Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Rama në prezantimin e Prefektes së re të Vlorës, Etjona Hoxha:

Do të kishte mjaftuar që ta mbaja unë fjalimin e prefektes dhe ta mbyllnim takimin. Por tani më ra radha, pas prefektes, të cilën  e përgëzoj për qartësinë dhe vendosmërinë  me të cilën paraqiti përpara jush dhe përpara opinionit publik që na ndjek përmes kamerave, kuptimin e saj për detyrën jashtëzakonisht të rëndësishme që i dhamë dhe që ka marrë përsipër.

Nuk mund veçse t’i uroj që gjysmën e atyre që tha ta bëjë realitet dhe jam i sigurt se, nëse gjysma  e atyre që tha do të bëhet realitet, sigurisht, diçka shumë e rëndësishme do të ndryshojë për institucionin dhe marrëdhëniet e institucionit dhe njerëzve. Marrëdhënie, të cilat kanë filluar të jenë ndryshe nga ç’ishin deri qershorin e shkuar, falë punës, përkushtimit dhe dashurisë për Vlorën, të paraardhësit të Etjonës, Besnikut, të cilit po ashtu i shpreh falënderimin dhe mirënjohjen tonë për mundin dhe sakrificën e kësaj periudhe dhe sigurisht, edhe sukses në detyrën që do të marrë më tutje.

Por dua ta shfrytëzoj këtë rast për të komunikuar me ju dhe me te gjithë opinion publik këtu në Vlorë dhe në qarkun  e Vlorës, lidhur me ecurinë e punëve të nisura dhe sigurisht, edhe me shqetësime krejt normale që lindin gjatë punës, lindin përgjatë gjithë këtij procesi, që, siç e tha edhe Etjona, ne socialistët e bashkuar jemi të dënuar të dalim me sukses të plotë, për të realizuar atë ndryshim që njerëzit kërkuan më 23 qershor, që pa pikë dyshimi nuk është ndryshimi nga një ngjyrë në një tjetër, por ndryshimi  i vendit; ndryshimi i modelit qeverisë; ndryshimi i marrëdhënieve mes individit dhe shtetit; ndryshimi i cilësisë së jetës.

Një proces që pa pikë dyshimi është shumë i vështirë, një proces që pa pikë dyshimi do të ketë edhe hatërmbetje dhe gabime, por është një proces ku ne do të kemi aftësinë të vetëkorrigjojmë gjithçka që gjatë rrugës nuk shkon ashtu siç duhet. Do të kemi kurajën dhe vendosmërinë që të shikojmë përpara, të ecim shpejt e më shpejt përpara, për ta bërë realitet Rilindjen që Shqipëria kërkon, Rilindjen për të cilën ne u zotuam dhe Rilindjen që pa as më të voglin dyshim, Vlora dhe vlonjatët meritojnë.

Kemi filluar një punë të gjithanshme për të realizuar një nga e një, hap pas hapi, sipas kohës që nevojitet, zotimet tona dhe unë jam shumë besimplotë që  zotimet tona, ne do t’i mbajmë dhe me mbajtjen e zotimeve tona, ne do ta ndryshojmë cilësisht jetesën e njerëzve në këtë vend. Në radhë të parë, duke vendosur në vend dinjitetin e qytetarit në raport me institucionet, në raport me shtetin. Duke vendosur shtetin dhe institucionet aty ku u takon, në raport me qytetarin dhe duke transformuar shërbimet tona publike gjithmonë e më cilësore, gjithmonë e më transparente, gjithmonë e më larg korrupsionit dhe zvarritjeve që ju kanë marrë shpirtin qytetarëve për vite me radhë, kudo në të gjithë Shqipërinë.

