Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën Kombëtare të organizuar nga Banka e Shqipërisë me temë: “Përafrimi i politikës monetare me stabilitetin financiar”
Jetojmë në një botë të trazuar nga të gjitha anët e padyshim edhe nga pikëpamja financiare me cikle ekonomike që vazhdojnë të jenë të paqarta, të luhatura, të pasigurta, si një sfidë e përditshme që i bëhet të gjithë aktorëve politikbërës apo të tregut. Sidoqoftë, gjatë këtyre viteve besoj se mund të thuhet me plot gojën që Banka e Shqipërisë ka pasur jo vetëm një rol kyç siç është në natyrën e saj, por edhe një qasje plotësisht konform nivelit të kësaj sfide duke garantuar një bashkërendim të plotë me politikat e qeverisë dhe duke mundësuar kapërcimin e një momenti dramatik krize ku realisht ekonomia dhe financat tona kërcënoheshin nga kolapsi në vitin 2013.
Qeveritë vlerësohen përgjithësisht për atë që bëjnë, por kur vjen puna tek vlerësimi i specializuar i ekonomistëve dhe i financierëve qeveritë vlerësohen dhe për atë që ndalojnë të ndodhë. Besoj që ky auditor është instanca e duhur për të nënvizuar atë që ne kemi ndaluar të ndodhë në fund të vitit 2013, kur realisht kishim përballë një sfidë të pazakonshme dhe kërcënoheshim nga pamundësia për të paguar rrogat dhe pensionet në fundin e vitit 2013.
Faktikisht, ka qënë bashkërendimi i të gjitha forcave dhe koordinimi i të gjithë aktorëve që na dha mundësinë të hymë në një program ambicioz dhe të vështirë të konsolidimit fiskal dhe të përballjes me një nivel borxhi të pazakonshëm në kushtet në të cilat Shqipëria gjendet.
Dua ta rikujtoj këtu se përveç borxhit zyrtar publik, kishim përballë një mal borxhesh të fshehura ose të papërfshira zyrtarisht në borxhin publik prej 720 milionë dollarësh si detyrime të papaguara për shërbime të kryera nga ana e të tretëve në të gjithë harkun e veprimtarisë së qeverisë, që nga infrastruktura rrugore, tek shërbimet për arsimin dhe shëndetësinë. Në një kontekst, ku ekonomia rritej midis 0% dhe 1% dhe kërcënohej nga një stanjacion asfiksues për të gjithë aktorët e saj.
Sot, jemi në kushtet kur ekonomia shqiptare në tre mujorin e dytë është rritur me 3.2% dhe sipas parashikimeve, por dhe bazuar në të dhënat e qëndrueshme të të ardhurave, vitin e ardhshëm mund të prekim nivelin e 4%. Pavarësisht se shifra e krahasuar flet shumë, unë besoj që është e nevojshme që të përcjellim dhe dijen se kjo është një shifër ende e pamjaftueshme për të përballur me sukses nevojat, qoftë të shoqërisë, qoftë dhe të individëve. Jam optimist jo për projeksionet pozitive, por për faktin se një sërë projektesh të përgatitura gjatë gjithë kësaj periudhe në turizëm, në energji, në infrastrukturë janë në prag të finalizimit të tyre dhe besoj që do të kenë një impakt plus në rritjen ekonomike të 5 viteve të ardhshme.
Sidoqoftë, pas tre vitesh operacionesh shumë të vështira, reformash të vonuara për vite e vite të tëra dhe masash jo të lehta, financat e shtetit janë të konsoliduara. Mbi të gjitha; borxhi publik ka hyrë në një trend rënës ndërsa të ardhurat janë rritur.
Besoj se nuk e merr askush për keq nëse këtu e them me krenari që të ardhurat e këtij viti janë shumë pranë ose më pranë se asnjëherë më parë projeksionit të bërë që në fillim. Ndërkohë që, falë kësaj situate të re të krijuar ne jemi sot në gjendje të bëjmë një rritje rrogash dhe pensionesh në një masë prej 100 milionë dollarësh pa rritur borxhin publik, por përkundrazi duke bërë njëkohësisht uljen e tij me të paktën 1% gjatë vitit të ardhshëm.
Besoj se dhe mbajtja e deficitit primar në plus 0.3% minimalisht, është një e dhënë mjaft domethënëse për shëndetin e ekonomisë në aspektin e qëndrueshmërisë makroekonomike.
Ka qënë një periudhë e vështirë, në disa aspekte shumë e vështirë, por në të njëjtën kohë dua të nënvizoj një të dhënë që besoj flet shumë për hapësirat e reja, një krahasim;
Ne kemi shlyer të gjitha borxhet e fshehura.
Pra, sot, qeveria shqiptare nuk i ka asnjë borxh të tretëve për punë dhe shërbime të kontraktuara.
Kemi vendosur një vijë të kuqe të palëvizshme për moskrijimin e borxheve të reja të kësaj natyre. Kemi hyrë në një proces uljeje të borxhit publik. Në të njëjtën kohë kemi ndarë nga buxheti i shtetit për buxhetet e familjeve, përmes uljes së tatimit të fitimit mbi të ardhurat personale jo pak, por 440 milionë dollarë në 4 vjet, të cilat shtuar dhe 100 milionë dollarë që do shkojnë për rritjen e rrogave dhe pensioneve bëjnë 540 milionë dollarë që është fare e thjeshtë të kuptohet, kanë pasur e do kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e konsumit.
