Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Takimi i Komitetit Ndërministror Të Emergjencave Civile për situatën si pasojë e reshjeve në vend, masat e marra dhe pritshmëritë meteorologjike në vijim:

 

Kryeministri Edi Rama: E bëjmë këtë takim të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile për të adresuar situatën e reshjeve në fund të ditës së sotme, ndërkohë që gjatë gjithë ditës dhe më parë sesa ditës së sotme ka funksionuar më së miri i gjithë zinxhiri i emergjencave. Duke qenë se për arsye pune, unë nuk kam qenë i pranishëm fizikisht në Shqipëri, Zëvëndësministri, i cili e ka ndjekur këtë proces, minutë pas minute, më ka informuar herë pas here për situatën.

Si fillim, dua t’ia kaloj fjalën Zëvëndëskryeminstrit për një përmbledhje shumë të shkurtër të aktivitetit të kryer e pastaj, Ministrit të Mbrojtjes për përditësimin në kohë reale dhe kolegëve të tjerë pas tij.

Zëvendëskryeministri Erion Braçe: Thuajse prej 5 ditësh, qeveria, gjithë ministrat që shihni këtu, pushtetit vendor, prefektët në zonat që ndodhen në vështirësi kanë mbledhur shtabet e Emergjencave Civile, kanë dhënë porositë, të cilat në linjë vertikale kanë përshkruar nga ministri, tek prefekti, tek agjensitë e deri tek drejtoritë që merren me menaxhimin e situatës së vështirë në territor, veçanërisht, situatën e reshjeve të rënduara gjatë 3 ditëve të fundit. IGJEUM ka njoftuar për një situatë të vështirë për shkak të kushteve atmosferike, veçanërisht të prezencës së madhe të reshjeve në datën 6.

Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, që menaxhon dhe gjithë sektorin e vaditjes dhe kullimit, ka qenë prezent në të gjithë territorin nga veriu në jug, ka kontrolluar gjithë gjendjen e gatishmërisë së gjendjes së hidrovoreve.  Pothuajse prej tre  ditësh sot, të gjtihë hidrovoret nga veriu deri poshtë në Butrint kanë qenë jo vetëm në gjendje gatishmërie, por kanë punuar me kapacitet të plotë, për të çuar nivelet në hidrovore në minimumet e tyre, aq sa edhe tani qe flasim, një pjesë e konsiderueshme e tyre, veçanërisht në zonat me rrezikshmëri si nga Shkumbini e poshtë, por edhe në pjesën e sipërme, kanë prezencë të niveleve shumë të ulëta në territoret që menaxhojnë dhe që janë territore shumë të rëndësishme bujqësore të vendit.

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, nën kujdesin e posaçëm të ministrit të Transportit ka qenë në gatishmëri maksimale dhe të gjitha akset rrugore janë të hapura, të kalueshme dhe në gjendje mjaft të mirë.

E njejta gjë është bërë në koordinim të plotë edhe me OSHEE-në, sepse nuk ka munguar në asnjë minutë energjia elektrike në hidrovore nga veriu në jug, për të bërë të mundur që situata të jetë në ato nivele të ulëta që kemi momentalisht.

Menaxhimi në kaskadën e Drinit ka qenë optimal deri tani. Komiteti që menaxhon kaskadën e Drinit është mbledhur pothuajse çdo ditë, dhe kjo është arsyeja që sot që flasim kemi një situatë të kontrolluar plotësisht në kaskadën e Drinit.

Të gjitha këtyre agjensive nuk u ka munguar mbështetja financiare për të garantuar funksionalitetin e tyre çdo moment. Kryetarët e bashkive në gjithë zonën e parashikuar si zonë me risk kanë mobilizuar gjithë shtabet e tyre të emergjencave dhe nga ana tjetër, edhe prefektët kanë mbledhur shtabet e tyre të emergjencave, të cilët po kontrollojnë situatën në terren.

