Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:

Përshëndetje të gjithëve!

Duke mos i hequr asnjë presje asaj që tha Kryetari i Grupit, doja vetëm të shtoja një element, përpara sesa të them dy fjalë lidhur me operacionin e madh që është programuar dhe do të nisë pas pak ditësh, duke filluar nga kryeqyteti për t’u shtrirë në të gjithë territorin e vendit, në një betejë pa asnjë kompromis, me një armik të përbashkët të çdo qytetari që respekton ligjin në këtë vend, – që janë hajdutët e energjisë elektrike.

Shpeshherë e kemi dëgjuar se historia ndodh si dramë dhe përsëritet si komedi. Po na takon ta përjetojmë në vetë të parë, pasi kaluam një periudhë shumë dramatike për vendin, për shoqërinë, për këtë Kuvend dhe në tërësi për politikën në këtë vend, kur ishim në opozitë dhe përjetojmë një periudhë komike kur të njëjtat gjëra që kërkonim apo që bënim për arsye shumë të caktuara po përsëriten për arsye shumë të sajuara.

Sidoqoftë, duke përsëritur atë që tha Kryetari i Grupit se ne matemi me zotimet tona dhe me sfidat tona dhe nuk matemi me opozitën e sotme, i qëndrojmë koherent në çdo rast, zotimit tonë se pavarësisht gabimeve që mund të bëjmë, nuk do të bëjmë gabimet që ata, që sot janë në opozitë, kanë bërë dje kur ishin në pushtet, duke cenuar drejtpërdrejtë opozitën. Që do të thotë se, gjithçka që ne na është mohuar edhe pse e kemi kërkuar me këmbëngulje kur ishim në opozitë, opozita e sotme e ka pasur, e ka dhe do ta ketë të garantuar prej nesh.

Një element mbetet pjesë e pazgjidhshme e gjithë këtij diskutimi dhe për këtë arsye besoj se edhe Kryetari i Grupit nuk e preku, por unë dua ta prek sepse nga ana tjetër është kthyer në një pjesë jashtëzakonisht të bezdisshme për veshët e të gjithë miqve dhe partnerëve të Shqipërisë, sa herë që kontaktojnë më opozitën, që ka të bëjë me një përpjekje të vazhdueshme këmbëngulëse për të zhvleftësuar parlamentin dhe për të njollosur me çdo çmim integritetin e kësaj shumice qeverisëse, duke ngritur në mënyrë konstante, akuza të bazuara mbi shpifje dhe mbi domosdoshmërinë për të gjetur me patjetër bazë për të gjithë këtë qasje tërësisht të pajustifikueshme për një opozitë serioze dhe alternative.

Megjithatë, edhe pse ne jemi plotësisht të qetë dhe të qartë në këtë aspekt, dua ta ritheksoj se nëse opozita ka ndonjë ide konkrete, ndonjë propozim konkret, ndonjë plan konkret, për se si mund të qëmtohet në jetën e tjetrit, në funksion të integritetit moral të të gjithë përfaqësuesve të popullit në këtë Kuvend, ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë dhe ta diskutojmë propozimin apo planin e tyre.

Një gjë ne e dimë dhe e kemi respektuar me këmbëngulje edhe pse ligji nuk e kërkon, që kur kemi vendosur për të gjithë kandidatët që i kemi paraqitur para shqiptarëve për të marrë votën, nga secili dhe secila prej tyre, kemi kërkuar dëshminë e penalitetit, i vetmi dokument ligjor i njohur nga ligji në Republikën e Shqipërisë që përcakton raportin e një individi me ligjin dhe me institucionet ligjzbatuese. Thënë kjo, mbetemi, e përsëris, plotësisht të hapur, në rast se opozita ka ndonjë ide dhe bashkë me idenë edhe argumentet e nevojshëm për të mos cenuar lirinë dhe të drejtën kushtetuese të çdo qytetari dhe qytetareje për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Sigurisht, që pjesa komike edhe në këtë aspekt është e pranishme, sepse zëri më përfaqësues i opozitës në ngritjen e gjithë valës së akuzave ndaj përfaqësuesve të kësaj shumice në Kuvend apo ndaj përfaqësuesve të kësaj shumice në të gjithë nivelet e ekzekutivit, është një ish i burgosur ordiner për mashtrim dhe korrupsion.

