Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Mjekë dhe infermierë të Klosit, që kanë shërbyer për vite më radhë me përkushtim dhe profesionalizëm në këtë zonë, por në mënyrë të  veçantë kanë spikatur me kontributin e tyre në periudhën e pandemisë, – ishin sot së bashku me Kryeministrin Edi Rama në një bashkëbisedim për planin 2-vjeçar të rritjes së pagave që ka filluar të jetësohet dhe përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, për t’i krijuar stafeve mjekësore mundësinë për ta ushtruar me dinjitet profesionin e tyre fisnik.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithave! Se nuk e kuptoj pse edhe këto shoqet e mia kur bëjnë takime me gratë thonë përshëndetje të gjithëve.

Përshëndetje të gjithave se për burrë kemi këtu nja tre hudhra dhe nja tre që erdhën me vonese. Kështu që përshëndetje të gjithave, edhe patjetër përshëndetje të gjithëve.

Është shumë kënaqësi për mua që ta them me gojën plot që kem realizuar një dëshirë të kahershme dhe kemi hequr një siklet të tmerrshëm të kahershëm që lidhej me faktin që nuk na krijohej mundësia për të bërë një rritje domethënëse të pagave në tërësi dhe për të rritur pagat me mjekët në veçanti për arsye që dihen dhe ka qenë një sëkëlldi e jashtëzakonshme dhe një nervozizëm i madh sa herë që përballeshim me krahasimet, me mjekët, me bluzat e bardha të rajonit, por na është dashur të përpiqemi dhe të durojmë shumë të gjithë së bashku. Ju në radhë të parë sepse rritja e pagave nuk është çështje dëshire, nuk ka qeveri në botë, nuk ka kryeministër në botë, nuk ka ministër Shëndetësie në botë që nuk do që të rrisë pagat e mjekëve apo ministër të çfarëdo sektori, që s’do që të rrisë pagat e atyre që ka në vartësi, por rritja e pagave është një vendim që duhet marrë gjithmonë me kujdes dhe me garanci që buxheti i shtetit e mbështet ketë rritje dhe ekonomia mbështetet nga kjo rritje dhe nuk kemi efekte bumerang siç do të ishte efekti bumerang në çdo shtëpi nëqoftëse ju do t’i jepnit fëmijëve përtej mundësive tuaja dhe pastaj pas një jave, do të mbeteshit pa plotësuar nevojat bazike për të cilat duheshin ato lekë të cilat i morën fëmijët.

Ashtu sikundër është e domosdoshme që të kihet parasysh që rritja e pagave nuk duhet të shoqërohet me rritje të borxhit se pastaj kthehet në një problem dhe ne nuk e kem pasur situatën aspak të favorshme. Kemi vite që ecim me erën kundër; tërmeti, pandemia, pastaj vjen dhe agresioni në Ukrainë me të gjitha efektet mbi çmimet, mbi çmimin e energjisë në radhë të parë dhe për të gjitha këto çfarë kemi bërë ne? Ne kemi ndaluar procese të tjera, kemi shtyrë në kohë procese të tjera dhe kemi spostuar para për të përballuar këto goditje dhe megjithatë jam shumë i kënaqur që e arritëm më në fund këtë kthesë të madhe edhe në këtë drejtim dhe kemi filluar me mjeket specialistë si një sinjal domethënës për të gjithë, jo vetëm për bluzat e bardha, por për të gjithë. Pastaj për të tjerët e kemi me dy hapa; mjekëve specialistë sigurisht nuk do t’u rritet paga vitin tjetër se kanë marrë këtë vit të gjithën, por të gjithë të tjerëve paga u rritet tani dhe në rrogën që do merrni tani, do keni rritjen e parë dhe pastaj prill me prill, se Ogerta tha plan dy-vjeçar, por në fakt është në harkun e një viti, prill më prill ju do të merrni edhe shtesën tjetër dhe faktikisht do t’ju rritet paga, flas për baziken, do t’ju rritet 20 mijë lekë të reja për mjekët që natyrisht varion sipas vjetërsisë, sipas orëve e të tjera. Unë kam parë që ka shumë qe marrin shumë më tepër. Do t’ju rritet 20 mijë lekë si rritje e përgjithshme dhe për infermierët 15 mijë lekë të reja.