Dita e sotme ka qenë edhe më e vështirë për shkak të reshjeve të shumta që kanë rënë gjatë 3 ditëve të fundit. Nuk ka asnjë rajon që të mos ketë patur mbi 100mm shi, por, pavarësisht kësaj, sot është dhënë efekti, veçanërisht në zona tradicionalisht të goditura nga reshjet e shumta. Pavarësisht këtij fakti, puna e kryer në gjithë sezonin e verën në gjithë këto territore, mjafton të kujtoj zonën e Zadrinës që momentalisht ndodhet në vështirësi, jo vetëm për shkak të reshjeve, por edhe për shkak të një incidenti në një prej kanaleve në atë zonë, janë pastruar 48 kilometra kanale gjatë periudhës së verës atje. Unë vetë sot kam vëzhguar gjithë pjesën e zonës së rrezikuar nga Shkumbini deri në Vjosë. Secili prej ministrave ka bërë pjesën e vet në territore të caktuara të vendit dhe besoj që duhet të jenë në raportim e sipër. Prezenca e prefektëve, kryetarëve të bashkive, drejtuesve të policisë, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që kanë ndihmuar kryetarët e bashkive dhe shtabet e emergjencave edhe në operacione evakuimi aty ku e kemi patur nevojë, Agjencisë së Emergjencave Civile ka qenë nga fillimi deri ne fund në territor.

Ne nuk kemi qenë për fushatë elektrorale poshtë në territor, ashtu siç të tjerët në mënyrë të pandërgjegjshme vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë, por ne kemi qenë për punë sot në të gjithë territorin, për të mbuluar gjithë zonën e paralajmëruar si zonë me rrezik për shkak të reshjeve masive që kanë rënë.

Nata e sotme në orët në vijim do jetë e vështirë. Gatishmëria në hidrovore është 24 në 24 prej disa ditësh tashmë, ndërkohë që fuqia e instaluar në hidrovore është e gjitha funksionale, për shkak të remonteve të kryera gjatë verës nëpër hidrovore, është e gjitha në gatishmëri. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Forcat e Ushtrisë, të Emergjencave Civile janë pranë bashkive dhe nën drejtimin e tyre, për të kontrolluar dhe menaxhuar situatën gjatë natës në zonën e rrezikuar. Natyrisht që akoma më shumë njerëz do të shtohen nesër e në vijim, për të përballuar edhe 2 ditët e ardhshme që janë paralajmëruar me reshje masive dhe shpresojmë që situatën të vijojmë ta mbajmë nën kontroll.

Kjo është ajo që është bërë gjatë ditëve të fundit dhe nga mëngjesi i ditës së sotme e në vijim.

Me publikun është komunikuat në vijimësi me të gjitha mundësitë që kemi, duke përdorur në linjë vertikale ministra, prefektë kryetarë bashkie, kryepleqtë që jo vetëm kanë lajmëruar njerëzit për rrezikun që vjen nga prurjet e shumta të lumenjve, duke larguar cilindo nga zona midis bregut të lumit deri në argjinaturë, bagëtitë gjithashtu, mjetet e lëna aty. Kjo është arsyeja pse ne nuk kemi asnjë njeri të rrezikuar nga prurjet e shumta të lumenjve. Ky komunikim do të vazhdojë edhe më intensiv edhe gjatë natës dhe nesër e deri në datë 11 që janë ditët e vështira me reshje masive. Pastaj me relaksimin e situatës do vazhdojmë komunikimin për të rikuperuar çdo dëm të shkaktuar gjatë kësaj periudhe, veçanërisht në infrastrukturë, që janë të domosdoshme dhe për kullimin.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi: Kemi një situatë të beftë të reshjeve të shumta që kanë shkaktuar përmbytje në toka bujqësore, kryesisht në qarqer Shkodër, Lezhë. Një pjesë e konsiderueshme janë toka jo produktive, po ka dhe toka produktive të pushtuara nga uji. Ka funksionuar shumë mirë reagimi i pushtetit vendor, por edhe gatishmëria e FA-së. Ne jemi prezentë në të gjitha qarqet e prekura, kryesisht në Shkodër dhe Lezhë. Kemi kryer me mjetet tona operacione për evakuimin e disa familjeve dhe personave.

