Kryeministri Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Unë nuk kam dëgjuar asnjë prej përfaqësuesve të shumicës që të flasë për begati, të flasë për një situatë rozë, apo t’u drejtohet njerëzve me kërkesën për të qenë të lumtur. Këto i dëgjonim kur qeverisnit ju. Sot, ne vazhdojmë të flasim me njerëzit me gjuhën e të vërtetave, pa e fshehur që jemi larg së qeni në pikën ku mund ta konsiderojmë të kryer misionin tonë.
Nga ana tjetër, ju kam ftuar shpesh në këtë sallë, që t’i referohemi palëve të treta, të cilat janë larg çdo influence të mundshme, qoftë nga qeveria, qoftë nga ju, qoftë nga gjithë ajo botë imagjinare e interesave të errëta, që, sipas jush, sundojnë Shqipërinë. Por, kur ju në mënyrë këmbëngulëse refuzoni t’i referoheni edhe vetë Departamentit të Shtetit dhe raporteve të tij, që flasin një të vërtetë diametralisht të kundërt me atë që përpiqeni ju ta shisni për të vërtetë lidhur me luftën kundër kanabisit, ne nuk kemi çfarë të flasim më me ju dhe nuk kemi rrugë të mundshme, ku jo të bashkojmë pikëpamjet, po minimalisht të diskutojmë, të debatojmë, të polemizojmë mbi disa referenca ndërkombëtare që nuk mund t’i kontestojë ky parlament apo kjo shoqëri.
Më mahnit këmbëngulja e zonjës Tabaku në këtë mision të pamundur kotësie. I referohet Forumit Ekonomik Botëror, që është larg së qeni i influencueshëm nga ne dhe ky Forum nxjerr një raport ku faktikisht vlerëson Shqipërinë, duke e renditur 13 vende më lart se një vit më parë.
Shqipëria renditet 13 vende më lart për një arsye shumë të thjeshtë, për reformat që Shqipëria po bën. Reforma të vonuara 20 e kusur vite, që po i bëjmë ne sot. “Korrupsioni është përkeqësuar”, “Për taksat, biznesi ka shqetësime”, tha zonja Tabaku. Ne as nuk e fshehëm, as nuk kishim pse ta fshihnim dhe që kur dolëm për të marrë votën, ua thamë qartë sipërmarrësve të mëdhenj se do paguani më shumë taksa. Ua thamë se taksën 10% do t’jua rrisim dhe e rritëm. Ne nuk presim që, kur sipërmarrësit e mëdhenj të pyeten për taksat, të thonë që me këtë qeveri, taksat u ulën. Ne presim që ata të thonë, ishim më mirë kur paguanim më pak taksa e nuk kanë pse mos ta thonë. Ata ishin më mirë kur paguanin më pak taksa, padyshim.
Nga ana tjetër, kur vjen puna për të shprehur opinionin e tyre, me fjalë, nëpër takimet e vazhdueshme që ne bëjnë, në institucionet që ne kemi ngritur për ndërveprimin me biznesin, edhe me votë na mbështesin ne, nuk ju mbështesin ju.
Dëgjova zonjën Tabaku të kishte bërë një llogari, sipas saj, bashki të djathta-bashki të majta. Nuk di se ku e fut Shkodrën, por di që investimet e bëra nga programi ynë i Rilindjes Urbane në Shkodër janë më shumë sesa në të gjithë Shqipërinë. Ka një llogari, sepse, për mua, bashkia e Shkodrës nuk është thjesht kryetarja e bashkisë, as buxheti që menaxhon kryetarja e bashkisë, por është bashkia e qytetarëve të Shkodrës. Nëse në Shkodër kemi investuar ndërtimin e stadiumit, ndërtimin e Muzeut të Marubëve, rindërtimin e teatrit “Migjeni”, nga programi i Rilindjes Urbane, këto janë para që i kanë vajtur Bashkisë së Shkodrës. Nëse kryetarja e Bashkisë së Shkodrës dhe Bashkia e Shkodrës nuk kanë aftësinë të bëjnë projekte serioze dhe t’i përgjigjen me standarde, kërkesave të programit të Rilindjes Urbane, më vjen keq, por nuk i mbështesim dot. Është shumë e thjeshtë.
Sa për anketën e forcave të punës, figuron një shifër: Rritje me 60724 persona. Si t’ia bëjmë kësaj dhe si t’ia bëjmë që norma e papunësisë ka shënuar rënie tjetër të ndjeshme?
Ne e thamë që në fillim, shifrën e papunësisë që e shkruante Saliu në zyrë, nuk e njihnim për shifër zyrtare. Sapo kemi ardhur në qeveri kemi çliruar INSTAT-in nga litarët që e lidhnin me zyrën e Kryeministrit dhe në matjen e parë që është bërë, ka dalë norma reale e papunësisë. Më e lartë sesa ajo që korrigjonte Saliu, siç korrigjoi dhe cencusin, apo siç korrigjonte dhe borxhin me dorëshkrimin e vet, që të kujton atë vargun e poemës “Nuk ishte firmë, por ishte vetëtimë!”
Unë me shumë dëshirë do të vazhdoj një debat, për të cilin duhet të pranoj se një ndihmë të madhe po na jepni ju dhe kryetari i partisë tuaj, i cili jo më larg se pak muaj më parë vizitoi një fabrikë riciklimi, nga ku sulmoi qeverinë dhe ku premtoi, – ai nuk e ka problem, se premtimet i ka në maj të gjuhës dhe kur duhet të mbajë fjalën i futet gjuha brenda – se do ta çlironte këtë industri nga bllokimi.
Tani bashkë me ju merr përsipër të zhvillojë referendumin kundër Saliut, që e mbështetëm ne. Ndërkohë që ka një problem; Ligji i ri nuk është ligji i Saliut. Ai është një ligj i ri që ka përfshirë – protokollet janë në Kuvend, – të gjitha kërkesat, plus edhe një masë tjetër që e kemi sjellë më pas, që ne në opozitë kemi bërë në atë kohë për ta mbështetur atë ligj dhe nuk na janë marrë parasysh.
Ligji i ri që ne kemi bërë, e para, nuk lejon importimin e plehrave nga jashtë.
E dyta, e ndalon në mënyrë eksplicite djegien apo groposjen e mbetjeve të importuara.
E treta, nuk lejon dhënien e licencave për import mbetjesh, për subjekte që nuk zotërojnë dhe nuk administrojnë fabrikën përkatëse që përpunon mbetjet.
E katërta, ndalon çdo subjekt që ka një fabrikë që të importojë mbetje brenda listës, më shumë se kapacitetet e veta përpunuese.
E pesta, ligji i ri vjen në momentin kur industria jo ricikluese i ka ezauruar të gjitha kapacitetet për të mbledhur më shumë mbetje në vend.
Në vitin 2013, Shqipëria riciklonte pak më shumë se 10 % të mbetjeve. Sot riciklon 17% të mbetjeve të veta. Është një shifër shumë e ulët.