Duke pasur parasysh faktin që ky ish i burgosur ordiner për mashtrim dhe korrupsion kërkon përpara shqiptarëve, në emër të opozitës, llogari për krime apo akte të paligjshme të prezumuara, të patrajtuara apo të pandëshkuara ndonjëherë nga ndonjë gjykatë e këtij vendi, gjendemi përpara një argumenti që përsëri i mbetet opozitës ta trajtojë, sepse nëse opozita kërkon që për gjëra të prezumuara, të imagjinuara apo të tejkaluara plotësisht në filtrin e institucioneve ligjzbatuese, njerëzit duhet të ulin kokën dhe të mbajnë përgjegjësi, çfarë duhet të bëjmë pastaj si Kuvend me këtë të burgosur ordiner për mashtrim dhe korrupsion që e kemi pjesë të kuvendit të Shqipërisë.

Kaq!

Pjesa tjetër pastaj ka të bëjë me operacionin kundër vjedhjes dhe vjedhësve të energjisë elektrike.

Jemi në kushtet kur është bërë e domosdoshme një transparencë e plotë publike për çdo qytetar dhe qytetare të këtij vendi, lidhur me si kanë rrjedhur gjërat, ngjarjet dhe vitet për të na sjellë ne në qeverisjen e këtij vendi, përballë një hendeku që kërcënon integritetin ekonomik dhe social të vendit tonë. Hendeku i hapur dhe i thelluar vit pas viti i borxheve të brendshme dhe i pamjaftueshmërisë gjithmonë e më të madhe që ka sistemi ynë elektro-energjetik, qoftë në raport me nevojat e qytetarëve, qoftë në raport me institucionet financiare. Ne do ta bëjmë këtë transparencë të plotë. Kjo transparencë do të fillojë pikërisht ditën kur do të shpallet plani i operacionit tonë dhe do të vazhdojë, unë besoj shumë me ndihmën e të gjithë deputeteve të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, për ta përçuar në dritën e fakteve, në sytë e çdo qytetari, gjendjen faktike dhe arsyet se përse kemi ardhur në këtë gjendje. Në mënyrë që, çdo qytetar i këtij vendi, çdo familje që paguan energjinë elektrike dhe që është e interesuar për të mos vazhduar të ngarkohet në kurriz me një barrë borxhesh, – që në fund mund të shndërrohet në një bombë dhe të shpërthejë në mënyrë të pakontrolluar, – të ketë besimin e plotë se sa e rëndësishme është që çdo hajdut i energjisë elektrike të përballet me ligjin dhe të shkojë prapa hekurave si vjedhës ordiner, i një pasurie të madhe të përbashkët. Njëkohësisht, sa e rëndësishme është që të të gjithë së bashku të bëhemi mbështetës të një reforme të munguar për shumë vite me radhë për të ndryshuar modelin e të gjithë tregut tonë energjetik.

Me shumë neveri, – nuk mund ta redaktoj këtë ndjesi për të gjetur një fjalë më të butë, – i kam ndjekur të gjithë përpjekjet që ata, që e sollën vendin në këtë situatë dhe që mbajnë përgjegjësi për këtë situatë, dhe sot që janë në opozitë, bëjnë për të nxitur pakënaqësinë e natyrshme të çdo qytetari që paguan, duke synuar që domosdoshmërinë e kësaj reforme ta kthejnë në një shtysë për t’ju kundërvënë kësaj reforme.

E kanë të kotë, por sidoqoftë kur vjen puna tek ky sektor kaq strategjik e kaq jetik dhe kur vjen puna tek faktet objektive që tregojnë se sektori është në agoni dhe se mund të dalë nga agonia vetëm me një aksion të gjithanshëm radikal, që nga lufta me hajdutët e energjisë deri tek reformimi rrënjësor i gjithë tregut të energjisë, është vërtetë për të ardhur keq që ata që deri pak kohë më parë ishin në pushtet për vite me radhë, sillen me një papërgjegjshmëri kombëtare dhe sociale kaq të madhe.

