Fjala e Kryeministrit Edi Rama, sot në Kuvend, ku diskutohej projektligji “Për përdorimin e armëve”:
Nuk mund të anashkaloj atë që ndodhi pak më parë. Nuk mund të mos shpreh keqardhjen që përsëri bëhemi dëshmitarë të një situate ku marrim pjesë në dhënien e një shfaqjeje tjetër të shumë arsyeve pse njerëzit e ndjejnë larg politikën, e ndjejnë larg parlamentin.
Pa asnjë dyshim kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithmonë kundër çdo forme dhune, nga dhuna verbale, tek dhuna fizike. Nga dhuna verbale, si nxitje drejt dhunës fizike, tek dhuna fizike si përgjigje ndaj dhunës verbale.
E ashtu si në një rast të shkuar dëshiroj që ta rinënvizoj qëndrimin tim se për dhunën verbale dhe pa diskutim dhe për dhunën fizike të ushtruar nga cilido deputet, pavarësisht të dallimeve majtas apo djathtas, duhet të ketë qëndrim maksimalisht të ashpër.
Nga ana tjetër nuk mund të rri dot pa kujtuar se kur unë prezantova programin e Qeverisë, pra në një ditë jo të zakonshme kuvendore, e gjithë opozita u çua dhe iku nga salla, duke u kapur pas fjalisë “s’keni parë akoma asgjë” dhe duke e interpretuar këtë fjali si një paralajmërim për gjëra të kobshme.
Sot do të doja që të ishin tani këtu e t’u thosha se nëse “s’keni parë akoma asgjë” është një fjali që ju bëri të çoheshit dhe të braktisnit Kuvendin në ditën e paraqitjes së programit të Qeverisë, po fjalitë “do ta shihni, do ta shihni, do ta shohësh, do ta shohësh” që përsëriten si refren këtu në këtë sallë nga dhunues verbalë që sot janë në rreshtat e opozitës, por që nuk bëjnë opozitarin, por bëjnë akoma pushtetarin e rënë nga vakti, – si duhet marrë dhe si duhet ndëshkuar?
E pra, le të jemi seriozë dhe le të jemi që të gjithë bashkë të përgjegjshëm ndaj të gjithë atyre që na kanë dhënë mundësinë, na kanë dhënë nderin dhe na kanë krijuar privilegjin që të jemi ne këtu, në këtë sallë dhe të mos i shohim fjalët e padëshirueshme vetëm kur vinë nga goja e tjetrit, por t’i ndalojmë ato në radhë të parë në gojën tonë. E të mos t’i shohim veprimet e padëshirueshme vetëm kur ato kryhen nga tjetri, por t’i ndalojmë ato në radhë të parë për veten tonë.
Sot dëshiroja që të thoja dy fjalë për këtë ligj, i nxitur edhe nga reagimet e opozitës, që çuditërisht edhe pse i thotë vetes një forcë konservatore e djathtë, në të gjithë qasjen ndaj Ligjit për Armët, dukej sikur ishte këtu e sjellë nga komandanti Markos. Ndërkohë që duhet të ishin ata që duhet ta kishin bërë pikërisht këtë; jo legalizimin e çdo arme që është vërdallë, por këtë legalizim me kushte tërësisht të mirëpërcaktuara dhe me vulën e shtetit shqiptar mbi çdo armë, sepse koha tregoi se qasja e tyre për armëmbajtjen pa leje ishte tërësisht dritëshkurtër. Koha tregoi që reagimet e deputetëve tanë në opozitë, qoftë në komisionin e sigurisë, qoftë në komisionin e ligjeve, që iu kundërvunë rritjes disporpocionale të ndëshkimit për armëmbajtjen pa leje, nuk solli absolutisht asgjë tjetër, përveçse vazhdimit të së njëjtës histori. Pra, koha tregoi që kishim të drejtë. Koha tregoi që është momenti për të marrë pikërisht këtë masë.
Sot për më tepër duhet thënë edhe diçka tjetër, që me vullnetin e shumicës dhe me propozimin e qeverisë vendoset në ligj, në mënyrë të qartë dhe të prerë, pamundësia për të përsëritur “21 janarin” dhe për të shkrehur plumba prej vërteti mbi protestuesit, kudo qofshin dhe për çfarëdo arsye protestofshin.
