Në fshatrat e Vlorës dhe të Fierit, situata është nën kontroll pas ndërhyrjeve të koordinuara të strukturave të emergjencave civile, të strukturave të pushtetit lokal, OSHEE, forcave të ushtrisë, si dhe të sektorit privat, i cili i është përgjigjur në kohë kërkesave për ndihmë.
Kryeministri Edi Rama ishte sërish sot, në disa prej këtyre fshatrave, ku pa nga afër gjendjen dhe u takua me banorët.
Argjinatura e Selevecit, ishte ndalesa e parë. Kjo argjinaturë gjatë natës së mbrëmshme ka qenë seriozisht e rrezikuar. Janë hapur portat e saj, që nuk ishin hapur prej gati 50 vitesh dhe janë depozituar në mbrojtje 100 kamionë me inerte. Pas punës intensive të zhvilluar përgjatë gjithë natës nga Shtabi i Emergjencës, por edhe nga firma private, situata është vënë nën kontroll të plotë. Puna vazhdonte në mbrojtje të kësaj argjinature në zonat ku uji i vrullshëm i natës së mbrëmshme e kishte dobësuar atë. Në të gjithë gjatësinë, prej 6 kilometrash, edhe sot po hidheshin inerte, për forcimin e strukturës.
Prefektja Etiona Hoxha tha se çdo gjë është kthyer në normalitet, duke shmangur çdo rrezik të mundshëm, që vjen si rezultat i konstruksioneve tejet të vjetruara. “Situata më e vështirë të cilën ne e kemi kaluar, paraqitet këtu në argjinaturën e Selevecit. Portat këtu janë projektuar që në vitin 1976, lidhin Kripën, siç e njohin të gjithë, dhe Gjolin e Nartës. Këto porta nuk ishin vënë asnjëherë në punë. Nuk ishte parë e nevojshme që të hapeshin dhe të qarkullonte uji. Kjo tregon edhe njëherë shkallën e rrezikshmërisë që pati kjo situatë. Pati dëmtime të argjinaturës, që në fillim të saj. Si argjinaturë është 6 kilometra. Dje kaluam një moment të vështirë. Uji kaloi për momentin edhe si rezultat i masave të marra, kamionët e ngarkuar me inerte ishin prezent dhe ne mundëm ta kalonim për mrekulli. Na asistuan firma të ndryshme ndërtimi, të cilat na u përgjigjën me një telefonatë. Kanë ndenjur që të gjithë këtu. Kemi punuar deri në orët e para të mëngjesit. E kemi situatën totalisht nën kontroll edhe të kaluar besoj,”- u shpreh ajo.
Kryetari i Komunës së Novoselës Kanan Shaka informoi se angazhimi i strukturave përgjegjëse ka qenë maksimal. Ai gjithashtu falenderoi bizneset private për ndihmën efikase që ofruan: “Me marrjen e njoftimit që diga rrezikohej, ne vlerësuam bashkë me Shtabin, me Prefekten, me forcat e ushtrisë dhe të mbrojtjes, erdhëm të gjithë këtu. U bëmë thirrje bizneseve dhe i falenderoj të gjithë bizneset që u përgjigjën në kohë. Erdhën kamionët dhe filluan punën së bashku me Bordin e Kullimit, së bashku me ndërmarrjen e OSHEE në Vlorë. Dua t’i falenderoj edhe njëherë të gjithë bizneset e Vlorës. Tani jemi jashtë rrezikut.”
Në të gjithë zonën është i garantuar gjithashtu, furnizimi me energji elektrike. Drejtori i OSHEE Ardian Çela bëri të ditur se dëmtimi i argjinaturës ka lidhje të drejtpërdrejtë me situatën energjetike dhe se me marrjen e masave për mbrojtjen e saj, furnizimi me energji ka vijuar normalisht. “Situata energjetike në të gjithë zonën është e garantuar. Të gjithë hidrovorët janë në funksion, furnizimi me energji vazhdon rregullisht. Problemi i kësaj argjinature lidhet drejtpërdrejtë edhe me situatën energjetike, pasi këto shtylla që janë një investim shumë i vjetër në kohë, rrezikojnë jo vetëm me shembjen e argjinaturës, por rrezikohet edhe shembja e këtyre linjave dhe furnizimi i hidrovorëve, çka do të thotë përmbytje masive në Vlorë, në rast se mbetemi edhe pa energji. Në të gjithë zonën nuk ka asnjë lloj problematike lidhur me energjinë. Përsa i përket asaj thotë opozita që në Fier e Vlorë nuk ka energji, nuk është e vërtetë. Në të gjithë zonën ka energji,” – u shpreh ai.