Në vitin 2004, Italia riciklonte 18 % të mbetjeve. Pse? Sepse Italia është vendi ku gjendet kupola e mafias së plehrave. Ndërsa riciklimi ka një armik të madh të betuar: Mafian.
Mafia është e vendosur që të bëjë çmos që të mos lejojë riciklimin. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Mjafton të shikoni pamjet e Napolit. Kur Napoli mbushet me thasë të zinj, që mbysin rrugët e qyteteve, është koha e firmosjes së kontratave për groposjen dhe e dhënies së licencave për territoret ku groposen plehrat. Nëse mbetjet në Napoli do të ricikloheshin, një sasi e konsiderueshme, në tonelata, e mbetjeve që gjenden në ato thasë plastikë, nuk do të shkonte për t’u groposur. Kjo do të thotë se humbja në para e atyre që groposin apo djegin do të ishte shumë e madhe, sepse bashkitë paguajnë para tek kompanitë që disponojnë këto territore për groposje, tek subjekte mafioze që kontrollojnë këto gropa të mëdha në atë zonë ku ka lindur ky lloj aktiviteti kriminal dhe padyshim, nëse do të çojnë sasi më pak, do të paguajnë më pak.
Nga viti 2004 deri sot, Italia, në një betejë shumë të vendosur, që është beteja edhe e jona sot, e ngriti shifrën e mbetjeve të vendit të riciklueshme, nga 17 në 43 % dhe kjo shifër, 43 %, është ende më e ulët, sesa shifra e mbetjeve të riciklueshme në zonën e Europës Qendrore dhe Veriore.
Asnjë vend, as vendet nordike që janë të parat, as Suedia që është në krye të klasifikimit, nuk riciklon ende sot 100% të mbetjeve të brendshme, ka një shifër pak mbi 60%. Gjermani më pak. Sepse është një proces i gjatë, i ndërlikuar dhe mbi të gjitha është një proces që kërkon një ndërveprim absolut me çdo qelizë të shoqërisë që është familja.
Në Shqipëri, sot, industria e riciklimit është në prag të kolapsit. Ne ishim të vetëdijshme që kur bëmë bllokimin e plotë, do të mbyllnim dyert e tregut edhe për industrinë tonë të riciklimit dhe padyshim që industrisë së riciklimit, në një fazë të ndërmjetme do t’i shkaktojë një dëm. Ashtu sikundër ne donim ta stimulonim industrinë e riciklimit, që të angazhonte më shumë forca në territor, për të mbledhur më shumë mbetje të riciklueshme.
Ju sot duhet ta dini që përveç punonjësve të punësuar në industri direkt, të cilët janë 3273 punonjës të siguruar, që paguajnë taksa, figurojnë në regjistrat e shtetit, janë edhe rreth 30 mijë të tjerë, pjesa më e varfër e shoqërisë, që janë të angazhuar në grumbullim. Një fabrikë në Elbasan u mbyll, një tjetër fabrikë në Korçë ka stopuar. Ndërkohë që industria ka filluar prej disa kohës, gjë që na kanë bërë edhe ne me dije, përpjekjet për të spostuar teknologjinë në vendet fqinjë, në Kosovë, Mal të Zi, Bosnje, Bullgari, Rumani, në Maqedoni nuk diskutohet, pasi Maqedonia ka ligjin më liberal që kalon përtej listës së gjelbër. Çka do të thotë që të gjitha këto vende të tjera që janë rreth nesh e kanë të lejuar importin e mbetjeve. Sepse të importosh mbetje nuk do të thotë të importosh plehra, por domethënë të importosh lëndë të parë. Këto lëndë të para që ne kemi në listën tonë, që është më e kufizuara, shiten në bursë, çmimet lëvizin në bursë.
Po të vizitoni fabrikat e riciklimit dhe të merrni kontakt e t’i dëgjoni ata njerëz, një pjesë e të cilëve janë themelues, aktivistë, mbështetës, sponsor të Partisë Demokratike, do t’ju tregojnë se pjesë e aktivitetit të tyre është edhe ndjekja në kohë reale e bursës së këtyre lëndëve të para, që në Europë nuk t’i fal kush, por shiten dhe blihen njësoj si gruri, kafja, sheqeri e kështu me radhë. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë, sepse janë lëndë të cilat përpunohen, rifuten në prodhim dhe kanë një mbetje nga përpunimi zero një pjesë e tyre, deri në 1%, që është një shifër qesharake.
Ideja që mafia është e angazhuar që në Shqipëri të riciklojë, është një ide që mund ta ketë në kokë, një njeri që nuk ka asnjë informacion, ose dikush që ka vetëm një qëllim, ligësinë ekstreme për të ngjallur dhe nxitur alarm e panik tek njerëzit që nuk kanë informacion.
Ajo që ne ndaluam nuk është kjo që ne aprovuam. Ne nuk kemi marrë ligjin që kemi ndaluar dhe ta kthejmë prapë dhe ta aprovojmë. Është një ligj i ri dhe nuk ka lidhje me ligjin e vjetër.
Përfytyroni vetëm një gjë dhe këtë nuk po jua sqaroj juve, pasi ju jeni të pasqarueshëm dhe të paricklishueshëm; 120 mijë ton që sot mblidhen në vend, nëse kjo industri mbyllet, janë 120 mijë ton që do të ngelen rrugëve apo do të mbingarkojnë fushat tona të përpunimit.
Ashtu sikundër kjo industri nuk mund të bëjë atë që nuk është bërë në asnjë vend të botës. Thirrja idioteske që le t’i mbledhin industria të gjitha, nuk është argument, por është klithmë ekstreme e injorancës. Europa eksporton dhe importon miliona ton dhe kompanitë ricikluese në Europë si të gjitha kompanitë në treg kanë interes vetëm për një arsye që të bashkëpunojnë me kompanitë tona, për arsye të kostos të prodhimit. Se pse vjen Versache e Guci etj. dhe prodhojnë në Shqipëri?
Gabimi juaj është që ju futeni nëpër beteja që i keni të humbura që në fillim. Ju ngrini kauza mbi asgjënë. Ju ndërtoni alibi mbi shpifjen. Sepse ju keni një bindje, shqiptarët mund t’i bëni për budallenj. Edhe tek kjo çështje do të humbni, siç humbët në Dibër, siç humbët dhe vazhdoni të humbni, por nuk e kuptoni akoma, me kanabisin dhe siç keni humbur, duke shkuar nga humbja në humbje, qëkur jam unë këtu përballë jush. Kështu do vazhdoni të humbni dhe kështu do ta humbni edhe këtë betejë.