Sa për të bërë një krahasim dhe për ta vendosur këtë shifër në kontekstin e ecurisë pozitive, në 8 vitet e qeverisë së mëparshme; Për rroga dhe pensione janë ndarë nga buxheti i shtetit për buxhetet e individëve dhe të familjeve vetëm 124 milionë dollarë, në kushtet e një tatimi fitimi mbi të ardhurat që ishte shumë më i lartë, sidomos për rrogat minimale dhe mesatare se sa ç’është sot.
Me këtë që ne do të bëjmë duke rritur rrogat e pensionet nuk jemi më vendi me rrogën minimale mesatare më të ulët në rajon, ndërkohë që jemi vendi me taksën më të ulët në rajon, pra me tatim fitimin më të ulët në rajon për të ardhurat.
Nga ana tjetër, ka qenë e mbetet një sfidë shumë e rëndësishme cilësia e portofolit të kredisë. Gjatë vitit 2015 është parë një përmirësim i ndjeshëm, ka zbritur me 4.6 pikë niveli i kredive me probleme, krahasuar me fundin e vitit të mëparshëm, por mbetet një sfidë e përbashkët, e Bankës së Shqipërisë, e Qeverisë shqiptare dhe më gjerë, ulja e mëtejshme e këtij niveli. Besoj që vlen të nënvizohet këtu, sepse kujtoj që në konferencën e një viti më parë ishte një nga pikat e nxehta në kuptimin e fokusit të diskutimit, eksporti dhe rritja e qëndrueshme duke përballur faktin e ekspozimit të madh të Shqipërisë për shkak të rënies së remitancave apo rritjes së kostove për marrjen e huasë.
Është domethënës ma ha mendja, sot një vit më pas, në këtë aspekt, fakti se vlera e eksporteve pa përfshirë sektorin e mineraleve, energjisë dhe lëndëve djegëse, është rritur me 8.5% që flet edhe për një shkallë diversifikimi të eksporteve, që nuk e kemi pasur asnjëherë më parë. Ky diversifikim është e do të mbetet fokusi kryesor i punës sonë në aspektin e eksporteve që lidhet drejtpërdrejtë me diversifikimin e mëtejshëm të ekonomisë si parakusht për të minimizuar sa të mundemi në kontekstin e përmasës sonë modeste, efektet e krizave të jashtme.
Së fundi, dua të nënvizoj se në raport me një vit më parë, ku po në këtë konferencë është diskutuar me emfazë të veçantë domosdoshmëria për të intensifikuar përpjekjet në funksion të bashkëpunimit me aktorët e tjerë rajonalë, jemi në kushtet e një progresi të vështirë, por të qëndrueshëm. Kemi hedhur disa hapa të tjerë gjatë këtij viti, ku ma merr mendja, hapi më kryesor paralelisht me ecurinë e projekteve të përbashkëta të infrastrukturës apo të energjisë në kuadrin e procesit të Berlinit, është hapi që kemi hedhur në bashkëpunim dhe falë mbështetjes së rrjetit të zyrave të Bankës Botërore në rajonin tonë, për lehtësimin e tregtisë dhe bashkëpunimit ekonomik duke ndërmarrë një aksion të përbashkët të qeverive për heqjen e barrierave jo tarifore dhe për unifikimin e procedurave në funksion të lehtësimit të tregtisë, në funksion të lehtësimit të ndërveprimit mes sipërmarrjeve në të gjitha vendet e rajonit, ku kufijtë janë ende një pengesë shumë e madhe në pikëpamje të burokracisë dhe në pikëpamje të barrierave jo tarifore.
Po ju sjell në vëmendje një shprehje të Joseph Stiglitz për të plotësuar dhe një kërkesë të posaçme të Guvernatorit, që donte të flisja dhe për “Brexit”, e pa u zgjatur për “Brexit”, po citoj, “Europa është përpara një vendimi të reformohet apo të divorcohet”. Është e paimagjinueshme që reformat për të shmangur divorcin, ose një proces divorcesh zinxhir, të mos prekin çështjet fiskale dhe ato monetare dhe të mos adresojnë ngërçin e madh që është krijuar në të gjithë vendet e BE apo dhe në vendet që synojnë të bëhen pjesë e BE-së, lidhur me frymëmarrjen e ekonomisë dhe me rrugën e rritjes ekonomike në dilemën gjithmonë e më Shekspiriane midis programeve të austeritetit dhe programeve të rritjes. Në këtë aspekt, Bankat Qendrore patjetër që kanë rolin e tyre kryesor dhe ma merr mendja se nuk tingëlloj, për të gjithë ju që jeni ekspertë të kësaj fushe i çuditshëm nëse them se Bankat Qendrore kanë qenë një nga vatrat e aktivitetit dhe kreativitetit europian të gjithë kësaj periudhe në reagimet e tyre për të minimizuar efektet e krizave dhe për të stimuluar rritjen ekonomike, duke shpalosur një arsenal të paprecedent instrumentesh monetare jo konvencionale. Të cilat, dhe ato duket se po shterohen dhe ndikimi i tyre po bëhet gjithmonë e më i kufizuar me kalimin e kohës për shkak të kornizës shumë të ngushtë në të cilën zhvillohet martesa europiane, për të cilën Stiglitz-i vendos atë zgjedhje të prerë që citova më lart.
Duke ju falenderuar për mirësjelljen në dëgjimin e kësaj fjale time e duke shpresuar që fjala ishte një kontribut sado i vogël në këtë konferencë, e duke i shprehur dhe një herë tjetër mirënjohjen dhe respektin Guvernatorit dhe Bankës së Shqipërisë për gjithë punën e tyre shumë të lavdërueshme, ju falenderoj për vëmendjen!