Sidoqoftë një gjë duhet ta nënvizoj me force. Kanë predikuar shumë gjëra të cilat kanë dalë të pavërteta dhe për të tjera janë bërë qesharakë; Predikuan se do të bëhej nami se u rrit 10 lekë detyrimi për naftën; Predikuan se do të bëhej nami se u rrit akciza për cigaret; Predikuan se do të bëhej nami se u rrit tatim fitimi për kompanitë. Jo vetëm nuk u bë nami, por sot, jemi në kushtet kur nga situata që e morëm ekonominë dhe që institucionet ndërkombëtare të përcaktimit të gjendjes së ekonomisë e përcaktonin si të paqëndrueshme, kaluam në situatën kur u përcaktua si e qëndrueshme dhe kemi kaluar në situatën kur përcaktohet si pozitive. Shumë shpejt, presim daljen e raportit për “Doing Business” në Shqipëri dhe jam shumë kurioz të shikoj se në çfarë pozicioni do të jemi, bazuar tek reformat që kemi bërë, edhe pse jemi vetëm në fillim të reformave për klimën e biznesit në Shqipëri. Shumë shpejt, Ministri i Ekonomisë do të paraqesë një plan me 10 pika për t’u ngjitur shumë lart në klasifikimin e “Doing Business”, por sidoqoftë, besoj se do të jemi në një pozicion ku Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë në 20 e kusur vite.

Ta shikojmë!

Aman, një gjë duhet ta dinë të gjithë;

Ne nuk do të rrisim çmimin e energjisë, si instrument reforme! Sepse ajo ç’ka e ka sjellë vendin në këtë situatë, ndër të tjera, ka qenë, nga njëra anë, paaftësia e plotë për ta parë sektorin në kompleks dhe për të ndërtuar një model funksional të tregut të energjisë dhe nga ana tjetër, fatura që iu është lënë qytetarëve nën siglën e reformës, si rritje e çmimit për ata që paguajnë. Ne, padyshim, do ta heqim fashën si një mburojë që sot e përdorin, jo familjet në nevojë, por e përdorin hajdutët. Vetëm heqja e fashës do të sjellë një reduktim shumë të konsiderueshëm të vjedhjes së energjisë. Por ama, ne nuk do të heqim fashën duke ua lënë barrën pensionistëve, as nuk do t’ua lëmë barrën familjeve që nuk mund të paguajnë dot më shumë për energjinë, por duke e marrë ne përsipër. Jo me fjalë, por duke e paguar ne atë pjesë që vjen si detyrim nga heqja e fashës. Do ta shikojmë, këtu, në këtë Kuvend, sesi do të ndodhë kjo dhe sesi përsëri, si për shumë gjëra të tjera, opozitës do t’i mbetet vetëm të rikonfirmojë sesa qesharake është.

Ata shqiptarë që paguajnë energjinë në radhë të parë, kërkojnë më shumë investime; kërkojnë më shumë kopshte; kërkojnë më shumë shkolla; kërkojnë më shumë shërbim shëndetësor; kërkojnë më shumë mbështetje ekonomike për të dalë nga kurthi i papunësisë apo i varfërisë, ende më keq kur janë të dyja bashkë; kërkojnë lehtësira, kur janë sipërmarrës. Ajo ç’ka duhet të dimë të gjithë është se nëse ne vazhdojmë kështu, jo thjesht shkojmë vetë symbyllur në greminën që ka hapur papërgjegjshmëria e atyre që na pararendën, por i heqim vetes çdo vit mundësinë për të ndërtuar 150 shkolla të reja, të standardeve europiane. Duke e llogaritur një shkollë me kosto ndërtimi për të garantuar çdo standard. Jo shkolla si këto që janë inauguruar dhe që pikojnë nga të gjitha anët, por shkolla të standardeve europiane.

Ne i heqim vetes mundësinë për të ndërtuar brenda një viti, me buxhetin e një viti, 6 spitale moderne rajonale. Ndërkohë që, kemi një vit dhe mezi po arrijmë të sigurojmë financimin për një spital rajonal, në Fier.

Ne i heqim vetes mundësinë për të ndërtuar 100 kilometra rrugë kombëtare, në vit. Shumëzuar për katër vite, llogariteni vetë sesa janë të gjitha këto shifra. Parafytyroni që të qëndrojmë në këtë situatë, të pranojmë të bashkëjetojmë me hajdutët e energjisë elektrike, të pranojmë të bashkëjetojmë me gjithë këtë zinxhir borxhesh të akumuluara vit pas viti, brenda për brenda gjithë sistemit elektroenergjik, të pranojmë të bashkëjetojmë me fashën medemek mbrojtëse dhe t’i heqim vetes mundësinë që të kemi të ardhura brenda një viti, sa ç’është tatim-fitimi i të gjitha sipërmarrjeve shqiptare për buxhetin e shtetit.

