Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Komisionin për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot – Skënderbeut, nën kryesinë e dy kryeministrave:

I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës!

Shumë i dashur Ramush!

Të nderuar të pranishëm!

Me një kënaqësi të posaçme mirëpres sot, në këtë godinë, Kryeministrin e Kosovës, nderimet për të cilin i takojnë çdo vëllai e motre të një gjaku në shtetin fqinj, është a s’është dakord me qeverinë e Kosovës, po janë nderime që i takojnë çdo qytetari e qytetareje të një kombësie tjetër që jeton në Kosovën e respektit shembullor për minoritetet.

Një nga misteret e kësaj godine, ngritur në sy të mbarë opinionit për të qenë strehë e kurorës shqiptare dhe më pas, seli nominale e një perandori të huaj  dhe më vonë akoma, një pallat trofe i vegjëlisë çlirimtare mbi të ashtuquajturat “klasa të përmbysura”, është ai i të qenit në brendinë e vet më të thellë, një himn ndaj figurës dhe veprës së paarritshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut, atit tonë në shtetndërtim dhe në kombësi.

Himn që mendjet më të ndritura të artit dhe artizanatit europian dhe shqiptar ia kënduan dhe skalitën në mermer dhe materiale të çmuara Heroit Kombëtar, në një epokë pushtimesh, tradhtish apo përçarjesh. Homazh që vesi i bën virtytit dhe monumenti i gurtë, ku shembulli i forcës i përkulet forcës së shembullit.

Nuk kishte sesi sot, teksa Kryeministri i Kosovës e nderon Shqipërinë me vizitën e tij zyrtare, mos nguteshim që të çelnim siparin e parë të përpjekjes së përbashkët për konkretizim të një viti simbolik, që e duam të favorshëm dhe frymëzues për të gjithë shqiptarët. Viti nën shenjën e paperëndueshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Vit që e duam jo të hirshëm në shfaqjet e kujtesës, por sa më të gjallë në imagjinatën udhërrëfyese të ardhmërisë.

Vit që e duam si gur të ri kilometrik në ndërlidhjen mes veti dhe të fqinjësive të mira e të shkëmbimeve që ndërtojnë ura dhe që integrojnë pareshtur të gjithë, nën një çati të përbashkët europiane.

Vit që e duam emancipues, rrezatues për shqiptarët  kudo që ndodhen. Vit që e duam shpresëdhënës, dinjitoz, gjithëpërfshirës dhe politikbërës për rivendosjen në qendër të përparësive tona, të shqiptarit të zakonshëm dhe Europës që duam për të gjithë shqiptarët.

Në përshkrimet që i janë bërë Heroit tonë Kombëtar spikat, në mendimin tim, ai i dijetarit mysliman të shekullit të 17-të, Koxha Saad-ed-Din, i cili në veprën e tij “Kurora e historive” shkruan se “Skënderi sundimtari i Shqipërisë frymëzonte dashurinë, hirësinë dhe hijeshinë.”

Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut lipset të jetë pikërisht ndërthurës i këtyre vetive në botën shqiptare dhe themeli i një qasje të re, të domosdoshme, të imazhit që përçojmë në botën që na rrethon dhe në universin Europian, të cilit prej natyre, ne shqiptarët i përkasim.

Gjatë këtij viti, që nis me mbledhjen e dy qeverive në 27 nëntor e vijon të nesërmen më 28 Nëntor me 105 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë do të ishte paudhësi të ushtonte zhurmnaja e nacionalizmave folklorikë  apo gumëzhima e të gjithëditurve që përtacia për të farkëtuar ardhmëri prej mundit dhe djersës i ka kthyer në rektorë të halleve tona të moçme. Fataliteti dhe fatalizmat janë kthyer në borizanë squlltësie dhe ndjeshmërie përkundrejt virtytit, të cilin shqiptarët e kanë pasur gjithmonë, por që lypsej në sytë e Bajronit, veç të ishte më i arrirë.

Vitin e përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut nuk e duam si pretekst, për t’u nisur të hallakatur në monopatet torturuese të sdikuishteve përkujtimore, por e duam për të ripërtërirë lidhjet tona me njëri-tjetrin e për t’i çuar ato në një nivel më të ri dhe si një yll orientues të rrugës sonë të përbashkët, krah për krah njëri-tjetrit, përditë, për muaj e për vit më të bashkuar në funksion të një të ardhmeje të merituar për të gjithë shqiptarët.

Në një farë mënyre, kësisoj duam që t’i biem pas motos autentike të Heroit tonë Kombëtar ndër beteja, sjellë nga Dhimitër Frengu: “Ndiqmëni”!

