Nën drejtimin e Kryeministrit Rama u konsititua sot, Këshilli Ekonomik Kombëtar, një instrument që ngrihet për herë të parë për të institucionalizuar dialogun mes qeverisë dhe sipërmarrjes, në funksion të ristrukturimit të ekonomisë, në një ekonomi dinamike dhe prodhuese.
Gjatë prezantimit të Këshillit, Kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria, duhet me patjetër që krizën e ekonomisë dhe të financave të veta, ta kthejë në një oportunitet për ta kapërcyer, duke dalë më e fortë.
Këshilli Ekonomik Kombëtar, si një strukturë e përhershme do të mblidhet çdo tre muaj dhe do të trajtojë përmes ekspertizës më të mirë ndërkombëtare dhe asaj vendase, çështje që në planin afatshkurtër lidhen me borxhet ndaj sektorit privat, ndaj kompanive për punë publike të tenderuara apo të kryera e të papaguara, ndaj vetë kompanive në formën e TVSH-së së parimbursuar dhe në planin afatmesëm dhe afatgjatë, me vetë strukturën e ekonomisë.
Më poshtë fjala e Kryeministrit Edi Rama:
“Më së pari, me shumë mirënjohje dhe me shumë respekt, dua të falënderoj për praninë e tyre këtu, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, zotin Fullani dhe po ashtu disa të ftuar të posaçëm, të cilët me shumë dashamirësi, duke shpenzuar bujarisht kohë nga koha e tyre e çmuar na asistojnë prej disa muajsh, qysh me Konferencën Ndërkombëtare që ne organizuam në muajin gusht dhe janë këtu bashkë me ne, për të na ofruar ekspertizën e tyre në një moment shumë delikat, ku Shqipëria duhet me patjetër që krizën e ekonomisë dhe të financave të veta, ta kthejë në një oportunitet për ta kapërcyer, duke dalë më e fortë.
Falënderoj zonjën Stephany Griffith-Jones, e cila drejton një Iniciativë të mirënjohur të Dialogut të Politikave në Universitetin e Columbias. Falënderoj përzemërsisht zotin Durmuş Yılmaz, ish guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë dhe aktualisht Këshilltar Ekonomik i Presidentit Gül, zotin Leif Pagrotsky, ish ministër i Tregtisë dhe Industrisë së Suedisë. Unë po i referohem detyrave të fundit që kanë pasur, se po t’i referohesha gjithë detyrave që kanë mbuluar do duhej të merrnim të gjithë kohën e këtij Këshilli Ekonomik. Dhe me shumë mirënjohje, zotin Erik Berglöf që është shefi i ekonomisë dhe këshilltari special i Presidentit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që është këtu bashkë me ne. Dua të falënderoj, po ashtu, edhe përfaqësuesit e bankave, nëpërmjet kryetarit të Shoqatës së Bankave të Nivelit të Dytë në Shqipëri, përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë, përfaqësuesin e Biznes Albania, përfaqësuesit e Dhomës sonë të Tregtisë, përfaqësuesit këtu të misioneve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, me të cilët po punojmë ngushtësisht, në një dialog intensiv, për të dalë me konkluzionet e duhura dhe me masat e duhura, në funksion të kapërcimit të krizës, si dhe një grup përfaqësuesish të sipërmarrjes shqiptare, të cilët janë zgjedhur mes taksapaguesve më të mëdhenj dhe më korrekt këtu, në këtë vend.
Kjo është tryeza e Këshillit Ekonomik Kombëtar. Unë do t’ju drejtohem me një fjalë të përmbledhur, përpara sesa të shkoj më tutje me punimet e këtij Këshilli, duke mos harruar të falënderoj edhe përfaqësuesen e IFC-së që e kemi këtu në tryezë.
Dua ta nis me një shprehje të një Profesori të njohur, Edward Glaeser që thotë se “Bota nuk drejtohet dhe nuk duhet të drejtohet nga ekonomistët…” Unë nuk e di se çfarë mendojnë ekonomistët që janë këtu për këtë, por për fat të mirë kjo mbledhje fillon këtu dhe nuk mbaron këtu. Ky është fillimi i një kuvendimi, për të cilin unë jam shpresëplotë, sikundër është edhe fillimi i fjalisë së profesorit të njohur, që vazhdon kështu: “…është e nevojshme që të ketë një shumëllojshmëri perspektivash në tavolinë. Dhe ekonomistët kanë shumë çfarë të sjellin modele, evidenca statistikore, një fokus tek mundësitë individuale dhe një qasje komplekse të politikes publike, të sofistikuar në shekuj”. Ajo që unë kuptoj nga kjo shprehje sa provokative, aq edhe kuptimplotë e Edward Glaeser është se sot, askush nuk mund ta drejtojë dhe as e drejton dot botën vetëm, as ekonomistët, as politikanët, as akademikët, as shkencëtarët. Gjithmonë e më shumë nevoja për bashkëpunim, për bashkërendim të perspektivave në një hapësirë, në një tryezë të përbashkët për përputhje të profileve të ndryshme dhe qasjeve të ndryshme është e domosdoshme.
