Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me qytetarë të Korçës për bashkëqeverisjen me njerëzit:
Më lejoni të shpreh kënaqësinë time të veçantë që sot mblidhemi këtu, në këtë sallë, edhe pse mbetet shumë pak punë për të përfunduar të gjithë këtë investim fantastik për fëmijët, për vajzat, djemtë, prindërit, gjyshërit, gjyshet e Korçës. Është fare e qartë se bëhet fjalë për një transformim që as mund të mendohej vetëm disa vite më parë.
Dua ta falënderoj kryetarin e Bashkisë për zemërgjerësinë me të cilën na mundësoi organizimin e këtij takimi këtu, nisur nga fakti që jemi ende në një kantier të pambyllur transformimi, për të zhvilluar seancën javore të Platformës së Bashkëqeverisjes, duke shfrytëzuar kohën në këtë fundjavë të muajit, që, sipas një tradite tanimë të kësaj qeverie, ne e zhvillojmë në një qytet jashtë Tiranës.
Dua të falënderoj të gjithë miqtë që janë këtu bashkë me mua, nga Korça dhe nga Pogradeci, që janë njerëz të zakonshëm të këtij vendi, të cilët kanë gjetur zgjidhje përmes Platformës së Bashkëqeverisjes për halle dhe probleme, të cilat padrejtësisht kanë mbetur pa u trajtuar për shumë kohë. I falënderoj që morën mundimin të vijnë, sepse, fare mirë, pas zgjidhjes së problemit mund të kishin qëndruar sot në shtëpi, por me praninë e tyre, ata na ndihmojnë që përmes eksperiencës së tyre personale të përçohet te cilido apo cilado qytetar dhe qytetare në këtë vend mesazhi se ka një ndryshim të jashtëzakonshëm, nga dje sot, për qytetarët që vendosen përpara arsyes së mosarsyes në zyrat e shtetit dhe trajtohen ashtu siç nuk e meritojnë, duke u zmbrapsur pa marrë përgjigje për kërkesat e tyre legjitime.
Ky ndryshim rrënjësor është pikërisht ura e ngritur e komunikimit të drejtpërdrejtë mes çdo qytetari dhe qeverisë, jo shtetit në përgjithësi, por qeverisë, sepse çdo ankesë që një qytetar nis në Platformë shkon menjëherë te ministri apo ministrja përkatëse dhe trajtohet duke marrë zgjidhje brenda 10 ditëve, në rastin kur kërkesa është e drejtë, por, sidoqoftë, duke i dhënë përgjigje brenda 10 ditëve çdo qytetari. Përgjigje ligjore që pasohet në çdo rast kur qytetari merr të drejtën nga një hetim administrativ për të gjithë ata që janë përgjegjës për vonesën dhe për dëmin moral të shkaktuar ndaj qytetarit.
Kjo është arsyeja, pse Platforma ka sjellë adresimin e problemeve për 22553 qytetarë në nivel qendror dhe vendor, prej të cilëve, 21239 kanë marrë sot përgjigje, ndërkohë që mesatarisht janë 1950 çështje që trajtohen çdo muaj dhe që marrin përgjigje.
Më vjen mirë, po ashtu, që në këtë Platformë kanë filluar të shtohen edhe kërkesat për interpelanca me ministrat. Çdo grup qytetarësh mund të thërrasë një ministër në interpelancë përmes Platformës, njësoj si një grup deputetësh.
Po ashtu më vjen shumë mirë që janë 462 raste masash disiplinore, paralajmërime për largime nga puna, largime nga puna, apo dosje të referuara në prokurori për 462 punonjës të shtetit, për të cilët hetimi administrativ ka nxjerrë përgjegjësi dhe ka rekomanduar masën përkatëse. Mesazhi për të gjithë punonjësit e shtetit që janë në zyrat ku u shërbehet qytetarëve forcohet javë pas jave, edhe falë këtij aktiviteti dhe falë dëshmive të vetë qytetarëve e falë masave që merren për punonjësit. Që do të thotë, çdo qytetar ka fuqinë e pushtetit ekzekutiv, sepse ne e besojmë termin bashkëqeverisje.