Komisioni Shtetëror për Organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut do të ketë nisur nga këto premisa një kuadër pune të përbashkët, në kujdesin simbolik të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe falë përpjekjes në një tryezë të të gjithë pjesëmarrësve të vet, ku përfshihen autoritete të larta të Shqipërisë, Kosovës dhe autoritete të zgjedhura të Tiranës, Prishtinës, Tetovës, ashtu sikundër dhe mendje të mbara të botës sonë akademike, universitare, pa kufij.

Nën shenjën e Heroit tonë Kombëtar, ky vit duhet të na shërbejë si busull e përbashkët ardhmërie, por jo më pak, edhe si një pakt i pashkruar përgjegjshmërie në funksionon të njerëzve të zakonshëm të Shqipërisë, Kosovës e botës shqiptare në tërësi.

E thelbi i mesazhit të Kuvendit të Lezhës duhet ta përshkojë kryekëput këtë vit, në këndvështrimin tim, si një dinamikë, në interesin e përgjithshëm, përbashkuese dhe llogaridhënëse ndaj shqiptarëve që me mund dhe djersë përpiqen për familjet e tyre në përditshmëri në Shqipëri, Kosovë apo diasporë e meritojnë një frymëzim ardhmërie në pasqyrën e punës sonë si politikbërës e vendimmarrës për vlerat e përparimin e kombit shqiptar.

Gjatë këtij, annum gratiae, siç do shkruhej në kronikat e qëmotshme, mesazhi i parë i ardhmërisë besoj se duhet t’i kushtohet botës shqiptare, me objektiva të qarta për të forcuar lidhjet, për të rritur pjesëmarrjen e çdo shqiptari në shtetndërtimin dhe të drejtën e qytetarisë të gjithë bashkëkombësve tanë, posaçërisht atyre në diasporë.

Afërmendsh, fokusi shqiptar do të ishte një përpjekje e shumëfishuar për t’ia dalë sfidës së regjistrimit të plotë të shqiptarëve kudo që ndodhen dhe jetësimit të një të drejte themeltare kushtetuese dhe angazhimit solemn të qeverisë sonë për ushtrimin e së drejtës së votës si një e drejtë vendimmarrëse, çka Kosova fatmirësisht e ka nisur dhe në këtë aspekt është edhe një model për t’u marrë shembull prej nesh.

Por jo veç kaq, ne duhet dhe duam bashkërisht të angazhohemi për fëmijët e kombit tonë që janë lindur, rriten, mësojnë, studiojnë dhe bëjnë sukses në Europë e Amerikë, e ndaj të cilëve duhet të  gjejmë rrugët  për t’iu qasur bashkërisht, në funksion të përfitimit të dijes së tyre në shërbim të kombit, por dhe të forcimit të një lidhjeje shumë të rëndësishme që nuk mund ta lëmë të tretet nga pamundësia e kontakteve, që është përgjegjësia jonë si politikëbërës dhe vendimmarrës t’i vëmë në jetë. Dhe teksa do ta përmbyllim vitin mbarëkombëtar në 28 Nëntor të 2018-s me diasporën si lajtmotiv në Samitin e Dytë të sajin në Tiranë, do të mund të rendisim çka sëbashku jetësuam si dy qeveri për shqiptarët jashtë kufijve gjatë këtij Viti të Skënderbeut. E do të jetë ky një moment vërtetësie.

Mesazhi  i dytë i ardhmërisë nën shenjën e Vitit të Skënderbeut do të ishte ai i Shqipërisë së dijes, me objektiva të qarta edukative, arsimore dhe kulturore, strategjike,  të përbashkëta për qeverinë e Shqipërisë dhe qeverinë e Kosovës, përqendruar në ripërtëritjen e rifreskimit e trashëgimisë sonë të përbashkët arkivore, bibliografike, gjuhësore dhe historike.

Aksesi dhe shfrytëzimi i tyre i lehtësuar ndërmjet edhe kanaleve të teknologjisë së re do të jetë një përparësi dhe një projekt në vijimësi i yni,  gjatë gjithë mandatit qeverisës, por me rëndësi të veçantë  për këtë vit, ku unë besoj se nuk është as e tepërt dhe as  e parakohshme që bashkërisht të mendojmë edhe për t’u ndarë nga historia e lodhshme sovjetike e akademive të shkencave që i përkasin të shkuarës dhe për t’i hapur rrugë krijimit të një institucioni, të një Akademie Shqiptare të pakufij, ku të gjitha mendjet e ndritura të kombit tonë të mund të jenë së bashku në një çati, në funksion pikërisht të atyre vlerave të rëndësishme identitare dhe të asaj trashëgimie të rëndësishme gjuhësore dhe kulturore, që ne nuk mund ta lëmë të bjerret, por përkundrazi duhet ta nxisim dhe ta promovojmë si një vlerë e pandashme e rrugës sonë në çdo aspekt.