Një tryezë e tillë është një prej tryezave nga ku duhet të drejtohet Shqipëria, duke drejtuar ekonominë dhe financat e këtij vendi, por jo thjeshtë ekonominë dhe financat në fakt. Duke shprehur edhe një herë mirënjohjen time për praninë tuaj që nuk është një prani thjeshtë e një grupi individësh, por është prania e një përfaqësie perspektivash të ndryshme dhe botësh të ndryshme edhe pse të lidhura me njëra- tjetrën, unë dua të them dy fjalë për mënyrën sesi mendoj që duhet të funksionojë Këshilli. Besoj që në dosjen tuaj të kësaj mbledhjeje të parë do të gjeni edhe një draft që pret sugjerimet tuaja, sigurisht në ditët në vijim, për t’u kthyer në një vendim të qeverisë së Shqipërisë për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar. Është një draft që synon të na çojë si qeveri, drejt një vendimi që e institucionalizon Këshillin Ekonomik Kombëtar si një strukturë që nuk varet nga humoret e qeverisë, që nuk varet nga dëshira apo mosdëshira e Kryeministrit apo e ministrave përkatës për t’u mbledhur ose jo, por që kthehet në një strukturë, sigurisht konsultative, por njëkohësisht edhe bashkëshoqëruese e gjithë procesit të analizës, të përgatitjes së vendimmarrjes dhe të vetë vendimmarrjes së qeverisë shqiptare, për të gjitha ato aspekte që kompetencat e kësaj përfaqësie janë më shumë sesa të plota.
Një herë në tre muaj ky Këshill do të mblidhet në këtë formë që jemi sot, ku do të variojnë prezencat e ministrave sipas temave përkatëse, ku mund të variojnë prezencat e ekspertëve, sipas mundësive të tyre. Rrjeti ynë i miqve ekspertë të nivelit më të lartë botërorë sot të ekonomisë dhe financave është më i gjerë sesa këta katër miqtë që na kanë nderuar me praninë e tyre në këtë tryezë. Dhe duke marrë parasysh dhe angazhimet e tyre, ne mendojmë që alternimi do të ishte plotësisht i mundshëm dhe po ashtu i vlefshëm, ndërkohë që e gjithë puna e kësaj tryeze do t’i përcillet e plotë të tjerëve që nuk janë këtu sot, të pranishëm. Mbas Konferencës që kemi pasur në gusht, kemi vazhduar të kemi komunikim me të gjithë pjesëtarët dhe, si të thuash, ky rrjet pak nga pak po merr një formë shumë të përshtatshme dhe që ne na ndihmon shumë.
Po ashtu, çdo tre muaj ne do të sjellim këtu temat e nxehta, me synimin që të diskutojmë për aspektet strategjike të zhvillimit të politikave ekonomike dhe financiare. Ndërkohë që, çdo muaj ky Këshill do të mblidhet pa praninë e ekspertëve të huaj që nuk mund t’i kemi çdo muaj, të jemi realistë, të pranishëm këtu në Shqipëri dhe pa praninë time, por me praninë e gjithhershme të ministrit të Financave dhe të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, për të ndjekur çështje më aktuale dhe më në mikro të sipërmarrjes, të bankave dhe të marrëdhënieve mes sipërmarrjes së bankave dhe mes sektorit privat dhe vetë qeverisë. Duke synuar që ky Këshill të jetë dhe vendi ku trajtohen edhe probleme në dukje të vogla, probleme në dukje individuale, qoftë edhe të një kompanie të vetme, por që mund të na shërbejnë për të zgjidhur jo thjesht atë problem, por për të luftuar me fenomene shumë problematike deri më sot, si sjellja e papërshtatshme e administratës tatimore ndaj sipërmarrjes, si mosndjekja dhe moskorrektesa nga ana e përfaqësuese të qeverisë në lidhje me çështje shumë të rëndësishme për sipërmarrjen dhe më lejoni ta them, si vetë korrupsioni në administratën tatimore dhe në administratën shtetërore a kudo ku ka një pikë kontakti mes sipërmarrjes dhe shtetit që është një fenomen që mund ta luftojmë me efikasitet, në rast se ndërtojmë një marrëdhënie të hapur dhe transparente mes nesh, institucionale dhe sistematike, në mënyrë që çështje të rënda që lidhen me arbitraritetin, që lidhen me abuzimin, që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe që rëndojnë mbi sipërmarrje të caktuara, bëhen çështje të kësaj tryeze dhe qeveria të mos mund të thotë se nuk isha e informuar, ministri i Financave të mos mund të thotë që nuk isha i informuar, po kështu, ministri i Zhvillimit Ekonomik, po kështu edhe vetë Kryeministri. E kështu, të gjithë ata që në emër të administratës shqiptare, tatimore, doganore apo në çdo pjesë tjetër të shërbimeve ndaj sipërmarrjes që janë në kontakt me sipërmarrjen, ta mësojnë jo vetëm me fjalë, por edhe me shembuj se kur shkojnë të dhunojnë apo të kërcënojnë një sipërmarrje, për të marrë para e korrupsion mund të përfundojnë pre e një transparence që garantohet nga marrëdhënia konstante mes sipërmarrjes dhe qeverisë.