Sot, para se të vija këtu isha në një sipërmarrje prodhimi që punësonte 700 gra e bura, vajza e djem të Vlorës dhe që kërkon të zgjerohet edhe me tutje për t’u dyfishuar në një kohë sa harku i një viti të vetëm. Ne kemi shumë nevojë që ta nxisim me të mënyrat sipërmarrjen që kërkon vende të reja pune, sepse kemi shumë nevojë të kuptojmë ne të parët e pastaj të bëjmë të kuptojnë të gjithë të tjerët se shteti nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh, se përgjigja për kërkesat legjitime për punësim të shumë njerëzve që sot nuk dalin në mëngjes nga shtëpia për të shkuar në punë, nuk mund t’i përballojë dhe as mund t’i plotësoje shteti, duke i kthyer institucionet, duke i kthyer zyrat dhe shërbimet në fole punësimi. Kjo jo vetëm që nuk zgjidh problemin e punësimit, por kjo është rrënuese për shtetin. Eksperienca e ka treguar.

Paraardhësit tanë e transformuan të gjithë shtetin në një “fole punësimi”, që vetëm punësim nuk mund të quhet, por është mbajtje në pension për njerëz, të cilët figurojnë si nëpunës së shtetit, por ne fakt janë vetëm pensionistë që marrin një rrogë dhe nuk ja kthejnë këtë kontribut qytetarëve, me cilësinë e shërbimit dhe të punës që duhet të garantojë shteti.

Kjo është e vërteta e të shkuarës. Kjo nuk mund të jetë e vërteta e të tashmes dhe as e të ardhmes sonë. Ne socialistët e bashkuar nuk mund dot të vazhdojmë në traditën e shëmtuar të rrënimit dhe të gërryerjes së shtetit, për interesat e një pushteti të përqendruar vetëm tek një klientelë e ngushtë partiake apo nepotike apo klanore. Ne duhet t’i bëjmë institucionet e shtetit të afta  të krijojnë gjithmonë e më shumë, gjithmonë e më shpejt, kushtet që Shqipëria të zhvillohet nëpërmjet punësimit, kushtet që Shqipëria të zhvillohet përmes prodhimit, kushtet që Shqipëria të zhvillohet përmes edukimit të duhur dhe përmes të gjithë atyre instrumenteve që garantojnë zhvillimin e qëndrueshëm në një vend normal. Kjo, nëse duam që Shqipëria të bëhet një vend normal dhe nëse nuk duam që në Shqipëri të përsëritet pafundësisht cikli i shkarkim-ngarkimeve, vetëm për interesa të ngushta që fatkeqësisht kontrollohen nga një grup  njerëzish.

Unë jam shumë i lumtur sot, që shikoj këtu fytyra të reja. Nuk janë fytyra të reja njerëzish që vijnë sot për konjuktur, apo që s’kanë punë. Janë fytyra të reja njerëzish që marrin pjesë në këtë ceremoni, jo për t’u dukur sot dhe për të përfituar ndonjë gjë, por për të mbështetur prefekten e re të Vlorës. Vijnë nga universiteti i Vlorës.

Nuk kemi asnjë arsye që ta fshehim që do të ishte fat dhe do të ishte gjë e madhe për PS-në, do të ishte fat për Aleancën tonë për Shqipërinë Evropiane, që gjithë këto fytyra të reja që sot janë këtu, të vinin përsëri e përsëri dhe të bëheshin pjese e familjes sonë politike. Të bëheshin pjesë e familjes sonë politike, jo për të marrë, por për të dhënë. Ne kemi nevojë për t’i dhënë familjes sonë politike, tani që jemi në pushtet, një përmasë të re. Përmasën e një hapësire ku jo vetëm ka vend, por ku ka shprehje të qartë të nevojës, për të gjitha ata të cilët nuk mund t’i fajësojmë  pse deri dje  e kishin të pamundur të merrnin pjesë në jetën tonë politike. E kishin të pamundur për 1001 arsye të vetëkuptueshme, në një vend ku liritë e të drejtat ishin të gjitha në rrezik e në një vend ku gjithkush i kërcënuar drejtpërdrejtë në bukën e gojës.