Faleminderit shumë që më jepni mundësinë për të bërë diçka që ndoshta mund të kishim bërë më mirë, informimin e njerëzve. Tani që edhe ju jeni në këtë debat, bashkë me ca “gjithologë” që i kemi edhe ne mes nesh, jemi gati dhe ditë për ditë, njerëzit do të kuptojnë edhe njëherë tjetër që për ju ekzistenca bazohet dhe ushqehet nga fatkeqësitë e këtij populli. Aty ku potencialisht, ju mund të krijoni idenë e një fatkeqësie, turreni si miza. Unë mendoj që në këtë përpjekje është fat t’ju kesh ju, sepse kur ju flini për plehrat, populli kupton shumë më lehtë e më shpejt për një temë që edhe unë vetë shumë gjëra i kam mësuar për shkak të detyrës. Vetëm se ndryshe nga ata që ju dëgjojnë juve, unë kam pasur gjithmonë një njësi matëse për të marrë vesh se si janë punët. Ju dëgjoja juve, mendoja të kundërtën dhe më dilte e vërteta. Për tema që nuk i di, thuaj çfarë thotë PD për këtë, shko te e kundërta dhe je tek e vërteta.
Mos keni ndonjë shqetësim që ju vjen në mënyrë të pavetëdijshme, ngaqë nuk bëni dot dallimin midis mbetjes dhe plehrës?! Unë nuk e kuptoj dot që të mos kuptosh që plehra është një mbeturinë që nuk duhet më, prandaj digjet, groposet dhe tretet. Ndërsa mbetjet e gjelbra janë mall që kuotohen në bursë dhe nëse në Europë, ashtu si edhe në Amerikë, në Amerikën Latine etj. ka bursë, çfarë domethënë kjo? Ka një bursë që t’i joshi shqiptarët që të vijnë dhe pastaj t’jua lënë plehrat në derë?! Bursa është si për gjithë mallrat e tjera, vetëm se juve kur ju thua bursë, ju kujtohet Sudja, sepse e vetmja bursë që ngritët ishte Sudja.
Pyetja nuk është sa njerëz angazhoni për të shkruar emrat e kundërshtarëve në kazanë, çështja është mos rrini brenda në kazan, dilni nga kazani i këtyre llafeve, i këtyre shpifjeve, i këtyre budallallëqeve dhe ejani në botën reale. Për ta mbyllur zonja e përsëriti dhe sot në recitimin e saj që ne jetojmë në një botë jo reale, ndërkohë që ju jeni në një botën reale. Sikur të ishte kjo e vërtetë, ka pasur më shumë se një rast që populli të na e tregonte atë që ju tregoi ju në 2013-ën.
Ka ndodhur që jo vetëm që ka treguar të kundërtën, por e ka treguar me një lloj force që në vendin tuaj unë do isha seriozisht shumë i menduar, që “mirë po më rrahin, por pse po më rrahin kaq fortë njerëzit?!”. Ju s’doni, puna juaj, por një gjë po ju them. Dilni nga ky kazan, mos u merrni më me këtë punë se sa më shumë të merreni ju, aq më shumë identifikoheni më ato që nuk importohen. Është edhe një arsye tjetër që nuk ka shans të importohen plehra në Shqipëri dhe kjo arsye është kazani i madh i llafeve dhe i një sharlatanizmi të ngritur në sistem. Prandaj unë nuk e kam më me ju, e kam me publikun. Ne po jetojmë vitin e një rritje ekonomike mbi 3 %. Mbi 3 % nuk është një shifër që sjell begatinë në familjet shqiptare. Nuk është një shifër që na bënë ne të ndjehemi, ashtu siç kujtoni ju se ne ndjehemi dhe siç ndiheshit ju kur qeverisnit.
Është një shifër që tregon që ekonomia po rritet. Paralelisht me shifrën e rritjes ekonomike, – që njerëzve në shtëpi nuk iu thotë ndonjë gjë të madhe, – rritet dhe konsumi dhe tek shifra e konsumit nuk kemi çfarë të diskutojmë më. Unë po ju referohem shifrave, jo shifrave të Ministrisë së Financave, por i referohem shifrave të Bankës së Shqipërisë, i referohem shifrave të xhirove të bizneseve.
Ju keni sipërmarrës që i njihni, – keni sipërmarrës që ndoshta dhe ata keni filluar t’i dyshoni por unë them mos i dyshoni se janë me ju, nuk janë me ne, se ëndërrojnë të kthehen te taksa përtokë, – pyetini për konsumin, çfarë do ju thonë. E mbi të gjitha po ua përsëris prapë. Nëse Shqipëria do të ishte kjo që tregoni ju, ne nuk do ishim sot në prag të marrjes së rekomandimit për hapjen e negociatave dhe ne nuk do merrnim nga Komisioni Europian vlerësimet që kemi marrë. Ashtu sikundër nuk do merrnim nga Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësimet që kemi marrë. Ashtu sikundër nuk do merrnim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga Banka Botërore vlerësimet që kemi marrë. E më e rëndësishmja për shqiptarët, – ashtu sikundër ne nuk do ishim sot nga njëra anë të çliruar përfundimisht nga borxhet që na latë juve në qafë ndaj sipërmarrjes dhe nga ana tjetër në diskutime për të bërë rritjen më të lartë të rrogave dhe të pensioneve krahasuar me çdo vit të Saliut.
Duam t’i rrisim më shumë, edhe më shumë, edhe më shumë, por ama njerëzve iu kemi thënë: Nuk ka rritje rrogash në kohën kur duhet të gjithë bashkë të nxjerrim anijen që po na mbytet në breg. Nuk ka rritje rrogash dhe pensionesh në kohën kur kemi gjithë këto borxhe për të shlyer. Nuk ka rritje rrogash dhe pensionesh pa bërë reforma, që nga vetë reforma e pensioneve tek gjithë reformat e tjera. Vetëm se u kemi bërë një rritje të parave që ata marrin në xhep nga rrogat, duke iu ulur taksat. Rritja mesatare e të ardhurave nga rroga për shqiptarët është 7%, në këto tre vjet, si pasojë e faktit që atë taksën që e kishit më të madhe për pastruesen e kryeministrisë sesa për 15 katëshin, ne e kthyem përmbys. Ata që marrin më pak taksohen më pak, dhe përfituan një rritje rrogash indirekte në formën e parave që iu mbetej në xhep dhe s’ua u merrte shteti.
Tani nuk flasim për këtë, flasim për një rritje nominale të rrogave dhe të pensioneve. Sa do jetë, si do jetë, është një çështje që do t’ju njoftojmë kur të vendosim. Pak, por e sigurtë është, që për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë reformave, për sakrificat që kanë bërë duke iu nënshtruar këtyre reformave, – që po të ishin bërë 20 e kusur vite përpara, sot do të të flisnim për një Shqipëri komplet tjetër dhe për mbështetjen e madhe që na japin ne, patjetër është dhe kjo nuk diskutohet, – ne do t’ju bëjmë një rritje që është më e madhe se çdo vit kur Saliu ka rritur rrogat. Këtë di të them unë.