Për ta bërë këtë transparencë sa më efikase, ne do të ngremë këtu në Këshillin e Ministrave, një zyrë që do të jetë zyra e ankesave dhe zyra e kërkesave të sipërmarrjes, drejtpërdrejt si Sekretariat i Këshillit, në raport me mbledhjet e përmuajshme. Kështu që, duke shpresuar që miqtë e ftuar të mos ndjehen të rënduar nga kjo pjesë, sepse në fakt kjo është pjesa që na takon ne këtu ta zgjidhim me njëri-tjetrin, po shkoj më tutje pa e zgjatur shumë më tepër fjalën time, duke ju thënë se kemi dy çështje në këndvështrimin tonë që ne duam të trajtojmë; njëra është çështja e planit afatshkurtër, që lidhet me një situatë të ngarkuar borxhesh ndaj të tretëve të qeverisë, borxhe ndaj sektorit privat; ndaj kompanive për punë publike të tenderuara apo edhe të kryera e të papaguara; ndaj të tretëve në arsim, në shëndetësi, për shërbime të marra dhe të papaguara; ndaj vetë kompanive në formën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) të parimbursuar ose as të marrë fare në konsideratë për rimbursim, ndaj kompanive lidhur me vetë tatimin e fitimit, ndaj sistemit elektroenergjetik shqiptar në formën e mbi 40 milionë dollarëve borxhe të qeverisë dhe të agjencive shtetërore që nuk kanë paguar energjinë, deri te borxhe që lidhen me kompani telefonike apo edhe me hotelet dhe restorantet ku janë shtruar dreka e darka, janë bërë recepsione e nuk janë paguar paratë. Pa llogaritur këtu, borxhe që lidhen me vendimet e gjykatave, qoftë Gjykatës Kushtetuese, qoftë gjykatave të tjera shqiptare, që janë një pjesë tjetër që përsëri janë borxhe, por që do të trajtohen veç nga pjesa për të cilën fola.
Në këtë situatë gjendemi, kjo është situata që po diskutojmë intensivisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankën Botërore. Nga ana tjetër kemi probleme që lidhen me vetë borxhin publik, kemi probleme që lidhen me deficitin. Ana tjetër e planit tonë, çfarë duhet të bëjmë që kjo që bëjmë në afatshkurtër të funksionojë në afatmesëm dhe afatgjatë, si një gur themeli për një politikë të re ekonomike dhe fiskale. Sigurisht që ky Këshilli është vendi i duhur për të diskutuar edhe për vetë aspektet problematike të strukturës së ekonomisë sonë, në kushtet kur dy burime të mëdha të kësaj rritjeje ekonomike sot mund të konsiderohen të shteruara, ose së paku jo më burime rritjeje decizive. Nga njëra anë dërgesat e emigrantëve që kanë qenë jo pak, por rreth 15 % e GDP-së së vendit, nga ana tjetër fundi i bumit të ndërtimeve. Kemi nevojë për burime të reja rritjeje. Sigurisht, Shqipëria ka potenciale dhe është një vend, ku burimet e reja të rritjes janë jo vështirësisht të identifikueshme, por ajo që është më e rëndësishmja, epoka e një rritjeje ekonomike pa punësim është praktikisht e ezauruar dhe na duhet një rritje ekonomike me punësim që do të thotë një ekonomi prodhuese dhe një ekonomi që të jetë në gjendje të krijojë vende të reja pune.
Duke ju falënderuar, me shpresën se kjo fjalë mjafton për të hyrë në temën e bisedës së stome dhe duke qenë i bindur për vlerën e shtuar që të gjithë ju sillni në këtë tryezë, më lejoni edhe një herë që t’ju uroj mirëseardhjen dhe t’ju siguroj për vullnetin e palëkundur të qeverisë dhe timin personalisht që ky Këshill Ekonomik Kombëtar të jetë një instrument i vlefshëm dhe një forum nga ku ne si qeveri të mund të mësojmë pa i kthyer shpinën kësaj tryeze për shkak të vërtetave të hidhura që mund të na thuhen në vijim dhe që në fakt, janë ato për të cilat kemi në radhë të parë nevojë.
Edhe një herë faleminderit dhe punë të mbarë për Këshillin Ekonomik Kombëtar!