Ndërsa, Kryeministri Rama, tha se është bërë një punë kolosale në përmirësimin e të gjithë plagëve të tmerrshme të hapura nga keqqeverisja e para 23 qershorit: “Kjo është një betejë me natyrën dhe me të shkuarën. Me natyrën, sepse siç dëshmojnë të gjithë banorët e zonës këtu pati një prurje që mbahet mend vetëm në vitin 1971, por dhe me të shkuarën, sepse kemi trashëguar një situatë copë-copë, nga pikëpamja e sistemeve të cilat janë rrënuar. Mbi të cilat, nuk është vënë dorë prej shumë e shumë vitesh, posaçërisht në këto territore. Falë një angazhimi shembullor të Prefektes dhe të drejtuesve të njësive vendore është bërë një punë kolosale për të çliruar kanale që nuk ishin pastruar për më shumë se 20 vite. Falë pastrimit të këtyre kanaleve edhe një pjesë e madhe e dëmeve është shmangur, sepse këto kanale kanë funksionuar. Të gjithë e kanë të qartë që çka mbetet për t’u bërë është ende shumë më tepër, sepse siç e thashë kjo është një betejë në dy fronte. Njërin front nuk e kemi në dorë, është moti dhe fronti tjetër është ajo çka ne kemi në dorë që të përballemi me të gjitha plagët e tmerrshme të hapura nga keqqeverisja deri përpara 23 qershorit.”
* * *
Në fshatin Fitore të Komunës Novoselë, banorët u shprehën se ndihen të mbështetur nga strukturat e shtetit dhe kërkuan nga Qeveria ndihmë për të kompensuar dëmet e shkaktuara. “Shtabi i Emergjencës së komunës, me prefekturën, Prefektja, të gjithë na kanë ndenjur pranë. Ju faleminderit për gjithçka! Kërkojmë nga ju që Qeveria të na ndihmojë,” – u shpreh një banor, teksa ftoi kryeministrin në banesën e tij për të parë gjendjen.
Kryeministri Rama pasi dëgjoi disa prej tyre, premtoi se menjëherë pas përmbylljes së fazës së emergjencës të diktuar nga moti i paqëndrueshëm, do të nisë përllogaritja e dëmeve dhe njëkohësisht mbështetja e familjeve në nevojë. “Ne do të përballojmë njëherë këtë situatën e emergjencës që nuk ka përfunduar lidhur me motin. Ka akoma një pritshmëri në bazë të të dhënave meteorologjike për një situatë reshjesh tjetër të madhe, shpresojmë që kjo të mos vërtetohet, por ne jemi tërësisht në gatishmëri me të gjitha forcat dhe të gjitha strukturat, që kanë funksionuar mjaft mirë deri tani. Menjëherë pas përfundimit të kësaj pjese të betejës fillon pjesa tjetër për të patur një raport të hollësishëm për të gjitha dëmet dhe pastaj për t’i përballuar një nga një të gjitha ato dëme që janë reale dhe që kanë të bëjnë me njerëz që kanë nevojë për mbështetje. Kjo nuk diskutohet. Por e rëndësishme është që në këtë fazë të fokusohemi të gjithë tek përballimi i prurjeve të mundshme të tjera nga tërbimi i motit. Pastaj gjithçka do të analizohet me vëmendjen më të madhe. Të dhënat janë mbledhur dhe do të mblidhen në mënyrë të përditshme, por kur të mbledhim të dhënat përfundimtare do të jemi në gjendje të bëjmë një bilanc të qartë të detyrimeve. Ndërkohë që dje kemi patur një komunikim intensiv përmes Ministrit të Jashtëm, Ministres të Integrimit dhe unë vetë me partnerë ndërkombëtarë. Kemi marrë mbështetje dhe inkurajim që edhe ata do të na gjenden pranë për të përballuar nevojat që vijnë nga pasojat e përmbytjeve.”