Më e madhe sesa vite bashkë? Këtë do ta shikojmë në fund. Kjo është pak, por e sigurte dhe kjo është ekonomia që ndryshon, kjo është Shqipëria që forcon themelet, Shqipëria që sot pastron. Imagjinoni, te kesh qënë në qeveri 8 vjet dhe të ikësh nga qeveria duke i lënë mijëra hektarë tokë bujqësore shterpë, se iu ke lënë pa pastruar kanalet ujitëse dhe të kesh gojën të flasësh dhe të vish të recitosh këtu duhet një kurajë që e kanë vetëm materiet e pariciklueshme.
* * *
Zonjë, fanatiku është dikush që jo vetëm nuk ndryshon bindje, por nuk ndryshon as argument. Që mos të ndryshosh bindje e ke për natyrë dhe për detyrë se aty ku je bindjet janë të palëkundshme, por të paktën ndrysho argument e mua mos më vër në gojë fjalë që nuk i thashë.
Unë nuk thashë që ne i kemi rritur rrogat e pensionet, thashë të kundërtën.
Thashë që ne ua kemi thënë shqiptarëve, jo siç jua thoshte Saliu, që i gënjente sa herë këndonte, por u kemi thënë: “Nuk ka rritje të rrogave e pensioneve, e para, pa u çliruar nga litari mbytës i borxheve të fshehura që na latë ju, pa u futur në skemën e uljes së borxhit publik.
(Lëre ’74 Sali se je bërë si ai që ngatërronte vitet kur ishte në fund të komunikimeve. Kështu që lëre ’74. Tek ’74 je i pakonkurrueshëm se ke qenë aktiv në luftën kundër shfaqjeve të huaja. Nuk të kam pyetur asnjëherë, për festivalin e 11 ke qenë pro apo kundër?)
Atëherë zonjë, në raportin e forumit ekonomik botëror ka dy të dhëna që meqë the se “unë gëzohem kur flitet mirë për Shqipërinë”, do kisha shumë dëshirë të të shihja të gëzuar.
Arsimi dhe shëndetësia për shkak të reformave që janë bërë në dy sektorët, kanë rritjen më të lartë në vlerësimin për Shqipërinë, që do të thotë, jo që shërbimi që ofrohet në spitale apo në shkolla ka arritur në një cilësi të atillë që ne të renditeshim aty ku jemi renditur për konkurueshmërinë, nëse do të bëhej një rankim i cilësisë së dijes. Nuk po themi këtë, por do të thotë që ka një vlerësim pikërisht për atë gjë që ne kemi dashur të bëjmë dhe që kemi bërë. Tani, dhe një herë tjetër, kur bëni llogaritë e bashkive të majta e bashkive të djathta, mos e harroni hartën e Shqipërisë. Se po t’i numëroni, ju dalin shumë pak ato të djathtat, kështu që nuk mund ta kenë njësoj. E po qe puna se sa kanë fituar nga programi i rilindjes urbane e nga mbështetja e qeverisë bashkitë e djathta, po ju jap një adresë. Po ju adresoj tek e vetmja bashki nga 61 ku keni fituar shumicën në këshill. Se vetëm në 1 e keni shumicën, në bashkinë e Vaut të Dejës. Shkoni e pyeteni kryetarin e bashkisë së Vaut të Dejës që nuk diskutohet çfarë përfaqëson e si e përfaqëson, e pyeteni çfarë mendon ai. Ai e tha dhe kur ishte me mua. Unë i thashë, mos i thuaj se do të ndodhi ndonjë gjë. Jo, – tha – kjo është e vërtetë. “S’kemi parë kurrë këtë mbështetje nga qeveria që po shohim sot”.
Nëse Vaun e Dejës juve e fusni në një kategori tjetër, kjo është çështja juaj. Unë di t’ju them që është e vetmja bashki ku keni fituar shumicën. Ndërsa për bashkinë e Shkodrës do t’jua përsëris prapë qytetarëve shkodranë. Bashkia e Shkodrës duhet të bëjë projekte e të jetë serioze. Shkodrën ne do vazhdojmë ta mbështesim pavarësisht nga bashkia. Kemi bërë investime që unë habitem si ka mundësi që nuk i bëri Jozefina që është dhe familje që ka pas dalë në fotografi tek Marubi. E qoftë e vetëm për këtë fakt, Jozefina duhet ta dinte se çfarë thesari është Marubi e nuk duhet ta linte atë thesar në mes të lagështirës dhe në derexhenë më të keqe, por nuk ka rëndësi. Sot, Marubi, dinastia Marubi ka një muze europian i cili është në Shkodër. E sot, ai thesar është i ekspozuar në muzeun më të rëndësishëm të fotografisë në Holandë e do xhirojë gjithë Europën. Tani, a është ky kontribut për Shkodrën? Kjo është një pyetje retorike për mua. Nuk po përsëris stadiumin, se Jozefina shkonte dhe në stadium, e nuk e kuptoj Jozefinë si je ulur tek ajo tribuna VIP, ku edhe ato karrige që ishin si trekëndësha e kishin dhe nga një kunj, – se si ke ndenjur është puna jote, – por stadiumin e bëmë. Tani shko në Shkodër, futesh në stadium VIP, tamam siç je, e ulesh në tribunën VIP.
E thuaji Voltanës ta bëjë atë që i takon. E vetmja detyrë që ka bashkia e Shkodrës në atë projekt është t’i sigurojë sheshin përpara stadiumit, e jo të mbajë atje disa ofiçina se janë me ne. Hiqini ato ofiçina që aty, dhe sheshin e financojmë ne për bashkinë e Shkodrës. Por çfarë të financojmë ne, kur aty Voltana thotë më mirë këto ofiçina se stadiumi.
Edhe teatri “Migjeni” është pjesë e kësaj. E nuk e kuptoj as Saliun se si nuk ka bërë gjë për të -sepse dikur i recitonte përmendësh poezitë e Migjenit, – që ishte rrezik për jetën për gjithë trupën e aktorëve me miken time Rita në krye që e ke patur dhe asistente Jozefinë në ato punët e propagandës kundër meje. Kështu që mos flisni për këto punë, ju lutem. Se çfarë kemi lënë ne pa bërë e do t’i bëjmë mandatin e ardhshëm e dimë më mirë se ju. Por nëse krahasohemi se ç’keni bërë ju për qytete e Shqipërisë e çfarë keni bërë ju për komunitetet në Shqipëri e se çfarë është bërë në këto tre vjet, është njësoj si të krahasosh mesjetën me normalitetin e një vendi që jeton në mes të Europës.
