Fjala e kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në inaugurimin e Teatrit Andon Zako Cajupi ne Korçë:
Mirë se erdhët, sepse në këtë rast i bie që edhe unë jam korçar sot!
Duke ardhur sot për këtu më është kujtuar e gjithë seria e bisedave që kemi bërë me Nikon kohë më parë, kur Niko ishte kryetar Bashkie dhe unë isha Kryeministër në tentativë.
Sa herë vija në Korçë kisha një pezëm të madh, sepse Korça s’kishte lidhje fare me historinë e saj, me veshjet e saj, me të gjitha zakonet dhe tekat e saj njëherë e një kohë.
Ka patur gjithmonë në Korçë një lloj rivaliteti mes teatrit dhe jetës qytetare, në ngjashmëri me skenën. Dekori i këtij qyteti që filloi të pulsonte me një ritëm të shfrenuar estetik dhe social nga mesi i shekullit XIX, kur erdhën drejt Korçës venat plot gjak të ri nga krahinat më kreative dhe më sipërmarrëse të toskërisë i është përshtatur pareshtur gumëzhimës së arteve të bukura.
Ka një arsye pse të gjithë ranë dakord ta pagëzonin si “Parisin e vogël” dhe ka një arsye pse ne jemi këtu sot bashkë me Nikon, me Sotiraqin dhe me të gjithë të tjerët në kërkim të “Parisit të vogël”: Ka një Korçë të vogël dhe një Korçë që duhet zbuluar dhe rizbuluar.
Ka një Korçë që shihet dhe një Korçë që është prapa kuintave, e cila, njësoj si dekoret dhe tablotë operistike ingranohet si një mekanizëm që vë në lëvizje “deus ex machina”-t e shumta të jetës sociale.
Jemi në vitet ’20, në një ftesë të shoqërisë së arteve të bukura, e cila do të inaugurojë në Korçë modën e fokstroteve, të quadrilleve, tangove, valseve dhe mazurkave lexohet: “Një nga idealet e shoqërisë është që t’i dhurojë Korçës një godinë theatrale. Realizimi i këtij qëllimi varet në përkrahjen dhe ndihmën tuaj. Një dhrahmi që do të paguani në muaj është një gur i fortë i asaj godine, që do dëshmojë dhe pas shekujve ndihmën tuaj dhe dëshirën që ushqeni për artin.” – 1920.
Në pritje të kësaj godine, Korça nuk e pati të vështirë të kthejë pothuajse çdo mbrëmje në një teatër polivalent, në qiell të hapur me ecejaket dhe peripecitë e pinjollëve të bejlerëve dhe reshperëve, biondë, me brilantinë me cilindra dhe frak, me gjoksore të ngrirë, qostek dhe dekorata e medalje që mbanin në krah zonja nga rrethe sociale të larmishme, por të gjitha të bindura, të nënshtruara ndaj një kodi veshjeje dhe sjelljeje, ku spikaste belluzi dhe pelicja, bishtat e dhelprave, korsetë, perlat dhe një frëngjishte e rafinuar, herë-herë e ndërprerë nga thashetheme tipike për Korçën që kulmonin me deklamimin teatralo-mitik, ekstra fare.
Duhet shtuar se zonjat, me patjetër, lipset të shkonin për t’i bërë flokët mizampli, në ondulacion permanentin e Petraq Manushit, sepse ky qua fër e kishte marrë zanatin prej frëngjëve, që nga koha kur Korça, zonjë e rëndë, kishte qenë republikë për hesap të saj.
Pashkë e karnavale yshtnin burra e gra, të mëdhenj e të vegjël të rendnin për të psonisur kapele dhe maska, konfeti dhe serpantina në dy kinkaleritë e qendrës.
Në mjediset e mbyllura rivaliteti i shesheve të rrugicave të Korçës ishte më i sofistikuar, por po ashtu i egër dhe i pamëshirshëm.
Se kush doli fitues në ato beteja mondane, shoqëria e arteve të bukura, shoqëria e Kryqit të Kuq, shoqëria e voskopojarëve apo lidhja e gruas, ky është një mister që zor dhe sot mund ta hajë një arbitrazh të historisë.
Ndërkohë që klubet më selekt të Parisit të vogël rivalizonin mes tyre në rafinim prej kopshtoreve të mitropolisë deri në Majestikë dhe prej musafirhanes së moçme në shtëpitë e Arhond, apo siç quheshin në gjuhën e alleatës së madhe të kohës në Korçë, “pezzogrosit”, gdhendej në mermerin social kushtetuta e botës mondane të universit të familjeve më të sojme dhe më të kamura të kryqëzimit dy ish-vilajeteve, Manastirit dhe Janinës.