 

Për këtë nivel prurjesh dhe këtë nivel reshjes, fakti që në vite kemi punuar në pastrimin e kanaleve kulluese, na sjell në një situatë jo aq të rënduar, sa kemi qenë në të kaluarën me të njejtën sasi prurjesh. Gjithsesi është herët për të folur sepse do kemi reshje intensive, por duhet theksuar që nuk kemi familje të rrezikuara, familje të izoluara nga uji.

Qarku Shkodër, kemi rritje të niveleve në lumin Drin, Bunë, Gjadër dhe Kir. Janë përmbytur 2270 hektarë, fshati Obot, si gjithmonë, pasi është nën nivel, është rrethuar nga uji.

Në dispozicion janë mjetet e ushtrisë. Janë transportuar rreth 100 persona gjatë ditës së sotme.

Hidrocentalet punojnë me kohë të plotë, por prurjet janë 10 herë më të mëdha se konsumi në hidrocentrale. 4 mijë metër kub prurje, ndërkohë kapaciteti është 400m kub. Në rast se nuk do kemi 2-3 ditë reshje intensive, hidrocentralet mund të përmbahen në shkarkimer e tyre. Shkarkimet janë të moderuara deri tani dhe nuk rrezikojnë shtimin e përmbytjeve në zonën më kritike që është zona e nën Shkodrës.

Gjatë natës së sotme, deri në 1 të mëngjesit do kemi reshje mesatare, më pas, përveç Qarkut Gjirokastër, do bjerë në kuota 10-15 milimetra.

Kemi 3 izolime shtëpish në Vaun e Dejës por nuk ka nevojë për evakuim.

Qarku i Lezhës, sipërfaqja e e përmbytur është pothuajse sa në Shkodër, është rreth 2500 hektarë.

Janë evakuar 2 familje, 1 familje në Lezhë dhe 1 në Kurbin.

Niveli i ujit është në kuota shumë të larta në lumin Drin, pothuajse maksimale në lumin Drin dhe Gjadër, kolektorët janë në nivele shumë të larta. Është ndërhyrë në argjinaturën e lumit Gjadër nga bashkia për përmirësim.

Në Vlorë ka vetëm një shembje rruge në segmentin Borsh-Piqeras. Situate në qark nuk është kritike, është e mirë relativisht. Niveli i ujit tek tek Ura e Miforit është 6,2 metra, ka rënie të lehtë të nivelit që vjen nga rënia e nivelit prej 10cm në Memaliaj, nga 5,5 jemi në 5,4. Në orët në vijim kjo rënie e lehtë që vazhdon në Memaliaj do reflektohet këtu në rënie niveli.

Shpresojmë që mos kemi dalje të Vjosës nga shtrati, gjë që përbën kërcënimin më të madh për Qarkun e Fierit dhe Vlorës. Sot që flasim, kemi parashikim jo dramatik për lumin Vjosë, sepse prurjet në Vjosë janë në rënie dhe nesër do të ketë një ulje dhe dy ditët e tjera do ketë rritje, por pauza e 24 orë e shpresojmë se do të ulë në nivelin e nevojshëm Vjosën.

Qarku Fier, edhe një herë, kuota  e orës 17.30 e lumit Vjosë, e lexuar në hidrometrin e Memaliajt, është 5,4 nga 6,5 që është kuota e alarmit.

Hidrovoret janë në gadishmëri dhe kapacitet të plotë, gjendja e argjinaturave e kolektorëve është pa probleme.

Në aksin rrugor Fier-Ballsh, në vendin e quajtur Kthesa e Visokës ka patur rrëshqitje dheu.

Qarku i Durrësit, në Fushë Krujë ka rritje të nivelit të lumit Zezë, por nuk paraqet rrezik.

Njësitë administrative Bubq kemi 350 hektarë të përmbytur dhe 3 lagje që rrugën e aksesit e kanë të bllokuar.