Faktikisht me këto rritje ne jemi në nivelin e lartë të rajonit. Nuk kemi më sëkëlldinë e madhe që duhet të ulim kokën dhe të themi jemi në fund. Shkojmë në nivelin e lartë të rajonit. Natyrisht nëqoftëse do të kemi mundësi të reja, patjetër që do të vazhdojmë t’i rrisim pagat sepse rritja e të ardhurave për frymë në vendin tonë, është thuajse dyfishuar. E kemi pasur kur kemi nisur punën, 3300 euro, tani është në 6400 euro, por pa e çuar në 10 mijë euro për frymë ne nuk mund ta konsiderojmë detyrën tonë të përmbushur. Aty pastaj të tjerët më të rinj, më të zotë ta marrin e ta çojnë përpara, por si fazë zhvillimi, është një fazë zhvillmi që duhet të përmbyllet me 10 mijë euro për frymë ashtu sikundër paga minimale    që tani shkoi 40 mijë lekë. Do ta çojmë 45 mijë lekë brenda prillit të 2025, por pa e çuar në 60 mijë lekë pagën minimale prapë nuk e kemi bërë detyrën plotësisht dhe sigurisht për këtë duhet të rrisim ekonominë, duhet të rrisim sasinë e parave që mund të rishpërndajmë dhe jemi shumë optimistë për ekonominë. Ju e patë edhe raportin e fundit të Bankës Botërore që e veçonte Shqipërinë, jemi shumë optimistë për ekonominë sepse kemi një potencial shumë të madh të pashfrytëzuar ende që është turizmi dhe boom-i në turizëm sapo ka filluar.

Sot që flasim  ne kemi të gjitha kapacitet të prenotuara dhe patjetër që turizmi është njëri aspekt. Aspekti tjetër është energjia duke arritur të bëjmë sovranë në prodhimin energjisë dhe duke arritur të kthehemi në eksportues të prodhimit neto, nuk do harxhojmë më para për të blerë energjinë nga jashtë dhe sigurisht ato para do të mbeten këtu dhe sigurisht pastaj ato para do të rishpërndahen, do të investohen për të pasur kapacitete më të larta, por edhe do të rishpërndahen dhe nëqoftëse drejtuesja e qarkut tuaj pastaj do arrijë që të na e çlirojë naftën dhe gazin në Shpirag nga kuçedra, atëherë jemi komplet në një tjetër nivel.

Shpresoj shumë që të kemi lajme të mira në muaj në vijim. Është në dorën e Belindës po na i dha këto lajme dhe pastaj realisht do të flasim për një tjetër nivel komplet, por të rrimë me këmbë në tokë e ta shikojmë të ardhmen me shumë më tepër optimizëm sepse realisht ka vend për optimizëm dhe Zoti na i kurseftë ato prurjet e erës, me ato goditjet qe realisht domethënë janë të tepërta për një vend si i joni. Janë të tepërta për çdo vend se ju e shihni se ç’po heqin të gjithë, por për një vend si i joni, janë vërtete të tepërta.

Unë dua vërtetë t’ju falënderoj shumë për përkushtimin, për punën që bëni. Besoj që sidoqoftë, sidomos për ato zonjat këtu, se për burrat s’më ha shumë meraku, për ato zonja këtu që e kanë nisur punën prej vitesh dhe kanë kaluar vite të tëra të tmerrshme në ato qendra shëndetësore komplet pa lidhje besoj që është sot më motivuese, është sot jo më lehtë, por është si të thuash, e kënaqshme që ta ushtrosh profesionin fisnik dhe të vështirë që ju keni në kushte të mira dhe besoj që, jo se gjithçka ka mbaruar, përkundrazi akoma, por ato që kemi bërë tregojnë qartë se ku duam të shkojmë dhe në ato struktura, qendrash spitalore, ambulancash, spitalesh që janë transformuar realisht është tjetër, kalon ndryshe ora, kalon ndryshe rruga në profesion. 

Shpresoj shumë që ne do mund të krijojmë akoma më shumë hapësira që mjekët specialistë të jenë prezentë në të gjithë territorin ashtu siç duhet, natyrisht duke rritur shpërblimet. 

