Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Kolanës së kujtesës mbi të shkuarën komuniste, një botim prej 25 librash i Universitetit Europian të Tiranës, që ia dhuron Qendrës për Hapje e Dialog (COD) në Kryeministri:
Erdha këtu me dëshirën që t’ju përshëndes, jo që të mbaj një fjalim për kujtesën dhe sepse mendoj që një përpjekje e tillë në këtë vend, në këtë moment të caktuar të ecurisë tonë është shumë fisnike dhe patjetër edhe e dobishme, pasi ma ha mendja që jeni të gjithë dakord me faktin se ne vazhdojmë të kemi një problem me lirinë e të kujtuarit.
Kemi celebruar lirinë e të folurit, por edhe nuk e kemi celebruar lirinë e të kujtuarit, si një e drejtë e gjithsecilit për të pasur kujtesën e tij dhe këndvështrimin e tij mbi të shkuarën që, ma ha mendja, është tranzicioni për të realizuar pastaj dhe lirinë e të dëgjuarit, që është liria besoj më e shkelur e hapësirës sonë publike, ku të gjithë kanë të drejtë të flasin, por shumë pak njerëz e shijojnë të drejtën për t’u dëgjuar dhe e shijojnë në fragmente të caktuara, jo gjithmonë. Është një lloj të foluri i të gjithëve njëherësh, do të thoja, që ka penguar në tërësi një penetrim më të shëndetshëm në labirintet e kujtesës.
Një poet i njohur diku ka shkruar, në mos gabofsha në përkthim, se të tregosh, është të kujtosh dhe të kujtosh, është të jetosh. Nëse do t’i shkonim pas kësaj fraze dhe do të bënim një vlerësim të nivelit të të kujtuarit këtu në vendin tonë, atëherë do të na dilte se edhe niveli i të jetuarit, nga pikëpamja e ekuilibrit, mes të sotmes, të shkuarës dhe të ardhmes është goxha i ulët, por sigurisht që librat nuk ndryshojnë botën, nuk e kanë ndryshuar kurrë, por e ndihmojnë botën të ndryshojë dhe i japin mundësi atyre që duan të ndryshojnë botën që të pajisen me instrumente shumë të veçantë në përpjekjen e tyre.
Në këtë aspekt ma ha mendja se kjo Kolanë ka kryer një shërbim, duke i dhënë mundësi lexuesve apo dashamirësve të leximit dhe njerëzve të interesuar për historinë, që të mund të marrin mësime historie nga burime të larmishme, të cilat në shumë raste kontradiktojnë me njëra-tjetrën dhe kjo pa diskutim nuk është diçka e keqe, është diçka e mirë. Dëgjova profesoreshën në fjalën e saj që tha, botimet tona kanë shkaktuar xhelozi, kanë shkaktuar keqdashje, kanë shkaktuar disa ndjenja të tjera negative, të shprehura me vokal të lartë. Unë besoj që kjo është edhe pjesa më e rëndësishme e suksesit. Kjo është gjëja që do t’ju bëjë të ndiheni mirë, sepse përderisa keni arritur t’i shkaktoni të gjitha këto, keni patur sukses. Nëse do e kishit ndjerë konsensusin e mirësisë dhe të qetësisë, do kishit dështuar. Kështu që çdo sukses vjen me të gjitha këto klithmat e ndjenjave, disi më të ulëta se ato ndjenjat e larta, por është në fund të fundit, qoftë çmimi, qoftë dhe certifikata e suksesit.
Na vjen mirë që këtë Kolanë të suksesshme, bujarisht Henri po e dhuron për COD, jo sepse ne nuk e kemi, i kemi të gjithë këto librat, por të dhuruara nga autorët dhe nga botuesi, kanë një vlerë edhe për historinë. Një ditë, dikush do ta kujtojë këtë gjë. Ndoshta Henri në funeralin tim do thotë se me gjithë ato gjëra që na ndanë, na bashkoi një ditë e bukur në COD, ku pata mundësinë t’i dhuroj Kolanën që ai e çmoi.
Dua dhe një herë t’ju falenderoj për praninë tuaj. Shfrytëzoj rastin t’ju them se në këtë hapësirë bëjmë gjëra që ia vlejnë, që mund të shkaktojnë xhelozira, inate, reagime negative, por që në tërësi ia vlejnë dhe do lutesha që ta frekuentoni më shpesh këtë hapësirë. Është në pallatin e qeverisë, por është një hapësirë ku të gjithë mund të vijnë dhe secili mund ta shfrytëzojë për aktivitete që jo domosdoshmërisht duhet të pëlqehen, apo të marrin pëlqimin e qeverisë, përkundrazi dhe më vjen mirë që ky është aktiviteti i parë që Henri bën këtu dhe e zhvillon në një fazë të jetës së tij që kërkon largimin e qeverisë. Është pozitive, që tregon se mund të vini këtu edhe për të kërkuar largimin e qeverisë, jemi të dyja palët të garantuara, sepse jemi në dy kate të ndryshme, kështu që në fund të ditës, secili bën atë pjesën e vetë.
Edhe një herë shumë faleminderit për këtë nder që na bëni, që t’ju kemi sot këtu dhe për dhuratën bujare që shpresoj të ketë marrë konsensusin e gjithë autorëve, duke garantuar që nuk e marr si konsensus për qeverinë, por si konsensus për kujtesën, në mënyrë që ata që vijnë e të përdorin bibliotekën tonë, sot, nesër, pasnesër e shpresoj gjithmonë, të kenë akses edhe në këtë Kolanë, kur ajo të jetë bërë aq e çmuar, sa të mos mund të gjendet më se kush e ka.
Faleminderit!