Njësia administrative Thumanë situata është nën kontroll. Ka disa hektarë të përmbytur dhe në disa fshatra uji ka hyrë në oborre bujqësore, por nuk ka familje të riskuara.

Në Durrës ka dalje të lumit Erzen dhe Ishëm nga shtrati.

Në Sukth janë evakuar 10 qytetarë.

Në fshatin Bardharë, kanali ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur 4 shtëpi dhe 20 hektarë tokë. Nuk ka persona të rrezikuar apo të izoluar.

Në Qarkun e Gjirokastrës kemi situatë emergjence. Nga informacioni i vazhdueshëm nga shtabet e emergjencave të bashkive e të qarkut, situata për ditën e sotme është:

Në Bashkinë e Gjirokastrës janë marrë masat për monitorimin e zonave me risk, si dhe për ndërhyrje në ato zona ku ka patur probleme.

FA kanë dyfishuar gatishmërinë. Kemi sot në gjithë qarqet e rrezikuara të vendit 261 forca të specializuara dhe 1023 forca të tjera në dispozicion të shtabeve, bashkive dhe të qarqeve.

Nga koordinimi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile me të gjithë shtabet e bashkive edhe qarqeve, kemi informacion se rreth 1150 forca nga bashkitë, në gjithë bashkitë e rrezikuara të vendit, sot janë të angazhuara dhe janë në dispozicion të situatës së emergjencës.

Sa i përket parashikimit për ditët në vazhdim:

Nesër, pas orës 1 të mëngjesit me përjashtim të qarkut të Gjirokastrës kemi një situatë pozitive sepse reshjet do të bien nën nivelin 10-15 milimetra që konsiderohet intensitet i ulët.

Ditën e pasnesërme, pra në datën 10, në orën 12, sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik ushtarak, në qarqet Gjirokastër, Kukës, Lezhë ,Dibër parashikohet një sasi e moderuara, 20-30 milimetra.

Pika më e lartë, më intensive e reshjeve do të jetë data 11, në qarqet Kukës, Shkodër, Lezhë ku reshjet do të arrijnë intensitetin 80 deri në 100 milimetra ndërsa në qarqet Durrës, Tiranë, Vlorë, Berat, sasi e reshjeve do të jetë 10 deri në 30 milimetra, pra e ulët dhe e mesme.

Në datën 12 reshjet do të jenë prezent herë pas here me sasi në rënie. Pra, pozitiv është fakti që ditën e nesërme, pas mesit të natës do të kemi një rënie të intensitetit të reshjeve çka të shpresojmë do na sjellë një ulje të niveleve të prurjeve e do të shmangë 2 zonat më të kërcënuara dhe më kritike që janë zonat që mund të përmbyten nga shtrati i Vjosës dhe zona e Nënshkodrës. Këtu është përqendruar dhe gjithë vëmendja për shmangien aq sa mundim me fatin e rënies së reshjeve edhe me forcën tonë të reagimit për këto dy zona kritike.

Për informacione të tjera, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako ka qenë gjatë gjithë ditës në terren në dy qarqet e veriut.

Nesër, të gjithë ne do jemi në territor për të dhënë ritëm dhe koordinim mijëra trupave të FA apo të bashkive që janë në alert për tu gjendur pranë zonave të përmbytura.

Drejtori i AKEC Haki Çako: Gjatë gjithë ditës së sotme, të gjitha shtabet e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha institucionet e tjera që kanë qenë të angazhuara, ka përcjellë informacion të herëpashershëm dhe ka shërbyer informacion me të gjitha këto institucionet. Shtabet e emergjencave civile janë organizuar dhe kanë hartuar planet e masave e ka filluar veprimi në terren. Ashtu siç dhe e tha ministri i mbrojtjes, më duhet të informoj se prezenca e ujit është në disa zona të tokës bujqësore. Banesa të rrezikuara aktualisht nuk ka, unë momentalisht flas nga Lezha.