E kur thonit po bëjmë shumë për fshatin, mendonit se kishit bërë shumë vërtet. Por si ka mundësi i latë plehrat të mbyllin gjithë ato kanale ujitëse e i latë njerëzit rrugëve vetëm se nuk u shkonte uji në arrë. E kur erdhëm ne këtu me programin tonë dhe thamë “ne do ta çojmë ujin në çdo parcelë”, njerëzit mund të ikin nga fshati për 1001 arsye, por nuk mund të imponohen të largohen nga toka e të parëve të tyre se nuk ka ujë për të vaditur. E vaditjet nuk thuhen, por shihen. Unë mund të të jap adresat që ti të shkosh ti shikosh vetë e meqë më përmende Durrësin miku im, – se nuk i kuptoj dhe disa nga ju, por s’ka gjë, çështje zgjedhjesh që afrohen, – po të them që kam qenë i skandalizuar kur kam parë një rezervuar të tërë në zonën verilindore të Durrësit, i cili ishte plot me ujë e sigurisht bashkë me ujin dhe plot me plehra që rrinë në ujë, se nuk i punonte saraçineska.
Për më tepër zhbllokimi i saraçineskës që fuste në punë, në tokën e tyre, 12.000 familje kushtonte 3 milionë lekë të vjetra. A mund të them unë që u bë mrekulli që u zhbllokua saraçineska? Nuk është kjo mrekullia. Por tradhtia ndaj atyre njerëzve, është kjo verbëria juaj që për 3 milionë lekë të vjetra, për të zhbllokuar një saraçineskë i latë ata të thaheshin për ujë me vite të tëra. E po deshe, se nuk më kujtohet për hir të vërtetës emri i fshatit pranë rezervuarit, do të jap adresën e fshatit, do t’i them edhe Vangjushit të të shoqërojë e të shikosh vet se çfarë i keni bërë ju atij mileti për 3 milionë lekë të vjetra për një saraçineskë.
E tani vini këtu e thoni nuk kompleksohemi ne nga departamenti i shtetit. Nuk kompleksohemi nga Komisioni Europian. Nuk kemi asnjë kompleks nga Komisioni Ekonomik Europian, nuk na komplekson neve FMN-ja. Por juve kur nuk ju komplekson një saraçineskë, ju jeni të pakompleksueshëm, sepse jua thashë e po jua përsëris.
Ju keni një problem për të zgjidhur para se të hyni në kontakt me realitetin. Riciklojeni, ja ku e keni. Po e mbajtët aty, ju do vazhdoni të jeni një grup shoqëruesish që vijnë këtu si UFO, ikin si UFO e do shkoni nga humbja në humbje, e çdo humbje do jetë më e thellë se ajo pararendësja.
***
Një deputete bëri një pyetje: A ka njeri që e kupton këtë? Unë duke qenë i bindur që të gjithë njerëzit këtu, që duan të kuptojnë, tanimë e kanë kuptuar, po ia shpjegoj deputetes që të ndjehet njeri, që mos t’i duket ngaqë s’kupton, s’është njeri.
Unë them që ky është një argument që gjithë njerëzit që duan ta kuptojnë, e kuptojnë.
Së pari, unë thashë që në 2013 përqindja e riciklimit ishte ca më shumë se 10 për qind. Nuk thashë 10 për qind. Sepse së pari, nuk ka pasur asnjëherë një matje statistikore siç e kemi bërë ne.
Së dyti, vura një mesatare e cila është mesatarja e të gjithave bashkë sepse aty ka industri që e kanë rritur brenda tyre edhe me 10 -15 % për mbetjet e veta dhe ka industri që nuk e kanë rritur as 1 %. E thashë që kemi shkuar në 17 % sepse kemi sforcuar industrinë që të bëjë pikërisht këtë gjë, që të ezaurojë mbetjet tona, kapacitetin mbledhës. Ndërkohë që shpjegova, – se janë të gjitha të lidhura, nuk nxirret një gjë nga konteksti dhe t’i biesh lapsit se pastaj ngelesh tek lapsi, – shpjegova që edhe Suedia që është e para në Europë ka kapacitetin e vet të riciklueshëm që konsiderohet 100 %, e shfrytëzon pak mbi 60 %.
Pra nuk është e mundur të imagjinohet që të mund të riciklohet të paktën në këtë fazë të zhvillimit historik, shoqëror, njerëzor, 100 %. Gjermania, e cila është ndër vendet më të famshme për këtë, e ka nën 60 %. Italia e ka 43 %. Atëherë pse duhet importi i këtyre mbetjeve që janë lëndë të para dhe të thuash “s’duhet të importohen mbetje” është njësoj sikur të thuash “nuk duhet të importohen lëndë të para”. Duhet sepse në vendet e tjera ajo që bëri Italia ishte kombinimi që po bëjmë ne, nga njëra anë fuqizimit i industrisë së riciklimit, dhe nga ana tjetër i pjesëmarrjes së njësive vendore në këtë proces.
Kjo industri mban sot 33 mijë njerëz në punë. Është një kurajë prej të marri që të thuash, “punë e madhe le të falimentojë”, qoftë dhe për këtë. Nuk ka mundësi industria që të punësojë 200 mijë njerëz. Nga ana tjetër, suksesi i riciklimit bazohet tek suksesi i ndarjes në burim, në kazan. Pra jo të gjitha gjërat në kazan, e pastaj shkojnë këta, që janë të punësuar nga industria nëpër kazanë dhe nxjerrin mbetjet. Që do të thotë të nxjerrësh lëndë të parë, duke i shkuar kanaçeve tek e tek, nëpër gjithë territorin. Ndarja në burim bën që bashkitë të marrin pjesën që është e riciklueshme, ta çojnë në vendgrumbullim dhe aty ta shesin. Është aktivitet fitimprurës ky. Nuk t’i fal njeri. Nuk t’i fal një shtet që të vij një shtet tjetër, nuk t’i fal një bashki, që ti marrësh ti dhe t’i kthesh në lëndë për prodhimin.