Për ne, bashkëqeverisja nuk është slogan.
Për ne bashkëqeverisja është një vizion për t’u jetësuar dita-ditës.
Çdo qytetar, edhe ai që duket më i humburi dhe më i pambrojturi, të largon nga puna, nëse ti nuk e trajton ashtu siç ai e meriton, si qytetar i barabartë i republikës. Dhe ai në vend se të kthehet në shtëpi dhe të vuajë në vetmi pamundësinë për të marrë të drejtën, i drejtohet platformës www.shqiperiaqeduam.al.
Nuk ka asnjë kosto. S’paguan asnjë qindarkë. Maksimumi është 3 minuta. Ankesa shkon drejt e ministrja përkatëse që merr menjëherë në dorë çështjen dhe brenda 10 ditësh, ai merr zgjidhje Ndërsa kush është përgjegjës për vuajtjen e tij ndëshkohet. Kjo është logjika.
Unë dëshiroj të ftoj këtu, me radhë, të gjithë miqtë që janë të pranishëm, që të sjellin dëshmitë e tyre dhe kësisoj t’ju flasin drejtpërdrejtë atyre që na ndjekin dhe që kanë të drejtë të jenë edhe mosbesues kur flas unë, apo kur flasim ne, por, duke parë rastet konkrete, dëshmitë konkrete, të nxiten, të inkurajohen dhe të marrin rrugën e duhur, atë të Platformës dhe të ankesës së drejtpërdrejtë, në vend të rrugëve të vjetra për të gjetur mik, për të paguar lekë, për të zgjidhur një hall, apo një problem.
Do të ftoj zonjën Elsa Berberi, mësuese në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Selim Gjona” në Proptisht Pogradec, në lëndën e gjuhë-letërsisë, e cila ka një rast shumë domethënës për të treguar.
Znj. Elsa Berberi: Falënderoj qeverinë për mundësinë që na krijoi të gjithëve. si njerëz të thjeshtë, ashtu dhe kur ke njerëz të fortë në krah, për të zgjidhur problemet. Para një viti u bëra nënë për herë të parë. Gjatë periudhës mora lejen dhe kuptova që gjatë kësaj kohe, vendi im i punës, më saktë, vendimi lëvizi nga mësuese gjimnazi kaloi në vendim të Shkollës së Mesme, arsimit të mesëm të ulët. Ishte i njëjti vend shkolle, i njëjti kolektiv. Problemi ishte se ishte një ulje morale për mua. U përpoqa, me sa mundësi që kisha, për të komunikuar me njerëzit që na rrethonin dhe nuk gjeta zgjidhje. Në televizion kisha dëgjuar për Platformën qeveritare dhe mora guximin dhe shkrova. Mesazhi i parë që më erdhi nga Platforma ishte që brenda 10 ditësh do gjeja zgjidhje. Në krye të 10 ditëve, vendimi u rimor dhe unë u ktheva përsëri në arsimin e mesëm të lartë. Falënderoj qeverinë për këtë mundësi, për këtë dritare që hapi për të gjithë njerëzit. Gjithashtu i uroj suksese në punën e mëtejshme.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit Elsa. Natyrisht që çdokujt i pëlqejnë fjalët e mira dhe falënderimet, por unë dua ta shfrytëzoj këtë rast, pasi t’i falënderove qeverinë, për të thënë diçka që është shumë domethënëse. Shumë shpesh, ne dëgjojmë në jetën e përditshme, ose na vjen edhe vetë të themi ç’më duhet të votoj, se vota s’ndryshon asgjë; këtu janë të gjithë njësoj; këta janë të tërë në punën e tyre; shikojnë vetëm punët e tyre; këtu s’ndryshon asgjë. Në fakt, arsyeja pse falënderimi për qeverinë në këtë rast nuk është në drejtimin e duhur është sepse këtë ndryshim, këtë mundësi dhe këtë zgjidhje që ti ke marrë e ka sjellë vota. Ajo votë që ne kemi marrë duke iu thënë njerëzve ne duam një votë për të qeverisur bashkë me ju. Pasi kemi marrë këtë votë, të cilën e konsiderojmë si votë besimi për të bërë atë që kemi premtuar, ne kemi ngritur këtë Platformë, pikërisht për të qeverisur bashkë me ju.