Gjatë takimit me kryeministrin, kryetari i komunës Novoselë, i angazhuar për përballimin e situatës u shpreh i indinjuar nga mosvlerësimi i punës së tyre prej kryetarit të opozitës. “Ditën e djeshme ka ardhur kryetari i opozitës këtu. Mua më kanë ofenduar se kam gjashtë dite këtu dhe më kanë hedhur punën poshtë,” tha ai.
Kryeministri replikoi me drejtuesin vendor duke i kërkuar të mos vazhdonte më, sepse nuk ishte aty për betejë politike: “Njerëzit nuk janë budallenj, njerëzit dëgjojnë, shikojnë. Nuk jemi këtu për të bërë beteja politike. Opozita është e përmbytur më 23 qershor kështu që mos u merr me opozitën.”
***
Në mesditë, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti u takuan me banorë dhe fermerë të fshatit Ferras, në qarkun e Fierit, të prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit.
Në një prej fermave ku ishin mbytur qindra krerë bagëti, kishte nisur procesi i groposjes së tyre. Më parë bagëtive të mbytura iu kryhej desinfektimi me solucionet përkatëse.
Një fermer i ri informoi Kryeministrin se kishte humbur mbi 400 krerë bagëti dhe se priste mbështetjen e Qeverisë për të dalë nga gjendja në të cilën ndodhej. “Unë humba 400 krerë. Kam qenë me çobanët brenda në stan dhe mezi kemi dalë atë natë. Me gomone dhe me varka ne kemi dalë edhe për vete. Kam që në moshën 20 vjeç që merrem me to, bashkë me dy vëllezërit dhe me babanë, familjarisht. Na humbi gjithçka që patëm. Kjo ishte e fundit, por ne kemi besim te ju zoti Kryeministër” – iu drejtua fermeri, Kryeministrit Rama.
Kryeministri siguroi se menjëherë pas përfundimit të emergjencës së motit do të merren konkretisht me të gjitha dëmet. “Për çështjen e krerëve të humbur kemi folur me Ministrin dhe do të jetë prioritet, menjëherë sa të mbarojë pjesa e emergjencës së motit. Do merremi konkretisht me të gjitha humbjet, duke filluar nga humbjet e krerëve dhe humbjet e prodhimit, të cilat janë pjesa më e ndjeshme. Pastaj, sigurisht, edhe për të parë dëmet që janë bërë nëpër shtëpi,” – u shpreh Kryeministri. Ndërsa pritet që reshjet të vijojnë, të gjitha strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri për të përballuar çdo situatë që mund të krijohet.
Gjatë ditës së sotme në këto zona ka nisur procesi i groposjes së bagëtive, të dala në sipërfaqe si pasojë e tërheqjes së pjesshme të ujit. Shërbimet veterinare në bashkëpunim me strukturat e shëndetësisë janë në shërbim 24 orë në 24 për të garantuar dezinfektimin dhe groposjen e bagëtive të ngordhura sipas të gjithë kritereve teknike.
Ministri Panariti garantoi se me masat e marra nuk do të ketë asnjë shans për shpërthimin e ndonjë epidemie të mundshme. “Janë hapur gropat ku bëhet groposja përfundimtare. Tani nuk kemi më asnjë kokë bagëti nëpër kanale, të gjitha janë të grupuara, të dezinfektuara dhe do të groposen. Pritet që me tërheqjen e ujërave të kemi edhe trupa të tjerë që janë nën ujë aktualisht, por shërbimi do të jetë këtu 24 orë në 24 dhe me të dalë nga ujërat do të dezinfektohen dhe do të groposen sipas të gjithë kritereve higjeno sanitare. Kjo garanton që nuk do të kemi absolutisht asnjë shans për shpërthimin e ndonjë epidemie të mundshme. Komunikova edhe me Ministrin e Shëndetësisë dhe organet e shëndetësisë janë përkrahë shërbimit veterinar për të garantuar që e gjithë situata, në kuptimin e dezinfektimit dhe groposjes, të bëhet sipas kritereve teknike,” – sqaroi Ministri Panariti.