Ky është një moment shumë i rëndësishëm që ndan qartësisht dy epoka dhe që dallon qartësisht edhe njëherë tjetër, për të gjithë ata që kanë nevojë të shohin dallime, ne me këta, që s’janë këtu sot. Ndërkohë që, në vend që ta shfrytëzojnë këtë sallë dhe këtë hapësirë të çdo të enjte, për të debatuar, me pasion sa të duan, me tension sa të duan, po jo me sherre dhe me dhunë verbale, – e shfrytëzojnë kohën këtu, vetëm për të provokuar dhe vetëm për të kundërshtuar pa sens. Por kjo e dyta është punë e tyre.
Kisha dëshirë të thoja edhe unë diçka lidhur me 13 biznesmenët e vrarë. Nuk kam asnjë arsye për të parë gishtin, kur gishti tregon hënën. Është dritëshkurtësi, në mos qoftë edhe ligësi, por është dritëshkurtësi. Sepse ajo çfarë tha Ministri i Brendshëm, nuk ishte një përpjekje për të përkufizuar statusin e të vdekurve, por ishte një përpjekje për të ftuar opozitën në një reflektim shumë serioz, lidhur me vrasje të paralajmëruara.
Shumë prej kronikave të këtyre vrasjeve, janë kronika vrasjesh të paralajmëruara si rezultat i një sistemi drejtësie të kalbur. Bëhet fjalë për njerëz që nuk është Ministri i Brendshëm që i quan kriminelë, por që i ka përkufizuar si të tillë Gjykata, që i ka dënuar si të tillë Gjykata, e që pastaj kanë rigjetur rrugën e lirisë, përmes gjyqtarësh të korruptuar.
Janë mbi 100 raste që Ministri i Brendshëm i ka bërë me dije Presidentit të Republikës, si Kryetar i Këshillit të lartë të Drejtësisë. Të gjitha ato janë kronika vrasjesh dhe vjedhjesh të paralajmëruara. Askush ndër ta nuk ngre zërin dhe nuk bashkon zërin me ne e me popullin shqiptar për t’i dhënë fund këtyre kronikave të vrasjeve të paralajmëruara, por vijnë këtu dhe zihen e bëjnë sherr e shamata, a quhen kriminelë apo quhen biznesmenë. A janë kriminelë ata që u vranë apo janë biznesmenë. E kush i vrau dhe si i vrau, ndërkohë që gjërat janë krejt të qarta.
E, pa as më të voglin dyshim, ky ligj shënon një moment shumë të rëndësishëm të shprehjes së vullnetit tonë për të filluar një operacion tjetër, shumë më të madh sesa operacioni i Lazaratit, operacionin kundër armëmbajtës pa leje. Por na duhet ky projektligj për të mos nisur operacione pas berihajit. Se kështu na thoshin edhe për Lazaratin. Pse nuk hyn Qeveria në Lazarat? Donin që të hynim në Lazarat të nesërmen që filluam punën. Maturinë, përgatitjen, analizën, studimin, përcaktimin e një operacioni që ishte një sukses botërisht i duartrokitur, pa asnjë pikë gjaku, donin që ta bënim për një ditë. Ndërkohë që u deshën disa muaj, në kushtet e një konfidencialiteti që kurrë më parë nuk e ka pasur Policia e Shtetit. Sepse, si kurrë më parë, Policia e Shtetit nuk është më e varur nga fijet që lidhin krimin me zyrat e Ministrit, të zyrtarëve më të lartë apo të Kryeministrit.
Kërkojnë që të zbulohet menjëherë dora që vrau barbarisht Artan Santon. Harrojnë që akoma, sot e gjithë ditën, dora që vrau Fatmir Xhindin është e pazbuluar. Nuk ju kujtohet Fatmir Xhindi, deputeti i vrarë tek dera e shtëpisë së tij. Nuk iu kujtohet as Remzi Veseli, këtyre, kryetari i Komunës, i vrarë tek dera e shtëpisë së tij, kur këta ishin në pushtet. Ndërkohë që për bankierin e vrarë duan që vrasja të jetë e zbuluar në sekondë. Një skizofreni totale. Tjetër botë shohin për veten e tyre, tjetër botë shohin për realitetin dhe për punën tonë.
Ka edhe një pyetje për të ngritur dhe do të ishte mirë që të ishin këtu, ta dëgjonin dhe t’i përgjigjeshin; Si shpejtohet që këta flasin eksplozivi, eksplozivi, eksplozivi dhe eksplozivi, eksplozivi, eksplozivi plas andej – këtej?! Pastaj, pa pritur e pa kujtuar, s’ka më eksploziv dhe këta s’merren më me eksplozivin. Si shpjegohet që fushata e eksplozivit fillon me shtylla tensioni ku shkruhet “taksat dhe nafta”?! Cilat taksa dhe cila naftë?! Nafta që do rritej aq sa do të bllokonte gjithë makinat, gjithë anijet dhe gjithë avionët në Shqipëri, sot është më e ulët se ç’ishte atë ditë që ne vumë përqindjen plus të pagesës, për të financuar mjedisin dhe shëndetin.