Në Lezhë problematik është lumi Drin pasi është mbingarkuar në fakt me shkarkimet që vijnë, por situata është në kontroll të plotë. Pas ndërhyrjes së bashkisë së Lezhës u bë rikuperimi i disa vendeve në argjinaturat kryesore, qoftë në atë të kolektorit kryesor të Kallmetit,  por dhe në pjesën e Gjadrit që grumbullon pjesën më të madhe të ujërave.

Aktualisht, kuotat janë optimale, por nuk paraqesin rrezik. Nuk ka familje aktualisht që rrezikojnë, gjithsesi FA dhe të gjitha strukturat e tjera janë në gatishmëri të plotë. Agjencia ndjek në çdo moment të gjitha informacionet dhe situatat.

Në Shkodër, zona e Oblikës ka një pjesë të konsiderueshme nën ujë. Ka një efekt, i cili vjen nga mbingarkesa që ka vetë liqeni i Shkodrës për shkak të prurjeve të ardhura nga Mali i Zi. Kontrolli i kaskadave të lumit Drin është i plotë.

Duhet theksuar fakti se është bërë një punë e mirë në pastrimin e kanaleve të nivelit të pare, të cilët mundësojnë qarkullimin e ujit nga lumenjtë kryesorë që derdhen në det.

Prezencë uji ka pasur dhe në qarkun e Durrësit, sikurse u bë e ditur, por gjithsesi është ndërhyrë menjëherë në të gjitha rastet kur është kërkuar ndihmë. Vazhdon të monitorohet situata në të gjitha qarqet.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi: Jemi në gatishmëri të plotë sepse jemi përgatitur më parë dhe lajmi për të qenë në gatishmëri është dhënë drejtorive të ujitjes dhe kullimit 4 ditë më parë. E dyta, koordinimi mes pushtetit lokal dhe OSHEE-ja ka qenë i shkëlqyer. OSHEE-ja është përgjigjur në çdo moment për çdo vështirësi që mund të kenë pasur në furnizimin me energji elektrike dhe nuk ka ndërprerë punën në hidrovore.

E treta dhe shumë e rëndësishme, drejtoritë kanë vënë afër kanaleve kulluese ekskavatorët, kështu që në çdo moment që mund të ketë mbledhje të mbeturinave që mund të sjellin lumenjtë, ato janë pastruar në kohë reale.

Kryeministri Edi Rama: Diçka që nuk u tha sepse faktikisht nuk kishte se si të thuhej për shkak të specifikës së vet, por që duhet thënë për shkak të rëndësisë së vet, është pikërisht administrimi i kaskadës në funksion të domosdoshmërisë për të patur maksimalisht në kontroll të gjithë këtë prurje. Patjetër dhe në funksion të kujtesës së mirë që të mos përsëriten ngjarje dramatike që për fat të keq kanë ndodhur në të shkuarën, jo dhe aq shumë të largët, të cilat kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme për shkak të papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë në administrimin e kaskadës. Për këtë aspekt shumë specifik, por edhe të rëndësishëm nga pikëpamja e informimit të qytetarëve dhe e domosdoshmërisë për të shpërndarë mjegullën për shkak të dizinformimit, kërkoj t’ia kaloj fjalën Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës.

Ministrja Belinda Balluku: Dua të informoj se numri i prurjeve është 4290 metra kub në sekondë.  Totali i shkarkimeve në Vaun e Dejës për momentin është 930 metra kub. Kapaciteti normal maksimal në Vaun e Dejës është 1350. Pra kaskada ka frenuar të gjithë prurjen natyrale që derdhet në Luginën e Shkodrës dhe të Lezhës.

Dua të theksoj se është mirë menaxhuar si asnjëherë më parë situata në kaskadën e Drinit dhe do doja të theksoja dhe një fakt tjetër. Ne kemi nisur nga puna para 10 ditësh, duke qenë të përgatitur për këtë situatë dhe duke marrë masat e duhura me një vendim të plotë kolegjial dhe profesionist. Kështu që e kemi gjetur padyshim veten të përgatitur dhe sot kaskada ka parandaluar përmbytjen në fushën e Shkodrës dhe kjo është diçka që duhet ta theksojmë.

