Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar në Davos të Zvicrës një takim me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic, me të cilin bisedoi rreth marrëdhënieve mes dy vendeve. Kryeministri kroat e siguroi Kryeministrin Rama për mbështetjen e vendit të tij për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Nga ana tjetër, Kryeministri Rama bisedoi me homologun kroat edhe rreth çështjes se Ballist Morinës, për të cilin kreu i ekzekutivit shqiptar kërkoi një vendimmarrje të drejtë dhe të ndershme nga ana e autoriteteve kroate. Kryeministri Plenkovic e siguroi zotin Rama se rasti i Ballist Morinës do të trajtohet me kujdesin maksimal dhe në respekt të legjislacionit dhe konventave ndërkombëtare.
Kryeministri Rama u takua gjatë forumit ekonomik të Davosit edhe me kryeministrin hollandez, Mark Rutte, me të cilin bisedoi mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian dhe rëndësinë strategjike të çeljes së negociatave për anëtarësim, jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin.
Kryeministri Edi Rama takoi gjithashtu Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me të cilin diskutoi mbi bashkëpunimin bilateral e rajonal, si dhe për ecurinë e dialogut mes Serbisë e Kosovës.
Newsroom
Kroacia mbështetje Shqipërisë për hapjen e negociatave