Unë e kam përsëritur sa herë kam folur për reformën administrative territoriale që një nga të mirat që do të sjellë reforma është që do të kemi një Shqipëri më të pastër, pasi do të kemi një tjetër sistem të trajtimit të plehrave. Sepse nuk mund të bëhej ndarja në burim me 400 njësi vendore. Nuk bëhej dot. Sot çfarë kemi bërë ne? Do ta shikoni vetë, Tiranën. Dje ishim në ceremoninë përmbyllëse të kontratës me kompaninë më ekselente publike të bashkisë së Veronës për mbetjet. Kemi bërë një kompani publike me 50 % kapital të bashkisë së Tiranës, 50 % kapital të bashkisë së Veronës dhe do të fillojmë të bëjmë këtë gjë fillimisht në zonën e Unazës së Vjetër. Do të thoni ju që nuk keni asnjë ditë punë reale në shtet, pse nuk u bë kjo më përpara? Sepse biseda e parë e imja me kryetarin e Bashkisë së Veronës për të hapur këtë proces daton në vitin 2014. E nga biseda, tek ngritja e grupeve të punës, tek ardhja e ekspertëve, tek hartimi i kontratës, janë kosto, nuk janë gjëra që i the dhe i bëre. E po kështu do të vazhdojmë me bashkitë e tjera. Në të gjitha bashkitë e mëdha do të fillojë ky proces. Por edhe në bashkitë e mëdha, që nga Tirana, ky proces nuk mund të bëhet i shtrirë në të gjithë territorin menjëherë, sepse nuk funksionon. Do të behet hap pas hapi dhe kjo do të bëjë që edhe bashkitë të përfshihen në këtë proces dhe të rritet kapaciteti riciklues vendas, duke patur atë partneritet që garanton riciklimin. Italia kur filloi betejën në 2004, që ishte sa c’jemi ne sot, pra ishte 18% dhe shkoi 43%, e filloi betejën paralelisht dhe bëri pikërisht këtë gjë. Por kur nuk doni të dëgjoni, kur nuk lexoni, kur nuk doni të mësoni, atëherë është e pamundur. E mbi të gjitha, pasi dëgjoni ktheheni përsëri tek po ai argument, s’ka çfarë thotë më njeriu. Beteja që bëri Italia ishte kjo, paralelisht me stimulimin e industrisë, fillimin e procesit për ndarjen e diferencuar që italianët nuk e kishin fare. Sot vazhdojnë të mos e kenë në zona të nxehta të Italisë. Përmenda Napolin, por ka dhe zona të tjera që është një betejë që vazhdon. Nuk ka kapacitet industria të financojë që të bëjë një punë që nuk e bën në asnjë vend të botës, nuk e bën as në Francë, nuk e bën as në Gjermani, nuk e bën në asnjë vend tjetër të botës. Është një absurd kjo! Industria ka rolin e vet, bën punën e vet. Bashkitë kanë rolin e tyre, të bëjnë punën e tyre. Vetëm ndërveprimi mes tyre sjell rritjen e mëtejshme të riciklimit të mbetjeve të vendit. Por përtej kësaj, po iu them kjo industri është ekonomi e gjelbër. Për çfarë duhet të importojnë kompanitë e riciklimit suedeze mbetje? Për çfarë importojnë meqë ata e kane zgjidhur problemin? Pikërisht sepse janë lëndë e parë. Pse importojnë kompanitë franceze? E dini sa miliona e miliona tonelata riciklohen nga këto mbetje në botë? Sepse është zinxhir ekonomik. Nuk është një mbetje që i mbetet dikujt në derë e po ta lë ty. Është një mbetje që industritë e tjera më të përparuara e kanë me cikël të mbyllur. E dini ju që industria jonë ricikluese importon, ka importuar dhe gjatë kësaj periudhe produkte gjysmë të përpunuara dhe a mund t’ju bej një pyetje unë? Pse produktin gjysmë të përpunuar, këtë punë që ne kemi kapacitetin ta bëjmë në vend, ne do ta importojmë? E në vend që ta importojmë direkt këtë, e cila kushton 90 euro kg, imponojmë atyre të importojnë bllokun plastik të gjysmë përpunuar të kësaj, 1200 euro. Mund të thoni për çfarë arsye?! Kjo është industri, e cila duhet të mbështetet.
Problemi qëndron që, nëse sasia, e cila krijon një bllok granulat që blihet gjysmë i përpunuar me një numër i caktuar të këtyre shisheve plastike, kushton 1200 euro, duke i blerë këto në burim, atëherë bëjeni llogarinë vetë se çfarë kursimi ka për shpenzime absurde.
Futeni mirë në kokë, janë lëndë të para që tregtohen në bursë. Nuk ka askund një mundësi që të nisen dy shqiptarë dhe të shkojnë t’i marrin. Është njësoj si të nisen dy shqiptarë dhe të shkojnë të marrin grurë dhe dikush t’ua japi dhe t’i thotë merreni ju se neve nuk na duhet. Të mos flas pastaj për aluminin.
Kini parasysh se në ligjin tonë ka një imponim që çdo kompani, nga këto që sot në Shqipëri kanë fabrika, duhet të ketë kontratën me një kompani homologe në vendin nga ku importon. Për shembull, njëra nga kompanitë që këtu riciklon mbetjet e aluminit ka kontratë me Chrysler dhe me Mercedes. Si mendoni ju, që janë të përfshirë ato në një skemë për të ndotur Shqipërinë, që ju e dashkeni kaq shumë dhe ne të tjerët jemi këtu për ta mbytur?!
Kur them që këtu qepin Guçi, D&G, Versache, po them që janë pjesë e zinxhirit të prodhimit këto fabrika.
Ka kush të më thotë pse në Kosovë, Mal të Zi dhe vendet e rajonit, kjo industri zhvillohet e papenguar? Pse kompanitë tona duhet të bëjnë kontrata me kompanitë e në Kosovë, Mal të Zi etj.. për të marrë dhe për të mbajtur në punë njerëzit, material gjysmë të përpunuar, ndërkohë që i kanë këtu kapacitetet për ta përpunuar nga burimi?!
Nuk është vetëm autoriteti shqiptar – ky është një element tjetër që ligji i Saliut nuk e kishte, – që jep licencën dhe aprovon këtë aktivitet import-eksporti, por është edhe autoriteti i vendit tjetër. Është edhe ministria e Mjedisit të Gjermanisë, Italisë Francës që duhet të miratojnë këtë kontratë.
Po vetting-un, pse nuk e lini të fillojë punën?! Aty shikojini ju, se nga vetting-u vijnë edhe këto, që jeni futur të gjithë në kazan tani dhe thoni plehrat, plehrat, plehrat. Dilni nga kazani, të bëjmë vetting-un.
* * *
Ne bashkë, Sali, mund të biem dakord shumë rrallë dhe unë bie dakord me ty që aleati i gënjeshtarit është njeriu naiv. Unë them njeriu i painformuar, apo që nuk do të informohet. Këta kanë qënë aleatët e tu dhe prandaj ti vazhdon edhe mban peng një parti të tërë dhe je bërë gazi i këtij mileti, sepse ke shfrytëzuar me qëllim, për gjëra që ti i di, pikërisht mungesën e informimit të njerëzve, naivitetin e njerëzve dhe besimin e njerëzve që janë me ty.
E përsëris prapë sot, që e nënshkruaj nga kryefjala e fjalisë së parë deri tek pika e fundit atë që kam thënë. E kam thënë atëherë, e them sot dhe do ta them gjithmonë; Të thuash dua plehra nga jashtë është tradhti kombëtare.
Ashtu sikundër e kam thënë atëherë, e them sot dhe do ta them gjithmonë; Është e qartë që sot dhe nesër, Shqipëria nuk mund të importoje plehra nga jashtë.
Dallimi midis plehrave të importuara nga jashtë dhe lëndës së parë që del nga mbetjet e riciklueshme është dallimi si nata me ditën. Plehra nuk mund të përdoret më për asgjë, prandaj duhet groposur apo djegur. Ndërkohë që ato mbetje që kthehen në lëndë të parë është mëkat t’i lësh pa ricikluar. Kjo shishe këtu që është prodhuar nga riciklimi i një shisheje të kthyer në mbetje, riciklohet përsëri, nxjerr përsëri një shishe tjetër, ndërkohë që po ta lësh në tokë do 1000 vjet të tretet.