Janë rritur çmimet. Cilat çmimet janë rritur? Jo, nuk janë rritur çmimet!
Ndërkohë që, siç e paralajmëruam dhe siç rezulton nga raporti i fundit i INSTAT-it, çmimet e ilaçeve kanë nisur të ulen. Edhe pse, edhe aty, na duhet të bëjmë një luftë të përditshme dhe konstante me një mafie tjetër, e cila pengon informimin e publikut për alternativat e ilaçeve të rimbursueshme. Sot ka alternativa për ilaçet e rimbursueshme. Ato që deri dje ishin alternativa e vetme dhe që njerëzit i paguanin shumë shtrenjtë, janë përsëri, por nuk janë më alternativa e vetme. Njerëzit kanë edhe alternativa të tjera, por në Shqipëri ka mjekë që i çojnë pacientët tek e njëjta farmaci dhe që i detyrojnë të blejnë të njëjtin ilaç të shtrenjtë. Këto janë probleme, sigurisht, për t’i zgjidhur ne dhe jo për t’u ankuar nga kush, por meqë dëgjova këtu për rritjen e çmimeve.
E, do të doja që ta mbyllja duke u rikthyer aty ku e nisa, tek domosdoshmëria për t’u ndarë qartë dhe prerë nga bataku ku duan të na thithin, sa herë vijmë këtu, ditën e enjte. Për t’u ndarë duke mbyllur veshët e duke shtrënguar dhëmbët, dhe duke mos reaguar në asnjë formë ndaj provokimeve të vazhdueshme dhe asaj dhune të vazhdueshme verbale që këta zotërinjtë këtu e kanë kthyer në status për veten e tyre. Marrin fjalën këtu në foltore dhe fjalën “bandit”, “mafioz”, “mostër”, gjithë këto lloj epitetesh, drejtpërdrejtë personale për njërin e për tjetrin, i konsiderojnë normalitet demokratik. Ndërkohë që s’më ka qëlluar të dëgjoj ndokënd nga përfaqësuesit e shumicës që të drejtohet në këtë formë, me epitete denigruese dhe fyese. Shtrembërojnë të vërtetën në mënyrën më monstruoze dhe e quajnë të vërtetën, të cilës duhet t’i nënshtrohen të gjithë, jo ne këtu, por i gjithë populli.
Ankohen se këtu ka një plan mafioz për t’i mbyllur gojën opozitës. Kur e ka pasur opozita atë mundësi që ka sot? Kur e ka pasur opozita mundësinë që të flasë pa matje kilometrazhi? Kur e ka pasur opozita mundësinë që t’i japë status të veçantë njërit e tjetrit, që të vijë këtu në foltore dhe ta mbajë Parlamentin peng sa herë t’i teket të kërkojë fjalën. Kjo nuk është diçka që, sigurisht, përbën një standard të një vendi që do të futet në Bashkimin Europian, por është një arsye shumë e fortë që këta, të paktën në këtë pikë, të mos flasin. Të mos flasin për përpjekje për t’u mbyllur gojën. S’kemi ne asnjë problem të kësaj natyre. Ne kemi vetëm një problem të madh, që si në këtë sallë të vijmë dhe të mos vrasim kohën duke vrarë shpresa dhe duke prishur shijen e atyre që ndjekin Parlamentin; Se si në këtë sallë të diskutojmë për të ardhmen, të diskutojmë për si të zgjidhim problemet, duke ballafaquar qasje të ndryshme dhe s’kemi asnjë problem nga debati me ta. Është një debat që e fitojmë pa gajlen më të vogël, sepse tanimë kemi mundësi të fillojmë të flasim me gjuhën e rezultateve, që flasin qartë dhe flasin vetë.
Tanimë, edhe ky ligj do të na japë mundësinë që të kalojmë nga një fazë xhungle në mbajtjen dhe përdorimin e armëve, në një fazë kur policia dhe gjithë shoqëria do të kenë mundësi të vënë nën kontroll, armëmbajtjen. Ky është projekti, të gjitha të tjerat, pastaj, janë “dokrra hini”, kur thoshte Gjergj Fishta.