Kjo do të thotë që drejtori i shkollës, i cili ka shkelur Kodin e Punës dhe duke shkelur Kodin e Punës, ndërkohë që Elsa ishte në periudhën e barrëlindjes, ka bërë dëm për familjen e saj, pasi ajo është rikthyer në një vend tjetër me një pagë më të ulët, u detyrua nga Elsa që të rishikonte vendimin dhe të rikthente Elsën aty ku ajo ishte më parë, pasi bashkëqeverisja është reale. Në të kundërt, Elsa mund të mos e kishte sot punën që ka dhe mund të detyrohej për vite të tëra të pranonte një punë me një pagë më të ulët, një shkelje të të drejtës së saj dhe një shkelje të Kodit të Punës. Por Platforma, bashkëqeverisja i jep Elsës forcën që të flasë, jo më me zërin e vet, por me zërin e ministres së Arsimit, sepse në momentin kur Elsa ka shkuar te Platforma, çështja ka shkuar menjëherë në tryezën e ministres së Arsimit. Ka qenë ministrja e Arsimit personi që ka folur me zërin e Elsës, ka kërkuar hetimin administrativ për të gjithë procesin, ka marrë përgjigje që kjo është shkelje dhe ndërkohë që Elsa është kthyer në vendin e punës, drejtori i shkollës ka marrë vërejtje me paralajmërim, që, nëse e përsërit dhe njëherë këtë gjë, nuk është më drejtor.
Kjo është fuqia e bashkëqeverisjes.
Rasti tjetër është rasti i një tjetër qytetareje nga Pogradeci, e cila kishte një hall, një nga hallet që, në fakt, ne e kemi marrë shpesh të trajtohet nga Platforma. Natasha do të na ndihmojë që t’ua përcjellim këtë mesazh të gjithë atyre që e kanë këtë hall, para daljes në pension.
Znj. Natasha: Kam qenë në punë për shumë vite dhe për pak vite dal në pension. Me zgjedhjet e vitit 2015, Bashkinë e Pogradecit e mori e djathta dhe mua më pezulluan nga puna. Në momentin kur më pezulluan, isha me leje të zakonshme, që me Kod Pune dhe me ligj, kur je me leje të zakonshme nuk zëvendësohesh dhe nuk pezullohesh nga detyra. U ndjeva natyrisht shumë w revoltuar, por, megjithatë, unë nuk u tregova pesimiste, pavarësisht se për disa vjet dal në pension pleqërie. Pse të mos shkruaj edhe unë në Platformën e Bashkëqeverisjes, në portalin www.pershqiperineqeduam? Dhe vërtet shkrova, kontaktova, më kthehet përgjigja. Kontaktoj përsëri. Përgjigja vjen në e-mail-in tim personal dhe si rrjedhojë e negociatave me Shërbimin Kombëtar të Punësimit dhe me Zyrën vendore të Punësimit në Pogradec, unë sot aktualisht jam e punësuar. Kjo falë portalit të Bashkëqeverisjes. Kjo falë vizionit të zotit Kryeministër. Kjo falë platformave e projekteve, që deri dje, zoti Kryeministër, ju e kishit portalin pershqiperineqeduam, sot keni bashkëbisedimin me qytetarët. A ka më mirë se kjo, që ne të bashkëbisedojmë me të gjithë qytetarët, pavarësisht të kujt krahu politik janë, pavarësisht të vjetër në moshë, të rinj, gra, vajza, të gjithë.
Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë mirë që të paska inspiruar e gjithë kjo eksperiencë. Ne kemi edhe fushatën e anëtarësimeve në parti. Është mirë të konsiderosh dhe këtë, se nuk e kemi fushatë për të anëtarësuar të rinj në moshë, por njerëz energjikë të çdo moshe dhe ti je gati që të bëhesh pjesë edhe e partisë tonë, meqë ke këtë eksperiencë. Duke folur për pensionin, për një hall që e kanë shumë njerëz, jo në prag pensioni, por në llogaritjen e viteve të vjetërsisë në punë për të caktuar pensionin, kemi rastin e një çifti, Almës dhe Lefterit, që patën po këtë hall me Agjencinë e Sigurimeve në Pogradec, ku prej 4 muajsh nuk merrnin dot vërtetimet.
Z. Lefter Prifti:Jam banues në Pogradec. Kur më erdhi mosha e pensionit, unë doja të mbyllja vitet e punës dhe pas aplikimit tim për vitet e punës mu vonua përgjigja. Iu drejtova platformës dhe për 3-4 ditë platforma e zgjidhi hallin tim. Faleminderit të gjithëve, aplikoni dhe fitoni.
Kryeministri Edi Rama: Katër muaj, dy pensionistë që prisnin një vërtetim, vërtetimin e vjetërsisë në punë, për t’ju caktuar pensioni dhe katër muaj nuk merrnin dot vërtetimin për të caktuar pensionin. E morën për 6 ditë dokumentin, sepse në vend që të vazhdonin të prisnin, apo në vend që të kërkonin rrugë të tjera, iu drejtuan Platformës. Platforma është rruga që ju çon tek miku më i madh. Miku më i madh, sot, që mund të fusësh për të zgjidhur një problem në zyrat e shtetit është ministri përkatës përmes Platformës dhe nuk ke nevojë as ti gjesh mik-mikut, as të shkosh ta takosh vetë mikun, futu në platformë, dërgo ankesën dhe të vjen miku vetë, e merr përsipër punën tënde, të zgjidh problemin e ti merr zgjidhje. Kush nuk e beson, ta provojë se nuk humbet asgjë. Edhe ata që ankohen “na kërkojnë ryshfet”, të mos ankohen pse ju kërkojnë ryshfet, qoftë në hipotekë, qoftë te ALUIZNI, qoftë në spital, apo kudo qoftë, por tre minuta të ngrenë në këmbë ministrin përkatës. Nëse ka një kërkesë ryshfeti për arsye shëndetësore, Platforma reagon në kohë reale dhe ministrja e Shëndetësisë reagon në kohë reale. Natyrisht, ne e dimë shumë mirë problemin e ryshfetit, por nuk e zgjidhim dot pa bashkëpunimin me ata të cilëve u kërkohet ryshfet. Atyre që iu kërkohet ryshfet, në vend që të paguajnë ryshfetin e pastaj të shfryjnë kafeneve, apo në Facebook, e kanë shumë të thjeshtë, të kërkojnë ndihmë. Ose pastaj ta qepin se nuk mund të jetë historia që edhe e bën vetë fajin, edhe ankohesh pse të shtynë të bësh faj.
Arbeni është një qytetar nga Korça që kishte një problem me ALUIZNI-n. Ne nuk na ndahen në asnjë nga seancat javore, as hipoteka, as ALUIZNI dhe arsyeja pse nuk na ndahen, është se rastet nga hipoteka dhe ALUIZNI janë vazhdimisht, por edhe nevoja që të përçojmë mesazhin që mos paguani ryshfet në hipotekë, apo tek ALUZINI, por menjëherë na u drejtoni dhe do të merrni atë që ju takon.