Nuk kishte ftesë në ballot dhe shfaqjet më selektive dhe më të shumëpritura të kohës ku mos të lexoje këtë rregullore: “Çdo zotni, pa u shoqëruar me një damë nuk pranohet! Vajza nën 13 vjeç nuk pranohen si dama! Çdo zotni ka të drejtë të sjellë në ballo një, ose më shumë dama! Balloja ka formë krejt familjare! Prandaj çdo çift mund të lozë lirisht pa u drojtur! Duhani ndalohet fare në sallën e ballos! Konfetitë dhe kotdherat mund të përdoren gjithë kohës kur vazhdon ballua. Bufeti i begatuar me gjithë ëmbëlsirat dhe të pira të lehta është në depoziton të të gjithëve. Çdo kavalier s’ka të drejtë të kërkojë në valle një damë të panjohur, ose të parekomanduar pa kërkuar lejen e atij që e shoqëron”.
Ky “rend moral” i vendosur nga Arhondët, jo vetëm dihej, por edhe pritej të kishte efekt të kundërt ndaj normimit të sjelljes. Të paktën kështu shpresohej për brezin e ri, i cili duhet të njihej dhe të martohej mes vedit. Se sa ndikonin këto ballo në dashuriçka të volitshme, apo dramatike, këtë e dëshmojnë edhe mjaft romane korçarësh si ato të Foqion Postolit, por dhe ndoshta autentike si njohja e më pas martesa e të birit të Petro fotografit ortodoks me një vajzë myslimane, ngjarje shumë e rrallë për Korçën e paraluftës.
Gërshetimi social dhe i kastave të ngritura dhe përfaqësuese të Korcës realizohej nëpërmjet anëtarësive në pleqësitë e shoqërive kulturore dhe klubeve. Fundot dhe Ballaurët ishin vërtet si dikur në Voskopojë, epitrop e koxhabashë të shoqërisë së voskopojarëve, por të tillë gjej dhe në rivalen shoqëri të arteve të bukura, ku spikasnin Andon Frashëri me bashkëshorten e tij të bukur, Marjanë, vajzën e Thoma Avramit, autor i “Dua më shumë Shqipërinë”, por dhe Taqi Fundo dhe Mihal Sherko, Vangjush Mio dhe Thoma Nasi.
Lidhja e Gruas, bashkonte rreth vetes, jo vetëm gratë më intelekutale dhe më të emancipuara të toskërisë si Ollga Plumbi, apo mjeken e parë grua në Shqipëri, por dhe Shega Ucin dhe bamirësen e madhe Athina Frashëri Turtulli, e cila me bashkëshortin e saj Thomain i la Korçës jo më pak se një lice të ndërtuar nga Xhulio Berte, bibliotekën, spitalin e vjetër dhe shkollën industriale.
Kur njerëzit dilnin nga shkollat e dansit dhe kurset e bilardos karambol në kafe “Splendid” të Vani Pepos ku performonte maestro Ilia Xherahu mund të ndeshnin sa ballafaqimet teatrale dy kinemave, “Majestik” dhe “Lluks”, po aq dhe personazhet e qytetit që cenet fizike apo tendencën për të ngritur më shpesh se ç’duhet gotën e ëhiskey-t nga tavolina, ishin kthyer në performanca urbane. Mjaft të kujtosh pijanecin Karamanka, borsalinon e Kolit të Ramës apo Llaqkën që rrinte dimër – verë lakuriq rrugicave të Korçës, pa ia bërë syrin tërr asnjë korçarke.
Për pak do shfaqet këtu baleti i Tchaikovsky-t, “Liqeni i Mjellmave”, e jo si në 26 korrik 1920, drama e Kristo Floqit “Fe dhe Kombësi”.
Megjithatë, unë nuk rri dot pa ju udhëzuar të ndiqni rregulloren e shfaqjes së asaj kohe, paragrafin e fundit të së cilës po ia imponoj vetes menjëherë pas citimit: “Zonjat janë të lutura, kur nis lojtja, të heqin nga kryet kapellat e tyre, që t’u japin rast atyre të prapsmëve të shohin dramën. Zotërinjtë janë absolutisht të ndaluar të tymojnë apo të celulojnë. Në çdo pushim të akteve, shikonjësit janë të lutur të mos ngrihen dendur nga fronet e tyre, dhe ata që ngrihen, kur kthehen duhet të mos ngatërrojnë vendin që rrinin. Copën e etiketës që ju kthehet prej pritësit vendoseni në një xhep të sigurt, se në qoftë se e humbisni do jeni të shtrënguar të blini një tjetër. Kur nis çdo akt, duhen prerë fjalime se njerëzia vijnë në teatër për të shikuar dhe dëgjuar lojtësit dhe muzikën e jo fjalët e atyre që duan të bëjnë pazarllëqe. Pazarllëqet bëhen në treg.”
Në mbyllje, për të gjithë ata që rëndom sa herë gjendjen përpara ngjarjeve të tilla, ngrenë pyetjen ç’na duhen teatrot, ç’na duhen kinematë, ç’na duhen muzeumet, ç’na duhen stadiumet, pallatet e sportit, shëtitoret, parqet, pemët, dritat, unë sot kam vetëm një përgjigje dhe përgjigja ime është: kam parë vende që i kanë të gjitha këto dhe nuk janë të kamuara siç ishte Korça e asokohe. Por nuk kam parë asnjë vend që nuk i ka këto dhe ka bukë për të ngrënë.
Shumë faleminderit!