E dua ta theksoj këtu, zoti Kryeministër, që na takon ne, bashkërisht, si dy qeveri të dy shteteve shqiptare, të konsiderojmë seriozisht kërcënimin që i bëhet gjuhës shqipe, gjuhës së folur dhe të shkruar dhe domosdoshmërinë që ne t’i bëhemi mburojë kësaj arritje të jashtëzakonshme dhe të pakrahasueshme me asgjë tjetër të shqiptarisë, nëse do ta quaja kështu, me një fjalë të vetme.

Mesazhi i tretë i ardhmërisë do të ishte ai i qytetarisë, ku partner të qenësishëm do të jenë  të gjitha  komunat shqipfolëse të rajonit dhe të gjitha organizmat e diasporës, në objektivat koncize në fushën zhvillimore dhe të marrëdhënieve ndërqytetare.

Teksa do të shumëfishojmë përpjekjet për të ndërlidhur qendrat dhe entet e mëdha përbërëse të identitetit tonë, sa të bashkëndarë, po dhe aq të shënjuar nga një larmi bashkëjetese, e lakmueshme dhe e lavdërueshme, ne duhet të këmbëngulim në ndërthurjen e shanseve për rininë, sidomos kategoritë më  të lënë pas dore me sensin e përkatësisë dhe përfitimin e një statusi dinjitoz brenda shoqërisë.

E për këtë arsye, mesazhi i katërt që mendoj se do t’i shkonte këtij Viti të shënjuar të Skënderbeut, do të ishte ai i dinjitetit qytetar. Një program i posaçëm nën përkujdesjen e Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të pasur objektiva për shanse të denja për rininë në kuadër të integrimit Europian, në përputhje me detyrimin ndaj aleancave tona strategjike. Në sensin që cilido që flamujt e dy shteteve tona i sheh si promovues vlerash humaniste dhe përbashkues në emancipim, të jetë pjesë e kësaj iniciative ambicioze  dhe ta themi pa drojë, ta ketë si ashensor social në karrierën e vet profesionale.

Deradikalizimi, lufta ndaj ekstremizmit  të dhunshëm, formimi në sektorë kyç të asistencës teknike në përditshmërinë tonë, sidomos në Emergjencat Civile, mund të jenë elementë strukturues të një projekti ku të përfshijë rininë, në një proces që nuk e sheh margjinalizimin e të rinjve si një sëmundje të pakurueshme të kohës.

E në fakt, ajo që është kryesorja të thuhet qysh sot dhe do të jetë filli, besoj, i të gjithë takimeve tona, por dhe i grupeve të punës që do ta sintetizojnë gjithë këtë proces, duke dalë me kalendarin përfundimtar të Vitit të Skënderbeut dhe të nismave të Vitit të Skënderbeut, në mbledhjen tonë të përbashkët të dy qeverive, është fakti që ky nuk do të jetë dhe s’mund të jetë viti i të pushtetshmëve dhe i qokave përkujtimore, apo varieteve jubilare, por do të jetë viti i shqiptarit të zakonshëm dhe i fëmijëve të kombit shqiptar. Në sensin që t’i japim përmes frymëzimit të këtij Viti të rëndësishëm, më të mirën tonë, duke  çuar përpara procese dhe nisma që i shërbejnë të ardhmes dhe ku e shkuara është një pikë referimi që krenarinë tonë kombëtare e vë në funksion të së ardhmes dhe nuk e kthen në një shpatë me të cilën palë të ndryshme brenda nesh luftojnë fatkeqësisht njëra – tjetrën.

Në  mbyllje, i nderuar Kryeministër, përpara se të ju jap juve fjalën, dua t’ju them që është detyra jonë e përbashkët, që në 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë,  në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit, si data madhore të këtij Viti të Skënderbeut, përfshirë edhe vetë përvjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, t’i kthejmë në stacione ku të flasim me një gjuhë për të ardhmen dhe ku të mund t’u drejtohemi njerëzve të zakonshëm me gjuhën e rezultateve konkrete, në funksion të  një aspirate të madhe të përbashkët, që për sa kohë ne jetojmë dhe do të jetojmë në shtete të ndara, jo vetëm të mos e harrojmë, por të punojmë bashkërisht që hapësira që mbulojnë këto dy shtete të jetë një hapësirë shqiptare në funksion të një të ardhmeje të përbashkët, tërësisht të integruar në BE, si një popull që nuk mund të jetojë në jetë të jetëve i ndarë në dysh.

Shumë faleminderit edhe njëherë, për këtë vizitë dhe duke qenë se për pak ditë, mbledhja e parë teknike e Komisionit Shtetëror do të rendiste në mënyrë të detajuar përparësitë dhe pastaj do t’i hapë rrugë gjithë propozimeve, sugjerimeve dhe ideve që do të vijnë nga të gjitha anët, le t’i japim kohë të tjerëve të mendojnë për kontributin që do të japin.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.