Kjo është kriza e trashëguar ku ndodhemi dhe pavarësisht përpjekjeve të mëdha që janë bërë në këtë proces, nga Kompania e Shpërndarjes, përsëri jemi shumë larg asaj që duhet të jemi, që askush të mos guxojë ta vjedhë energjinë elektrike si të ishte mall pa zot, apo pasi kapet dhe i pritet energjia, ta rilidhë atë sapo kthen kurrizin kompania apo policia.

Kjo është një sfidë e përbashkët kombëtare. Nuk është një sfidë thjesht dhe vetëm e Qeverisë, apo e kësaj shumice që është këtu në Parlament, por është një sfidë e të gjitha institucioneve. Është një sfidë e prokurorisë, është sfidë e gjykatave, është një sfidë e shtetit ligjor. Flasim për ligjshmëri dhe për nevojën e shtetit ligjor dhe mungesën e shtetit ligjor në këtë vend. Cdo i huaj apo çdo njeri që kupton se ç’është shteti ligjor, e sheh, mjafton të ngrejë pak kokën lart dhe mes tij dhe qiellit të shohë tela pafund të lidhur në mënyrë të paligjshme, që vjedhin çdo ditë burimin më të rëndësishëm strategjik të zhvillimit ekonomik të këtij vendi. Në vend se të ishim një vend përfitues dhe të mendonim të fusnim në buxhetin e shtetit çdo vit nga ky burim aq sa ju marrim nga xhepi gjithë kompanive dhe gjithë bizneseve në Shqipëri, bashkëjetojmë me hajdutërinë dhe mbi të gjitha, kemi përballë në opozitë që ngre zërin në mbrojte të hajdutërisë. Pasi e la hajdutërinë të merrte statusin e qytetarisë dhe pasi nuk bëri asgjë për të penguar, jo ata që janë me ndihmë ekonomike dhe që nuk e paguajnë dot energjinë, se nuk janë llambat, as llamba e ndriçimit dhe as llamba e televizorit të familjeve me ndihmë ekonomike që sjell këtë krizë, por janë në radhë të parë bizneset e mëdha në autostradën Tiranë-Durrës që paguajnë me sahat familjar. Janë lokalet në qendër të Tiranës që paguajnë me sahat familjar. Janë ata të cilët nga një anë figurojnë në listat e bizneseve të pasur tatimpagues dhe që vjedhin energji sa për një lagje.

Nga ata do të fillohet operacioni. Është e pamundur të shkohet më tutje kështu. Unë jam i bindur që në këtë operacion, sa të vështirë aq edhe të domosdoshëm, dhe me këtë reformë sa dramatike, aq historike, çdo shqiptar që nuk shikon sot për sot, por që ka parë mjaftueshmërisht nga dje sot dhe që shikon fqinjët e tij, nuk do t’i lejonte vetes që të mos e mbështeste, mjafton të mendonte se çdo vit kjo vjedhje shtrëngon lakun në fytin e çdo familje. E, nëse sot ne nuk do t’i dalim përballë, haptas, këtij problemi dhe nëse sot, ne nuk do ta bëjmë këtë reformë, vitet që vijnë do të jenë shumë më të pakta sesa ato që ikën për t’u përballur me kolapsin energjetik dhe për t’u përballur pastaj me domosdoshmërinë që ose të gjithë paratë e shtetit t’i çojmë për të paguar drita, ose t’i ngarkojmë qytetarët për të paguar shumëfish këtë papërgjegjshmëri, me të cilën bashkëjetonte politika me qytetarët.