Gjithashtu, është siguruar edhe ushqimi i nevojshëm për bagëtinë. Ministri Panariti njoftoi se një sasi prej 100 tonë me koncentrat dhe hime, vjen nga Kosova për t’iu vënë në dispozicion blegtorëve dhe fermerëve të dëmtuar. “Aktualisht këtu janë 50 tonë ushqim për bagëtinë në dispozicion. Do të shkoj t’i shpërndaj tek blegtorët, të cilët i kanë nxjerrë bagëtitë tashmë në tokë të thatë, por që janë në gjendje urie. Ndërkohë më konfirmoi Ambasadori ynë në Kosovë që sapo ka kaluar kufirin një ngarkesë prej 100 tonë me koncentrat dhe hime, nga Kosova, e cila do t’i vihet në dispozicion blegtorëve dhe fermerëve të dëmtuar. Kjo e zgjidh përfundimisht problemin” – theksoi Ministri i Bujqësisë.
Fermeri i ri gjatë bisedës me Kryeministrin edhe njëherë këmbënguli për një vlerësim të dëmeve: “Ne jemi zero! Jemi në dorën tuaj zoti Kryeministër. Por kemi besim të plotë, me ç’po shikojmë që gjërat po venë mirë”.
Kryeministri e siguroi se me përfundimin e emergjencës së madhe të motit, prioritet kryesor është dëmshpërblimi për bagëtitë e humbura dhe për prodhimet e dëmtuara. “Gjëja e parë që kemi folur edhe me Ministrin ka qenë që sapo të përfundojë emergjenca e madhe e motit, do të fillojmë me këtë pjesë, duke filluar nga krerët e humbur dhe nga prodhimet e dëmtuara që janë për ne “A”-ja. Sigurisht edhe për të gjitha dëmet e tjera, por kjo është A-ja. Absolutisht, çdo bagëti të humbur dhe të regjistruar ne do t’jua zëvendësojmë menjëherë. Ky është prioritet kryesor. Ndaj për besimin që ke, të falenderoj! Edhe është rasti që ta provosh edhe ta shohësh vetë, që nuk gabon që beson,” – vijoi Kryeministri.
***
Një tjetër takim Kryeministri Rama e zhvilloi me fermerët dhe banorët e fshatit Kafaraj të komunës Frakull në qarkun e Fierit. Në këtë fshat përmbytjet kanë shkaktuar dëme kryesisht në sera, disa prej të cilave të ndërtuara me kredi.
Kryeministri i siguroi ata se krahas vlerësimit të dëmit të shkaktuar, Qeveria do të kërkojë nga bankat trajtim të veçantë ndaj këtyre fermerëve. “Është e sigurt që ne nuk do t’ju lëmë vetëm kur të mbarojë kjo histori. Kur të mbarojë kjo histori, që të jemi të garantuar që s’ka viktima, që s’ka më probleme të emergjencës së momentit që vjen nga moti, atëherë ne do të jemi përsëri këtu, për të bërë të gjithë raportin e saktë të dëmeve dhe për t’i marrë me radhë, një e nga një, detyrimet tona dhe për të qenë pranë jush. Këtë ju them unë!
Përralla nga ato siç keni dëgjuar në përmbytjet e tjera, kur bënin cirk dhe më pas i lanë njerëzit, – dhe sot ua kanë borxh të gjitha ato që u kanë premtuar, se nuk i kanë dhënë kokërr leku njerëzve, – ne nuk kemi dhe unë nuk tregoj. Dëmet në krerë, dëmet në prodhim janë prioriteti kryesor! Ministri i Bujqësisë u ka çuar një letër gjithë bankave, por letra është vetëm si hap i parë. Unë do t’i takoj vetë ata dhe do t’u kërkoj në emrin tuaj që të gjitha detyrimet që burojnë nga kredia të trajtohen në mënyrë tërësisht të veçantë,” – u angazhua Kryeministri Rama gjatë bisedës me fermerët e Kafarajt.