Kuota në Fierzë  kishte arritur para reshjeve në nivelin minimal historik me 269 metra dhe sot kuot në Fierzë është 277.85 metra kështu që kemi pasur prurje të rëndësishme dhe në Fierzë ku nuk po gjenerojmë energji për të ruajtur këto kapacitete dhe për të menaxhuar edhe ujin e tepërt pra përmbytjen në fushën e Shkodrës. Prurje momentale në Fierzë janë 2750 metra kub. Ndërkohë që në Koman, kuota ka arritur 174.21 metra. Prurjet për momentin janë 950 metra kub për sekondë. Shkarkime 684 metra kub për sekondë. Ndërkohë që kuota në Vaun e Dejës është 74.14 metra. Prurjet janë 590 metra kub në sekondë ndërkohë që po shkarkojmë, ashtu siç thashë dhe në fillim 930 metra kub në sekondë. Ulza dhe Shkopeti kanë shkarkime 750 metra kub në sekondë.

Mati, mund të vazhdojë akoma të përthithë shkarkimet pa vështirësi dhe ky është një lajm i mire, pasi nesër pritet të ketë një ulje të këtyre reshjeve. Fakti që nesër do të kemi reshje më të ulëta, do t’i japë mundësi shtrateve të lumenjve apo kanaleve kulluese që të punojnë me kapacitete sërish të plota. Reshjet do të vazhdojnë me intensitet 30 deri në 40 milimetra deri në orën 1 pas mesnate.

Prodhimi i energjisë në kaskadë është rreth 19 milionë kilovat orë në ditë dhe ky është padyshim një nivel i lartë prodhimi.

Kemi ndeshur sot gjatë gjithë ditës dhe akuza politike që nuk kemi informuar popullin. Dua të them që të gjithë zëvendësministrat e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë qenë në komunikim direkt. Ne kemi përdorur sot të gjitha televizionet, duke pasur kështu mundësi për të informuar publikun orë pas ore, për të gjithë situatën.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka pasur një komunikim të vazhdueshëm me publikun, duke i bërë me dije se cilat masa duhen marrë në këto kushte moti që parashikohet të vazhdojnë dhe në 3 ditët në vazhdim.

Një informacion i shkurtër sa i përket akseve rrugore. Kemi qenë në gatishmëri më shumë se dy javët e fundit për shkak të motit të përkeqësuar megjithatë rreshjet e fundit kanë sjellë shqetësime në të gjitha akset e rrjetit rrugor kombëtar sidomos ato të ultësirës perëndimore që lidhen me daljen e ujit në rrugë, rënie të materialeve të ngurta në karexhatë, rrëshqite dherash nga skarpatet, por kontraktorët e mirëmbajtjes kanë qenë në gatishmëri në gjithë republikën e Shqipërisë dhe të angazhuar për përballimin e kësaj situate gjë që ka sjellë dhe qarkullimin pa probleme.

Problemin më të madh e ka pasur rrëshqitja që ka ndodhur në Borsh me një gjatësi prej afro 100 metra linear si rezultat i të cilës qarkullimi kryhet me një kalim, por aksi nuk është bllokuar në asnjë moment. Është bërë instalimi i sinjalistikës provizore që paralajmëron përdoruesit e rrugës për qarkullimin me një kalim, për të mos pasur aksidente apo problematika të tjera.  Disa nga akset në veri të vendit, kanë pasur probleme që lidhen me rënien e materialeve nga skarpatet, por janë eliminuar nga kontraktoret e mirëmbajtjes së tyre të cilët janë në terren.