Z. Arben: Unë kam 4 vjet që vuaj me ALUIZNI-n, që në vitin 2012. Duke filluar nga drejtoresha që ka qenë më përpara, me thoshte “nuk kanë ardhur dokumentet, do vijnë”, por asgjë. U ndërrua shumë herë drejtoria. Para se të takoja këtë të fundit, shkrova në platformën qeveritare dhe mora përgjigjen. Para se të bëhej kjo, 4 vjet nëpër zyra dhe nuk u bë dot gjë. Edhe para dy vjetësh, në 2016 pata një problem për tokat e tim vëllai. Më sollën shumë herë vërdallë, deri sa në fund fare më thanë “ka ardhur dokumenti në hipotekë”. Shkoja në hipotekë, më thonin “nuk ka ardhur”. Prandaj unë dua që jo vetëm për sot, por edhe për mot dhe sa herë të jesh ti Kryeministër, jo unë, por gjithë populli e njerëzit kudo që të jenë, sa herë të shkojmë nëpër zyra, të na presin e të mbarojmë punë më shpejtë dhe jo të na zvarrisin me muaj. Falënderoj shumë zotin Kryeministër që hapi këtë platformë. Dhe një fjalë. Unë jam shtruar në 17 gusht në spitalin e Korçës. Kam vetëm një ankesë ndaj drejtorisë. Ne jemi të sëmurë, shkojmë atje, jemi të shtrirë dhe vijnë e na shqetësojnë, duan të bëjnë pazar, të shesin rrobat kur jemi të sëmurë. A bëhet kjo? Kjo gjë t’i referohet drejtorit të spitalit.
Kryeministri Edi Rama: E parafytyroni dot, pa platformën e bashkëqeverisjes, që emaili i tij të mjaftonte për të pasur zgjidhje për problemet dhe ai të shkruante në e-mail e të ngrihej Ministria në këmbë për t’i dhënë zgjidhje? Kjo është platforma. Ndërkohë për spitalin, ti e mësove rrugën, prapë tek platforma dhe do merremi menjëherë më këtë çështje, sepse është e vetmja rrugë dhe fjalët i merr era. Kurse aty, çdo fjalë mbetet dhe ndiqet nga një skuadër e tërë që është pas ekranit. Ministrat në mbledhjen e qeverisë, çdo javë kanë në tavolinë raportin si e sa, janë trajtuar ankesat e qytetarëve, sepse janë ankesa që nuk fshihen dot, nuk i merr dot era. Janë aty. Pavarësisht se ai që ankohet është nga Tirana, është nga Korça apo është në Amerikë. Pavarësish se është i pasur, është i varfër, ka miq, nuk ka miq, është i majtë, është i djathtë, është burrë, grua, i vogël apo i rritur, nuk ka pikë rëndësie. Çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë është në Platformë një element i koalicionit tonë të bashkëqeverisjes. Bashkëqeverisjes për problemet e njerëzve.
Krenari kishte 10 vjet që kërkonte të bënte legalizimin e banesës dhe e mori për 7 ditë.
Z. Krenar: Prej shumë vitesh kisha aplikuar për lejen e legalizimit. Ishte e pamundur. Shkoja në Pogradec, më thonin e ke në Korçë. Shkoja në Korçë, më thonin i ke dokumentet në Pogradec. Falë platformës suaj, – më harxhoi tre minuta kohë për të shkruar, – unë arrita këtë dhe shpresoj të ketë dhe arritje të tjera.
Kryeministri Edi Rama: Patjetër, platformën aty e ke dhe afati 10 ditor është afati për t’i dhënë përgjigje çdo ankese. Në rastin kur qytetarit nuk i takon, i thuhet nuk të takon dhe në rastin kur i takon, i jepet zgjidhje brenda 10 ditësh.
Prapë ALUIZNI për një vetedeklarim të bërë para 10 vitesh dhe zonja Myrvete Pazaj është këtu sot, për të dëshmuar për rastin. Shumë faleminderit që e keni marrë mundimin.