E fundit. Dua të përsëris mesazhin për prokurorinë dhe për gjykatat;

Gjykata Administrative e këtij vendi po kthehet gjithmonë e më shumë në atë që ne kishim aq shumë frikë kur nguronim të votonim ndërtimin e një gjykate të re, në një zgjatim të koorporatës fitimprurëse, që sot është sistemi gjyqësor, por në zgjatimin e vetë më të shëmtuar. Sepse po bëhet një gjykatë 5 mijë lekëshash. Një gjykatë 5 mijë lekëshash që i trajton shkeljet si vjedhja e energjisë si të kishte përballë thjesht dhe vetëm mundësinë për të futur 5 mijë lekëshin në xhep, duke i lënë vetëm 2 mijë lekë e 3 mijë lekë të vjetra atij që policia është angazhuar për të shkuar ta ndalojë, prokuroria është angazhuar për ta nxjerrë para gjyqit dhe gjykata, thjesht dhe vetëm, i mat thellësinë e xhepit. Si mundet që për një hajdut, i cili kapet duke futur dorën në xhepin e tjetrit në autobus të ketë burg dhe për një hajdut, i cili kapet duke futur telin e paligjshëm në sistemin elektroenergjetik dhe është pjesë e vjedhjes më të madhe që bëhet në këtë vend përvit, 150 milionë euro vidhen çdo vit dhe çdonjëri që vjedh sadopak është pjesë e kësaj bande, të mund të ndjehet i lirë?! Si ka mundësi që kur vjen puna tek biznese të mëdha, të cilat i kanë detyrime kompanisë, me qindramilionë, jo vetëm që nuk mund të dënohen kur kapen, por gjykata kompaninë t’ju rilidhë energjinë deri në gjykimin final. Si mund të ndodhë kjo?! Si mundet një kompani të detyrohet nga gjykata që të vazhdojë t’i shërbejë hajdutit të vetë?! Ku, në cilin vend të botës një kompani mund të detyrohet me gjykatë që të vazhdojë të japë produkte për mallrat që prodhon, pa marrë lekë? Në cilin vend të botës një kompani shkon me polici, ekzekuton kapjen e një hajduti, e çon në gjykatë dhe nga gjykata del kompania fajtore dhe detyrohet që të vazhdojë t’i çojë mallin hajdutit në shtëpi, deri kur gjykata të vendosë nëse kompania thotë të vërtetën apo nuk thotë të vërtetën. E vërteta është e provuar me fatura, katërcipërisht. Vetëm në Shqipëri ndodh kjo. Vetëm nga një sistem gjyqësor që është bërë njësoj si rrjeti i hajdutëve të energjisë. Ata vjedhin energji, këta i vjedhin popullit shqiptar të drejtën për të imagjinuar se këtu, në këtë vend, mund të ketë drejtësi. Në gjendje të lirë, në gjendje të lirë, në gjendje të lirë!

Mijëra ka arrestuar Policia e Shtetit për krimin e nderimit pa leje. Jo ndërtim pa leje për një shtesë shpie, por çarje rruge, shkatërrim prone, dëmtim i perspektivës së zhvillimit i një komuniteti. Hapeni Kodin Penal, janë të gjitha të shkruara e zeza mbi të bardhë. Në gjendje të lirë, në gjendje të lirë, në gjendje të lirë. Janë një numër që kanë përfunduar prapa hekurave, dhe po të shikoni ata që kanë përfunduar prapa hekurave, që e meritojnë të përfundonin prapa hekurave, më shumë nga ata që janë në gjendje të lirë, është për të ardhur keq. Sepse shumë nga ata që janë në gjendje të lirë e meritojnë shumëfishin e atyre që janë prapa hekurave.

Shpresoj që ky mesazh të kalojë dhe që gjykatësit të kuptojnë se përballë hajdutëve të energjisë elektrike nuk mund të ketë asnjë dënim tjetër, përveç heqjes së lirisë. Janë pjesë e një ndërmarrjeje antikombëtare, – me vetëdije apo pa vetëdije për barrën e madhe që vënë në kurriz Shqipërisë, kjo nuk ka shumë rëndësi, – dhe duhet të ndëshkohen si të tillë.

Pas pak ditësh e gjithë Polica e Shtetit do të jetë pjesë e këtij operacioni dhe të gjithë lidhjet e paligjshme do të trajtohen njësoj si rrënjët e drogës në Lazarat. Por, gjithçka do të fillojë nga më të mëdhenjtë, gjithçka do të fillojë nga ata që për qëllime fitimi, jo për të ndezur dritën në shtwpi, konsumojnë energji sa një lagje dhe paguajnë sa një familje.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.