E nga ana tjetër, ne nuk mund të sillemi në asnjë mënyrë si heronjtë që çliruan Shqipërinë e që tani ju takon që ta ndajnë copën vetëm mes tyre. Kjo do të ishte fatale dhe do të ishte diçka që kurrë nuk do të na e falnin ata 1 milion njerëz që na e dhanë votën e që janë shumë e më shumë, nuk numërohen dot sa më shumë, sesa ne që qëndruam në vijën e parë të një beteje që i dha dinjitet dhe nder, PS-së, LSI-së dhe Aleancës për Shqipërinë Europiane, në tërësi.

E them këtë, sepse dua të jem shumë i qartë që ne duhet të nxjerrim më të mirën nga çdo komunitet, duhet të nxjerrim më të mirën nga çdo vatër progresizmi dhe progresi në çdo komunitet, duhet të nxjerrim më të mirën nga çdo pjesë e komunitetit, nga çdo universitet, nga çdo pjesë e shoqërisë, në mënyrë që t’i japim vendin që meriton çdo talenti, çdo kapaciteti, çdo eksperience. T’i japim fund një dasie primitive, një dasie të vjetër dhe shkatërruese për Shqipërinë, mes atyre që me pushtetin nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër, veçse të rregullojnë në punë kushërinjtë, të rregullojnë në punë tarafin, të rregullojnë në punë fshatin  e tyre dhe pjesës tjetër të shoqërisë që ndihet e përjashtuar. Ndërkohë që nuk duhet ta harrojmë kurrë se PS-në, LSI-në, Aleancën për Shqipërinë Evropiane e solli në qeveri populli. Populli është shumë më i madh dhe meriton shumë më tepër se sa të perceptuarit e tij, si në detyrimin për të na votuar dhe të perceptuarit e pushtetit si pronë, apo si instrument për ta përdorur vetëm në funksion të një grupi të vogël njerëzish.

Nga ana tjetër, ne nuk duhet ta harrojmë për asnjë moment se institucionet, ndërmarrjet janë instrumente të një zhvillimi që nuk duhet të vijë se këto instrumente nuk janë në duart e atyre që dinë se si përdoren. Ne nuk mund të harrojmë për asnjë moment se, nëse duam të përballemi me sukses me krizën e sistemit energjetik, një krizë e trashëguar dhe një krizë ku ka një rol jo të vogël militantizmi në ekstrem i njerëzve që punojnë në sistem, ne nuk mund ta perceptojmë kurrë, asnjë pjesë të këtij sistemi, si një pjesë për t’u vënë në shërbim të një grushti njerëzish dhe për të plotësuar nevojat e disave, duke harruar se ky është një sistem ku profesionistët dhe vetëm profesionistët mund të na garantojnë atë që ne të gjithë kemi nevojë. Jo vetëm dritën në çdo familje, por sistemin tonë energjetik të sigurt dhe në zhvillim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.

Ky është vetëm një shembull, por si ky shembull janë dhe shumë shembuj të tjerë dhe nga këta shembuj të mirë ose të këqij do të na gjykojnë nesër populli. Nga këta shembuj do të na gjykojë nesër Vlora. Vlora është shumë më e madhe se PS-ja e Vlorës. Vota për ne vjen nga shumë më tepër zemra, mendje, shtëpi, sesa nga zemrat dhe mendjet tona brenda PS-së së Vlorës. Ne kurrë nuk do të ishim këtu ku jemi pa PS-në, por kurrë PS nuk mjafton pa popullin që e mbështet. Populli që e mbështet, siç e tha prefektja, shikon, dëgjon kupton, edhe fal, por jo gjithmonë, jo pafundësisht.

I them këto të gjitha, sepse më mirë të jemi të qartë sot, përpara sesa të na marrë me vete inercia e një tradite rrënuese, sesa pastaj t’i qajmë gabimet tona, nesër. Më mirë të jemi të qartë sot, pa gabuar ende në mënyrë të pakorrigjueshme, sesa nesër vendosemi përballë gabimeve tona dhe të mos kemi asnjë mundësi të justifikohemi as me veten, se njerëzit s’do kenë kohë dhe durim të dëgjojnë asnjë justifikim.