Znj. Myrvete Pazaj: Para disa vitesh kam aplikuar për një legalizim për banesën dhe isha në një pritje të gjatë. Aktualisht unë banoj në Tiranë, por jam qytetare e Korçës. Sa herë që duhet të planifikoja ardhjen në Korçë, e para gjë ishte që duhet të shkoja tek ALUIZNI për t’u interesuar për pronën. Sa herë shkoja, nuk kishte ndonjë pengesë serioze por thjesht, ja këto ditë, ja tani, ja pastaj dhe ndërkohë un ju kisha dëgjuar në platformën e bashkëqeverisjes që ju e inkurajonit dhe sugjeronit përdorimin e kësaj platforme. Thashë ta provoj dhe funksionoi. Funksionoi në kohë shumë të shpejtë dhe tani është në procedurën e legalizimit në zyrën e pasurisë. Unë mund t’ju them se inkurajuar nga ky problem, me besim të plotë, unë kam aplikuar dhe për një çështje tjetër që mbase është më e komplikuar, që është për biznesin tim. Besoj se në përsosje të Platformës së Bashkëqeverisjes do gjej zgjidhje dhe inkurajoj të gjithë qytetarët ta përdorin atë. Është një zgjidhje me shumë dinjitet. Më mirë të mendojmë një zgjidhje që të jep vlera kur ti komunikon shkresërisht dhe ata njerëz të përgjigjen me forcën e ligjit dhe në zbatim të ligjit.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Natyrisht që nuk mund të mungonte hipoteka, një rast me hipotekën e Korçës për të cilin kam zotin Hasimllari këtu.
Zoti Hasmillari: Quhem Fredi Hasimllari, nga Bashkia Maliq. Në vitin 1995 bëmë një projekt me aprovimin e KRT të rrethit Korçe dhe në ’98-ën përfundoi dhe fillova punë. Që atëherë e deri më sot, biznesi ka vazhduar në mënyrë të mrekullueshme, por pa hipotekuar truallin, megjithëse ndërtesa ishte e hipotekuar. Prej 8 vjetësh tentova bashkë me Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjeve të Pronave Publike në Ministrinë e Financave, nuk e realizova dot. Sivjet, sa vajta atje më thanë “po, të takon” dhe më thanë që do vish dhe njëherë që të bësh kontratën. Vajta, bëra pagesën në atë bankën dhe bëra kontratën me Ministrinë e Financës. Tani do shkosh ta regjistrosh dhe brenda 30 ditëve ka marrë fund më thanë djemtë që ishin tek drejtoria. Vij këtu, i dorëzoj ato, prit, hiç. Shkoj interesohem 4 muaj rresht. Një ditë vjen djali nga shkolla, e kam në një universitet europian, më thotë babi, këtë punë do ta bëj unë. I them, si do ta bësh, ti pasnesër do ikësh? Mbaroi tha. I tha të motrës shko merr dosjen e babit. E bënë pa më pyetur mua. Më merr në telefon dhe më thotë prit zarfin, do të të vijë të enjten. Erdhi kaq e thjeshtë, por unë nuk mora vesh gjë. E dija që ekzistonte Platforma, por nuk e besoja që do bëhej. Kështu që në radhë të parë do falënderoj ata djem e vajza që punojnë në atë platformë. Në radhë të dytë do falenderoj ideatorët e asaj platformë dhe në radhë të tretë do falenderoj fëmijët e mi, se mesa duket unë nuk kam ditur gjë.
Kryeministri Edi Rama: Platforma funksionon për të gjithë dhe edhe në rastet kur njerëzit janë në një farë moshe, apo nuk janë shumë të familjarizuar me internetin, në çdo familje ka një fëmijë që di t’i bëjë këto punë. Kështu që kjo është gjëja më e thjeshtë, kurse për ata që nuk kanë akses në internet në shtëpi, Platforma është e aksesueshme në çdo zyrë poste, është e aksesueshme në çdo njësi administrative, minimalisht.
