Deklarata e Kryeministrit Edi Rama në përfundim të mbledhjes së qeverisë:
Kryeministri Edi Rama: Sot nisim një proces, i cili do të vazhdojë çdo muaj, me një mbledhje të qeverisë në një qark. Arsyeja pse dola këtu, është për të dhënë disa shpjegime mbi këtë proces.
Nuk është fjala për të bërë një mbledhje të Këshillit të Ministrave në një sallë tjetër, në një qytet tjetër, – gjë është e para dhe ne e përfunduam, – por është fjala për një zbritje të qeverisë në territor dhe një kontakt intensiv, më shumë sesa thjesht një takim me gjithë komunitetin, me pjesë të ndryshme të komunitetit, grupe interesi, apo sektorë të administratës.
Më pas, sot kemi një dëgjesë publike ku do të përqendrohemi tek buxheti i vitit të ardhshëm dhe në darkë, një takim të zgjeruar me përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, që do të diskutojnë me secilin e secilën nga anëtarët e anëtaret e kabinetit të qeverisë.
Nesër, një mëngjes pune me drejtuesit e institucioneve të varësisë nga ana e të gjithë ministrave dhe një mbledhje më pas, me të gjithë drejtuesit e administratës qendrore në qark.
Më tutje, një dëgjesë me prindërit për planet e bashkëhartuara me prindërit në shkolla, që unë do ta zhvilloj me ministren e Arsimit dhe kryetarin e Bashkisë, ndërkohë që të gjithë anëtarët e qeverisë do të shkojnë në zona të ndryshme, në fshatra të ndryshëm, për të bërë takime sipas sektorëve dhe për t’u ndalur e bashkëbiseduar me njerëz të zakonshëm e me familjarë në gjithë hapësirën rurale.
Më pas, unë do të zhvilloj një vizitë në Kaninë. Në mbledhjen e sapombyllur të qeverisë, një ndër vendimet ishte shpallja e qendrës historike të Kaninës, zonë e mbrojtur. Po ashtu u miratua dhe rregullorja e administrimit të saj dhe do të pasojë edhe një program i financuar për rilindjen e gjithë atij fshati të mrekullueshëm dhe për sistemimin e gjithë asaj zone, që tanimë është zonë e mbrojtur e trashëgimisë sonë kulturore.
Paralelisht me këtë u mor dhe një vendim tjetër, për të çuar drejt realizimit projektin e qendrës së njësisë administrative Brataj, ku u aprovua edhe fondi përkatës i shpronësimeve.
Më tutje kemi një inspektim të punimeve në nënstacionin e Orikumit. Një investim i rëndësishëm i qeverisë që çon më përpara projektin tonë madhor për ripërtëritjen e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Më tutje, parku arkeologjik i Orikumit dhe pasdite, takimi i qeverisë dhe pushtetit vendor në qark me gjithë kryetarët e bashkive, pa dallim përkatësish politike, me administratorët në të gjithë territorin dhe me deputetët socialistë. Përsëri një takim publik i hapur.
Kjo është axhenda e kësaj vizite të parë pune të qeverisë në një territor. Siç e thashë, në çdo muaj, qeveria do të zbresë në një territor, për të qenë pranë njerëzve e jo thjesht për të bërë mbledhjen e saj të radhës dhe me një tematikë specifike për qarkun përkatës, por për të ndarë me njerëzit, për të ndarë me përfaqësuesit e grupeve të ndryshme të interesit, për të diskutuar me drejtues dhe administratorë lidhur me ecurinë e punëve tona të përbashkëta.
Po ashtu kemi miratuar edhe një tjetër proces, që i detyron për çdo muaj, anëtarët e kabinetit qeveritar dhe ekipet e tyre që të vizitojnë e të shohin nga afër punët në sektorin e tyre në një qark të Shqipërisë.
Këto janë të gjithë përpjekje që shkojnë në të njëjtin drejtim, përpjekje qëllimmira për të ndërtuar atë që ne me këmbëngulje do vazhdojmë ta përsërisim, e konsiderojmë domosdoshmëri për Shqipërinë që duam, koalicionin e madh me njerëzit.