbi 430 dele, tregoi se nga mbështetja që iu dha, kaloi jo vetëm tronditjen e parë, por në pak kohë arriti ta shtojë tufën.  “Mendova se nuk do jetë e vërtetë. Por delet u sollën. Tani kam rreth 500 dele. I kam shtuar dhe pres që akoma të shtohen.”

Fermerët u shprehën se ata e shohin bujqësinë të eci krah më krah me turizmin dhe kjo lidhje duhet shfrytëzuar edhe më mirë për zhvillimin e zonës. Kryeministri siguroi se rikonstruksioni që po i bëhet rrjetit elektrik në gjithë bregdetin, i cili deri në vitin 2013 ishte i vitit 1974, rrit ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji dhe ka efekt direkt edhe në turizëm. Ministri Gjiknuri mbështeti nevojën që ka turizmi që të funksionojë si duhet, për një rrjet shpërndarës energjetik të standardeve europiane, ku investimi i radhës është në nënstacionin e Mifolit.

Kryeministri Rama nënvizoi se kjo zonë do të përfitojë edhe nga investimet që do të bëhen nga projekti “1 miliardë për rindërtim”. Një ndër projektet është edhe aeroporti i Vlorës, i cili është në fazë studimi nga ekspertët. “Tani kemi programin “1 miliardë për rindërtim”. Do bëjmë zgjerimin e rrugës nga Orikumi deri poshtë në Himarë, pasi është e ngushtë dhe problematike. Janë dy vepra arti shumë të bukura kur kalon Dhërmiun, e gjithë rruga aktuale bëhet këmbësore. Janë Kardhiq-Delvinë për t’u mbyllur përfundimisht. Tani kemi mundësitë edhe financiare, pasi shlyem gjithë ato borxhe të lëna pas.”

Për Vlorën, theksoi Kryeministri, shumë është premtuar, por në 25 vjet u bënë thuajse zero investime. Ndërkohë, investimet që po kryhen në disa kantiere ndryshojnë jo vetëm cilësinë e jetës së qytetit, rrisin turizmin dhe ekonominë, por edhe vlerën e pasurisë së qytetarëve. “Nuk i vë faj unë vlonjatëve se 25 vjet, çfarë bëri mirë a keq, e bëri bashkia. Asnjë ndihmë nga qeveria. Zero investime! Mua më kujtohet, në fushatë në Vlorë për herë të parë kam ardhur në vitin 2000 dhe dëgjova për rrugën Trans-ballkanike dhe çdo fushatë po ky premtim e nuk e bëri askush. E lanë si xhep fals Vlorën. Me këto ndërhyrje rritet vlera e pasurisë së njerëzve.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.