Vota e 23 qershorit, unë e kam thënë qysh ditën e parë, ashtu e madhe, ashtu e fuqishme është vota më e brishtë që ne mund të kishim marrë, sepse është e lidhur me një pritshmëri të jashtëzakonshme. Detyrimi ynë është që ta respektojmë deri në fund, atë pritshmëri të jashtëzakonshme dhe të mos e zhgënjejmë popullin shqiptar dhe të mos i zhgënjejmë të gjithë ata që na besuan, por edhe ata të tjerët që mbase do të kishin dashur të na votonin, po të kthehej mbrapsht koha, në radhë të parë, duke mos përsëritur gabimet e paraardhësve tanë. Dhe pastaj, sigurisht, duke qenë të hapur, të drejtpërdrejtë dhe të ndershëm me njerëzit, duke bërë gjithçka kemi në dorë, që gjërat të bëhen më mirë dhe duke qenë të zot që të pranojmë edhe gabimet, kur bëjmë gabime.

Ne nuk jemi të përsosur, por jemi më të mirë sesa të tjerët, për një arsye të thjeshtë, sepse ne jemi të lidhur me njëri-tjetrin dhe besojmë në disa parime dhe vlera që e kanë bërë familjen tonë politike, familjen më demokratike dhe më të besueshme në politikën shqiptare. E pra, ne duhet t’i japim kësaj familjeje atë dinjitet që pushteti e kërcënon për çdo parti, atë dinjitet që pushteti e rrezikon për çdo përfaqësues, atë dinjitet që pushteti e vë në pikëpyetje me forcën e vet tërheqëse drejt interesave të vogla, drejt interesave që tamam si ato sirenat, pushteti është një forcë verbërisht tërheqëse, qysh që kur ka lindur në historinë e botës.

Ne kemi nevojë, nga ana tjetër, që të kthejmë sytë nga universiteti, të kthejmë sytë nga shkolla, të kthejmë sytë nga çdo pjesë e jetës së komunitetit ku qytetaria, qytetaria vlonjate jo vetëm në qytet, por edhe në fshat ka nevojë të dëgjohet, ka nevojë të ndjehet e përfillur dhe e respektuar, ka nevojë të përfaqësohet.

Është koha për ta hapur PS-në tërësisht, është koha për ta thënë qartë dhe për ta bërë që PS, sot ka nevojë më shumë se dje për të gjithë dhe jo e kundërta, që dje kishte nevojë për të gjithë dhe sot të mbyllim dyert dhe të mos lëmë njeri se do të vijë të marrë ndonjë gjë që duhet ta ndajmë me njëri-tjetrin. Është koha për ta çuar në një cilësi të re, jetën e brendshme demokratike të çdo komuniteti dhe të jemi të vetëdijshëm se kjo aleance është e vetmja forcë që mund ta bëjë këtë gjë. Kjo aleancë është e vetmja forcë që mund t’u krijojë njerëzve qetësinë dhe komoditetin e të qenit pjesë në përpjekjen e përbashkët që është jo thjesht politike, por shoqërore, për ta bërë realitet Shqipërinë që duan çdo komunitet.

Shqipëria evropiane është një fjalë shumë e bukur, por është shumë larg, nëse nuk fillon dhe nëse ne nuk bëjmë çdo ditë të pamundurën që të fillojë nga qytetari, që të fillojë nga mësuesi në shkollë, që të fillojë nga infermierja,  mjeku në spital, që të fillojë nga nëpunësi i hipotekës apo nga nëpunësi i çdo pjese të administratës ku populli troket në mëngjes, ku njerëzit trokasin. Njerëzit me shumë halle, probleme, që nuk është e mundur të zgjidhen të gjitha, aq më pak është e mundur të zgjidhen për një ditë apo për 6 muaj, por ama është e mundur të trajtohen me njerzillëkun që shpesh herë mungon, që shpesh herë harrohet kur komunikojmë me njerëzit.