Nevruzi ka pritur 12 vjet për një çështje që e zgjidhi për 10 ditë.
Z. Nevruz: Në radhë të parë falënderoj stafin e Kryeministrit. Për rastin tim janë treguar shumë të vëmendshëm e më kanë marrë disa herë në telefon, se si ecën problemi im. Kam deklaruar shtëpinë për legalizim në 2016-ën dhe isha me shkëputje në Greqi, në emigracion. Vija 2-3 muaj e kthehesha prapë. Sa herë shkoja në zyra, më thonin “do ta rregullojmë”, shënonte emrin nga një fletë, në një fletë tjetër. Në fund fare, kur vajti aty ku nuk mbante më, më tha njëri se me Buçimasin e kemi mbaruar matjen e zonës tuaj, por po të duash ti, ne vijmë. Kjo më revoltoi. Kjo “po të duash ti”, do të thotë që “po të paguash, ne vijmë”. Atëherë mora iniciativën, aplikova në Platformën e Bashkëqeverisjes, të cilën e falenderoj jashtë mase që gjeta zgjidhje dhe e falenderoj përsëri Kryeministrin që për çdo problem që janë ankuar, – kam ndjekur dhe rastet e tjera, – kanë gjetur zgjidhje. I them gjithë popullit që ka probleme të kësaj natyre të mos ngurrojnë, të aplikojnë dhe të gjejnë zgjidhje.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit të gjithëve ju, që morët mundimin për të ardhur e që na ndihmoni për të përçuar mesazhin me zërin tuaj, me eksperiencën tuaj të drejtpërdrejtë tek njerëzit që, njësoj si ju më parë, mund të kenë akoma rezerva, apo mund të thonë këto janë show, apo fasada. E vërteta është ajo që u dëshmua këtu e ajo për të cilën ne po përpiqemi në mënyrë të vazhdueshme të bindim që të gjithë. Shqiperiaqeduam.al është rruga më e shkurtër, më efikase për të marrë atë që të takon, nëse në një zyrë shteti nuk e merr dot. Jo vetëm kaq, por dhe për të kontribuar drejtpërdrejtë që ajo zyrë të marri një mësim, që kush të pengon, të marrë një mësim, që të tjerët të marrin një mësim, sepse, pasi ti merr zgjidhje, vazhdon hetimi për fajtorët, pse nuk e kishte marrë zgjidhjen më përpara. Kjo është arsyeja, pse shumë punonjës, afro 500 të tillë janë ndëshkuar me masa administrative. Që nga paralajmërimi për largim nga puna, deri tek ndjekjet penale në prokurori dhe largim automatik nga puna.
Edhe njëherë me shumë kënaqësi për këto momente që ndamë sëbashku në këtë investim të ri që është kryer në kuadrin e programit të Rilindjes Urbane. Besoj se do të jetë një tjetër arsye për të sjellë fëmijët në Korçë, por do të jetë një pikë referimi për gjithë fëmijët e Korçës, në radhë të parë. Ju falënderoj të gjithëve për praninë tuaj dhe ju siguroj që e gjithë vëmendja jonë është tek ju, me të gjitha mundësitë që kemi, me të gjitha ato që dimë dhe me gjithçka mund të vëmë në dispozicion. Gabime bëjmë, të meta kemi, boshllëqe krijohen, por ajo që është e sigurt është se ne jemi këtu për t’ju shërbyer juve dhe për ta bërë këtë gjë çdo ditë e më mirë. E në këtë proces, ju na jepni një ndihmë të paçmueshme, nëse përfshiheni në këtë bashkëqeverisje, duke mos heshtur, duke mos u zmbrapsur, duke mos zgjedhur rrugë të tjera, por duke zgjedhur rrugën e drejtpërdrejtë të kontaktit me ne.
Shumë faleminderit!