Folët për 330 000 ton që ka hyrë në doganë, i referohesh mediave të tua, aty mediave sharlatanë që i bëjnë jehonë sharlatanizmit të kësaj politikës suaj. Të gjitha mallrat që hyjnë në doganë kanë kode dhe janë lehtësisht të verifikueshme sipas kodeve doganore. Në rast se në mallra që hyjnë në doganë verifikohet një mall, i cili është i ndaluar me ligj dhe i regjistruar në këtë rast aty, sigurisht të gjithë ata që janë pjesë e kësaj historie shkojnë në burg.
E di çdo të thotë 330 mijë, apo jo? 120 mijë ton është sasia që sot grumbullohet dhe riciklohet. Ju thoni 330 mijë ton qenkan futur nga këto të paligjshmet, jeni në vete? Pyetja është retorike, sepse janë lehtësisht të verifikueshme në bazë të kodeve.
Është e vërtetë që ne e kemi bërë jo me Këshill të Ministrave, por me firmën e ministrit dhe e dini pse? Sepse ke bërë disa gjëra me Këshill të Ministrave, për të cilat fshihesh ti, bashkë me të tjerët, mbrapa përgjegjësisë kolektive. Sepse po t’i kishit bërë me firmën tuaj, sot ishit aty ku e kishit vendin, në fakt, për disa krime të mëdha ekonomike që janë bërë më firmën e Këshillit të Ministrave.
Kurse kur firmos ministri është përgjegjësi individuale dhe nëse ministri firmos një licencë jashtë gjithë atyre kritereve strikte që ka ligji, është ministri që duhet të shkojë në burg. Nuk fshihet dot e të thotë, unë bëra një propozim, por e miratoi Këshilli i Ministrave, kështu që ne të gjithë jemi organ kolegjial. Siç iu thatë njerëzve kur bëre gjithë atë grabitje për Rrugën e Kombit, të cilën e keni lënë rrugëve dhe kërkon akoma dhjetëra e dhjetëra miliona euro për t’u përfunduar. Edhe një vepër që mund ta kishe mbyllur dhe realisht të mbetej një gjurmë e pakontestueshme e qeverisjes tënde, e le rrugëve. U fshehët pas organit kolegjial dhe nuk jepni përgjigje për ato 250 e ca milionë euro që nuk figurojnë asgjëkund, ndërkohë që vepra nuk ka mbaruar atje.
Prandaj është e qëllimshme dhe e vetëdijshme që ministri do të firmosi, siç firmosin ministrat këto licenca në të gjitha vendet e tjera. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë dhe nëse ministri firmos një licence në shkelje të ligjit, është ministri që përgjigjet dhe nuk nxjerr si argument, organin kolegjial.
Më vjen shumë mirë kur flisni me raste specifike realitetesh si Elbasani, Divjaka dhe unë uroj të flisni sa më shumë kështu, sepse njerëzit mund ta bëjnë fare lehte verifikimin e fjalëve që thoni, duke jetuar atje.
Shkoni dhe shikojeni vete se çfarë ndryshimi rrënjësor ka ndodhur në Elbasan. Ishte zotimi im përpara gjithë qytetareve të Elbasanit, më shumë se një here, që sapo të vijnë në qeveri, ne do ta rrafshojmë dhe do ta heqim nga mesi i qytetit, malin me plehra që mblidhej dhe pasditeve nuk dilnin njerëzit në rrugë, sepse vinte ajri era djegie, që i mbyste. Sot, aty ku latë një mal plehrash, po ndërtohet një park. Është pastruar plotësisht.
Nga ana tjetër kemi nënshkruar kontratën për landfillin e Elbasanit. Pjesë e kontratës nuk është një incenerator nga ato që imagjinon ti Sali, – se të është zhvilluar shumë fantazia kur takoje ato grupet e Italisë së jugut dhe u thoje këtyre firmosni ato marrëveshje mirëkuptimi, që donit të sillnit këtu incenerator nga 80 e 100 milionë euro për furra gjigande për të djegur plehra. Por është një incenerator me kapacitet, saç është kapaciteti i mbetjeve i kalkuluar i landfill-it dhe nuk mund ta ushqesh me mbi kapacitet, sepse nuk e ka atë. Është një impiant, jo siç gënjen, i viteve ’70-të, që është mbeturinë më vete. Shko shikojë me sytë e tu, mos dërgo këta, se shohin me sytë e tu.
Shko shikoje ti me sytë e tu, se këta e kanë të lidhur retinën e syrit me trurin tënd dhe nuk kuptohet gjë. Shko ti atje shikoje. Në Elbasan është zgjidhur një problem kolosal dhe se kuptoj sa kurajë është kjo, që 8 vjet ishe në qeveri, e le malin e plehut të rritej atje, në mes të qytetit, i le gjithë ata njerëz në atë qytet me tradita, me histori, me komunitet, të mbyten çdo natë dhe ndërsa të gjithë luten të bjerë shi, kur ka thatësirë të madhe, elbasanllinjtë luteshin të binte shi që të mos ndjenin erën e saj ngrehine plehu që u ngrit dhe u lartua para syve të tu dhe deputetëve tu, atje. Të ka ardhur kryetari i Bashkisë së Elbasanit në zyrë, më shumë se njëherë, dhe të është lutur “më ndihmo ta heq malin nga mesi i qytetit se mu mbytën njerëzit.” Ti nuk bëre asgjë. Ne e bëmë dhe e bëmë në një kohë rekord, ndërkohë që i ftoj deputetët e tu të vijnë dhe të shikojnë punën që vazhdon tek landfilli dhe të shikojnë se si ndryshon si nata me ditën, ajo që ishte, me këtë që është.
Ndërkohë që padyshim puna me landfillin dhe mbyllja e ciklit brenda gjithë fushës, brenda ciklit atje nuk ka përfunduar. Nga ana tjetër, po ta përsëris prapë meqë mbahesh si njeri i informuar, Shqipëria sot riciklon 17 % dhe Italia në 2004 e kishte 18 %, ndërkohë që BE sot e ka 23 % mesataren e të gjitha vendeve që përbëjnë Unionin. Objektivi i BE është që në 2020 ta çojë në 50 % në gjithë territorin e Unionit dhe nga momenti i matjes së bërë të 23 përqindëshit të 2001, në 2010, BE shkoi në 35 % dhe objektivi është të shkojë në 50 %.