Ne shqiptarët kemi një fjalë shumë të bukur dhe kjo duhet të jetë deviza jo vetëm e prefektes së re, por e çdo shërbëtori, në çdo zyrë ku njerëzit hyjnë: “Hallin që s’ma zgjidh të paktën ma qaj”. Por edhe s’ma zgjidh edhe s’ma qan, për çfarë më duhesh?  Që të vij e të kërkoj diçka dhe jo vetëm atë të mos ta gjej, por të dal nga zyra edhe më i mërzitur se ç’isha, se më shton edhe një hall tjetër, se sillesh keq me mua. Dhe kjo është diçka që ne nuk na falet dhe nuk do na e falë kush, nëse nuk e kemi parasysh dhe nuk e vëmë në jetë çdo ditë.

Fola për këtë pjesë dhe nuk dua t’ju marr shumë kohë, por dua vetëm të shtoj që është e domosdoshme që ne t’u japim siguri, marrëdhënieve të njerëzve me shtetin, t’u japim siguri, marrëdhënieve të gjithkujt me çdo zyrë të shtetit, t’u japim siguri që buron jo nga “u zgjidh, apo nuk u zgjidh” brenda ditës problemi, por buron nga e drejta e gjithkujt që të trajtohet me dinjitet dhe të marrë përgjigje për atë që kërkon, në kohën që e përcakton ligji dhe rregulli i vendosur, që nuk mund të jetë në dorën e një zyrtari, por duhet të jetë në dorën e çdo qytetari.

Nga ana tjetër duhet të shkojmë shpejt përpara dhe do të shkojmë shpejt përpara, për t’i përmirësuar cilësisht shërbimet tona përmes inovacionit. Përmes inovacionit që do të na ndihmojë ta luftojmë me shumë më tepër shpejtësi dhe me shumë më tepër efektshmëri korrupsionin, duke i bërë gjithë proceset shumë më transparente, që nga pronat e hipotekat, deri tek marrëdhëniet e prindërve me shkollën dhe padyshim na duhet të bëjmë progres çdo ditë.

Në Vlorë, ne kemi filluar të bëjmë progres e jo vetëm në qytet, por në gjithë qarkun. Projektet janë aty. Të tjera projekte po konceptohen dhe do të futen në rrugën e realizimit. Por projekti ynë më i madh është e duhet të mbetet një marrëdhënie e re mes shtetit dhe qytetarit. Projekti ynë më i madh është e duhet të mbetet dhënia dinjitet, çdo qytetari dhe sigurisht që reforma administrovo-territoriale do të na japë mundësinë që të transformojmë rrënjësisht shërbimet, do të na japë mundësinë që të kemi një Shqipëri dhe një Vlorë më të pastër.

Shqipëria sot lëngon mes plehrave. edhe bregdeti ynë lëngon mes plehrave. Por nuk është thjesht e një bashkie apo e një komune, është çështje e një organizimi të vjetër arkaik e të pafuqishëm të të gjithë strukturës sonë shtetërore. Reforma administrativo-territoriale është përgjigja. Është përgjigja për pastrimin, është përgjigja për transportin që të kalojmë nga një transport primitiv të bazuar tek furgonat  8+1, si në Bangladesh, se në Evropë nuk ekzistojnë më si mjete të transportit midis qyteteve, kuptohet, në një transport ku edhe ata që sot jetojnë me furgonat të mund të shoqërizohen, të fuqizohen dhe të fitojnë më shumë, duke shërbyer më mirë. Në një transport bazuar jo më thjesht tek qyteti apo komuna, por tek rajoni.