Kryeministri Edi Rama: Akuzave politike, ne nuk kemi çfarë i bëjmë. Edhe COVID-it ju gjet vaksina e imunizimit, të cilën shpresoj që ta fillojmë ta injektojmë në vendin tonë, duke nisur nga mjekët dhe inferemieret përpara aftit që kemi deklaruar, ndërsa vaksinës së dëshpërimit të opozitës nuk i është gjetur formula. Kështu që, për shkak të dëshpërimit, ata, për fat të keq, kapen pas çdo mundësie iluzore dhe natyrisht, ndaj çdo fatkeqësie natyrore për të bërë politikë.

Ne do vazhdojmë të bëjmë punën tonë, si të gjithë, në këtë moment të vështirë për shkak të reshjeve të dendura, kanë bërë dhe po bëjnë më të mirën. Ne kemi një protokoll standard për emergjencat tona civile, kemi protokolle standarde për nivelet e gatishmërisë, për ngritjen e strukturave në territor dhe për përshkallëzimin  e prezencës në territor.

Të gjitha këto janë zbatuar. Situata nuk ka sesi të jetë e pëlqyeshme në ato zona ku reshjet kanë qenë  shumë intensive, por është fakt që falë gjithë punës së bërë ditë për ditë dhe vit pas viti me infrastrukturën e kullimit, falë punës së bërë me gjithë kapacitetet tona mbrojtëse nga fatkeqësitë natyrore, falë gjithë punës së bërë për administrimin e kaskadës e kështu me radhë, sot, me këtë sasi reshjesh – u theksua këtu nga disa përpara meje, – kemi një gjendje shumë më të pranueshme dhe absolutisht nën kontroll, krahasuar me çfarë do të kishte ndodhur nëse do të ishim si ato vite, jo shumë të largëta, kur bëhej hataja. Kështu që të vazhdojmë intensivisht këtë punë. Secili e di ku e ka pozicionin e vet në këtë përballje me natyrën.

Është e rëndësishme që, – u theksua nga Zëvendëskryeministri, i cili e ka ndjekur në kohë reale, ditë për ditë këtë punë, – niveli i gatishmërisë dhe niveli i reagimit në strukturat vendore, me një përjashtim që qëndron si hudhër atje buzë liqenit të Shkodrës, për t’u mos marrë mësysh e gjithë Shqipëria, – ka ardhur duke u përmirësuar. Ky fakt shikohet edhe në gjithë çfarë ndodh në terren.

Është absolutisht e rëndësishme që të theksohet se nga pikëpamja e jetëve njerezore s’ka asnjë dëm. Nga pikëpamja e banesave, dëmet janë minimale. Nga pikëpamja e lëvizshmërisë, në ato raste kur lëvizshmëria ka qenë e penguar, ka patur ndërhyrje të menjëhershme të forcave që janë për atë punë dhe këtu flas për lëvizshmërinë e këmbësorëve, në radhë të parë, por edhe për lëvizshmërinë e makinave, siç u theksua në raportin e bërë.

Faleminderit të gjithëve për punën e bërë deri tani! Nga informacionet që kemi, do të kemi një moment frymëmarrjeje të rëndësishme ndërmjet momentit që po kalon dhe një momenti tjetër më pas, që parashikohet me reshje intensive. E rëndësishme është që në këtë pauzë do të lehtësohet rëndesa e krijuar nga grumbullimit e ujit dhe do të na krijohet mundësia që të kemi përsësëri kapacitet përballimi. Megjithatë, gatishmëria është maksimale, duhet të jetë maksimale, sepse edhe këto parashikime janë sidoqoftë për t’u vërtetuar nga fakti. Kështu që të jemi të qartë për këtë.

Shumë faleminderit! Nesër, nëse do të jetë e nevojshme dhe nëse brenda standardeve të kësaj situate, parametrat do të na detyrojnë që të bëjmë një tjetër mbledhje të këtij Komiteti, do ta bëjmë me siguri. Nëse nuk do të jetë e nevojshme dhe mos qoftë e nevojshme, do të vazhdojmë ta ndjekim situatën hap pas hapi, në të gjitha pozicionet, sipas planit të përcaktuar dhe sipas standardeve që tanimë kemi konsoliduar.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.