Gjermania që është kampion në këtë fushë e ka pak mbi 60 %. Kjo është kaq e qartë se këtu nuk bëhet fjalë për plehra, por këtu bëhet fjalë për lëndë të parë të riciklueshme dhe është kaq e qartë se këtu nuk të jep njeri para, por të kërkon para, sepse është treg. Sepse është e turpshme e të akuzosh sipërmarrësit e industrisë së riciklimit. Ti i njeh mirë, pjesa më e madhe e tyre të kanë votuar ty. Është e turpshme! Ndjeheshin të fyer nga fjalët që thoni ju. Shkoni dhe pyeteni, thirri e dëgjoji se çfarë thonë ata për këto fjalë “valixhja, thesi, etj”, por natyrisht ngaqë i keni bërë vetë këto histori me valixhe e me thasë, kujtoni se i bëjnë të gjithë. Njeriu kur të akuzon pa prova, të akuzon për diçka që e ka bërë vetë ose është në gjendje që ta bëjë vetë, se nuk i shkon mendja të të akuzojë.
Në 2011, Sali në qeveri ke miratuar një strategji kombëtare të menaxhimit të mbetjeve dhe je angazhuar në 2011, – nga 2011 në 2013 kishe dy vjet kohë, – të bësh një plan kombëtar të menaxhimit të mbetjeve. S’ke bërë asgjë. Planin kombëtar të menaxhimit të mbetjeve e kemi negociuar ne me Bankën Gjermane KFV dhe kontrata firmoset pasi banka të bëjë të gjithë procedurat për të përcaktuar konsulencën.
Në strategjinë tënde ti që ju flet sot shqiptarëve për rrezikun e madh që i kërcënohet dhe për gjemitë që i presin ke këtu të shkruar që e e ke miratuar. Është më firmën tënde Sali! E ke të shkruar këtu që në shumicën e rasteve industria e riciklimit varet nga lëndët e para të riciklueshme që importohen në Shqipëri dhe përtej kësaj ke vazhduar duke thënë: “duhet promovuar cilësia e lartë e riciklimit, grumbullimi i ndarë i mbetjeve duhet bërë aty ku është e mundur teknikisht, ekonomikisht dhe ekologjikisht dhe e përshtatshme për të përmbushur standardet të domosdoshme të cilësisë të sektorit përkatës së riciklimit.”
Ndërkohë s’bëre asgjë. E kishe listën me 500 mbetje në 2010. Nën presionin e shoqërisë civile dhe aq sa mundëm të bënim ne, e çove në 25. Tek ligji që ne anuluam e çove në 25 dhe le aty hapësirë shumë të qartë dhe të plotë, qoftë për import plehrash, qoftë për abuzime të natyrës, ndër të cilat sot çohesh këtu dhe mban gjithë këtë fjalim absurd.
E gjitha kjo, është thjesht dhe vetëm loja e përsëritur me njerëzit mbi parimin që e the vetë: Aleati im më i mirë si gënjeshtar profesionist që jam, janë njerëzit naivë, janë njerëzit e painformuar të cilëve unë iu them, jo atë që di, por atë që duhet, në mënyrë që t’i çojmë pas berihait, ashtu siç i ke çuar vazhdimisht. Por ka dhe një kriter tjetër, që në fund fare do provojë edhe njëherë tjetër se çfarë lloj maskarade është kjo që po orkestroni ju, – është koha.
Koha shumë shpejt do të provojë sepse gjithë kjo histori që po thoni ju, me gjemitë me plehrat, me varganët, me trailerat do të duhet të vërtetohet. Sepse ato plehrat që lëviz mafia, nuk i lëviz po nuk pati ligj, sepse ato kushtojnë. Mafia nga ato lëvizje fiton. Nga ato lëvizje mafia bën që sasi, të cilat janë mbi kapacitetin groposës apo djegës që ka në zonat e influencës së saj, i çon diku tjetër. E merr paranë nga shteti për të gjithë tonelatat që bashkitë dhe shteti kanë nevojë të asgjësojnë dhe kur sipërfaqet bëhen të kufizuara për shkak të kapacitetit, këto i merr dhe ua lë tjerëve. Por ua lë të tjerëve që të gjejnë qeveri si e jotja për të krijuar bazë ligjore sepse nuk nisin trailera e anije për ti futur fshehtas, sepse ato plehra kur lëvizin duhet të shkojnë në destinacion. Destinacionin që ëndërroje ti Sali t’ju krijoje me ato furra të mëdha të djegies, që i zmbrapsi njëherë opinioni publik në 2004 dhe doje t’i riktheje ti, përndryshe nuk bëhet fjalë për plehra që futen në kontrabandë. Nuk ekziston kjo sepse janë mall.
Ato futen me kanale të siguruara në bashkëpunimin mafioz me qeveritë dhe kalojnë nëpër rrugë dhe shkojnë në destinacion në të cilën si do ti fshehim ne këto, nëse qëllimi është ky? Gjilpërë në kashtë është që fshihet apo do futen nëpër shishet plastike kur të vijnë?!
Çfarë fantazie iu tregoni ju shqiptarëve?! Një fantazi diabolike që synon vetëm atë që të përfitojë nga mungesa e informacionit, të përfitojë nga e gjithë ndjeshmëria e lartë që ka për këtë temë, sepse unë jam i bindur që ti e ke kurajën që çdo gjë që e bëre vetë, çdo plagë që e hape vetë, të vish këtu edhe të përpiqesh të na e faturosh ne. Të na e faturosh ne, sikur problemi i plehrave dhe i mbetjeve në Shqipëri, që ka 25 vjet, qenka krijuar tani. Ndërkohë që po ua them njerëzve: dëgjojeni Saliun, dëgjoni drejtorin e SHQUPI-t, dëgjoni gjithë këta që ta kuptoni sa më mirë, se çfarë niveli pabesie e udhëheq këtë lloj turme. Një nivel pabesie i paimagjinueshëm sepse nëse një votues i PD-së, nuk e ka për detyrë fare të mësojë se çfarë duhet të dijë për një teme, detyra është e atyre që e përfaqësojnë PD-në që t’i thonë që për këtë temë duhet të dish këto gjera. Ndërkohë që, ju vetëm i gënjeni, vetëm abuzoni me ta, vetëm mundoheni to sorollasni dhe pastaj gjithmonë pas çdo fjalimi, vjen ajo fjalia jote “Ngrihuni!”. Sali, po nuk u ule ti, nuk ngrihet njeri këtu. Ulu njëherë e mirë që njerëzit të fillojnë të mendojnë që edhe mund të ngihen. Sa kohë do jesh ti i ngritur, të jesh i sigurt që njerëzit do ngrihen vetëm për të shkuar në votim që të të refuzojnë.
Ka të drejtë Shalsi, por unë nuk jam aq i familjarizuar sa Shalsi me gjithë këtë temë. Më tha: “Saliu nuk është mbetje e pariciklueshme. Është ricilkluar disa herë, tani duhet reduktuar.”
Është faza finale që ndan mbetjet që rifuten në prodhim, nga ato të cilave iu thuhet lamtumirë nëpër gropa ku ikin dhe nuk do të dijë më njeri to.