Duam që t’i japim çdo mjeku mundësinë që të ketë këtu,  barabartë me Gjermaninë përsa i përket, jo asaj që merr në fillim se ajo që merr në fillim, ne nuk e arrijmë dot Gjermaninë, por të asaj që ngelet në fund të muajit  se aty matet, nuk matet te ajo që merr në fillim, se shumë thonë: hajde po iki atje se shiko sa shumë është rroga. Atje është rroga është, patjetër, por pastaj atje është “hape xhep”, atje nuk e ke shtëpinë afër, atje nuk të presin prindërit, atje shtëpinë dhe po e more do ta marrësh me nja 5 vetë të tjerë se nuk e përballon dot, etj, – që mos të flas pastaj që atje të duash të pish kafe tamam kafe, merr lekë sa të duash kafen nuk e gjen siç e gjen këtu, muhabetin në kafe pastaj harroje fare. 

Kështu që, janë pjesë të jetës këto se nuk është njeriu vetëm “futu atje robot” dhe ik ul kokën puno e pastaj shko i rraskapitur në shtëpi dhe vetëm fle gjumë se pastaj do çohesh prapë të nesërmen dhe ndërkohë nuk del dot nga shtëpia se po dole do paguash sa del. Jeta atje është tmerrësisht e shtrenjtë. 

Nuk është më koha e ikjes së emigrantëve në vitet ’90, nuk është më as Gjermania, as Anglia, as Italia e viteve ’90. Po ikin italianët nga Italia. Kështu që, ky është objektivi ynë. Që një mjek nëqoftëse vjen në Klos për shembull, specialist, ose në Peshkopi ose në Bajram Curr të jetë njësoj sikur shkon në Gjermani në kuptimin e asaj që i ngelet në fund, prapë po e përsëris, që të mos bëjmë keqkuptime. 

Domethënë të marrë një bonus ekstra, të jetë në rregull. Të mos ketë arsye fare të mendoj “hajde se po iki ta provoj”. Ç’të provosh? Natyrisht të gjithë janë të lirë ta provojnë, ne nuk ndalojmë njeri se kjo është koha që jetojmë. Përmirësimi i kushteve këtu është i rëndësishëm dhe mendoj se sot Klosi nuk është më ai që ishte dhe për faktin që është 40 minuta larg Tiranës.

Unë, kur me vinte radha që duhet të vija në Dibër dhe duhet të shkoja në Peshkopi e duhet të kaloja në atë rrugë, e keni idenë, se ngaqë kam qarkulluar dhe shumë nëpër rrugë, i di përmendesh rrugët, di dhe ku ka valë e ku s’ka valë, që këtu nëpër ato kthesa iknin valët e as nuk flisje dot në telefon, s’bëje dot asnjë punë me një fjalë, se në makinë unë punoj. Një tmerr! Kurse sot, 40 minuta larg është realisht një lagje e metropolit. Në vende jashtë je në të njëjtin qytet, të duhet dhe një orë e gjysmë të shkosh në anën tjetër të qytetit, por kjo nuk është thjeshtë çështje sa shpejt mund të ikni ju dhe të vini në Tiranë, kjo është çështje që këtu do ndryshojë shumë situata me Dibrën. 

E gjithë Dibra do të futet në një cikël, siç janë futur zona të tjera të Shqipërisë, me turizëm, me agroturizëm dhe të jeni të sigurta ju, se ju thashë burrave s’ka rëndësi, ju mbushet s’iu mbushet mendja, por të jeni ju të sigurta që këtu turizmi do të bëhet motori kryesor i ekonomisë.

Ka shumë arsye këtu për të ardhur vizitorë e për të ardhur turistë, por ku të vinin, si të vinin. 

S’kishin asnjë mundësi. Ka shumë njerëz, mua më kanë thënë shumë njerëz po them sa, po nja 7-8 veta, më kanë thënë: po sa bukur ishte atje, s’kishim qenë ndonjëherë. 

Po ku të ishit, nga të vinit, kurse tani është shumë më ndryshe. Dhe kjo do hapë shumë perspektiva. Edhe për turizmin mjekësor Dibra është një territor që ka një potencial të jashtëzakonshëm. Pa diskutim për të tjerat. Kështu që kini besim, më e mira është e gjitha përpara dhe më e keqja ka ikur e nuk kthehet më.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.