Dhe po kështu me shërbimet e tjera, me ujin, p.sh. Si mund të kemi ne shërbime normale nga ujësjellësit tanë, ndërkohë që i gjithë sistemi i organizimit është kundër nevojës për të pasur një shërbim cilësor. Si mund të kemi ne shërbim cilësor në ujësjellës apo qoftë edhe në vaditje, nëse nuk e merr vesh i pari të dytin në organizimin e ndërmarrjeve dhe nëse nuk ka një autoritet të qartë, ashtu siç nuk ka një hapësirë dhe kapacitet të mjaftueshëm për të investuar dhe për të kthyer investimin mbrapsht.

E po kështu shëndetësia, arsimi e me radhë. Të gjitha këto janë në proces.

Pritshmëria e lartë bën që durimi të jetë më i pakët sesa zakonisht, por ajo që unë ju them juve dhe u them të gjithë njerëzve, që në këtë pjesë të qeverisjes, gjithçka ka shkuar ashtu siç e kemi planifikuar për nga kantieret e reformave, për nga hapat që kemi marrë dhe për nga objektivat që kemi pasur parasysh.

Jam i bindur se kështu do të shkojë  edhe pjesa tjetër e vitit. Do të bëjmë progres, duke rritur sigurinë e marrëdhënieve mes individëve dhe shtetit dhe duke rritur kapacitetin e shërbimeve përmes inovacionit. Duhet punë e madhe, duhet edhe sakrificë e durim. Ndryshimi që duam është shumë i madh, është shumë real dhe shumë i thellë dhe nuk mund të ndodhë sa hap e mbyll sytë dhe nuk mund të vijë vetë.

Padyshim kishte të drejtë prefektja, kur tha nuk mund ta bëjmë dot vetëm, ne që jemi lart në qeveri, apo që dalim në tribunë e televizor, por do ta bëjmë gjithë bashkë. Do ta bëjmë të gjithë bashkë dhe në këtë gjithë bashkë, rolin dhe përgjegjësinë kryesore padyshim e ka PS, e ka Aleanca jonë në nivelin politik, në çdo periferi, për të garantuar drejtësi dhe siguri në marrëdhënie me njerëzit, për të mos lejuar që pushteti të shpërdorohet për interesa të njërit apo tjetrit dhe për të dhënë me forcën e shembullit, edhe argumentin se gjërat bëhen hap pas hapi. Nëse dikush që ka një status të veçantë, fut në punë gjithë familjen dhe gjithë fisin e vet, nuk ka më argument për t’i thënë të tjerëve “shiko se duhet durim”. Pse duhet të durojnë të tjerët dhe nuk duhet të durojnë kushërinjtë?! Ata të parët. Më vjen shumë keq mua, se unë kam kushërinj në Vlorë dhe i kam shumë të mirë, po fatkeqësia e tyre, që jam unë kryeministri. Dhe kështu duhet të jetë për të gjithë ne, besoj unë. Përndryshe askush nuk do të na besojë, përndryshe askush nesër nuk do të jetë pas nesh, me të njëjtin entuziazëm dhe me të njëjtin vullnet.

Ju fola shumë hapur. Ju fola siç besoj më takon si pjesë e juaja dhe për më tepër, deputeti juaj, i bindur se ne i kemi të gjitha mundësitë për të bërë një sukses të madh dhe për të shkruar emrin tonë në historinë e këtij qyteti; E këtij qyteti, që Zoti e ka bërë ditën e diel, kur ka qenë pushim, e ka bërë për qejf; Këtij qyteti që ka njerëz të jashtëzakonshëm, ka energji të jashtëzakonshme dhe që nuk dorëzohet kurrë para asnjë vështirësie; Këtij qyteti që ka eksperienca të mëdha qoftë në punë, qoftë në drejtim; Këtij qyteti që ka gra të jashtëzakonshme dhe ne duhet të kemi më shumë akoma dhe që pastaj nuk diskutohet ka edhe burra të zotë, të cilët do bëjnë shumë më tepër, kur ta kenë kuptuar se forca e tyre më e madhe janë gratë.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.